A ISHTE MUHAMEDI “PEDOFIL” ?

A ISHTE MUHAMEDI “PEDOFIL” ?

Muhamedin s.a.v.s., e akuzuan për pedofili kur u ma­rtua me Ajshen, derisa ajo ishte e re .

Pikë së pari traditat që thonë se Muhamedi e martoi Aishen kur ajo ishte në moshën nëntë vjeçare nuk janë traditat e vetme në historinë e hadithit apo narracioneve. Tradita të tjera lënë të kuptojnë se kjo martesë ndodhi kur Ajshja r.a. i kishte 14, 17, 18 apo më shumë vite. Sido që të jetë, nga cilido këndvështrim i burimeve që të shikohet nuk ka asnjë bazë të vetme që Muhamedi s.a.v.s., të akuzohet për diçka.

Kur i bëjnë akuzat e sipërpërmendura gjithmonë i shmangen transmetimeve të tjera sipas të cilave martesa e Muhamedit s.a.v.s. me Ajshen r.a. u bë në moshë shumë më të shtyrë se mosha 9 vjeçare për Ajshen.

Nëse marrim mendimin tjetër të studiuesve të historisë dhe ju referohemi analizave, fakteve historike, dhe përllogaritje të ndryshme si dhe duke i shikuar me sy kritik hadithet  që flasin për këtë temë, pohojnë se mosha reale e Ajshes r.a. kur u martua ishte 14, 17,18 apo më shumë vite. Si p.sh.:

