SABIL AHMED
Fakte për Kuranin:
Shkronjat në total: 323 760
Fjalët në total: 86 430
Ajetet në total: 6 666
Kapituj:114
Shpallja e parë: 610 e.r.
Shpallja e fundit: 633 e.r.
“Ndoshta nuk ekziston ndonjë libër tjetër në botë që ka mbetur i pandryshuar për 12 (tani 14) shekuj”. William Muir
Në botë ekzistojnë shumë fe si Krishterimi, Islami, Budizmi, Sikizmi, Hinduizmi, Budizmi, Judaizmi, Bahaizmi, Babizmi, Zoroastrianizmi, Mormonizmi, Dëshmitarët e Jehovait, Jainizmi, Konfucianizmi, etj. Secila prej këtyre feve deklaron se shkrimet e tyre të shenjta janë ruajtur që nga dita e shpalljes deri në kohën tonë. Një besim fetar është po aq autentik sa autenticiteti i shkrimit të shenjtë që ndjek. Dhe që një shkrim i shenjtë të emërtohet i ruajtur autentikisht, duhet të plotësojë disa kritere konkrete dhe racionale.
Imagjinoni këtë skenar: Një profesor jep tre orë leksion. Imagjinoni sikur asnjë prej studentëve të mos e ketë mbajtur mend dhe të mos e ketë shkruar leksionin e profesorit. Tani, dyzet vjet pas leksionit, nëse të njëjtët studentë të vendosnin të përsërisnin leksionin fjalë për fjalë, a do të mund ta bënin këtë? Sigurisht që jo. Sepse, historikisht, dy mënyrat e vetme të ruajtjes, arrihen nëpërmjet shkrimit dhe mësimit përmendësh. Prandaj që të deklarosh se shkrimi i shenjtë është ruajtur i saktë, duhet të japësh fakte konkrete se shkrimi u shkrua i plotë dhe u mësua përmendësh i plotë, nga koha e shpalljes deri në kohën tonë, në një zinxhir të vazhdueshëm dhe të pandërprerë. Nëse mësimi përmendësh nuk ekziston paralelisht me pjesën e shkruar, e cila të shërbejë si ekuilibër dhe mënyrë kontrollimi për të, atëherë ekziston mundësia reale që shkrimi i shkruar ta humbasë saktësinë e tij nëpërmjet ndërshtënieve të paqëllimshme dhe të qëllimshme, për shkak të gabimeve në shkrim, korrupsionit të armiqve, prishjes së faqeve etj. dhe këto gabime përfshihen njëkohësisht në tekstet pasuese, duke bërë që shkrimi ta humbasë saktësinë me kalimin e kohës.
Tani, nga të gjitha fetë e përmendura më lart, a i zotëron ndonjëra prej tyre shkrimet e shenjta të plota, të shkruara po ashtu edhe të memorizuara, që nga dita e shpalljes deri në kohën tonë. Asnjëra prej tyre nuk i përmbush këto kritere përveç njërës: Shkrimi unik i shenjtë është Kurani – shpallja që iu dha profetit Muhamed a.s 1 418 vjet më parë, si udhëzim për njerëzimin.
Transmetimi i Kurani: gojor dhe i shkruar
Krijuesi – ALLAHU
Xhibrili
Muhamedi
Shokët e profetit
Ebu Bekri
Uthmani
Kopja e Tashkentit
Viti aktual 2008
Le të analizojmë deklarimin e ruajtjes së Kuranit:
1. Mësimi përmendësh.
Në kohët e lashta, kur shkrimi përdorej rrallë, ushtrohej kujtesa dhe transmetimi gojor që u forcua në atë shkallë që tani pothuajse nuk njihet, shprehet Michael Zwettler.1
Profeti Muhamed a.s ishte ai që e mësoi i pari Kuranin përmendësh.
Në këtë shoqëri gojore lindi profeti Muhamed në Mekë në vitin 570 e.r. Në moshën 40-vjeçare filloi të merrte shpalljen hyjnore nga Zoti, nëpërmjet engjëllit Xhibril. Ky proces i shpalljes hyjnore vazhdoi për rreth 22 vjet e gjysmë.
Profeti Muhamed e mësonte çdo shpallje dhe ua thoshte shokëve të tij. Engjëlli Xhibril ia përforconte Profetit memorien në lidhje me Kuranin çdo vit.
