Mundësia e atribuimit të autorësisë së Kur’anit arabëve
A është Muhamedi autor i Kur’anit?
A është Kur’ani kopje e burimeve hebreo-kristiane?
Kur’ani – Fjala e Përjetshme e Zotit drejtuar njerëzimit
# Përmendja e Hamanit – një fakt historik i gjetur shumë shekuj pas Muhamedit
# Qyteti antik i Iremit i përmendur në Kur’an dhe i zbuluar në shekullin XX
# Profecia Kur’anore rreth hyrjes në Mekë
# Profecia rreth fitores së Bizantit
Kur’ani ësht padyshim nga Allahu
Në një periudhë të caktuar të jetës së vet shumë njerëz e sfidojnë vërtetësinë e besimit të tyre pa marrë parasysh cilit religjion i kanë takuar tradicionalisht dhe kështu i qasen studimit të besimeve tjera. Edhe Islami dhe muslimanët nuk do të duhej të paraqesin ndonjë përjashtim. Aq më tepër kur Kur’ani thërret jo për një besim të verbër por për një përkushtim të argumentuar.
Atëherë kush është autori i Kur’anit? A është ai vetëm një përmbledhje e bazuar në shkrimet e shenjta të mëhershme? A është një libër i shkruar nga Muhamedi dhe qëllimisht i atribuar Perëndisë? Ose thënë troç përse do të duhej të besonim se Kur’ani është Fjalë e Zotit?
Në mënyrë të përmbledhur ekzistojnë vetëm tri mundësi rreth autorësisë së Kur’anit:
Ai u shkrua nga Arabët dhe më vonë mori formën që ka tani.
- Ai u shkrua nga Muhamedi për qëllime qoftë materiale, qoftë të pushtetit, qoftë tjera, dhe
Ai është Fjalë e Shpallur e Allahut – Zotit të Vetëm të Vërtetë.
Mundësia e atribuimit të autorësisë së Kur’anit arabëve
Në qarqet apolegjetike kristiane dhe më gjërë midis disa orientalistëve për një kohë të gjatë ka qarkulluar hipoteza se Kur’ani gjatë jetës së Muhamedit kurrë nuk kishte ekzistuar si një libër ashtu siç e kemi sot, por u shkrua për një kohë të gjatë nga arabët si shkoqitje e mësimeve, qoftë të Muhamedit qoftë të tjera, dhe tek disa shekuj më vonë mori formën e tashme që ka duke iu atribuar Allahut nëpërmjet Muhamedit.
Kësaj hipoteze përveç entuziazmit për të mbushur faqe të tëra librash me qëllim misionarizmi i mungon gjithçka tjetër, e para së gjithash faktet.
E para, nuk ka as edhe një argument të vetëm gjatë gjithë historisë për ndonjë person që ka pohuar për vete autorësinë e Kur’anit, ose për ndonjë grup njerëzisht që e kishin redaktuar apo përgatitur ndonjë shkrim që do ta përbënte Kur’anin. Dhe gjëra të tilla nuk do të mund të mbaheshin fshehur.
Pastaj, është mirë e njohur dhe e dokumentuar nga historia se që nga fillet e Islamit me Muhamedin muslimanët përherë kishin mbajtur besimin se Kur’ani në formë të njëjtë sikur është sot ishte një shpallje nga Perëndia. Sikur të ishte ndryshe do të ekzistonin gjurmë fraksionesh në histori që do të pohonin ndryshe. Pastaj prapë, do të ekzistonin së paku një dyzinë verzionesh të Kur’anit po qe se e besojme supozimin se ai u përmblodh në një periudhë më të vonshme se koha e Muhamedit apo besimtarëve të parë.
Dhe më e rëndësishmja, fakti që nuk lë fije dyshimi në pavëretetësinë e këtij argumenti është zingjiri i besueshëm i transmetimit të Kur’anit i cili shkon deri tek vetë Muhamedi. Dhe ekzistojnë manuskripte të cilat datojnë qysh në dekadat e para të Islamit dhe të cilat janë plotësisht identike me ato që kemi sot. Pastaj është mirë e dokumentuar se Kur’ani u shkrua gjatë jetës së vetë Muhamedit dhe u përhap si i tillë nga vetë nxënësit e Muhamedit. Për më tepër, sikur asnjë libër tjetër në botë ai u ruajt me anë të mbamendjes qysh nga koha e shpalljes së ajeteve të para, dhe gjatë kohës së përhapjes së Kur’anit gjithmonë kishte përputhje 100 përqindëshe midis Kur’anit të transmetuar nëpërmjet mbamendjes dhe atij të shkruar.
