Sulejman El-Buti
PARATHËNIE
Po e shpërndajmë këtë shkrim, duke dashur me këtë ta heqim fajin për mospërhapjen e së vërtetës, para Zotit në Ditën e Ringjalljes. Me këtë vepër ne nuk synojmë ta gëzojmë ndokënd apo të fitojmë lëvdata, gjëja e vetme që kërkojmë është kënaqësia e Allahut të Lartësuar.
Në Kur’anin Famëlartë thuhet:
Thoni: “Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin), në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve (12 bijve të Jakubit), në atë që i është dhënë Musait e Isait dhe në atë që u është dhënë profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre dhe vetëm Allahut i përulemi”. [Kur’an 2:136]
Ne si muslimanë besojmë në Një të Vetmin Krijues dhe në të gjithë Pejgamberët, në mesin e të cilëve ishte edhe Jezusi, gjegjësisht Isai (paqja qoftë mbi të), të cilin e konsiderojmë si një ndër Pejgamberët më të mëdhenj. Ne e pranojmë se ai ishte Mesihu, sikundër që e pranojmë se ai është Fjala e Allahut dhe se kishte lindur në një mënyrë të mrekullueshme, pa asnjë ndërhyrje mashkulli. Gjithashtu, ne jemi të bindur se ai, me lejen e Allahut, ringjallte të vdekurit, shëronte të verbrit e lindur dhe të lebrosurit. Kur’ani Fisnik, në krahasim me librat e tjerë të zbritur, vë në dukje aspektet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me nënën e Isait (paqja qoftë mbi të), me lindjen, misionin dhe ngritjen e tij në qiell.
VIRGJËRESHA MERJEME (MARI)
Tregimi i Isait (paqja qoftë mbi të) në Kur’anin Fisnik fillon me shtatzëninë e nënës së tij, Merjemes (paqja qoftë mbi të), kur gruaja e Imranit, gjegjësisht nëna e Merjemes, u zotua se do ta lë fëmijën e saj në tempull, që t’i shërbejë Allahut të Madhërishëm. Kjo gjë përmendet në ajetin vijues:
Kujto kur gruaja e Imranit tha: “Zoti im, unë Ty ta kam kushtuar atë që është në barkun tim, që të të shërbejë vetëm Ty; andaj, pranoje prej meje! Se Ti, me të vërtetë, dëgjon dhe di çdo gjë.” E kur ajo lindi, tha: “Zoti im! Unë linda femër, – Allahu e di më mirë se çfarë lindi ajo, – e mashkulli nuk është si femra. Unë ia vura emrin Merjeme dhe i kam lënë atë me pasardhësit e saj nën mbrojtjen Tënde nga djalli i mallkuar”. Zoti e pranoi atë (Merjemen) me ëndje, e bëri që të rritet mirë dhe e la nën kujdestarinë e Zekerias. Sa herë që hynte Zekeria në dhomën e saj, gjente pranë saj ushqim dhe e pyeste: “O Merjeme! Nga të vjen ky ushqim?” Ajo përgjigjej: “Ky është nga Allahu, se Allahu e furnizon kë të dojë, pa kufi”. [Kur’an 3:35-37]
Në Kur’anin Fisnik thuhet se Allahu i Plotfuqishëm zgjodhi Merjemen, e pastroi atë dhe e parapëlqeu mbi të gjitha gratë e botës. Kjo gjë përmendet në ajetin vijues:
(Kujto) kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Allahu të ka zgjedhur, të ka pastruar dhe të ka parapëlqyer ty mbi të gjitha gratë e botës. O Merjeme! Bindju Zotit tënd! Bëj sexhde dhe përkulu në ruku bashkë me ata që përkulen (duke adhuruar Allahun)!” [Kur’an 3:42-43]
LINDJA E JASHTËZAKONSHME E ISAIT
Përkitazi me lindjen e Isait (paqja qoftë mbi të), Allahu në Kur’anin Fisnik, në suren Merjem thotë:
Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen, kur u tërhoq nga familja e saj në një vend në lindje, duke e fshehur veten nga ata. Ne i dërguam Shpirtin Tonë,[1] i cili iu paraqit asaj si një njeri i plotë. Ajo i tha: “Unë kërkoj që të më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i frikësohesh Allahut. Ai tha: “Në të vërtetë, unë jam vetëm një i dërguar i Zotit tënd, që të të dhuroj ty një djalë të pastër.” Ajo tha: “Si mund të kem unë djalë, kur asnjë mashkull nuk më ka prekur e nuk jam as e pacipë?!” Iu përgjigj: “Kështu është! Zoti yt ka thënë: ‘Kjo për Mua është e lehtë. Ne do ta bëjmë atë shenjë për njerëzit dhe mëshirë nga ana Jonë’. Dhe kjo është punë e kryer.” Ajo mbeti me barrë e u tërhoq me të në një vend të largët. Dhembjet e lindjes e detyruan atë që të shkonte te trungu i një hurme. Ajo tha: “Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt!” Një zë e thirri nga poshtë: “Mos u pikëllo, se Zoti yt të ka bërë një burim uji poshtë teje! Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta! Ha, pi dhe qetësohu. Nëse vëren ndonjë njeri, i thuaj: “Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj, prandaj sot nuk do të flas me askënd.” Dhe u kthye te populli i vet, duke mbajtur fëmijën. Ata i thanë: “O Merjeme, ke bërë diçka të turpshme! O motra e Harunit! Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote nuk ka qenë grua e shthurur.” Ajo bëri me shenjë nga i biri. Ata thanë: “Si t’i flasim ne fëmijës që është në djep?” Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm. Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” Ky është Isai, i biri i Merjemes. Kjo është fjala e vërtetë, për të cilën ata dyshojnë dhe diskutojnë. Allahu nuk ka mbetur të marrë dikë për bir. Qoftë i lavdëruar Ai! Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të “Bëhu!” dhe ajo bëhet. (Isai tha): “Vërtet, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj; andaj adhuroni vetëm Atë! Kjo është udha e drejtë”. [Kur’an 19:16-36]
ISAI, I BIRI I MERJEMES (PAQJA QOFTË MBI TË)
Kisha pretendon se Isai është “i biri i vetëm i lindur” i Allahut dhe se vetë Allahu përbëhet nga tri pjesë: nga i biri, i ati dhe “shpirti i shenjtë” – në të njëjtën kohë! Pos kësaj, katolikët theksojnë gjithashtu edhe hyjnizimin e Merjemes si “nëna e Zotit”. Mirëpo, Islami hedh poshtë tërësisht të gjitha këto mendime. Allahu i Lartmadhërishëm thotë në Kur’an:
Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është Mesihu, i biri i Merjemes!”, sepse vetë Mesihu ka thënë: “O bijtë e Izraelit, adhuroni Allahun, që është Zoti im dhe Zoti juaj! Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës.
Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është njëri prej Trinisë!” Nuk ka veçse një Zot të Vetëm të vërtetë! Nëse nuk heqin dorë nga ato që thonë, patjetër që jobesimtarët nga mesi i tyre do t’i godasë një dënim i dhembshëm.
Përse ata nuk kthehen me pendesë tek Allahu e t’i kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë!
