ISAI A.S. (JEZUSI) NË LIBRAT E SHENJTA

ISAI A.S. (JEZUSI) NË LIBRAT E SHENJTA

Muzemil Osmani

Faleminderimet i takojnë All-llahut xh.sh, Krijuesit të botërave, ndërsa salavetet më të mira për të dërguarin tonë Muhamedin a.s, kurse të mirat e Zotit qofshin edhe për familjen e të dërguarit, sahabët dhe të gjithë ata që e pasojnë rrugën e Muhamedit a.s deri në Ditën e Gjykimit.

Hyrje

Muslimanët shtangën nga habia kur lexojnë shkollarë të dëgjuar, specialistë dhe, çka është më e keqja, klerikë, që i përshkruajnë islamin dhe muslimanët si armiqë të Jezu Krishtit/ Isait a.s.
Po ashtu, shumë krishterë të painformuar dhe të keqinformuar, çuditen kur u tregojmë për respektin dhe dashurinë që kemi ne muslimanët për Jezusin/ Isain a.s dhe Marinë/ Merjemen, ndonëse kemi ndryshim doktrinor.

Kur’ani është burim për njohejn e Isait a.s./ Jezusit, që është i panjohur edhe për shumë studiues të krishterizmit. Kur’ani na udhëzon ta njohim mirë Isain a.s. por, në të njejtën kohë, na shton respektin dhe dashurinë ndaj tij e ndaj nënës së tij
Kur’ani në krahasim me Biblën nuk tregon jetën e Isait a.s. në hollësi, por na tregon dhe na informon gjërat më kryesore, të cilat duhet t’i dimë, ngase kemi dobi e duhet pasuar në jetën tonë të përditshme dhe që të largohemi nga gënjeshtrat e sajuara nga të krishterët ndaj Isait a.s. Kur’ani na shtjellon historinë e Isait a.s./ Jezusit në ato pika më kryesoret si: lindja e tij, mrekullitë, misioni i tij dhe shumë gjëra të tjera.
Ndërsa po t’i kthehemi Biblës, ajo flet në detaje për jetën e Isait a.s./ Jezusit, thënë shkurtë nuk le segment të jetës së tij pa e prekur, por dobësia më e madhe e Bibles është se, ato kundërshtohen shumë në mes veti.

E lus All-llahun xh.sh. që me këtë punim të paraqes një pasqyr të qartë, rreth qëndrimit të Islamit dhe Krishterizmit në lidhje me Isaun a.s, e nëse bëjë ndonjë gabim e lus All-llahun që të ma fal.

1. Jezusi[1] ( h. Isai a.s. ) në Krishterizëm
Pikpamjet e krishterve për Jezusin pa dyshim se kanë ndryshime nga ato Islame, duke pasur parasyshë ndryshimin e burimeve që rrjedhin ndaj këtij koncepti. Megjithëse shpesh janë të njejta, në të shumtën e rasteve ato marrin kahje të ndryshme, madje edhe të kundërta.
Në vazhdim do të paraqesim një pasqyrë të shkurtër për jetën e Jezusit sipas pikpamjeve të krishtera, pa marrë parasysh saktësinë apo josaktësinë e tyre.

1.1.Lindja e Jezusit
Një ditë engjëlli Gabriel lajmëroi një virgjëreshë të quajtur Maria se së shpejti ajo do të bëhej më një djalë që do të ishte shpëtimtari i njerëzisë dhe se Shpirit i Shenjetë do të zbriste në të, nga do të lindte fjala e amshuar dhe do të quhej Jezus. Ai do të ishte mbreti i përjetësis dhe do të quhej i biri i më të Lartit, i biri i Perendisë.[2] Dhe kështu lindi Jezusi në qytetin Betlehem, një qytet i vogël pranë Jurusalemit, pikësisht aty ku kishte lindur Davidi 1000 vjet më parë. Aty gjendej i fejuari i Marias, i cili kishte ardhur nga qyteti Nazaret, sepse behej një regjistrim i popullatës dhe ky ishte qyteti i tij. Më vonë kishtë marrë edhe të fejuarën e tij për të bërë regjistrimin, të cilin e kishte urdhëruar pushteti Romak, dhe nga e cila nuk u nda për shkak të shtatzanisë të saj, ngase kishte parë një ëndër në të cilën urdhërohej që të mbetej me të.[3]

