KISHA DHE DHUNA INTELEKTUALE – (Pjesa I)

KISHA DHE DHUNA INTELEKTUALE – (Pjesa I)

KISHA DHE DHUNA INTELEKTUALE – LIBRORUM PROHIBITORUM

Shkruar nga: Behxhet Jashari
“Ju lutem, këto libra medoemos t’i dërgoni diku.
Dërgoni në universitet në Kajro ose në Fes.
Për to këtu në Garnatë nuk ka shpëtim”.
 

(Një zonjë plakë e Granadës, dhjetor, 1499, Granadë – Spanjë)

Terrori ndaj librit ishte një nga fatkeqësitë më të mëdha të historisë së fjalës së shkruar. Mesjeta evropiane është e mbushur me raste të këtilla. Madje, këto ishin kohë kur Kisha ishte ajo që bënte vlerësimin e librave, se cilat janë për në stivë, e cilat për t’u lexuar. Gjatë historisë së kishës u paraqitën mjaft libra të cilat konsideroheshin si të rrezikshme. Librat e tillë menjëherë ndaloheshin, ndërsa autorët ndiqeshin në mënyrë të pamëshirshme. Shembulli më i vjetër i ndalimit të librave në histori është shënuar që nga koha antike, atëherë kur në Athinë në shekullin V para erës së re filozofi grek Protagora kishte shkruar një tekst në të cilin blasfemoheshin zotat pagan. Për këtë shkak, me vendim të udhëheqësisë së qytetit, në vitin 411 p.e.r. tekstet e tij u dogjën, ndërsa Protagora u dëbua nga Athina(1).

Më vonë, gjatë periudhës romake, perandori Dioklecian në vitin 297 të erës së re do të urdhërojë të digjen të gjitha librat, bibliotekat, si dhe të mbyllen të gjitha shkollat të cilat paraqesin rrezik potencial për stabilitetin e Perandorisë Romake. Ai filloi me mani¬hejët, librat e të cilave i dogji pa mëshirë, ndërsa në vitin 303 të erës së re lëshoi një urdhër kundër të krishterëve. Pas këtij urdhri pësuan shumë libra fetare të krishtera, madje edhe një numër i madh klerikësh dhe priftërinjsh të krishterë(2). Në vitin 333 të erës së re do të shohim se mbreti Konstandin urdhëron të digjen të gjitha librat e teologut të krishterë Arianusit nga Aleksandria (vdiq në vitin 336 të erës së re), fraksioni i të cilit quhej arianitë, gjë për të cilën folëm në kapitullin e dytë të këtij libri.
Ndërkaq, në Koncilin e Parë të Kostandino¬po¬jës të mbajtur në vitin 381 të erës së re, gjatë periudhës së mbretërisë së Theodosiut I, u soll vendim për djegien e të gjitha librave të heretikëve, të ashtuquaj¬tura pneumatomaha. Po ashtu perandori i Perandorisë perëndimore romake Valentiani III dhe perandori i Perandorisë Lindore Romake Marcijani, në vitin 455 të erës së re sollën një ligj me të cilin urdhërohej djegia e librave të heretikëve, ndërsa mbreti Jovijan urdhëroi të digjet biblioteka pagane e Antiokisë(3).

Në vitin 325 të erës së re, koncili i mbajtur në Nike solli edikt zyrtar me të cilin ndaloheshin disa nga librat fetare që në përditshmërinë religjioze krishtere (veçanërisht në ato vende ku frekuenca intelektuale, filozofike e teologjike ishte më evidente, si në Jerusa¬lem, Damask, Aleksandri etj.) kishin domethënie të madhe religjioze. Në të vërtetë ato ishin një numër i madh i ungjijve, rreth treqind sosh, të cilët atëherë ishin në qarkullim dhe përdoreshin gjatë riteve kishta¬re. Nga të gjithë ungjijtë aktual vetëm katër prej tyre u zgjodhën si ungjij kanonikë, ndërsa të gjithë të tjerët u zhdukën, përfshirë këtu edhe Ungjillin e Barnabës. U vendos që të gjithë ungjijtë e tjerë (qofshin ato të shkruara në gjuhën hebreje, greke, siriane ose arameje) të zhduken. Kështu që janë djegur rreth 270 versione të ndryshme të Biblës(4). Posedimi i ungjijve jokanonikë e të paautorizuar nga Kisha, konsiderohej vepër penale. Ai i cili kapej me ndonjë kopje të paautorizuar të Ungjillit, Kisha e dënonte me vdekje.
Papa Damasus (304-384 të erës së re) i cili në vitin 366 u inaugurua për papë, kishte urdhëruar që Ungjilli i Barnabës të mos lexohej. Po ashtu Evangelium Barnabe (Ungjilli i Barnabës) si të ndaluar e shohim edhe në dekretin e lëshuar nga Glasiani (në vitin 496 të erës së re). Ky dekret vazhdoi të jetë në fuqi edhe më vonë, duke u rimbështetur edhe nga papa Hormisidasi (514-523)(5). Të gjitha librat që përmbanin ide të kundërta me trininë (njërën nga dogmat themelore për të krishterët) me të cilat Kisha zyrtare nuk pajtohej, u ndaluan. Zyrtarët e krishterë vazhdimisht jepnin edik¬te që ishin për ndalimin e librit, madje librat shpesh¬herë përfundonin edhe në zjarr, gjë që ndodhi edhe me librat e nestorianëve. (Për nestorianizmin folëm në kapitullin e dytë të këtij libri).

Në analet e historisë së librit (me këtë edhe të bibliotekës) u bë i njohur edhe dekreti i njohur kishtar Decretum Gelasianum (v. 494 të erës së re), përmes së cilit u ndaluan një numër i madh i librave për opinio¬nin. Në të vërtetë Decretum Gelasianum ishte një doku¬ment-indeks ku qëndronin titujt e librave të ndaluara nga Kisha, gjegjësisht me urdhër të papës Gelasi(6). Në mesjetën e hershme numri i ndalesave dhe i dënimeve do të shtohet në atë masë sa do të dobësohet monopoli kishtar ndaj prodhimit të librit. Djegie të librave që ishin me karakter të ndryshëm, si ato shkencor e teolo¬gjik, ishin bërë përditshmëri. Siç thuhet, në tubimin kishtar të Lateranit në Romë, që u mbajt në vitin 743 të erës së re, është sjellë një vendim me të cilin urdhë¬rohet që tekstet teologjike të Adalbertit të zhduken në tërësi(7).
Si vazhdimësi e këtyre ndalesave apo censurës rigoroze ndaj librit mund të konsiderohet edhe këshilla e papës Nikolla I (858-867) drejtuar hanit bullgar Borisit, të cilin e këshillon se si duhet vepruar me librat e konfiskuara nga myslimanët në territorin e atëhershëm bullgar (shek. IX)(8). Në të vërtetë ky është një dokument nga Arkivi i Vatikanit, ku në kreun CIII të atij dokumenti me titull Response Nicolai I Papae ad consulata Bulgarorum thuhet: “Ju pyetni ç’duhet bërë me librat heretikë, për të cilët pohoni se gjenden te ju, kurse i keni marrë nga saracenët. Ata, natyrisht, nuk duhet ruajtur, sepse sikur që është e shkruar (në Enci¬klikën mbi Korintasit), kuvendimet e këqija e prishin moralin e shëndoshë, prandaj dorëzojani zjarrit si të dëmshme dhe heretike”(9).

