Rezart Beka
Ky libër është një ndër ato pak vepra të kritikës tekstuale që janë hartuar me mendimin për të qenë të lexueshme edhe nga publiku i gjerë, ndërkohë që kjo shkencë, sipas autorit të librit, për më se 300 vjet ka vuajtur nga mungesa e lexuesve1. Në të vërtetë, përpara këtij libri, e vetmja përçapje për të shkruar një vepër në fushën e kritikës tekstuale që të ishte e mundur të lexohej dhe të studiohej edhe nga joekspertët, është ndërmarrë nga profesori i Universitetit të Birmingemit, David Parker2. Zakonisht, veprat e kritikës tekstuale përbëjnë një rebus të vërtetë për jospecialistët në këtë fushë dhe rrallëherë ndodh që ato bëhen pjesë e librave më të shitur, po që kur Bart Ehrman, pa dyshim një nga njohësit më të mirë të kritikës tekstuale në botë, botoi këtë vepër, brenda harkut kohor të tre muajve libri i tij u shit në më shumë se 300.000 kopje; shifër kjo me të vërtetë shumë e lartë për një tekst të kësaj natyre.
Libri, pas daljes në qarkullim, ka shkaktuar reagime të dyfishta. Disa e kanë cilësuar si bestseller-in më të pakëndshëm të vitit 20053, po aq provokues sa edhe vepra e Dan Brown-it, “Kodi i Da Vinçit”. Këto reagime kanë ardhur kryesisht nga krahu i fundamentalistëve të krishterë, pjesë e të cilëve ka qenë një herë e një kohë edhe vetë Ehrman-i. Nga ana tjetër, prej shumë specialistëve të tjerë, vepra është vlerësuar si një ndihmesë e rëndësishme në fushën e kritikës tekstuale. Këto vlerësime të fundit në dobi të librit janë shprehur, kryesisht, nga kritikë të moderuar apo liberalë. E me gjithë diskutimet dhe stuhinë që ka ngritur rreth vetes, ky libër mbetet, pa dyshim, një nga veprat më me ndikim të kohëve të fundit.
Ehrman-i, në vazhdën e ideve të autorëve të tillë si Walter Bauer4, James Dunn5 etj., ka vënë në dyshim teorinë klasike të marrëdhënieve ndërmjet herezisë dhe ortodoksisë. Sipas tij, kjo teori është shumë skematike dhe nuk paraqet realitetin e Krishterimit të hershëm. Autori e shpreh këndvështrimin klasik për termin “ortodoksi” me këto fjalë: “Termi “ortodoksi” (fjalë për fjalë, “mendimi i drejtë”) përfaqëson mësimet e dhëna nga Jezusi dhe dishepujt e tij, të përçuara dhe të përhapura në gjithë botën dhe të dëshmuara nga shumica e besimtarëve në çdo kohë. Ata që pohojnë se janë të krishterë, por mohojnë ndonjë pikë të këtij mësimi ose që e ndryshojnë atë në ndonjë mënyrë, përfaqësojnë “herezinë” (fjalë për fjalë, “zgjedhje”), për arsye se ata, me vullnet të plotë, kanë vendosur të keqparaqesin apo të mohojnë të vërtetën. Herezia, në këtë mënyrë, është gjithnjë dytësore ndaj së vërtetës dhe rrjedh prej saj nga një lloj prishjeje dhe zvetënimi. Për polemistët e krishterë, këto zvetënime kanë qenë gjithnjë mendimet e një pakice njerëzish…Sido që të jetë, herezia paraqet një ndotje të mësimit të vërtetë të krishterë me ide të huazuara nga Judaizmi ose nga filozofët paganë.”6
Për Ehrman-in, si dhe për autorët e tjerë që përmendëm më lart, kjo teori nuk paraqet realitetin e Krishterimit të hershëm. Autori i librit, në veprat e tij, ka përkrahur pothuajse plotësisht tezën e studiuesit Walter Bauer, i cili, duke hedhur poshtë konceptin skematik tradicional për herezinë dhe ortodoksinë, shpjegon realitetin e vërtetë në Krishterimin e hershëm. Për Bauerin, Kisha nuk ka përbërë një ortodoksi të vetme, prej së cilës kanë dalë një shumëllojshmëri lëvizjesh rivale, por gjithsesi heretike e në pakicë. Përkundrazi, Krishterimi i hershëm ka mishëruar një shumëllojshmëri formash, mes të cilave asnjëra nuk përfaqësonte shumicën e qartë dhe të fuqishme të besimtarëve kundër të tjerëve. Në shumë zona, ajo që më vonë u quajt “herezi” ka qenë, në të vërtetë, forma e vetme dhe burimore e Lrishterimit. Në hapësira të tjera, këndvështrime që më vonë u cilësuan si heretike kanë bashkëjetuar me këndvështrime që më vonë do të përqafoheshin nga shumica e të krishterëve, ndër të cilët pjesa më e madhe e besimtarëve