Jezusi lindi në një ahur, në të cilin kishte qëndruar Maria dhe i fejuari i saj, ngase ishin të varfur dhe në han nuk kishte vend për ta. E mbështollën dhe e vendosën në një grazhd.[4] Natën që lindi Jezusi barinjëve që kullotnin bagëtit e tyre në fushat afër Betlehemit iu shfaq një engjull, i cili i lajmëroi për lindjen e Shpëtimtarit e që është Krishti i Zoti.[5] Engjullit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, e cila e lëvdonte Perendinë.[6]

Kur njërzit u vërtetuan se ai është Shpëtimtari u gëzun dhe u larguan nga vendi i lindjes se Jezusit. Tetë ditë pas lindjes së Jezusit u bë synet dhe u emërua me Jezus (Shpëtimtare ). Në Ungjullin e Llukës thuhet kështu: „ Dhe kur kaluan të tetë ditët, pas të cilëve ai duhej rrethprerë, ia vunë emrin Jezus „[7] Emri Jezus rrjedh nga gjuha hebreike Joshua (Shpëtimtari, Zoti është shpëtim ), më vonë këtij emri iu shtua një emër tjetër: Krishti ( gr. Christos; hebr.Meschiach; lat.Christus) që do të thotë Mesia, apo ai që është dërguar nga ana e Zotit për të paralajmëruar vendosjen e „mbretërisë qiellore„.[8]

Nga citatet biblike kuptojmë se Jezusi ishte i lindur, kishte prejardhje, ishte bir i njeriut, ishte i bërë synet etj. Vallë a mund t’i ketë Zoti këto cilësi apo veti, siç pretendojnë se Jezusi është Zot. Si mund të jetë Jesuzi Zot kur ishte i lindur. Vallë a lind Zoti?? A ka logjik kjo? A mund të lind Zoti? çdo njeri që lind duhet edhe të vdes. A vdes Zoti? Nëqoftëse lind dhe vdes atëher nuk meriton të llogaritet për Zot. A meriton Zoti të jet foshnjë e mbështjellë me pelena dhe e vendosur në grazhd? Të gjitha këto janë veti njerëzore e jo të Zotit, sepse Zoti nuk rritet, nuk u nënshtrohet rregullave biologjike dhe fizike siç iu nënshtrohet njeriu.[9]

1.2.Ikja e Jezusit dhe kthimi i tij nga Egjipti
Ndërsa Jozefit iu shfaq në ëndër një engjull i cili e urdhëroi ti merte fëmijën dhe nënë e tij e të ikte në Egjipt dhe të rrinte atje derisa ta lajmëronte ai, sepse Herodi do ta kërkonte fëmijën për ta vrarë.[10] Kur Herodi vuri re që të afërmit e tij e kishin tradhëtuar, u zemërua shumë dhe urdhëroi që të vriteshin të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Betlehem dhe në tërë rrethinën e tij, nga dy vjeç poshtë, sipas kohës që kishte hetuar me kujdes nga dijetarët, duke menduar se doemos Jezusi duhet të ishte njëri prej tyre.[11]

Pasi shkuan në Egjipt, Jozefit iu shfaq përsëri engjëlli në ëndër dhe urdhëroi të merrte fëmijën dhe nënën e tij e të kthehej ne vendëlindjen e tij, sepse ai që donte ta vriste fëmijën kishte vdekur. Mirëpo kur Jozefi dëgjoi se në vend të Herodit kishte ardhur djali i tij Arkelu pati frikë të kthehej atje dhe mbasi u udhëzua nga Perendia në ëndër, vajti në krahinën e Galilesë dhe u vendosë në një qytet që quhej Nazaret.[12]

