Akuza: Muslimanët janë terroristë dhe Islami është religjion i terrorit !?
Një herë e një mot, qysh nga koha e zierjes së kryqëzatave dhe gjithandej mesjetës sikur ishte bërë zakon që Islami të paraqitej si një besim terrorizues i Muhamedit, Kur’ani si një abetare dhune dhe muslimanët në përgjithësi si një turmë e të egërve aziatikë që ngarendin pas gjakut rreth e përqark avanturave të tyre. Ka mbetur si një dëshmi e turpit të gdhendur piktura e vendosur në një libër të Washington Irving e cila e paraqet Muhamedin me Kur’anin në një dorë dhe me shpatën e gjakosur në dorën tjetër. Por siç e kishte thënë shumë kohë më herët De Lacy O’Leary “sidoqoftë, historia e bën të qartë se legjenda për muslimanët fanatikë të cilët e vërshojnë botën duke ia dhënë me forcën e shpatës Islamin racave të pushtuara, është një ndër mitet absurde më fantastike që historianët e kanë përsëritur ndonjëherë” [1]
Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të ringjalljes grandioze të një stereotipi të kahershëm i cili frymëzon besime për Islamin si një religjion terrorist. Qarqet evangjeliste kanë botuar literature të tepruar dhe kanë dhënë deklarata të stërmbushura me urrejtje ku Islami portretizohet gjithnjë i ndërlidhur ngusht me gjak dhe dhunë. Evangjelisti i njohur amerikan Jery Fallwell e quajti më shumë se një herë para ca kohësh Muhamedin një ‘profet terrorist’, Franklin Graham, i biri i misionarit të njohur mirë në tërë botën Billy Graham, ngriti zërin gjithashtu disa herë për Islamin si një ‘religjion të prishur dhe të lig’ dhe Pat Robertson, poashtu një autoritet i njohur kishtar në Amerikë sikur i jep kulmin tërë kësaj duke e etiketuar besimin e muslimanëve si një ‘mashtrim monumental’ dhe Profetin Muhamed si një ‘fanatik me sy të egër….plaçkitës dhe kusar….vrasës’ [2]…
Gjithashtu, edhe mjaft media tjera sekulare janë bërë pjesë e trendit që e ka bërë të natyrshme frazeologjinë si ‘terrorizëm islamik’, ‘ terroristë muslimanë’ etj, gjithnjë duke e përfshirë Kur’anin si frymëzues të këtij revolucioni terrorist të muslimanëve. As media dhe qarqe të caktuara shqiptare nuk janë jashtë kësaj loje. Relacioni ‘islam dhe terrorizëm’ është përmendur dhe vazhdon të përmendet aq shumë sa që duket se më as që i vret veshët e kujdoqoftë, është bërë aq i rëndomtë dhe sikur ka pushuar që të sfidojë arsyen e njerëzve të paparagjykueshëm për të hetuar vërtetësinë e gjithë sagës së akuzave të mësipërme. Një faqe interneti kristiane në shqip thumbueshëm proklamon se sikur njerëzit ti bindeshin Kuranit, tashmë do të ishim në luftën e pestë botërore !!! Këtu sikur vlen ironikisht ajo thënia e Hitlerit “Gënjeshtarët e mëdhenj janë edhe magjistarë të mëdhenj”. Dhe njëmend, rrenat, stereotipet dhe pikëpamjet e keqkuptuara për Islamin dhe Kur’anin nuk do të mund të mbijetonin apo të përhapeshin, pa metodat dhe mjetet e magjishme të atyre që i krijojnë dhe i propagandojnë ato. Këto insinuata rreth Islamit janë aq mire të kamufluara me zbukurime të gënjeshtërta sa që për dikë që nuk ka marrur kurrë mundin që të udhëtojë nëpër burimet e Islamit dhe logjikës së shëndoshë, mund të tingëllojnë si të vërteta. Mirëpo ku qëndron e vërteta. A është njëmend Islami religjion i dhunës dhe terrorizmit? A janë vërtetë muslimanë ata që do të kenë bërë aksione terroriste? A janë të gjithë terroristët me prapavijë fetare dhe me besime të supozuara Islame? Çfarë thotë Kur’ani për terrorizmin? Cili është qëndrimi i Islamit ndaj viktimave të pafajshme të terrorizmit? Çfarë mendon Islami rreth qëndrimit të Allahut rreth viktimave të dhunës e terrorit?
Terroristët kristianë !?
Pyetja që shtrohet për fillim është: a është e drejtë që të gjithë muslimanët dhe Islami të identifikohen me terrorizëm vetëm pse disa që e quajnë veten muslimanë kanë bërë ndonjë akt terrorist apo ngjashëm? Ose: a janë këto akte terroriste ekzskluzivitet vetëm i personave me prapavijë ‘muslimane’? Këto pyetje a kanë arsyeshmërinë e tyre në faktin se bazuar në burimet e Islamit, në Kur’an dhe në Sunnet, cilido që i bën dëm tjetrit, cilido që e cënon të drejtën e tjetrit e lëre më cilido që vret të pafajshmin jo vetëm që nuk mund të quhet musliman por me vullnetin e Perëndisë ka rregulla të posaçme për ndëshkimin e të tillëve në këtë botë dhe të njëjtit i pret gjykimi i drejtë i Zotit në përjetësi.
Pastaj, nëse bazohemi në standarde të njëjta me ato që satanizojnë muslimanët atëherë përfundimet mund të jenë shokante dhe të papëlqyeshme duke nxjerrë në pah gjithë hipokrizinë e të logjikuarit të tillë.
Se numri i të krishterëve, përkatësisht i atyre me prapavijë kristiane, gjithandej historisë të cilët kanë bërë aksione terrorizmi dhe masakra të papara në njerëz të pafajshëm, i tejkalon pjesëtarët e cilitdo besim tjetër, kjo nuk është për tu diskutuar. Shembujt e mëposhtëm do ta dëshmojnë këtë. Mirëpo përse mediat, autoritetet kishtare sikur edhe të gjithë misionarët e tjerë të krishterë kurrë nuk përdorin etiketimin ‘terrorizëm kristian’? Përse nuk i binden fjalëve të vetë Jezusit : Mos gjykoni se do të gjykoheni’ ose ‘Përse shikoni halën në syrin e tjetrit kur keni trarin në syrin tuaj’. Nuk ka nevojë këtu për të komentuar se fjala qartë është për një dyftyrësi të ulët.
