Mormonët

Mormonët

Mormonët po ashtu quhen edhe “ndjekësit e Jezus Krishtit shenjtorët e ditës së fundit”. Ky fraksion u formua gjatë viteve njëzetë e tridhjetë të shekullit XIX, në Amerikën Veriore, por e cila më vonë, falë aktivitetit të dendur misionar lëshoi rrënjë gati në të gjitha vendet e botës. Themeluesi i tyre ishte amerikani Xhozef Smith (Joseph Smith 1805-1844). Qysh në moshën 15-vjeçare Xhozefi i vogël, sipas tij, e përjetoi vizionin e parë me ç’rast iu dëftua natyra fizike e Zotit dhe e të Birit të Zotit. Më 21 shtator 1823 e përjetoi edhe një vizion tjetër; iu dëftua engjëlli Maroni, i cili i tregoi se në kodrën Komura, pranë Nju-Jorkut, po aty ku dikur, si fëmijë, kishte luajtur gjenden “pllakat e arta”, të cilat i kishte shkruar profeti Mormon në gjuhën e reformuar egjiptiane, kurse i biri i tij Moroni (i biri i Mormonit), i kishte ruajtur dhe fshehur nën tokë. Si i zgjedhur i Zotit dhe si profetit Mormon ai shkoi në vendin e përmendur, por engjëlli e lajmëroi se ende nuk është koha për t’i mihur dhe zbuluar ato. Më 22 shtator të vitit 1827, ai shkoi përsëri në vendin e përmendur dhe aty, si thotë vetë, i zbuloi jo vetëm “pllakat e arta” por edhe “dy kristale”, me anë të të cilëve si “me syze magjepse” mund të kuptohet e të përkthehet teksti i pllakave të arta, të shkruara në gjuhën e vjetër të reformuar egjiptiane. Tri vjet me radhë Xhon Smith e “përktheu” tekstin e shkruar në pllakat e arta nga gjuha egjiptiane në gjuhën angleze. Përkthyesi dhe profeti Xhon Smith qëndronin njëri kundruall tjetrit, por të ndarë me një perde; prandaj njëri-tjetrin nuk e shihnin. Përkthimin e Xh. Shmithit e para e shënoi bashkëshortja e tij, ndërsa pas saj këtë e bëri një fermer i quajtur Martin Haris, madje mësuesi Oliver Kovder dhe në fund një fshatar i ri i quajtur Dejvid Vajtmer. Përveç vetë Xh. Smithit askush kurrë nuk i pa as “pllakat e arta” e as “gurët e kristalit”, që shërbyen si syze magjepse, ngase si thotë Smithi, pas përfundimit të përkthimit erdhi engjëlli, i mori me vete dhe i dërgoi aty ku e kishin vendin. Në vitin 1830 tekstin e përkthyer të teksteve të pllakave të arta e botoi një adhurues i Smithit me titull “The Book of Mormon” (Libri i Mormonëve), në të cilin bëhet fjalë për banorët e parë të Amerikës – jareditët, të cilët në Amerikë erdhën nga Babilonia, pastaj për lamanitët edhe nefitimët, të cilët ishin pinjollë të “fisit të humbur izraelit”.

Shihet qartë manipulimi që e bënte ky pretendues i këtij sekti dhe sa herë që i mbyllej ndonjë derë ai shpjegimin e mbështeste në metafizikë për t’i çorientuar pasuesit, si pllakat e arta, syzet magjepsëse, perdja në mes përkthyesit dhe atij, mospublikimi i tyre dhe, në fund, ngritja e tyre nga ana e engjëllit.

Sipas besimit mormon, Zoti është një qenie materiale e përbërë prej “mishit dhe gjakut”, një qenie që dikur ka qenë qenie njerëzore, por që më pastaj është bërë Zot, ngase ia ka dalë me punë këmbëngulëse dhe të mundimshme t’i kuptojë kozmosin dhe ligjet e tij. Edhe njerëzit e tjerë (para së gjithash mormonët) me punë e devotshmëri mund të bëhen zot! Pra, besimi i tyre në këtë pikë është një politeizëm i hapur. Ata besojnë se Jezusi pas kryqëzimit u ringjall në vitin 384 në trevën e Amerikës për ta vendosur mbretërinë qiellore njëmijëvjeçare. Amerikën e konsiderojnë si “vendi i premtuar” kurse amerikanët si pinjollë të “fisit të humbur izraelit”, të cilët kanë ardhur pas syrgjynosjes në Babiloni. Jezu Krishtin e vendosin pranë vetë Zotit, ndërkaq librin e mormonëve e konsiderojnë apo e shenjtërojnë baras me Biblën. Besojnë në Bibël si libër të shenjtë dhe rreptësisht u përmbahen 10 porosive të Zotit. Agjërojnë javën e parë të çdo muaji. Nga pasuesi kërkohet dëgjim i rreptë, kisha ua përshkruan mënyrën e veshjes, çfarë krehjeje mund të mbajnë dhe cilat rite duhet t’i bëjnë. 10% të pasurisë së tyre e paguajnë si tatim për kishën.