1.3.Jezusi moshën fëmijërore në mesin e dijetarve
Sipas traditave, çifutët kishin për detyrë të shkonin për çdo vitë në Jerusalempër festën e Pashkëve. Kur Jezusi i mbushi 12 vjeç, prindërit shkuan atje si çdo vit. Kur u përmbushën ditët e festës Jozefi dhe gruaja e tij Maria u kthyen dhe, duke menduar se të birin e kishin në shoqëri me të tjerët, ata bënë rrugë një ditë të plotë.[13] Mirëpo ata e kërkuan shumë, bile edhe në mesin e farefisit të tyre nuk e gjetën, dhe u detyruan që të ktheheshin në Jurusalem për të kërkuar dhe pas tri ditësh e gjetën në tempull, të ulur në mesin e dijetarve duke i dëgjuar dhe duke u bërë pyetje atyre. Të gjithë të pranishmit çuditëshin nga zgjuarësia e tij, dhe kurë e panë atë mbetën të habitur dhe e ëma i tha: “ Bir pse na e bëre këtë? Ja yt, atë dhe unë, ishim në ankth dhe po të kërkonim, mirëpo ai u tha atyre, Përse më kërkonit? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?„[14]

1.4.Aktivitetet dhe kapja e Jezusit
Jezusi bashk me shokët e tij filloi të proklamoj atë për të cilën ishte i dërguar në mesin e njerëzve, aktivitet e shumta që i mori Jezusi me shokët e tij e nevrikosen shumë tepër udhëheqësine e Perandorisë Romake, ngase ai frikohej se një ditë Jezusi mund t’ia marrë pushtetin atij. Si një ndër aktivitetet që mori Jezusi ishte pastrimi i tregtarve nga tempulli i Shenjtë, të cilin njerzit për interesa personale e kishin mbushur me duqane të shumta.
Ky dhe shumë aktivitet të tjera që mori Jezusi u dha urdhër për kapjen e tij dhe dënimin e tij. Për të arritur më së lehti në kapjen e Jezusit duhej që njeri prej shokëve të tij të mashtrohej. Jezusi qëndronte me shokët e tij në vendin Getsemani, ku Jesuzi ju thotë shokëve të tij: „ Ejani të shkojmë se njeriu i cili do të më tradhëtojë po afrohet„ [15]menjëher pas fjalimit të Jezusit vjen Juda i cili vjen me kryemagjistarin dhe me disa njerëz të armatosur me shpata dhe shkopinjë. Dhe ky është momenti kur shoku i vet Juda e tradhëtoi Jezusin, ndërsa shokët tjerë u larguan dhe ikën.[16]

Pas tradhëtis që ia bëri shoku Juda dhe kapja e Jezusit, udhëheqësit filluan gjykimin e Jezusit duke pretenduar se, ai është Mbretë dhe qëllimi i tij është marrja e pushtetit në duar. Dhe erdhën në konkluzion se, Jezusi duhej të dënohet me kryqëzim.[17]

1.5.Vdekja e Jezusit
Pas kryqëzimt, sipasp të gjithë ungjujve Jezusi u ringjallë pas tre ditëve dhe pas kësaj ai jetoi edhe dyzet ditë, bashkë me havaritë, ku i njoftoi ata për pushtetin e Zotit dhe ata të cilët do ti besojnë atij do të shpërblehen nga ana e Zotit.
Pas dyzet ditëve Jezusi ndëroi jetë, dhe ai u lartësua në qiell dhe u ul në anën e djathtë të Zotit.[18]

2. Isai a.s në Islam
Kur’ani famëlartë lajmëron në imtësi rëndësinë e paraqitjes së Isait a.s., bindjen e tij të panjollosur, mrrekullit e tij, misionin e tij dhe më në fund ngritjen e tij. Kështu Kur’ani famëlartë paraqet besimin dhe thirjen e tij, si thirje e vërtetë dhe e drejtë e shpallur nga All-llahu xh.sh[19] dhe nuk ka pasur kurfarë ndryshimi nga ana e Isait a.s. Këtë më së miri na e vërteton ky ajet Kur’anor ku thotë:

Dhe kur All-llahu tha: “O Isa, bir i Merjemes, a ti njerëzve u the: “Më besoni mua dhe nënën time dy zota pos All-llahut!?” (Isai) Tha: “Larg asaj të mete je Ti (o Zoti im). Nuk më takon mua ta them atë që s’është e vërtetë. Ta kisha thënë unë atë, ti do ta dije. Ti e di ç’ka ka në mua, e unë nuk di çka ka në Ty. Ti je më i dijshmi i të fshehtave!”[20]

Në këtë ajet mohohet reptësisht hyjnia e Isait a.s dhe nënës së tij, dhe se ai kurrë nuk kishtë ftuar në një gjë të tillë, përpos se në besim dhe adhurimin e një Zoti dhe nuk kishte thënë diçka që nuk i takonte.