Do të fillojmë me të famshmin Timothy McVeigh i cili jo shumë vite më parë, më 1995 hodhi bombën në Oclahoma City duke shkaktuar dëme gjigante dhe humbjen e jetës së shumë njerëzve. Dan Barker me të drejtë shtron pyetjen “Përse Timothy Mc Veigh nuk quhet terrorist kristian” [3]? E pra, përse? Ky terrorist sipas raporteve të FBI ishte i lidhur me grupet e djathta ekstremiste të cilat në agjendën e tyre kishin tematikë kristiane. Qëllimet e tij ishin të ngjyrosura me bindje dhe ide të krishtera. Gjithashtu grupi i famshëm racist Ku Klux Klan kishte një agjendë biblike në përndjekjen, masakrimin, vrasjen, djegien dhe maltretimin e qindra mijëra zezakëve amerikanë. Ata thirreshin në Bibël dhe besonin të kryenin vullnetin e Jezu Krishtit në këto aksione të tyre. Përse pra këta nuk quhen terroristë kristianë dhe Bibla në këtë rast ‘libër i terroristëve’? Duke shkuar mbrapa në historinë e këtyre afro-amerkanëve të shtypur për një kohë të gjatë nga të bardhët kristianë amerikanë ne gjejmë një fakt tjetër zhgënjyes. Skllavërimi i tyre dhe marrja rob nga Afrika ishte inicuar nga grupe të bardhësh amerikanë të cilët midis tyre kishin edhe misionarë biblikë. Edhe më zhgënjyes është fakti se këta misionarë kristianë të cilët gjoja shqetësoheshin për shpëtimin e këtyre zezakëve ishin krijuesit e absurdit më të madh në histori: krijimit të kishave në bazë ngjyre dhe race. Kështu deri vonë zezakët ishin të ndaluar të ndiqnin shërbimet në kishat e të bardhëve. Dhe shumica e këtyre zezakëve të robëruar dhunshëm, ishin muslimanë të cilët më vonë nën presionin e terrorit të të bardhëve kristianë u konvertuan në të krishterë. Përse këta ndërrues të dhunshëm të besimit nuk quhen terroristë dhe fundamentalistë?
A ka nevojë këtu të përmenden sulmet terroristë të kryqëzatave të cilat ishin nisur nën flamurin e dogmave kristiane gjoja për të çliruar vendet e shenjta nga paganët muslimanë? Që të gjitha këto kryqëzata kishin frymëzim biblik dhe kishtar. Mijëra muslimanë dhe hebrenjë u therrën tekstualisht nga ata që e quanin veten ‘ushtarë të Krishtit’. Përse këta nuk quhen asnjëherë terroristë kristianë?
Është përmendur lufta e pestë botërore më herët e cila paskësh pasur mundësi të ndodhte kaherë po qe se muslimanët do t’i bindeshin Kur’anit, gjithnjë sipas propagandas antiislamike. Hehe. Vallë kaq naive të jenë njerëzit e tillë sa të mos dinë se që të dy luftërat botërore të deritanishme u nisën nga kristianët, përkatësisht nga ata që e konsideronin veten për kristianë të paktën, e jo nga muslimanët. Pse, Hitleri bie fjala, ishte musliman? Hitleri ishte një kristian i devotshëm. Po pra, monstrumi i cili ishte strumbullari i luftës së dytë botërore dhe i cili vrau me qindra mijëra njerëz të pafajshëm nuk ishte musliman por një kristian i betuar. Besimi kristian ishte ai që atë e udhëheqte drej aksioneve të tia. Është fakt gjërësisht i njohur se ai thirrej në ide biblike dhe të krishtera në aksionet e tij famëkeqe. Në vijim do të japim disa fragmente të shkrimeve të tija vetëm sa për ta ilustruar këtë:
“Ndjenjat e mia si i krishter më drejtojnë tek Zoti im dhe Shpëtimtari im si një luftëtar. Ato më përkujtojnë mua një njeri i cili dikur në vetmi i rrethuar vetëm nga disa pauses, i njohu këta Çifutë për atë qfarë në të vërtetë ishin dhe i thirri njerëzit për t’i luftuar ata …
Në dashurinë e pafundme si kristian dhe si njeri unë lexoj nëpërmes pasazheve të cilat na tregojnë se si Perëndia më në fund u ngrit në madhështinë e tij dhe mori kamxhikun për ti dëbuar nga Tempulli ata këlysh nëpërkash dhe gjarpërinjësh. Sa i tmerrshëm ishte të luftuarit e tij kundër helmit Çifut…
Sot pas dymijë vitesh, me ndjenjat më të thella e njoh më qartë se kurrë më parë faktin se ishte për këtë që Ai (Jezui) u desh të derdhte gjakun e tij në Kryq…” [4]
E pra ja ky ishte Hitleri i cili sipas vetë fjalëve të tij në gjakun e Krishtit dhe në pasazhet biblike ku Krishti i dëbon hebrenjtë nga Tempulli e gjen frymëzimin për të bërë atë që ka bërë. Dhe sot, kush po inicon luftëra me përmasa katastrofale? Kush po pushton vendet e huaja me qëllime të ulëta përfitimi dhe pangopësie. Cilat vende i paskan sulmuar apo pushtuar muslimanët sot me qëllim të nisjes së ndonjë lufte botërore? Apo mos është e kundërta! Duke u nisur nga Ballkani dhe luftërat e fundme. A ishin muslimanët ata që inicuan luftëra apo ishin viktima të fqinjëve të tyre kristianë? Shpeshherë masakrat e bëra ndaj tyre e kishin bekimin e kishave të krishtera.
