Temat e Kuranit

Temat e Kuranit

Temat të cilat shtjellohen në Kuranin Fisnik janë të shumta, ndaj dhe nuk mund të numërohen veç e veç, por në vijim, do të përpiqemi që nëpërmjet një vështrimi sipërfaqësor t’i potencojmë këto tema:

1. Allahu, Qenia e Tij, Cilësitë dhe Njëshmëria, ajo nga e cila duhet të besojmë se Allahu është i Pastër, si dhe ajo që duhet t’ia përshkruajmë Zotit (cilësitë pohuese dhe mohuese).

2. Kthimi, ringjallja dhe tubimi i të vdekurve; koha ndërmjet vdekjes dhe ringjalljes (Berzahu).

3. Engjëjt, ndërmjetësuesit e mëshirës dhe qeniet e informuara mbi vetveten, Krijuesin e tyre dhe zbatuesit e urdhrave të Zotit.

4. Pejgamberët ose njerëzit të cilët në brendinë e tyre e kanë pranuar Shpalljen e Zotit (Vahjin) dhe ua kanë përcjellë (kumtuar) njerëzve të tjerë.

5. Nxitja në besimin tek Zoti, ringjallja, engjëjt, pejgamberët dhe librat qiellorë.

6. Krijimin e qiejve, Tokës, maleve, deteve, bimëve, kafshëve, reve, erërave, shiut, breshrit, yjeve, etj.

7. Thirrja në adhurimin e Një Zoti të Vetëm dhe zbulimi i sinqeritetit të robërimit (adhurimit), gjegjësisht asnjëherë dhe askënd të mos e marr për shoqërues (ndërmjetësues) në adhurimin ndaj Allahut, dhe ashpër të parandaloj adhurimin e çdokujt tjetër përveç Zotit, qoftë ky njeriu, engjëlli, Dielli, yjet apo idhulli.

8. Përkujtimi i mirësive (begative) të Zotit në këtë dynja.

9. Mirësitë (begatitë) e amshueshme të botës tjetër (ahiretit) për ata që kanë kryer vepra të mira, dënimi i rëndë në botën tjetër, ndonjëherë madje i përhershëm – për ata që kanë bërë vepra të këqija.

10. Sjellja e argumenteve në lidhje me Zotin, ringjalljen, pejgamberët etj., si dhe sjelljen e lajmeve të veçanta nga bota e gajbit nëpërmjet këtyre argumenteve.

11. Historia dhe rrëfimet si laborator të njeriut që ndriçojnë vërtetësinë e thirrjes së pejgamberëve; pasojat e mira të njerëzve të cilët ecën rrugës së trasuar nga ligjet e pejgamberëve, si dhe pasojat e këqija të atyre njerëzve që i mohuan këto ligje të pejgamberëve.

12. Vetëdija mbi Zotin, dëlirësinë dhe pastrimin e shpirtit.

13. Tërheqja e vëmendjes, gjegjësisht paralajmërimi ndaj shpirtit i cili shpie kah e keqja dhe rreziku nga kurthet dhe mashtrimet e shpirtit dhe të shejtanit.

14. Cilësitë e mira të individit, siç janë: trimëria, guximi, qëndrueshmëria, durimi, drejtësia, bamirësia, dashuria, përkujtimi i Allahut, dashuria ndaj Allahut, falënderimi ndaj Allahut, frika nga Zoti, mbështetja te Zoti, të qenit i kënaqur me atë që Zoti është i kënaqur, dhënia prioritet urdhrave të Zotit, të menduarit dhe përsiatja (meditimi), dija dhe informimi, pastrimi i zemrës nëpërmjet devotshmërisë, gjegjësisht vetëdijes mbi Zotin, sinqeriteti dhe amaneti.

15. Morali shoqëror i cili pasqyrohet nëpërmjet unitetit, rekomandimit reciprok të së vërtetës, rekomandimi i ndërsjellë i durimit (sabrit), ndihma në të mirë dhe devotshmëri, braktisja e armiqësive, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, përpjekja në rrugën e Zotit nëpërmjet pasurisë dhe jetës.