Prandaj kjo teori është tepër joserioze për t’u konsideruar si e vërtetë.
A është Muhamedi autor i Kur’anit?
Teoria më e përpahur midis jomuslimanëve është ajo se Muhamedi është autor i Kur’anit.
Janë dhënë shumë arsye përse Muhamedi mund të ishte autor i Kur’anit:
– përfitimi material
– dëshira për pushtet
– bashkimi i arabëve
– kopjimi nga burimet hebreo-kristiane, etj
Për ata që e njohin mënyrën e të jetuarit të Muhamedit vetëm aludimi në përfitimin material është një ofendim i rëndë. Deri në detaje është përshkruar në dokumentet historike mënyra e tij e të jetuarit si para profetësisë poashtu edhe më pas deri në vdekjen e tij. Ai ishte një njeri që të magjepste me pasurinë e tij shpirtërore por që gjithnjë mbeti materialisht i varfër. Transmetohet që shpeshherë ushqimi i tij i vetëm ditor ishin ca hurma. Për më tepër pozita e tij financiare ishte shumë më e mirë para se të fillonte misionin e profetësisë se sa në periudhën tjetër derisa vdiq. Kur ai filloi të thërriste arabët tek Zoti i Vetëm i Vërtetë ata i premtuam gjithçka vetëm të hiqte dorë nga ky mision. I premtuan pasuri të pafundme, gratë më të bukura, pozitën më të lartë. Por ja çfarë ishte përgjegja e tij: “Sikur të me jepni hënën në krahun e majtë dhe diellin në krahun e djathtë unë nuk do të heq dorë nga thirrja e Allahut”. Çfarë nënshtrimi prekës! Në një rast disa nga gratë e tij u ankuan për gjendjen e tij financiare. Pejgamberi u shqetësua nga ky trazim. Atëherë u shpallën ajetet Kur’anore:
“O ti Pejgamber, thuaju grave tuaja: “Në qoftë se lakmoni jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj, atëherë ejani: unë po ju jap furnizimin (për lëshim) dhe po ju lëshoj ashtu si është e rrugës. E në qoftë se e doni All-llahun, të dërguarin e Tij dhe botën tjetër, atëherë të jeni të sigurta se All-llahu ka përgatiur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë punë të mira.” (Kur’ani 33:28-29)
Omeri, njëri nga as-habët, e përshkruan dhomën e Muhamedit si një kthinë skajshmërisht të vobektë: me krejt tri lëkura të thara bagëtie për shtrirje dhe vetëm një grusht elb diku në qoshe për ushqim. Omeri u trazua nga kjo, por Pejgamberi iu përgjegj: “O Omer akoma vazhdon të dyshosh në këtë gjë? Qetësia dhe rehatia në botën e përjetshme janë shumë më të mira se sa rehatia në këtë botë…”. Kështuqë ai gjithmonë mbeti një shërbyes i denjë i Allahut i cili nuk kishte as edhe një grimë dashurie për pasurinë e kësaj bote.
E as edhe për pushtet. Ai për vite të tëra përjetoi poshtërimin nga arabët kur shumë lehtë mund të ishte udhëheqësi i tyre pasi që ata vetë ia kishin ofruar këtë gjë. E edhe kur arriti të bëhej udhëheqësi i tërë bashkësisë së besimtarëve mbeti po i njëjti. Një besimtar modest i përkushtuar i cili nuk e dallonte veten në asnjë mënyrë nga ndonjë besimtar tjetër i thjeshtë. Vendimet që i merrte ishin në këshillim me besimtarët dhe as edhe një herë të vetme nuk u vërejt mania e pushtetit. I pranonte edhe kritikat megjithë madhështinë e tij si person. Ishte lutur që varri i tij dhe personi i tij të mos ktheheshin në idhull pas vdekjes së tij. Nuk linte njerëzit që të ngriheshin në këmbë si shenjë respekti ndaj tij. Thjeshtë ishte vetëm njëri ndër besimtarët, me të vetmen epërsi se e përcillte mesazhin e Zotit tek të tjerët.