Një rast tjetër gjithashtu i freskët na vie nga Ruanda e vitit 1994. Kur Hutu milicia filloi sulmet e saj ndaj pakicës etnike Tutci, këta të fundit duke dashur t’i ikin masakrave ia mësynë kishave kristiane për të gjetur shpëtim aty. Mirëpo ndodhi tmerri, ajo që shokoi mbarë botën dhe me të cilën akoma po meret gjykata e Hagës për krime lufte. Në vend të kishat kristiane ti prisnin duarhapur këta Tutci të pafajshëm, priftërinjtë, pastorët dhe murgeshat në shumë raste me vetëdije të plotë i gjuajtën këta njerëz në duar të vrastarëve dhe faktikisht në shumë raste të tjera ishin vetë inicuesit e vrasjeve duke krijuar kështu një ndër krimet më të hatashme të shekullit që lamë pas. Gjykata e Hagës akuzon për krime lufte dhe gjenocid një numër të konsideruar të liderëve kishtarë kristianë Ruandezë nga të gjitha denominacionet: katolikë, protestanë, adventistë, evangjelistë etj. Më shumë se 50 000 njerëz të pafajshëm u therrën e masakruan në këtë luftë të ndihmuar nga paria kishtare. Edhe pse para luftës muslimanët në Ruandë ishin një pakicë e vogël diku prej gjithsej 7 % nga popullata e përgjithshme, ata e bënë të njohur emrin e tyre gjithandej botës e para së gjithash tek populli Ruandez për ndihmesën e tyre dhënë njerëzve të pafajshëm civilë dhe shpëtimin e tyre nga masakrat e sigurta duke i fshehur qoftë nëpër xhamia qoftë nëpër shtëpi private të muslimanëve. Sipas raporteve zyrtare Ruandeze dhe Perëndimore numri i muslimanëve pas luftës u dyfishua në mënyrë rapide dhe vazhdon të rritet me pranimin e Islamit nga mijëra Ruandezë. Tash pyetja veçse dihet: përse këta priftërinjë, pastorë, murgesha e njerëz të kishës nuk quhen terroristë duke qenë se zhgënjyen aq shumë njerëz që kishin kërkuar shpëtim tek ta duke i quar me duart e veta në gojën e ujkut? Kjo është një dyftyrësi e ulët !
Kemi përmendur gjithë këto raste me të vetmin qëllim që të sforcojmë dhe të tregojmë se sa naiv dhe dyftyrësh është përdorimi i standardeve të dyfishta gjatë njollosjes së Islamit dhe muslimanëve me nocione dhune e terrorizmi. Bazuar pra në këtë logjikë të përdorur nga kundërshtarët e Islamit vijmë deri tek rezultate dëshpëruese të cilat do të duhej të rezultonin me zbulimin e termave të rinjë gjatë emërtimit të aksioneve të mësipërme për arsye se vetëm fjalët terrorizëm dhune etj nuk janë të mjaftueshme për të përshkruar krimet e përmendura më sipër. Në anën tjetër muslimanët e udhëzuar nga Kur’ani janë shumë të kujdesshëm dhe nuk e gjykojnë besimin e askuj në bazë të veprave të ndonjë pjesëtari të tij. Muslimani i udhëzuar nga Zoti i Kur’anit nuk e lejon veten që të prodhojë urrejtje ndaj besimit të kujdoqoftë vetëm pse ndonjë i vetëquajtur i atij religjioni ka bërë aksione terrori dhe dhune. Allahu thotë në Kur’an: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur” Kur’ani 49:13 Ndershmëria dhe afria me Allahun edhe në mjaft raste të tjera në Kur’an është treguar permes respektimit të të gjitha të drejtave të njerëzve të tjerë. Përkatësia ndonjë race, populli, apo religjioni tjetër nuk do të thotë se njeriut i ipet e drejta për t’i urrejtur ata apo për t’i etiketuar me çfarëdo epiteti ofendues, vetëm pse ndonjë pjesëtarë i atij populli, religjioni apo race ka bërë ndonjë bëmë të padrejtë e të keqe. Kur njerëzimi të vijë tok tek ky urdhër i Allahut dhe të kuptojë se diverziteti i njerëzimit në popuj, fise, raca etj etj është arsye e njohjes midis tyre, është bekim i jetesës së përbashkët, atëherë do të pushojnë të gjitha urrejtjet dhe mosmarrëveshjet e padrejta midis pjesëtarëve të raceës njerëzore.
Sqarimi i vargjeve ‘terroriste’ Kur’anore
Se gënjeshtrat e propagandave antiislamike gjatë të quajturit të Islamit terror dhe dhunë janë mire të planifikuara dhe të përpunuara hollësishëm, që do të thotë se janë të dizajnuara me një arkitekturë të themi prej magjistari, bazuar në fjalët e mëhershme të cituara nga Hitleri, e tregon më së miri një analizë e thjeshtë e shkrimeve të tilla urrejtëse. Pikë së pari duket të jetë trend këtyre ditëve në qarqet kristiane që vargjet Kur’anore të nxirren nga konteksti dhe në bazë të dy tri fjalive të thuren rrëfime të tëra. Kur’ani përmendet vend e pavend, një sentence sado e vogël e nxjerrë nga konteksti mjafton për të denigruar dinjitetin e njerëzimit duke kompozuar përralla magjepse terrorizmi. Ajeti 29 i sures 9 është më i preferuari në këtë aspekt:
“Luftoni ata që nuk besojnë All-llahun e as botën tjetër, nuk e konsiderojnë të ndaluar atë që e ndaloi All-llahu dhe i dërguari i Tij, nuk besojnë fenë e vërtetë, prej atyre të cilëve u është dhënë libri, derisa ta japin xhizjen në dorë e duke qenë të mposhtur.” Kur’ani 9:29
Për ata që e njohin mire suren e nëntë të Kuranit prej nga është marrë ky varg, nuk ka kurrfarrë paqartësie apo problemi aty. Më herët aty ,vargu 4 i Sures 9 tregon qartë se është fjala për shkelësit e marëveshjeve të cilat ishin bërë midis muslimanëve dhe idhujtarëve mekas. Qartë është treguar se ajo nuk vlen për ata që i janë përmbarjtur marrëveshjes së vullnetshme