Profeti Muhamed a.s ishte njeriu më bujar, dhe ai bëhej më shumë bujar veçanërisht në muajin e Ramazanit, sepse Xhibrili e takonte atë çdo natë të muajit të Ramazanit. I dërguari i Allahut e lexonte Kuranin për të. Kur Xhibrili e takonte, ai ishte bërë më i shpejtë sesa era në bërjen e punëve të mira.2
Xhibrili e përsëriste leximin e Kuranit me profetin njëherë çdo vit, por ai e përsëriti me të dy herë, vitin që (profeti) ndërroi jetë”.3
Profeti qëndronte zgjuar pjesën më të madhe të natës duke u falur dhe thoshte Kuranin përmendësh.
Shokët e profetit: Brezi i parë i hafëzëve
Profeti Muhamed a.s i nxiti shokët e tij të mësojnë Kuranin:
“Më i miri prej jush (myslimanëve) është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson atë të tjerëve”.4
Disa prej shokëve të profetit që e mësuan Kuranin përmendësh ishin Ebu Bekri, Uthmani, Umeri, Aliu, Ibn Mesudi, Ebu Hurejra, Abdullah bin Abasi, Abdullah bin Amr bin al-As, Aishja, Hafsa dhe Umm Salama.5
Ebu Bekri, burri i parë mysliman që pranoi Islamin, e lexonte Kuranin publikisht para shtëpisë së tij në Mekë.6
Profeti e dëgjonte gjithashtu leximin e Kuranit dhe nga shokët e tij: “I dërguari i Allahut më tha mua (Abdullah bin Masud): “Lexoje Kuranin për mua”. Unë i thashë: “Të ta lexoj unë kur të është shpallur ty?!” Ai tha: “Dua ta dëgjoj nga të tjerët”. Kështu i lexova suren Nisa derisa arrita tek “Dhe si do të jetë gjendja e atyre (që nuk besuan), kur Ne do të sjellim dëshmitarë për çdo popull, e ty do të sjellim dëshmitarë mbi ata (që nuk të besuan)?” (4:41). Pastaj tha: “Ndalo!” Kur e pashë, nga sytë e tij po rridhnin lot”.7
Shumë memorizues të Kuranit (kurra) jetonin gjatë jetës së profetit. Në betejën e Jemames, shumë hafëzë të Kuranit ranë dëshmorë. Zaid bin Thabit al Ansari, i cili ishte një prej shkruesve të shpalljes hyjnore, transmeton: “Ebu Bekri më dërgoi të shoh viktimat e luftëtarëve të betejës së Jemames (ku u vranë shumë kurra) Umeri ishte me Ebu Bekrin, i cili tha: “Umeri erdhi tek unë dhe tha “Janë vrarë shumë njerëz ditën e betejës së Jemames, dhe kam frikë se do të ketë shumë viktima dhe mes atyre që e kishin mësuar Kuranin përmendësh…”8
Gjatë shekujve të epokës islame nëpër rajonet e botës islame u ngritën mijëra shkolla për të mësuar Kuranin, veçanërisht fëmijëve. Thuhet se kalifi Umer urdhëroi fillimisht ndërtimin e këtyre shkollave në kohën e zgjerimit të madh.9
Hafëzët e brezit të dytë
“…shkollat e Kuranit u hapën kudo. Si shembull për ta ilustruar këtë mund t\’i referohem një dijetari të madh mysliman, të brezit të dytë, Ibn Amirit, i cili ishte gjykatësi i Damaskut në kalifatin e Umer ibn Abd al-Azizit. Tregohet se në shkollën e tij, për të mësuar Kuranin kishte 400 pasues që të jepnin mësim në mungesë të tij”.10
Memorizuesit e brezave pasues
Numri i katatib-ëve dhe shkollat e ngjashme vetëm në Kajro e kalonin numrin 2 000.11
Aktualisht në shtetet myslimane dhe jomyslimane ka mijëra shkolla që u mësojnë studentëve artin e mësimit përmendësh të të gjithë Kuranit. Në qytetin e Çikagos ka rreth 40 xhami, ku në shumicën prej tyre u mësohet Kurani fëmijëve.
