Atë Raymond Brown
Fragment i shkëputur nga libri i Atë Raymond Brown me titull: “An Adult Christ at Christmas”, The Liturgical Press, Collegeville, Minnesota, 1978
Ungjillori rrëfen historinë e magjistarëve dhe ndodhinë e yllit lajmërues pasi ka dhënë të plotë gjenealogjinë e Jezusit dhe ka treguar se si engjëjt lajmëruan në ëndërr Jozefin për lindjen e ardhshme të birit që do të ishte Mesiah nga linja e Davidit (shih 1:1, 16, 18), një fëmijë i konceptuar nga Fryma e Shenjtë si pasojë Bir i Perëndisë (shih gjithashtu 2:15).
Për ta përmbledhur, lërmëni të listoj thjesht opinionet e teologëve lidhur rrëfimin e lindjes së Jezusit ashtu siç gjendet ai në ungjillin e Mateut që siguron një skilet mbi të cilin duhet punuar lidhur me historinë e magjistarëve.
- Në lajmërimin e Jozefit, Mateu ka ndjekur traditën e lajmërimeve tipike të lindjeve në Dhjatën e Vjetër- siç është p.sh. historia e lindjes e së Ishakut (Zan. 17:15-21) dhe e Samsonit (Gjyk. 13)1
- Portreti i Mateut për Jozefin i cili mori një zbulesë në ëndërr (1:20; 2:13, 19) e që më pas shkoi në Egjipt (2:14) ngjason me portretin e Jozefit siç jepet në Dhjatën e Vjetër, patriarku që ishte një “ëndërruesi” par excellence (Zan. 37:19- “fjalë për fjalë mjeshtri i ëndrrës”) e që edhe ai kishte shkuar në Egjipt për të shpëtuar jetën e tij (Zan. 37:28)
- Rrëfimi i Mateut për arratisjen e Jezusit nga Herodi është shumë i ngjashëm me historinë hebreje të arratisjes së Moisiut nga Faraoni- Moisiu i cili, njësoj si Jezusi, iku nga Egjipti në të cilin Jozefi kishte shkuar. Rrëfimi biblik për lindjen e Moisiut kishte pësuar zgjerim të mëtejshëm në përrallat popullore të hebrenjve gjatë shekullit të parë e.s., siç mund ta shohim në shkrimtarë të njohur të asaj kohe, si Filoni dhe Jozefi. Në versionin e zgjeruar faraoni ishte paralajmëruar përmes skribëve (shih Mt. 2:4) se një fëmijë do të lindte së shpejti i cili do të përbënte një kërcënim për fronin e tij, kështu që ai dhe këshilluesit e tij vendosën të vrisnin të gjithë fëmijët meshkuj të hebrenjve. Në të njëjtën kohë zbulesa hyjnore përmes një ëndrre i bën të njohur babait të Moisiut se gruaja e tij, tashmë shtatzënë, do të lindë një djalë që do të shpëtojë Izraelin, një fëmijë që do ti shpëtojë masakrës së faraonit. Të paralajmëruar, prindërit vepruan shpejt për të shpëtuar jetën e fëmijës në kohën kur ai lindi. Më vonë, Moisiu u arratis në Sinai dhe u kthye vetëm kur dëgjoi nga Perëndia këto fjalë: “Shko, kthehu në Egjipt sepse të gjithë ata që kërkonin jetën tënde kanë vdekur”. (Eksodi 4:19; shih edhe Mateu 2:20).
Gjithashtu edhe historia e magjistarëve dhe e yllit, ka ngjashmëri me rrëfimin e pentautekut lidhur me Moisiun por e kombinon këtë me imazhin e Mesisë që rrjedh prej Davidit, një përfytyrim ky për të cilën Mateu na ka përgatitur duke e filluar historinë e rrëfimit të lindjes së Jezusit me “gjenealogjinë e Jezu Krishtit, birit të Davidit”, si edhe me rrëfimin që gjendet tek Numrat 22-24, në episodin kur flitet për Balaamin. Kur Moisiu e priu Izraelin përmes zonës së Transjordanisë drejt tokës së premtuar ai u ndesh me një tjetër mbret të ligë, të ngjashëm me faraonin e Egjiptit, që dëshironte ta shkatërronte atë. Ky ishte Balaku, mbret i Moabit, i cili thirri nga lindja (Numrat 23:7)2 një parashikues të njohur me emrin Balaam, i cili duhej të përdorte të gjitha dhuntitë e tij në dëm të Moisiut dhe Izraelit. Balaami nuk ishte izraelit, një vizionar okult, një praktikues i magjisë, shkurt ato që në kohën e Jezusit mund të quheshinmagi (magjistarë)3. Ai dhe dy shërbëtorët e tij (Numrat 22:22) mbërritën, por në vend që të mallkonte Moisiun dhe Izraelin përkundrazi ai shprehu një optimizëm për të ardhmen: “Një njeri do të dalë nga fara e Izraelit dhe mbretëria e tij do të lartësohet. E shoh, por jo tani; e sodis, por jo afër: një yll do të dalë nga Jakobi dhe një skeptër do të ngrihet nga Izraeli” (Numrat 24: 4, 17; pjesërisht huazuar nga Septuaginta LXX).