Nga ky tekst i papës kuptohet qartë se sundimtari bullgar Borisi kishte kërkuar përgjigje konkrete për librat e saracenëve (myslimanëve), pasi që këta kishin qenë të detyruar të konvertojnë prej fesë islame në krishterizëm. Është me rëndësi të përmendet se nga ky rast kuptohet edhe një fenomen tjetër që ka të bëjë me konfliktet brendakishtare të shekullit IX. Fjala është për skepticizmin e shumë sundimtarëve të Ballkanit ndaj Kishës: hamendja apo dilema politike se kah duhet orientuar; nga Bizanti ose Roma?! Kjo tregon se orvatjet për supremacion fetar (skizmatik brendakishtar) ishin mjaft evidente në përditshmërinë evropiane, madje historia mesjetare evropiane është e mbushur me konflikte të ashpra ndërkrishtere, gjegjë¬sisht me lufta të ashpra kundër dijetarëve (lexo: librit) dhe “heretikëve”, për çka në hollësi shkroi edhe Maks Beri(10).
Me paraqitjen e Inkuizicionit në skenën e Evropës së krishterë(11), horizonti i veprimit intelektual dhe ai i mendimit të lirë do të ngulfatet mjaft. Inkui¬zicioni ishte themeluar me qëllim që t’i dënojë të gjitha llojet e herezisë në brendinë e Evropës së krishterë, siç ishin: bogumilët, katarët, albigenezët, valdenezët, tem¬plarët, adamitët, sebelianistët, bagar¬de¬tët, hugeno¬tët, si dhe magjistarët. Mirëpo Inkuizi¬cioni nuk u ndal vetëm këtu, por ai u zgjerua edhe kundër hebrenjve dhe myslimanëve, si dhe kundër kulturës islame në Spanjë.

Nga lëvizjet dhe rrymat më të njohura skiz¬matike krishtere të cilat ashpër u dënuan nga Gjyqi i Inkuizicionit do të veçojmë:
Bogumilët: Lëvizje heretike krishtere dhe antifeudale, e cila për herë të parë u shfaq në Bullgari në shek. X(12). Nismëtar i bogumilizmit ishte prifti eremit i Bullgarisë i quajtur Bogumil. Ky shpalli idetë manikeiste dualiste, duke e quajtur veten kristian të mirë(13). Bogumilizmi me doktrinën e tij e kundërshtoi katolicizmin dhe ortodoksizmin… Nga aspekti doktri¬nar bogumilizmi cilësohet me refuzimin e Kishës, kish¬tarëve, kryqit, ikonave etj. Në disa rituale të tyre religjioze (luteshin pesë herë në ditë), bogumilët dallo¬heshin mjaft nga të krishterët tjerë. Bogumilizmi u përhap në shumë vise, si në: Azi të Vogël, Bosnjë, Dalmaci, Kroaci etj.
Katarët: Lëvizje më e njohur skizmatike (heretike) që iu kundërvu mësimeve të Kishës katolike të shekullit XII-XIII. Katarët (gr. kataros) haptazi iu kundërvunë doktrinës katolike zyrtare në përgjithësi, me këtë edhe klerit katolik në krye me papën. Këta më të shumtë ishin në Jug të Francës, por më vonë u përhapën edhe në viset e tjera të Evropës. Katarët u ndjekën me ashpërsi dhe në mënyrë të pamëshirshme nga inkuizitorët katolikë, madje, me urdhër të papës Inoçenti III, në vitin 1215 atyre ua konfiskuan edhe pasurinë…
Albigenezët: Sekt i krishterë i cili zuri fill në shekullin IX në qytetin Albi në jug të Francës, e më vonë u përhap edhe në viset e tjera të Evropës Perën¬di¬more. Në të vërtetë kjo lëvizje krishtere doli nga kata¬¬rët (po ashtu sekt i krishterë) dhe u tregua më eks¬treme. Albigenezët e kundërshtonin Kishën dhe push¬tetin e Papës, refuzonin krishterimin të cilin e predikonte Papa, e mohonin trininë, ferrin, purgatorin etj. Konflikti më i madh apo kulminacioni kontraverz ndërmjet albigenezëve dhe papës Inoçenti III arriti në vitin 1167, atëherë kur albigenezët e formuan kishën e tyre. Ky ishte shkaku që Inoçenti III të organizojë disa kryqëzata ose sulme kundër tyre. Lëvizja e albigene¬zëve definitivisht u zhduk në vitin 1250.
Valdenezët (Varfanjakët e Lionit): Pjesëtarë të njërës ndër lëvizjet më të rëndësishme laike reformiste të krishterë, të cilën në vitin 1167 e themeloi tregtari francez Petrus Valdus (vdiq në vitin 1209). Ky sekt i krishterë u përhap më së tepërmi në shtresat e varfëra fshatare të jugut të Francës, Gjermanisë, Zvicrës, si dhe në Itali, Spanjë, Bohemi, etj.

Doktrina esenciale teologjike e valdenezëve qëndronte në këtë që vijon:
– Papa nuk është përfaqësues i Jezusit por i Satanit, prandaj atij nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë i krishterë,
– Lutjet dedikuar të vdekurve nuk kanë asnjë vlerë, lutjet mund të kryhen edhe në shtëpi, e jo vetëm në kishë,
– Kisha duhet të heq dorë nga pasuritë dhe luksi, etj.

Me qëndrimet e këtilla teologjike, valdenezët u kundërshtuan me krishterimin zyrtar të Papës dhe në vitin 1184 Kuvendi i Veronës valdenizmin e shpalli herezi të rrezikshme për Kishën katolike. Në vitin 1209 papa Inoçenti III i sulmoi valdenezët, ndërsa këta u tërhoqën në Zvicër dhe në veri të Italisë. Ata vendosën miqësi me protestantët dhe në vitin 1532 u konstituan si degë e kishës reformiste. Ediktin e parë kundër valdenezëve e solli papa Inoçenti VIII në vitin 1487, ndërsa ndjekja më e madhe kundër tyre ka ndodhur në vitin 1655 dhe sidomos në periudhën e viteve 1686-1687(14). Sot në botë janë të njohur me Kishën Evangjeliste Valdeneze me rreth pesëdhjetë mijë ithtarë nga të cilët shumica jeton në Itali(15).
Templarët (lat. Templum – tempull): Pjesëtarë të rendit ushtarak të krishterë që u formua në fillim të shekullit XI në Jerusalem. Ky formacion, që më vonë konsiderohej edhe si sekt i krishterë, është i njohur edhe me emrin Grupi i Kavalierëve të ushtrisë së Tem¬pullit, që u formua në vitin 1099 nga mbreti francez Godfroa de Bujon, menjëherë pasi që hynë kryqtarët në Jerusalem. Qëllimi i formimit të këtij formacioni ishte që t’i mbrojnë pelegrinët e krishterë që vinin për vizitë në Qytetin e Shenjtë – Jerusalem, atëherë kur me këtë qytet administronin kryqtarët.