As edhe bashkimi i arabëve nuk mund të thuhet se ishte qëllimi i tij sepse ideja që qëndron në thelb të Kur’anit është një bashkim i njerëzve nën ombrellën e Allahut pa dallim ngjyre, race apo kombi. Kështuqë të pohosh se Muhamedi kishte për qëllim arritjen e pushtetit, lavdisë, apo bashkimin e arabëve nëpërmjet të shkruarit të Kur’anit dhe atribuimin e tij Allahut, është një naivitet i paskrupullt. Ai kishte pasur raste të padyshimta për ti arritur tërë këto pa Kur’anin. E edhe me Kur’anin ai nuk tregoi as edhe një shenjë të vockël të ndonjë qëllimi të ndërlidhur me ato pozicione.
A është Kur’ani kopje e burimeve hebreo-kristiane?
Një ndër akuzat më të rëndomta rreth autorësisë së Kur’anit është se ai u kopjua qëllimisht nga Muhamedi prej shkrimeve hebreo-kristiane. Faktikisht kjo akuzë është ripërtëritje e pohimeve të vjetra pagane të kohës së Profetit Muhamed, megjithqë në një formë tjetër:
“Edhe thanë: “(për Kur’anin) Janë legjenda të të parëve, që ai (Muhammedi) kërkoi t’i shkruhen ato, e i lexohen atij mëngjes e mbrëmje”” (Kur’ani 25:5)
Sipas logjikës së kësaj akuze duke qenë se Kur’ani flet për shumë ngjarje të cilat përmenden gjithashtu edhe në Bibël ky u dashka të jetë një kopje e saj. Mirëpo kjo akuzë është fare e paargumentuar. Pikë së pari ngjashmëria nuk do të thotë medoemos kopjim. Allahu e bën të qartë në Kur’an se mesazhi që ai po shpallte nëpërmjet Muhamedit nuk ishte diçka e re, por ishte vetëm një vazhdim i zingjirit të mëhershëm të porosive dhënë nga Zoti nëpërmjet profetëve.
”Ne të frymëzuam ty me shpallje sikurse e patëm frymëzuar Nuhun dhe pejgamberët pas tij; e patëm frymëzuar Ibrahimin, Ismajlin, Is’hakun, Jakubin dhe pasardhësit e tij, Isain, Ejubin, Junusin, Harunin, Sulejmanin, e Davudit i patëm dhënë Zeburin” (4:163).
Ky mësim i Kur’anit dallon thelbësisht nga qëllimi i planit biblik të komunikimit të Perëndisë me njerëzimin. Kur’ani pohon në një mori rastesh se Allahu vazhdimisht i thirri njerëzit tek Ai duke dërguar profetë dhe thirrës tek secili popull i faqes së dheut në kohëra të ndryshme.
“E sa pejgamberë kemi dërguar te popujt e lashtë?!” (Kur’ani 43:6)
“Ne kemi dërguar (pejgamberë) edhe te popujt para teje” (Kur’ani 6:42)
“Secili popull kishte të dërguarin e vet” (Kur’ani 10:47)
Është e natyrshme që mesazhi i gjithë këtyre profetëve ishte i njëjtë duke qenë se ata vinin nga Zoti i njëjtë dhe tash pasi që në Bibël kanë mbetur gjurmë të mesazhit të vërtetë të përcjellë nga profetët, nuk është aspak e çuditshme nëse edhe në Kur’an gjejmë paralelizma me ngjarje të caktuara. Akuza se Kur’ani është kopje e Biblës vetëm pse të dy librat flasin për disa ngjarje të njëjta është shumë naïve. Nëse arsyetojmë kështu atëherë na del psh se edhe Bibla është kopje e gojëdhënave dhe burimeve të vjetra Mesopotamike apo të tjera, duke qenë se në këto burime më të vjetra se Bibla flitet gjithashtu për konceptin e një Perëndie të Vetëm dhe poashtu bie fjala konkretisht flitet për përmbytjen e madhe. Ka edhe plot shembuj të tjerë të paralelizmave midis Biblës dhe burimeve të vjetra pagane apo të tjera. Mangësia tjetër e kësaj akuze qëndron në faktin se megjithë qindra faqe studimesh të shkruara në këtë drejtim kurrë nuk është gjetur cili ishte personi misterioz nga i cili Muhamedi mësoi Biblën apo mësimet hebreo-kristiane për ti kyqur pastaj ato në Kur’an, për arsyen e thjeshtë se një person apo grup personash të tillë nuk ekzistonin. Pastaj Muhamedi ishte analfabet dhe nuk me këtë bie edhe hipoteza se ai kishte lexuar diçka nga burimet e supozuara.