16. Rregullat, siç janë: namazi, agjërimi, zeqati, humsi, haxhillëku, xhihadi, zotimi, betimi, shitblerja, dhënia e premtimit, qiraja, dhurata, çështjet martesore, të drejtat e bashkëshortëve, të drejtat e prindërve dhe fëmijëve, divorci, mallkimi, dhihari (shënim i përkthyesit: pohimi për bashkëshorten se e ka të ndaluar seksualisht, meqë ajo i ngjan nënës së tij. Arabët në kohën e injorancës kur i thoshin gruas së vet “Ti je si shpina e nënës sime”, automatikisht konsideronin se marrëdhëniet seksuale me të janë të ndaluara dhe më nuk kishin asnjë kontakt me bashkëshorten e tyre. Kur u shfaq Islami, e shfuqizoi këtë traditë të periudhës së injorancës.), testamenti, trashëgimia, shpagimi, dënimi sheriatik, borxhi, gjyqësia, dëshmia, betimi, pasuria, pronësia, pushteti, konsultimi, të drejtat e të varfrit, të drejtat e shoqërisë, etj…

17. Ndodhitë dhe ngjarjet gjatë periudhës 23 vjeçare të profetësisë së Pejgamberit (s.a.v.s.)

18. Veçoritë dhe gjendja e të Dërguarit të Allahut, cilësitë e tij të lavdëruara.

19. Përshkrimin e përgjithshëm të tri grupeve të njerëzve në çdo kohë: besimtarëve, jobesimtarëve dhe hipokritëve (mynafikëve).

20. Përshkrimi i besimtarëve, jobesimtarëve dhe hipokritëve të kohës së Pejgamberit (s.a.v.s.)

21. Njohuri mbi krijesat tjera të padukshme, përveç engjëjve, xhindeve dhe shejtanit.

22. Lavdërimi dhe adhurimi i qenieve në botë, gjegjësisht llojet e brendshme të informimit të të gjitha qenieve për Krijuesin e tyre.

23. Përshkrimi i vetë Kuranit Fisnik (nëpërmjet pesëdhjetë përshkrimeve).

24. Botën dhe ligjet në botë, paqëndrueshmërinë e kësaj bote, gjegjësisht pamjaftueshmërinë dhe të qenit e saj joadekuate për të qenë synimi dhe ideali përfundimtar i njeriut. Vetëm Zoti, bota tjetër (ahireti) dhe jeta e amshueshme – janë të denja për të qenë synimi përfundimtar i njeriut.

25. Mu’xhizet dhe gjërat mbinatyrore të Pejgamberit (s.a.v.s.)

26. Pohimin e librave qiellorë të mëparshëm, veçanërisht Tevratit dhe Inxhilit; korrigjimin e gabimeve dhe shtrembërimeve të këtyre dy librave të bërë nga dora e njeriut.

Gjerësia e kuptimeve

Ajo që theksuam më sipër paraqet vetëm një përshkrim të shkurtër të asaj që ndodhet në Kuranin Fisnik. Pa dyshim që nuk mund të thuhet se kjo mjafton për një përshkrim të shkurtër/përmbledhës, përkundrazi…

Nëse marrim parasysh vetëm temat e ndryshme mbi njeriun, Zotin dhe detyrimet e njeriut, dhe këtë e krahasojmë me çfarëdo libër tjetër njerëzor i cili flet mbi njeriun, do të shohim se asnjë libër nuk mund të matet me Kuranin, sidomos kur kemi parasysh faktin se Kurani zbriti nëpërmjet njeriut i cili ishte analfabet (ummij), gjegjësisht nuk kishte vajtur fare në shkollë dhe as që kishte njohuri mbi idetë dhe mendimet e ndonjë dijetari, si dhe faktin që mjedisi ku u paraqit një njeri i këtillë ishte njëri nga mjediset më primitive dhe më injorante, ndërsa qytetërimi dhe kultura për njerëzit që jetonin aty ishin tërësisht nocione të huaja e të panjohura, abstrakte…

Kurani Fisnik ngërtheu një gamë të gjerë të përmbajtjeve dhe i shfaqi ato në një mënyrë të atillë – që më pas u bënë burim inspirimi për filozofët dhe dijetarët e ligjit islam (juristët), moralit, historisë…

E pamundur dhe e paimagjinueshme është që një individ, sado që të jetë inteligjent, në mënyrë të pavarur dhe nga vetja e vet t’i ofrojë tërë këto kuptime në atë nivel, që të tërheq vëmendjen e shkencëtarëve dhe mendimtarëve më të mëdhenj botërorë. Një cilësim i këtillë do të qëndronte, sikur të supozonim se atë që e ofron Kurani Fisnik do të ishte në të njëjtin nivel me atë që e kanë ofruar dijetarët (shkencëtarët) e mëdhenj, por thelbësore, e rëndësishme është ajo që Kurani për shumicën e këtyre çështjeve hapi horizonte të reja, shkoi edhe një hap më tej…

Allahu në Kuran

Në vijim do të shtjellojmë vetëm njërën nga temat e sipërpërmendura, e kjo temë është Allahu dhe lidhja e Tij me botën dhe njeriun. Nëse marrim parasysh vetëm cilësinë (kualitetin) e njërës pyetje dhe e krahasojmë me mendimet e njerëzve, do të na ndriçohet qartë mrekullia e Kuranit.