vështirë se bënin ndonjë dallim ndërmjet formave kundërshtare. Pra, “ortodoksia” e kuptuar si një grup i bashkuar që mbështetej në doktrinën apostullore e që pranohej nga shumica e të krishterëve nuk ka ekzistuar në shekullin e dytë dhe të tretë. As nuk është “herezia” një formë dytësore, e prejardhur nga një shkrirje me idetë judaike apo të filozofisë pagane. Besime të cilat, në kohë më të vonshme, u pranuan si ortodoksi dhe ide të damkosura si herezi kanë qenë, në të vërtetë, vetëm forma rivale interpretimi në Krishterimin e hershëm. Me kalimin e kohës, mesa duket, njëra palë fitoi pushtet e fuqi më të madhe për shkak të rrethanave të caktuara historike dhe shoqërore. Vetëm kur një grup i tillë ia doli të ushtronte një pushtet të mjaftueshëm në të gjithë sferën e Krishterimit, atëherë lindi ideja e “mendimit të shumicës” dhe “besimi i drejtë” filloi të përfaqësonte shumicën e Krishterimit7.
Për Ehrman-in, para se kjo formë e Krishterimit që sot përfaqëson atë që quhet “ortodoksi” të bëhej forma mbizotëruese, ndërmjet grupimeve rivale në shekullin e dytë dhe të tretë është zhvilluar një luftë e ashpër. Gjithsecili mundohej të godiste grupin kundërshtar duke lëshuar akuza mbi moralin e tij, mbi vërtetësinë e shkrimeve të përdorura prej tij, si edhe duke ushtruar trysni politike, ekonomike dhe shoqërore mbi të. Më pas, në sajë të rrethanave të favorshme historike, grupi që përfaqëson sot shumicën e të krishterëve u bë mbizotërues dhe, duke qenë i tillë, e shpalli idenë e tij si një etalon, me të cilin duhej matur gjithçka. Mbi të gjitha, ky grup, pas fitores, dogji të gjitha librat e kundërshtarëve të vet, si dhe persekutoi individët që përhapnin idetë kundërshtare dhe së fundi, e shkroi historinë e krejt konfliktit sipas këndvështrimit të vet8.
Krishterimi i hershëm nuk kishte pushtet në duart e tij, ndaj edhe trysnia ekonomiko-politike ishte jo fort efikase. Në këto rrethana, i gjithë konflikti zhvillohej rreth fjalëve dhe ideve e sidomos rreth shkrimeve që secila palë zotëronte. Çdo grup përpiqej që t’u jepte shkrimeve të veta një autoritet gjithnjë e më të lartë, duke i lidhur ato me figura të mëdha të Krishterimit të hershëm, si Jakobi, Pali, Pjetri etj.. Për më tepër, çdo grup përpiqej të argumentonte tezën e tij duke u munduar të gjente mbështetje edhe në librat e kundërshtarëve. Pikërisht në këtë çast vijmë në thelbin e tezës së Bart Ehrman-it. Sipas tij, skribët në Krishterimin e hershëm nuk kanë qenë profesionistë;9 përkundrazi, ata kanë qenë, thjesht, njerëz që njihnin shkrimin e këndimin, njerëz të ditur të bashkësive të krishtera që kopjonin shkrimet e krishtera për nevoja vetjake apo me kërkesë të ndonjë miku. Skribët profesionistë janë shfaqur në Krishterim në një periudhë shumë të vonshme, aty nga shekulli i katërt. Për këtë arsye, është e natyrshme që në kopjet e hershme të jenë bërë gabime të shumta gjatë kopjimit. Por ajo çka është më e rëndësishme është fakti se këta skribë kanë qenë të përfshirë personalisht në debatet teologjike që kanë marrë plot jetë njerëzore në Krishterimin e hershëm. Në një vepër të tij, Bart Ehrman shpreh qartë tezën se dorëshkrimet e Dhiatës së Re nuk janë prodhuar nga makina jofrymore, të afta për riprodhime të pagabueshme. Përkundrazi, ato janë kopjuar nga duart e gabueshme të atyre njerëzve që ishin thellësisht të kushtëzuar nga konfliktet e kohës së tyre. A ka ndikuar konteksti polemik në të cilin kanë jetuar skribët në mënyrën se si ata i kanë kopjuar tekstet e tyre? Teza e këtij studimi është se konteksti polemik ka ndikuar, se mosmarrëveshjet teologjike e veçanërisht debatet mbi kristologjinë, i nxitën skribët e krishterë të ndryshonin fjalët e shkrimit të shenjtë në mënyrë që t’i bënin ato më të dobishme për debatin. Skribët e ndryshuan tekstin në dorëshkrimet e tyre për t’i bërë tekstet më qartësisht “ortodokse” dhe më pak të “keqpërdorshme” nga kundërshtarët e tyre10.
