Bibla apo Kurani

Bibla apo Kurani

Përktheu: Ajni Sinani

Mexhdi Merxhan, ish misionar i krishterë, rrëfen:

“Linda që ta adhuroj Jezusin, që ta lartësoj atë si një zot mbi zotat e tjerë, por, kur u rrita, dyshova, prandaj hulumtova për të Vërtetën dhe e njoha atë. Jezusi më thirri: O rob i Zotit! Unë jam njeri sikurse ti! Mos i bëj shok Krijuesit e të adhurosh krijesën, por më paso mua dhe adhuroje Atë. Së bashku le t’i lutemi dhe le t’i themi Atij: Ati ynë dhe Zoti ynë, lavdërimi të takon vetëm Ty! I lartësuar je Ti, o Zot i botëve: ‘Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë!’ O rob i Allahut, unë, ti dhe njerëzit e tjerë jemi robër të Gjithëmëshirshmit.”

Deklarova pranimin e Islamit duke thënë: “La ilahe il Allah, Muhammedun resulullah” (Vetëm Allahu është Zot, Muhammedi është rob dhe i dërguari i Tij).

U rrita, ashtu si të krishterët e tjerë në Egjipt, në mes të familjes që beson në Trinitetin e Zotit, duke qenë një fanatik i fortë i krishterizmit tim.

E shija Islamin në Egjipt si një të huaj të ardhur, që nuk ka rrënjë të thella në këtë vend të shquar me qytetërim të lashtë në thellësitë e historisë. Prisja ditën e shpëtimit të vendit nga tërë ajo që është islame dhe mendoja se asgjë s’është e lidhur me Islamin, qoftë nga afër ose nga larg. Egjipti nuk do ta harronte atë që kishte nga krishterizmi i tij, prej këngëve dhe ritualeve. Për këtë qëllim, në të bëhen lutje dhe aktivitete dhe ndërtohen kisha me kulla dhe kambana.

E kalova fëmijërinë time ashtu si të krishterët e tjerë të Egjiptit, që u edukuan dhe u rritën në këtë vend. Më pas vazhdova studimet e mia. Familja ime deshi që unë të bëhesha një prej pastorëve të Egjiptit, të cilët vishnin rroba të zeza për të mbajtur zi për humbjen e tij nga Krishterizmi dhe kalimin e tij në kuadër të shtetit islamik, në tokën e të cilit ka zënë vend universiteti El Ez’her, me minaret e tij të bukura dhe i cili ka ndihmuar për të përhapur Islamin, për konsolidimin e besimit dhe ruajtjen e gjuhës së Kur’anit gjatë shekujve.

Shkova në shkollën e Trinitetit si dhjak në një katedrale, që të isha një prej avokatëve të kësaj doktrine, për përhapjen e saj dhe për edukimin e popullit. U përgatita dhe u udhëzova që t’iu bëj thirrje njerëzve për Trinitetin e Zotit dhe për të vendosur ritualet e mësimet e kësaj doktrine.

Kjo gjë më krijoi mundësi të mëdha për të studiuar, për të eksploruar dhe për të hulumtuar. Si pasojë grumbullova shumë njohuri fetare dhe u njoha me shumë mistere teologjike. Isha i etur për kërkim dhe njohuri.

Bëra shumë përpjekje dhe shpenzova shumë kohë për të arritur fakte të ndritshme, të shpluhuruara nga pluhuri i kohës. Për këtë më ndihmoi pasioni im i lindur për të hulumtuar dhe gjurmuar.

Nuk isha plotësisht i bindur nga ajo çka kisha trashëguar, nga prindërit dhe gjyshërit e mi, prej kësaj doktrine. Ajo nuk kishte zënë vend në mendjen dhe zemrën time as një ditë, por kishte mbetur mes baticës dhe zbaticës, mes tërheqjes dhe dobësisë.

Trashëgimi i doktrinës dhe imitimi i paraardhësve, prindërve, hallave dhe gjysheve nuk është i mjaftueshëm për besimin e vërtetë. Vjen një ditë që feja kërkon një njohje të thellë e të plotë dhe jo thjesht një procedim ritualesh të ndjekura verbërisht.