Grupi prej shtatë anëtarësh që e formuan këtë formacion fetar u betuan se do t’i mbrojnë të gjithë të krishterët, ashtu që për vendqëndrim të tyre e morën një pjesë të pallatit të mbretit Bujon që gjendej pranë Tempullit të Solomonit, e më vonë u quajtën templarë. Ky grup kalorësish dalloheshin nga besimtarët tjerë me atë që në vete mbanin tunikën e tyre të bardhë, mbi të cilën gjendej i vizatuar një kryq i madh me ngjyrë të kuqe. Rendi i templarëve u përmbahej të ashtu¬quajturave Rregulla të Shën Benediktit dhe dalloheshin me jetën modeste askete të tyre. Me respektin që e gëzonin templarët fituan rejting mjaft të lartë. Ata pa kurrfarë ndërmjetësimi nga klerikët e shtresave të ulëta, kishin të drejtë të komunikojnë drejtpërdrejt me papën. Pozita e këtillë bëri që templarët të jenë shumë të fuqishëm dhe pushtetëmbajtës të vërtetë të Mbre¬tërisë së Jerusalemit.
Ndërkohë templarët merreshin edhe me vep¬rim¬¬tari bankiere, financiare etj., andaj edhe u pasuruan mjaft. Megjithatë pozita e këtillë e templa¬rëve filloi t’i sjellë kokëdhëmbje papatit romano-katolik, andaj kah viti 1244 fillon edhe rënia e tyre. Kështu shumica e templarëve, në krye me Mjeshtrin e Madh të tyre, shkuan në Francë. Filipi IV i akuzoi templarët për herezi dhe amoralitet, si dhe për atë se ata praktikojnë ligje jokrishtere, etj. Kjo akuzë solli deri te burgosja e një numri të madh të tyre. Me kërkesën e mbretit të Francës, Filipit IV, papa Klementi V kishte dhënë urdhër që ky sekt të shpërndahet, gjë që ndodhi në vitin 1312. Templarët u ndoqën nga Inkuizicioni dhe u dënuan me vdekje. Rendi i Kavalierëve të ushtrisë së Tempullit – templarët, definitivisht u zhdukën në vitin 1324, atëherë kur në turrën e drunjve u dogj Mjeshtri i Madh i tyre, i njëzetedyti me radhë Jacques de Molay. Është interesante se po këtë vit (1324) vdiqën edhe mbreti Filipi IV dhe papa Klementi V.
Sot janë të njohura dy organizata të krishtera të templarëve, që edhe sot e quajnë veten kështu! Ata janë Ordo Templi Orientis (OTO) dhe Ordo Novi Templi (ONT)(16).

Adamitët: Sekt krishter çek që predikonin një jetë të thjeshtë të krishterë. Edhe ky sekt u anatemua nga Kisha katolike(17). Këtij sekti i takuan Jan Husi dhe Jeronimi.
Sebelianistët: Lëvizje krishtere e cila u theme¬lua nga Sabeliusi (shek. II-III). Sebelianistët konside¬ro-nin se Zoti është një qenie absolutisht unike dhe e pandashme, pikëpamje e cila binte ndesh me mësimet zyrtare të Kishës, që do të thotë se kundërshtohej doktrina e trinisë(18). Më vonë, Kisha sebelianizmin e shpalli si herezi të rrezikshme, ithtarët e së cilës u dënuan dhe u zhdukën.
Bagardetët: Sekt katolik që u themelua në shek. XIII. Thuhet se ky sekt së pari u paraqit në Francë, e më pas edhe në Itali dhe Gjermani. Mësimet e këtij sekti skizmatik katolik binin në kundërshtim me Kishën romake katolike, andaj me vendim të Kishës ky sekt u zhduk në tërësi. Zhdukja përfundimtare e këtij sekti skizmatik ndodhi kah fundi i shek. XIV(19).
Hugenotët (fr. huguenots): Këta ishin pjesëtarë të bashkësisë dhe të lëvizjes protestante kalviniste e reformiste, e cila u shfaq dhe ekzistoi gjatë shekujve XVI-XVII në Francë dhe në Zvicër. Mësimet themelore të hugenotizmit përbëheshin nga teologjia e Martin Luterit (1483-1546) dhe ajo e Zhan Kalvinit (1509-1564). Hugenotët ashpër luftuan kundër dy shtyllave kryesore të feudalizmit:
-kundër absolutizmit mbretëror dhe
-kundër Kishës katolike.

Në anën e hugenotëve u radhit borgjezia e re, aristokracia dhe disa shtresa të tjera sociale, si dhe familja e famshme franceze e quajtur burbonë. Regjimi absolutist i Kishës katolike shihte rrezik nga hugeno¬tët, andaj Kisha kundër tyre ndërmori masa rigoroze. Armiqësia kundër tyre kulminacionin e arriti pikërisht atëherë kur në Francën e periudhës së Henrit II (shek. XVI), Kisha ndërmori një fushatë të ashpër kundër herezisë, në këtë rast edhe kundër hugenotëve. Një nga faqet më tmerruese të historisë së katolicizmit evropian është pikërisht edhe qëndrimi i Kishës ndaj kësaj lëvizjeje krishtere, akt që ndodhi më 23 gusht të vitit 1572, e njohur si Nata e Bartolomeut. Në të vërtetë në natën e 23-24 gusht të vitit 1572, kur hugenotët kremtonin për nder të Shën Bartolomeut, ata tinëzisht u sulmuan dhe u persekutuan nga katolikët. Në këtë sulm u mbytën disa mijëra besimtarë hugenotë, si dhe të gjithë prijësit e tyre më të njohur. Pas kësaj date u mbytën edhe mbi njëqind mijë hugenotë të tjerë anembanë Francës(20). Ky akt kriminel në historinë e religjioneve njihet si Nata e Bartolomeut.
Pozita e hugenotëve në Francë filloi të përmirë¬sohet pas Revolucionit Francez Borgjez (1789), ndërsa pas vitit 1804, përmes Ediktit të Napoleonit hugenotët arritën të bëhen qytetarë të barabartë me pjesëtarët e konfesioneve të tjera.
Të gjitha këto ishin akte tmerruese të katoliciz¬mit mesjetar evropian, gjë që nuk përfunduan vetëm me “heretikët” por ato i orientuan edhe kundër fem¬rës. Nuk duhet t’i harrojmë qëndrimet fundamen¬tale kishtare ndaj femrës, ndaj së cilës Gjyqi i Inkuizicionit i manifestoi dënimet më drastike. Kisha urdhëronte administratorët dhe agjentët e saj që t’i dënojë gratë vetëm pse janë të racës së zezë, fallxhore ose për atë që përgatisnin ilaçe nga barishtet e ndryshme. Inkuizicio¬ni në shumë raste ua ndalonte grave që t’iu ofrojnë ndihmë mjekësore edhe lehonave gjatë lindjes, sepse sipas Kishës, dhembjet e lindjes janë dënim për atë që Eva e kishte këputur mollën nga druri i diturisë në parajsë, andaj ishte përgjegjëse për Mëkatin Lindor.