“Pos atyre idhujtarëve me të cilët keni lidhur marrëveshje, e të cilët nuk ju kanë shmangur asgjë dhe nuk e kanë ndihmuar askënd kundër jush, pra, edhe ju përmbushni marrëveshjen e tyre deri në afatin e caktuar. S’ka dyshim se All-llahu i do të devotshmit.” Kurani 9:4
Marëveshja e tillë jo vetëm që ishte thyer rëndë nga idhujtarët e Mekës duke pasur për implikim vrasjen në tradhëti të njerëzve të pafajshëm por kjo gjë ishte bërë në bashkëpunim të ngushtë me pjesëtarë nga “Njerëzit e Librit”. Se vargu i cituar më sipër dhe të tjerë të ndërlidhur me të nuk ka të bëjë aspak me vrasjen apo luftimin e njerëzve të pafajshëm tregohet prej ajetit të gjashtë deri tek i trembëdhjeti. Ne do të citojmë këtu vetëm të parin dhe të fundit ndërsa ju lexoni të gjitha:
“E nëse ndokush prej idhujtarëve të kërkon strehim, ti strehoje në mënyrë që t’i dëgjojë fjalët e All-llahut (Kur’anin), e mandej përcille në vendin e tij të sigurt. Këtë ngase ata janë popull që nuk dinë……. Përse të mos e luftoni një popull që thyen zotimet e veta dhe tentuan të dëbojnë të dërguarin? Në të vërtetë ata ua filluan të parët luftën. A u frikësoheni atyre? Më e drejtë është t’i frikësoheni All-llahut, nëse jeni besimtarë.”. Kur’ani 9:6,13
Njerëzit që citojnë vargjet e tilla jashtë kontekstit nuk janë të interesuar që ta dinë të vërtetën, ata dëshirojnë të kenë sytë e mbyllur para faktit se këta idhujtarë për të cilët flasin vargjet e cituara vranë muslimanë të pafajshëm në Mekë, torturuan gra e burra pa pikë faji dhe dëbuan nga shtëpitë e tyre njerëzit faji i vetëm i të cilëve ishte se kishin pranuar thirrjen e Allahut. Dhe jo vetëm kaq. Ata nuk i lanë rehat muslimanët edhe si të dëbuar. Ata vetë lidhën marëveshje të caktuar mossulmi me ta dhe vetë e thyen duke hapur rrugë sërish për realizimin e ideve të tyre vrasëse. Ndërkaq në ndërkohë ata vazhdonin ti maltretonin muslimanët e mbetur në Mekë. Siç thotë vargu ata filluan të parët luftën. Vargjet si 9:29 duhet kuptuar në kontekstin e tërësishëm të sureve nga janë cituar dhe në kontekstin e gjithëmbarshëm të rregullave të paqes e luftës të nxjerra nga Kurani. E njëjta gjë vlen edhe për Suren 9:5
”E kur të kalojnë muajtë e shenjtë, luftoni idhujtarët kudo që t’i gjeni, robëroni dhe ngujoni ata, e vinju pritë në çdo shteg” Kur’ani 9:5
Veçse është dhënë sçarimi edhe për këtë. Vargjet prej 9:1-4 sikur edhe të gjitha të tjerat prej pesë e tutje e sqarojnë se është fjala për ata idhujtarë vrastarë e mizorë të cilët kishin thyer marëveshjen dhe jo për dikë që ishte sjellur në mënyrë paqësore dhe nuk kishe kryer krime. Është shumë e qartë nga konteksti i sures ku gjendet ajeti se është fjala për mizorët të cilët kishin thyer zotimin. Për të pasur një pasqyrë të natyrës së këtyre zullumqarëve le të përmendim vetëm disa shembuj të vockël të bëmave të tyre të trishtueshme në Mekë. Sumaja, një grua e pafajshme, është ndarë në dy pjesë me hanxhar nga ta, vetëm përse kishte pranuar mesazhin e Zotit të Muhamedit. Nje shembull tjetër është edhe Jasiri, këmbët e të cilit u lidhën njëra në një deve dhe tjetra në një tjetër, e kafshët u yshtën të vraponin në drejtime të kundërta. Khabbab bin Arth e shtrinë mbi një shtrat qymyri të ndezur dhe ia vendosën këmbët mbi gjoks që ai të mos lëvizte e të shkriheshin edhe dhjamrat nën lëkurën e tij. Khabban bin Arth vritet pastaj në mënyrën më mizore duke i prerë gjymtyrët dhe duke i prerë mishin copa-copa. Dhe sikur këto tortura të mos ishin mjaft këta tiranë kishin sulmuar edhe muslimanët e ikur në Medinë dhe kishin thyer marëveshjen që kishin pasur me banorët e Medines. Ajeti i katërtë e tregon qartë se tek 9:5 dhe 9:29 është fjala vetëm për atë rast specifik dhe vetëm për ata idhujtarë të cilët kishin thyer marëveshjen dhe jo për të gjithë idhujtarët apo paganët. Ajeti i dytë nga surja 9 tregon se Perëndia u kishte dhënë këtyre paganëve edhe katër muaj afat për tu përmirësuar megjithqë ata e kishin thyer marëveshjen.
Sa i përket xhizjes së përmendur më herët tek ajeti 9:29 ky është një koncept i cili qëllimshëm pothuajse gjithherë keqinterpretohet nga mjaft të krishterë. Xhizja është një taksë formale e cila paguhej nga jomusliamanët në shtetin islamik. Shumë mirë e dimë se edhe sot në cilindo shtet qytetarët paguajnë taksa. Në shtetin musliman, pikërisht janë muslimanët ata të cilët paguajnë shumë më shumë se jomuslimanët. Përderisa muslimanët janë të obligueshëm të paguajnë 2.5 % të pasurisë së tyre vjetore, dhe shumë taksa të tjera, kjo nuk vlen për jomuslimanët. Xhizja është një kompenzim i kësaj pra e cila përndryshe është shumë me e vogël nga ajo që paguajnë muslimanët. Pastaj kjo është një taksë që e paguan qytetari jomusliman në shtetin musliman e cila përdoret gjithashtu për mbrojtjen e këtyre qytetarëve duke qenë se ata nuk janë të detyruar të marrin pjesë në luftërat eventuale të shtetit islamik.
Një ajet tjetër që përdoret gjithashtu nga apolegjetet për të terrorizuar njerëzit me mashtrimet e tyre është ajeti 33 nga surja 5.
