Ajni Sinani
Por, për të kuptuar më mirë atë se çfarë i ka ofruar Islami femrës dhe të drejtat që ia ka njohur asaj në vazhdim do të përshkruaj në mënyrë përmbledhëse pozitën e saj në Hebraizëm, Krishterizëm dhe Islam.
Femra në hebraizëm
Femra është fajtore për mëkatin e parë. Kjo ngase sipas Dhiatës së Vjetër Zoti e pyeti Adamin dhe ai u përgjigj: “Mos vallë ke ngrënë nga pema që unë të kisha urdhëruar të mos haje?”. Njeriu u përgjigj: “Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema dhe unë e hëngra”. (Zanafilla 3: 11- 12).
Sipas këtij teksti Eva, është fajtore për mëkatimin e Adamit dhe për pasojë ferma në sytë e çifutëve dhe të krishterëve vazhdimisht do të konsiderohet një krijesë e mangët, e djallëzuar dhe e mallkuar, ngase u bë shkaktare për të na larguar nga parajsa!
“Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t’u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte e dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruti i saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai. (Zanafilla 3: 7).
Pra sipas Dhiatës së Vjetër, Eva e nxiti Adamin që të hante nga fruti i pemës! Prandaj përgjegjësinë kryesore dhe fajin e ka gruaja- Eva!
Zoti i Bibles vendos armiqësi mes burrit dhe gruas
Sipas citatit Biblik Zoti ka vendosur armiqësi mes burrit dhe gruas: “Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj”.(Zanafilla 3: 15)
Bibla thotë se djalli e tundoi Evën të hante nga pema e ndaluar dhe ajo, më pas e tundoi Adamin të bënte të njëjtën gjë, duke kryer kështu mëkatin. Ata u dënuan duke u dëbuar me turp në Tokë, me një faj që i rëndonte më shumë Evës, si përgjegjëse kryesore. Prandaj Zoti i tha Evës: “Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty”. (Zanafilla 3: 16).
Sipas këtij citati të çuditshëm Zoti ia e ndëshkoi Even me vuajte, mundime dhe barrë. Vuajtjet dhe mundimet e barrës janë ndëshkim nga ana e Zotit ndaj gruas për shkak të mashtrimit të saj të burrit(!), prandaj ajo si dënim gjatë lindjes do të do të lind me vuajte. Dhe jo vetëm kaq por si ndëshkim ndaj gruas, sipas Dhiatës së Vjetër, Zoti e bëni atë robëreshë të mashkullit “ai do të sundojë mbi ty”!
Prandaj, sipas Dhiatës së Vjetër të shtrembëruar dhe të shkruar nga autorë të panjohur, Zoti gruan ia ka nënshtruar burrit përjetësisht. Për rrjedhojë nuk duhet të çuditemi kur lexojmë në trashëgiminë hebraike se si në çdo mëngjes çifuti i lutet dhe e falënderon Zotin për atë që nuk e ka krijuar si rob, idhujtar apo femër.
Femra në krishterizëm
As në Krishterizëm femra nuk qëndron më mirë se në Hebraizëm: “Çdo burrë, kur lutet ose profetizon kokëmbuluar, turpëron kryet e tij. Edhe çdo grua, që lutet ose profetizon kokëzbuluar, turpëron kryet e saj, sepse është njëlloj sikur të ishte e rruar. Sepse në qoftë se gruaja nuk mbulohet, le t’ia presin flokët; por në qoftë se për gruan është turp të qethet a të rruhet, le të mbulojë kryet. Sepse burri nuk duhet të mbulojë kryet, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, kurse gruaja është lavdia e burrit, sepse burri nuk është nga gruaja, por gruaja nga burri, edhe sepse burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin. (Letra e parë drejtuar Korintianëve: 11: 4-8).
Në fillim të këtij citati Biblik shohim se gruaja gjatë lutjes së saj duhet të mbuloj kryet me shami përndryshe ajo turpëron kokën e saj. Pra ky tekst sikurse mund të shihet kërkon që femra të mbuloj kokën me shami, por kuptohet se ka patur një ndërhyrje nga ana e autorëve duke e devijuar kuptimin e përgjithshëm dhe duke e reduktuar mbulimin e kokës vetëm kur femra lutet. Kuptimin e këtij citati e zbatojnë vetëm murgeshat që mbajnë kokën e mbuluar edhe jashtë lutjes, por jo edhe krishteret e tjera.
