Dëshmitarët e Jehovait

Dëshmitarët e Jehovait

Dëshmitarët e Jehovait janë një degë e komunitetit protestant, të cilët u paraqitën në SHBA në vitin 1876, duke u ndarë nga adventizmi amerikan. Më parë kanë vepruar nën emrin “kulla e rojës cioniste” e më pas “shoqata e traktatit të rojës së kullës sioniste”. Si themelues i fraksionit konsiderohet Çarls Tejs Rusell (Charles Taze Rusell 1852-1916), i cili ka kaluar nëpër shumë fraksione fetare si presbiterianët, kongregacionistët, adventistët që në fund ta formojë këtë fraksion. Dëshmitarët e Jehovait janë të lidhur ngushtë me emrin Jehova në Bibël, në bazë të fjalëve të Isaies 43:10, ku thuhet: “Dëshmitarët e mi jeni ju, thotë Zoti-Jehovai”, prandaj janë quajtur “dëshmitarët e Jehovait”. Këtë emër e mbajnë deri në ditët e sotme. Vetë emri flet se dëshmitari dëshmon me fjalë e me vepra për Jehovain. Biblën e konsiderojnë si libër profetik, pasuesit i aftësojnë për një studim të paanshëm të Biblës. Besojnë në luftën apo në betejën ndërmjet Jehovës dhe Satanës. Sidomos për fraksionet e tjera besojnë se janë të kontrolluara nga Satana. Mohojnë besimin e jetës në varr dhe në pavdekshmërinë e shpirtit, duke pohuar se vetë njeriu është “shpirti i gjallë” dhe si i tillë ai është i pavdekshëm. I kundërshtojnë ikonat, paraqitjen e Jezusit të gozhduar në kryq, festimin e së dielës, simbolet, tempujt klasik, hierarkinë priftërore. Po ashtu, kundërshtojnë dogmën e trinitetit duke pranuar besimin vetëm në një Zot, Atë- Jahovain. Duke e besuar Jezusin vetëm si bir të Zotit, pa atribute hyjnore, po ashtu edhe Shpirtin e Shenjtë e mohojnë si pjesë e hyjnisë.

Sipas tyre, çdo pushtet është nga djalli. Janë indiferentë ndaj çdo përbërjeje politike, sepse besojnë se qëndrimet politike do të bien ndesh me Zotin. Qëndrimet politike dhe religjionet e rreme, sipas tyre, janë elemente që luftojnë kundër Zotit. Prandaj, largohen nga aktivitetet politike, refuzojnë të shërbejnë në ushtri, t’i përshëndetin simbolet e shtetit, siç është flamuri shtetëror e të ngjashme. Kundërshtojnë uniformën, mbajtjen e armëve, refuzojë të luftojnë e të vrasin, nuk dëshirojnë të votojnë në zgjedhje dhe nuk e festojnë ditëlindjen. Nuk festojnë asnjë ditë feste dhe nuk kryejnë rite. Ndërkaq, Krishtlindjen dhe Pashkët i konsiderojnë si festa pagane. Ndalojnë abortimin, pirjen e alkoolit, të duhanit etj. I pagëzojnë vetëm të rriturit, duke i zhytur në ujë. Gjithashtu, refuzojnë me këmbëngulje të japin ose të marrin gjakun e tjetërkujt, madje edhe atëherë kur jeta e njeriut është në rrezik. Ata besojnë në luftën e Armagedonit (para ditës së fundit) duke paralajmëruar disa herë ardhjen e saj të afërt, e që disa herë kanë dështuar në parashikimet e tyre. Sipas tyre, kjo duhej të ndodhte në vitin 1914, më pas në vitin 1924 dhe në fund në vitin 1994, por asgjë nuk ndodhi.

Janë shumë të zellshëm në përhapjen e fesë dhe për hir të saj janë të gatshëm të vuajnë, të përndiqen, madje edhe të vdesin. Nuk pranojnë askënd në anëtarësi derisa të fillojë t’i përhapë mësimet e tyre. Çdo anëtar në muaj duhet ti harxhojë 10 orë për shërbime fetare. Kanë një disiplinë të rreptë dhe konspirative. Janë të organizuar në grupe të ashtuquajtura kongregacione (deri në 200 anëtarë), ndërsa këta shoqërohen me një rreth që numëron 20 kongregacione, disa rrethe përbëjnë një krahinë, ndërsa këto bashkëngjiten në zonë.