Jologjikshmëria tjetër e kësaj akuze është se megjithqë në disa raste Kur’ani flet për ngjarje të njëjta me Biblën, ato në asnjë mënyrë nuk janë identike por ndërrojnë thelbësisht. Pastaj ky edhe ishte misioni themelor i Muhamedit: që të përmirësonte mesazhin e Zotit i cili ishte korruptuar deri atëherë.
Bie fjala në konceptin Kur’anor për Zotin nuk gjenden as edhe në një rast të vetëm mangësitë të cilat vërehen në një mori rastesh në Bibël. Koncepti Biblik për Allahun është sikur Ai të ishte një Perëndi vetëm i Izraelit ndërsa Kur’ani nuk e quan asnjëherë Allahun Zot vetëm të Kurejshitëve apo vetëm të Arabëve. Sipas Kur’anit pra Allahu komunikoi gjatë kohërave me tërë njerëzimin dhe jo vetëm me hebrenjtë. Sipas Biblës Zoti ndonjëherë edhe pendohet për atë që ka bërë. Ai faktikisht sipas Zanafillës 6:6 u pendua që krijoi njerëzimin. Pendimi implikon jopërsosshmërinë dhe mosposedimin e njohurisë për të ardhmen. Zoti i përshkruar në Kur’an është një Zot i përsosur dhe gjithashtu në rastin specifik Ai nuk do të pendohej kurrë për krijimin e njerëzimit sepse ky nuk ishte një krijim i rastësishëm por i planifikuar. Zoti sipas Biblës në disa raste është përshkruar si një Perëndi që ka frikë nga fuqia e njerëzve (Zanafilla 3:22-24). Zanafilla 11:5-9 përshkruan ngatërrimin e gjuhëve të njerëzve në kohën e ndërtimit të kullës së Babelit gjoja nga frika e Zotit se njerëzit nuk do ti ndalte tanimë asgjë nga ‘ajo që ata kanë ndërmend të bëjnë’. Mandej koncepti Biblik për mëkatin dhe shpëtimin është krejt i ndryshëm nga ai i Kur’anit. Përderisa Bibla tërë barrën e mëkatit të njerëzimit ia vë Evës (Zanafilla 3:12-17) dhe pastaj Pali e akuzon gruan si fajtore të rënies në mëkat (duke e përmendur ironikisht se ”nuk u gënjye Adami, por gruaja u gënjye dhe ra në shkelje” 1 Timoteu 2:14), Kur’ani e përmend se ngrënia nga pema e ndaluar ishte gabim i përbashkët i Ademit dhe Havës (Kur’ani 2:36), dhe ky nuk ishte një infektim i përgjithshëm i njerëzimit me mëkat sepse këta të dy u penduan (Kur’ani 7:23) dhe dallimi i njohjes të së keqes nga e mira ishte një veti e planifikuar më herët për njerëzit. Vendosja e njerëzimit në Tokë nuk ishte siç pohon Bibla dënim për shkak të mëkatit fillestar (Zanafilla 3), por ishte plan i paracaktuar nga Allahu më herët (Kur’ani 2:30). Edhe shpëtimi sipas Kur’anit mbërrihet me nënshtrim Allahut dhe me mëshirën e Tij bashkë me besimin në Të e jo me derdhjen e gjakut të ndokuj.
Këto ishin vetëm disa nga dallimet, përndryshe raste të tilla janë të shumta. Teoria e kopjimit të Kur’anit nga Bibla zbehet edhe më shumë nga prania në Kur’an e rrëfimeve të cilat nuk gjenden në Bibël; si psh ngjarjet nga populli i Adit dhe Themudit sikur edhe një mori tjetër ngjarjesh të ndërlidhura për profetët, disa nga ta të panjohur për Biblën. Mohimit të teorisë se Kur’ani është kopje e Biblës përfundimisht i jep vulë fakti se Kur’ani nuk përmbanë disa nga gabimet historike të cilat janë evidente në Bibël por për më tepër i përmirëson ato.