Pika të tjera për t\’u marrë parasysh:
– Myslimanët e thonë pjesë të Kuranit të mësuara përmendësh gjatë pesë namazeve të tyre ditore.
-Njëherë në vit, gjatë muajit të Ramazanit, myslimanët e dëgjojnë gjithë Kuranin nga një hafëz (person që e ka mësuar gjithë Kuranin përmendësh).
– Është bërë traditë mes myslimanëve që lexohet Kuran para çdo fjalimi apo prezantimi, martese, apo në ligjërata.
Përfundim
Kurani është libri i vetëm, fetar apo laik, në këtë planet që është mësuar përmendësh tërësisht nga miliona njerëz. Personat që e dinë Kuranin përmendësh janë nga mosha 6 e më lart, janë arabë dhe joarabë, të zinj, të bardhë, orientalë, të varfër dhe të pasur.
Si rrjedhim procesi i memorizimit ishte i vazhdueshëm nga koha e profetit Muhamed a.s, deri në kohën tonë, me një zinxhir të pandërprerë.
“Metoda e transmetimit të Kuranit nga një brez në tjetrin, duke ua mësuar përmendësh të rinjve Kuranin gojarisht kishte bërë që, që nga fillimi, të ulej rreziku i mbështetjes vetëm tek kopjet e shkruara” thotë Xhon Burton.12
Ky fenomen i leximit të Kuranit do të thotë se teksti i ka kapërcyer shekujt në një seri të gjallë të pandërprerë përkushtimi. Prandaj nuk mund të trajtohet si antikuar dhe as si dokument historik nga e kaluara e largët. Fakti i mësimit përmendësh të Kuranit e ka bërë Kuranin një zotërim të pranishëm, gjatë gjithë hapësirës kohore myslimane dhe i ka dhënë një qarkullim njerëzor në çdo brez, duke mos lejuar kalimin e tij në një autoritet të thjeshtë vetëm për t\’u marrë si referencë”, shprehet Kenneth Cragg.13
2. Teksti i shkruar i Kuranit
Jeta e profetit a.s
Profeti Muhamed ishte shumë vigjilent për ruajtjen e Kuranit në formë të shkruar që nga fillimi e deri në fund të shpalljes. Profeti vetë nuk dinte shkrim dhe këndim, prandaj kërkoi shumë shkrues që ta shkruanin shpalljen për të. Pra, Kurani i plotë ekzistonte në formë të shkruar që në kohën e profetit.
Kur atij i vinte një shpallje e re, profeti thërriste menjëherë një prej shkruesve që ta shkruante atë.
Disa njerëz shkuan tek Zaid Ibn Thabit (një prej shkruesve të profetit) dhe i kërkuan t\’u tregonte disa ngjarje për të dërguarin e Allahut. Ai u tha: “Unë isha fqinji i profetit a.s dhe sa herë i vinte shpallja më thërriste dhe unë shkoja e shkruaja për të…”15
Transmetohet se Zaidi ka thënë: “Ne e përpilonim Kuranin nga copat e vogla në praninë e të dërguarit”.17
Abdullah Ibn Umer tregon: “I dërguari i Allahut ka thënë “Mos e merrni me vete Kuranin gjatë udhëtimeve, sepse kam frikë mos bie në duart e armikut”.18
Gjatë pelegrinazhit të fundit të profetit, ai mbajti një ligjëratë në të cilën tha: “Ju kam lënë diçka, të cilës nëse i përmbaheni nuk do të gaboni asnjëherë – një tregues të thjeshtë, librin e Zotit (Kuranin) dhe praktikën e profetit të Tij…”19
Përveç dorëshkrimeve zyrtare të Kuranit që i mbante profeti, shumë prej shokëve të tij kishin kopjet e tyre të shkruara të shpalljes20. Disa prej tyre janë: Ibn Mesudi, Ubej bin Kab, Aliu, Ibn Abasi, Abu Musa, Hafsa, Enes bin Maliku, Umeri, Zaid bin Thabit, Ibn Al-Zubair, Abdulla, ibn Amr, Aishja, Salim, Ummu Seleme, Ubaid bin Umar.21 Më të njohurit prej tyre janë Ibn Mesudi, Ubej bin Kab dhe Zaid bin Thabit.22
Aishja dhe Hafsa, gratë e profetit kishin dorëshkrimet e tyre të shkruara pas vdekjes së profetit.23
Përfundim
Kurani i plotë u shkruajt në prani të profetit, nga disa prej shkruesve të tij, dhe shokët e tij kishin kopjet e tyre të Kuranit kur profeti jetonte ende. Megjithatë materiali i shkruar i Kuranit që zotëronte profeti nuk ishte i lidhur ndërmjet dy kapakëve në formën e një libri, sepse periudha e shpalljes së Kuranit vazhdoi deri disa ditë para vdekjes së profetit. Detyra për ta mbledhur Kuranin si një libër, u ndërmor nga Ebu Bekri, pasuesi i parë i profetit.
