FENOMENI I SHPIFJEVE NDAJ KURANIT FAMËLARTË
OLYMPUS DIGITAL CAMERA

FENOMENI I SHPIFJEVE NDAJ KURANIT FAMËLARTË

Senad Maku

“Atij nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të lavdishmit”. (Kur’an: Fssilet 42)
“Përkundrazi, Ne të pavërtetën e godasim me të vërtetën dhe ajo (e vërteta) triumfon mbi të ndërsa ajo (gënjeshtra) zhduket”. (Kur’an: Enbija 18)

Prej çështjeve kryesore që kundërshtarët e Islamit janë mundur të hedhin baltë mbi të e të hapin polemika e dyshime rreth saj është çështja e Kur’anit dhe prejardhjes së tij. Disa persona të caktuar me një mendjegushtësi dhe gjykim jo të kthjellët, mundohen që të mbjellin farën e dyshimit mbi autenticitetin (vërtetësinë) e tij si Libër Hyjnorë. Shumë libra dhe revista e paraqesin Kur’anin si një vepër të mendjes njerëzore, krijuar prej një “mashtruesi “të Pejgamberisë. Shpifje dhe keqinterpretime të tilla të fesë Islame hasim edhe në literaturën shqipe, si p.sh. tek “Ceta e profetëve” të Pjetër Bogdanit. Kohët e fundit janë edhe botimet e shtëpisë botuese “Cakolli” apo “Tenda” e cila luan rrolin e tutorit nga një garniturë antiislame dhe e cila ka botuar një seri librash me përplot shpifje e të pavërteta rreth Kur’anit dhe parimeve të fesë Islame në përgjithësi. Duke i shtuar këtyre edhe një luftë kulturore antiislame nga media të ndryshme etj.. Përpjeket e tyre të jashtzakonshme dhe puna e madhe që kanë kryer ka patur një objektiv të qartë, atë të çoroditjes së njerëzve të thjeshtë e të pafajshëm nën maskën e punimeve shkencore. Shpeshherë qëllimeve të tyre u kanë shërbyer edhe vegla njerëzore që mbajnë emra muslimanë duke u munduar kështu të provojnë se idetë e tyre të krijuara me kaq mund përqafohen edhe prej muslimanëve”të zhvilluar e me horizont”. (1)

Disa mundohen të paraqiten përpara masës me maskën Islame, duke menjanuar tekstet e tija, e duke ndryshuar koncepte e parime bazë, për interesa të ndryshme, në shumë raste politike e financiare. Disa të tjerë hedhin dyshime se Muhamedi a.s. duhet të jetë autorë i vetëm i këtij libri, e shumë e shumë shpifje dhe trillime në adresë të Islamit, Kur’anit dhe Muhamedit a.s. Shumë kemi dëgjuar e shumë kemi për të dëgjuar…
Kur’ani vet ju përgjigjet këtyrë trillime me një përgjigje të saktë dhe vendimtare, ku Allahu xh.sh. thotë:
“Nuk është e logjikshme të mendohe se ky Kur’an është i trilluar prej dikujt pos All-llahut, por është vërtetues i asaj (shpalljes) që ishte më parë, dhe sqarues e komentues i librit. Nuk ka farë dyshimi se është (i zbritur) nga Zoti i botëve. Përkundër kësaj, ata (idhujtarët) thonë se atë e trilloi ai (Muhammedi). Ti thuaj: “Sillne pra ju një kaptinë të ngjajshme me këtë, madje thirrni kë të doni në ndihmë, pos All-llahut, po qe se jeni të drejtë në atë që thoni”. Por ja, ata përgënjeshtruan atë (Kur’anin) pa e kuptuar dhe pa ju ardhur shpjegimi i tij. Po kështu, gënjenin dhe ata që ishin më përpara. Shiko si ishte përfundimi i zullumqarëve. Ka prej tyre (te të cilët u dërgua Muhammedi) që e besojnë atë(Kur’anin), e ka prej tyre edhe asaish që atë nuk e besojnë. Zoti i njeh ë së miri kokëfortit”. (Junus 37-40) (2)

1. Teoria më e përhapur midis jomuslimanëve është ajo se Muhamedi është autorë i Kur’anit. Për ta kuptuar pozicionin e tyre është e rëndësishme të mbajmë parasysh se çfarë thotë Kur’ani mbi burimin e tij. Kur’ani tregon qartë, ku thotë:
“Se me të vërtetë ai është Kur’an i famshëm. Është i zbritur prej Zotit të botëve”. (Vakia 77,80)
“E edhe ai (kur’ani) është shpallje (zbritje) e Zotit të botëve. Atë e solli shpirti besnik (Xhibrili)”. (Shuara 192-193)
Por më tepër mënyra se si kjo thuhet të jep përshtypjen se fjalët burojnë nga Krijuesi tek krijesat. Po të shikohen tërë kapitujt, përveç kapitullit 9 fillojnë me formulën: Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirbërësit. Poashtu arsyeja e cila hedh poashtë tezën se Muhamedi është autorë i Kur’anit është fakti se ai ishte një njeri analfabet (nuk dinte shkrim-lexim), kjo është edhe një nga gjërat që i sodit më së tepërmi kritikët e Muhamedit a.s. se ai jetoi mes popullit të tij dyzet vjet pa treguar as edhe një herë ndonjë shenjë diturie të madhe. Si mundet atëherë të shpjegohet që ai arriti të krijojë Kur’anin madhështia e të cilit është e pakrahasueshme? Madje fenomenin e analfabetizmit të Pejgamberit Muhamed a.s. e tregon edhe Kur’ani:
“Ti (Muhammed) nuk ishe që lexon ndonjë libër para këtij, e as që shkruajshe atë me dorën tënde të djathtë, pse atëherë do të dyshonin ata të prishurit”. (Ankebut 48)
Atëher si mund të jetë e arsyeshme dhe a mund të pranojë logjika që një analfabet të jetë autorë i një libri kaq madhështorë, plot dituri e përkushtim dhe sfidues i gjithësisë, si Kur’ani? Një njeri i paarsimuar, pa parë derën e shkollës, të sjellë e të predikojë një sistem individual, familjar, shoqërorë, ekonomik dhe juridik të patëmeta, bie në kundërshtim me aparencën mendore e logjike. E sidomos po të jetë ky sistem aq i shkëlqyer sa të zbatohet për shekuj të tërë nga një sërë kombesh miq e armiq midis tyre e të ruajë gjer më sot freskin e vet! (3)

Pa dyshim ashtu si dje, edhe sot, është po ai Person i pa shkrim e i palexim që u ka bërë e u bënë sfidë të gjithave ç‘janë shkruar e thënë dijetarëve dhe letrarëve më të mëdhenjë, në të njëjtën kohë, gjithë njerëzimit! Sot, kur pranohet se shkencat, në një këndvështrim, kanë arritur majat, ai u thotë fizikantëve, kimistëve, astronomëve, mjekëve, sociologëve, poetëve e shkrimtarëve, të gjithë njerëzve të shkencës e të letërsisë, kështu: “Bëhuni bashkë e sillni jo shumë, por vetëm një pjesë sa një sure e Kur’anit!”. (4) Ku Allahu xh.sh. i thotë Muhamedit a.s. që thuaj atyre që pretendojnë se Kur’ani është vepër e njeriut:
Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky sado që do ta ndihmonin njëri – tjetrin”. (Isra 88)
“E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit tonë, atëherë sillnie ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kur’ani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotërat) pos All-llahut, nëse jeni të sinqert (në thëniet tuaja se Kur’ani nuk është prej Zotit)”. (Bekare 23)
“Përkundër kësaj, ata (idhujtarët) thonë se atë e trilloi ai (Muhammedi). Ti thuaj: “Sillne pra ju një kaptinë të ngjajshme me këtë, madje thirrni kë të doni në ndihmë, pos All-llahut, po qe se jeni të drejtë në atë që thoni”. (Junus 38)
“Apo, pse ata thonë: “Ai (Muhammedi) e trilloi atë (Kur’anin)”. Thuaj: “Formuloni pra, dhjetë kaptina si ai (Kur’ani) ashtu të trilluara (siç thoni ju) dhe thirrni, pos All-llahit, po qe se jeni të drejtë (çka thoni), kë të mundeni për ndihmë!” (Hud 13)