Mormonizmi e mohon ekzistencën e “mëkatit origjinal”, sepse, sipas tyre, fëmijët as nuk janë, as nuk mund të jenë mëkatarë. Mohojnë besimin në ferr. Ata nuk i pagëzojnë fëmijët para moshës 8-vjeçare. Mohojnë paracaktueshmërinë, sepse fatalizmi dhe determinizmi absolut janë në kundërshtim me qenien e Zotit; vullneti i njeriut është i lirë, prandaj njeriu është dhe mund të jetë përgjegjës për veprat dhe sjelljet e tij. E ndalojnë konsumimin e alkoolit, të duhanit dhe të kafeinës. Kanë qëndrim racist ndaj njerëzve me ngjyrë të zezë. Të zinjtë nuk mund të bëhen priftërinj, madje as nuk mund të hyjnë në sallat e caktuara të tempujve. Secili anëtar mund të bëhet për një kohë peshkop apo prift.

Martesën e konsiderojnë institucion të amshueshëm, ndaj askush nuk hyn në parajsë në “atë botë” i pamartuar. Në fillim Xh. Smithi preferonte monogaminë, por kur mësoi për të ashtuquajturin “urdhër të Abrahamit” e ndryshoi qëndrimin e mëparshëm dhe zuri ta preferonte poligaminë. Në përputhje me këtë, ai vetë ia doli ti ketë 49 gra. Kurse pasardhësi i tij, Brigam Jungi (Brigham Young 1801-1877), i kishte “vetëm” 26 gra! Njëri ndër ritet karakteristike për bashkësinë dhe kishën mormone është pagëzimi edhe i atyre që moti kanë vdekur. Rrjedhimisht, askush – qoftë i gjallë apo i vdekur – nuk duhet të mbetet i papagëzuar. Karakteristikë tjetër është përgatitja e të vdekurit për “atë botë”. I vdekuri para se të varroset lyhet me vaj, pastaj i veshur normalisht vendoset në tempull dhe aty qëndron një ditë. Përveç kësaj i vdekuri furnizohet me shenjat e nevojshme për të hyrë në mbretërinë e Zotit: në anën e majtë të kraharorit i bëhet një kompas, kurse në anën e djathtë një këndmatës, në kërthizë dhe në gjurin e djathtë bëhen dy prerje sa një pullë të cilat kanë për qëllim të rikujtojnë se çdo gju lakohet dhe se çdo gjuhë duhet të pranojë se “Jezu Krishti” është dhe se “çdo trup e shpirt ka nevojë të ushqehet gjithnjë”. Nga këto shenja shihet qartë ndikimi i tyre nga masonizmi me të cilët më pas patën konflikt të ashpër.

Më 6 prill 1930, Xh. Smithi e themeloi kishën e parë mormone në Nju-Jork dhe më vonë kisha mormone u formuan edhe ne viset tjera të Amerikës. Më 1 mars 1846, kryetari i ri Brigham Jungi (Brigham Young 1801-1877), së bashku me 12 mijë ithtarë të tij, u nis në rrugë të gjatë e të vështirë për ta gjetur një vend, ku do të mund ta ngrinte “Sionin e ri” (Jerusalemin e ri). Pas një udhëtimi të vështirë, më 24 korrik, mormonët arritën në një vend guror të shkretë dhe të egër në Utah (Amerikë). Këtu e ndërtuan qytetin Salkate Cyti dhe tempullin e tyre, ku edhe formuan shtetin e tyre me sistem teokratik. Për nder të kësaj ngjarjeje mormonët çdo vit e festojnë 24 korrikun si ditë kur të parët e tyre janë vendosur në Utah.[1] Në vitin 2008 në botë numëroheshin rreth 13 milionë pjesëtarë të mormonizmit.[2]

Dr. Zija Abdullahu

……………………………………………………

[1] Shiko: Ekrem Murtezai, “Fjalori i feve”, f. 294-297; Ivan Cvitković, “Religije savremenoga svijeta”, (Religjionet e botës bashkëkohore), f. 209-210; Biljana Gjorgjeviq-Stojkoviq, “Verske sekte”,(Sektet fetare), f. 142.

[2] http://www.allaboutmormons.com/number_of_mormons.php