Mesihu, i biri i Merjemes, është vetëm një i dërguar. Edhe para tij kanë kaluar të dërguar. Nëna e tij përherë ka qenë e drejtë. Që të dy, hanin ushqim. Shiko si ua shpjegojmë atyre shpalljet tona dhe shih si largohen nga e Vërteta! [Kur’an 5:72-75]
Kurse, muslimanët thonë se lindja e Isait (paqja qoftë mbi të) pa babë nuk e bën atë Zot apo bir “të lindur” të Zotit. Allahu i Lartësuar thotë në Kur’anin Famëlartë:
Ata thonë: “Allahu ka bërë një fëmijë”. I Lavdishëm dhe i Lartësuar qoftë Ai! Përkundrazi, Atij i përket çdo gjë që gjendet në qiej e në Tokë dhe Atij i nënshtrohet gjithçka. Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, pa shembull të mëparshëm dhe, kur vendos për diçka, vetëm thotë për të: “Bëhu!” – dhe ajo bëhet. [Kur’an 2:116-117]
Lidhur me këtë, Allahu në Kur’anin Fisnik thotë:
Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” [Kur’an 112]
Lindja e Isait nuk ishte diçka më e jashtëzakonshme sesa lindja e babait tonë, Ademit. Allahu e përmend këtë në Kur’anin Famëmadh, kur thotë:
Rasti i Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” – dhe ai u bë. [Kur’an 3:59]
MISIONI I ISAIT (PAQJA QOFTË MBI TË)
Krijuesi ynë dërgoi pejgamberë për t’ua treguar njerëzimit rrugën e drejtë. Isai, paqja qoftë mbi të, ishte njëri ndër këta pejgamberë, të cilin Allahu e përgatiti për ta dërguar te hebrenjtë (bijtë e Izraelit), të cilët ishin shmangur nga mësimet e Musait (paqja qoftë mbi të).
Allahu ia mësoi atij shkrimin, diturinë, Teuratin dhe Ungjillin dhe e ndihmoi me shumë mrekulli për të provuar se ai, me të vërtetë, ishte i Dërguar i Allahut. Në Kur’anin Fisnik, Allahu thotë:
(Kujto) kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Allahu të jep lajmin e mirë për një (djalë që do të lindë me një) Fjalë prej Tij: emrin do ta ketë Mesih – Isa i biri i Merjemes, do të jetë i nderuar në këtë botë dhe në tjetrën dhe një nga të afërmit e Allahut. Ai do t’u flasë njerëzve qysh i vogël në djep edhe si njeri i rritur dhe do të jetë nga më të mirët”. Ajo tha: “Zoti im! Qysh do të kem unë fëmijë, kur nuk më ka prekur askush?!” – “Kështu – tha (engjëlli) – Allahu krijon ç’të dojë Vetë. Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të: “Bëhu!” – dhe ajo bëhet.” (Allahu) do t’ia mësojë atij shkrimin, diturinë, Teuratin dhe Ungjillin dhe do ta caktojë atë të Dërguar te bijtë e Izraelit (të cilëve do t’u thotë): “Ju kam sjellë prova nga Zoti juaj (që vërtetojnë Profecinë time): bëj për ju diçka prej balte në formë shpendi, fryj në të e me urdhrin e Allahut ajo bëhet shpend i gjallë; shëroj të verbrit e lindur dhe të lebrosurit dhe i ngjall të vdekurit me lejen e Allahut; ju tregoj çfarë hani dhe çfarë ruani në shtëpitë tuaja. Sigurisht që te të gjitha këto ka prova për ju, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Dhe (kam ardhur te ju) për t’ju vërtetuar Teuratin, që është para meje dhe që t’ju lejoj disa gjëra që i keni pasur të ndaluara. Ju kam sjellë një provë nga Zoti juaj, prandaj kijeni frikë Allahun dhe bindmuni! [Kur’an 3:45-50]
Duhet të bëhet e qartë se muslimanët, në të vërtetë, besojnë se Isai (paqja qoftë mbi të) i ka sjellë të ashtuquajturat “lajme të mira” të Allahut, mirëpo megjithatë ata nuk i pranojnë katër ungjijtë si fjalë të Isait. Madje edhe kisha pranon se “katër ungjijtë” i kanë shkruar katër njerëz të ndryshëm, porse pretendon se ata ishin të frymëzuar nga Zoti; pohim ky të cilin ne muslimanët e kundërshtojmë me forcë. Nëse vërtet këta njerëz ishin të inspiruar nga Zoti, atëherë si ka mundësi që në këta ungjij të gjenden aq shumë kontradikta serioze dhe lëshime në lajmet e tyre përkitazi me jetën e Isait (paqja qoftë mbi të)?!