Gjatë betejës së Jemames (633 e.r.), gjashtë muaj pas vdekjes së profetit, u vranë shumë myslimanë, të cilët kishin mësuar Kuranin përmendësh. Prandaj ekzistonte frika se, nëse nuk shkruhej një kopje zyrtare e Kuranit, mund të humbiste një pjesë e madhe e shpalljes.
Zeid bin Thabit el Ensari, i cili ishte një prej shkruesve të shpalljes hyjnore, transmeton: \’Ebu Bekri më dërgoi të shoh viktimat e luftëtarëve të betejës së Jemames (ku u vranë shumë kurra) Umeri ishte me Ebu Bekrin, i cili tha: “Umeri erdhi tek unë dhe tha se janë vrarë shumë njerëz ditën e betejës së Jemames, dhe kam frikë se janë vrarë shumë prej atyre që e dinin Kuranin përmendësh dhe si rrjedhim mund të na humbasë një pjesë e madhe e Kuranit nëse ti nuk e mbledh (në një dorëshkrim apo libër)…” Prandaj Ebu Bekri më tha: “Ti je i zgjuar dhe nuk dyshojmë tek ti (se mund të gënjesh apo të harrosh), sepse ti shkruaje shpalljen për të dërguarin e Allahut. Prandaj kërko Kuranin dhe mblidhe “në një dorëshkrim)”. Kështu që fillova të mbledh materialet kuranore nga pergamenat, shpatullat, bishtat e pemëve të hurmave dhe nga memoria e njerëzve (të cilët e dinin përmendësh)…”24
Pastaj u krijua një komitet për t\’i mbledhur materialet e shkruara kuranore në formën e një libri. Komiteti drejtohej nga Zaid bin Thabit, i cili e dinte gjithashtu Kuranin përmendësh.
“…Zaid bin Thabit e kishte mësuar gjithë Kurani përmendësh…”25
Përpiluesit e këtij komiteti caktuan disa kritere të rrepta që t\’i ruanin nga gabimet.
1. Materiali duhej të ishte shkruar fillimisht në praninë e profetit; asgjë e shkruar më vonë, duke u bazuar vetëm tek kujtesa, nuk do të pranohej.26
2. Materiali duhej të konfirmohej nga dy dëshmitarë, pra nga dy persona të besueshëm të cilët të dëshmonin se e kishin dëgjuar profetin ta thoshte atë pjesë.27
Dorëshkrimin e mbledhur e mbajti Ebu Bekri derisa ndërroi jetë, pastaj Umeri, pasuesi i dytë, derisa dhe ai ndërroi jetë, pastaj, Hafsa, vajza e Umerit (dhe gruaja e profetit)\’.28
Kjo kopje e Kuranit e përgatitur nga komiteti i shokëve kompetentë të profetit ishte e aprovuar njëzëri nga gjithë bota myslimane. Nëse komiteti do të kishte gabuar qoftë dhe një shkronjë të vetme, kurra (memorizuesit e Kuranit) që ishte me qindra mijëra, do ta kishin kuptuar menjëherë dhe do ta kishin rregulluar. Këtu duket kontrolli i rregullt dhe sistemi i ekuilibruar i ruajtjes së Kuranit, por që u mungon shkrimeve të tjera të shenjta, përveç Kuranit.