2.1.Prejardhja e Isait a.s.
Isai a.s. rridhte prej një familje shumë të ndershme, e njohur për traditat fetare. Përshkak të pozitës së lartë që kishte familja e Isait a.s. në devotshmërinë e All-llahut xh.sh. një sure në Kur’anin famëlartë morri emrin e familjes së tij “Ali Imran„. Madje edhe një sure tjetër në të cilën përmndet nëna e Isait a.s e mori emrin e saj, përkatësishtë surja “Merjem„.

Grada e lartë e devotshmërisë që kishte arritur gjyshja e Isait a.s. pasi që kishte mbetur shtatëzëne, e nxiti që të premtoi atë fryt për tempullin e shenjtë, kështu na e përshkrun kur’ani famëlart ku thotë:
(Përkujtohu) Kur gruaja e Imranit pat thënë: “Zoti im, unë këtë që është në barkun tim, vendosa ta kushtoj thjesht vetëm për shërbimin Tënd, pra pranoje këtë prej meje, vertet Ti je Ai që dëgjon e di”![21]

Pasi lindi Merjemja nëna e saj e mabjti premtimin dhe atë e la si shërbetore në tempullin e shenjtë, ku si kujdestar i saj u caktua Zekerija a.s., në moshën e rinis te ajo nuk u hetua asgjë, por me kalimin e kohës vet kujdestari i saj Zekerija do të vërente disa ndryshime në dhomën e Merjemit, do të gjente disa ushqime të cilat nuk i takonin stinës në të cilën ishin, këtë më së miri na e tregon Kur’ani famëlartë ku thotë:

Zoti i saj e pranoi premtimin e saj ashtu si është më mirë, e rriti me një edukatë të mirë e të plotë dhe e vuri nën kujdesin e Zekirijasë. Sa herë që hynte Zekirijaja në mihrabin (dhomën) e saj, gjente te ajo ushqim e thoshte: “Oj Merjeme, prej nga ty ky ushqim”? Ajo i thonte: “Ai është nga All-llahu, se All-llahu atë që do pa masë e furnizon”!Aty në atë moment Zekirijaja e lut Zotin e tij e thotë: “Zoti im, më falë edhe mua nga ana Juaj një pasardhës (fëmijë) të mirë, vërtet, Ti je dëgjues i lutjes”!E duke u falur ai në faltore, engjëjt e thërrasin: “All-llahu të përgëzon ty me Jahjanë, që do të vërtetojë fjalën (Isain) e ardhur nga All-llahu, e që do të jetë prijës i matur dhe pejgamber nga të dalluarit”!Ai (Zekirijaja) tha: “Zoti im, si mund të kem unë djalë kur mua më ka arritur pleqëria dhe shoqja ime beronjë (sterile)”? Tha (All-llahu): “Kështu,All-llahu punon çka të dojë”![22]

2.2. Lindja e Isaut a.s.
Merjemja u rit duke iu shërbyer tempullit të shenjtë, me ambicije të shumta, ishte një vajzë e devotshme dhe i shërbente tempullit me devotshmëri. Kur arriti moshën e pjekurisë femërore ajo befasohet nga shfaqja e një burrit që e shqetësoi në vetminë e saj dhe u frigua shumë nga shfaqja e tij.[23] Mirëpo ajo nuk e dinte se, ai që e shqetsonte ishte melek ( Xhibrili )që i kishte ardhur asaj për një përgëzim që i vjen nga ana e All-llahut xh.sh. se ajo do të lind djalë, me të dëgjuarit këto fjalë Merjemja u habit se, si është e mundur të lind kur atë nuk e ka prekur asnjë mashkull, mirëpo ai e lajmëroi se, ky është një vendim i Zotit, këtë ndodhi na e përshkruan Kur’ani kështu:
Ai (Xhibrili) tha: “Unë jam vetëm i dërguar (melek) i Zotit tënd për të dhuruar ty një djalë të pastër (pejgamber)”.Ajo tha: “Si do të kem unë djalë, kur mua nuk më është afruar njeri (nuk jam e martuar), e as nuk kam qenë e pamoralshme”.Ai (Xhibrili) tha: “Ja, kështu ka thënë Zoti yt; ajo për Mua është lehtë, e për ta bërë atë (djalin e krijuar pa babë) argument për njerëzit e edhe mëshirë nga ana e Jonë. Kjo është çështje e kryer!”[24]