Një detyrë tjetër e Isait ishte t’i përgëzonte njerëzit për ardhjen e Pejgamberit të Fundit. Allahu i Madhërishëm e dëshmon këtë në Kur’anin Fisnik, kur thotë:
Kujto kur Isai, i biri i Merjemes, tha: “O bijtë e Izraelit, unë jam i dërguari i Allahut tek ju, për t’ju vërtetuar Teuratin e shpallur para meje dhe për t’ju sjellë lajmin e gëzueshëm për një të dërguar, emri i të cilit është Ahmed[1], që do të vijë pas meje”. Por, kur ai u solli atyre shenja të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapur!” [Kur’an 61:6]
Dhjeta e re flet për ardhjen e një “Ngushëlluesi” pas misionit të Isait (paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin për të). Disa të krishterë besojnë apo u është thënë të besojnë se “Ngushëlluesi” i paralajmëruar është “Shpirti i Shenjtë”, mirëpo kjo pikëpamje assesi nuk mund të pranohet, meqë “Shpirti i Shenjtë” ishte i pranishëm edhe gjatë misionit të Isait, pra ardhja e tij nuk është ndodhi e së ardhmes. Për këtë shkak, muslimanët janë të bindur se fjala “Ngushëllues” në mënyrë të patjetërsueshme i referohet një Pejgamberi. Muhamedi, (paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin për të), Pejgamberi që nuk dinte shkrim-lexim, ishte Pejgamberi i Vetëm i cili erdhi me një Shpallje të plotë dhe gjithëpërfshirëse nga Allahu i Plotfuqishëm, e cila mbeti e pandryshueshme, që nga zbritja e saj dhe e cila sfidoi tërë botën që ta sjellë vetëm një ajet apo varg të ngjashëm me atë të saj (të Kur’anit). Bota deri në ditët e sotme nuk mundi t’i bëjë ballë kësaj sfide dhe kështu do të mbetet deri në Ditën e Fundit. Kjo shpallje, gjegjësisht Kur’ani, është mrekullia e të gjitha mrekullive; është testamenti i fundit i besimit drejtuar njerëzimit, në të cilin gjendet drita e përsosur, udhëzimi, si dhe dënimi i mëkatit.
ISAI (PAQJA QOFTË MBI TË) U NGRIT NË QIELL
Isai (paqja qoftë mbi të) kishte disa djelmosha që e përkrahnin, të cilët ia kishte dhënë Allahu për ta ndihmuar dhe për ta mbrojtur. Ndërkaq, jobesimtarët planifikonin ta vrisnin Isanë, por gjithnjë është plani i Allahut ai që jetësohet, siç na tregon Kur’ani Fisnik:
Kur Isai vuri re mosbesimin e tyre, tha: “Kush janë ndihmuesit e mi në rrugën e Allahut?” nxënësit (e tij) u përgjigjën: “Ne jemi ndihmuesit e (fesë së) Allahut. Ne e besojmë Allahun e ti (Isa) dëshmo se ne (i) jemi nënshtruar (Atij). Zoti ynë! Ne besojmë atë që na ke shpallur dhe pasojmë të Dërguarin (Isanë). Na shkruaj pra, bashkë me dëshmitarët!” Dhe ata[2] i përgatitën një kurth, por edhe Allahu u përgatiti kurth (dënim), se Allahu është strategu më i mirë.