Sipas Dhiatës së Re burri është lavdia e Perëndisë kurse gruaja është lavdia e burrit! Burri nuk është marrë nga gruaja por gruaja është marrë nga burri.
Ndërkaq, Kurani fisnik në lidhje me burrin dhe gruan thotë se ata janë krijuar: “nga njëri tjetri” apo “për njëri tjetrin” (ba’dukum min b’ad), këtu mund të vërehet dallimi mes Kur’anit fisnik dhe Biblës së shtrembëruar.
Burri sipas Dhiatës së Re nuk u krijua për gruan por gruaja u krijua për burrin. Për pasojë ajo është shërbëtore dhe robëreshë e bashkëshortit të saj!
Ja një tekst shumë i çuditshëm në Bibël ku gruas nuk i lejohet që të mësoj dhe as të flas në Kishë!
“Gruaja le të mësojë në heshtje dhe me çdo nënshtrim. Nuk e lejoj që gruaja të mësojë në kishë as të sundoj burrin, të rrijë në heshtje. Sepse së pari u krijua Adami dhe më pas Eva. Dhe nuk u gënjye Adami, por gruaja u gënjye dhe e shkeli urdhrin. ” (Letra e parë drejtuar Timoteut: 2: 10-12).
Nga sulmet më të mëdha dhe më të pamëshirshme ndaj gruas është bërë nga njëri ndër dijetarët e shquar të krishterë, Tertuliani: “Dijeni se secila prej jush është Eva. Mallkimi i Zotit është në breza për shkak të jetës suaj seksuale të natyrshme… Ju i jeni afruar djallit, ju e keni hequr vulën nga pema e ndaluar, ju të parat keni hedhur poshtë ligjin e Zotit, ju jeni ajo që e keni bindur atë që s’ka mund ta inkurajoj djalli mjaftueshëm që të shkel urdhrin e Zotit. Ju ashtu lehtë e keni rrënuar shkallën hyjnore të njeriut. Në llogari të shërbimeve tuaja madje është edhe ajo që ka pësuar biri i Zotit.”
Por për çudi gjithë këto qëndrime denigruese ndaj femrës nga ana e çifutëve dhe të krishterëve heshtën dhe janë po autorët çifutë dhe të krishterë që akuzojnë Islamin se nuk i ka dhënë të drejta femrës.
Femra në Islam
Gruaja në Islam është e para që ka besuar mesazhin e Zotit. Kur Pejgamberi a.s. u kthye nga shpella Hira pasi që kishte pranuar shpalljen e parë nga meleku Xhibril dhe i tregoi bashkëshortes së tij, Hadixhes, ajo pa kurrfarë hezitimi e pranoi pejgamberinë e tij. Ishte Ummu Seleme, nëna e besimtarëve që i propozoi Pejgamberit a.s. që të fillonte me rruarjen e flokëve pas marrëveshjes së Hudejbijes, kur sahabet donin që madje edhe me forcë të hynin në Mekkë.
Në kohën e Pejgamberit a.s. gruaja ka mbajtur ligjërata në xhami para grave të tjera duke e elektrizuar atmosferën. Ajo ka marrë pjesë në ekspedita dhe beteja të ndryshme duke dhënë kontributin e saj humanitar. Kemi rastin kur gruaja reagoi ndaj fjalëve të halifit të dytë, Umerit r.a. kur ai kërkoi që të përcaktohej maksimumi i mehrit, duke thënë se si po e bëni një gjë të tillë kur Allahu i madhërishëm nuk e ka kufizuar në Librin e Tij. Halifi Omer tha: Omeri gaboi, gruaja ka të drejtë.
Femra sikurse edhe mashkulli është e ngarkuar me obligime dhe do të shpërblehet për veprat e saj. Në Kur’an një sure/kaptinë quhet “En Nisa”- “Gratë”, kurse një sure tjetër “Merjem” pra mban emrin e nënës së Isait a.s. (Jezusit, paqja e Zotit qoftë mbi ata dy).
Mëkatimi i Ademit dhe i Haves
Sa i përket mëkatit të parë në Xhenet Kurani fisnik përgjegjësinë e shpërndan proporcionalisht mes Ademit a.s. dhe hazreti Haves. Sipas Kur’anit fisnik, jo sikurse thotë Bibla, nga djalli u gënjyen edhe Ademi a.s. edhe Hava.
Ndalesa nga ngrënia e pemës ishte për Ademin dhe Haven: “Ne thamë: ‘O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se ndryshe do të bëheni të padrejtë.” (El Bekare: 35).