Kopja zyrtare e Uthmanit
Kurani u shpall fillimisht në dialektin kurejshit të gjuhës arabe. Por për t\’ua lehtësuar të kuptuarit e tij njerëzve që flisnin dialekte të tjera, , Allahu e shpalli Kuranin në shtatë dialekte të arabishtes. Gjatë periudhës së kalifit Uthman (pasuesi i dytë i profetit), ndryshimet në leximin e Kuranit mes fiseve të ndryshme u bënë të dukshme, për shkak të leximeve të ndryshme sipas dialekteve. Filluan të shfaqeshin grindje mes tyre, ku çdo fis e quante leximin e vet të saktë. Kjo alarmoi Uthmanin, i cili bëri një kopje zyrtare në dialektin kurejshit, dialekti në të cilin Kurani iu shpall profetit dhe u mësua përmendësh nga shokët e tij. Ky përpilim i bërë nga Komiteti i Uthmanit nuk është një version tjetër i Kuranit (si versionet biblike), por e njëjta shpallje që iu dha profetit nga Zoti.
Enes bin Maliku tregon se Hudhejfe bin El-Jemen shkoi tek Uthmani në kohën kur populli i Shamit (Sirisë) dhe populli i Irakut po zhvillonin një luftë për të pushtuar Armeninë dhe Azerbajxhanin. Hudhejfe u frikësohej ndryshimeve në leximin e Kuranit, prandaj i tha Uthmanit: “O i pari i besimtarëve! Shpëtoje këtë komb para se ata të grinden për Librin (Kuranin), ashti si hebrenjtë me të krishterët. Kështu Uthmani i dërgoi një mesazh Hafsas, ku shkruante: “Na i dërgo dorëshkrimet e Kuranit që t\’i përpilojmë materialet kuranore në kopje të përsosura dhe pastaj do të t\’i kthejmë”. Hafsa ia dërgoi dorëshkrimet. Umthani urdhëroi Zaib bin Thabit, Abdullah bin ez-Zubeir, Seid bin El-As dhe Abdur Rahman bin Harith bin Hisham të rishkruanin dorëshkrimet në kopje të përsosura. Uthmani u tha tre burrave kurejshitë: “Nëse nuk pajtoheni me Zeid bin Thabit për ndonjë pikë të Kuranit, atëherë shkruajeni në gjuhën kurejshite”. Ata vepruan kështu dhe pasi kishin shkruar shumë kopje, Uthmani dërgoi në çdo provincë myslimane nga një kopje dhe urdhëroi që të gjitha materialet e tjera të shkruara, të plota apo të pjesshme, të digjeshin…29
Sërish, u vendosën kritere shumë të rrepta nga komiteti për të parandaluar ndonjë ndryshim të shpalljes.
1. Kopja origjinale e përgatitur nga Ebu Bekri do të shërbente si baza kryesore.30
2. Ndonjë dyshim që mund të krijohej, si për shembull për shprehjen e një pjese të caktuar në tekstin e shkruar, do të largohej duke mbledhur personat që e kishin mësuar pjesën në fjalë nga profeti.31
3. Vetë Uthmani duhej ta mbikëqyrte punën e këshillit.32
Kur u përfundua recensioni i plotë, Uthmani dërgoi një kopje të tij në Mekë, Damask, Kufa, Basra dhe Medina.
Veprimi i Uthmanit për të djegur kopjet e tjera, përveç recensionit të fundit, megjithëse në dukje drastik, bëhej për përmirësimin e harmonisë të gjithë komunitetit dhe u miratua njëzëri nga shokët e profetit.