Feja ishte gjithmonë një ftesë për të Vërtetën dhe revolucion kundër të pavërtetës, dhe sikur besimi të ishte një trashëgimi, atëherë njerëzit që kanë besim nuk do të kalonin nga e padrejta në të drejtën dhe nga adhurimi i idhujve në adhurimin e Krijuesit. Madje, bota edhe sot e kësaj dite do të kishte mbetur ashtu siç ishte mijëra vjet më parë, duke u përpëlitur në pavërtetësi dhe iluzione.

Vazhdova ta kërkoj të Vërtetën. Lexoja shumë dhe meditoja gjithnjë e më tepër. Kam diskutuar dhe zhvilluar dialog me veten dhe me të gjithë të krishterët rreth meje për të gjetur përgjigje për gjithçka që po ndodhte brenda meje.

Kam diskutuar me shumë nga vëllezërit e krishterë për shkallën e të kuptuarit dhe pranimin e kësaj doktrine, edhe kur isha brenda komunitetit të krishterë, edhe më vonë pas largimit tim.

Kërkimi për të vërtetën dhe përpjekja për të shkuar drejt saj, duke dashur të kem qasje të sigurt, më linin pa gjumë. Hipa në anijen e shpëtimit për të lundruar. Me vete kisha librat dhe referencat që doja.

(Autori përmend se kishte filluar të lexonte nga historia e hershme e Egjiptit, pastaj e filozofëve të vjetër grekë dhe e filozofëve të tjerë. Ai kujton se, përgjithësisht, njerëzit e urtë, filozofët dhe shkencëtarët e hershëm, e edhe të mëvonshëm, kanë besuar në Njëshmërinë e Krijuesit.)

(Ai vazhdon e thotë:) – Nëse kjo ishte pozita e njerëzve të urtë, filozofëve dhe shkencëtarëve, atëherë cili ishte qëndrimi i pejgamberëve që ishin dërguar nga Zoti për të udhëzuar dhe drejtuar njerëzit?

Udhëtimi me anije nëpër Dhiatën e Vjetër

Mora anijen time dhe fillova të eksploroj në Dhiatën e Vjetër, që të shoh nëse ajo e njeh Trinitetin:

1 Musai a..s thotë:
“Mëso, pra, sonte dhe mbaje në zemrën tënde që Zoti është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë, dhe se nuk ka asnjë tjetër.” (Ligji i Përtërirë, 4: 39);
“Dhe Moisiu tha: “Do të bëhet siç thua ti, kështu që ti të dish se askush nuk është si Zoti, Perëndia ynë.” (Dalja, 8: 6);
“Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje.” (Dalja, 20:3).

2 Davudi:
“O Perëndi, kush të përngjan ty?” (Psalmet, 71: 19);
“Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.” (Psalmet, 90”2);
“Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejt.” (Psalmet, 148: 13).

3 Nehemia:
“Vetëm Ti je Zoti! Ti ke bërë qiejt, qiejt e qiejve … ushtria e qiejve të adhuron.“ (Nehemia, 9: 6);

4 Mikeja: “A nuk na ka krijuar i njëjti Perëndi?“ (Mikeja, 2: 10).

5 Isaia shpreh habinë e tij me ata që mundohen ta përngjasojnë Zotin: “Kujt dëshironi t’i përngjajë Perëndia dhe çfarë figure do t’i vinit përballë?” (Isaia, 40: 18).

Zoti i drejtohet atyre që mundohen ta krahasojnë dhe ta barazojnë Atë me krijesa, duke thënë:

“Me cilin doni të më barazoni, me cilin doni të më krahasoni që mund të jemi të njëllojtë?” (Isaia, 46: 5).

Ky është qëndrimi i Tevratit (Dhiatës së Vjetër) ku askund asnjë pejgamber dhe asnjë nga priftërinjtë nuk flet për Trinitetin.

