Pyetja
I nderuari shejh, Dr.Jusuf el-Kardavi, Allahu të ruajt. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ju.
E lus Allahun që të jeshë shëndosh e mirë.
Jua bëjmë me dije se dy dijetarë tek ne, kanë mendime të ndryshme në disa çështje islame. Për atë, ju drejtohemi juve që të na sqaroni qëndrimin e saktë në dritë të Kur’anit dhe Sunetit.
Shejh Abdusselam Dijanet, i biri i gjykatësit Muhamed Dijanet është i mendimit se:
1) I Dërguari i Allahut s.a.v.s. në fillim nuk ka ditur të shkruaj dhe të lexojë, por pas një kohe, Allahu i Madhërishëm e mësoi të shkruaj dhe të lexojë, sa që ai ka shkruar me dorën e vet lutje për mbrojtje.
Mirëpo, me këtë dijetar nuk u pajtua një dijetar tjetër, shejh Abdullah Riki. Sipas këtij të dytit:
1) I Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk ka ditur shkrim-lexim derisa sa është transferuar në mëshirën e Allahut (ka vdekur). Analfabetizmi nuk paraqet ndonjë problem dhe nuk merret si e metë në misionin e tij pejgamberik.
Ju drejtohemi juve që të na jepni sqarim të kënaqshëm, Allahu ju bëftë të dobishëm dhe ju shpërbleftë me të mira.
Përgjigja
I tërë falënderimi i sinqertë i takon vetëm Allahut, bekimi dhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.
Unë mendoj se mendim më i qëndrueshëm në dritë të argumenteve të sheriatit, është mendimi i dijetarit të dytë, e Allahu ia faltë dijetarit të parë. Edhe pse dijetari i parë në disa nga këto mendime pajtohet me disa dijetarë të mëparshëm, mirëpo, disa nga interpretimet e tyre nuk janë njohur më herët, nuk janë të pranuara logjikisht, dhe lutemi për të që të kthehet në të vërtetën kur t’i sqarohet.
Analfabetizmi i të Dërguarit të Allahut:
Nuk ka dyshim se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk ka ditur të shkruaj dhe të lexojë prej fillimit të jetës së tij e deri në fund të periudhës së qëndrimit të tij në Meke, e qëndrimi më i drejtë është se ai nuk ka ditur të shkruaj dhe të lexojë deri në fund të jetës së tij. Pra, jetoi dhe vdiq pa ditur të shkruaj dhe të lexojë. Mos njohja e shkrim-leximit, për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. ka qenë mrekulli mbinatyrore-muxhize, e për ne është mangësi.
Fakti se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk ka ditur të shkruaj dhe të lexojë, është vërtetuar nga tekste juridike autentike që nuk mund të kontestohen në asnjë mënyrë, si dhe nga të vërtetat e jetëshkrimit të tij dhe të historisë.
Në vazhdim do të përmendim disa nga këto tekste të pakontestueshme:
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Që pranojnë të dërguarin (Muhammedin), Pejgamberin arab, (që nuk shkruan as nuk lexon), të cilin e gjejnë të cilësuar (të përshkruar me virtytet e tij), te ata në Tevrat dhe në Inxhil, e që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe…”.[1]
“pra besoni Allahun dhe të dërguarin e Tij, pejgamberin e pashkolluar, që beson Allahun dhe shpalljet e Tij, ndiqniе rrugën e tij që ta gjeni të vërtetën”.[2] “Ai është që arabëve të pashkolluar u dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre që t’ju lexojë ajetet e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë librin dhe sheriatin…”.[3]
Nocioni “el-ummij” në këto ajete ka dy kuptime:
I pari: Ai që nuk shkruan dhe nuk lexon.
I dyti: Ai që nuk ka librë fetar, si teurati dhe Inxhili.
Kuptimi i dytë është i mundshëm në këto ajete, mirëpo, kuptimin e parë, e mbështet një ajet fisnik dhe hadith i ndershëm.