Kur asaj i erdhi koha e lindjes, ajo u largua nga pallati dhe shkoi te një dru dhe ajo dëshironte që të vdiste se sa ti ndëgjonte thashethemet e njerëzve dhe akuzat çka do tia bëjën asaj.
Pas lindjes duhej që të kthehej në tempullin e shenjtë, dhe ndodhi ajo të cilën edhe e priste vet Merjemja ku njerëzit filluan të akuzonin atë me imoralitet, duke i thënë: nga eke këtë djalë oj Merjeme, ti ke pasur prindër të ndershëm, si mund ta bësh këtë. Habia më e madhe i kaploi kur ajo bëri me gisht nga foshnja, duke ju thnënë se, ai do të ju përgjigjet atyre, ato u habitën se si mund të flasin me një foshnjë mu këtu shfaqet muxhizja e Zotit e cila me fuqinë absolute e bëri atë të flasë dhe të thotë fjalë të vërteta për nënën dhe vetën e tij [25]dhe tha:

Ai (Isai) tha: “Unë jam rob i All-llahut, mua më ka dhënë (ka caktuar të më japë) librin dhe më ka bërë Pejgamber.Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka porositur me namaz (falje) e zeqatë për sa të jem gjallë!Më ka bërë të mirësjellshëm ndaj nënës sime, e nuk më ka bërë kryelartë as të padëgjueshëm!Selami (shpëtimi prej All-llahut) është me mua ditën kur u linda, ditën kur të vdes dhe ditën kur të dal (prej varrit) i gjallë!”Kjo është (fjalë) e vërtetë, rreth Isait, birit të Merjemes në të cilin ata shkaktojnë dyshime.Nuk i takoi (nuk ka nevojë) All-llahu të ketë ndonjë fëmijë, i pastër është Ai, kur dëshiron një send Ai vetëm i thotë atij: Bëhu!”. Ai menjëherë bëhet.[26]

2.3.Urtësia e lindjes pa baba
Lindja e Isait a.s. ishte dhe do të mbetet një veçori e rrallë që ka ndodhur në ruzullin toksor, që ka lën me gojë hapur mijëra studiues dhe shkencëtar, por kjo lindje duhet të ketë një urtësi, këtu do të ceken disa nga urtësit pse Isai a.s lindi pa baba duke e marrë për bazë ajetin e sures Merjem.

2.3.1. Urtësia e parë:
Lindja e Isait a.s. pa baba shfaq fuqinë absolute të All-llahut, dhe ai vepron si të dojë pa qenë i kufizuar në veprat e Tij. Zoti nuk i krijoi sendet duke u mbeshtetur në shkaqet paraprake, që më pas të priten rezultate të caktuara, por veprat e Tij bëhen pa këto rregulla.[27]

2.3.1. Urtësia e dutë
Lindja e Isait pas baba ishte shfaqja e botës shpirtërore në një popull, i cili e kishte mohuar botën e amshuar, aq sa kishte deklaruar se njeriu është vetëm një trup fizik, duke e mohuar tërësisht aspektin shpirtëror.[28]

2.4.Mbarimi i Isaut a.s
Duke pasur parasyshë se, ballafaqohemi me një problem tejet serioz, duhet të dijmë se mënyra e përfundimit të situatës së Isait a.s. me popullin e vet në Kur’an prezentohet në këtë tre sure:
2.5.Unë nuk u kam thënë tjetër atyre, pos asaj që Ti më urdhërove; ta adhuroni All-llahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj,dhe sa isha ndër ta, kam qenë përcjellës i tyre, e pasi që më more mua, Ti ishe roje (dhe dëshmues) i tyre. Ti je dëshmitar për çdo send!”[29]