Ndryshimi mes mënyrës së shprehjes së Kur’anit dhe mënyrës së shprehjes së Pejgamberit Muhamed dallohet mjaft lehtë. Ndërmjet stilit shprehës gjuhësor-letrar të Kur’anit dhe stilit të hadithëve-porosive të Pejgamberit a.s., ka një ndryshim aq të madhë, sa që arabët i gjenin të përshtatshme shpjegimet jashtkur’anore të Pejgamberit ndaj formave të tyre të bisedës dhe dialogut, kurse përballë Kur’anit se merrnin dot veten nga habia dhe mahnitja. Duke lexuar porositë e Pejgamberit, përvijohet pas tyre imazhi i një njeriu që mendon e bisedon i përvuajtur e i përulur me frikën ndaj Allahut. Kurse në zërin e Kur’anit ndihet një guxim i lartë, një vizion tronditës e një tingëllim madhështorë. Ndërkaq, është as e mundur dhe as e pranueshme logjikisht që në shprehjen e një njeriu të sendërtohen aty për aty dy stile aq të ndryshëm nga njëri-tjetri. (5) Këtu tregohet se Muhamedi është një njeri si të tjerët me dallimin e vetëm, se atij i shpallet relevatë nga Zoti xh.sh., gjë të cilën e pohon vetë Kur’ani:
Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos përziejë askë. (Kehf 110)
Sikur autorë i Kur’anit të ishte Muhamedi a.s. përse nuk e dëgjuan asnjëher ta pranonte apo ta theksonte vet, një gjë të tillë?

2. Shpifja tjetër që i adresohet Muhamedit a.s. është përfitimi material si motiv. Ndoshta Muhamedi a.s. ishte dhënë pas pasurisë, ndai ia atriboi Kur’anin Allahut xh.sh. me qëllim që të përfitonte më tepër. Megjithatë kjo hipotezë nuk përputhet me faktet historike.
Për ata që e njohin mënyren e të jetuarit të Muhamedit, vetëm aludimi në përfitimin material është një ofendim i rëndë. Deri në detaje është përshkruar në dokumente historike mënyra e tij e të jetuarit si para Pejgamberisë poashtu edhe më pas deri në vdekjen e tij. Nuk ka dyshim, Muhamedi a.s. ka qenë i pasur para se të dërgohej Pejgamber me pasurinë e shoqës së tij, Hatixhes r.a. (6)

Pra pozita finansiare e Muhamedit a.s. ishte shumë më e mirë përpara se sa pas Pejgamberisë së tij. Në moshën 25 vjeçare (15 vjetë përpara se ai të shpallej Pejgamber) u martua dhe jetoi në mes të rehatisë me Hatixhen r.a. e cila ishte një tregtare e pasur. Pas Pejgamberisë së tij, standarti i jetës dhe gjendja e tij financiare nuk ishin për tu pasur zili.
Transmetohet që shpeshherë ushqimi i tij i vetëm ditor ishin ca hurma. Një nga gratë e Muhamedit a.s. tregon se zjarri në shtëpin e tyre mund të rrinte një deri në dy muaj pa u ndezur, ngaqë nuk kishte asgjë për tu gatuar. I vetmi mjet për të jetuar ishin hurmat dhe uji. Nganjëher kësaj diete i shtohej edhe qumështi i dhisë, të cilin ia dhuronte populli i Medinës.

Umeri r.a. tregon: “Vërtet e kam parë të dërguarin e Allahut s.a.v.s. gjatë tërë ditës (me bark) të përkulur (nga uria) nuk kishte as hurma të këqija, që ta mbushte barkun e tij”. (7)

Martin Lingsi në librin e tij:”Muhamedi a.s.: Jeta e tij bazuar mbi burimet më të hershme” thotë: “Pejgamberi dhe familja e tij jetonin në një jetë plot kursime. Aisha tregon se përpara (pushtimit të) Kaiberit ajo nuk kishte ngrënë kurrë hurma aq sa të ngopej. E tillë ishte varfëria e këtyre njerëzve, sa gratë e Pejgamberit nuk i kërkuan kurrë atij ndonjë gjë përveç atyre gjërave më të nevojshme për jetën”. (8)
Enesi thotë: “Nuk e di ndonjëher Resulullahu s.a.v.s. në jetën e vet ka parë pogaçe të butë dhe taze, apo samun, a as dele të tërë të pjekur në shtëpinë e vet”. Aisheja r.a. ka thënë: “Në shtëpinë e Resulullahut a.s. rrallëherë ndizej zjarri, ndoshta, dy-tri herë në dy muaj”, e Urvete pyeti: “E me çka ju ka ushqyer?” U përgjigja: “Me hurma dhe me ujë”. (9) Shumë herë Pejgamberi a.s. dhe familja e tij flinin në uri të plotë dhe kanë mbuluar trupin e tyre me rrobe të harnuara. (10)

Umeri r.a. e përshkruan dhomën e Muhamedit a.s. si një kthinë skajshmërie të vobektë: me krejt tri lëkura të thara bagëtie për shtrirje dhe vetëm një grusht elb diku në qoshe për ushqim. Nga sytë më dolën lotë. Ai më tha: Përse po qan? Unë iu përgjigja: O Pejgamber i Allahut! E si të mos qaj, kur shoh se në çgjendje ndodhesh. O Pejgamber i Allahut! Lutu që Allahu të na japë të ngrëna të bollshme. Si ka mundesi që Persianët dhe Bizantinët të cilët nuk kanë fe të vërtetë dhe adhurojnë jo Allahun por mbretërit e tyre Kaizerin dhe Kohesrohen- të jetojnë në kopshte të lulëzuara, e buzë shatërvanëve të pastër, ndërsa Pejgamberi i zgjedhur dhe robi i nënshtruar i Allahut jeton në një varfëri të plotë! Pejgamberi iu përgjigjë: “O Umer akoma vazhdon të dyshosh për këtë gjë? Qetësia dhe rehatia në botën e përtejme janë shumë më të mira se qetësia dhe rehatia në këtë jetë. Të pafetë po shijojnë shumë të mira në këtë botë ndërsa për ne këto të mira janë rezervuar të tëra në jetën tjetër”. (11)

Kur Muhamedi a.s. filloi të thërriste arabët tek Zoti i vetëm, i vërtetë, ata i premtuan gjithçka vetëm të hiqte dorë nga ky mision. I premtuan pasuri të pafundme, gratë më të bukura, pozitën më të lartë. Por ja çfarë ishte përgjigja e Pejgamberit Muhamed a.s.: “Sikur të më jepni hënën në krahun e majtë dhe diellin në krahun e djathtë, unë nuk do të heq dorë nga thirrja e Allahut”. (12) Cfarë nënshtrimi prekës!

Muhamedi a.s. kurdoherë që merrte ndonjë dhuratë (si në rastin kur kryetari i Fidakut i dhuroi 4 deve të ngarkuara me mall) ai ia shpërndante atë të varfëve dhe spranonte të merrte asgjë për vete. Kur Muhamedi a.s. vdiq ai nuk kishte kurfarë parash. Pasuria e vetme ishin 7 dinarë të cilat ai u shpërndau të varfërve disa ditë përpara se të vdiste duke patur frikë se mos i linte prapa. (13)
Ka gjithashtu edhe mjaft raste të tjera të cilat tregojnë se jeta e Muhamedit a.s. nga fillimi i Pejgamberisë së tij deri në vdekje ishte një jetë qëndrueshmërisht e kursyer dhe plotë privime. Ideja se qëllimi i tij ishte përfitimi material nuk përputhet me faktet historike. Siç vë re edhe Enciklopedia e Re Katolike, vol I, fq. 1001 : “Thuhet se frymëzimi kryesorë që e shtyu Muhamedin për të kryer revolucionin e tij fetarë ishte thjeshtë përfitimi ekonomik. Kjo hipotezë nuk u përshtatët fakteve që ne njohim”. (14)

3. Shpifja tjetër është se Muhamedin a.s e shtyu për krijimin e Kur’anit dëshira për pushtet dhe lavdi. Poashtu edhe kjo hipotezë nuk përputhet me faktet historike. Ai për vite të tëra përjetoi poshtërimin nga arabët ku shumë lehtë mund të ishte udhëheqës i tyre pasiqë ata vetë ia kishin ofruar këtë gjë, siç e cekëm më lartë. Edhe kur arriti të bëhej udhëheqësi i tërë bashkësisë së besimtarëve mbeti po i njëjti. Por më tepër karakteri i tij tregon qartë se ai nuk ishte i etur për pushtet e as për lavdi personale.