  1. Sipas traditës Ajshja r.a. kishte lindur tetë vite para Hixhretit, mirëpo Buhariu në një vend raporton për Ajshen r.a. të ketë thënë se ajo ishte një çupë e vogël kur u shpall surja 54 e Kur’anit, ndërsa dihet se kjo sure u shpall nëntë vite para Hixhretit. Pra sipas këtij transmetimi Ajshja jo vetëm që kishte lindur para shpalljes së sures por kur kjo kaptinë u shpall ajo ishte vajzë e re (jariah) e jo fëmijë (sibyah).
  2. Sipas gati të gjitha transmetimeve dhe historianëve Esma motra e Ajshes ishte dhjetë vite më e vjetër se Aishja. Është raportuar[1]se Esma vdiq në vitin 73 të hixhrit në moshën 100 vjeçare. Tash është e qartë se nëse Esma në vitin 73 të hixhrit i kishte 100 vjetë, ajo do ti ketë pasur 27 apo 28 vite në kohën e hixhrit (rreth së cilës datë sillet martesa e Muhamedit me Ajshen). E nëse Esma ishte atëbotë 27 apo 28 vjetë e vjetër, Ajshja e cila i kishte 10 vite më pak duhej të ishte 17 apo 18 vjeçare. Kësthu që nëse Ajsha u martua me Muhamedin në vitin 1 ose 2 pas hixhrit siç thonë të gjitha traditat ajo do të ketë qenë të paktën 18 –19 vjeçare në atë kohë.
  3. Tabariu në trajtimin e tij të historisë Islame përmendë se Ebu Bekri r.a. i ati i Ajshes r.a. i kishte katër fëmijë dhe që të gjithë i kishin lindur në kohën e Xhahilijetit (para shpalljes së Muhamedit për pejgamber) dhe nëse Ajshja kishte lindur në periudhën e Xhahilijetit-Injorancës ajo kurrsesi nuk mund të ketë pasur më pak se 14 vite në vitin 1 të hixhrit kur sipas të gjitha gjasave ajo u martua me Pejgamberin s.a.v.s.
  4. Sipas ibn Hishamit Ajshja e pranoi islamin shumë kohë para se këtë ta bënte Omer ibn Hatabi r.a.. Duke pasur parasysh kohën kur ai e pranoi Islamin del se Ajsha r.a. e kishte bërë pranimin në vitin e parë të Islamit. Kështu që nëse transmetimet për martesën e Ajshes në moshën shtatë apo nëntë vjeqare janë të sakta Ajshja në vitin e pare të Islamit as që ishte e lindur.
  5. Sipas Ibn Haxharit Fatimeja ishte pesë vite më e vjetër se Aishja. Dihet se Fatimeja r.a. lindi në vitin e 35 të jetës së Pejgamberit s.a.v.s. Dhe tash kur i bëjmë llogaritjet e thjeshta del sërish se Ajshja në asnjë mënyrë nuk ka mundur të ketë më pak se 14 vite në kohën e hixhretit dhe më pak se 15 a 16 në kohën e Martesës së saj.[2]
  6. Kur Pejgamberi Muhammeda.v.s. e fejoi Ajshen r.a., ajo ishte në moshën e martesës. Këtë e dëshmon fakti se ai nuk ishte i pari që kishte kërkuar dorën e saj. Para tij, dorën e Ajshes e kishte kërkuar edhe Xhubejr b. Mut’im b. Adij. Ky fakt tregon se Ajsheja r.a edhe para se te fejohet me Muhamedin s.a.v.s ishte e rritur dhe kishte arritur moshën e pjekuris respektivisht moshën e fejesës/martesës.[3]
  7. Traditë e këtyre martesave kanë qenë të njohura ndër arabë[4]. Nëse lexojmë historinë, themi se Ajsheja nuk ka qenë vajza e parë që është martuar me dikë në moshë të babait të saj. P.sh. ditën kur u martua gjyshi i Pejgamberit s.a.v.s., Abdul Muttalibi, me Haleh-n, kushërirën e Aminës, nënës së Pejgamberit, po atë ditë qe martua edhe i ati i Pejgamberit a.s., Abdullahu, me Eminën, e cila ishte në moshën e Haleh-s. Pastaj, Omeri qe martuar me vajzën e Aliut, edhe pse diferenca në moshë ndërmjet tyre ishte si diferenca ndërmjet Pejgamberit dhe Aishes. Kështu veproi edhe Talha bin Ubejdullah me Ummu Kulthumin, vajzën e Ebu Bekrit. Në fakt, shembuj të kësaj natyre janë shumë.[5] [6]
  8. Sipas Imam Nedevijut në “Biografia e Aishes” fq.111 ai thotë: “Hazreti Ajsha ishte vejushë dhe ashtu qëndroi për 40 vjet”. Në fq.153 ai thotë: “Ditët e fundit të Kalifatit të Amir Muavijes ishin edhe ditët e fundit të jetës së hazreti Ajshes r.a. dhe mosha e saj në atë kohë ishte 67 vjeçare”. Nëse ne bëjme një përllogaritje duke hequr nga 67 atë 40 vjet të perudhës së vejushës dalim në përfundimin se hazreti Aishe i ka patur 27 vjet kur Pejgamberi Muhamed ndërroi jetë në vitin 11 të hixhretit (emigrimit). Keshtu, duke ditur periudhën e shpalljes prej 23 vitesh dalim në përfundimin se hazreti Ajshe ka lindur 4 vjet para shpalljes së Kuranit. Rrjedhimisht, mosha e hazreti Ajshes r.a. kur ka bërë Nikahun (martesën) në vitin e 10-të të revelatës duhet të ketë qenë 14-15 vjeçare. Sipas kësaj përllogaritjeje, konsumimi i Nikahut të hazreti Ajshes r.a. në vitin e 2-të të Hixhretit (emigrimit) duhet të ketë qenë kur ajo i ka patur 19-20 vjet.
  9. Autori i koleksionit të haditheve të titulluara “Mishkat El-Mesabijh”, Shk. Uahidudin, në librin e tij të famshëm “Ahmal fi Esmai Er-Rixhal” thotë: “Në kohën e konsumimit të martesës, hazreti Ajsha, ka qenë jo më e vogël se 18-19 vjeç”.[7]
  10. Një ngjarje tjetër e cila vërteton se Ajsha r.a. ka qenë moshe e rritur dhe e pjekur kur është martuar me Muhamedin s.a.v.s.,  është fakti se vet ajo kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe në luftën e Uhudit, me lejen e Muhamedit s.a.v.s. si ndihmëse për ushtarët musliman të plagosur, ku (si mjeke që ishte) tua kuroj plaget. Pastaj dihet fare mirë se Muhamedi s.a.v.s. kurrë nuk i kishte lejuar femijët (të miturit) të marrin pjesë në luftëra, bile as si ndihmësa apo bartësa. Transmeton Buhariu në koleksionin e tij, se kishin ardhur dy djelmosha që të kërkojnë nga Muhamedi s.a.v.s. leje që të shkojnë në luftë, e ai i kishte pyetur se sa vjeçarë ishin. Njëri tha 14, e tjetri tha se i kam 15 vjet. Muhamedi s.a.v.s. të parin nuk e lejoi, ndërsa e lejoi të dytin sepse kishte vërejtur tek ai shejat e pjekurisë. Krejt kjo vërteton edhe një herë, se Ajshja në atë kohë ka qenë moshërritur, e jo fëmijë, duke ditur se lufta e Bedrit ka ndodhur në vitin e  dytë të hixhretit, ndërsa Muhamedi a.s. u martua me Ajshen në vitin e parë të hixhretit.
  11. Një fakt tjetër që e tregon se martesa të tilla ishin normale në atë kohë, është se kur Haule bintu Hakim vajti dhe kërkoi dorën e Ajshes, as nëna e saj dhe as babai, Ebu Bekri, nuk shfaqën habi ose të shpreheshin se është e vogël. Vetë kurejshët dhe armiqtë e Pejgamberit s.a.v.s, nuk e akuzuan se është martuar me një fëmijë. Ata e akuzonin si të çmendur edhe pse nuk ishte i tillë, e akuzonin si magjistar, edhe pse e dinin se nuk ishte i tillë, e akuzonin si përçarës, edhe pse e dinin se nuk ishte i tillë, e akuzonin për fallxhor edhe pse e dinin se nuk ishte i tillë. Nëse martesa e Pejgamberit s.a.v.s me Ajshen r.a. do të ishte diçka e papranueshme për shoqërinë e asaj kohe, do e kishin akuzuar mekasit për këtë.
  12. Veç kësaj, vetë Ajsheja ndihej mirë me këtë martesë dhe kurrë nuk ka shfaqur shenja pakënaqësie.