Për shembull në mënyrë të vazhdueshme Bibla i quan sunduesit e kohës së Abrahamit (Zanafilla 12:17, Zanafilla 12:20 etj) dhe Jozefit (Zanafilla 41:14, Zanafilla 41:46 dhe dhjetëra raste të tjera) me titullin ‘faraon’ ndërsa gjetjet e reja arkeologjike na bëjnë të njohur se termi ‘faraon’ ishte përdorur vetëm gjatë kohës së profetit Mojsi e këtej. Kur’ani as edhe një herë të vetme nuk e quan sunduesin e kohës së profetit Abraham apo Jozef me titullin faraon. Në një mori rastesh bie fjala gjatë tregimit të ngjarjeve të profetit Jozef është përdorur titulli ‘mbreti’ (i Egjiptit’) e jo faraoni (Kur’ani 12:43, 12:72, 12:76 etj). Kjo nuk është rastësi sepse në rastin e Mojsiut Kur’ani frekuentisht e përdorë termin ‘faraon’ për t’iu adresuar sundimtarit të Egjiptit (Kur’ani 7:104, 11:97, 44:31, 50:13, 69:9, 79:17-25 etj etj). Ky gabim i Biblës është i sqarueshëm me faktin se në kohën kur po shkruheshin rrëfimet e tilla Biblike, shumë kohë pas Mojsiut, autorët i njihnin sundimtarët e Egjiptit me emrin ‘faraon’ ndërsa nuk e kishin të njohur se në kohën kur kishin ndodhur rrëfimet termi ‘faraon’ as që ekzistonte në atë kuptim. Por si e dinte Kur’ani një gjë të tillë? Në kohën e Muhamedit nuk ekzistonte bagazhi arkeologjik që e nxorri në dritë këtë fakt. Kjo e dokumenton më së miri origjinën hyjnore të Kur’anit dhe naivitetin e pohimit se Kur’ani është kopje e Biblës. Po qe se Kur’ani do të ishte bazuar në Bibël ai do të trashëgonte edhe gabimet e Biblës gjithashtu.
Kur’ani – Fjala e Përjetshme e Zotit drejtuar njerëzimit
Dallimi më i madh midis Kur’anit dhe cilitdo libër tjetër të shenjtë të ndonjë besimi specifik qëndron në atë se Kur’ani vazhdimisht e pohon origjinën e tij hyjnore nga Zoti i Botës.Ekzistojnë një mori shembujsh të tillë:
“Është e vërtetë se All-llahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe sheriatin, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur.” (Kur’ani 3:164)
“A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur’anin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej All-llahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.” (Kur’ani 4:82)
“Ne të zbritëm ty (Muhammed) librin (Kur’anin) me plot të vërteta, që të gjykosh mes njerëzve me atë që të mësoi All-llahu” (Kur’ani 4:105)
“O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kur’ani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët” (Kur’ani 10:57)
“Ne nuk ta shpallëm ty për tjetër Kur’anin, vetëm që t’u sqarosh atyre atë për çka u përçanë, e (ta zbritëm) që të jetë udhëzim e mëshirë për njerëzit që besojnë.” (Kur’ani 16:64)
Ajetet e tilla janë me shumicë. Pothuajse çdo sure e Kur’anit e përmbanë pohimin për vulën e autorësisë së Allahut. Dhe Ai jo vetëm që e shpalli Kur’anin por edhe duke qenë se ai duhej të mbetej si mesazh njerëzimit deri në fundin e kohës, ai duhej të ruhej ashtu siç ishte shpallur prandaj edhe premtimi i Tij është i mrekullueshëm:
“Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.” (Kur’ani 15:9)
Çdo fjalë e Kur’anit dhe e jetës së Muhamedit e dëshmon prejardhjen e Tij Hyjnore. Karakteri i sinqertë i Muhamedit nuk lë asnjë fije dyshimi për sinqeritetin e tij në të pohuarit se Kur’ani është fjalë e Allahut. Ai veçse kishte qenë i njohur si ‘i besueshmi-i sinqerti’ edhe para se të thirrej për Profet. Edhe armiqtë e tij më të mëdhenj e pranonin çiltërsinë e personalitetit të tij.