Udhëtimi me anije nëpër Dhiatën e Re

Pastaj kam eksploruar me anijen time në Dhiatën e Re që të shoh nëse ka prova për Trinitet, apo nëse ajo bën thirrje për Njëshmërinë e Zotit:

Janë disa shprehje, që i kemi mësuar dhe përmes tyre kemi mbrojtur Trinitetin apo hyjninë e Krishtit, rreth të cilave fillova të mendoja më thellë, duke u larguar nga mësimi mekanik i teksteve pa kuptuar domethënien e tyre.

“’Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t’i venë emrin Emanuel, që do të thotë: ‘Zoti me ne’.” (Mateu, 1: 23).

Kjo është marrë nga profetizmi i profetit Isaia: “Prandaj vetë Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel.” (Isaia, 7: 14).

Gjithmonë thosha se ky citat është për të demonstruar hyjninë e Krishtit. Por njeriu hulumtues është ndryshe nga ai që pranon mekanikisht. Gjatë kërkimit gjeta si në vijim:

Një: Kjo mrekulli, në kohën e mbretit Akaz, ka qenë një shenjë e tij për të mundur armiqtë, gjë që u realizua.

Dy: Në citatin e Isaias nuk është fjala ‘Zoti me ne’. Interpretimi i Mateut se Emanuel do të thotë: ‘Zoti me ne’ është interpretim i vetë atij si rezultat i shpjegimit të tij.

Tre: ‘Zoti me ne’ nuk janë fjalë të Jezu Krishtit.

Katër: Jezu Krishti nuk është emëruar Emanuel. Madje edhe në qoftë se fjalën Emanuel (‘Zoti me ne’) ia përshkruajmë Jezu Krishtit, ai nuk është Zot. Kuptimi i emrit të Ismailit, birit të Ibrahimit, është ‘Zoti dëgjon’, por ne nuk themi se Ismaili është Zot.

Pesë: Gjoni thotë: “Askush s’e pa Perëndinë kurrë…” (Gjoni, 1: 18);

“Askush s’e ka parë ndonjëherë Perëndinë.” (1 Gjonit, 4: 10).

Timoteu thotë: “të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë” (1 Timoteut, 6: 16);

Tekstet e Biblës tregojnë se Perëndinë nuk e sheh askush, kurse Krishti është i dukshëm, prandaj ai nuk mund të jetë zot. Në këtë mënyrë, kjo frazë na bën të kuptojmë kuptimin e vërtetë dhe ajo s’ka të bëjë me hyjninë e Krishtit.

Teksti tjetër, me të cilën argumentonim shenjtërinë e Krishtit dhe Trinitetin në Ungjillin e Mateut, është:
“Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë.” (Mateut, 28: 19),

Kjo bie në kundërshtim me atë që thuhet në (Mateut, 10: 5-7):

“Këta janë të dymbëdhjetët që Jezusi i dërgoi mbasi u dha këto urdhra: ”Mos shkoni ndër paganë dhe mos hyni në asnjë qytet të Samaritanëve, por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. Shkoni dhe predikoni duke thënë: “Mbretëria e qiejve u afrua.” (Mateut, 10: 5-7).

Gjithmonë thosha se Gjoni apostull e shpjegon këtë doktrinë në letrën e tij të parë, duke thënë:

“Sepse tre janë ata që dëshmojnë në qiell: Ati, Fjala dhe Fryma e Shenjtë; dhe këta të tre janë një.” (1 Gjoni, 5: 5),

Në përgëzimin që Xhibrili i bëri virgjëreshës Merjem, thotë (ai që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë):
“Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: ”Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë.” (Luka, 1: 35).

Pas këtyre citateve gjithmonë thosha se këto tekste pohojnë:

1 – Një Zot në tre persona të barabartë në thelb, lavdi, nder dhe fuqi.
2. Fjalët e Krishtit në emër (të Atit) dhe jo në emra (të Atit) tregojnë për Njëshmërinë (tevhid).
3. Se Ati është Perëndia – dhe Biri është Perëndia – dhe Fryma e Shenjtë është Perëndia.
Kjo është ajo që kemi ditur dhe mësuar përmendsh. Kjo nuk përmendet veçse në Ungjillin e Mateut (28: 19).