Edhe ky ajet poashtu është nxjerrë tërësisht nga konteksti për të krijuar në mënyrë artificiale një imazh negativ për Kuranin dhe Islamin:
“Dënimi i atyre që luftojnë (kundërshtojnë) All-llahun dhe të dërguarin e Tij dhe bëjnë shkatërrime në tokë, nuk është vetëm se të mbyten ose të gozhdohen, ose (të gjymtohen), t’u priten duart dhe këmbët e tyre të anëve të kundërta, ose të dëbohen nga vendi. Kjo (masë ndëshkuese) është poshtërim për ta në dynja, dhe në botën tjetër ata do të kenë dënim të madh.” Kur’ani 5:33
Le ta shikojmë domethënien e këtij ajeti. Pikësë pari fillimi ‘dënimi i atyre që luftojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij’ nuk nënkupton pjesëtarët e ndonjë përkatësie tjetër fetare. Këtë e kuptojmë nga shumë ajete. Ja disa:
“Vërtet, ata që besuan, ata që ishin jehudi, krishterët sabejët, (kishun lëshuar fenë e adhuronin engjëjt), kush besoi prej tyre (sinqerisht) All-llahun, dhe botën tjetër dhe bëri vepra të mira, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë as nuk kanë përse të pikëllohen (pasi që besuan All-llahun, librat të dërguarit në mesin e të cileve edhe Muhammedin).” Kurani 2:62
“Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota. E kush nuk i beson të pavërtetat, e i beson All-llahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila nuk ka këputje. All-llahu është dëgjues i dijshëm.” Kurani 2:256
“Luftimi kundër Allahut dhe të Dërguarit” gjithashtu nuk do të thotë as të jetuarit në mospajtim me Kuranin. Secili është i lirë ta jetojë jetën e vetë si të dojë. Kjo na është bërë e qartë nga disa ajete Kuranore:
“E robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: “Paqë!”” Kurani 25:63
“All-llahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; All-llahu i do ata që mbajnë drejtësinë. All-llahu ju ndalon t’u afroheni vetëm atyre që ju luftuan për shkak të fesë, që ju nxorën prej shtëpive tuaja dhe që ndihmuan dëbimin tuaj; ju ndalon të miqësoheni me ta. Kush miqësohet me ta, të tillët janë dëmtues të vetvetës.” Kurani 60 : 8-9
“E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë.” Kurani 18:29
Tani duke e pasur këtë të qartë ti kthehemi pjesës së dytë të ajetit nga 5:33 “dhe bëjnë shkatërrime në tokë”. Është e quditshme. Përse dikush do të kishte diçka kundër dënimit të atyre që bëjnë shkatërrime në tokë. Çka do të thotë në fakt të bërit shkatërrime në tokë. Për shembull kjo do të thotë të vrasësh njerëz të pafajshëm, të maltretosh fëmijë të pafajshëm, të dëbosh njerëz nga shtëpitë e tyre, të plaqkitësh pasurinë e tjetrit, të rrënosh vendbanimin e tjetrit, të kryesh aksione terrorizmi në aeroplane dhe gjetiu. Vallë a nuk e meritojnë këta “të mbyten ose të gozhdohen, ose t’u priten duart dhe këmbët e tyre të anëve të kundërta, ose të dëbohen nga vendi” siç thotë pjesa tjetër e ajetit. Pyetni ata që e pësojnë nga krimet e tyre, ose vejeni veten për një qast në vend të tyre. Askush nuk do të dëshironte t’i ndodhte diçka nga ato të përmendura më sipër. Njerëzit kanë të drejtë të jetojnë të lirë jetën e tyre dhe të mos iu cënohet e drejta e tyre nga tjetërkush, prandaj është e domosdoshme të kryhet dënimi për ata që bëjnë shkatërrime në tokë, që shkatërrojnë jetën e të tjerëve. Pastaj sidoqoftë dënimet e tilla janë për ata që nuk pendohen dhe kryejnë krime të tilla në vazhdimësi. Perëndia gjithmonë lë të hapur derën e pendimit.
“Ndëshkimi i të keqes, bëhet me një të keqe në të njejtën masë, e kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është tek All-llahu. Vërtet, Ai nuk i do zullumqarët. E kush hakmirret për padrejtësitë që i janë bërë, ndaj të tillëve nuk ka ndonjë përgjegjësi. Përgjegjësia (ndëshkimi) është vetëm kundër atyre që u bëjnë njerëzve padrejtë dhe kundër atyre që pa farë arsye bëjnë çrregullime në tokë. Për të tillët është një dënim i dhembshëm. Kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim se ajo është virtyti më i lartë (i lavdishëm).” Kur’ani 42:40-43
“Unë pranoj shumë pendimin, jam mëshirues.” 2:160
“E kush pendohet pas punës së keqe dhe përmirësohet, s’ka dyshim, All-llahu ia pranon pendimin, All-llahu është që falë shumë, është mëshirues” 5:39
“E ata që bënë vepra të këqija e pastaj u penduan pas tyre dhe besuan sinqerisht, Zoti yt ua falë gabimet dhe është mëshirues pas tij” 7:153
Ne kemi sqaruar vetëm disa nga ajetet e nxjerra jashtë kontekstit të cilat përdoren frekuentisht për të njollosur muslimanet dhe Islamin. Edhe gjithë ajetet tjera të përdorura për këtë qëllim kanë spjegim të ngjashëm dhe janë të përdorura në të njëjtën mënyrë nga apolegjetet terrorizues.
Hamasi, Bibla dhe frymëzuesit e terrorizmit
Një mani tjetër e propaganduesve të binomit “Islami terrorizëm” është edhe përdorimi i fotografive të shumta të grupeve të ndryshme të cilat përdorin frazeologji islamike në aksionet e tyre. Edhe këtu në mënyrën me eklatante shihet dyftyrësia e standardit të dyfishtë dhe naiviteti i identifikimit të gjithë muslimanëve dhe vetë Islamit me ndonjë grup a shoqatë që jo medoemos përfaqëson Islamin. Pothuajse është bërë rregull që në raste të tilla të përdoren foto nga Hamasi, Hizbullahu apo ndonje grup tjetër , ku janë të paraqitur protestues palestineze me armë në dorë dhe me mbishkrime nga Kur’ani apo diçka tjetër arabisht. Më herët ne veçse kemi sqaruar se Kur’ani në asnjë mënyrë nuk inicon terrorizmin. Gjithashtu tek Islami dhe Terrorizmi kemi spjeguar se si sulmet vetëvrasëse nuk kanë aspak natyrë Islamike. Kot dikush mund të thirret në burime Islame duke kryer vepra të tilla kur vetë Kur’ani është kundër aksioneve të tilla.