2.6.Madje për shkak të thënies së tyre: “Ne e kemi mbytur Mesihun, Isain, birin e Merjemes, të dërguarin e All-llahut”. Po ata as nuk e mbytën as nuk e gozhduan (nuk e kryqëzuan në gozhda), por atyre u përngjau. Ata që nuk u pajtuan rreth (mbytjes së) tij, janë në dilemë për të (për mbytje) e nuk kanë për të kurrfarë dije të saktë, përveç që iluzojnë. E ata me siguri nuk e mbytën atë.Përkundrazi, All-llahu e ngriti atë pranë Vetes. All-llahu është i plotëfuqishëm, i dijshëm.[30]

2.7.(Përkujto, o i dërguar) Kur All-llahu tha: “O Isa, Unë po të marr ty, po të ngrej te Unë, po të shpëtoj prej sherrit të atyre që nuk besuan. E ata që të besuan ty, do t’i ngrejë lart mbi ata që nuk besuan deri në ditën e kijametit, pastaj vetëm tek Unë është kthimi juaj, e Unë gjykoj mes jush për atë që kudërshtoheshit”.[31]

Përfundim
Pas parashtrimit të qëndrimeve të veçanta të Krishterimizmit fillimisht dhe të Islamit më pas, gjegjësisht Biblës dhe Kur’anit, arrijmë në disa konkluza dhe përfundime, që do ti parashtrojmë në formë të pikave të përbashkëta dhe pikave dalluese mes këtyre palëve në raport me figurës e Isait a.s. apo Jezusit, siç e emëron secila palë. për të qenë më të përpiktë do ti ndajmë këto pika dallimi dhe pajtimi mes tyre në dy lloje që ndahen në bazë të aspektit, gjegjësisht kënvështrimit nga i cili analizojmë figurën e Isait a.s., si rjedhojë fillimisht do të flasim për dallim dhe pajtimet mes Islamit e Krishterizmit lidhur me Isaun a.s. në aspekt biografik, pra për gjith]ka që ka të bëjë me të dhënat jetësore të tij dhe së dyti do të shtjellojmë ne të njejtën mënyrë aspektin doktrinar, gjegjësisht pozitën e tij në njërën dhe tjetrën palë, duke cekur dallimet mes tyre.

1. Pikat ku pajtohen dhe ndahen Krishterizmi dhe Islami lidhur me Isaun a.s. në aspektin e të biografike
1.1. Pikat e përbashkëta mes dy palëve lidhur me jetëpërshrkimin e Isaut a.s.:
a) Isau/Jezusi ishte njeri, ose të paktën lindi si një njeri dhe jetoi si i tillë.
b) Nëna e tij Merjemja/Maria ishte e virgjër dhe i erdhi engëlli për ta lajmëruar për lindjen djalit të saj.
c) Isau /Jezusi lindi në qytetin Betlehem.
ç) Perandoria Romake lëshoi urdhër për vrasjen e Isaut a.s. dhe në realizimin e synimit të tyre i ndihmoi një prej shokëve të tij, që e tradhëtoi atë.