Në të gjitha veprat e tij, si edhe në këtë libër, autori përpiqet të tregojë mënyrën se si skribët i kanë ndryshuar shkrimet e tyre gjatë kopjimit, si p.sh., për të luftuar hebrenjtë, paganët, herezitë etj.. Në këtë pikë, ndihmesa e Bart Ehrman-it është e pashoqe; kjo e ka bërë atë një prej ekspertëve më në zë të kritikës tekstuale dhe të Krishterimit të hershëm.
Nëse, siç do të shohim në këtë libër, skribët herë pas here kanë ndryshuar tekstin biblik në mënyrë të qëllimshme, të nxitur nga arsye dogmatike, është me rëndësi të pyesim nëse e kanë bërë këtë nisur nga dashaligësia dhe qëllimet e mbrapshta, apo kanë vepruar në bona fide dhe, në një mënyrë apo në një tjetër, kjo i ka çuar ata në ndryshimin e tekstit biblik? Sipas Bart Ehrman-it, alternativa e fundit është ajo që ka më shumë gjasa të jetë e vërteta.
Përmes cilit proces, atëherë, skribët kanë arritur, ndonëse nisur nga qëllime të mira, të ndryshojnë tekstin biblik? Në një nga librat e tij, autori e shpjegon më së miri këtë gjë. Sipas tij, të riprodhosh një tekst është në shumë mënyra e ngjashme me interpretimin e tij. Të gjithë ekzegjetët biblikë e njohin faktin se konceptet paraprake që ka një komentues lidhur me tekstin që po shqyrton, ideologjitë, bindjet, kuptimi që ai i jep jetës etj., ndikojnë në mënyrën se si ai e sheh dhe e kupton tekstin. Komenti pa koncepte paraprake është i pamundur. Konceptet dhe parimet që një njeri ka përvetësuar në jetën e tij nuk mund të hiqen si një rrobë kur komentuesi i qaset tekstit për ta shqyrtuar. Ka një lloj marrëdhënie të ngushtë ndërmjet tekstit dhe interpretimit të tij. Ky interpretim nuk është një rrugë me një kalim, në të cilën është teksti ai që jep kuptimin e tij; përkundrazi, rruga është me dy kalime dhe kuptimi që dikush i vesh një teksti përcakton pjesërisht mënyrën se si teksti lexohet dhe kuptohet. Disa teoricienë letrarë kanë shkuar edhe më tej se kaq, duke argumentuar se konceptet paraprake, vlerat, dëshirat (qofshin të vetëdijshme apo jo) që lexuesi ia ngarkon një teksti janë ato që, në të vërtetë, përcaktojnë kuptimin e tij.11 Sipas kësaj teorie, kuptimi i një teksti nuk lind e zhvillohet vetvetiu, por ai formohet ose shtrembërohet nga qeniet njerëzore (interpretuesit) që ndërfusin në tekst lidhjet e tyre shoqërore, kulturore, historike, si dhe kontekstet intelektuale të tyre, kontekste këto që ndikojnë në mënyrën se si një njeri e “sheh” dhe e gjykon botën që e rrethon, duke përfshirë këtu edhe tekstin që ai shqyrton. Sipas kësaj teorie, këta faktorë kanë më shumë se sa thjesht ndikim në mënyrën se si kuptohet një tekst. Ato, në të vërtetë, prodhojnë interpretimin.12