(Kujtoje, o Muhamed) kur Allahu tha: “O Isa! Unë do të të marr, do të të ngre pranë Meje dhe do të të shpëtoj ty nga ata që nuk besojnë, si dhe do t’i vendos ata që të ndjekin ty, përmbi ata që të mohojnë, deri në Ditën e Kiametit. Pastaj, të gjithë do të ktheheni tek Unë dhe do të gjykoj midis jush për çështjet që jeni grindur. Sa për ata që nuk besojnë, do t’i dënoj me dënim të ashpër në këtë botë dhe në tjetrën. Dhe nuk do të kenë askënd që t’u vijë në ndihmë. [Kur’an 3:52-56]
Siç shihet në ajetet e mësipërme, Isai është ngritur në qiell, gjë e cila sipas Kur’anit Fisnik nënkupton se ai nuk është kryqëzuar. Armiqtë e Isait (paqja qoftë mbi të) planifikonin ta kryqëzonin atë, në mënyrë që ai të vdiste, por Allahu e mbrojti atë dhe bëri që në vend të tij ta kryqëzonin një person tjetër, i cili i ngjante atij (Isait). Ky plan dhe pohimet e gabuara kundër Merjemes, sipas Kur’anit Fisnik, trajtohen si disa nga mëkatet e hebrenjve jobesimtarë. Kjo gjë sqarohet në ajetin vijues:
(I mallkuam ata) për shkak të mosbesimit të tyre (ndaj Isait a.s.), për shkak të shpifjeve të mëdha që thanë kundër Merjemes dhe për fjalët e tyre: “Ne e vramë Mesihun – Isanë, të birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut”. Por, ata as e vranë, as e kryqëzuan, por ashtu u është dukur. Ata që nuk u pajtuan për çështjen e tij, me siguri që gjenden në dyshim për të. Ata nuk kanë ditur kurrgjë për të, por vetëm kanë hamendësuar. Ata, në të vërtetë, nuk e kanë vrarë, por, Allahu e ka ngritur pranë Vetes. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm. Të gjithë ithtarët e Librit do t’i besojnë Isait para se ai të vdesë dhe, në Ditën e Kiametit, ai do të jetë dëshmitar kundër tyre. [Kur’an 4:156-159]
PËRMBYLLJE
Për fund, dëshmojmë se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se askush pos Tij nuk meriton të adhurohet. Ne jemi më se të bindur se Ai nuk ka ortak dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Ne, gjithashtu besojmë fare bindshëm se Isai, i biri i Merjemes është rob i Allahut, i dërguar i Tij, Fjala e Tij (“Bëhu!” dhe ai u bë), të cilën ia dha Merejmes dhe një prej shpirtrave të krijuar nga Ai. Ne e pranojmë faktin se të gjithë pejgamberët janë vëllezër dhe se nuk ka asnjë dallim ndërmjet feve të tyre; sepse ekziston vetëm një fe, “Islami (apo besimi në njëshmërinë e Zotit)”.
Dëshmojmë se Xheneti është i vërtetë, se Xhehenemi është i vërtetë dhe se Allahu do t’i nxjerrë njerëzit nga varret Ditën e Llogarisë, siç thotë Allahu i Plotfuqishëm në Kur’an:
Ai ka urdhëruar për ju atë Fe, të cilën ta zbuloi ty (o Muhamed) dhe që pati urdhëruar për Nuhun, Ibrahimin, Musanë dhe Isanë, duke thënë: “Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të!” Por për idhujtarët është e rëndë ajo, në të cilën po i fton ti. Allahu zgjedh për këtë fe kë të dojë dhe udhëzon drejt saj këdo që kthehet tek Ai me pendim. [Kur’an 42:13]
Ky pra, është mesazhi ynë. Në Ditën e Gjykimit do të dëshmojmë se e kemi përçuar mesazhin e së Vërtetës, duke ia përcjellë atë çdo personi, pa marrë parasysh se a do ta pranojnë ata atë apo do ta përgënjeshtrojnë, se a do ta pasojnë të Vërtetën apo do të mbesin në errësirë. Allahu i Plotfuqishëm në Kur’anin Famëmadh thotë:
Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursi-u[3] i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori! [Kur’an 2:255]
TIPARET E SË VËRTETËS
Si mund ta dimë se një shpallje, siç është Kur’ani, është Fjala e Vërtetë e Zotit?