Së pari: Këto fjalë që i transmeton Mateu (28: 19), Jezusi ia thotë dishepujve pasi u ringjall. Prandaj, pse Jezusi këto fjalë nuk i tha para kryqëzimit? Madje aty ishte edhe Gjoni. Pse atëherë edhe Gjoni nuk i përmend këto fjalë?!

Së dyti: Ky version i Trinitetit që përmendet (që flet për Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjt) është i çuditshëm (i panjohur) për gjuhën e Krishtit dhe këto fjalë nuk kanë pasur ndikim në kohën e apostujve. Ato do të vlerësoheshin dhe do të konsideroheshin me vlerë në qoftë se do të dilnin personalisht prej Krishtit.”

Së treti: Triniteti u miratua në vitin 381 në Këshillin e Kostandinopojë s, ku morën pjesë 150 peshkopë. Aty u vendos për versionin e Trinitetit, sipas të cilit Zoti është një në tre persona: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë.

Kjo do të thotë se Triniteti nuk ishte i njohur dhe nuk ishte prezent më herët dhe askush prej nxënësve të Jezusit dhe ndjekësve të tij nuk kishte folur për të.

Kjo që thotë Gjoni:
“Sepse tre janë ata që dëshmojnë në qiell: Ati, Fjala dhe Fryma e Shenjtë; dhe këta të tre janë një.” (1 Gjoni, 5: 5), jep bazën për doktrinën e Trinitetit.

Mirëpo paragrafi i Trinitetit ka filluar të zhduket nga përkthimet moderne, sepse ai nuk ka qenë në tekstet e vjetra greke të miratuara. Për herë të parë ky paragraf është gjetur në tekstin e më vonshëm latin.

Dhe më pas ka kaluar në gjuhë të tjera. Triniteti ka hyrë si rezultat i veprimit të një shkrimtari anonim që ka ndërhyrë në mënyrë abuzuese në tekste.

Bruce, përkthyes dhe mësues i gjuhës së Dhiatës së Re dhe letërsisë në Universitetin e Oksfordit, thotë:
“Ky paragraf nuk duket në dorëshkrimet e përkthyera latine të miratuara të Biblës, veçse gati 800 vjet pas Krishtit. Në çdo rast, kam gjetur shumë studiues të Biblës që pranojnë se ai (Triniteti) është shprehje e futur.”

Dilema:
Kam pyetur në vete: kush është përgjegjës për fatin e miliona të krishterëve të cilët kanë vdekur duke besuar se doktrina e Trinitetit, që e kishin mësuar, mbështetej mbi tekstin e qartë të Biblës, ndërkaq ai është një teksti i huaj që është futur nga një shkrimtar i panjohur?