Dokumenti i titulluar Malleus maleficarum (Çekani i shtrigave), të cilin romansieri Den Braun e përmend në Kodin e Da Vinçit të tij, sado pak na e kthjellon pozitën e mjerë të gruas në shoqëritë e mesje-tës krishtere. Aty dokumentohet se vetëm gjatë tre shekuj¬ve Kisha i kishte djegur në stivë afër pesë milio-në gra. Ndoshta për një qëndrim të këtillë kontribuoi edhe prifti Tertulian (160-230), i cili kishte pohuar:
“A e dini se secila nga ju është një Evë, në këtë kohë bëhet gjykimi i gjinisë suaj nga Zoti, faji gjith-ashtu ekziston, ju jeni dera e djallit, ju jeni ajo që veproi lirshëm me pemën, dezertori i parë i ligjit të shenjtë…”.
Sulmet më të ashpra të Inkuizicionit ishin të drejtuara kah lëvizja skizmatike e katarëve, ndërsa ndihmëtarë dhe dorë e djathtë e inkuizicionistëve (të cilët i gjurmonin heretikët dhe të gjithë ata që i kun-dër¬viheshin Kishës katolike) ishin një shtresë njerëzish të cilët u quajtën dominikanë, themelues i së cilës ishte teologu Dominigo de Guzmani (1170-1221), i njohur si Shën Domeniku.
Dominikanizmi (term që në gjuhën latine është bërë një lojë fjalësh, si: domini-canes që do të thotë qentë gjurmues të Zotit) ishte lëvizje në shërbim të Kishës dhe Inkuizicionit, andaj pjesëtarët e saj kurrë nuk e mohu¬an pozitën e tyre si gjurmues ose si hetues të heretikëve, në veçanti ndaj katarëve(21). Dominigo de Guzmani në vitin 1216 kishte ardhur në Tuluz (Francë) me qëllim që t’i luftojë katarët, ndërsa Papa Inoçenti III e lejoi dhe e sanksionoi themelimin e rendit të domi¬ni¬ka¬nëve dhe zyrtarisht kjo lëvizje u quajt Rendi i vëlle¬zër¬¬ve predi¬kues (Ordo Fratrum Praedicatrum)(22). Ndiki¬mi i domi¬nikanëve ishte mjaft i suksesshëm, sa që ata arritën të depërtojnë në shumë katedra, fakul¬tete e universitete evropiane. Qëllimi kryesor i lëvizjes domi¬nikane ishte lufta kundër heretikëve; zhdukja fizike ose “rieduki¬mi” dhe kthimi i serishëm i tyre në gjirin e kishës katolike. Siç kuptohet, dominikanët ishin agjen-të të denjë të Inkuizicionit dhe ishin nën ndikimin e mësi¬meve të Shën Augustinit. Njëri nga dominikanët më me ndikim ishte edhe teologu i krishterë Toma Akuini (1225-1274), i cili në radhët e tyre ishte inkua-druar në vitin 1243.(23) Ai e kishte formuluar edhe ven¬dimin e Kishës kundër heretikëve, në të cilën thuhej:
“Herezia është mëkat, për ç’arsye heretiku duhet jo vetëm të eskomunikohet nga Kisha, por edhe të mbytet. Po qe se heretiku këmbëngul në qëndrimet e tij, atëherë Kisha nuk duhet të kujdeset për të, por për njerëzit tjerë. Me këtë Kisha do ta largojë heretikun nga krahu i saj, ndërsa procesin e mëtejmë Kisha ia lë gjyqit profan, ashtu që ai do ta largojë nga faqja e dheut”(24).

Është për të përmendur se kontributi më efikas dhënë teologjisë dhe doktrinës së krishterë në për-gjithësi erdhi pikërisht nga teologu katolik dhe domini¬kani Toma Akuini. Ai doli nga elita intelektuale e Universitetit të Parisit ku ishte profesor i rregullt, nga një vend arsimor ku qarkullonin mjaft ide dhe mendi¬me të ndryshme filozofike e juridike, aty ku pati frymë edhe averroizmi… Në përgjithësi Akuini njihet si njëri ndër personalitetet më të shquara të lëvizjes së libera¬liz¬mit juridik në teologji dhe filozofi. Ai është autor i veprës së famshme Summa Theologiae të shkruar në vitet 1266-1273 në të cilën e paraqiti sintezën më të kapshme dhe deri tani të pakapërcyer të doktrinës së krishterë të quajtur tomizëm, e cila ishte mbështetur në filozofinë dhe teologjinë e Aristotelit (384-322 p.e.r.).
Në të vërtetë tomizmi është tërësia e pikëpa¬mjeve filozofike e teologjike të Toma Akuinit ose një sintezë ndërmjet filozofisë aristoteliane dhe teologjisë së krishterë katolike. Njëri nga tiparet thelbësore të tomizmit (ashtu siç është paraqitur në veprat e Akuinit Summa Theologiae dhe Summa contra gentiles), është racionalizmi i veçantë sipas të cilit arsyeja e njeriut është në gjendje ta kuptojë, shpjegojë ose ta perceptojë së afërmi ekzistencën e Zotit etj. Sipas tomizmit, arsyeja është parësore dhe si e tillë qëndron mbi vullnetin dhe e determinon këtë. Tomizmi u popullarizua pas sheku¬llit XVI, ndërsa përhapja e tij do ta arrijë kulminacio¬nin e tij në gjysmën e dytë të shekullit XIX, atëherë kur papa Leoni XIII në bullën e tij “Aeterni patris” në vitin 1879 e shpalli filozofinë e Toma Akuinit, përkatësisht tomizmin, si filozofi të vërtetë të katolicizmit, që do të thotë se tomizmi bëhet doktrinë zyrtare e Vatikanit dhe obligative për mbarë botën katolike. Ndryshe nga Shën Augustini, i cili mbështetej në filozofinë e Plato¬nit (427-347 para erës së re) e të neoplatonistëve dhe që ngulmonte në paracaktueshmërinë, Toma Akuini mbë¬sh¬¬tetej në Aristotelin dhe ishte i mendimit se njeriu është zotërues i akteve të veta vetëm sipas arsy¬es dhe vullnetit; prandaj gjykimi i lirë (liber arbit¬rum) i njeriut quhet “aftësia e vullnetit dhe e arsyes”, gjë të cilën e shpjegon në Summa theologiae-n e tij.(25)