Muhamedi a.s. ishte një shembull i mahnitshëm përuljeje. Me gjithë rangun shoqërorë si pejgamberë që ishte, e me gjithë përgjegjësinë e madhe si burrë shteti Muhamedi a.s. angazhohej edhe në punë shtëpie. Ai kujdesej për veshjet, riparonte këpucët dhe milte dhinë e tij.
Erdhi një kohë kur muslimanët filluan me shenjë respekti të çohen në këmbë për para tij, por Pejgamberi a.s. i ndaloi një gjë të tillë. Poashtu Pejgamberi a.s. punonte bashk me shokët e tij, edhe pse shokët nuk kishin dëshirë që ta lejonin Muhamedi a.s. që të punonte si shenjë respekti, nderi ndaj tij. Muhamedi a.s. iu përgjigjte: “E di që doni të më bëni një nder, por nuk do të doja”.

Pasuesit e tij ishin gjithmon të gatshëm të bindeshin, por ai gjithmon ngulte këmbë se bindja duhet treguar nda Allahut xh.sh. e jo ndaj ti personalisht. Njëher atij iu afrua një i huaj i cili pothuaj dridhej nga nderimi që kish për të, Muhamedi a.s. i tha që të afrohej e pastaj plot ngrohtësi i hodhi dorën në qafë duke i thënë: “Qetësohu vëlla, unë jam vetëm biri i një gruaje e cila hante bukën thatë”. (15)

Muhamedi a.s. ishte lutur që varri i tij dhe personaliteti i tij te mos ktheheshin në idhull pas vdekjes së tij. “Mos e ktheni varrin tim në një vend adhurimi”,”Mos më lëvdoni mua ashtu siç lëvdojnë krishterët Isain, birin e Merjemes, por thoni: Ai ishte rob i Allahut dhe lajmëtar i Tij”.
Ato që thojnë se Muhamedi e shkroi vet Kur’anin me qëllim që ti knaqte ambicjet e tij për pushtet dhe lavdi, mund të them se: Muhamedi a.s. natyrisht që do ti kishte hequr nga Kur’ani ato ajete të cilat mund ti binin ndesh me ambicjet e tij. Por ai nuk e bëri këtë. E përse duhej të shkruante ai një libër i cili e detyronte t’i thoshte popullit se ai ishte i pafuqishëm dhe nuk dinte asgjë mbi forcat e mistershme, se ai nuk kishte sjellë asnjë doktrinë (parim) të re, se unë nuk di të shkruaj dhe të lexojë dhe se ky libër nuk ishte fjalë e tij, etj. etj. (shih ajetet: Araf 188, Huxhurat 6, Kasas 86, Kehf 110, En’am 50 etj.). Po të jetë se Muhamedi a.s. ka patur për motiv gjatë shkrimit të Kur’anit, dëshirën e marrë për pushtet atëher është mjaft e vështirë të shpjegohet ekzistenca e këtyre ajeteve. (16)

4. Teoria se Muhamedi a.s. e krijoi Kur’anin me qëllim që të bashkonte dhe çlironte arabët, është e vështirë të mbrohet se bashkimi i arabëve nuk ishte qëllimi i tij sepse ideja që qëndron në thelb të Kur’anit është një bashkim i njerëzve nën ombrellën e Allahut pa dallim ngjyre, race apo kombi. Po të jetë se uniteti i arabëve ishte ëndërra e përhershme e Muhamedit a.s., atëher ai mjaft mirë do të kishte pranuar ofertën për tu bërë mbret i Arabisë dhe në këtë mënyrë do ta përdorte pushtetin dhe influencën e tij për të ndërtuar një Arabi të bashkuar. Por Muhamedi a.s. e refuzoi një ofertë të tillë. Kështu të pohosh se Muhamedi a.s. kishte për qëllim arritjen e pushtetit, lavdisë, apo bashkimin e arabëve nëpërmjet të shkruarit të Kur’anit dhe atribuimin e tij Allahut, është një naivitet i paskrupullt.

Fakte të tjera që hedhin poshtë tezën që Muhamedi a.s. është autorë i Kur’anit është se vetë Muhamedi korigjohet në veprimet e tija nga Kur’ani. Për këtë do të mjaftonte të përmendej rasti kur Hamza r.a. axha i Pejgamberit a.s. u vra në betejën e Uhudit. Me nxitjen e Hindit, gruas së Ebu Sufjanit trupi i tij u masakrua keq. Kur Pejgamberi a.s erdhi dhe pa çfarë kishte ngjarë ai tha: “Kurr nuk kam ndjerë në shpirt zemërim si ky që po provoj në këto çaste, kur Allahu të më ndihmojë herën tjetër që të fitoj mbi Kurejshët. Betohem se do të masakroj, dërmoj tridhjetë nga të vdekurit e tyre”. Por menjëher pas kësaj atij i erdhi ajeti Hyjnor ku ja tërhjek vërejtjen:
“Në qoftë se doni të merrni hak, atëherë ndëshkoni në atë masë sa jeni ndëshkuar ju; e nëse duroni pa dyshim ai është më i mirë për ata që durojnë”. (Nahl 126)
Dhe është e vërtet se ai nuk e përmbushi kërcënimin e tij, në të kundërtën ai e ndaloi përgjithmon masakrimin e kufomave pas betejës. (17)

Në mënyrë të ngjajshme kur Pejgamberi a.s. u plagosë në luftën e Uhudit, ai i mallkoi armiqt duke thënë: “Si mund të begatojë ai popull që plagosë të Dërguarin e Allahut!”. Si përgjigje ndaj këtij mallkimi zbritën ajetet, për tja tërhjekur vëmendjen Pejgamberit a.s. (shih: Ali Imran 128-129) (18)
Poashtu shembulli tjetër, kur erdhën disa mushrik të Mekës dhe ia bën disa pyetje rreth ndodhive të padëgjuara në Hixhaz, dhe u zgjodhën për të provuar nëse Pejgamberi a.s. zotronte ndonjë burim diturie mbi gjërat e fshehta dhe të papara. Përgjigja e Pejgamberit a.s. ishte “Nesër do tua them” por ai nuk tha “Po të dojë Allahu”, kur u kthyen ditën tjetër atij iu desh ti largojë dhe kjo gjë vazhdoi 15 ditë më radhë. Atij nuk i ardh asnjë lajm nga Allahu xh.sh., dhe mandej i erdh ajeti që ja tërhjek vërejtjen në form qortimi, nëpërmjet Xhebrailit ku thotë:
“Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: “Unë do të bëj këtë nesër!” Vetëm (nëse i shton): “Në dashtë All-llahu!” E kur të harrosh, përmende Zotin tënd dhe thuaj: “Shpresohet se Zoti im do të më japë udhëzim edhe më të afërt prej këtij (të as-habi kehfit)”. (Kehf 23-24) (19)