Kurani e përshkruan Zotin, dhe në përshkrimin që i bën, nga njëra anë e mban të Pastër dhe të Madhërishëm, gjegjësisht hedh poshtë kategorikisht çdo cilësi që nuk është e denjë për Të. E konsideron të Pastër nga këto cilësi dhe në mënyrë absolute e pohon përsosmërinë e Qenies së Zotit dhe shfaq Emrat e Tij të Bukur (Esmaul-Husna). Përafërsisht rreth 15 ajete flasin mbi cilësitë të cilat assesi nuk mund t’i përshkruhen Zotit, ndërsa më shumë se 50 ajete e përshkruajnë Zotin e Madhëruar me cilësitë e denja vetëm për Të dhe Emrat e Tij të Bukur.

Kurani në përshkrimin e tij është aq preciz, sa që mahniti edhe teologët më të dijshëm dhe më inteligjent të mundshëm. Kjo në të vërtetë është mu’xhizja më e qartë e një individi analfabet (ummij), siç ishte Pejgamberi Muhammed (s.a.v.s.)

Kurani në paraqitjen e mënyrave të njohjes së Zotit përdori të gjitha rrugët e mundshme ekzistuese: Rrugën e studimit të shenjave në horizont dhe në veten tonë; rrugën e pastrimit të shpirtit; rrugën e përsiatjes (meditimit) mbi ekzistencën në përgjithësi. Filozofët më të spikatur myslimanë inspirimin e tyre për argumentet e veta më të forta, sipas asaj që vetë ata e kanë pranuar dhe deklaruar, e kanë nxjerrë pikërisht nga Kurani Fisnik.

Kurani Fisnik lidhjen e Zotit me botën dhe krijesat e themeloi (vendosi) mbi Teuhidin e pastër, gjegjësisht mbi faktin e pakontestueshëm se Zoti në veprimtarinë e Vet nuk ka asnjë rival apo kundërshtar. Të gjitha veprimet, dëshirat, të gjitha ngjarjet, ndodhin me vullnetin dhe caktimin e Zotit.

Lidhja e njeriut me Zotin

Kurani sjell shprehjet më të bukura të cilat flasin mbi lidhshmërinë e njeriut me Zotin. Zoti, të cilin e paraqet Kurani, për dallim nga Zoti të cilin e paraqet filozofia, nuk është neutral, pa shpirt dhe Qenie e huaj për njeriun.

Zoti, siç e paraqet Kurani, është më afër njeriut se sa damari i qafës së vet: “…Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet.” (Kaf, 16); Ai me njeriun ka raporte dhe kënaqësi reciproke. E tërheq nga Vetja dhe njëherësh është edhe Qetësues i zemrës së njeriut: “…Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut.” (Er’Ra’d, 28)

Njeriu me Allahun ka raporte shumë të afërta dhe të ngushta. Aq më tepër që, gjithçka Atë e dëshiron dhe përkujton: “…Dhe nuk ka asgjë që nuk e madhëron Atë, duke e lavdëruar, por ju (o njerëz) nuk e kuptoni madhërimin që i bëjnë ata.” (El-Israë, 48)

Zoti, të cilin e paraqet filozofia, e të Cilin e njohin si Lëvizësin e parë dhe Qenie domosdoshmërisht ekzistuese, është Qenie e huaj për njeriun. Ai vetëm e ka krijuar njeriun dhe e ka sjellë në këtë botë…

Por, Zoti të Cilin e paraqet Kurani – është Burim i lidhjes së njeriut, gjegjësisht Ai që njeriun e bën të etshëm dhe të gatshëm për sakrifikim. Disave ua merr gjumin e natës dhe prehjen gjatë ditës, meqë këtë e shndërron në një ide të shenjtë.

Filozofët myslimanë, falë dijeve të pashtershme të Kuranit dhe përdorimit të koncepteve kuranore, e sollën teologjinë në pikun e kulmit të saj.

