Dëshmi të ruajtjes së Kuranit

Dëshmi të ruajtjes së Kuranit

Kur’ani – një Dritë e re për mbarë Botën dhe gjithë kohërat po i ipej njerëzimit

Si u ruajt Kur’ani

Manuskriptet e gjetura Kur’anore dëshmojnë ruajtjen e Kur’anit

Përfundim

* * *

Kur’ani – një Dritë e re për mbarë Botën dhe gjithë kohërat po i ipej njerëzimit

Në vigjilje të shekullit të shtatë pas Isait a.s. një dritë e re po e shëndriste botën nëpërmjet Profetit të fundit Muhamedit a.s. dërguar njerëzimit. Allahu po ia komunikonte mbarë njerëzimit Kur’anin – Fjalën e Tij. Nëse më herët ishin dërguar profetë dhe mesazhe hyjnore te popuj të veçantë dhe vende të veçanta të lokalizuara, tashmë ishin krijuar kushte të tilla në botë të cilat do të mundësonin që Zoti t’i dhuronte njerëzimit Fjalën Përfundimtare të Tij për mbarë botën e cila do të duhej të shërbente si kushtetutë jete për besimtarët deri në ditën e fundit dhe e cila do të duhej të lidhte secilin njeri me Krijuesin e Tij në mënyrë që jeta të kishte një kuptim qoftë në raport me Zotin qoftë në raport me njerëzit e tjerë. Fjalët e para të shpallura të Kur’anit “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë)” (96:1), bashkë me premtimin tjetër të Zotit bërë gjatë shpalljes së Kur’anit se ai do të ruhej ashtu siç po shpallej, po hapnin një kaptinë të re në historinë e njerëzimit. Muhamedi dhe shpallja që iu dha atij ishin shumë më ndryshe nga çdo shpallje apo profetësi tjetër dërguar popujve të caktuar të mëhershëm. E para: i dedikohej njerëzimit mbarë, dhe e dyta: ishte caktuar që të shërbente si fjalë e përhershme e Zotit me njerëzit gjatë gjithë kohërave deri në Ditën e Fundit. Ja pse premtimi i Zotit “Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.” (Kur’ani 15:9) ishte aq i rëndësishëm.

Shumica e profetëve të mëhershëm kishin dhënë mesazhe gojore tek popujt e tyre, apo edhe shpalljet dhënë atyre nuk ishin shkruar me kohë dhe si të tilla ose ishin lënë në harresë ose ishin ndryshuar, herë-herë thelbësisht. Mirëpo çfarë ndodhi me Kur’anin?

Si u ruajt Kur’ani

Kur’ani i shpallej direkt nga Perëndia Muhamedit nëpërmjet engjëllit Xhebrail. Muhamedi e kishte bërë praktikë që të përsëriste ajetet e shpallura Kur’anore pas Xhebrailit në mënyrë që ti memorizonte. Në fillim ai po mërzitej dhe i përsëriste shpesh e në mënyrë të shpejtë fjalët kur shpalleshin, por në suren Kiamah Allahu e përgëzon me lajmin që të mos mundohet me këtë sepse Kur’ani duke qenë Fjalë e Zotit e dedikuar për t’u ruajtur për gjithë kohërat, ishte në përkujdesjen e Allahut që të ruhej.

Pas çdo shpalljeje të ndonjë ajeti Muhamedi e kishte bërë zakon të vazhdueshëm që atë t’ia komunikonte as-habëve (shokëve) të tij dhe besimtarëve të tjerë dhe t’i nxiste kështu në mbamendjen e saktë të tyre. Këta pastaj e bënin të njëjtën gjë me besimtarët e tjerë dhe kështu zingjiri i njerëzve që e dinin Kur’anin përmendësh përhapej me të madhe qoftë edhe në kohën kur Kur’ani akoma nuk ishte kompletuar, e lëre më pasandej. Muslimanët ishin aq të preokupuar me mbamendjen e saktë të Kur’anit sa që shpesh tregohet me madhështi rrëfimi nga vitet gjatë shërbesës së Muhamedit njerëzimit e edhe pastaj, se si shume vajza nuk kërkonin nga burrat e tyre të ardhshëm ndonjë prikë martese përveç që ata ta dinin Kur’anin përmendësh.

Gjithashtu transmetohet se Muhamedi e kishte bërë zakon që për çdo vit gjatë muajit të Ramazanit ta recitonte Kur’anin në tërësi para engjëllit Xhebrail. Dhe ishte e ditur që Kur’ani recitohej vazhdimisht gjatë lutjeve, e edhe nga as-habët dhe besimtarët e tjerë në adhurimet e gjata të natës, ndërsa gjatë ditës xhamitë – shtëpitë e reja të adhurimit kumbonin nga nxënësit të cilët e mësonin përmendësh Kur’anin nga ata që e kishin mësuar më herët.