Të kthehemi në aktivitetet e inkuizicionistëve, të cilët u zgjeruan edhe në Spanjë, por këtu kundër myslimanëve dhe hebrenjve.
Është me rëndësi të përmendet se për dëbimin e jo të krishterëve nga Spanja, urdhri papnor ishte që nga shek. XIII, edhe pse Inkuizicioni Spanjoll u themelua në vitin 1480. Pra që në Koncilin e Lateranit të mbajtur në vitin 1215, lëshohet një dokument sipas së cilit hebrenjtë, me qëllim që të njihen, detyrohen të mbajnë nga një shenjë me ngjyrë të verdhë, ndërsa në vitin 1267 papa Klementi IV, përmes ediktit të quajtur Turbato corde urdhëron Gjyqin e Inkuizicionit në Spanjë që t’i dëbojë të gjithë hebrenjtë nga Spanja. Siç theksuam më lartë, Inkuizicioni Spanjoll u themelua në vitin 1480 në Asamblenë e Kuqe që u mbajt në Toledo, kurse i njëjti u suprimua (u hoq nga përdo¬rimi) në vitin 1823.(26)

Libri dhe reformatorët evropian nën llupën kishtare

Ekzistojnë mjaft të dhëna që flasin për ndali¬min e mendimit të lirë dhe veprave të shkrimtarëve të ndryshëm, të cilët Inkuizicioni i konsideroi se janë në kundërshtim me frymën kishtare. Historia i shënoi rastet e shkeljes flagrante të të drejtave të mjaft auto¬rëve skolastikë. Ndër ata të cilët u dënuan nga ky gjyq, ishin edhe: Berengari nga Tursi (v. 1050), Abelari nga Bati (v. 1120), Ivan Skot Eriugeniu (v. 1225), Xhon Viklifi (1328-1384), si dhe shumë e shumë “heretikë” të tjerë, me të cilët Kisha me vrazhdësi i qëroi hesapet. Librat që përmbanin rrezik të veçantë (siç ishin ato të dijetarëve të reformacionit, Viklifit, Kalvinit, Sigerit, si dhe të Ibn Rrushdiut (1126-1198), Galieut etj.) digje¬shin. Kështu ndodhi edhe me Talmudin e hebrenjve, i cili gjatë historisë disa herë u ndalua dhe u dogj, siç ndodhi edhe në vitin 1242, kur në sheshin e Parisit publikisht u dogjën disa kopje të Talmudit.
Me rëndësi është të theksojmë se në Evropën e shekullit XIII hebrenjtë u ballafaquan me persekutime të ashpra skizmatike, gjë që u bë me urdhrin zyrtar të Vatikanit. Në të vërtetë dyshimet ndaj hebrenjve dhe librave të tyre teologjike erdhën si pasojë e paraqitjes së disa sekteve të krishtera, siç ishin katarët, albige¬ne¬zët, bogumilët etj. Të gjithë këta ranë në sytë e domi¬nikanëve (agjentëve të Kishës), andaj në vitin 1236 – me urdhrin e papës, Gërgurit IX – Kisha filloi fushatën edhe kundër hebrenjve.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve (në vitet 1239-1242), në Paris janë djegur 24 qerre me disa mijëra libra hebreje. Kjo fushatë vazhdoi edhe në Itali, Spanjë, Angli, ku u dogjën mijëra libra që i përkisnin teologjisë hebreje.(27) Po ashtu edhe në shekullin XVI pati fushatë të ashpër antihebreje. Me urdhrin e papës, në vitin 1553 në shumë qytete të Italisë – si në Romë, Venedik, etj. – u dogjën disa mijëra libra hebreje, madje edhe kopje të shumta të Talmudit. Kjo ndodhi më 21 dhjetor e vitit 1533 kur sheshi Shën Marku u mbulua nga hiri i librave të djegura hebreje.(28)
Në mesjetë u shpallën një varg ndalesash duke mos lejuar përkthimin e Librit të Shenjtë në gjuhën e popullit. Ndalesat e atilla ishin më evidente në Francën e shekullit XII e këndej. Në vitin 1299 Edikti i Tuluzit (Francë) ua ndaloi laikëve që t’i posedojnë dhe t’i lexojnë tekstet e shenjta biblike të Besëlidhjes së Vjetër dhe të Re…(29). Elen Vahjt thotë se pushteti i Papës ka bërë përpjekje që ta fshehë “Fjalën e së vërtetës” nga populli(30).
Ndalesa të librit kishte edhe në shumë vise tjera të Evropës mesjetare, si në Angli, Spanjë, Itali etj. Thuhet se gjatë mesjetës Inkuizicioni i dogji disa miliona libra dhe mbi treqind mijë dijetarë e njerëz të arsimuar…
Në periudhën e protureformacionit, atëherë kur Kisha e ashpërsoi qëndrimin e saj ndaj librave të padëshiruara dhe atëherë kur publikohet Indeksi i librave të ndaluara (Index librorum prohibitorum), privilegjin për t’i ruajt dhe për t’i lexuar librat e ndaluara e morën jezuitët. Ata u obliguan nga zyra e lartë e Kishës që t’i përcjellin botimet e ndryshme teologjike, madje edhe ato të lëmenjve të tjera, veçanërisht ato që publiko¬heshin nga luteranët, jo vetëm në Gjermani, por edhe në Itali. Deri para Revolucionit Francez zyrtarët fran¬cez e zbatonin ligjin kundër autorëve të teksteve blas¬femuese duke i mbyllur në kështjellën-burg që gjendej në Bastiljë. Në Bastiljë u mbyllën shumë libra, ndër të cilat edhe ato të Volterit, Rusosë, Holbahut dhe shumë libra të autorëve dhe filozofëve të tjerë francezë(31).
Inkuizicioni me syçeltësi i vështronte lëvizjet e botueseve dhe shitësit e librave në të gjitha qytetet e ndryshme evropiane, si në Itali, Spanjë, Francë, me qëllim që të ketë kontroll sa më efikas ndaj tyre. Pasi që Kisha gjithnjë e më tepër ballafaqohej me skizma të ndryshme krishtere, si dhe me librat e tyre “heretike”, në vitin 1571 papa Piu V themeloi Congregatio Indicis librorum prohibitorum (Kongregacioni i Veçantë për Indeksin e Librave Heretike). Ky kongregacion kishte për detyrë t’i përgatitë botimet e reja të Indeksit(32). Mirëpo, ajo që punën e inkuizitorëve e bënte më të rëndë dhe më të komplikuar, ishte urdhri që në Indeks të shënohen të gjithë autorët dhe titujt e atyre veprave që në ndonjë mënyrë bien ndesh me mësimet zyrtare të Kishës. Në këtë regjistër u gjet edhe emri i Galileut, Xhordano Brunos, Dekartit, Stendalit, Spinozës, Balzakut, Zolës(33), etj.