Shumë pak lexues, për hir të së vërtetës, kur lexojnë një tekst, janë në gjendje të kuptojnë se ata vetë janë duke gjeneruar kuptime nga ai tekst. D.m.th., ata janë duke zbatuar strategji interpretuese për t’i dhënë kuptim tekstit. Zakonisht, mendohet se strategjitë interpretuese janë të nevojshme vetëm për interpretimet ideologjike tendencioze dhe jo për të përftuar kuptimin e “qartë” të tekstit. Mirëpo, në të vërtetë, edhe kuptimi i qartë i tekstit, që mendohet se pranohet nga të gjithë, ka nevojë për një bashkësi lexuesish, për një bashkësi interpretuesish që kanë koncepte të përbashkëta si për botën, ashtu edhe për procesin e të kuptuarit. Kjo është arsyeja se përse në botë të ndryshme, me koncepte paraprake të ndryshme, çdo tekst, si p.sh. shëmbëlltyra e samaritanit të mirë, mund të marrë kuptime të ndryshme, deri edhe të kundërta, për shembull, për një aleksandrin të shekullit të katërt, për një pastor anglikan të shekullit të nëntëmbëdhjetë apo për një akademik marksist të shekullit të njëzetë. Asnjë prej këtyre komentuesve nuk beson se është duke parë në tekst diçka që nuk ekziston; asnjë prej tyre nuk mendon se është duke i vënë tekstit kuptime që ai, në të vërtetë, nuk i përmban.
Rëndësia e gjithë kësaj që shpjeguam, për Bart Ehrman-in, qëndron në faktin se ajo na ndihmon të kuptojmë sa më mirë se çfarë kanë bërë në të vërtetë skribët kur kanë kopjuar apo modifikuar tekstin e tyre. Për Ehrman-in, veprimtaria e skribëve është e ngjashme me çdo proces leximi dhe interpretimi. Secili prej nesh i jep një kuptim teksteve që lexon e, në një farë mënyre, ne “e rishkruajmë” tekstin (ia shpjegojmë vetes “me fjalët tona”). Skribët, diçka më fjalëpërfjalshëm, kanë rishkruar tekstin që po kopjonin. Jo rrallë ka ndodhur që të jetë pikërisht mënyra se si ata i kanë kuptuar këto tekste ajo që i ka shtyrë ata t’i rishkruajnë ato jo vetëm në mendjet e tyre, siç bëjmë të gjithë ne, por mbi letër. Kur ne rishkruajmë një tekst në mendjet tona për t’i dhënë atij kuptim, ne bëjmë interpretim; kur një skrib rishkruan një tekst në letër (pra, ndryshon fjalët e tij për të fiksuar sa më mirë kuptimin që ai mendon se teksti përmban) ai ka ndryshuar fizikisht tekstin. Nga njëra anë, veprimtaria e skribëve është shumë e ngjashme me atë që ne bëjmë çdo ditë sa herë që lexojmë një tekst, ndërsa nga ana tjetër, duke e shkruar në letër kuptimin që i jepnin një teksti, ata kanë bërë diçka që ndryshon nga ajo që ne bëjmë zakonisht. Ata, në të vërtetë, kanë ndryshuar tekstin biblik, kështu që, teksti që këtej e tutje është shndërruar në një tekst krejtësisht të ri.13
Kjo është mënyra se si, sipas Bart Ehrman-it, shumë skribë kanë ardhur deri në ndryshimin e tekstit biblik. Një mënyrë që ndonëse, sipas autorit, nuk është nxitur nga qëllime të mbrapshta dhe të liga, gjithsesi, ka sjellë ndryshimin e tekstit biblik që skribët kanë kopjuar. Këto ndryshime, sipas Ehrman-it, në disa raste kanë qenë të motivuara dogmatikisht dhe kanë sjellë si pasojë që shumë tekste që konsiderohen me rëndësi dogmatike, të jenë, në të vërtetë, variante të mëvonshme të krijuara nga skribët. Në librin e tij me titull “Zvetënimi ortodoks i Shkrimit” (The Orthodox Corruption of Scripture), autori ka marrë në analizë më shumë se 200 versete, ku skribët, gjatë procesit të tyre të interpretimit, kanë ndryshuar tekstin biblik. Në librin tonë, autori ka bërë një përmbledhje të shkurtër të disa shembujve domethënës që tregojnë karakteristikat kryesore të veprimtarisë së skribëve.