Tregohet se Zeid bin Thabit ka thënë: “Shokët e profetit Muhamed thoshin “Për Zotin, Uthmani ka vepruar mirë, Uthmani ka vepruar mirë”.33
Një shok tjetër i vlerësuar Musab ibn Said ibn Abi Vekas ka thënë: “Pashë njerëzit që zbatonin urdhrin e Uthmanit, duke djegur kopjet e mëparshme, dhe ata të gjithë ishin të kënaqur me këtë veprim; asnjeri nuk foli kundër tij”.34
Ali ibn Abu Talib, kushëriri i profetit dhe pasuesi i katërt i profetit komentoi: “Nëse do të kisha qenë në vendin e Uthmanit, do kisha bërë të njëjtën gjë”.35
Nga të gjitha kopjet e bëra nga Uthmani sot ekzistojnë vetë dy. Njëra është në Tashkent (Uzbekistan) dhe tjetra në Stamboll (Turqi). Më poshtë vijon një histori e shkurtër e këtyre dy kopjeve:
1. Kopja që Uthmani e dërgoi në Medine u mor nga autoritetet turke në Stamboll, dhe gjatë Luftës së I Botërore u dërgua në Berlin. Traktati i Versajës, që i dha fund Luftës së Parë Botërore, përmban pikën e mëposhtme:
Neni 256
Brenda gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e traktatit aktual, Gjermania do t\’ia kthejë madhërisë së tij, Mbretit të Hedjazit, Kuranin origjinal të kalifit Uthman, i cili u mor nga Medina nga autoritetet turke dhe thuhet se i është dorëzuar ish perandorit William II”.36
Pastaj ky dorëshkrim arriti në Stamboll, por jo në Medine.37
2. Kopja e dytë mbahet në Tashkent të Uzbekistanit. “Mund të jetë dorëshkrimi kryesor ose një prej kopjeve të bëra në kohën e Uthmanit”.38
Ajo u dërgua në Samarkandë në vitin 890 të hixhretit (1485) dhe u la atje deri në vitin 1868. Pastaj u dërgua në Shen Pitersburg nga rusët, në vitin 1869. Qëndroi atje deri në vitin 1917. Një orientalist rus bëri një përshkrim të detajuar të tij, duke thënë se shumë faqe ishin dëmtuar dhe disa mungonin. Nga kjo kopje u bënë 50 të tjera nga S.Pisareff në vitin 1905. Një kopje iu dërgua sulltanit otoman Abdul Hamid, Shahut të Iranit, Amirit të Bukharasë, në Afganistan, në Fas dhe disa personaliteteve myslimane. Një kopje është tani në bibliotekën e Universitetit të Columbia-së (SHBA).39
Më vonë dorëshkrimi u kthye në vendin e tij dhe arriti në Tashkent në vitin 1924, ku ka qëndruar që atëherë.40
Përfundim
Dy prej kopjeve të Kuranit që fillimisht u përgatitën në kohën e kalifit Uthman, ekzistojnë edhe sot dhe teksti dhe sistemimi i tij mund të krahasohen sot nga kushdo me çdo kopje tjetër të Kuranit, qoftë i printuar, qoftë i shkruar me dorë, nga çdo vend apo periudhë kohore. Ato do të jenë identike.41
Tani mund të themi nga faktet e dhëna më sipër me bindje dhe siguri të plotë se profeti e kishte mësuar përmendësh gjithë Kuranin, urdhëroi ta shkruanin para tij, shumë prej shokëve të tij e mësuan përmendësh gjithë shpalljen dhe zotëronin të gjitha kopjet e tyre personale. Ky proces i ruajtjes së dyfishtë më shkrim dhe në kujtesë u vazhdua në çdo brez pasues deri në kohën tonë, pa ndryshime, ndërshtënie apo heqje pjesësh nga ky libër hyjnor.
Williams Muir deklaron: “Pra ekziston siguria e brendshme dhe e jashtme, se ne zotërojmë tekstin që vetë Muhamedi e ka dhënë dhe e ka përdorur”.42
Ai vazhdon: “Ndoshta nuk ekziston ndonjë libër tjetër në botë që ka mbetur i pandryshuar për 12 (tani 14) shekuj”.43
Kjo mbrojtje hyjnore që i është dhënë Kuranit, udhëzimit të fundit të shpallur për njerëzimin deklarohet nga Zoti në Kuran:
“Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij”. (Kuran 15:9)
Krahasojeni këtë ruajtje hyjnore dhe historike të Kuranit me çdo lloj literature, qoftë ajo fetare apo laike dhe bëhet e qartë se asnjëra nuk e ka të njëjtën mbrojtje të mrekullueshme. Dhe siç u tha më lart, një besim është po aq autentik sa autenticiteti i shkrimit të tij të shenjtë. Dhe nëse shkrimi i shenjtë nuk ruhet, si mund të jemi të sigurt se besimi që ngrihet nga ky shkrim është hyjnor apo i bërë nga njeriu, dhe nëse nuk jemi të sigurt për vetë besimin, atëherë shpëtimi ynë në botën tjetër vihet në rrezik.
Prandaj këto fakte për mbrojtjen e Kuranit nga shkatërrimi janë një e dhënë e fortë për origjinën e tij hyjnore. U kërkojmë të gjithë personave të sinqertë ta lexojnë, ta kuptojnë dhe ta jetojnë Kuranin “udhëzimin për njerëzimin”.