Duke e pasur parasysh aktivitetin e tyre në trojet tona, është në dobi që t’i mësojmë metodat e tyre. Nga anëtarët e fraksionit kërkohet që përherë të punojnë vullnetarisht dhe pa pagesë, për të përfituar pasues të rinj, sipas metodës të cilën e shfrytëzojnë tregtarët e rrugës shkojnë derë më derë duke iu ofruar njerëzve literaturë falas apo revistat e tyre. Shesin libra dhe mundohen që ta vënë një kontakt verbal me komunikuesin, me një buzëqeshje të detyrueshme. Gjithashtu, dëshmitarët e Jehovait kanë për detyrë që, në të njëjtën derë, të trokasin disa herë, pavarësisht kundërshtimit të njerëzve. Sado që të jenë bashkëbiseduesit e tyre të ashpër, ata duhet të jenë të durueshëm dhe të dashur. Nga përfitimi i anëtarëve të rinj nuk duhet ndalur me çdo çmim e kusht. Mirëpo, duke e pasur parasysh qëndrimin e tyre fundamentalist në shumë vende, kanë krijuar një imazh të keq, prandaj anëtarëve iu sugjerohet që shpesh ta ndërrojnë metodën dhe emrin e paraqitjes në publik, herë si “studentët e Biblës” e herë si “predikuesit e fjalës së Zotit” etj.

Kur një ithtar i ri anëtarësohet te dëshmitarët e Jehovait, është shumë vështirë më pas të tërhiqet, sepse besimtari vëzhgohet dhe dosja e tij (çdo besimtari i formohet një dosje e veçantë) dërgohet kudo që të jetë ai. Në lidhje me këtë, në shpirtin e besimtarit mbillet premtimi i shpëtimit në paraqëndrimin e Armagedonit dhe kjo shpresë përforcohet pandërprerë nën propagandën e shtypjen psikologjike. Për këtë mënyrë të punës, aktiviteti i dëshmitarëve të Jehovait është i ndaluar në Zvicër, bashkërisht me disa sekte satanike. Ndërsa në Gjermani dhe në Suedi bëhet gati një ligj i tillë.

Pas viteve 90 të shek XX, në trojet tona aktiviteti i tyre ra në sy me mbytjen e disa të rinjve, të cilët ishin anëtarë të këtij sekti, dhe drejtimi i akuzës ndaj tyre si shkak i këtyre pasojave tragjike.[1]

Qendra e tyre është në Broklin, Nju-Jork. Revista “Kulla e Rojes” deri në muajin shkurt 2008, tirazhi që botohej ishte 37.100.000 kopje, ndërsa revista tjetër e tyre “Zgjohuni”, tirazhi i botimit ishte 35.754.000 kopje dhe botohen në 78 gjuhë botërore, ndërsa dalin një herë në muaj. Më së shumti janë të përhapur në Brazil, Gjermani, Francë dhe në 33 vende tjera. Në botë janë mbi 20 milionë ithtarë. Aktivitetin e tyre e kanë të shtrirë edhe në trojet tona shqiptare, si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë e gjetkë. Revistat e lartpërmendura gjenden edhe në gjuhën shqipe.[2]

Dr. Zija Abdullahu

……………………………………………………………………….

[1] Dëshmitarët e panjohur, Sokol Shameti, Revista “Klan”, Tiranë, nr. 398, viti IX, 5 mars 2005, f. 20-23; po ashtu: “Vetëvrasja e të miturit, akuza ndaj sekteve fetare”, gazeta elektronike “Shqip” e datës : 01- 02- 2008, në: http://gazeta-shqip.com/artikuj.php?kat=1

[2] Shiko: Ekrem Murtezai, “Fjalori i feve”, f. 83; Ivan Cvitković, “Religije savremenoga svijeta”, (Religjionet e botës bashkëkohore), f. 204-205; Biljana Gjorgjeviq-Stojkoviq, “Verske sekte”,(Sektet fetare), f. 121-124; Josh McDowell dhe Don Steward, “Mashtruesit”, Tiranë 1996, f. 64-84.