Është pothuajse e sigurtë që ky pasazh i referohet daljes së monarkisë së Davidit4, e ylli i parashikuar ishte vetë Davidi, njeriu të cilit do ti jepej skeptri i mbretërisë së bashkuar të Judës dhe Izraelit. Në judaizmin e vonshëm pasazhi është kuptuar si referencë për Mesian, mbreti i vajosur i rrjedhur prej Davidit. Ky pasazh ka pasur një ndikim në shekullin e dytë e.s. kur Rabini Akiba identifikoi si Mesiah revolucionarin Simon ben Kosibah, i njohur me nofkën “Bar Kohba” që në etimologjinë popullore u mbiquajt “biri i yllit”. Herodi siç rrëfehet në historinë e Mateut paraqet ngjashmëri jo vetëm me historinë e Faraonit që u përpoq të shkatërronte Moisiun kur ishte fëmijë duke vrarë të gjithë të porsalindurit, por edhe me historinë e mbretit Balak që u përpoq të shkatërronte Moisiun me anë të magjistarëve të thirrur nga lindja. Ashtu siç Balaami pa të ngrihej ylli i Davidit, magjistarët, siç rrëfehen në Dhjatën e Re, panë të ngrihej ylli i mbretit të Judenjve5.
Kuptimi se ky përfytyrim i Dhjatës së Vjetër qëndron pas historisë së magjistarëve dhe yllit të rrëfyer nga Mateu6 është një nga rezultatet pozitive të fazës së dytë të zhvillimit të kritikës teologjike të cilën e kam shpjeguar në hyrje të këtij libri. Tani unë dëshiroj të përqendrohem në mënyrën se si Mateu e ka përdorur këtë histori në kapitullin e dytë të veprës së tij për të shpjeguar pasojat e kësaj zbulese në lidhje me identitetin e Jezusit, lajmin e mirë të cilën Mateu e ka lidhur me lajmërimin e konceptimit të Jezusit në kapitulli një. Siç e kam thënë më lart kjo rrjedhojë apo pasojë qëndron në shpalljen e lajmit të mirë, hebrenjve dhe xhentilëve, me konsekuencë përgjigjen e dyfishtë të pranimit dhe mohimit. Historia e magjistarëve dhe e yllit u bë për Mateun një parashikim për fatin që do të kishte lajmi i mirë i shpëtimit, një fat që ai e njohu si rrjedhojë e ringjalljes.
Së pari, lajmi i mirë kristologjik joshi shumë besimtarë, e ato besimtarë, magjistarët, ishin xhentil7. Gjithsesi ungjillori ishte ende aq hebre sa të vazhdonte traditën sipas së cilës, të privuar nga shpallja, xhentilët nuk kanë pasur asnjëherë një revelatë kaq të qartë sa ajo që i ishte dhënë hebrenjve. Është përmes natyrës që Perëndia i ka zbuluar veten xhentilëve (shih Romakëve 1:19-20; 2:14; 2:14-15), kështu që Mateu bën të mundur që magjistarët ta marrin zbulesën përmes astrologjisë: ylli i lindjes që bashkangjitur me mbretin e Judenjve i solli atyre lajmin e shpëtimit. Kjo është një zbulesë e papërsosur, sepse ndonëse ajo i lajmëron ata për lindjen e fëmijës, ajo nuk i mundësoi atyre të gjenin vetë se ku ishte mbreti i Judenjve. E fshehta përfundimtare e vendndodhjes së tij gjendet e kyçur në revelatën e që Perëndia i ka dhënë Izraelit, në shkrime (Mateu 2:2-6). Xhentilët kanë ardhur për të adhuruar por ato duhet ta mësojnë nga hebrenjtë historinë e shpëtimit. Pastaj Mateu vë në pah paradoksin: ato që zotërojnë shkrimet e që mund të shohin qartë atë që profetët kanë thënë nuk dëshirojnë të adhurojnë mbretin e sapolindur. Përkundrazi, mbreti, kryepriftërinjtë dhe skribët komplotuan kundër Mesias8, dhe mbreti i lig planifikoi vdekjen e tij. Por Perëndia e ruajti Jezusin dhe e dërgoi Birin e tij e më pas e thirri për tu mbrapsht në vendin ku kishte ikur (Mt. 2:15).
Me fjalë të tjera, histori që pasqyrojnë remineshenca të Dhjatës të Vjetër, të historive të Jozefit, Moisiut dhe Balaamit, janë përpunuar në një version të unifikur parashikues të rrëfimit të pasionit dhe ringjalljes. Të njëjtët pjesëmarrës dhe karaktere janë të pranishëm në të dy historitë: udhëheqësit shekullar, kryepriftërinjtë dhe skribët të gjithë të rreshtuar kundër Jezusit, i cili vetëm Perëndinë ka në krahë të tij. Por Perëndia e bëri atë fitimtarë duke e thirrur nga Egjipti. Në këtë proces, ato që zotëronin shkrimet e refuzuan atë, ndërsa xhentilët erdhën dhe me ndihmën e Shkrimeve, e gjetën dhe e adhuruan atë.