Shejtani i mashtroi të dy, edhe Ademin dhe Haven: “Djalli u pëshpëriti … dhe u tha: ‘Zoti juaj jua ka ndaluar pemën, vetëm që të mos bëheni melek ose të pavdekshëm’.” (El A’raf: 21).
Qortimi nga ana e Allahut ishte për Ademin dhe Haven: “Zoti i tyre i thirri: ‘A nuk ju kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?” (El A’raf: 22).
Kërkimi i pendimit erdhi nga Ademi dhe Hava: “Ata thanë: ‘O Zoti ynë! Ne i kemi bërë padrejtësi vetes sonë, prandaj, nëse Ti nuk fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” (El A’raf: 23).
Pendimi iu pranua edhe Ademit dhe Haves: “Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin. Sigurisht, Ai i pranon shumë pendimet, Ai është Mëshirëploti.” (El Bekare: 37).
Me pranimin e pendimit mori fund çështja e mëkatit fillestar. Kjo sepse, mëkatimi i Ademit nuk qe i pafalur, përkundrazi më pas Ademi u ngrit në shkallën e pejgamberit dhe gjinia njerëzore u dërgua në Tokë si mëkëmbëse e Zotit. Allahu premtoi se do të dërgonte pejgamberë dhe njerëzimin do të pajiste me udhëzim hyjnor.
Prandaj Hava nuk ka kurrfarë përgjegjësie pasi që ajo dhe Ademi u falën nga Zoti. Sipas Islamit mëkati nuk trashëgohet, çdo qenie njerëzore lindet e pastër, për pasojë bijtë nuk e trashëgojnë mëkatin nga prindërit dhe njerëzit nuk kanë përgjegjësi për mëkatin e parë.
Ky është dallimi mes Kuranit fisnik dhe Dhiatës së Vjetër dhe Dhiatës së re që janë shkruar nga autorë anonim dhe janë shtrembëruar nga dora e njeriut.
“All-llahu i Madhëruar ka thënë: “O i biri i Ademit, derisa ti më lutë dhe në Mua mbështetesh dhe shpreson, Unë do t’i falë ato që rrjedhin nga ti dhe nuk do të qortoj për to. O i biri i Ademit, sikur mëkatet tua të arrinin deri në qiell, kurse ti më drejtohesh me lutje për falje, Unë do të falë dhe nuk do të qortoj. O i biri i Ademit, sikur t’i të ma sjellësh plot tokën me mëkate, kurse pas kësaj më takon duke mos më shoqëruar Mua asgjë, Unë do të vijë ty po me aq falje.”
Qytetërimi perëndimor
Sa i përket qëndrimit të Qytetërimit Perëndimor ndaj femrës, sikurse shkruan Rozhe Garodi (shih: Rozhe Garodi, Gjallërimi Islamik, f. 12) ai nuk mund të merret si shembull. Kjo për faktin sepse në Francë është dashur të pritet fillimi i shek XX që gruaja të mund të disponoj me pasurinë e saj, në mënyrë të pavarur nga bashkëshorti i saj. Kurse në Itali vetëm në tri dekadat e fundit të shek. XX gruaja ka fituar të drejtën që të shkurorëzohet. Ndërkaq, Kur’ani i shenjtë femrës ia ka njohur këto të drejta qysh prej 14 shekujsh.
Dallimet në pagesa në vendet perëndimore edhe sot e kësaj dite janë të mëdha në industri. Përpjesëtimi i grave që marrin vende udhëheqëse është krejtësisht i vogël në raport me meshkujt. Prandaj lëvizjet e grave kundër një statusi të tillë të tyre duke kërkuar trajtim të barabartë të femrës, nuk duhet të harrojnë se në luftën për barazi duhet të ruhet e drejta në ndryshime. Qëllimi i gruas nuk duhet të jetë që të bëhet mashkull, të cilit pozitivizmi dhe individualizmi ia mori dimensionet autentike njerëzore. Shfrytëzimi i femrave në media, në shtyp dhe kinema e bëjnë trupin e femrës mall konsumues. Madje edhe letrat për WC janë të zbukuruara me pamje prej femrash. Lakuriqësia dhe trupi i saj përdoren për qëllime komerciale dhe ajo trajtohet si skllave duke ekspozuar dhe lëvizur me trupin e tyre në funksion të makutërive dhe dëshirave të pacipa të këngëtarëve dhe estrada muzikore në botë dhe tek ne, qëllimi i të cilëve është popullariteti dhe pasurimi sa më i madh.