1.2. Dallimet mes palëve ldihur me jetëpërshkrimin e Isaut/Jezusit:
a) Bibla përshkruan jetën e Jezusit detajisht duke ofruar të dhëna të bollshme për jetën e tij, derisa Islami përshkruan vetëm pikat më të rëndësishme dhe të cilat përmbajnë mësime për njerëzit duke vërtetuar kështu parimet që ndiqen në Bibël dhe Kur’an kur rrëfehet diçka, pasi bibla synon të ofrojë një biografi që do të kënaq më shume kurreshtjen e njeriut për të ditur të dhëna të ndëryshme qoftë edhe pa rendësi për jetën e Jezusit, derisa Kur’anit nuk kënaq kurreshtjen njerëzore por parimi në këtë është që të ofrojë atë që është e dobishme për njerëzit dhe që ofron shembull për ta, ose iu përgjigjet shpifjeve, duke mos u zgjatur pa nevojë.
b) Merjemeja sipas Kur’anit jetonte ne tempull, e vetme nën kujdesin e Zekirijait a.s. dhe nuk kishte kontakt me ndonjë mashkull, ndërsa sipas Biblës ajo ishte e fejuar.
c) Sipas Islamit, Isau lindi në një hapsirë të pabanuar pranë një hurme ku u strehua Merjemja e vetme larg popullit të saj, ndërsa sipas Krishterizmit ai lindi në një ahur ku Maria qëndronte me të fejuarin e saj sepse nuk kishte vend në han.
ç) Sipas Kur’anit Isau a.s. foli që në djep si foshnje kur e akuzuan nënën e tij për amoral, gjë që nuk përmendet në biografitë biblike
d) Sipas Biblës Maria dhe Jozefi (i fejuari i saj) ikën për në Egjipt ngase sundimtari kishte nxejerrë urdhër për vrasjen e të gjithë foshnjëve, sepse frikohej se do t’ia merr pushtetin, gjë që nuk e hasim në Kur’an kur flitet për Isaun a.s.
e) Sipas Biblës Jezusi qysh si fëmijë ka qëndruar me dijetarët në tempull dhe i ka habitur ata me aftësite të tyre, duke lajmëruar fillimin e aktivitetin të tij për punën e atit të tij (Zotit), që nuk e hasim në Kur’an.
f) Sipas Biblës Jezusi vdes i kryqëzuar e pastaj ringjallet dhe jeton 40 ditë, ndërsa sipas Kur’anit, Isau a.s. as vritet e as kryqëzohet por e ngrit Allahu xh.sh. me trup dhe shpirt sipas mendimit të zgjedhur mes dijetarëve Islamë.

2. Pajtimet dhe divergjencat mes Islamit dhe Krishterizmit lidhur me Isaun gjegjësisht Jezusin në aspekt doktrinar
Rëndësia dhe pesha e figurës dhe përsonalitetit të Isaut/Jezusit nuk qëndron në aspektin biografik që ne cekëm më parë, por qëndron në faktin se ai gëzon autoritet dhe pozitë të lartë në të dy këto fe, prandaj edhe është temë diskutimi. Si rjedhoje e kësaj tani do të paraqesim shkurt pajtimet dhe dallimet e tyre lidhur me pozitën e kësaj figure brenda 2 doktrinave, për të arritu tek përfundimi final.

2.1. Dallimet e palëve e lidhur me Isaun/Jezusin në aspekt doktrinar:
– Sipas Krishterizmit Jezusi është i biri i Zotit, ndërsa në Islam ai është njeri i rëndomtë, por që e zgjodhi Allahu a.s. për pejgamber të tij.
-Pika e vetme që i lidh dy doktrinat është fakti që Isau gjegjesisht Jezusi gëzon autoritet dhe pozitë të lartë brenda doktrinës së tyre, por sa i takon pozitës konkretisht ata janë 2 pole të kundërta, njëra palë e ngrit në nivel të hyjnisë dhe e shpall për Zot derisa tjetra nuk e ngrit në nivel hyjnie por e konsideron njeri si të gjithë të tjerët me dallimin që është njeri i zgjehdur nga Zoti për të qenë pejgamber që do t’ua përcjellë njerëzve shpalljen e tij.

PËRFUNDIM:
Konkluza finale tek e cila arrijmë pas parashtrimit të ndarë të qëndrieve të veçanta të të dy palëve veç e veç dhe pas krahasimit të tyre, është se megjithëse tek të dy palët Isau/Jezusi gëzon autoritet dhe pozitë të lartë, por palët janë dy pole të kundërta sa i takon konkretizimit të pozitës së tij, sepse në Islam ai është një hallkë e zinxhirit të gjatë të njerëzve të zgjedhur nga Zoti si përcjllës së shpalljes së Tij tek njerëzit, pra pejgamber, por mbetet njeri, siç dëshmon vet jeta e tij, sepse ai lindi e jetoi si njeri, bile sipas palës që e kundërshton njerwzinw e tij, ai edhe vqdiq si njeri, bile në një nga format më përulëse që dëshmon fuqishëm se ai nuk del nga qenia njeri, për të arritur nivelin e hyjnisë siç pretendon Krishterizmi, pra krishterizmi nuk e quan atë njeri por Zot dhe bir të Zotit, gjykim dhe qëndrim që bie në kundërshtim me vetë atë që ata e thonë për të, sespse ai lindi, jetoi dhe vdiq si njeri sipas tyre, prandaj nuk qëndron pohimi i tyre se ai është Zot, sepse nuk ka asnjë nga cilësitë që duhet t’i ketë Zoti sipas qëndrimeve të përgjithshme të shumicës së mendimtarëve dhe filozofëve të historisë njerëzore, nesë nuk do ta llogarsim qëndrimin Islam në këtë çështje sepse ata janë pala tjetër në këtë diskutim.