Për më tepër, ndihmesa e Bart Ehrman-it është e rëndësishme edhe në një tjetër këndvështrim. Sipas përkufizimit klasik, qëllimi dhe detyra e shkencës së kritikës tekstuale janë që teksti “t’i afrohet sa më shumë që të jetë e mundur fjalëve që ka thënë autori”14. Kritikët tekstualë, përmes zbatimit të aparatit kritik, shpresojnë që t’i sjellin sa më afër origjinalit që të jetë e mundur fjalët e autorëve të librave të Biblës. Ata e bëjnë këtë duke zgjedhur, në mes të një morie variantesh, atë që ata mendojnë se është origjinali dhe duke shmangur atë çka mendojnë se përbën shtesa të krijuara nga skribët në periudhat e mëvonshme.
Ky këndvështrim klasik i shkencës së kritikës tekstuale, në ditët tona, është kritikuar nga shumë teologë, si edhe specialistë të njohur të kësaj fushe, ndër të cilët Helmut Koester15, William L. Petersen16, David Parker17 etj. Po ashtu edhe Bart Ehrman-i ka dhënë ndihmesën e tij në diskutimet e zhvilluara rreth kësaj çështjeje. Autori argumenton se, zakonisht, kritikët tekstualë janë munduar të përcaktojnë atë që autori ka thënë duke zgjedhur në mes të një morie variantesh atë që ata, pasi zbatimit të metodës së kritikës tekstuale, besojnë se është më i sakti, duke anashkaluar të gjitha format e tjera të tekstit që ata mendojnë se përbën një ndryshim të tekstit të bërë nga skribë të mëvonshëm. Për Ehrman-in, kjo mënyrë e të vepruarit është e gabuar. Sipas tij, është e vërtetë se të përcaktosh çfarë ka thënë një autor është shumë e rëndësishme për interpretimin e një teksti, por kjo metodë pune anashkalon mundësinë e përdorimit të formave të mëvonshme të tekstit për të kuptuar historinë ekzegjetike të pasazhit të marrë në shqyrtim e, në këtë mënyrë, për të rritur gjithnjë e më shumë njohjen tonë mbi historinë e hershme të Krishterimit. Për autorin, format e mëvonshme të tekstit, na tregojnë mënyrën se si tekstet janë kuptuar në periudha të ndryshme të historisë së Krishterimit dhe kjo na bën të kuptojmë më mirë historinë e hershme të tij. Në këtë libër, autori e ka bërë më së miri këtë, duke treguar mënyrën se si një tekst ka pësuar ndryshime të shumta në kohë të ndryshme, në varësi të debateve të zhvilluara në Krishterimin e hershëm dhe të kuptimeve që u janë ngarkuar teksteve në periudha të ndryshme.
Përmbledhtazi, mund të themi se për Ehrman-in koncepti i mëvonshëm i ortodoksisë është në shumë mënyra një anakronizëm, pasi asnjë grup në Krishterimin e hershëm nuk ka pasur fuqinë e nevojshme dhe përkrahjen e shumicës së besimtarëve për të bërë të mundur, në këtë mënyrë, eliminimin e grupeve rivale. Përkundrazi, krishterimi në këtë kohë ka qenë i përbërë nga një shumësi grupesh rivale që luftonin me njëri-tjetrin për mbizotërim. Skribët që merreshin me kopjimin e tekstit biblik, ishin të përfshirë edhe vetë në këto polemika të ashpra. Mjedisi konfliktual ku ato jetonin solli si pasojë ndryshimin e tekstit biblik nga skribët, ndonëse nisur nga qëllime jo të këqija, për t’i bërë ato më qartësisht “ortodokse” dhe më pak të “keqpërdorshme” nga kundërshtarët e tyre.
Në këtë libër, autori, duke analizuar dorëshkrimet dhe variantet që gjenden në to, ka vërtetuar në mënyrë bindëse këtë fakt që, falë punës së palodhur disa vjeçare të tij, tashmë po pranohet gjithnjë e më shumë në qarqet e kritikëve tekstualë.
Referenca
[1] Bart Ehrman, “Misquoting Jesus”, HarperSanFrancisco, San Francisco2005[2] David C. Parker, “The Living Text of the Gospels”, Cambridge University Press, Cambridge, 1997.
[3] Tucker, “The Book of Bart.”