Sidoqoftë, detyra kryesore e Inkuizicionit famë¬keq ishte që t’i ndjekë të gjithë ata që ishin shmangur prej dogmës dhe interesave kishtare katolike. Të gjithë ata që mendonin apo besonin në mënyrë disonante në raport me interesat e kishës katolike, siç ishin mjaft mendimtarë, teologë, humanistë, romansierë, shkencë¬tarë etj., u dënuan ashpër nga ky institucion kishtar.
Martirët më të njohur në historinë e tmerrshme të Inkuizicionit, të cilët njëkohësisht edhe u anatemuan nga Kisha, janë:
– Xhon Viklifi (1328-1384): Teolog i njohur i kohës së tij i cili e kundërshtoi ashpër pushtetin papal, duke pohuar se “thelbin e doktrinës kristiane e përbën vetëm Shkrimi i Shenjtë, e jo predikimet dhe interpre¬ti¬met e Papës”. Pikëpamjet e Viklifiut ushtruan ndikim të rëndësishëm në mendimet reformiste kundërpapale te reformistët e mëvonshëm, siç ishin Jan Husi, Jeronimi, Martin Luteri etj.
Në koncilin e Oksfordit të mbajtur në vitet 1408-1409 në Londër u soll urdhri kishtar në të cilin thuhej se “asnjë tekst i shkruar nga Xhon Viklifi të mos lexohet nëpër shkolla… ose kudo tjetër nëpër provinca, po qe se nuk është recensuar nga njerëz tanë kompe¬tentë”(34). Po ashtu, librat e këtij reformatori anglez, si dhe të nxënësit të tij Reginald Pekokut, janë djegur disa herë.(35)

– Jeronimi dhe Jan Husi (1369-1415): Reforma¬torë religjioz çek të cilët ashpër e kritikuan kishën ka¬to-like dhe papën, ngase këto dy institucione krishtere ishin të dhënë pas lakmisë dhe ishin korruptuar lidhur me shitjen e indulgjencave etj. Jan Husi ishte nën ndikimin e pikëpamjeve reformiste kishtare të Viklifit, andaj edhe u ngrit kundër dukurive të atilla negative. Husitët ashpër u kundërshtuan nga Kisha katolike, andaj Papa Gjoni XXII (1410-1415) përmes një bule të shkruar kërkoi që Jan Husi të burgoset dhe të mos i jepet as bukë, as ujë, e as strehim. Në Kuvendin e përgjithshëm Kishtar të mbajtur në Konstancë në vitin 1414, u vendos që Jan Husi të mbytet. Mbytja e tij u realizua në një mënyrë mjaft perfide, kur papa dhe perandori Sigizmund e ftuan Jan Husin në Konstancë gjoja për të diskutuar për çështjet teologjike kontestuese dhe me këtë rast ia dhanë fjalën se nuk do t’i ndodhë asgjë e keqe. Duke besuar në premtimet e tyre, Jan Husi u takua me zyrtarët kishtarë, mirëpo, papa dhe perandori nuk e mbajtën fjalën e dhënë, ndërsa Jan Husin e burgosën, e më pas (në vitin 1415) e dënuan duke e djegur në turrën e drunjve(36). Fatin e njëjtë e përjetoi edhe Jero¬nimi, ndërsa pluhurin e trupit të djegur të tyre e kishin hedhur në lumin Rajna(37). Në bazë të Kuvendit të Konstancës me vdekje u gjykuan edhe disa refor-mistë të tjerë, si: Peter Kanishi, Martin Guska dhe disa të tjerë të cilët ishin themelues të sektit të quajtur adamitë (të cilit i takuan edhe Jan Husi dhe Jeronimi)(38).

Lufta kundër lëvizjes husite më së tepërmi u përqendrua në Çeki, ku Papa Martini V (1417-1431) kundër tyre organizoi pesë kryqëzata. Gjatë një beteje kur reformistët çek Jan Zhizhka dhe Martin Guska e udhëhoqën ushtrinë prej 42 mijë ushtarësh, husitët shënuan fitore të madhe kundër kryqtarëve katolikë. Përfundimisht husitët u shkatërruan në vitin 1434, ndërsa sa i përket ndikimit të tyre, mund të thuhet se pikërisht husitët ishin ata që e përgatitën ambientin evropian për Reformacionin e famshëm të Martin Luterit(39).
– Miguell Serveto (1509-1553): Mjek dhe teolog i njohur i krishterë nga Spanja, i cili kishte vepruar në disa qytete të Evropës. Në veprat tij ai e kundërshtoi ashpër trininë dhe assesi nuk u pajtua që foshnjat të kryqëzohen. Qëndrime të cilat Serveto i kishte trashë¬gu¬ar nga rryma skizmatike krishtere të quajtur sebelia¬ni¬¬zëm, gjë për të cilën folëm më lartë. Të gjitha këto mendime teologjike që ishin në kundërshtim me Kishën zyrtare, sollën një klimë skizmatike, në të cilën lindën probleme të mëdha ndërmjet Servetos dhe Inkuizicionit, i cili edhe u burgos nga ky institucion kishtar. Pasi që kishte qëndruar një kohë në burg, ai kishte arritur të ikë nga burgu, por atë përsëri e kishin kapur në Gjenevë të Zvicrës dhe me urdhër të Inkui¬zicionit në vitin 1553 e dogjën të gjallë në stivë(40).
– Xhordano Bruno (1548-1600): Filozof dhe astronom i njohur italian. Krahas astronomisë, Bruno studioi edhe filozofinë antike dhe atë arabe në manas¬tirin dominikan të Napolit. Për shkak mësimeve dhe tezave të tij shkencore, në moshë 27 vjeçare Xhordano Bruno akuzohet nga Kisha katolike për herezi. Pas kësaj akuze ai largohet nga Italia dhe ikë në disa shtete tjera evropiane. Burgoset më 23.V.1592 dhe pas tortu¬rimeve të mëdha, Gjyqi i Inkuizicionit në vitin 1600 e dënon me djegie në stivë drunjsh. Dënimi ndaj Burnos kryhet në sheshin Campo di Fiori në Romë. Brent Kenedi për Brunon shkruan:
“Duke hedhur poshtë tezën e Aristotelit mbi palëvizshmërinë e Tokës, si dhe koncepcionin e Ptolo-meut, Xhordano Bruno zë vend të rëndësishëm në lëmin e astronomisë. Bruno ishte filozof dhe shken¬cë-tar tipik i Renesancës; luftëtar i pakompromis kundër mesjetës, adhurues i natyrës, panteist i entuziazmuar dhe artist i fjalës, shpirt universal dhe optimist. Obs¬kurantistëve nuk iu plotësua dëshira, sepse emrat e tyre nuk përmenden, ndërsa Bruno në thesarin e men¬dimit dhe të kulturës përparimtare filozofike botërore zë vend të veçantë”(41).
Brent Kenedi thotë se obskurantët mesjetarë – siç ai e quan Kishën katolike dhe Gjyqin e Inkuizicio¬nit – kishin për qëllim që të mos përmendet emri i Brunos, mirëpo sot, edhe pse Kisha katolike ka një pozitë të lartë në shoqërinë evro-perëndimore, prapë¬se¬prapë njollën e quajtur Gjyqi Kishtar mesjetar i Inkuizi-cionit romano-katolik nuk mund ta shlyejë, ndërsa emri i Brunos dhe shkencëtarëve të tjerë të vërtetë nuk u harrua.