Ajo çka nuk bëhet kurrë në raste të tilla gjatë përdorimit të fotografive të tilla është se kurrë nuk shkohet përtej shkaqeve formale tek arsyet e vërteta të përdorimit të dhunës nga grupet e tilla. Edhe pse veçse e kemi bërë të qartë se Islami dhe muslimanët e bazuar në Kuran në asnjë mënyrë nuk përkrahin çfarëdo dhune të përdorur nga kushdoqoftë, ia vlen që të sqarohen më detajisht arsyet që kanë sjellur deri tek formimi i grupeve të tilla të dhunshme. Në anën tjetër kjo do të zbulojë një anë tjetër të medaljes së hipokrizisë lidhur me qëndrimin e Islamit dhe Krishterimit ndaj terrorizmit. Pra pyetja që shtrohet është: kush janë në fakt inicuesit, frymëzuesit dhe shkaktarët e aksioneve të dhunshme të Hamasit dhe të disa palestinezëve bie fjala. Për fillim lexoni të dy rrëfimet e mëposhtme, shihni ngjashmëritë, bëni krahasimet pa ditur për momentin burimin e tyre:
Masakra e Sihonit dhe Jerikos
Atëherë Sihoni doli kundër nesh me gjithë njerëzit e tij, për t`u ndeshur në Jahats. * * * * * * Jozueu i tha popullit: “Bërtisni, sepse Zoti ju dha qytetin! |
Masakra e Dauaima-s
Në ditën e 29 të Tetorit Armata e Izraelit hyri dhunshëm në Dauiama duke masakruar brutalisht rreth 100 gra e fëmijë, dhe duke shkaktuar ekzod masiv të njerëzve nga ai fshat. E përditshmja Izraelite Al ha Mishmar cituar në librin All That Remains e përshkruan masakrën e mësipërme kështu: Fëmijët u mbytën duke i goditur në kokë me shufra. Nuk kishte asnjë shtëpi pa të vdekur…një komandant urdhëroi një xhenier që dy gra të vendoseshin në një shtëpi dhe shtëpia të eksplodonte bashkë me to…Një ushtar rrëfeu se ai kishte dhunuar një femër dhe pastaj e kishte vrarë. Kryeplaku i fshatit Dauaima përshkruan ngjarjen: “Njerëzit po iknin dhe ata vranë këdo që gjetën nëpër shtëpia. Ata vranë gjithashtu njerëz në rrugë. Ata erdhën dhe e bombarduan shtëpinë time…pasi kisha pare tankset të vinin dhe të hapnin zjarr unë e kisha lëshuar fshatin menjëherë. Rreth oreës dhjetë e gjysmë dy tankse kaluan kah xhamia Darauish. Rreth 75 njerëz të moshuar kishin ardhur herët në mengjes aty për të pritur për të bërë lutjen e xhumasë. Ishin bashkuar për t’u lutur. Që të gjithë u vranë. Rreth 35 familje po fshiheshin në shpella jashtë fshatit dhe kur forcat Izraelite i zbuluan u thane që të dilnin dhe të hecnin. Kur njerëzit filluan të ecin ata u gjuan me breshëri plumbash nga të dy anët…
|
Në mënyrë aq të thjeshtë një fshat, qytet apo vendbanim sulmohet, vriten e masakrohen burra, gra e fëmijë, digjen shtëpi, plaqkiten bagëti dhe gjësende. Në të dy rrëfimet keni storie të llojit të njëjtë vetëm me epizoda të ndryshme. Dhe tash duke e ditur burimin e rrëfimit në të majtë do të sçarohen shumë gjëra në lidhje me atë se kush është shkak i aksioneve terroriste të disa individëve apo organizatave palestineze: Islami apo krejt dikush tjetër.
Fatkeqësisht rrëfimi në të majtë është episodë biblike e bëmave të të ashtuquajturit ‘popull biblik të udhëhequr nga Perëndia’. Ato aksione terrorizmi janë kopje fjalë për fjalë nga Ligji i Përtërirë 2:32-35 dhe Libri i Jozuehut 6:16-26. Vetëm duke e njohur mire Biblën mund të sçarojmë zanafillën dhe shkaktarët e dhunës Izraelite ndaj Palestinezëve dhe pastaj edhe aksionet frustruese të dhunshme të disa individëve palestinezë ndaj caqeve izraelite. Sado që mund të duket shokuese, rrëfimi në të majtë është pjesë përbërëse e Biblës dhe nuk është një incident i vetëm i izoluar ku dhuna, vrasja, masakrimi, djegia dhe plaqkitja gjoja urdhërohen nga Perëndia për, le të themi lirisht, asnjë arsye të vetme. Lexojeni edhe një herë me vëmendje rrëfimin e mësipërm biblik; as nuk është nxjerrë nga konteksti dhe as që është i imagjinuar. E shprehë një qasje reale të Biblës ndaj këtij problemi. Në Bibël ekzistojnë shumë rrëfime të tilla. Në disa sosh jepet një arsye naïve për masakrat e tilla; gjoja Perëndia e paskësh caktuar tokën e këtyre popujve të masakruar për popullin e Izraelit, mirëpo pyetja që shtrohet është: a do të urdhëronte njëmend Zoti që ata burra, gra e fëmijë të pafajshëm të vriteshin në mënyrë aq mizore për një arsye të tillë të paqenë? Asnjë njeri me logjikë të shëndoshë nuk do të mund të pranojë se rrëfimet e tilla që gjenden në Bibël janë të frymëzuara nga Zoti. Zoti nuk frymëzon terror, vrasje, plaqkitje, djegie. Mirëpo fatkeqësisht tregimet e tilla u përvodhën në Bibël me apo pa qëllim. Dhe ishin pikërisht storiet e tilla që frymëzuan krijimin e shtetit Izraelit dhe fushatën e tij të mëpastajme ndaj palestinezëve nëpërmjet metodave të ndryshme të vrasjes, masakrimit, okupimit të tokave, shtëpive etj. Këtu nuk duhet harruar faktin se ky shtet me bëmat e tij kurrë nuk do të mund të vihej në zbatim pa ndihmën e lobeve perëndimore të cilat në masë të madhe janë të ndikuara nga qarqe evangjeliste. Quditërisht! Kishat e fuqishme evangjeliste protestane haptas e përkrahin krijimin e shtetit izraelit pjesë përbërëse e të cilit janë krimet e vazhdueshme ndaj popullit palestinez. Ato haptas tregojnë simpati për këtë shtet gjë kjo sipas të cilëve po realizohet në përputhje me profecitë Biblike. Ky shtet madhërohet në lutjet e tyre. Në Izraelin e tanishëm ata shohin përmbushjen e profecive Biblike që e afrokan ardhjen e dytë të supozuar të Krishtit. Ngjashmëria shokuese midis rrëfimit biblik të mësipërm dhe të një fragmenti të krimeve izraelite përballë saj, nuk le fije dyshimi për burimin e frymëzimeve të bëmave të këtij shteti. Tash, një dhunë e tillë e zhvilluar prej dekadash nuk ka si të mos ndezë indinjatën e popullit palestinez e cila shpesh shprehet edhe me aksione vetëvrasëse ku humbin jetën edhe shumë njerëz të pafajshëm. Është irrelevant fakti që ata që kryejnë vepra të tilla mund të kenë terminologji apo ide sipërfaqësore ‘islamike’ në vete, sepse veçse e kemi sqaruar se Islami në asnjë mënyrë nuk e arsyeton as edhe një aksion të vetëm të tillë ku do të humbnin jetën civilë të pafajshëm. Për më tepër Islami-Kurani fuqishëm e dënon çfarëdo aksioni ku pësojnë të pafajshmit.