Megjithqë nuk ka nevojë për asnjë dëshmi më tepër se sa Fjala e Vetë Zotit që e konfirmon origjinën hyjnore të Kur’anit, sikur edhe karakteri i dëlirë i Profetit Muhamed i cili na e përcolli atë, ne do ti përmendim edhe disa fakte të tjera të cilat e bëjnë të besueshëm Kur’anin si të ardhur nga Zoti.
Më herët veçse janë përmendur disa raste ku Kur’ani nuk trashëgoi gabime nga Bibla por e kishte përmirësuar atë, gjë që e dëshmon origjinën hyjnore të Kur’anit, ndërsa tash do të përmendim edhe disa fakte të tjera të cilat nuk kishte kurrfarë gjase që Muhamedi ti dinte apo ti parashikonte po të ishte një mashtrues dhe jo Profet i Zotit.
# Përmendja e Hamanit – një fakt historik i gjetur shumë shekuj pas Muhamedit
Megjithqë Bibla na jep një histori të detajuar të Profetit Mojsi ajo në asnjë rast nuk e përmend Hamanin, një titull apo person ky i përmendur disa herë në Kur’an si dikush i afërt me faraonin e kohës së Musaut a.s. i cili kishte ndihmuar në kryerjen e ndërtimeve të bëra atëbotë në Egjipt. Kjo gjë ishte tërësisht e panjohur për historianët dhe egjiptologët deri me zbulimin e disa materialeve të vjetra të kohës së Egjiptit antik dhe deri me arritjen e zbulimit të domethënies së hieroglifeve. Deshifrimi i hieroglifeve e bëri të njohur përmendjen e emrit “Haman” në dorëshkrimet egjiptiane. Ky emër gjendet në monumentin e muzeut Hof Museum në Vjenë. Në fjalorin “Njerëzit në mbretërinë e re”, i cili u përgatit duke u bazuar mbi tërë përmbledhjet e dorëshkrimeve, përmendet se Hamani ka qenë “përgjegjës i punëtorëve të cilët nxirrnin shkëmbinj”.[1] Është e mrekullueshme se si kjo përputhet saktësisht me atë që thuhet në Kur’an:
“Faraoni tha: “O ju krerët e popullit! Unë nuk di të keni ndonjë zot tjetër përveç meje, ndaj ti o Haman, prodho për mua tulla, duke pjekur baltën dhe ndërtomë një kullë të lartë, ndoshta do të arrij të shoh Zotin e Musait, megjithëse unë mendoj se në të vërtetë ai është gënjeshtar.” (28:38)
Prandaj është marrëzi të pohosh se Muhamedi e kopjoi Kur’anin nga Bibla kur një gjë e tillë as që përmendet në Bibël, sikundër edhe është marrëzi të pohosh se Muhamedi dinte gjithë ato gjetje arkeologjike dhe leximin e hieroglifeve, gjëra këto të njohura tek në shekujt e tashëm të vonshëm.
Faktikisht kjo e dëshmon dijen e përsosur të Allahut të përmbajtur në Fjalën e Tij në Kur’an.
# Qyteti antik i Iremit i përmendur në Kur’an dhe i zbuluar në shekullin XX
Në suren 89 të Kur’anit Allahu përmend një popull dhe një qytet tërësisht të
panjohur për historinë e deri disa dekadave më parë:
“A nuk e di ti se ç’bëri Zoti yt me Ad-in? Me banorët e Iremit me ndërtesa të larta?..” (Kur’ani 89:6-7)
Deri në vitet e shtatëdhjeta të shekullit XX ky qytet ishte inekzsitent për historinë. Mirëpo në atë kohë gjatë gërmimeve në Siri u zbulua një qytet i quajtur Elba. Qyteti besohet të jetë nja 43 shekuj i vjetër dhe gjëja më e mrekullueshme është se në disa nga pllakat e gjetur në mbeturinat e këtij qyteti përmenden emrat e qyteteve me të cilat Elba kishte pasur kontakte tregtie. Dhe Iremi është një ndër qytetet. Prandaj është mrekulli se si në shekullin e shtatë kur po shpallej Kur’ani dhe kur nuk dihej asgjë rreth këtij qyteti të vdekur, përmendet me emër Iremi.
