Mesazhi i Jezuit* (Pjesa e dytë)

Mesazhi i Jezuit* (Pjesa e dytë)

Aisha Stacey

Ne tanimë vërtetuam se Jezui, i biri i Marisë, ose siç quhet nga muslimanët, Isa ibën Merjeme, realizoi mrekullinë e tij të parë derisa ishte në krahët e Marisë. Ai foli me lejen e Zotit dhe fjalët e tij të para ishin: “Unë jam rob i Zotit.” [Kur’an 19:30]. Ai nuk tha “Unë jam Zot” as edhe “Unë jam i biri i Zotit”. Fjalët e tij të para vendosën themelet e mesazhit dhe misionit të tij: t’i thërras njerëzit prapa, tek adhurimi i pastër i Një Zoti.

Në kohën e Jezuit, koncepti i Një Zoti nuk ishte i ri tek bijtë e Izraelit. Tora kishte shpallur: “Dëgjoni o izraelitë, Zoti juaj është Një,” [Deuteronomy 4]. Megjithatë, shpalljet e Zotit u keqinterpretuan dhe u keqpërdorën dhe zemrat ishin bërë të thekura. Jezui erdhi t’i denoncojë udhëheqësit e bijve të Izraelit, që kishin rënë në jetët e materializmit dhe luksit dhe të mbështes ligjin e Moisiut / Musait a.s. të gjetur në Tora / Tevrat të cilën tanimë ata edhe e kishin ndryshuar.

Misioni i Jezuit ishte të konfirmojë Toran / Tevratin, të lejojë gjëra që më pare ishin të ndaluara dhe të shpallë dhe riafirmojë besimin në Një Krijues. Muhammed a.s. ka thënë: “Çdo Profet u dërgua vetëm për popullin e tij, por unë jam dërguar për gjithë njerëzimin” [Sahihu i Buhariut].

Pra, Jezui u dërgua tek izraelitët.
Zoti thotë në Kur’an se Ai do t’ia mësojë Jezuit Toran / Tevratin, Ungjillin dhe Urtësinë.
“Ai (All-llahu) ia mëson atij librin (besimin), urtësinë, Tevratin dhe Inxhilin.” [Kur’an 3:48]

Për të shpërndarë mesazhin e tij me efektivitet, Jezui kuptoi Toran / Tevratin dhe u pajis nga Zoti me shpallje të tij – Inxhili ose Ungjilli. Zoti gjithashtu pajisi Jezusin me aftësinë për të udhëhequr dhe për të ndikuar popullin e tij me prova dhe mrekulli.

Zoti, të gjithë të Dërguarit e Tij i dërgoi me mrekulli të cilat janë të dukshme dhe kanë kuptim për njerëzit tek të cilët është dërguar Profeti. Në kohën e Jezuit, izraelitët ishin shumë të avancuar në fushën e mjekësisë. Si pasojë, mrekullitë e realizuara nga Jezui (me lejen e Zotit) ishin të kësaj natyre dhe përfshinin kthimin e të parit tek të verbrit, ndihmën e lebrozëve dhe ngjallja e të vdekurve. Zoti thotë: “…unë i shëroj të verbrit, të sëmurit në lëkurë, dhe unë me lejen e All-llahut i ngjall të vdekurit…” [Kur’an 3:49]

Jezui si fëmijë

As Kur’ani e as Bibla nuk flasin mbi rininë e Jezuit. Ne mund të përfytyrojmë, se si djalë në familjen e Imranit, ishte fëmijë besimtar i përkushtuar ndaj të mësuarit dhe i etur të ndikojë fëmijët dhe të rriturit rreth tij. Pas të cekurit të Jezuit duke i folur turmës, Kur’ani menjëherë rrëfen tregimin e Jezuit duke formuar figurën e shpendit nga balta. Ai fryu në të dhe me lejen e Zotit balta u bë shpend.
“…unë nga balta ju bëj diç si shpendi, i fryhej atij dhe ai me lejen e All-llahut bëhet shpend…” [Kur’an 3:49]

Ungjilli i Tomasit, një komplet tekstesh i shkruar nga të krishterët e hershëm, por i pa pranuar në dogmën e Testamentit të Vjetër, gjithashtu tregon këtë tregim. Tregon në disa detaje tregimin e Jezuit të ri duke u dhënë formë shpezëve nga balta dhe duke fryrë jetë në to. Megjithëse fascinuese, muslimanët besojnë mesazhin e Jezuit vetëm siç është paraqitur në Kur’an dhe në thëniet e Muhamedit a.s.