“… kush mbyt një njeri, pa mbytur ai ndonjë tjatër dhe pa bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit” Kur’ani 5:32
Gjë që nuk mund të thuhet për Biblën. Këtu vijmë deri tek një përfundim shokues: Fatkeqësisht përkundër Kur’anit ku kemi parë se të gjitha ato të cilësuara si vargje frymëzuese për terrorizmin nuk janë gjë tjetër veçse nxjerrje nga konteksti i sures dhe i historisë, rrëfimet nga Bibla nuk lënë asnjë dyshim për prapavijën e tyre të dhunshme dhe terroriste. Ne dhe muslimanët në përgjithësi nuk mohojnë faktin se ka individë të cilët e keqpërdorin dhe keqkuptojnë përkatësinë e tyre fetare duke kryer aksione terrori mirëpo kjo askuj nuk i jep të drejtë që tër Islamin ta etiketojë me nofka terrorizmi apo ta identifikojë me Hamasin apo dikë tjetër, aq më tepër për faktin se Kur’ani fuqishëm e dënon çfarëdo dhune ndaj njerëzve të pafajshëm dhe gjithashtu duke pasur edhe më shumë parasysh faktin se nëse do të niseshim nga një logjikë e tillë krishterimi është i pari besim i cili do të duhej të quhej terrorist duke i ditur gjithë ata shembuj të mësipërm të cilët siç pamë edhe janë të frymëzuar pa asnjë dyshim nga Bibla.
Zoti bashkëndjen me vuajtjen e viktimave të terrorizmit dhe dhunës
Në aksionin terrorist në SHBA para disa vitesh dhimbshëm humbën jetën qindra njerëz. Shumë nga ta kishin kryer punë dhe po ktheheshin në shtëpitë e tyre me aeroplan. Shumë të tjerë u gjendën në vendin e punës në ndërtesat që u shkatërruan. Të tjerë rastësisht u gjendën në rrugët përreth. Secili nga ta fare pafajshëm u bë viktimë e një akti mizor.
Në territoret e okupuara palestineze pothuajse është bërë përditshmëri që palestinezë të pafajshëm, përfshirë edhe fëmijë, gra e pleqë të vriten pa ndonjë pretekst të qëndrueshëm. Qindra shtëpi sistematikisht shkatërrohen në vazhdimësi.
Në rrugët e Jeruzalemit apo Tel-Avivit sulmuesit vetëvrasës marrin mizorisht jetën e shumë të pafajshmëve përfshirë gra, burra, fëmijë dhe pleq.
Në burgjet e Irakut tash vonë ndjenjat, dinjiteti dhe trupi i qindra irakienëve të arrestuar u masakruan në mënyrën më të turpshme duke u keqtrajtuar në mënyrat më gjakpirëse. Luajtja me nderin, trupin dhe mendjen e tyre janë për tu tmerruar.
E tëra kjo vie si mosrespektim i urdhërit të Allahut:
“All-llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim” Kur’ani 16:90
Në të gjitha këto raste dhe të gjitha të tjera dinjiteti i pafajshëm njerëzor është rrënuar në mënyrën më të padrejtë. Allahu bashkëndjen vuajtjen dhe dhimbjen e të gjithë këtyre dhe i sihariçon këta për vendosjen e drejtësisë së tij.
“E Zoti yt, vërtet do të gjykojë mes tyre me drejtësinë e Tij, e Ai është i gjithfuqishmi e i dijshmi.” 27:78
Dhe në Ditën e madhe të Gjykimit: “Sot shpërblehet secili njeri me atë që ka vepruar. Sot nuk ka padrejtësi, All-llahu llogarit shpejt.” 40:17
Për ata që bëjnë vepra të tilla Zoti thotë në Kur’an:
“E kur atyre u thuhet: “Mos bëni ç’rregullira në tokë”! Ata thonë: “Ne jemi vetëm paqësues!” A nuk janë vërtet ata ç’rregulluesit?; Por nuk kuptojnë!” Kur’ani 2:190
Sa mrekullueshëm i përshtatet kjo gjendjes së sotme të njerëzve që bëjnë terrorizëm,dhunë dhe çrregullime në Tokë. Vërejeni me vëmendje fjalorin e secilit që ka kryer aksione të tilla dhune dhe terrorizmi. Tek secili prej tyre, qofshin ata nga cilido vend i Lindjes së Afërt, Irakut ,SHBA-ve apo ngado tjetër, arsyetimi i tyre është se po vendosin paqe në Tokë, ndërsa është mjaft evidente se me aksionet e tyre rrënojnë jetërat e mijëra njerëzve duke i vrarë ata, duke i dhunuar fizikisht dhe shpirëtirisht, duke e shkatërruar jetën e milionave dhe duke e shëndërruar Tokën e dhënë dhuratë nga Perëndia në një mizerie tmerri.