Martin Lings, te vepra e cituar, fq. 77, duke trajtuar domethënien e kësaj pritjeje pak a shumë të gjatë shprehet: “Vonesa e përgjigjes Hyjnore, ndonëse e dhimbshme për Pejgamberin dhe pasuesit e tij, ishte më të vërtet një forcë më e madhe për të. Armiqt e mohuan domethënien e kësaj vonese, por për ata kurejsh që ishin akoma të pavendosur ky fakt ishte një pohim i qartë i asaj se Fjala e Shenjtë i vinte Muhamedit nga Qielli dhe ai as nuk kishte gisht e as nuk mund ta kontrollonte atë. Është e kuptueshme poqëse Muhamedi do të kishte trilluar të gjitha ato çfar kishte thënë më parë, nuk do të ishte vonuar kaq gjatë për këtë trillim të ri, veçanërisht në një çast të tillë ku rreziku qe mjaft i madh”. (20)
Në Kur’an, më se 50 vende, Pejgamberit i thuhet “Të pyesin ty për…” dhe i jepen përgjigje që fillojn me urdhërin “Thuaj”. Është krejt e qartë se është Allahu që u jep përgjigje pyetjeve, për çështje të tilla si haramet dhe hallallet e ndryshme, rreth ndodhive të padëgjuara të kaluara, Dhulkarnejni, forma e dhurimit, shpirtit etj.etj., që një njeri e ka krejt të pamundur tu japë përgjigje të specializuara veç e veç, kurr nuk mund të jetë brenda mundësive të një njeriu. Ndërkaq, ndodhte edhe që në rastin e pyetjeve të tilla, Pejgamberi heshte sepse priste ajetin që do ti zbriste si përgjigje. Ndodhte që kalonin ditë të tëra e atij nuk i vinte lajmëtari i qiellit, saqë disa filluan të talleshin me të duke i thënë: “Të la Zoti ty… Hoqi dorë prej teje, etj., derisa zbriti ajeti:
“Zoti yt nuk të ka lënë, as nuk të ka përbuzur”. (Duha 3) (21)

Cili autorë e kërcënon vehten në veprën e vet qoftë edhe në emër të dikujt tjetër ose me gojën e dikujt tjetër? Për më tepër, ndërsa pretendon se flet në emër të Allahut, a mund të bëjë ndonjë deklaratë që do t’i sillte dëm pretendimit të vet? Gjithashtu, a fut në librin e vet shprehje akuzuese ndaj vetes? Kurse në Kur’an thuhet:
“Sikur të trillonte ai (Muhammedi) për Ne ndonjë fjalë! Ne do ta kapim atë me fuqinë Tonë. E pastaj do t’ia këputnim atij arterien e zemrës”. (Hakka 44-46)
Në Kur’an Muhamedit a.s. i tërhiqet vërejtja për mospjesmarrësit e fushatës së Tebukut: “Pse u dhe leje atyre?”. (22) Në Kur’an tregohet për martesën me Zejnepen, gruan e Zejdit, gjë që vet Pejgamberi a.s. nuk kishte dëshirë që të martohej me të, por urdhëri qe i tillë që të martohej me të, që ti tregonte se Zejdi nuk është djali i Muhamedit a.s.. Pejgamberi i thoshte “bir” libertit të vet Zejdit, por Allahu xh.sh., me anë të një ajeti, e hoqi birësimin:
“All-llahu nuk krijoi dy zemra në gjoksin e asnjë njeriu e as nuk ua bëri gratë tuaja, prej të cilave largoheni me dhihar nëna tuaja, (duke krahasuar shpinën e gruas me atë të nënës), e as nuk ua bëri djem tuaj të adoptuarit tuaj (fëmijët e tjetërkujt që po i adoptoni si të juaj). Këto janë vetëm thënie tuaja që i shqiptoni me gojët tuaja, e All-llahu e thotë atë që është realitet, dhe Ai udhëzon në rrugën e drejtë”. (Ahzab 4)

Poashtu Pejgamberi a.s. do të qendronte për t’ia falur namazin e të vdekurit kreut të hipokritëve, Ibn Thelulit, meqë e njihte për musliman, por e la sepse e paralajmëroi Allahu, ku i thotë:
“Dhe asnjërit prej tyre kur të vdesin, mos ia fal namazin (e xhenazës) kurrë, e as mos qëndro pranë varrit të tij (për lutje e vizitë), pse ata mohuan All-llahun dhe të dërguarin e Tij dhe vdiqën kryeneçë”. (Tevbe 84) (23)
Të gjitha këto urdhëra apo ndalime të ngjajshme tregojnë se ai kurrë nuk vreponte me kokë të vet, se ai ishte një përfaqësues që vetëm zbatonte urdhërat e Allahut xh.sh.. Edhe sjelljet nuk i ndryshonte sipas vetes, por pas paralajmërimit ose tërheqjes së vëmendjes së Allahut, ku thotë Allahu xh.sh. në Kur’an për Muhamedin a.s.:
“Dhe ai nuk flet nga dëshira. Ajo nuk është tjetër pos shpalljes që i shpallet”. (Nexhm 3-4)

5. Disa nga armiqt e Islamit pretendojnë se arabët janë autorë dhe reveluesit e vërtet të Kur’anit. Në periudhën kur zbriti Kur’ani, poezia kishte marrë një zhvillim të jashtzakonshëm. Njerëzit e përdornin të folurit poetik pothuajse edhe në bisedat e zakonshme dhe grindjet. Cdo vit organizoheshin konkurse poetike dhe poezia fituese shkruhej mbi një copë me shkronja të arta dhe varej në muret e Qabes për të qëndruar aty gjer në konkursin e vitit të ardhshëm. Me fjalët e poetëve, të cilët konsideroheshin si heronj kombëtarë, fiset hynin në luftë ose bënin paqe. Meqë Muhamedi a.s. ishte rritur në mesin e tyre, të gjithë Mekasit e dinin fort mirë se ai sishte marrë kurrë as me poezi, as me prozë poetike, as me ligjëratë prozaike. Ndërkaq, shprehjet enigmatike dhe mrekullore të Kur’anit nuk u ngjanin as shprehjeve të tij, as të të tjerëve, ato nuk hynin as në fushën e poezisë dhe as të prozës së zakonshme dhe asaj poetike, por, me origjinalitetin e tyre të posaçëm, i mrekullonin dhe i magjepsnin të gjithë! Prandaj, parësia e politeistëve të cilët kërkonin t’i largonin njerëzit nga Kur’ani, përpiqeshin ti kundërviheshin, sipas tyre, me këto fjalë: “Po të themi se është poezi- s’është, po të themi se është prozë poetike- s’është,po të themi se është fjalë orakulli-s’është; as si vepër e një të çmenduri- s’ngjan; po u themi njerëzve se është magji, prandaj t’i mbyllin veshët se, ndryshe i zë magjia!”. Por, ndërsa mblidheshin, diskutonin e vendosnin së bashku kështu, kur vinte nata, nuk rrinin dot pa shkuar fshehurazi nga njeri-tjetri për të ndëgjuar Kur’an! (24)

Njerëz që e donin të vërtetën, si poetët e njohur Hansa dhe Lebid pasi u bënë musliman, e lanë poezinë dhe, kur kërkohej të bënin poezi, shkruanin një sure nga Kur’ani dhe ua dërgonin kërkuesve duke ua theksuar këto fjalë: “Pas këndimit të Kur’anit, unë kam turp të shkruaj poezi”. (25)
E kemi të qartë faktin, se çdo Pejgamber është dërguar të sfidojë popullin e tij në çështjen më të përhapur ndër ta. P.sh.: Musai a.s. u dërgua në një popull, ku magjia ishte shumë e përhapur dhe ai me mrekullitë e Zotit i sfidoi dhe i mahniti ata. Këtë mrekulli e tregon Kur’ani i Madhërueshëm:
Ai (Musai) e hodhi shkopin e vet, kur ja, u shfaq gjarpër i vërtetë. Ai (Musai)tha: “Hidhniju”! Ekur hodhën ata (shkopinjë e litarë), magjepsën sytë e njerëzve, i frikësuan ata dhe sollën një magji të madhe. E Ne e frymëzuam Musain (duke i thënë): “Hidhe shkopin tënd!” Kur qe , ai gëlltiste atë që kishin magjepsuar. Atëherë u dëshmua e vërteta dhe u zhduk ajo që kishin përgatitur. Aty u mundën ata (magjistarët dhe faraoni) dhe u kthyen të poshtëruar. E magjistarët u hodhën (u përulën) në sexhde), Dhe thanë: “Ne i besuam Zotit të gjithësisë, Zotit të Musait dhe të Harunit!” (Araf 107, 116-122) (26)

