Halil Ibrahimi
Një nga besimet thelemore të Krishtërimit është se Jezusi i quajtur Krisht ka vdekur dhe ka lejuar derdhjen e gjakut të tij për hir të faljes së mëkateve të njerëzimit. Me fjalë të tjera Jezusi ka vdekur në kryq si sakrificë për mëkatet tona. Le ta sqarojmë këtë temë nga Bibla dhe le të shohim se a është dërguar Jezusi njëmend për të vdekur në kryq si shpëtim për mëkatet tona:
Vullneti i Jezu Krishtit për të vdekur për mëkatet tona
Pjetri dhe të dy bijtë e Zebedeut ishin me Jezusin para prijësve kur erdhën ta marrin Jezusin për t’a kryqëzuar. Me këtë rast Jezusi i foli Pjetrit dhe dy bijve të Zebedeut sikur thotë Mateu 26:38 ‘Atëherë ai u tha atyre: ”Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua” ‘. Pastaj Jezusi u largua pak nga ta dhe iu lut Perëndisë siç thotë Ungjili sipas Mateut 26:39 ‘Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: ”Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti” ‘.
Është shumë e qartë nga vargu i Ungjillit sipas Maetut 26:39 se Jezusi nuk kishte ndonjë qëllim për të vdekur. Në këtë varg është treguar se Jezusi u lut fuqishëm për t’ia larguar vdekjen (Mateu përmendë se Jezusi i përsëriti tri herë këto lutje).
Nëse Jezu Krishti do të ishte dërguar për tu kryqëzuar ai nuk do të hezitonte aspak që të vdiste. Kur ua theksoj këtë vëllezërve të mi të krishterë ata më thonë se ky hezitim vinte nga ana trupore e tij (me fjalë të tjera ai u tundua), dhe se shpirti i tij i cili është hyjnor nuk kishte kaluar aspak nëpër këtë hezitim. Kur shikojmë tek Ungjilli sipas Mateut 26:38 ne shohim se Jezusi i kundërvihet kësaj ideje duke thenë ”Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje” (Mateu 26:38). Ai vetë po thotë se është në të vërtetë shpirti i tij ai që po heziton dhe jo trupi i tij. Këto janë fjalët e vetë Jezusit.
Zoti iu përgjegj lutjeve të Jezu Krishtit
Dhe pasi që Jezusi e bëri lutjen e mësipërme atij iu përgjegj Perëndia sipas Hebrenjëve 5:7 ‘I cili (Jezusi), në ditët e mishit të tij, me klithma të larta dhe me lot, i ofroi lutje dhe urata atij që mund ta shpëtonte nga vdekja, dhe u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia’. Këto fjalë qartë tregojnë se kur Jezusi i lutej fuqishëm Zotit, Zoti do të pranonte lutjen e tij. Fjalët ‘u dëgjua për shkak të frikës’ (Hebrenjëve 5:7) tregojnë se Zoti e pranoi atë që Jezusi kërkoi. Pra vargjet e mësipërme tregojnë se kur Jezusi i kërkoi Zotit ‘largoje prej meje këtë kupë’ (Ungjilli sipas Mateut 26:39), Zoti iu përgjegj lutjes së tij dhe e shpëtoi atë nga vdekja apo nga kryqëzimi.
Ngjarjet e profetizuara të pas kryqëzimit kurrë nuk ndodhën
Kur njerëzit e pyetën Jezu Krishtin nëse ai do tu tregonte atyre ndonjë shenjë, ai u përgjegj duke thënë se shenja e vetme që ata mund të presin është shenja e Jonait. Jezusi gjithashtu u sigurua që të specifikojë qartë se çfarë ishte saktësisht kjo shenjë. Detajet janë treguar në vargjet e mëposhtme:
Mateu 12:38 Atëherë disa skribë dhe farisenj e pyetën duke thënë: “Mësues, ne duam të shohim ndonjë shenjë prej teje
Mateu 12:39 Por ai duke iu përgjigjur u tha atyre: “Ky brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por asnjë shenjë nuk do t`i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.
Mateu 12:40 Në fakt ashtu si Jona qëndroi tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri net në zemër të tokës.