Siç kemi parë edhe më herët Islami jo vetëm që nuk frymëzon aksione të tilla terrorizmi por ai i sanksionon ato në mënyrën më të ashpër.
“… kush mbyt një njeri, pa mbytur ai ndonjë tjatër dhe pa bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit” Kur’ani 5:32
Lavdi Allahut për udhëzime e tij të shkëlqyeshme që nuk lënë vend për asnjë fije dyshimi.
“Kjo është rruga e Zotit tënd, është e drejtë, Ne shpjeguam argumentet për njerëz që përkujtojnë” Kur’ani 6:126
Rruga të cilën Ai e ka bërë të njohur është shumë e qartë. Në çfarëdo aspekti “është sqaruar e vërteta nga e kota” Kur’ani 2:256
Janë pikërisht njerëzit të cilët bëjnë veprat e dhunshme terrorizuese të përmendura më sipër, për të cilët vlen ajeti 33 nga surja 5:
“Dënimi i atyre që luftojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij dhe bëjnë shkatërrime në tokë, nuk është vetëm se të mbyten ose të gozhdohen, ose t’u priten duart dhe këmbët e tyre të anëve të kundërta, ose të dëbohen nga vendi. Kjo është poshtërim për ta në dynja, dhe në botën tjetër ata do të kenë dënim të madh.” Kur’ani 5:33
Sikur të funksiononte ligji dhe drejtësia e Allahut të gjithë ata njerëz që marrin jetëra të pafajshme dhe që bëjnë miliona të tjerë të vuajnë në mënyra të ndryshme, në mënyrë meritore do të dënoheshin me të gjitha ato ndëshkime që përmenden më sipër, ndërsa në Ditën e Gjykimit poashtu i pret drejtësia e Allahut.
Prandaj të thuhet se aksione të tilla terrorizmi frymëzohen nga Kur’ani apo Islami është hiq më shumë se denigrim i ulët dhe total i logjikës dhe i të së vërtetës.
Përfundim
Si përfundim mund të themi se:
- Është shumë e pasinqertë njollosja e Islamit me nofka terrorizmi dhe dhune vetëm pse disa nga ata që e quajnë veten muslimanë kanë bërë ndonjë aksion të tillë, për arsyen e thjeshtë se Kur’ani në një mori rastesh i kundërvihet fuqishëm aksioneve të tilla, qofshin këto sulme vetëvrasëse, hedhje në ajër e ndërtesave, vendosje e bombave apo çfarëdo forme tjetër. (Kur’ani 5:32, 4:29, 6:151, 17:33)
- Jo vetëm që aksionet e tilla nuk janë të frymëzuara nga Islami dhe Kur’ani por ato janë thelbësisht të dënuara dhe të sanksionuara në Kur’an nga Allahu. Sipas Kur’anit njerëzit që krijojnë çrregullira të tilla në Tokë i pret denim i dhembshëm në këtë botë në pajtim me ligjin e Perëndise, dhe gjithashtu ndëshkim meritor në Ditën e Gjykimit. (Kur’ani 5:33)
- Jo të gjithë kryesit e terrorizmit dhe dhunës janë me prapavijë muslimane (formale). Numri i personave që kanë kryer terror dhe dhunë gjatë gjithë historisë e edhe sot e të cilët vijnë nga provinienca kristiane i tejkalon pjesëtarët e çfarëdo përkatësie tjetër (formale) fetare.
- Ajetet Kur’anore (9:5, 5:33, 9:29 etj) që përdoren nga shumë misionarë të krishterë për të arsyetuar barazimin e Islamit me Terrorizëm nga ta, janë nxjerrje nga konteksti historik, nga konteksti i gjithëmbarshëm i sures dhe janë të komentuar skajshmërisht në mënyrë denigruese, urrejtëse dhe jologjike.
- Përkundër Kur’anit që e mohon dhe e dënon dhunën, në Bibël me apo pa qëllim janë ngërthyer rrëfime sipas të cilave Zoti Biblik jo vetëm që favorizon vrasjen e burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm por e urdhëron kategorikisht një gjë të tillë. Kjo shihet në Bibël në një mori rastesh. (Dalja 17:13, Dalja 32:27, Numrat 21:35, Numrat 31:9)
- Megjithë këtë muslimanët e udhëzuar nga Kur’ani nuk përdorin terme si ‘terrorizëm kristian’ apo ndonjë ofendim tjetër për pjesëtarët e ndonjë besimi religjioz sepse të udhëzuar sipas shembullit të Muhamedit muslimanët e respektojnë besimin e tjetrit. Rastet e inspirimit të terrorizmit dhe dhunës nga Bibla ua lënë vetë kristianëve dhe judenjëve që ti zgjedhin, ndërsa për vete mbajnë besimin se Zoti kurrë nuk do të mund të frymëzonte gjëra të tilla të tmerrshme, porse këto tregime janë inkorporuar nga njerëzit në Bibël dhe nuk janë assesi Fjalë të Perëndisë.
- Dhe për fund; Njerëzimi do të mund të jetonte një jetë paqësore midis veti dhe me Zotin po ti përmbahej fjalës së Allahut në Kur’an: ”All-llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim” Kur’ani 16:90
Shkruar nga Halil Ibrahimi.
[1] De Lacy O’Leary, Islam at the Crossroads (London, 1923), p. 8
[2] Cituar sipas The Religious Tolerance në “VERBAL ATTACKS ON MUSLIMS BY:Graham, Buckley, Hinn, Falwell, Robertson, Swaggart & Baldwin” tek adresa http://www.religioustolerance.org/reac_ter18b.htm
[3] Dan Barker në “Christian Terrorism In Oklahoma City” , Freethought Today May 1995
[4] Adolph Hitler, në një fjalim mbajtur më 12 Prill 1922 publikuar në “My New Order” cituar në “Freethought Today” April 1990