Përveç mbamendjes, e cila ishte metoda më e rëndësishme në vitet e hershme të Islamit, ekzistonte edhe një metodë tjetër nëpërmjet të së cilës Kur’ani gjithashtu u ruajt.

Një nga as-habët e Muhamedit Zejd ibn Thabit rrëfen: “Unë shkruaja fjalët e shpalljes për të (Profetin Muhamed). Kur shpallja i vinte, ai kishte të nxehtë dhe djersët i pikonin sikur perla nëpër trupin e tij. Kur kjo gjendje do të përfundonte, unë do të paraqitesha para tij me ndonjë copë ashti apo ndonjë material tjetër. Ai më diktonte dhe unë shkruaja. Kur mbaroja së shkruari pesha e faktit që po kopjoja Kur’anin më jepte një ndjenjë të tillë sikur këmbët e mia do të thyheshin dhe unë nuk do të mund të flisja më. Në çdo rast, kur unë do të kisha përfunduar me të shkruarit, ai do të thoshte ‘Lexoje’, dhe unë do t’ia lexoja, e nëse kishte ndonjë mungesë ai do të më bënte ta përmirësoja dhe tek atëherë do t’ia komunikonte njerëzve” (Majma’uz Zauaa’id referuar sipas Tabraanit)

 Kur’ani u shkruajt në materiale të ndryshme. Këtu është paraqitur shkrimi i Kur’anit në një asht deveje.

Zejdi nuk ishte i vetmi i cili ishte ngarkuar me misionin e shkruarjes së Kur’anit. Ekzistonin edhe një mori as-habësh të tjerë të cilit e kryenin të njëjtën detyrë. Duke qenë se letra rrallë herë ishte e pranishme në atë kohë në Arabi, kryesisht Kur’ani shkruhej në eshtra dhe lëkura kafshësh, në copa druri apo gjethe por nuk mungonte edhe të shkruarit në letër. Kështuqë, megjithqë nuk ekzistonte një libër komplet në kuptimin e sotëm të fjalës Kur’ani ishte i shkruar dhe ruajtur në tërësi qysh gjatë kohës së Profetit. Ibn Hisham në Biografinë e Profetit Muhamed gjithashtu tregon se as-habët i mbanin pjesët e tilla ku qe shkruar Kur’ani për qëllim të ruajtjes dhe mësimit të Kur’anit të tjerëve nga to.

Pas vdekjes së Profetit Muhamed, gjatë kalifatit të Ebu Bekrit në një nga betejat ranë dëshmorë një numër i madh i hafizëve (atyre që e dinin Kur’anin përmendësh). I nxitur nga kjo ndodhi Ebu Bekri urdhëroi që të gjitha ato pjesë të shpërndara të Kur’anit të bashkoheshin me kujdes në një material të përmbledhur. Kjo detyrë gjithashtu iu besua Zejdit dhe të tjerëve të cilët kishin marrë pjesë edhe gjatë kohës së jetës së Muhamedit në shkruarjen e Kur’anit nëpër materiale të ndryshme, e përveç kësaj ata edhe e dinin Kur’anin përmendësh. Dhe kështu me kujdes u mblodh çdo ajet, u krahasua me mbamendjen e qindra hafizëve dhe me materialet e shkruara, dhe u formësua kopja e përmbledhur e Kur’anit. Veçse nuk kishte asnjë fije dyshimi tek askush se do të përvidhej ndonjë gabim. Midis tërë asaj turme njerëzish të cilët e dinin Kur’anin përmendësh dhe me gjithë atë bagazh materiali ku Kur’ani veçse ishte i shkruar çdo gjë ishte e sigurtë.

Gjatë kohës së kalifatit të Uthmanit, nën mbikqyrjen e tij dhe gjithashtu të ashabëve të tjerë të cilët edhe më herët nën Ebu Bekrin kishin marrë pjesë në përmbledhjen e Kur’anit, u bënë katër kopje të Kur’anit të cilat u përhapën gjithandej Bashkësisë Islame.

Manuskriptet e gjetura Kur’anore dëshmojnë ruajtjen e Kur’anit

Siç kemi parë më herët mënyra e transmetimit të Kur’anit dhe zelli i muslimanëve që ta kenë atë të paprekur qysh nga ditët e para të shpalljes së tij nuk lënë asnjë fije dyshimi se ai është ruajtur pa ndonjë ndryshim apo gabim, gjëra këto të rëndomta për librat tjerë të shpallur më herët. Bile edhe armiqtë më të mëdhenj të Islamit e pranojnë se Kur’ani ka ardhur deri në ditët tona i paprekshëm. Sir William Muir për shembull shkruante:

“Me gjasë nuk ka asnjë libër tjetër në botë i cili për dymbëdhjetë (tani më shumë se katërmbëdhjetë) shekuj ka mbetur i pandryshueshëm”

Mirëpo për një kohë të gjatë në qarqet misionare kristiane po qarkullonin dhe akoma vazhdojnë të qarkullojnë përralla të paskrupullta sikur gjoja Kur’ani është një libër i kompiluar të paktën tre shekuj pas Muhamedit. Sipas tyre Kur’ani në formën që është tani nuk ishte i pranishëm gjatë jetës së Muhamedit apo gjatë periudhës së parë të Islamit. Kjo është qartë një akuzë e pabazë. Vetë mënyra e ruajtjes së Kur’anit gjeneratë pas gjenerate me anë të mbamendjes nuk lë fije dyshimi në autenticitetin e Kur’anit.