Ndërsa Isai a.s. u dërgua në një popull që e njihte mjekësinë e shërimin e sëmundjeve. Poashtu mrekullia e tij ishte pikërisht në sfidimin e tyre në atë fushë. Ja si e tregon Kur’ani këtë fakt:
“Dhe, të dërguar te bijtë e Israilit: unë kam ardhur nga Zoti juaj me argument, unë nga balta ju bëj diç si shpendi, i fryej atij dhe ai me lejen e All-llahut bëhet shpend, unë i sheroj të verbërit, të sëmurit ne lëkurë, dhe unë me lejen e All-llahut ngjalli të vdekurit: unë ju tregoj për atë që e hani dhe për atë që e depononi në shtëpiat tuaja. Vertetë, kjo është fakt për ju nëse jeni besimtarë”. (Ali Imran 49) (27)

Ndërsa Kur’ani erdh si mrekulli në një popull që krenoheshin me letërsi e ligjërim, duke i sfiduar ata me mënyrat e tija të jashtzakonshme e të shkëlqyera në të shprehur dhe në ligjërim! Velid Ibnul Mugire, një jomusliman i parisë së Mekkes, pasi e dëgjoi Kur’anin, ndër të tjera tha: “Kur’ani ka një ëmbëlsi, qëndron në një lartësi… dhe mbi të gjitha nuk është fjalë njeriu”. Ndërsa prof. Sadik er Rafii, ndër dijetarët e letërsisë arabe të shekullit të kaluar, në librin e tij “Mrekullia e Kur’anit”, fq. 218, thotë: “Pas daljes në pah të Kur’anit, arabëve s’u mbetët më emër në listën e letërsisë, pasi kjo mrekulli i sfidoi…”. (28)
E si mund të mendojmë pastaj se Kur’ani është autorësi e arabëve?!

6. Shtrohet pyetja: A janë xhindët apo djalli autorët e vërtetë të Kur’anit?
Kur lexojmë ajetet e Kur’anit në vijim, do ta kemi shumë të thjeshtë t’i përgjigjemi negativisht pyetjes të lartpërmendur:
Thuaj: “Mua më shpalllet se një grup i vogël nga xhinët i vuri veshin dhe dëgjoi (Kur’anin) dhe (kur u kthyen te të vetët) thanë: “Ne kemi dëgjuar një Kur’an që mahnit, që udhëzon në të vërtetën, andaj ne i besuam atij dhe Zotit tonë, kurrsesi nuk do t’ia shoqërojmë më askë”. (Xhinn 1-2)

Shtrohet pyetja: A është e mundur që ata vetë ta kenë shkruar këtë libër e njëkohsisht të mahnitën prej veprës së tyre në këtë mënyrë dhe për më tepër të shkojnë te populli i tyre dhe të thirrën të besojnë në njësin e Allahut? Pastaj vëreni se si kontaktuan ky grup me popullin e tyre, pas dëgjimit të Kuranit:
Thanë: “O populli ynë, në dëgjuam një libër të shpallur pas Musait, që vërteton atë para tij, që udhëzon në të vërtetën dhe në rrugën drejtë!” O populli ynë, përjigjuni thirrësut të All-llahut dhe besoni atij! Ai ju falë mëkatet tuaja dhe ju shpëton prej një dënimi plot vuajtje”. (Ahkaf 30-31)

Në këtë citat poashtu një shprehje e tyre “Ne dëgjuam një libër të shpallur”, nëse janë xhinët autorë të Kur’anit pse nuk thanë: “Ja libri që shkruam e vetëmshpallëm”! Dallim i madh në mes dy shprehjeve, për ata që mendojnë dhe drejt logjikojnë?! (29)
Disa studiues kanë sygjeruar se ndoshta autorë i Kur’anit ka qenë Djalli. Dobësia e kësaj hipoteze duket në fjaktin se Kur’ani, jo vetëm që e mallkon djallin dhe e deklaron atë armikun më të madh të njerëzve, por urdhëron se para leximit të Kur’anit njeriu duhet së pari të kërkojë mbrojtje nga djalli tek Allahu xh.sh. :
“Kur të lexosh Kur’anin kërko mbrojtjen e All-llahut prej djallit të mallkuar”. (Nahl 98) (30)
Poashtu në Kur’an thuhet në hapje të librit: “Me ndihmën e Allahut mbrohem prej dëmit të djallit të mallkuar”. (31) Në qoftëse djalli është autorë i këtij libri, këtu ai e ka demaskuar vetveten.

7. Ndër shpifjet tjera që i bëhet Kur’anit është se Kur’ani është kopje e burimeve hebreo-kristiane, që Muhamedi a.s. nuk ishte autorë i këtij libri por thjesht e kopjoi atë nga autorë dhe burime tjera.
Faktikisht kjo akuzë është ripërtëritje e pohimeve të vjetra pagane të kohës së Pejgamberit Muhamed, megjithatë në një formë tjetër:
Edhe thanë: “(për Kur’anin) Janë legjenda të të parëve, që ai (Muhammedi) kërkoi t’i shkruhen ato, e i lexohen atij mëngjes e mbrëmje”. (Furkan 5).

Sipas logjikës së kësaj akuze duke qenë se Kur’ani flet për shumë ngjarje të cilat përmenden gjithashtu edhe në bibel ky u dashka të jetë një kopje e saj. Mirëpo kjo akuzë është fare e paargumentuar. Pikë së pari ngjajshmëria nuk do të thotë medoemos kopjim. Allahu e bën të qartë në Kur’an se mesazhi që ai po shpallte nëpërmjet Muhamedit a.s. nuk ishte diçka e re, por ishte vetëm një vazhdim i zinxhirit të mëhershëm të porosive dhënë nga Zoti nëpërmjet Pejgamberëve.
“Ne të frymëzuam ty me shpallje sikurse e patëm frymëzuar Nuhun dhe pejgamberët pas tij; e patëm frymëzuar Ibrahimin, Ismajlin, Is-hakun, Jakubin dhe pasardhësit e tij, Isain, Ejubin, Junusin, Harunin, Sulejmanin, e Davudit i patëm hënë Zeburin”. (Nisa 163)
“E, sa pejgamberë kemi dërguar te popujt e lashtë?! (Zuhruf 6)
“Secili popull kishte të dërguarin e vet, e kur u vinte i dërguari i tyre bëhej gjykimi i drejtë mes tyre, atyre nuk u bëhet padrejtësi”. (Junus 47)
Është e natyrshme që mesazhi i këtyre Pejgamberëve ishte i njëjtë duke qenë se ata vinin nga Zoti i njëjtë dhe tash pasi që në bibel kanë mbetur gjurmë të mesazhit të vërtetë të përcjellë nga Pejgamberët, nuk është aspak e çuditshme nëse edhe në Kur’an gjejmë paralelizma me ngjarje të caktuara. Akuza se Kur’ani është kopje e biblës vetëm pse të dy librat flasin për disa ngjarje të njëjta është shumë naive. (32)

Mungesa tjetër e kësaj akuze është se kurr nuk është gjetur se cili është ai person misterioz nga i cili Muhamedi a.s. mësoi biblën apo mësimet hebreo-kristiane, për ti kyçur pastaj ato në Kur’an, për arsyen e thjeshtë se ai person apo ata persona nuk ekzistonin. Analfabetizmi që e shoqëroi Muhamedin a.s. gjatë tërë jetës së tij përbën një pengesë të rëndësishme. Është e pamundshme se si ai mund të mblidhte tërë ato materiale nga çifutët, krishterët apo nga burimet tjera pagane me qëllim që këtë material ta përpunonte dhe ta recitonte më pas për 23 vjet në gjuhën e madhërishme të Kur’anit pa ndihmën e një pende. Kur’ani thotë:
“Ti (Muhammed) nuk ishe që lexon ndonjë libër para këtij, e as që shkruajshe atë me dorën tënde të djathtë, pse atëherë do të dyshonin ata të prishurit”. (Ankebut 48)