Kuptimi i parë mbështetet nga ajeti: “Ti (Muhamed) nuk ishe që lexon ndonjë libër para këtij, e as që shkruajshe atë me dorën tënde të djathtë, pse atëherë do të dyshonin ata të prishurit (48)”.[4]
Fjalët e të Lartmadhërishmit: “ve ma kunte tetlu” (Ti (Muhamed) nuk ishe që lexon), mohojnë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka lexuar, ndërkaq fjalët e të Lartmadhërishmit: “ve la tehutuhu bi jeminike” (e as që shkruajshe atë me dorën tënde të djathtë), mohojnë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka shkruajtur.
Fjalët e të Lartmadhërishmit: “idhen lertabel mubtilun” (pse atëherë do të dyshonin ata të prishurit), e sqarojnë pse Allahu e bëri të Dërguarin e fundit të Tij të mos dijë shkrim-lexim, gjegjësisht e bëri me qëllim që mos të dyshojnë dhe të bien në dilemë plangprishësit e të thonë:”Ai i ka lexuar librat e mëparshëm, dhe tash na i tregon neve këto gjëra”. Mosdija e të Dërguarit të Allahut shkrim-lexim, pa asnji kontestim e ka mohuar këtë dyshim.
Kjo vërtetohet edhe me hadithe. Kështu, Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar prej Ibn Omerit se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: ”Ne jemi popull analfabet, nuk shkruajmë dhe nuk llogarisim”.
Në këtë hadith, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nocionin “umijj” e ka shpjeguar me mosnjohjen e shkrimit dhe llogaritjes. Ky definicion i nocionit “umijj” (analfabet) është i pranuar nga shumë pedagogë të sotëm, gjegjësisht “umijj” (analfabet) është ai që nuk din të shkruaj dhe nuk din të llogarisë.
Por, ky analfabetizëm është mrekulli mbinatyrore dhe veti dalluese e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Ngase si mund të dalin prej këtij analfabeti, të gjitha këto dituri të dobishme, këto urtësi madhështore, këto fjalë kuptimplota, këto dispozita të drejta, këto rregulla fantastike dhe këto udhëzime të qëlluara.
Disa dijetarë kanë pandehur se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në fund të jetës së tij ka ditur të shkruaj, duke u thirrur në atë se e ka fshirë emrin e vet prej dokumentit që përmbante Marrëveshjen e Hudejbijes, kur Aliu r.a. refuzoi që ta fshinë emrin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.
Në këtë rast, nuk është larg mendjes që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ta ketë njohur si fotografi emrin dhe cilësinë e tij-Muhamed resulullah (Muhamedi i Dërguar i Allahut), dhe i ka fshirë fjalët që kanë qenë pas emrit të tij. Apo, ka mundësi që fshirja e këtyre fjalëve nga ana e tij, të ketë kuptimin se ai ka urdhëruar të fshihen këto fjalë. Edhe sot thuhet: ”Kryetari i shkroi filanit një letër”, e që do të thotë se kryetari ka urdhëruar t’i shkruhet kjo letër një personi të caktuar. Apo, thuhet: ”Ebu Xhafer El-Mensuri e ka ndërtuar Bagdadin”, e don të thotë: Ka urdhëruar të ndërtohet.
Prej atyre që kanë pandehur se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka mësuar shkrimin në fund të jetës së tij, ka qenë edhe Ebu-l-Velid el-Baxhi, një nga dijetarët e njohur të shkollës juridike Malikite në perëndimin islam, komentues i shquar i Muveta’-s. Por, kur e tha këtë gjë, u bë cak sulmesh dhe kritikash dhe u akuzua si zindik, e fyejtën nëpër ligjërime, e ai e mbrojti veten duke thirrur në debat, dhe për këtë u shkruajti dijetarëve të vendeve të ndryshme.