Akuza të tillë për martesën e Pejgamberit s.a.v.s., me Ajshen r.a., janë dëgjuar vetëm para gjashtëdhjetë viteve.[8] Vetëm në shekullin e njëzetë është folur mbi këtë martesë të Pejgamberit s.a.v.s. Asnjë nga librat e mëparshëm nuk e kanë kritikuar Pejgamberin s.a.v.s., për martesën me Ajshen e re.

Veç sa përmendëm, duhet të mos harrojmë se traditat dhe zakonet ndryshojnë. Para njëzet vitesh, vajzat në Egjypt martoheshin në moshën 18-20 vjeçare. Vetëm pas njëzet vitesh, mosha e martesës është rritur në 25-30. Nëse ky ndryshim është vetëm brenda njëzet vitesh, ç’mund të themi pas një mijë e katërqind vitesh?[9]

Përfundimisht mund të themi se akuzat e bëra kundrejt Muhame­dit dhe martesës së tij me Ajshen u mungojnë dëshmitë themelore. Po të ishte martesa e tij me Ajshen diçka e pazakontë dhe e dyshimtë, do të kishte mospajtime si nga ithtarët e tij e aq më tepër nga kundërshtarët e tij.

Po të ishte kjo martesë diçka e jashtëligjshme dhe abu­zive siç duan ta paraqesin disa të krishterë, atëherë kundë­rshtarët e tij do ta përdornin këtë me gjithë qejf në luftën e tyre propaganduese kundër tij. Por diçka e tillë nuk është regjistruar asnjëherë.

SHKATHTËSIA DHE ZGJUARSIA E AJSHES R.A.

Ajshja r.a. ishte më e reja prej grave fisnike të Pejgamberit s.a.v.s., dhe padyshim më e zgjuara prej tyre. Me zgjuarsinë dhe dijen e saj ajo ua kishte kaluar edhe shumë burrave. Shumë prej sahabëve të Pejgamberit s.a.v.s., shkonin dhe kërkonin prej Ajshes t’ua shpjegonte dispozitat fetare.

Urvete bin Zubejri thotë: “Nuk kam parë grua më të dijshme nga lëmia e fikhut, mjekësisë dhe poezisë se sa Aishja r.a.”. Kjo nuk është aspak e çuditshme, ngase të gji­tha koleksionet e Hadithit dëshmojnë për një gjë të tillë. Vetëm dy prej sahabëve kanë transmetuar hadithe më shu­më se Ajshja r.a., Abdullah ibën Amri dhe Ebu Hurejra r.a..

Transmetuesit kanë përmendur që numri i haditheve të transmetuara nga gratë e Muhamedit s.a.v.s. është më shu­më se dy mijë. Nga gratë e Muhamedit s.a.v.s., Ajshja r.a. është trans­me­tuesja me numrin më të madh të hadithëve të Muha­medit s.a.v.s. Ajo transmetoi afërsisht 2210 hadithe. Pastaj Umu Seleme r.a., e cila transmetoi rreth 378 hadithe, ndë­rsa të tjerat transmetuan rreth 11 hadithe. Ky ndryshim në transmetimin e hadithëve ndodhi ose për shkak të vigji­le­ncës, zgjatjes së jetës familjare apo gjatësisë së jetës pas vdekjes së Muhamedit s.a.v.s. Të gjitha këto arsye kanë qenë privilegje të Aishes r.a., pasi ajo ishte më e talentuara prej tyre. Për të përmbledhur, një prej arsyeve të poliga­misë së Muhamedit s.a.v.s. mund të jetë bashkpunimi i vër­te­të në transmetimin e hadithëve, pra pjesmarrja në ndërtimin dhe ruajtjen e sheriatit e sunetit.[10]