# Profecia Kur’anore rreth hyrjes në Mekë
Origjinën Hyjnore të Kur’anit e dëshmojnë edhe profecitë e bëra aty të cilat saktësisht u përmbushën.
Në Kur’an 48:27 besimtarët përgëzohen se do të hyjnë në Mekë e cila ishte nën sundimin e paganëve, dhe disa kohë më vonë ndodhi pikërisht ashtu siç ishte profetizuar:
“Zoti e vërtetoi ëndrrën e të dërguarit të Tij. Me dëshirën dhe vullnetin e Zotit, ju do të hyni në xhaminë e shenjtë (në Qabe) të siguruar, me flokë të rruar apo të shkurtuar, pa iu frikësuar askujt. Ai di atë çka ju nuk e dini dhe para saj ju dha një fitore të afërt (çlirimi i Hajberit).” (Kur’ani 48:27)
# Profecia rreth fitores së Bizantit
Një profeci tjetër e cila gjithashtu u përmbush mrekullisht është ajo rreth fitores së Bizantit e bërë në kohën kur jo vetëm që nuk kishte as edhe një shenjë të vockël se do të ndodhte ashtu siç po profetizohej por në atë kohë në fakt Bizanti sapo kishte pësuar një humbje të thellë. Kështu rreth vitit 620 pas Isait u shpallën këto ajete Kur’anore:
“Bizantinët (romakët) u mundën, në tokën më të ulët (afërt), por pas disfatës së tyre, ata do të triumfojnë brenda pak viteve.” (Kur’ani 30:1-3)
Gjithçka tregonte për një shkatërrim të përjetshëm të Bizantit dhe të përmendësh një fitore për të ishte diçka shumë e palogjikshme në atë kohë, por Zoti i cili është njohës i të tashmes dhe të ardhmes e di më së miri. Ndodhi që rreth shtatë vite pas thënies së kësaj profecie Perandoria Bizantine njëmend fitoi pas një beteje të përgjakshme me Persët. Këta të fundit u detyruan të bëjnë një marrëveshje me Bizantinët dhe ti kthejnë tokat e pushtuara më herët. Fjala e Allahut edhe një herë u bë realitet.
Kur’ani ësht padyshim nga Allahu
Ka edhe mjaft argumente të tjera të cilat dëshmojnë se padyshim Kur’ani vie nga Allahu dhe jo nga dikush tjetër. Kah fundi i Kur’anit (Sureja 111) ekziston një sure e cila i kushtohet xhaxhait të Profetit Muhamed, Ebu Lehebit, dhe gruas së tij. Aty në mënyrë kategorike është thënë se Ebu Lehebi do të digjej në zjarrin e ferrit, pra nuk do të pranonte Islamin. Kjo ishte thënë rreth 10 vite para vdekjes së Ebu Lehebit dhe ai shumë lehtë mund ta pranonte Islamin për sy e faqe vetëm për ta diskredituar Profetin Muhamed, por kjo kurrë nuk u bë sepse ato fjalë nga surja 111 ishin thënë nga Krijuesi i Botërave i cili di çdo gjë dhe ato nuk mund të zhbëheshin në asnjë mënyrë.
Prandaj është koha e fundit që seriozisht ti marrim në konsideratë fjalët e Allahut:
“Ata thanë: “Përse të mos i ketë zbritur atij një mrekulli nga Zoti i tij?” Thuaj: “Çështja e mrekullive është vetëm në duar të All-llahut, e unë nuk jam tjetër pos tërheqës i vërejtjes dhe shpjegues. Po a nuk u mjaftoi atyre që Ne ta shpallëm librin, i cili u lexohet atyre, e s’ka dyshim se kjo është dhuratë e përkujtim për njerëzit që duan të besojnë” (Kur’ani 29:50-51)
“Është e vërtetë se All-llahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe sheriatin, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur.” (Kur’ani 3:164)
[1] Harun Yahya në “Mrekullitë e Kur’anit”
Nga: Halil IBRAHIMI