Muslimanëve u kërkohet të besojnë në të gjitha librat e shpallura nga Zoti. Megjithatë, Bibla që ekziston tani nuk është Ungjilli i cili iu shpall Jezuit. Fjalët dhe mençuria e Zotit që iu dhanë Jezuit janë humbur, fshehur, ndryshuar dhe shkatërruar. Fat i teksteve apokrife, një nga të cilat është Ungjilli i Tomasit, është dëshmi për këtë. Në vitin 325 të erës sonë Perandori Konstantin tentoi të bashkojë Kishën e ndarë Krishtere duke i thirrur peshkopët e gjithë botës së njohur në një takim. Ky takim u njoh si Këshilli i Nicesë dhe rezultati e këtij takimi ishte doktrina e Trinitetit, që më parë nuk ekzistonte dhe humbja e diku mes 270 dhe 4000 Ungjijve. Këshilli urdhëroi djegien e të gjithë Ungjijve që konsideroheshin të pa vlerë në Biblën e re dhe Ungjilli Tomasit ishte një nga ata.[1] Megjithatë, kopje nga shumë Ungjij mbijetuan, dhe, edhe pse jo në Bibël, janë vlerësuar për rëndësinë e tyre historike.

Amnistia kuranore për ne

Muslimanët besojnë se Jezui me të vërtetë pranoi shpallje nga Zoti, por ai nuk shkroi asnjë fjalë të vetme, as dishepujt nuk i urdhëroi që t’i shkruanin[2] Nuk ka nevojë që muslimani të tentojë t’i dëshmojë ose mohojë librat e të krishterëve. Kur’ani na liron nga nevoja për të ditur nëse Bibla që kemi sot përmban fjalët e Zotit, ose fjalët e Jezuit. Zoti thotë: “Ai ta zbret ty (Muhammed) librin me argument që të është vërtetues i librave të mëparshme…” [Kur’an 3:3]

Dhe gjithashtu:
“Ne edhe ty (Muhammed) ta zbritëm librin (Kur’anin) e vërtetë që është vërtetues i librave të mëparshme dhe garantues i tyre. Gjyko, pra, mes tyre me atë që All-llahu e zbriti, …” [Kur’an 5:48]

Gjithçka përfituese për muslimanët që duhet ditur mbi Toran dhe Inxhilin është paraqitur qartë në Kur’an. Çfarëdo e mirë që mund të gjendej në librat e mëparshëm, gjendet në Kur’an[3] Nëse fjalët e Testamentit të Ri të sotëm pajtohen me fjalët e Kur’anit, atëherë këto fjalë ka gjasa të jenë pjesë e mesazhit të Jezuit që nuk është ndryshuar ose humbur gjatë së kaluarës. Mesazhi i Jezuit ishte i njëjtë me mesazhin e të gjithë Profetëve të Zotit që ua mësuan popujve të tyre. Zoti, Perëndia juaj është Një, pra adhuroni Atë të vetëm. Dhe Zoti rreth tregimit të Jezuit tha në Kur’an thotë: “S’ka dyshim, ky është lajm i vërtetë. Nuk ka asnjë të adhuruar tjetër pos All-llahut. All-llahu është Ai, i plotfuqishëm, i vetëdijshëm.” [Quran 3:62] “Dhe se lartësia e madhëruar e Zotit tonë, nuk është që ka as grua, as fëmijë.” [Kur’an 72:3]

Përktheu dhe përshtati:
Skender Mustafi

(Islamway.com / Breziiri.com)

___________________
* Përdorimi i emërtimeve krishtere si Jezui, Jezusi, Jezu Krishti, Krishti, etj., të gjitha këto, ndërlidhen me pejgamberin e Zotit, të cilin ne si muslimanë e njohim si Isai, i biri i Merjemes. Ne nuk deshëm të ndërhymë në tekst, pasi që konsiderojmë se kjo është bërë me qëllim nga autorja e këtij shkrimi. Kemi shtuar vetëm përdorimin mysliman të emrit të Marisë, duke ia shtuat të bashkëngjitur hz. Merjemja; të Gabrielit, Xhibrili a.s., të Tora-s, Tevrati, etj., dhe të ndërrimit të përdorimit nga Profeti Muhamed në Muhammedi a.s. (Redaksia e BR-së)
** Ajetët janë marrë nga Kur’ani i përkthyer nga rahmetli H. Sherif Ahmeti.
[1] Misha’al ibn Abdullah, “Çfar tha Jezui në të vërtetë?”
[2] Sheikh Ahmad Deedat. “A është Bibla fjalë e Zotit?“
[3] Sheikh-‘Uthaymeen Majmoo’ « Fataawa wa Rasaa’il Fadeelat » vëll. 1, f. 32-33