Literatura e konsultuar:
Sherif Ahmeti – Kur’ani me përkthim në gjuhen Shqipe – Arabi Saudite, 1413
Muhamed Muhsin Khani – Shpjegim i kuptimeve të Kur’anit të lartë në gjuhën shqipe – Darrus- Selam Rijad, Arabi Saudite.
Muhamed Ali Sabuni – Sqarime të shkëlqyeshme të Kur’anit famëlart- Furkan ISM, Shkup.
Muhamed Ebu Zehra – Ligjerata në krishterim – Kajro, 1997.
Ungjulli i Llukës ( I zbritur nga interneti në gjuhën shqipe )
Ungjulli i Mateut ( I zbritur nga interneti në gjuhën shqipe)
Ungjulli i Gjonit ( I zbritur nga interneti në gjuhën shqipe ).
Dom Simon Filipaj – Bibla, Beslidhja e Vjetër dhe beslidhja e Re – Ferizaj 1994.
Agim Berisha – Shtatëzania e një mashtrimi – Prishtinë 2005.
10. Ekrem Murtezai – Fjalori i feve – Prishtinë 2000.
11. Zija Abdullahu – Studim krahasimtar i feve – Prishtinë 2010.
12. Senad Maku – Triniteti mister shekullor i krishterimit – Prishtinë 2009.
13. Nasir Huseini – Dispencë për vitin e dytë, pjesa e tretë –
14. Web faqe: www.bibladheKuran.com
www.zeriislam.com

………………………………………..
[1] Në vijim kur të flasim për Isain a.s sipas konceptit të të krishterëve do ta cekim siç emërtojnë atë “ Jezus”, ndërsa kur të flasim sipas konceptit Islam do ta cekim me Isa a.s.
[2] Ungjulli i Llukës, 1: 26-45.
[3] Ungjulli I Mateut, 1: 20-22 dhe i Llukës, 2: 1-5.
[4] Ungjulli i Llukës, 2: 7.
[5] Bibla, Beslidhja e vjetër dhe e Re, Dom Simon Filipaj.
[6]Ungjulli i Llukës, 2: 6-20.
[7] Ungjulli i Llukës, 2:21.
[8] Ekrem Murtezai, Fjalori i feve, fq. 162.
[9] Senad Maku, Triniteti mister shekullor i Krishterimit, fq.92.
[10] Nasir Huseini, Akaid për vitin e III, pjese e tret, fq. 12.
[11] Zija Abdullahu, Studim krahasimtar I feve, fq.354.
[12] Ungjulli i Mateut, 2: 13-26
[13] Nasir Huseini, Dispencë për vitin e II, pjesa e tretë, fq. 12.
[14] Shiko ungjullin e Llukës, 2: 39-52.
[15] Ungjulli i Gjonit, 2:16.
[16]http://www.bibladhekurani.com/everteta/readarticle.php?article_id=113
[17] http://www.zeriislam.com/jesuzis/krishterizëm/id=133
[18]Këtë të dhënë mund ta hasim në të gjithë ungjujtë të i Mateut, Llukës, Gjonit dhe Markut.
[19] Muhamed Muhsin Khan, Shpjegimi I Kur’anit të lartë, fq.922.
[20]el Maide: 116.
[21] Ali Imar: 35.
[22] Ali Imran: 37-39.
[23]Agim Berisha, Shtatëzanie e një mashtrimi, fq. 213.
[24] Merjem: ajeti 30-35.
[25] www.bibladheKurani.com/evertat/islame/145
[26]Merjem: 30-35.
[27] Muhamed Ali Sabuni, Sqarime të shkëlqyeshme të Kur’anit, komenti i Sures Merjem.
[28] Muhamed Ebu Zehra, Ligjërata në krishterim, fq. 17-19.
[29]El- Maide: 117.
[30] En-Nisa: 157-158.
[31] Ali Imran: 55.