Shtrohen pyetjet: Cili mësues mund ti mësonte Muhamedin a.s. një besim të plotë e koherent që ktheu faqen e historisë? Përse nuk u ngrit ai apo ata (në qoftëse ka patur ndonjë) kundër të ashtëquajturit nxënës i cili vazhdonte ta mësonte dhe t’i injoronte ata në të njëjtën kohë duke shpallur se mësimet a tij vinin nga një burim Hyjnorë, siç është vetë Allahu xh.sh.? E si mundet që disa nga bashkëkohësit e tij krishterë dhe çifutë u kthyen në musliman dhe besuan në vërtetësinë e tij në qoftëse e dinin se ai po kopjonte shkrimet e tyre të shenjta apo po mësonte nga rabinjt ose priftërinjt e tyre? etj. (33)

Verzioni i parë arab i Dhjatës së Vjetër doli 200 vjet pas vdekjes së Muhamedit a.s. dhe verzioni më i vjetër i Dhjatës së Re doli 1000 vjet pasi Muhamedi a.s. na kish lënë. Tomas Patrik Hjuz thotë: “Nuk kemi asnjë provë se Muhamedi pati mundësi ti njihte shkrimet e shenjta. Duhet gjithashtu të kemi parasysh se nuk kemi asnjë gjurmë për ekzistencën e teksteve arabisht të Dhjatës së Vjetër përpara ardhjes së Muhamedit”. (34)

Jologjikshmëria tjetër e kësaj akuze është se megjithqë në disa raste Kur’ani flet për ngjarje të njëjta me Biblën, ato në asnjë mënyre nuk janë identike por ndërrojnë thelbësisht. Pastaj ky edhe ishte misioni themelor i Muhamedit a.s. që të përmirësonte mesazhin e Zotit i cili ishte korruptuar deri atëher. Ideja se Kur’ani ka huazuar nga bibla kundërshtohet më tej edhe me ekzistencën e dallimeve themelore në besim që i gjejmë në dy tekstet. (35) Këto dallime janë: P.sh.: në konceptin e Zotit. Bibla Zotin e tregon si një Zot që lodhet (Ekzodi 31:17- Zanafilla 2:2); një Zot që harron (Psalmi 13:1- Vajtimet 5:20); i pafuqishëm (Zanafilla 32:28); një Zot që flen (Psalmi 44:23- 78:65); i pamëshirshëm (Psalmi 77:7-9); dituria e mangët e Zotit (Zanafilla 3:8); Zoti përshkruhet në formën njerëzore (Zanafilla 1:26- 9:6); një Zot që ka familje (Ekzodi 4:22- Ligji i përtërirë 32:19- Ezekieli 16:3-32- Hebrenjve 5:5- Psalmi 2:7), e shumë argumente të tjera që janë në kundërshtim me Qenien e Zotit xh.sh., kurse Kur’ani i hedh posht këto trillime, shih ajetet që iu kundërvihen këtyre citatëve biblike; Kaf 38, Taha 52, Haxh 74, Bekare 255, Zumer 53, Bekare 115, Shuara 11, Nahl 74, Ihlas 1-4, Maide 18, e shumë citate tjera. (36)

Poashtu edhe në konceptin e Pejgamberëve ka dallime. Bibla i quan profetët si mëkatarë, gënjeshtarë, tradhtarë, e shumë epitete të tjera, në kryerjen e veprave të shëmtuara dhe të ndyra, etj. P.sh. Luti a.s. bëri zina me dy bijat e tij (Zanafilla 19:30-38); Haruni a.s. si njeri i cili e konstruktoi viçin që ta adhurojnë Izraelitët (Ekzodi 32:1-20); Sulejmani u martua me 700 gra dhe 300 konkubina dhe u kthye në idhujtari (1 Mbretërve 11:3-7) etj. Kurse Kur’ani Pejgamberët i ngrit në piedestalin më të lartë dhe i bën shëmbëlltyrë për ne. (37) Dallime thelbësore gjejmë edhe përsa i përket besimit në jetën e tanishme dhe të përtejme në konceptin e shpëtimit dhe drejtimit në jetë. Poashtu dallime kemi edhe ne histori ku Kur’ani dhe Bibla nuk përputhen: p.sh. te Ademi dhe Havaja, te Ibrahimi a.s., Isamilit, Ishakut, Lutit, Musait, Isait a.s. etj. Ideja se Kur’ani ka huazuar nga bibla është padyshim e gabuar.
Keneth Kreg thotë se: “Muhamedi nuk pati asnjë kontakt personal me shkrimet e shenjta paraardhëse… Kemi pothuajse një mungesë absolute të asaj që mund të quhej citim i drejtpërdrejt nga secila Dhjatë”. (38)

8. KUR’ANI – Fjala e përjetshme e Zotit drejtuar njerëzimit. Dallimi më i madh midis Kur’anit dhe cilit do libër tjetër të shenjtë të ndonjë besimi specifik qëndron në atë se Kur’ani vazhdimisht e pohon origjinën e tij hyjnore nga Zoti i botës. Në Kur’an ekzistojnë një mori shembujsh të tillë:
“Është e vërtetë se All-llahu u dha dhurataë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe sheriatin, edhepse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur”. (Ali Imran 164)
“A nuk e përfillin ata (me vëmndje) Kur’anin? Sikur të ishte prej dikut tjetër, përvreç prej All-llahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie”. (Nisa 82)
“O ju njerëz! Juve ju erdhi nga zoti juaj këshilla (Kur’ani) dhe shërimi i asaj që gjendet në krahrorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët”. (Junus 57)
“Ne nuk të shpallëm ty për tjetër Kur’anin, vetëm që t’u sqarosh atyre atë për çka u përçanë, (ta zbritëm) që të jetë udhëzim e mëshirë për njerëzit që besojnë”. (Nahl 64)

Ajete të tilla janë me shumicë. Pothuajse çdo sure e Kur’anit e përmban pohimin për vulën e autorësisë së Allahut xh.sh. Dhe Ai jo vetëm që e shpalli Kur’anin por edhe duke qenë se ai duhej të mbetej si mesazh njerëzimit deri në fundin e kohës, ai duhej të ruhej ashtu siç ishte shpallur prandaj edhe premtimi i Tij është i mrekullueshëm:
“Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij” (Hixhr 9) (39)
Cdo fjalë e Kur’anit dhe jetës së Muhamedit a.s. e dëshmon prejardhjen e Tij Hyjnore. Karakteri i sinqertë i Muhamedit a.s. nuk lë asnjë fije dyshimi për sinqeritetin e tij në të pohuarit se Kur’ani është fjalë e Allahut xh.sh.. Ai veçse kishte qenë i njohur si “i besueshmi- i sinqerti” edhe para se të thirrej si Pejgamber. Edhe armiqtë e tij më të mëdhenj e pranonin çiltërsinë e personalitetit të tij. Aq shumë e kishte fituar Muhamedi a.s. besimin e arabëve politeistë, saqë edhe armiku i pamëshirshëm i tij, Ebu Xhehli, i pati thënë një ditë: “O Muhamed, unë nuk po të them se je gënjeshtarë, por këtë fe që ke sjellë, s’e dua…”. (40) Megjithëse edhe armiqt më të tërbuar me ndërgjegje e pranonin se Muhamedi ishte profet i vërtet, e patën kundërshtuar vetëm e vetëm për egoizëm! Kur’ani thotë kështu:
“Ne dimë se ty të brengos ajo që thonë, e ata nuk të gënjejnë ty, por ata mizorë mohojnë argumentet e All-llahut”. (En Am 33)