– Galileo Galilei (1564-1642): Astronom i njohur, i cili disa herë u akuzua nga Kisha për shkak të zbulimeve të tij astronomike, por në vitin 1634 u detyrua të pendohet para Gjyqit të Inkuizicionit, për të cilin më gjerësisht do të flasim kah fundi i këtij libri.
– Zhan Kalvini (1509-1564): Reformator religjioz zviceran i cili për shkak të ideve të tij reformiste, në vitin 1564 u dogj i gjallë nga Gjyqi i Inkuizicionit.
– Luçilio Vanini: Reformist dhe filozof i njohur italian, i cili për shkak të mendimeve të tija të lira, në vitin 1619 nga ana e Inkuizicionit u gjykua me këputjen e gjuhës.
– Martin Luteri (1483-1546): Teolog dhe njëri nga reformatorët më të shquar katolik, doktrina e të cilit më vonë u quajt protestantizëm. Ai u dëbua nga vendlindja e tij për shkak ideve të tij reformiste kundërpapale. Martin Luteri ishte revoltuar me sjelljet e shëmtuara dhe jetën e shfrenuar të klerikëve dhe udhëheqësve katolikë në Romë, të cilët i kishte parë me sytë e tij, andaj edhe vendosi që përmes shkrimeve dhe librave ta bindë çdo besimtar të krishterë se papa dhe zyrtarët e tjerë si në Vatikan, ashtu edhe në vende tjera kudo që gjenden klerikë katolikë, nuk jetojnë sipas parimeve të krishtera. Librat e protestantëve luteristë me mjeshtëri dhe përmes kanaleve të ndry¬sh¬me kalonin nga Gjermania në vendet tjera, si në Austri, Itali(42) etj. Madje, Luteri zbulimin e shtypit e konsideronte si “dhunti nga Zoti me të cilën duhet ti kundërvihemi diktaturës papale”(43).

Më vonë, Martin Luteri përmes 95 tezave të tij teologjike – të cilat të shënuara në një letër i vendosi në dyert e Katedrales së Vitenbergut të Gjermanisë – shprehu revoltën e tij kundër qëndrimeve të Papës dhe të Kishës katolike.

Me të njëjtat teza Luteri paraqitet edhe para Kuvendit të Vormsit ku i lexon pikëpamjet e tij në prani të perandorit Karli V.(44) Në vitin 1519 Martin Luteri e kundërshton vendimin e Koncilit duke ia treguar gabimet dhe kështu e sulmon edhe papën.(45)
Gjithë kjo shkaktoi që Vatikani të marrë ven¬dim për zhdukjen e librave të reformacionit luterist, ku më pas pasuan djegiet e librave anembanë Evropës (atje ku kishte filluar të përhapet reformacioni). Kështu djegie të librave protestante të Martin Luterit në tetor dhe nëntor të vitit 1520 do të ketë në shumë qytete evropiane, si në: Leven, Liezh, Keln, Majnc, ndërsa në dhjetor të po këtij viti në Vitenberg do të digjet publikisht dokumenti kërcënues i Martin Luterit të cilën ia kishte dërguar papës.(46)
– Sigeri i Brabandit: Përfaqësuesi më i njohur francez i averroizmit (mësimeve filozofike e teologjike të Ibn Rushdiut), i cili me vendim të Gjyqit të Inkuizi¬cionit në vitin 1277 në Paris u gjykua me vdekje. Sigeri i Brabandit dënohet për shkak të përhapjes së ideve filozofike islame të Ibn Rushdiut (Averroesit dhe averroizmit). Mirëpo, para se të kryhet dënimi ndaj tij, Sigeri iku dhe shkoi në Itali, por atje (në vitin 1282) e mbyti sekretari i tij personal. Veprat e filozofit të njohur mysliman Ibn Rushdiut (Averreosit) në vitin 1519 u gjykuan edhe nga universiteti i Parisit, si dhe nga papa Leoni.(47)