A thua vallë ekziston mundësia që një individ i pa shkolluar, i cili kurrë nuk kishte parë mësues me sy dhe as edhe një ditë të vetme nuk kishte shkuar në shkollë, vetvetiu të përparojë në teologji dhe një mijë vjet të jetë para mendimeve të filozofëve, siç janë Platoni dhe Aristoteli?!

Kurani, Tevrati dhe Inxhili

Kurani e konfirmon Tevratin dhe Inxhilin, por duke bërë me dije se në këto libra ka ardhur deri tek shtrembërimet dhe dora e njeriut ka shkaktuar shumë devijime e shtrembërime. Kurani i përmirësoi (korrigjoi) shtrembërimet në këto dy libra në lidhje me teologjinë, rrëfimet mbi pejgamberët dhe disa parime. Sa për ilustrim po japim shembullin e mëkatit të Ademit, gjegjësisht ngrënien e tij nga pema e ndaluar, rrëfim ky që, dy librat e sjellin të shtrembëruar nga realiteti i vërtetë, përkatësisht ndryshe nga e vërteta dhe ajo që na mëson Kurani.

Kurani Zotin e konsideron të Pastër, pa kurrfarë të meta, në kuptimin që Atij nuk i përshkruhen gjëra të çuditshme, si p.sh. luftën me mundje (dyluftimin), e as që pejgamberëve u përshkruan gjëra të pahijshme – të cilat theksohen në librat e mëhershëm, dhe ky është edhe një argument plus në favor të vërtetësisë (autenticitetit) të Kuranit Fisnik.

Historitë dhe rrëfimet

Kurani flet mbi ngjarjet historike, në kohën kur, populli të cilit i shpallej Kurani, nuk posedonte kurrfarë dije për këto rrëfime, aq më tepër që edhe vetë Pejgamberi (s.a.v.s.) nuk ishte i informuar:

“Këto janë (disa) nga lajmet e fshehta që Ne t’i shpallim ty. Këto nuk i ke ditur as ti, as populli yt para kësaj (shpalljes së Kuranit)…” (Hud, 48)

Nga të gjithë arabët, asnjë person i vetëm madje nuk pretendoi se kishte njohuri në lidhje me këto rrëfime. Kurani në këto rrëfime nuk e ndjek as Tevratin e as Inxhilin, përkundrazi: ai i përmirëson ato. Kurani Fisnik i vërteton hulumtimet e historianëve bashkëkohor në lidhje me popujt e Seb’es, Themudit dhe të tjerët.

Kurani dhe lajmet për të ardhmen

Kur Persia në vitin 615 të erës sonë e mposhti Perandorinë Romake dhe me këtë shkaktoi gëzim të Kurejshëve, Kurani në mënyrë decide paralajmëroi se në më pak se 10 vitet e ardhshme romakët kanë për t’i mposhtur persianët. Për shkak të kësaj ngjarjeje erdhi deri te vënia bast e disa myslimanëve dhe jomyslimanëve, por, në periudhën kohore që e përcaktoi Kurani, ndodhi ajo që vetë Kurani e kishte paralajmëruar: persianët u mposhtën nga romakët.

Kurani gjithashtu në mënyrë kategorike dhe të prerë paralajmëroi se personi i cili e thirri Pejgamberin (s.a.v.s.) ebter – në të vërtetë vetë ai është ebter. (“…Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë.” (El-Keuther, 3); “Fatprerë”: në tekstin origjinal thuhet ebter, që do të thotë “pa bisht.” Kjo shprehje ishte epitet ironik që arabët ia vinin dikujt që nuk kishte djem. Sipas disa transmetimeve, i biri i Pejgamberit Muhammed (s.a.v.s.), Kasimi, vdiq në një moshë fare të njomë, dhe, për këtë, një nga armiqtë e Pejgamberit (s.a.v.s.) e quajti atë fatprerë, duke aluduar se edhe feja që ai predikonte, do të ishte e tillë, por në të vërtetë pikërisht personi që e thirri Pejgamberin ebter, edhe pse asokohe kishte plot pasardhës, u shndërrua vetë në ebter, ngase të gjithë pasardhësit e tij gradualisht, përgjatë dy-tri brezave u zhdukën tërësisht.

Gjithë kjo tregon mrekullinë e librit hyjnor Kuranit Fisnik. Kurani posedon gjithashtu edhe mrekulli tjera të rëndësishme dhe të pashtershme nga fushat e shkencave të ndryshme, siç janë filozofia, historia, ekonomia, estetika, arti, psikologjia, pedagogjia, letërsia, shkencat natyrore, etj.

______________________

Nga boshnjakishtja:
Ahmed R. Ramadani