Mirëpo ekziston edhe një argument poaq i fuqishëm i cili e vërteton definitivisht ruajtjen e Kur’anit fjalë për fjalë. Më herët kemi përmendur se përveç ruajtjes së Kur’anit me anë të mbamendjes ai edhe u shkrua në materiale të ndryshme. Sod janë zbuluar manuskripte të shumta të Kur’anit, një numër i madh i të cilave datojnë qysh nga shekulli i parë i Islamit dhe të cilat nuk lënë as edhe dyshimin më të vogël në autenticitetin e Kur’anit. Teksti i gjetur në këto manuskripte është 100 %  i njëjtë me Kur’anin i cili lexohet sot në miliona xhami anekënd botës.

Ne do të përmendim vetëm disa nga manuskriptet më të njohura të vjetra të Kur’anit.

 Disa nga manuskriptet e vjetra Kur’anore. Majtas: manuskripti nga Tashkenti i cili besohet të jetë nga shekulli i parë hixhri dhe i cili me gjasë vie direkt nga Kur’ani i përpiluar gjatë kohës së halifit Uthman. Djathtas: pjesë nga surja Ali Imran – i ashtuquajturi ‘manuskripti San’a’ i cili daton para   vitit 50 hixhri (para vitit 670 pas Krishtit)

Kur’ani i përmbledhur gjatë kohës së halifit Uthman, ose i bazuar direkt në të, gjendet në Tashkent të Uzbekistanit. Me gjasë datimi i këtij manuskripti shkon deri në shekullin e parë të hixhrit. Mirëpo ky nuk është manuskripti më i vjetër Kur’anor.

Në vitin e gjashtë hixhri Profeti i nderuar Muhamed e udhëzoi njërin nga as-habët e tij që të ndërtonte një xhami në qytetin San’a të Jemenit të sotëm. Xhamia e Madhe e San’as është ndër xhamitë e para të ndërtuara. Gjatë shekujve nën udhëheqës të ndryshëm kjo xhami pësoi zgjërime dhe ndryshime të shumta. Në vitin 1965 shira të mëdha e kapluan qytetin San’a. Si pasojë e kësaj edhe Xhamia e Madhe pësoi disa dëme. Veçanërisht këndi veriperëndimor i saj u rrënua rëndë. Gjatë kërkimeve në rrënojat e shkaktuara u gjendën midis tjerash qindra manuskripte të cilat përmbanin tekste nga Kur’ani, të cilat datonin që në vitet e hershme të shekullit të parë hixhri. Ekzistojnë të paktën katër manuskripte të cilat datojnë para vitit 50 hixhri, përkatësisht para vitit 670 pas Krishtit, të cilat përmbajnë pjesë të ndryshme të Kur’anit të gjetura në këtë xhami.

Manuskript Kur’anor i cili daton nga shekulli i parë hixhri dhe ruhet në Bibliotekën Kombëtare Austriake në Vjenë. Përmbanë pjesë nga surja El-Kasas

Manuskripte të tjera të shumta të cilat datojnë nga shekulli i parë hixhri ruhen në biblioteka të shumta nëpër botë. Gjithashtu janë me mijëra manuskriptet Kur’anore të cilat datojnë nga shekujt 2, 3, 4 e më vonë hixhri. Libraria Âstân-i Quds-i Razavî në Iran për shembull ruan rreth 11 000 manuskripte Kur’anore duke u bërë kështu biblioteka me manuksiptet më të shumta islamike në botë.

Përfundim

Plani i Allahut ishte që Kur’ani të mbetej mesazhi i Tij i Fundit shpallur njerëzimit nëpërmjet Profetit Muhamed dhe pikërisht për këtë ai duhej të ruhej në formën origjinale siç ishte dhënë. Allahu premtoi se do ta ruante Kur’anin dhe kjo u vërtetua. “Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.” (Kur’ani 15:9)

Ajo çka na mbetet neve është që duke qenë të sigurtë se çdo Fjalë e Tij është e vërtetë të fillojmë ta dëgjojmë me zemrat tona mesazhin e Kur’anit dhe të drejtojmë jetërat tona në pajtim me të.

O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kur’ani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët.” (Kur’ani 10:57)

“Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues” (Kur’ani 2:185)

Halil Ibrahimi