[4] Walter Bauer, “Heresy and Orthodoxy in early Christianity”, Fortress Press, Philadelphia, 1971.
[5] James Dunn, “Unity and Diversity in Early Christianity”
[6] Bart D. Ehrman, “The Orthodox Corruption of Scripture: The Effect of Early Christological Controversies on the Text of the New Testament”, Oxford University Press, New York, 1993, f. 5-6.
[7] Po aty, f. 7
[8] Për këtë, por edhe për më shumë, shih: Bart Ehrman: “Lost Christianities: The Battles For Scripture And The Faiths We Never Knew”, Oxford University Press, 2003, f. 1-7.
[9] Bart Ehrman, në një shënimt të librit të tij, shpjegon: “Me skribë profesionistë, unë kuptoj njerëz që janë të përgatitur në mënryë të veçantë apo që janë paguar për të kopjuar një tekst si pjesë e zanatit të tyre. Në një periudhë të vonshme, murgjit në manastire kanë përgatiteshin për këtë, por nuk paguheshin. Unë e kam vendosur edhe këtë kategori mes skribëve profesionistë.” (Bart Ehrman: “Misquoting Jesus”, f. 221).
[10] Bart D. Ehrman, “The Orthodox Corruption of Scripture”, f. 3-4
[11] Autori më përfaqësues i kësaj teorie është Stanley Fish. Shih dy përmbledhjet me ese të tij, “Is There a Text in This Class?” dhe “Doing What Comes Naturally”. Për Ehrman-in, gjithsesi, kjo teori nuk duhet përqafuar në tërësinë e saj.
[12] Bart Ehrman, në një shënim, shpjegon se kjo teori shkatërron një nga parimet kryesore të të ashtuquajturit Kriticizmi i Ri (New Criticism), sipas së cilit kuptimi i një teksti është i pavarur nga ndikimet e tij mbi lexuesin, qofshin këto psikologjike apo të llojeve të tjera. Sipas tyre, kuptimi i një teksti gjendet brenda tij. Është detyrë e specialistëve ta gjejnë këtë kuptim duke zbatuar mënyra dhe kritere objektive gjatë procesit të analizës. Kritikë të tillë si Fish, që në anglisht njihen si “reader-rensponse critics”, e kundërshtojnë këtë “mit të objektivitetit”, siç e quajnë ata, duke pohuar të kundërtën; se kuptimi i një teksti nuk mund të ekzistojë në mënyrë të pavarur nga lexuesi që e shqyrton atë. Kjo tregohet nga fakti se të njëjtat fjalë marrin domethënie krejtësisht të kundërta në kontekste të ndryshme, si dhe nga fakti se lexues të ndryshëm me kponcepte praraprake të ndryshme u ngarkojnë fjalëve të të njëjtit tekst kuptime të ndryshme. Madje, sipas tyre, edhe i njëjti lexues, zakonisht, e kupton një tekst në mënyra të ndryshme në kohë të ndryshme. Për këtë arsye, sa herë që lexohet një tekst, ndërtohet një kuptim dhe sa herë që ai rilexohet, edhe kuptimi i tij rindërtohet, pak a shumë, në mënyrë të ndryshme. Në këtë kuptim, leximi, procesi i ndërtimit të një teksti, nuk dallon shumë nga shkrimi, ndaj edhe sa herë që ne lexojmë një tekst, të njohur apo të panjohur, në të vërtetë, e rikrijojmë apo e rishkruajmë atë tekst. Me pak ndryshime, shënimin në fjalë mund ta gjeni në: Bart D. Ehrman, “The Orthodox Corruption of Scripture”, f. 46, shënimi 121.
[13] Me pak ndryshime, këtë mund ta gjeni në: Bart Ehrman, “The Orthodox Corruption of Scripture”, f. 29-31.
[14] Kirsopp Lake, “The Text of the New Testament”, London, 1913, f. 1; për më shumë, shih: E. Jay Epps, “The Multivalence Of The Term “Original Text” In New Testament Textual Criticism”, Harvard Theological Review, 1999, Vëll. 92, nr. 3, f. 245-281.
[15] Helmut Koester, “The Text of the Synoptic Gospels in the Second Century,” në Petersen, bot., “Gospel Traditions in the Second Century”, f. 19-37
[16] Petersen, “What Text Can New Testament Textual Criticism Ultimately Reach?” f. 136-37.
[17] David C. Parker, “The Living Text of the Gospels”
www.erasmusi.org