Roli i Ajshes r.a. nuk kufizohej vetëm në transmetimin e hadithëve. Ajo u mor edhe me jurisprudencë. Dituria e saj për jurisprudencën ishte e tillë, saqë imam Zerkeshiu thotë: ”Çereku i rregullave juridike janë transmetuar nga Ajshja. Në të vërtetë, Ajsheja ishte një juriste e madhe. Ajo jepte mendimet e saj për çështjet fetare gjatë halifatit të Ebu Bekrit, Omerit dhe Othmanit r.a. Njerëzit e pyesnin për shumë gjëra derisa vdiq, kurse gjykatësit shkonin të zgjidhnin disa nga problemet e tyre.[11]

Pra, gratë me të cilat qe martuar Pejgamberi s.a.v.s., që të gjitha ishin vejusha ose të ndara nga burrat e tyre, me përjashtim të Ajshes. Asnjëra nga gratë e ndara dhe veju­shat nuk ishte e njohur për bukurinë dhe sharmin e tyre. Disa nga këto gra ishin shumë të moshuara.[12]

Ai u martua me një femër kopte nga Egjipti, me një he­breje të religjionit dhe të racës tjetër, me një vajzë zezake nga Abisinia. Ai nuk kënaqej vetëm kur i mësonte njerëzit për vëllazërin dhe barazinë, por atë që ua mësonte, edhe e mendonte, edhe e zbatonte në praktikë njëkohësisht.[13]

(Pjesë e shkëputur nga libri: SHPIFJET NDAJ TË VERTETAVE ISLAME – SENAD MAKU)

………………………………………………………………………..

[1] në Taqri’bu’l-tehzi’b  sikur edhe në  Al-bidayah wa’l-nihayah.

[2] Për më shumë të dhëna referoju artikullit: “Martesa e hershme e Muhamedit me Ajshen – sqarim i akuzave”, Përgatitur nga: Halil Ibrahimi, postuar në: http://www.islamidhekrishterimi/ajshe.htm

[3] Mos të harrojmë se, martesa me Ajshen r.a. qe bërë me propozimin e Haule bint Hakim, në mënyrë që Pejgamberi të përforconte lidhjet me njeriun më të dashur për të, Ebu Bekrin. Andaj kjo paraqet dëshmi shtesë se zonja Ajshe ka qenë në moshën e martesës.

[4] Madje, kjo ishte e pranueshme jo vetëm tek arabët, por edhe tek hebrenjtë. Lideri i hebrenjve, Hujej ibnul Ahtab, kur martoi vajzën e tij, Safijen, me një hebre tjetër, ajo ishte vetëm njëmbëdhjetë vjeçe. Pra, martesa të këtij lloji, ishin të lidhura ngushtë me vendin, traditat dhe zakonet.

Kulturat fetare e lejojnë martesën nëse personat kanë arritur pjekurinë seksuale. Në vendet e ndryshme të botës është e rregulluar me ligj koha kur të rinjve u lejohet të ke­në lidhje seksuale. Edhe këtu ka dallime të shumta. Në Japoni, p.sh., janë të lejuara marrëdhëniet seksuale nga mosha 13 vjeçare, kurse në Spanjë nga mosha 12 vjeçare. Kjo gjithmonë varet nga pjekuria seksuale dhe relacioni i dya­nshëm.

Femrat e arrijnë pubertetin në moshë të ndryshme, prej 8 deri 12 vjeç, varësisht nga aspektet gjenetike, raca dhe mjedisi. Femrat në mjedise më të nxehta e arrijnë puberte­tin në moshë shumë më të re se ato në mjedise të ftohta. Këto fakte janë të njohura mirë në shkencë. Martesa në vi­tet e hershme të pubertetit ishte e pranueshme në Arabinë e shekullit VII siç ishte normë në shoqëritë dhe kulturat se­mitike, duke filluar nga Izraelitët, Arabët dhe të të gjitha kombet tjera midis tyre.