E vendosa veten time në anijen shpëtuese. Pyesja në lidhje me Trinitetin dhe sqaroja në vete:
1. Asnjë prej profetëve para dhe pas Krishtit nuk ka rekomanduar Trinitetin, të gjithë profetët u kanë rekomanduar njerëzve adhurimin e Zotit Një e të Vetëm. Krishti vetë nuk e ka përmendur Trinitetin. Ai është shpikur dhe sajuar nga pastorët dhe priftërinjtë.
2. Tevrati, që pranohet, nuk ka asnjë referencë për Trinitetin. Zoti në Tevrat është Një, prandaj si u bënë tre në një? Zoti i Musait është Zoti i Krishtit, prandaj si u bë Zoti i Musait Një, kurse Zoti i Krishtit “tre në një”?!
3. Vetë Triniteti nuk mund të kuptohet dhe as të imagjinohet, pra si mundet që Perëndia të jetë i përbërë nga tre zota?
4. Triniteti Kristian është shprehje e një lëkundjeje mes monoteizmit dhe politeizmit. Ai thotë një Zot në tre, ose tre në një. Pra, sikur nuk mund të vendosim a është Zoti Një ose tre dhe bëjmë disi një lloj kompromisi dhe njëfarë rezultati: “tre prej një”, por ende mbetet mister. Si mundet “Një të jetë tre”, dhe si mundet “tre të jetë një”?!
5. Krishti ka lindur dhe është krijuar nga Zoti. Si mundet një krijesë t’i bashkohet Krijuesit dhe të përbëjë një pjesë të Trinitetit?
7. Meqenëse Jezusi ka lindur, si ishte Triniteti para lindjes së tij? A ishte dy të tretat, pra a ishin më parë dy … Si ishte Triniteti para ekzistencës së Shpirtit të Shenjtë?
8. Shpirti i Shenjtë është krijuar nga Zoti dhe më parë nuk ishte i pranishëm (ekzistonte) . D.m.th. Triniteti ishte i pamundur. Si mund të ekzistonte Triniteti para krijimit të Krishtit dhe Shpirtit të Shenjtë?!
9. Sipas Biblës Krishti vdiq. Çfarë ndodhi me Trinitetin pas kryqëzimit të Jezusit? Në kohën kur Krishti vdiq, mos vallë Zoti, pas së vdekjes së Jezusit, u shndërrua në dy të tretat? A e udhëhiqte Zoti universin me dy të tretat e Trinitetit?!
10. Krishti tha: “Tani sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s’e di, as engjëjt e qiejve, por vetëm Ati im.” (Mateu, 24: 36).
Në qoftë se Krishti dhe Shpirti i Shenjtë kanë njohuri më pak se Ati, do të thotë se Krishti dhe Shpirti i Shenjtë nuk janë të barabartë me Atin. Prandaj ata nuk mund të jenë pjesë integruese e Trinitietit. Ata janë të ndarë nga njëri-tjetri, nuk janë një në tre dhe as tre në një.
11. Në qoftë se Krishti erdhi nga Ati, d.m.th. ai i është bashkangjitur Atij dhe Jezusi nuk është i barabartë me Atin. Por Zoti nuk mund të ketë të barabartë, prandaj, bie poshtë dogma e Trinitetit.
12. Nëse Shpirti i Shenjtë erdhi prej Atit si Krishti, të dy janë më të ulët se Zoti. Kështu ata dy nuk mund të jenë zota të barabartë me Zotin.
13. Jezusi i lutej Zotit, e falënderonte dhe i kërkonte ndihmë Atij. Kjo është provë se Krishti është një krijesë që nuk mund të jetë partner me Zotin, ose i barabartë me Atë.
14. Krishti tha: “Dhe Jezusi u përgjigj: ”Urdhërimi i parë i të gjithëve është: “Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot”, dhe: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!”. Ky është i pari urdhërim.” (Marku, 11: 29- 30).
Vetë Krishti tha se Zoti është Një. Ai nuk tha: Një në tre ose tre në një.
15. Shpirti i Shenjtë (Xhibrili) është gjetur para Krishtit, megjithatë Dhiata e Vjetër nuk ka thënë se Shpirti i Shenjtë është Zot. Përse? Si u bë Shpirti i Shenjtë pas lindjes së Krishtit Zot? Shpirti i Shenjtë është engjëll, por papritmas Kisha e ngriti atë në rangun e Zotit.
16. Në qoftë se Perëndia është tre në një, çfarë ndodh në qoftë se të tre personat nuk pajtohen?!

Krishti ishte i kujdesshëm që të mos kryqëzohej, a është votuar për kryqëzimin e tij? A do të jenë zërat e tyre të barabartë? Çfarë atëherë nëse ndonjëri prej tre personave këmbëngul në mendimin e tij?

Të gjitha këto pyetje tregojnë se çështja e Trinitetit nuk ishte e njohur për vetë Krishtin dhe se asnjë nga apostujt nuk ka folur për të.

“Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.” (Gjoni, 17: 3).
Jezu Krishti e thotë të vërtetën se rruga për në parajsë është nëpërmjet njëshmërisë së Krijuesit, kurse rruga për ferr është nëpërmjet idhujtarisë, trinitetit dhe politeizmit.
Pas këtij udhëtimi, nëse i tregoj të gjitha këto, a do të jetë fati im sikurse ai i reformatorit spanjoll Serfano, i cili e shpalli publikisht njëshmërinë e Krijuesit dhe e mohoi Trinitetin dhe të cilin e dogjën të gjallë në vitin 1553?
Sigurisht, njeriu pasi ta gjejë të Vërtetën nuk e ka frikë vdekjen, por gjen kënaqësi kur ai vdes për të drejtën.

Pyeta çfarë është feja e vërtetë dhe si zgjidhet ajo?

Hulumtimin tim e fokusova në çështjen e besimit tek Zoti dhe në saktësinë e librave, që kanë ardhur nga çdo profet deri në ditët e sotme, nga aspekti i historisë dhe i adhurimit.

Pas studimit të thellë, të paanshëm dhe pas këtij udhëtimi të gjatë e të mundimshëm, që e përshkova para se të zgjidhja fenë e drejtë që më drejton drejt të vërtetës së ndritshme, duke kërkuar orientim dhe përudhje dhe duke shpresuar ta arrij atë në të cilën më qetësohet shpirti, me qëllim që të udhëzohem drejt natyrshmërisë të cilën e ka krijuar Zoti, arrita fitoren me favorin e Zotit në mirësi dhe siguri dhe deklarova pranimin e Islamit duke thënë:
“La ilahe il Allah, Muhammedun resulullah” (Vetëm Allahu është Zot, Muhammedi është rob dhe i dërguari i Tij), me dije, bindje dhe natyrshmëri.

“Linda që ta adhuroj Jezusin, që ta lartësoj atë si një zot mbi zotat e tjerë, por, kur u rrita, dyshova, prandaj hulumtova për të Vërtetën dhe e njoha atë. Jezusi më thirri: O rob i Zotit! Unë jam njeri sikurse ti! Mos i bëj shok Krijuesit e të adhurosh krijesën, por më paso mua dhe adhuroje Atë. Së bashku le t’i lutemi dhe le t’i themi Atij: Ati ynë dhe Zoti ynë, lavdërimi të takon vetëm Ty! I lartësuar je Ti, o Zot i botëve: ‘Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë!’ O rob i Allahut, unë, ti dhe njerëzit e tjerë jemi robër të Gjithëmëshirshmit.”

Besova Zotin, e pasova Krishtin dhe mohova zotat fals. Pas pranimit të Islamit mora emrin Muhammed, emrin e më të mirit të krijesave, Muhammedit, pejgamberit të mëshirës, i cili e ngriti vlerën e dashurisë dhe vendi

Allahu ka thënë të vërtetën: “Allahu ai hap zemrën (atij që do udhëzimin), për Islamin atij që dëshiron ta udhëzojë, ndërsa atij që dëshiron ta lërë në humbje, (atij që nuk do udhëzimin) ia shtrëngon gjoksin si të jetë duke u ngjitur në qiell. Kështu, Allahu i ndëshkon ata që nuk besojnë.” (El En’am: 125).

U bënë përpjekje për t’i larguar librat e mi larg njerëzve dhe madje ma dogjën edhe makinën, por: “Ata dëshirojnë ta fikin dritën (fenë) e Allahut me gojën e tyre, por Allahu ka vendosur vetëm që ta përsosë dritën e Vet, edhe sikur mohuesit ta urrejnë këtë gjë.” (Et Tevbe: 32).

Kam disa libra”: “Zoti një apo tre”, “Krishti njeri apo zot”, “Muhammedi i dërguari i mëshirës”.

Ky është udhëtimi im nga Triniteti në Njëshmërinë e Zotit (tevhid), nga politeizmi në monoteizëm dhe nga errësira në dritë. Këtë ia dhuroj kujtdo që dëshiron ta njohë të vërtetën dhe rrugën e shpëtimit.

E lus Zotin që t’i udhëzojë ata që e duan udhëzimin dhe t’ua ndriçojë atyre zemrën dhe mendjen.