Jezusi këtu e thekson se çka do ti ndodhë atij duke thënë në mënyrë specifike se ai do të jetë si Jonai në kuptimin e numrit të ditëve dhe netëve që ai do të jetë në zemrën e tokës, ‘Në fakt ashtu si Jona qëndroi tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri net në zemër të tokës’ (Mateu 12:40). Tash le të shohim nëse kjo profeci është përmbushur.
Jezusi u kryqëzua në ditën e Premte. Kjo është diçka e njohur pa dyshim midis të gjithë kristianëve dhe kjo është arsyeja pse kjo e Premte quhet ‘e Premtja e Madhe’ ose ‘e Premtja e bekuar’. Jezusi u varros të Premtën mbrëma. Le të njehësojmë tani:
1. Jezusi u varros në natën e të së Premtes. Kjo është nata 1
2. Ditën e të së Shtunës Jezusi ishte akoma në varr. Kjo është dita numër 1.
3. Natën e të së Shtunës Jezusi ishte akoma në varr. Kjo është nata numër 2.
Maria Magdalena, në mëngjezin e hershëm para ngritjes së diellit dhe pas Sabatit (të së Shtunës) shkoi ta shihte Jezusin, por ai nuk ishte atje. Vargjet vijuese e tregojnë këtë ngjarje.
16:1 Si kaloi e shtuna, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit, dhe Salomeja blenë aroma për të shkuar të vajosin Jezusin.
16:2 Në mëngjesin e ditës së parë të javës, shumë herët, ato erdhën te varri, kur po lindte dielli.
16:3 Dhe thonin në mes tyre: ”Kush do të na rrokullisë gurin nga hyrja e varrit?”.
16:4 Por, kur ngritën sytë, panë se guri ishte rrokullisur, megjithëse ishte shumë i madh.
16:5 Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh që ishte ulur në të djathtë, të veshur me të bardha, dhe mbetën të trembura.
16:6 Dhe ai u tha atyre: ”Mos u trembni! Ju kërkoni Jezusin Nazareas që ka qenë kryqëzuar; ai u ringjall, nuk është këtu; ja vendi ku e kishin vënë.
Numri i ditëve dhe netëve të cilat Jezui i kaloi në zemrën e tokës është 1 ditë dhe 2 netë. Kjo qartë e sfidon atë që Jezusi e kishte profetizuar. Kur ua them këtë vëllezërve të mi kristianë, disa nga ta përgjigjen duke thenë se ajo çka Jezusi ka dashur të thotë është se ai do të shkojë për një kohë, dhe jo se ai do të jetë në zemrën e tokës për tri ditë dhe tri netë. Kjo absolutisht nuk është kështu. Po qe se Jezusi do ta mendonte këtë kështu, ai do ta thoshte ashtu, por është e qartë se ai dëshëronte që njerëzit të dijnë se kjo ishte shenja (mrekullia) dhe se kjo do të ishte sikur shenja e Jonait, dhe se ai do të qëndronte në zemrën e tokës për tri ditë dhe tri netë. Këto ishin fjalët e tij sipas Biblës.
Përse do të duhej Jezusi të vdiste në Kryq?
Sipas doktrinës kristiane Jezui vdiq në kryq si sakrificë për mëkatet tona. Sipas kësaj ideje çdo njeri është i lindur me mëkate apo secili njeri do të mëkatojë dhe prandaj ishte e nevojshme që dikush i pastër si Jezusi të kryqëzohej për t’i asgjësuar këto mëkate. Shtrohet pyetja: përse duhet dikush të vdesë për mëkatet tona kur Perëndia, i Gjithëmëshirshmi mundet shumë lehtë të na japë falje nëse ne e kërkojmë këtë? A nuk është Zoti ai që i bën rregullat? Përse do ta bënte Ai dikë që të vuajë për mëkatet tona apo për mëkatet e dikuj tjetër? A nuk do të ishte kjo padrejtësi nga ana e Tij. Sipas Biblës rruga deri në falje-shëlbim mund të arrihet pa nevojën e ndonjë sacrifice. Bibla thotë:
Ezekieli 18:20 Shpirti që mëkaton do të vdesë, i biri nuk do të mbartë paudhësinë e atit dhe ati nuk do të mbartë paudhësinë e birit; drejtësia e të drejtit do të jetë mbi të, pabesia e të pabesit do të bien mbi të.