Perandori Bizantin Heraklius, mori një letër nga Pejgamberi Muhamed, me të cilën e ftonte në Islam. Herakliu në vend që të zemërohej me këtë letër, ai ndjeu interesim për të dhe deshi të mësonte se ç‘farë ishte kjo, prandaj dha urdhër t’i sillnin pranë disa prej bashkvendasve të letërdërguesit. Në atë mes, në Siri ndodhej njeri prej armiqve të tërbuar të Muhamedit, Ebu Sufjani, në krye të një karvani tregtarësh Mekas. Njerëzit e perandorit e gjetën Ebu Sufjanin dhe e nxorën para tij. Ai e priti Ebu Sufjanin së bashku me shokët e vet në prani të parësisë. Herakliusi i pyeti ata me anë të përkthyesit: “Cili prej jush është më i afërt në fis me këtë person që thotë se është Profet?”. “Më i afërti jam unë!”. U përgjigjë Ebu Sufjani. Herakliusi iu drejtuar përkthyesit: “Thaju këtyre se do ta pyes këtë njeri për disa gjëra. Po të gënjejë, shokët të thonë se gënjen!”. Ebu Sufjani thotë kështu: “Vallahi, po të mos harroja, se shokët do të thoshin se kam gënjyer, do ta kisha gënjyer për të!” Dhe vazhdon: Pyetja e parë që më bëri Herakliusi, qe kjo: “ç‘vend zë prejardhja e tij mes jush?” “Prejardhja e tij është e fisme!” “A pati më parë ndër ju ndonjë që të ketë pretenduar si ky”-më pyeti Herakliusi. “Jo”- i thashë unë. “A pati sundimtarë mes të parëve të tij?” “Jo”- i thashë. “Ata që e ndjekin atë, a janë parësia, apo shtresa e ulët?” “Shtresa e ulët”- i thashë unë. “Ata që e ndjekin shtohen apo pakësohen?” “Shtohen”- iu përgjigja unë. “A ka mes tyre që, pasi ta kenë pranuar fenë e tij, të kenë ndërruar mendje?” “Jo” i thashë unë. “Para se të dilte me këtë pretendim, a pati ndodhur ndonjëher ta keni akuzuar për gënjeshtër?” “Jo”- iu përgjigja unë. “A pati ndodhur ndonjëher të mos e ketë mbajtur fjalën?” “Jo” i thashë. “A keni luftuar me të?”- vazhdoi të më pyeste Herakliusi. ”Po” iu përgjigja unë. “Si përfunduan këto luftëra?” “Disa herë na mundi ai, disa herë e mundëm ne!” “Mirë, po ç‘kërkon prej jush?” “Na thotë: Faliuni vetëm Allahut, mos i bëni shok asnjë Atij dhe braktisni idhujt të cilëve iu janë falur etërit tuaj! Pastaj na porosit të falim namaz, të jemi të drejtë e të ndershëm si dhe të kujdesemi për prindërit dhe të afërmit”.
Pas kësaj, Herakliusi i tha përkthyesit: “Thuaji atij: “Të pyeta për prejardhjen e tij dhe më the që është shumë e fisme. Të tillë janë profetët; ata zgjidhën mes fisnikëve të fisit.
Të pyeta nëse pati para tij ndonjë që të ketë dalë me këtë pretendim dhe më the jo. Po të kishte pasur do të thosha se e merr si shembull atë.
Të pyeta nëse ka mes të parëve të tij sundimtarë dhe mu përgjigje se jo. Po të kishte, do të thoja se përpiqet ta rifusë në dorë sundimin e të parëve të vet.
Të pyeta nëse pati ndodhur më parë të shihni se po gënjen dhe më the se jo. Unë e di që njeriu që nuk thotë gënjeshtra për njerëzit, nuk thotë gënjeshtra as për Allahun!
Të pyeta nëse ata që e ndjekin, janë prej parisë apo shtresës së ulët dhe më the se janë të shtresës së ulët. Kështu ndodh në fillim me profetët; ata që e ndjekin janë njerëz të shtresës së ulët.
Të pyeta nëse ata që e ndjekin shtohen apo pakësohen dhe më the se shtohe. E veçanta e feve të vërteta është se, gjer në plotësimin e kumtesës, numri i ndjekësve vjen gjithmon duke u shtuar.
Të pyeta nëse pati ndodhur të mos e ketë mbajtur fjalën dhe më the se jo. Të tillë janë profetët, nuk e kthejnë fjalën!
Të pyeta se ç‘kërkon prej jush dhe më the se ju kërkon të adhuroni vetëm Allahun duke mos barazuar asgjë tjetër me Të, të largohemi prej idhujve, të falni namaz të jeni të drejtë e të ndershëm. Po qëse këto që the janë të vërteta ai njeri do të sundojë shumë shpejt në këtë vend ku më shkel këmba. Unë e kam ditur se ka për të dalë ky profet, por nuk e parashikoja se do të ishte prej jush. Po ta dija se mund të takohesha me të, do të merrja parasysh të gjitha vështirësitë dhe po t’i ndodhesha pranë, do t’ia laja këmbët”. (41)

Kemi shumë e shumë shembuj nga jeta e Pejgamberit Muhamed a.s. ku tregon se Muhamedi ishte rob dhe i derguar i Zotit dhe se Kur’ani nuk është vepër e tij por fjalë e Allahut që ja dërgoi robit të vet Muhamedit a.s. Megjithqë nuk ka nevojë për asnjë dëshmi më tepër se sa fjala e vetë Allahut xh.sh. që e konfirmon origjinën hyjnore të Kur’anit, sikur edhe karakteri i dëlirë i Pejgamberit Muhamed i cili na përcolli atë, ne do ti përmendim edhe disa fakte të tjera të cilat e bëjnë të besueshëm Kur’anin si të ardhur nga Zoti.

Edhe përsa u përket njoftimeve të dhëna kushtuar të shkuarës e të së ardhmes, Kur’ani është i shkylqyer dhe kategorikisht s’mund të jetë shprehje njerëzore. Sot, me anë të zbulimeve të reja, janë nxjerrë sheshit mënyra e të jetuarit të pupujve të kaluar, fundi i tyre i mirë apo i keq ashtu siç i pat njoftuar fjalë për fjalë shekuj më parë Kur’ani i Madhërueshëm. P.sh. te Pejgamberë të tillë si: Nuhi, Salihu, Luti, Ibrahimi, Musai, Isai (Paqa e Zotit qoftë mbi ta), etj., popujt e tyre, dhe vendbanimet e tyre- secili më vete nga një dëshmi e shpalosur për tu marrë shembull! (42) Kur’ani na tregon ku thotë:
“A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të shohin se si qe përfundimi i atyre që ishin para tyre!?? Ata ishin edhe më të fortë se këta, ata e lëruan tokën dhe e rindërtuan atë më shumë se sa këa, e rindërtuan, atyre u patën ardhur të dërguarit e vet me fakte të qarta. Pra, Allahu nuk ishte që t’ju bëjë të padrejtë atyre, por ata vetvetes i bënë të padrejtë”. (Rrum 9)
“A nuk e kanë të qartë ata se sa breza para tyre i kemi zhdukur, e këta ecin nëpër ato vendbanime të tyre. Në gjurmët e atyre ka fakte për ata që kanë arsye të shëndoshë”. (TaHa 128)
“Secilin prej tyre e kemi dënuar për shkak të mëkatit të vet; disa prej tyre Ne i goditëm me furtunë plot rërë, disa i shkatërruam me krismë nga qielli, kurse disa të tjerë i sharrum në tokë dhe disa përmbytëm në ujë. All-llahu nuk u bëri atyre ndonjë padrejt, por ata vetës së tyre i bënë padrejtë”. (Ankebut 40)
Kur’ani kur flet për popujt edhe Pejgamberët e tjerë, Allahu xh.sh. ja bënë me dije Muhamedit a.s. për ti treguar masës dhe njerëzve në përgjithësi se ti as që ke marr pjesë në ato ngjarje, as që ka ditur gjë mbi ta gjer atëher:
“Këto janë nga lajmet e fshehta (të hershme) që po t’i shpallim ty. Ti nuk ishe ndër ta kur i hidhnin shortet se kush prej tyre do të bëhej kujdestar i Mejremes, nuk ishe pranë tyre as kur ata ziheshin mes vete”. (Ali Imran 44)
“E ti nuk ishe në anën perëndimore (të vendit ku All-llahu i foli Musait) kur Ne Musait ia besuam shpalljën (e bëmë pejgamber dhe dërguam te faraoni), e ti as nuk ishe aty pran”. (Kasas 44)
“Këto janë disa rrëfimet e panjohura (për ty), që po t’i shpallim ty, e që para këtij (Kur’anit) nuk i ke ditur as ti as populli yt. Pra të jeshh i durueshëm se përfundimi (i lavdishëm) është për të devotshmit”. (Hud 49)