…………………………………………………………………………..
Shënime:
1. Michael Zwettler, The Oral Tradition of Classical Arabic Poetry, f.14. Ohio State
Press: 1978.
2. Transmetuar nga Ibn Abasi, i mbledhur në “Sahih Al-Bukhari”, 6.519.
3. Transmetuar nga Ebu Hurejra, i mbledhur në “Sahih Al-Bukhari”, 6.520.
4. Transmetuar nga Uthman bin Affan, në “Sahih Bukhari”, 6.546.
5. Jalal al-Din Suyuti, \’Al-Itqan fi-ulum al-Quran, Vol. I, f. 124.
6. Ibn Hisham, Sira al-nabi, Kajro, Vol. I, f. 206.
7. Al-Bukhari, 6.106.
8. Al-Bukhari, 6.201.
9. Labib as-Said, The Recited Koran, përkthyer nga Bernard Weiss, M.A.Rauf, dhe Morroe Berger, The Darwon Press, Princton, New Jersey, 1975, f. 58.
10. Ibn al Jazari, Kitab al-Nash fi al-Qir\’at al-Ashr, Cajro, al-Halabi, vol. 2, f. 254;
gjithashtu Ahmad Makki al-Ansari, al-Difa\’ \’An al-Qur\’an. Cajro, Dar al-Ma\’arif, 1973 e.r., pjesa e I, f. 120.
11. Labib as-Said, The Recited Koran, tr. Bernard Weiss, M.A.Rauf, dhe Morroe Berger, The Darwon Press, Princeton, New Jersey, 1975, f. 59.
12. John Burton, An Introduction to the Hadith, Edinburgh University Press: 1994, f. 27.
13. Kenneth Cragg, The Mind of the Qur\’an, George Allah & Unwin: 1973, f.26.
14. Tirmidhi, Mishkat al-Masabih, No. 5823.
15. Al-Bukhari, 6.512.
16. Suyuti, Itqan, I, f. 99.
17. M. M. Azami, Kuttab al-Nabi, Beirut, 1974.
18. Muslimi, III, No. 4606; gjithashtu 4607, 4608; Buhariu, 4.233.
19. Ibn Hisham, Sira al-nabi, f. 651.
20. Suyuti, Itqan, I, f. 62.
21. Ibn Abi Dawud, Masahif, f. 14.
22. Bayard Dodge, The fihrist of al-Nadim: A Tenth Century Survey of Muslim Culture, Nju Jork, 1970, f. 53-63.
23. Imam Malik, Muwatta, tr. M. Rahimuddin, Lahore, 1980, no.307, 308.
24. Buhariu, 6.201.
25. Labib as-Said, The Recited Koran, përkthyer nga Bernard Weiss, etj, 1975, f. 21.
26. Ibn Hajar, Fath, Vol. IX, f. 10.
27. E ngjashme, f. 11.
28. Buhariu, 6.201.
29. Buhariu, 6.510.
30. Ibn Hajar, Bath, IX, f. 15.
31. Suyuti, Itqan, Vol.I, f. 59.
32. E njëjta, f. 59.
33. Naysaburi, al-Nizam al-Din al-Hasan ibn Muhammad, Ghara\’ib al-Quran wa-ragha\’ib al-furqan, 4 volume, Kajro, 1962.
34. Ibn Abi Dawud, f. 12.
35. Zarkashi, al-Badr al-Din, Al-Burhan fi-ulum al-Quran, Cairo, 1957, vol. I, f. 240.
36. Fred L. Israel, Major Peace Treaties of Modern History, Nju Jork, Chelsea House
Pub., Vol. II, f. 1418.
37. Makhdum, vepër e cituar, 1938, f. 19.
38. Ahmad Von Denffer, Ulum Al-Qur\’an, botim i rishikuar, Islamic Foundation, 1994, f. 3.
39. The Muslim World, vol. 30 (1940), f. 357-8.
40. Ahmad von Denffer, Ulum Al-Quran, revised ed., Islamic Foundation, 1994, f. 63.
41. ibid., p. 64.
42. Sir Williams Muir, Life of Mohamet, vol.1, hyrje.
43. E njëjtë.
http://www.vizion-islam.com