Vërtetësia e shpalljes hyjnore më së miri mund të përcaktohet duke e krahasuar atë me kriteret që janë në kundërshtim me mesazhin hyjnor, si më poshtë:
1. Mësimet racionale: Kur kihet parasysh se Zoti na ka dhënë mendje dhe arsye, atëherë ne jemi të detyruar t’i shfrytëzojmë këto dhunti në mënyrën më të plotë, që të mund ta dallojmë qartazi të vërtetën nga e pavërteta. Prandaj, shpallja e vërtetë dhe e pashtrembëruar e Zotit duhet të jetë patjetër në përputhshmëri të plotë me arsyen e shëndoshë, të jetë e përshtatshme për njerëzimin dhe të mund të shihet nga të gjithë njerëzit e drejtë si e arsyeshme.
2. Përsosmëria: Duke pasur parasysh faktin se Zoti është i Përsosur, atëherë edhe shpallja e Tij duhet patjetër të jetë e përsosur dhe e saktë, pa gabime, lëshime, shtesa apo kundërthënie. Me fjalë të tjera, të jetë e përkryer, pra të mos ketë në të kundërthënie apo mospërputhje.
3. Të mos ketë në të gjepura apo besëtytni: Shpallja e vërtetë e Zotit është e lirë nga besëtytnitë dhe gjepurat, të cilat bien në kundërshtim me Qenien e Zotit të Lartësuar dhe ulin dinjitetin e njeriut.
4. Të jetë shkencore: Siç është Zoti burimi i të gjitha njohurive, ashtu edhe shpallja e vërtetë duhet të jetë shkencore, pra të jetë në përputhshmëri të plotë me diturinë e saktë, dhe t’i bëjë ballë të gjitha sfidave të shkencës në çdo kohë.
5. Profecia: Zoti është Njohësi i së shkuarës, së tashmes dhe i së ardhmes, prandaj profecitë e Tij në shpalljen e Tij patjetër se do të përmbushen.
6. Paimitueshmëria: Shpallja e vërtetë e Zotit është e pagabueshme dhe assesi nuk mund të imitohet nga njerëzit. Shpallja e vërtetë e Zotit është “mrekulli e gjallë”; është Libër i hapur, i cili sfidon njerëzimin, në mënyrë që ata vetvetiu ta shohin përsosmërinë e tij dhe ta vërtetojnë atë.
Shfrytëzoje pra këtë rast, vëlla i dashur dhe ti motër e nderuar, lexoje Librin e Vërtetë të Zotit, Kur’anin Fisnik, sepse nuk do të humbasësh asgjë, përkundrazi kështu mund të fitosh çdo gjë!
Përktheu nga gjermanishtja: Jusuf H. Kastrati
www.shembulli.com
________________________________________________
[1] Një emër tjetër i Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të), që do të thotë “I lavdëruari”. (Kur’ani i Madhërishëm, përkthimi i Hasan Nahit, botimi i katërt, AIITC). Sh.p. [2] D.m.th. jobesimtarët armiq të Isait a.s. [3] Termi Kursi fjalë për fjalë përkthehet: stol, karrige, ndenjëse. Kursi-u është një krijesë madhështore e Allahut me formën e treguar nga kuptimi i saj gjuhësor dhe që ndodhet në këmbët e Fronit të Allahut. Ai shtrihet mbi qiejt dhe tokën dhe, sipas transmetimeve autentike nga Profeti Muhamed (a.s.), përmasat e tij janë aq të mëdha, saqë qiejt dhe toka në krahasim me atë ngjajnë si unaza në shkretëtirë. (Kur’ani i Madhërishëm, përkthimi i Hasan Nahit, botimi i katërt, AIITC). Sh.p.