Talmudi, i cili nga Hebrenjtë konsiderohet si ‘Tora go­jore’, Sanhedrin 76 b, thotë: “Është e preferueshme për fe­mrat që të martohen kur të kenë menstruacionet e para”. (Shih tek: http://www.islamidhekrishterimi.com/ajshe.htm, tema: “Martesa e hershme e Muhamedit me Aishen- sqarim i akuzave” nga Halil Ibrahimi, po­ashtu shih sajtet në gjuhën angleze më gjërësisht tek: http://www.bismikaallahuma.org/ (“The Young Marriage of `Âishah” nga Mohd E. N. Juferi) dhe http://www.understanding-islam.org/related/text.asp? type=question&qid=375&sscatid=362 (What was Ayesha’s (ra) Age at the Time of Her Marriage to the Prophet (pbuh)?, bazuar në “Tehqiq e umar e Siddiqah e Ka’inat” nga Habib ur Rahman Kandhalvi, Anjuman Uswa e hasanah, Karachi, Pakistan.)

[5] Para se të gjykojmë për këtë rast, duhet të kemi parasysh se koncepti për fëmijërinë atëbotë ndryshon rrënjësisht nga koncepti ynë, tani. Në kohët e mëhershme fëmijëve iu ngarkoheshin detyra me përgjegjësi. P.sh. Usame b. Zejdi, edhe pse ishte 17 vjeçar, qe emëruar komandant i një ushtrie të madhe, ushtarë të së cilës ishin edhe emra të mëdhenj sahabesh. Zejd b. Thabiti, edhe pse 13 vjeçar, ishte prej atyre që qenë angazhuar për ta shkruar Kur’anin. Kështu ka vazhduar edhe në kohët në vijim, si p.sh. me Muhammed b. Kasimin, Muhammed çliruesin (Sulltan Mehmet Fatihun), etj, gjëra këto që na ftojnë të rishikojmë botëkuptimin për fëmijërinë në të kaluarën.

[6] Për më shumë të dhëna referoju artikullit: Dëshira e tepruar sensuale e Profetit Muhammed dhe ushtrimi i poligamisë nga ana e tij”, Adil Shiddi dhe Ahmed bin Uthman  Mezjed, postuar në: http://sedatislami.com/?faqja=artikulli&id=1084

[7] Për më shumë të dhëna referoju artikullit: Mosha e Nënës së Besimtarëve, Aishes kur u martua me Profetin Muhamed s.a.v.s”, Alban Çuli, postuar në:

http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=3128&h=aishes

[8] Nëse akuza e tilla për pedofilizëm i atribuohen Muhamedit s.a.v.s., me Ajshen r.a., çka mund të themi për Marinë dhe Jozefin, lexo se çka thotë Enciklopedia Katolike, na thotë se Maria ishte përkatësisht 12-14 vjeçare dhe Jozefi kishte 90 vjeç kur ishin martuar së bashku. (Catholic Encyclopedia/J/ St. Joseph, http://www.newadvent.org/cathen/08504a.htm?fbclid=IwAR3FmWp9CDAPV_i8myzN8-1yRpfywFaXIAnncKZnzDBe1KY8CgZAd_wiIJ4)

Të shikojmë se çka kanë bërë krishterët e më hershëm lidhur me këtë çështje:

  1. Shën Augustin (354-439) i ka pasur 31 vjet kur u fejua me një vajze 10 vjeçare.
    2. Shën Agnesa i kanë ardhur shkues kur i ka pasur 12 vjet.
    3. Shën Hedviga e ka martua Henrin –I- në moshën 12 vjeçare.
    4. Margareta-Maria e ka martua Isakun II në moshën 9 vjeqare.
    5. Mbreti Richard 31vjeçar ka martuar Princeshën Isabella dhe ajo i ka pasur vetëm 7 vjet.
    6. Mbreti Haakon VI ka martuar 10 vjeçaren Mbretëreshën Margareta.
    7. Princi Eduard u martua me Princeshën Isabella dhe ajo në moshën 7 vjeçare.
    8. Maria Stevart është martuar 6 vjet me Henrin VIII

(Këto janë vetëm disa shembuj të përmendur në artikullin e shkruajtur nga Prof. Linda Garland, profesoreshë në University of New England, sipas: “Pedofilia në krishterizëm”, Përktheu: Ajshe z. Imeri, postuar në: http://www.radioislame.com/new/artikulli.php?id=4715)

[9] Për më shumë të dhëna referoju artikullit: “Aishe bintu Ebu Bekr”, Amer Halid, postuar në: http://ardhmeriaonline.com/artikull/article/amer-halid/#.XmU-uahKiUk

[10] Edukata Islame, nr. 78, fq. 61

[11] Po aty, fq. 71

[12] Hamude Abdulati, Vep. e cit., fq. 341

[13] Po aty, fq. 345