El-Baxhi dhe bashkëmendimtarët e tij janë bazuar në hadithin e shënuar nga Buhariu dhe Muslimi ku flitet për Marrëveshjen e Hudejbijes, e në të qëndron: ”I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e morri letrën, e ai nuk dinte të shkruaj, dhe shkroi: ”Kështu gjykoi Muhamedi i biri i Abdullahut…”.[5]
Ky hadith qartë shpreh se ai nuk ka ditur të shkruaj, ndërkaq shkrimi i fjalëve: ”Kështu gjykoi Muhamedi, i biri i Abdullahut”, në vend të fjalëve të cilat i shkroi Aliu: ”Muhamedi i Dërguari i Allahut”, nuk flet ma tepër se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka ditur disa fjalë të caktuara, si: ”Muhamedi i biri i Abdullahut”. Por, kjo njohje është e kufizuar dhe nuk e nxjerr atë nga të qenit analfabet.
Ne na është transmetuar jeta dhe biografia e tij në detaje, por, nuk shënohet se ai vetë i ka shkruar ndonji mbreti, princi apo dikuj tjetër, apo se ai ka shkruar diçka nga ajetet që iu shpallën.
Po ashtu, ata janë bazuar edhe në hadithin e shënuar nga Ibn Maxhe, ku qëndron se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: ”Natën që u dërgova në udhëtim në sferat qiellore, kalova pranë një shkrimi në Xhenet: Lëmosha shpërblehet dhjetë herë ma tepër, ndërkaq borxhi shpërblehet tetëmbëdhjetë herë ma tepër”, e leximi është rezultat i njohjes së shkrimit.
Mirëpo, ky hadith është i shënuar vetëm nga Ibn Maxhe e jo edhe nga koleksionuesit tjerë të Suneneve. Busajri në “Zevaidu ibn Maxhe”, ka përmendur se në zinxhirin e transmetuesve të këtij hadithi ka një transmetues të dobët.[6] Shejh Albani në librin “Daifu-l-xhami’i-s-sagir” ka thënë: ”Hadithi është shumë i dobët-Daif xhidden, për atë edhe nuk merret në konsideratë”. Teksti i hadithit është i pa akceptueshëm për logjikën, ngase si mund të jetë borxhi, i cili duhet të kthehet, më e mirë se lëmosha, e cila nuk kthehet.
Ky hadith, mund të interpretohet edhe në mënyra tjera.
Shejh Ahmed ibn Haxher, gjykatës i gjykatës së parë të sheriatit në Katar, ka shkruajtur një libër me titull:” Er-Redd el-vafir a’la men nefa umijjete sejjidi-l-evaili vel-evahir”, ku i ka demantuar pretendimet e atyre që thonë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka ditur të shkruaj.
Për sa i përket asaj se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka shkruajtur lutje për mbrojtje me dorën e vet, diçka e këtillë nuk është e vërtetuar nga ai, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka lexuar lutje për mbrojtje gojarisht, ai poashtu u ka lexuar disa njerëzve lutje të këtilla drejtuar Allahut të Madhërishëm për mbrojtje, gjegjësisht i ka frirë, në veçanti fëmijët. Ai e ka fryrë Hasenin dhe Husejnin me lutjet: ”Kërkoj mbrojtjen tënde te Allahu me fjalët e plota të Allahut, nga çdo djall dhe brengë, dhe nga çdo sy që merr mësyshë”.
Unë nuk di se ndonji burim shkencor i besueshëm ka konfirmuar se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka shkruar lutje për mbrojtje me dorën e vet. Ai që e thotë këtë, sikur don t’ia bashkangjesë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. atyre që i përhapin këto gjëra në mesin e masës së thjeshtë, ndërkaq i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u ka shpallur luftë atyre që tregtojnë me falle, parashikime, hamajli dhe yshtje politeiste, e të ngjashme. Të gjitha këto mbështeten nga hadithe autentike.
Prej arabishtes: Mr.Bashkim Aliu
——————————————————
[1] El-A’ëraf: 157.
[2] El-A’ëraf: 158.
[3] El-Xhumu’a: 2.
[4] El-Ankebut: 48.
[5] Shih: El-Elusi, Ruhu-l-mea’ni, vëll.XXI, f.554.
[6] Hadithin e ka shënuar Ibn Maxhe në kapitullin “Es-Sadakat” (lëmoshat), nr.2431.