Historia e rrëfimit të lindjes së Jezusit nuk është vetëm ungjill (lajmi i mirë i shpëtimit), ai është vetë thelbi i ungjillit të miniaturë. Kështu që kur ne shohim pas në historinë e krishterimit, ndoshta tani e kuptojmë më mirë përse kjo histori ka qenë një nga pjesët më të njohura në popull të të gjithë historisë së Jezusit, një nga më të njohurat dhe më tërheqëset. Kjo falë jo vetëm vlerësimit të një historie të bukur që kënaq ndjenjat dhe emocionet, ajo gjithashtu reflekton edhe instiktin e krishterë që sheh në të thelbin e lajmit të mirë- që është fakti se Perëndia e ka bërë veten shfaqur për ne (Emanuel) përmes jetës së një njeriu, kaq shumë saqë në të vërtetë ky njeri është Biri i Tij. Kjo zbulesë është një ofendim dhe kontradiktë për dikë, por shpëtim për ato që kanë sy për të parë. Së fundmi, magjistarët janë në të vërtetë paraprijësit e gjithë atyre të cilët do të vinin të adhuronin Jezusin e ringjallur të predikuar nga apostujt. Libri i Numrave e paraqet Balaamin si një që vinte prej Lindjes e që mund të thoshte: “E shoh, por jo tani” meqenëse ylli nuk do të ngrihej nga pasardhësit e Jakobit deri në ardhjen e Davidit. Po kështu edhe magjistarët e rrëfimit të Mateut, duke parë yllin e mbretit të Judenjve duke u ngritur9, shohin (por jo tani) atë mbretëria e të cilit nuk do të jetë e shikueshme derisa ti jetë varur në kryq një tabelë ku thuhet “Mbreti i Judenjve” e nuk do të shpallet derisa ai të jetë lartësuar përmes ringjalljes në të djathtë të Perëndisë.
Përktheu: Rezart Beka
[*] Atë Raymond Brown është Distinguished Professor Emeritus of Biblical Studies në Union Theological Semminary (N.Y.C.). Ai konsiderohet si një prej figurave qendrore ndërmjet shkollarëve të Dhjatës së Re. Gjatë jetës së tij ka marrë mëse tridhjetë “honorary degrees” nga universitetet katolike dhe protestante nga e gjithë bota, gjithashtu, ai është zgjedhur si (Corresponding) Fellow of the British Academy dhe anëtar i Akademisë Amerikanë të arteve dhe shkencave. Autor i mëse tridhjetë e pesë librave në lidhje me Biblën, po ashtu ka qenë i vetmi amerikan që është zgjedhur nga dy papë si anëtarë i Komisionit biblik papnor.Referenca
[1] Modeli i lajmërimeve për lindjen e Jezusit është ndjekur edhe në Ungjillin e Lukës e me shumë mundësi është zhvilluar në rrethe popullore që i paraprijnë dy ungjijve të shkruar, ku gjithsecili e ka përdorur burimin sipas mënyrës së tij. [2] Rrëfimi i Mateut duket se pasqyron version grek të Dhjatës së Re, Septuaginta, meqenëse disa prej çështjeve të përmendura tek Numrat 22-24, ndaj të cilave unë tërhoqa vëmendjen gjenden vetëm në këtë version grek. [3] Në kohën e Dhjatës së Re fjala “magjistarë” përfshinte një rreth të gjerë të atyre që merreshin me arte okulte: astronom, fallxhorë, priftërinj ogursjellës dhe magjistarë të shkallëve të ndryshme. Mateu me shumë mundësi në rrëfimin e tij i mendon magjistarët si astronom. [4] Libri i Numrave është përpiluar pas shfaqjes së dinastisë së Davidit, për këtë arsye është e vështirë të jesh i sigurt sa post factum është orakulli i Balaamit. [5] Në përkthimin e Mateut 2:2 përkthimi “në ngritje të tij (yllit)” është më i saktë se sa në “lindje të tij”. [6] Në një diskutim më teknik unë kam hedhur argumentin për tezën sipas së cilës disa nga elementët që gjenden tek Mateu 1-2 kanë ardhur tek ungjillori në histori të formuara dhe të gatshme të cilat ai i ka kombinuar dhe modifikuar. [7] Mateu e ka shkruar ungjillin e tij nisur nga një këndvështrim favorizues, gjatë një kohe kur Kisha e tij ishte me shumicë xhentile. Ai e dinte se Jezusi e kishte kufizuar veten e tij tek Izraeli (Mateu 10: 5-6; 15:24), por qëllimisht ai e ka zgjeruar parabolën e qiraxhinjve të lig për të lejuar transferimin e vëmendjes tek xhentilët (21:43; kjo parabolë nuk ka paralele tek Marku dhe Luka). [8] Ndonëse Mateu 2:4-6 i përshkruan kryepriftërinjtë dhe skribët si shqyrtues të shkrimeve, shumësi tek Mateu 2:20 duket se dëshiron ti shtojë edhe ata me Herodin në planin kudër mbretit të sapolindur. [9] Shih fusnotën 5(erasmusi.org)