– Roxher Bekoni (1214-1294): Filozof dhe shkencëtar i njohur evropian i cili me urdhër të mbretit Edvardit I e kishte të ndaluar të vazhdojë me hulum¬ti¬met e tij eksperimentale në lëmin e kimisë, si dhe të ushtrojë detyrën e tij profesionale si profesor univer¬si¬tar në Universitetin e Oksfordit. Ai me dhunë u dety¬rua të transferohet në Paris, me qëllim që vazhdimisht të jetë nën kontroll të Kishës.
Për ta kuptuar ashpërsinë e Inkuizicionit që u ushtrua kundër mendimtarëve, shkencëtarëve dhe reformistëve evropianë, mund të përmendim edhe atë se në vitin 1557 në Kembrixh të Anglisë, në mënyrë solemne u dogjën edhe eshtrat e reformatorëve (tani¬më të mbytur) Martin Bucer dhe Paul Fagius, si dhe librat e tyre “heretike”.(48)
Që nga themelimi i Inkuizicionit e deri te heqja e tij, anekënd Evropës u dënuan më se një milion njerëz. Thuhet se vetëm gjatë periudhës 1481-1804 Inkui¬zicioni spanjoll i persekutoi, i dënoi ose i mbyti mbi tridhjetë mijë njerëz. Ndër inkuizitorët më të ashpër dallohej Tomas de Torkuemado (1420-1498), ngase vetëm gjatë qëndrimit të tij në krye të Gjyqit të Inkuizicionit u dogjën 10.220 njerëz.
Censura e ashpër kishtare ndaj fjalës së shkruar dhe mendimit të lirë bëri që në skenë të dalë e vërteta edhe për reformistin italian Domenik Skandela nga Fruili i Italisë Veriore, ku fryma e reformacionit kishte marrë hov mjaft të gjerë. Masat kundër librave luteriste në Itali u ashpërsuan pas sjelljes së një urdhërese të ashtuquajtur Indeks Trident i Librave të Ndaluara të vitit 1564. Ky indeks i përmbante edhe Rregullat (Regulae) për cen¬surë nga të cilat rregulla e dhjetë i dedikohej pikërisht pengimit të qarkullit të librave të ndaluara. Në bazë të këtij ligji Inkuizicioni fitoi të drejta më të mëdha në kontrollimin e të gjitha librave të sjella nga jashtë në të gjitha qytetet katolike. Inkuizi¬cio¬ni i dënonte mjaft ashpër të gjithë ata që merreshin me distribuimin ilegal të librave të ndalua¬ra. Kishte rast kur botuesi ose shitësi i librave të ndaluara të dënohet me vdekje, siç ndodhi me Pietro Longon, i cili në vitin 1588 u mbyt me urdhër të Inkuizicionit në Venedik.(49)
T’i kthehemi reformistit italian Domenik Skan¬dela të shekullit XVI. Ai ishte i lindur në vitin 1532 dhe gjatë jetës së tij me sukses i përhapi idetë luteriste.(50) Domenik Skandela kishte qenë ithtarë i vërtetë i luterizmit, respektivisht i mësimeve të Martin Luterit. Bindjet e Skandelës dhe konfrontimet e tij ideologjike dhe religjioze, në shoqërinë e atëhershme katolike të Italisë Veriore (shek. XVI) shkaktuan revol¬të dhe gjy¬kim të ashpër nga ana e Kishës. Ky erdhi në kon¬fron¬tim me udhëheqësit kishtar të rajonit ku jetonte. Me urdhër të kishës ai u arrestua dhe të gjitha librat iu konfiskuan. Aty pati edhe disa libra të dyshimta.(51) Dome¬nik Skandela mbante mendimin se “Jezuin nuk e kishin gozhduar, por në vend tij kishte qenë Juda Ishkarioti”.(52) Këto i kishte lexuar nga një libër i përkthyer në italishte aty kah mesi i shekullit XIV me titull: Kalorësi i Xhovani Mandevilas, mendime këto që në botën e krishterë u ngulfatën nga udhëheqësit kishtarë.(53) Kreu më i lartë i botës katolike – pra vetë papa Klementi VIII – gjykimin e Domenik Skandelës e konsideroi si akt real. Ai për Skandelën kishte pohuar se “këtë pjesë të infektuar të trupit të Krishtit duhet asgjësuar” dhe kërkoi vdekjen e tij.(54) Po atë kohë në Romë po shkonte drejt fundit edhe procesi gjyqtar kundër ish fratit Xhordano Bruno.(55)

Ky ishte ligj i Kishës. Sipas dogmës kishtare, stiva ishte një dënim adekuat për “heretikët dhe librat e tyre”, sepse sipas Kishës “zjarri shëron” (ingis sanat). Këto ishin akte të tmerrshme që u ushtruan kundër njerëzve të diturisë dhe fjalës së shkruar.

Bibliotekat në shënjestër

Siç mund të vërejmë, nga Gjyqi i Inkuizicionit nuk mundën të shpëtojnë mijëra shkencëtarë, humanistë, mendimtarë dhe njerëz të fjalës së shkruar, mirëpo krahas kësaj është me rëndësi të përmendim edhe atë se një numër i madh i bibliotekave evropiane pësuan edhe nga konfliktet skizmatike, siç ishin ato ndërmjet katolikëve dhe protestantëve në Gjermani, Suedi, Francë, Çeki etj. Ndër ato më së shumti pësoi biblioteka e Pallatinit në Hajdelberg (Gjermani). Kjo bibliotekë u shkatërrua në vitin 1622, atëherë kur në këtë qytet hyri ushtria e Ligës Katolike në krye me princin e Bavarisë, Maksimilijanin I, cili vendosi ta plaçkitë bibliotekën, ndërsa librat t’ia dërgojë papës Gërguri XV. Ky hap me siguri ishte shpërblim ndaj Vatikanit katolik që ndihmoi kundër protestantëve gjermanë. Papa tani nuk e kishte pritur dhuratën e dytë, por menjëherë në Hajdellberg i kishte dërguar disa ekspertë për dorëshkrime të vjetra me qëllim që t’ia sjellin të gjitha librat në Vatikan.(56)
Gjermanët janë orvatur disa herë që nga Vati¬kani t’i kthejnë librat e plaçkitura në vendin e tyre në Hajdelberg, por kot. Thuhet se një pjesë e tyre është kthyer në vitin 1816 me urdhrin e papës Piu VII, ndërsa numri më i madh i tyre ende gjendet në bibliotekën e Vatikanit.

Plaçkitje dhe dëmtime të bibliotekave pati edhe nga Franca, atëherë kur ushtritë franceze me urdhrin e Napoleonit dhe administratorëve të tjerë francez, nga bibliotekat e ndryshme, si ato private ashtu edhe nga ato kishtare, u plaçkitën qindra mijëra dorëshkrime dhe libra të rralla. Të gjitha ato u dërguan me qerre në Paris. Kjo ishte dita e 27 korrikut të vitit 1798, ditë kur asnjërit nga të pranishmit nuk i shkoi ndërmend se këtu bëhet fjalë për një plaçkitje të thesarit kulturor të një populli dhe një kulture tjetër. Të gjithë ata mendo¬nin se ky është një akt normal, sepse popullin e pushtuar jo vetëm që duhet robëruar, por duhet edhe t’i vidhet gjithë ai thesar i pasur kulturor të cilën e ka ngritur. Francezët nuk panë asgjë të keqe në atë kur plaçkiteshin muzetë, galeritë, bibliotekat dhe libraritë e ndryshme anekënd vendeve të pushtuara nga ata, si në Evropë, ashtu edhe në Orient… Pasi Napoleoni e humbi luftën në Vaterlo në vitin 1815 dhe në mënyrë të poshtëruar u ekstradua në ishullin Shën Helena, atëherë shtetet evropiane filluan të kërkojnë nga Franca që t’u kthehet thesari i plaçkitur kulturor.(57)
Për ata që e luftuan fjalën e shkruar, mënyra më e mirë e zhdukjes së librave ishte djegia e tyre në mënyrë publike. Natyrisht, djegiet e këtilla bëheshin në sheshe ku tuboheshin njerëzit e informuar më parë.(58) Djegia e librave zakonisht bëhej në prani të një numri të madh të njerëzve, veçanërisht në vendet ku frekuenca e njerëzve ishte më e madhe, si në sheshe, ura, në afërsi të kishave etj. Librat e djegura shkakto¬nin tym, ashtu siç edhe “mendimet blasfemuese e heretike” të cilat shpreheshin në ato libra, që po ashtu duhej të shndërroheshin në tym… në asgjë…

Vazhdon në pjesën e dytë….