Përgatiti: Mehas Alija
Hazreti Merjemja ishte një vajzë që i ishte përkushtuar adhurimit të Zotit. Kushtimi i saj ndaj Zotit ishte i tillë, sa që natën dhe ditën e kalonte në meditim dhe adhurim. Pëcillet se i enjteshin edhe këmbët nga të falurit e saj të gjatë. Fjalët që mori nga Zoti përmes melaqes, engjullit Xhebrail, i cili i dha edhe më tepër motiv për të vazhduar rrugën e devocionit dhe përkushtimit, qenë këto që i përcjell edhe Libri i Shenjtë, Kur’ani famëlartë, ku thuhet: “O Merjeme, vazhdoje adhurimin ndaj Zotit tënd, bjer në sexhde dhe falu së bashku me ata që falen!” (Ali Imran, 42-43).
Ajo, pra, ishte një vajzë që nuk e përjetoi adoleshënsën e saj dhe nuk i tejkaloi në asnjë momentë kufijtë e hallallit. Nuk e kaloi jetën duke u dhënë pas epsheve dhe dëshirave të kësaj bote, porse kaloi një jetë fetare plotë me adhurim.
Hz. Merjemja u bë nëna e pejgamberit Isa a.s., i cili u lind prej saj, por në një mënyrë të jashtëzakonshme, pra pa baba.
Por, te hz. Merjemja gjejmë edhe disa ndodhi dhe mrekulli të tjera, të cilat, po ashtu, e risin edhe më shumë autoritetin dhe nderin e saj. Të tilla mrekulli ndikojnë, gjithashtu, në forcimin e bindjes sonë sa i përket lindjes së të birit të saj pa patur kontakt dhe pa e prekur dorë e asnjë mashkulli.
1. Në dhomën e saj, në stinën e verës gjendeshin fruta të stinës së dimrit, dhe në stinën e dimrit gjendeshin frutat e stinës së verës. (Muxhahidi, transm. Ibn Ethiri). Në dhomën e Merjmes hynte vetëm Zekerijai, i cili shpesh shihte ushqime të ndryshme, e që nuk përkonin me kohën dhe vendin ku ata jetonin. Për një gjë të tillë, na flet edhe Kur’ani fisnik: “Zoti e pranoi kushtimin e saj, e vuri nën kujdesin e Zekeriait dhe e rriti me një edukatë të mirë. Kur Zekeriai hynte në dhomën e saj, e gjente gjithmonë ushqime të tjera, dhe e pyeste: “O Merjem, nga të kanë ardhur këto”? Dhe ajo i përgjigjej: “Nga Allahu, se Allahu, atë që e do, e furnizon pa masë”. (Ali Imran, 37). Ushqimet e tilla, thuhet se, kanë qenë të sjellura nga Xhenneti.
2. Hz. Merjemja është gruaja të cilës iu paraqit Xhebraili, krye engjulli, i cili, po ashtu, iu paraqit edhe pejgembarëve.
3. Allahu e mbrojti atë dhe të birin e saj, Isai a.s. prej cytjeve dhe të këqijave të djallit (shajtanit). Kur nëna e hz. Merjemes e lindi atë, ajo u lut që Zoti ta mbrojë prej çdo të keqeje dhe ngatërrese. Kur’ani këtë e përshkruan kështu: “E kur ajo e lindi tha: “Zoti im, unë e linda femër”! Po All-llahu e di më së miri atë që ajo e lindi. E mashkulli nuk është si femra. “Dhe unë e emërtova atë Merjeme, e atë dhe pasardhësit e saj po t’i lë Ty në mbrojtje prej djallit të mallkuar”. (Ali Imran, 36).
Në komente të ndryshme, mufesirët thonë se të gjithë fëmijët e botës mund të preken nga djallëzitë e shajtanit, me përjashtim të hz. Merjmes dhe të Isasë, të cilët u mbrojtën prej Allahut, dhe kjo për shkak të lutjes së pranuar të nënës së hz. Merjemes: “Dhe unë e emërtova atë Merjeme, e atë dhe pasardhësit e saj po t’i lë Ty në mbrojtje prej djallit të mallkuar”.
4. I biri, hz. Isai, foli qysh duke qenë në djep dhe i demantoi të gjitha shpifjet që iu bënë së ëmës, hz. Merjemes.
Hz. Isai, një foshnje, i cili në të ardhmen do të bëhej pejgamber i Allahut, me mundësinë që i dhuroi vetë Allahu i Plotëfuqishëm, u bë gati dhe foli: “Ai (Isai) tha: “Unë jam rob i Allahut, mua më ka dhënë (ka caktuar të më japë) librin dhe më ka bërë Pejgamber. Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka porositur me namaz (falje) e zeqatë për sa të jem gjallë! Më ka bërë të mirësjellshëm ndaj nënës sime, e nuk më ka bërë kryelartë as të padëgjueshëm!Selami (shpëtimi prej Allahut) është me mua ditën kur u linda, ditën kur të vdes dhe ditën kur të dal (prej varrit) i gjallë!” (Merjem, 30-33).
Kjo e folur e Isait a.s., në një kohë kur ai ishte një fëmijë djepi, shkaktoi habi të madhe tek njerëzit, me ç’rast nënën e tij, hz. Merjemen, e nxorri të pastër dhe të pafajshme.
Nuk ka dyshim se Allahu i Madhërishëm e ka thënë të vërtetën kur ka thënë:
“Oj Merjeme, Allahu të dalloi ty (me besim e karakter), të pastroi (nga shpifjet ebreje) dhe të lartësoi mbi gratë e botës”. (Ali Imran, 42).
Kjo është hz. Merjemja, e dalluar me shumë mrekulli, e shquar me devocion dhe e vlerësuar si gruaja më e dobishme e kohës së vet.
Pejgamberi ynë, Muhammedi a.s. për të ka thënë: “Merjemja, e bija e Imranit, është më e dobishmja e grave të kohës së vet.” (Trans. Imam Buhariu). Kurse në një rastë tjetër pati thënë: “Merjemja është gruaja më e mirë, që iu është ngritur shpirti në qiell pas vdekjes.” (Imam Buhariu).
Ja, pra, kjo është gruaja e cila edhe sot e kësaj dite është një tregues i reflektimit dhe mëshirës hyjnore. Është një shembull për një rrugë të mbarë për liderët dhe udhëqësit, thirrësit dhe prindërit, burrat dhe gratë. Është kjo hz. Merjemja, e cila edhe sot e kësaj dite bënë dritë për rrugën e drejtë dhe ndryçimin hyjnor.