Fehim Gashi
Shumica e njerëzimit ka rënë në humnerën e pafund si rezultat i mosnjohjes të së vërtetës dhe duke mos analizuar fare që një rrugë e tillë i ka dhënë fund jetës së tyre. Nëse e shikojmë botën sot, e shohim se ajo është stërmbushur me religjione, kulte dhe grupe të ndryshme dhe të gjitha këto si pasojë e injorimit të së vërtetës.
Këto besime apo religjione janë emëruar sipas emrit të themeluesit të tij, apo popullit në të cilin është paraqitur. P.sh. krishtërimi është emëruar sipas emrit të të dërguarit Jezu Krisht, budizmi sipas emrit të themeluesit të tij Buda, etj. Midis tyre janë edhe Dëshmitarët e Jehovait, një kult që kontrollon mendjen e atyre që besojnë në të; një ndërmarrje shtypi që kap vlerën e triliona dollarëve. Aktiviteti i tyre është shumë i gjerë. Mund t’i keni parë në rrugë duke u ofruar revistat e tyre kalimtarëve ose edhe mund të keni folur shkurtimisht me ta në derën tuaj. Janë më së shumti të njohur për profecitë e shumta të bëra të cilat kurrë nuk u realizuan.
Iu përgjigjet më së miri thënia nga vetë Bibla:
“Zoti më tha: “Profetët profetizojnë gënjeshtra në emrin tim; unë nuk i kam dërguar, nuk u kam dhënë asnjë urdhër dhe nuk kam folur me ta. Ata ju profetizojnë një pamje të rreme, një parashikim të kotë dhe mashtrimin e zemrës së tyre.” Jeremia 14:14
Paraqitja e parë e tyre
Organizata e Dëshmitarëve të Jehovait u themelua nga Charles Russel në vitin 1879 së pari nën emrin “Kulla e Cionit”, e cila më vonë në vitin 1884 mori emrin “Shoqëria e Kullës së Rojës dhe trakteve të Cionit”. Në vitin 1870 Russel, pas pjesëmarrjes së tij në një takim fetar të drejtuar nga Jonas Wendell, filloi të predikojë mbi ardhjen e dytë të Krishtit. Fillimisht mesazhi i tij personal nisi me mohimin e doktrinës kristiane të ferrit dhe më vonë ai i shtoi mësimeve të tij edhe doktrina të tjera të rrezikshme fizike dhe shpirtërore, të shpikura nga ai vetë. Më në fund Russel e mohoi gati çdo doktrinë kristiane dhe i botoi mësimet e tij të çuditshme në një seri prej gjashtë librash me titull “Studime mbi Fjalën e Perëndisë”. Ai vdiq në vitin 1976 duke udhëtuar me tren për në Texas. Pasardhësi i tij Joseph F. Rutherford filoi ta rinovonte doktrinën e Rusellit. Ai nisi t’u tregojë gënjeshtra turmave të mëdha të njerëzve se si miliona njerëz që jetonin në Tokë në atë kohë nuk do të vdisnin kurrë.
Për ta dalluar veten nga Organizatat e tjera të të ashtuquajturit krishtërim, në vitin 1931 këta të krishterë përqafuan emrin Dëshmitarët e Jehovait bazuar në pasazhin nga Isaia 43:10-12.
Dallimet midis Dëshmitarëve të Jehovait dhe kishës kristiane
Ato janë të mëdha dhe kanë të bëjnë me çështje si triniteti, ringjallja e Jezuit, etj.
Dëshmitarët e Jehovait besojnë se Jezusi është biri i Perëndisë por jo edhe Perëndia vetë, ashtu siç besojnë të krishterët e tjerë. Gjithashtu ata besojnë se nuk ka ekzistuar përherë, që nga fillimi, por ka qenë një qenie e krijuar me emrin e kryeengjëllit Mikael.
Pastaj sipas tyre Jezusi nuk u ngrit fizikisht nga të vdekurit, por u ringjall si qenie shpirtërore. Mohimi i adhurimit për Jezusin dhe i besimit mbi ferrin janë disa nga dallimet e tjera midis Dëshmitarëve të Jehovait dhe pjesës tjetër të krishtërimit.
Organizimi i tyre
Bashkësia e Dëshmitarëve të Jehovait, ajo që vihet re më së shpeshti në një lagje të zakonshme, quhet Salla e Mbretërisë. Trupi ose Komiteti Kryesor që drejton Dëshmitarët e Jehovait e ka qendrën në Brooklyn, Nju Jork dhe quhet “Kulla e Rojës”. Trupi udhëheqës përbëhet nga një president dhe një grup burrash që njihen me emrin “trupi drejtues”. Ky trup mbikqyr çdo aspekt të organizatës përfshirë këtu edhe materialet që shkruhen në revistat periodike dhe në librat e studimit.
“Kulla e Rojës” deklaron se ajo është një organizatë që drejtohet nga Zoti. Sipas mendimit të kristianëve të tjerë, Dëshmitarët e Jehovait nuk janë në dijeni për faktin që grupet e ndryshme drejtuese të “Kullës së Rojës” i kanë ndryshuar vazhdimisht doktrinat e tyre, për t’iu përshtatur nevojave të organizatës me kalimin e viteve. Dëshmitarët e Jehovait janë të njohur për profecitë e tyre të rreme duke përfshirë këtu edhe thënie si: Armagedoni dhe fundi i botës do të ndodhin në vitin 1914, 1918, 1925 ose 1975.