Ezekiel 18:21 Në rast se i pabesi largohet nga të gjitha mëkatet që kryente, në rast se respekton të gjitha statutet e mija dhe zbaton barazinë dhe drejtësinë, ai me siguri ka për të jetuar; nuk ka për të vdekur.
Qartë, shpirti që mëkaton do të vdesë. Është e qartë se askush nuk do ti bartë ligësitë (mëkatet) e tjetrit. Kështuqë as Jezusi nuk mund ti bartë mëkatet e të tjerëve. Nëse dikush është i drejtë atëherë kjo drejtësi do të jetë e tij, dhe nëse dikush bën mëkat atëherë ky mëkat do të jetë mbi të, dhe jo mbi Jezusin. Përfundimisht, rruga e pendimit dhe faljes është largimi nga mëkatet, kryerja e drejtësisë dhe mbajtja e urdhëresave.
Të njëjtën gjë e shohim në mesazhin e dhënë nga Solomoni. Ai thotë në librin e Predikuesit 12:13 ‘Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: “Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut”’. Ky është mesazhi i tërësishëm dhe ky është përfundimi i mesazhit. Ky është se njeriu duhet të ketë frikë Perëndinë, dhe duhet të mbajë urdhëresat, dhe asgjë tjetër.
Sërish tek libri 2 i Kronikave 7:14 ‘në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t`i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij’. Kjo qartë e tregon se për të kërkuar faljen nga Zoti ne duhet të jemi të përulur, të lutemi dhe ta kërkojmë Perëndinë, dhe të largohemi nga të këqijat.
Përfundimisht Bibla thotë tek libri 1 i Samuelit 15:22 ‘Samueli i tha: “Ndoshta i pëlqejnë Zotit olokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve.’ Shumë bindshëm këtu shihet se bindja ndaj Zotit është më e mirë se sakrifica, qoftë kjo sakrificë objekt, kafshë apo njeri, apo diçka tjetër. Ajo çka Zoti do është që të jemi të vëmendshëm dhe t’i bindemi Atij., dhe nëse kjo është ajo që Zoti dëshëron atëherë nuk është e logjikshme për Të të vijë më vonë dhe t’a ndërrojë mendjen e Tij, dhe t’i ndërrojë rrugët e Tij. Zoti thotë në Kur’anin e shenjtë ‘Njëmend Zoti është i Gjithëdijshëm, i Urtë’ (9:28).
Tani pasi që e kemi parë këtë, të krishterët thonë se Jezusi i ka ndërruar disa nga këto ligje. Le të shohim se çka thotë Jezusi. Tek Ungjilli sipas Mateut 5:17 `Mos mendoni se unë erdha për të shfuqizuar ligjin ose profetët; unë nuk erdha për t`i shfuqizuar, po për t`i plotësuar’ . Jezusi qartë e thotë se ai nuk është dërguar për ta shfuqizuar ligjin, atë ligj që veçse ekzistonte. Kështuqë ajo që është përmendur më lartë nuk mund të përulet apo anashkalohet. Pastaj Jezui vazhdon dhe thotë, tek Mateu 5:18-19 ‘Sepse në të vërtetë ju them: Deri sa qielli dhe toka, të kalojnë asnjë jotë a asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë, para se të plotësohet gjithçka. Ai, pra, që do të shkelë një nga këto urdhërime më të vogla, dhe do t`u ketë mësuar kështu njerëzve, do të quhet më i vogli në mbretërinë e qiejve; kurse ai që do t`i vërë në praktikë dhe do t`ua mësojë të tjerëve, do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve. Këtu Jezusi thotë se as edhe një pikë e vetme nuk do ti shmanget ligjit. Çdo gjë do të mbahet ashtu si ka qenë. Për këtë arsye ligjet e mëhershme nuk mund të largohen apo të shpallen të pavlevshme, dhe ai i cili me vetëdije i ndërron këto ligje ‘do të quhet më i vogli në mbretërinë e qiejve’.