Shumica e Dëshmitarëve të Jehovait nuk e kuptojnë se autoriteti i tyre i vërtetë nuk është i bazuar tek Bibla, por bazohet tek pikëpamjet e trupit të tyre drejtues me qendër në Brooklyn.
Dëshmitarët e zakonshëm të Jehovait nuk e dinë se po “ushqehen me lugë” dhe se po e hanë vetëm atë ushqim që ua lejon “trupi drejtues”.
Dësmitarëve të Jehovait të cilët kyçen për herë të parë në radhët e organizatës, nuk u lejohet të dinë asgjë lidhur me listën e plotë të rregullave dhe kërkesave të organizatës, derisa ta kenë vënë jetën e tyre në shërbim të plotë të “bashkësisë”.
Anëtarët e rinj dhe shumica e Dëshmitarëve të Jehovait nuk e kanë të lejuar që të hedhin sytë në botimet “sekrete” të cilat janë vetëm për drejtuesit e “bashkësisë”. Këto botime njihen me emrin “Vini Re” dhe japin udhëzime lidhur me ofertat dhe se si duhet të ndëshkohen anëtarët e pabindur. Një njeri i zakonshëm duhet të jetë në dijeni të faktit se të takuarit me një Dëshmitar të Jehovait në pragun e derës ka pasoja për të ardhmen. Ata mbajnë shënime për çdo individ me të cilin është folur. Vizitat i bëjnë në çdo ditë të javës sepse ata nuk kanë ndonjë ditë pushimi të caktuar.
Mësimet e rreme të Dëshmitarëve të Jehovait sipas këndvështrimit kristian.
Në vazhdim do të cekim disa mësime të Dëshmitarëve të Jehovait të para nga këndvështrimi i kristianëve të tjerë jashtë kishës së tyre:
-Shoqëria e Kullës së Rojës dhe e Trakteve me qendër në Brooklyn, Nju Jork, mëson pasuesit se Ati është Zoti i pushtetshëm emri i të cilit është Jehova.
-Shpëtimi vjen përmes veprave të mira që bën njeriu, si p.sh. përmes sasisë së literaturës së shpërndarë nga çdo anëtar çdo muaj apo si quhet ‘kuota mujore’.
-Dëshmitarët e Jehovait nuk janë kurrë të sigurtë nëse janë të shpëtuar apo jo.
-Sipas tyre shpirti ose Fryma e Shenjtë nuk është një person i veçantë por një forcë, një metodë me të cilën Zoti komunikon me botën.
-Ky grup thotë gjithashtu se Mbretëria Qiellore hyri në fuqi në vitin 1914 me ardhjen e padukshme në fron të Krishtit si mbret.
-Doktrina e Dëshmitarëve të Jehovait thotë se ata njerëz që nuk janë anëtarë të organizatës “Kulla e Rojës” do të shkatërrohen nga Zoti Jehova dhe nuk do të ekzistojnë më.
-Dëshmitarët i mësojnë pasuesit e tyre se nuk ka ferr.
Të qëndruarit larg nga ish-Dëshmitarët e Jehovait
Është fakt që moskontaktimi me anëtarët e tjerë, u shkakton aq shumë shqetësime emocionale ish Dëshmitarëve të Jehovait, sa ata arrijnë deri në vetëvrasje. Në shtator të vitit 1981, Trupi Drejtues me rregulla të posaçme i thërret anëtarët e saj që të qëndrojnë larg kontaktit me ata që e kanë braktisur organizatën. Për herë të parë pjesëtarët e të së njëjtës familje, për shembull, duhet t’i ndërprisnin të gjitha lidhjet me anëtarët e tyre nëse ndonjëri është larguar nga mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait, përkatësisht është përjashtuar nga Bashkësia.
-Një mësim tjetër i Dëshmitarëve të Jehovait është ndalesa e shoqërimit me dikë jashtë rrethit të tyre fetar sikur edhe ndalesa e interesimit për gjëra që nuk i përkasin bashkësisë së tyre. P.sh. atyre iu këshillohet që të mos e vazhdojnë shkollimin e lartë sikurse edhe të mos i kushtojnë kohë pasioneve të tyre në kohën e lirë.
-Sipas mësimeve të Dëshmitarëve të Jehovait transfuzioni i gjakut është i ndaluar.
Çfarë besojnë Dëshmitarët e Jehovait
Më lart pamë mendimin e të krishterëve që nuk i përkasin Dëshmitarëve të Jehovait ndërsa në vazhdim do të njihemi për së afërmi rreth besimeve të tyre:
• Bibla është Fjalë e Perëndisë dhe është e vërtetë
• Emri i Perëndisë është Jehova
• Krishti vdiq në një shtyllë dhe jo në kryq
• Toka nuk do të shkatërrohet ose shpopullohet kurrë
• Vdekja njerëzore vie si pasojë e mëkateve të Adamit
• Ferri është varri i përbashkët i njerëzimit
• Vetëm një grup i vogël prej 144.000 vetash do të shkojë në qiell dhe do të sundojnë bashkë me Krishtin
• Një i krishterë duhet të qëndrojë i ndarë nga Bota
• Futja e gjakut në trup nëpërmjet gojës ose venave dhunon ligjet e Perëndisë, etj..