Një njeri që ska ditur të shkruaj as të lexoj, (Kur’an: Ankebut 48) që ska prekur libër me dorë, që natyrisht, ska marrë pjesë në ngjarjet e së shkuarës, që ska dëgjuar dhe mësuar gjë nga të tjerët, nëse një njeri i tillë, pra jep të dhëna shumë të prera, që shkenca dhe teknologjia i ka zbuluar kohëve të fundit, a nuk tregon kjo se ai person është i dërguari dhe përfaqësuesi i Allahut, njohësit të së fshehtës?
Aq sa janë kategorike dhe të drejta njoftimet e Kur’anit kushtuar të shkuarës, dhe informacioni për të ardhmen është po në atë nivel i rëndësishem dhe një mrekulli në vete. Një fakt tjetër që e argumenton origjinën Hyjnore të Kur,anit e dëshmojnë dhe profecitë e bëra atij të cilat saktësisht u përmbushën. Në Kur’an në surën El-Feth ajeti 27, besimtarët përgëzohen se do të hyjnë në Meke, vite më parë se të ndodhte në fakt, qe lajmëruar në Kur’an. Meka atëher ishte nën sundimin e paganëve, dhe disa kohë më vonë ndodhi pikërisht ashtu siç ishte profetizuar:
“All-llahu ëndrrën e të dërguarit të Vet e vërtetoi me realitet: se me vullnetin e All-llahut do të hyni në xhaminë e shenjtë (në Qabe) të siguruar, të rruani flokët e kokave tuaja, t’i shkurtoni e nuk do të keni frikë! Pra Ai ka ditur atë që ju nk e dinit, para kësaj ju dha një fitore të shpejtë (Hajberin)”. (Feth 27) (43)

Poashtu profecia tjetër e cila gjithashtu u përmbush është ajo rreth fitorës së Bizantit e bërë në kohën kur jo vetëm që nuk kishte as edhe një shenjë të vockël se do të ndodhte ashtu siç po profetizohej por në atë kohë në fakt Bizanti sapo kishte pësuar humbje të thellë. Kështu rreth vitit 620 pas Isait a.s. u shpallën këto ajete Kur’anore:
“Bizantinët (rumët) u mundën, në tokën më afër (tokës arabe), po pas disfatës së tyre, ata do të ngadhënjejnë, brenda pak viteve. Çështja është vendim i All-llahut, fillim e mbarim (për disfatë dhe për fitore). E atë ditë (kur do të fitojnë bizantinët) besimtarët do të gëzohen, për ndihmën e All-llahut. Ai ndihmon atë që do dhe Ai është i gjithëfuqishëm, mëshirues. Premtimi i All-llahut është (ky), All-llahu nuk e thyen premtimin e Vet, por shumica e njerëzve nuk po dinë”. (Rrum 2-6).
Gjithçka tregonte për një shkatrrim të përjetshëm të Bizantit dhe të përmendësh një fitore për të ishte diçka shumë e palogjikshme në atë kohë, por Zoti i cili është njohës i të tashmës dhe të ardhmes e di më së miri. Ndodhi që rreth shtat vite pas thënies së kësaj profecie Perandoria Bizantine njëmend fitoi pas një beteje të përgjakshme me Persët. Fjala e Allahut edhe një herë u bë realitet. (44)

Gjithashtu Ai lajmëroi për historinë e Pejgamberëve të mëparshëm, prej Ademit a.s. e deri te i dërguari i parafundit, Isau a.s. E tërë kjo histori erdhi përmes gjuhës së një njeriu, i cili nuk dinte shkrim e as lexim, nuk ishte ulur para ndonjë mësuesi, nuk kishte lexuar dhe shfletuar asnjë libër, në rrethin që kishte jetuar nuk ishte mes i diturisë e as i qytetërimit që prej atij mesi të ketë mësuar dhe dëgjuar lajmet e popujve të mëparshëm. Lajmet që i solli i dërguari analfabet ishin argumenti më i shkëlqyeshëm që tregonte se burimi i këtyre lajmeve është Allahu xh.sh. (45)
Argumenti tjetër që e argumenton Kur’anin si fjalë të Allahut, është se ka fundi I Kur’anit sureja 111, El-Mesed, ekziston një sure e cila i kushtohet xhaxhait të Pejgamberit Muhamed, Ebu Lehebi dhe gruas së tij. Aty në mënyrë kategorike është thënë se Ebu Lehebi do të digjej në zjarrin e ferrit, pra nuk do të pranonte Islamin. Kjo ishte thënë rreth 10 vite para vdekjes se Ebu Lehebit dhe ai shumë lehtë mund të pranonte Islamin për sy e faqe vetëm për ta diskredituar Pejgamberin Muhamed, por kjo kurrë nuk u bë sepse ato fjalë nga sureja 111 ishin thënë nga Krijuesi i Botërave, i cili di çdo gjë dhe ato nuk mund të zbeheshin në asnjë mënyrë. (46)

Allahu xh.sh. në Kur’an thotë:
“A nuk e i ti se ç’bëri Zoti yt me Ad-in? Me banorët e Iremit me ndërtesa të larta?”. (Fexhr 6-7)
Në këtë ajet përmendet një popull dhe një qytet tërësisht i panjohur për historinë e deri disa dekadave më parë. Deri në vitet e shtatëdhjeta të shekullit XX. Ky qytet ishte inekzistent për historinë. Mirëpo në atë kohë gjatë gërmimeve në Siri u zbulua një qytet i quajtur Elba. Qyteti besohet të jetë nja 43 shekuj i vjetër dhe gjëja më e mrekullueshme është se në disa pllakat e gjetura në mbeturinat e këtij qyteti përmenden emrat e qyteteve më të cilat Elba kishte pasur kontakte tregtie. Dhe Iremi është një ndër qytetet. Prandaj ëshë mrekulli se si në shekullin VII kur po shpallej Kur’ani dhe kur nuk dihej asgjë rreth qytetit të vdekur, përmendet me emër Iremi. (47)

Përveç këtyre, Kur’ani ka mjaft veçori të tjera të mrekullueshme, të cilat vërtetojnë se ai është më të vërtet libër hyjnorë. Një prej këtyre veçorive është fakti se një numer i konsiderueshëm i fakteve shkencore, të cilat njeiru mundi ti zbulonte vetëm me ndihmën e teknologjisë së shekullit XX, janë shpallur në Kur’an 1400 vjetë më parë. Sigurisht që nuk mund të pretendojmë që Kur’ani është një libër shkencor, por është një udhëzim i njerëzve drejt së vërtetës. Megjithatë, në Kur’an gjejmë shumë fakte shkencore, të cilat janë zbuluar në mënyrë të plotë vetëm në saje të fjalës së fundit të teknologjisë bashkohore. Këto fakte shkencore as që mund të përceptoheshin apo imagjinoheshin në kohën e shpalljes së tij, gjë që vërteton akoma më tepër prejardhjen e tij hyjnore. (48) Allahu thotë:
“Ne do t’u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjfton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Fussilet 53)
Një autorë jep më shumë vepra në fushën e vet. Veçanërisht sot kur specialitetet janë shtuar dhe ngushtuar tejet, secili është njeriu i fushën së vet tejet të ngushtë. Kurse Kur’ani parashtron parime në sociologji, ekonomi, drejtësi juridike, psikologji, politikë, ushtri, mjekësi, fizikë, biologji, shkurt në çdo fushë, flet për të vërtetat themelore të asaj fushe dhe diskuton për të shkuarën e për të ardhmen. Cila mendje e pranon se një libër të tillë e ka shkruar një person pa shkrim dhe lexim e pa asnjëren prej mundësive të sotme teknike e shkencore? Askush me mend në kokë nuk mund të përdorë në emër të Allahut shprehjet që kanë të bëjnë me krijimin, me dhënien e jetës dhe të vdekjes, akte, këto, që i përkasin Pozitës Hyjnore, nuk mund të flasë kurr mbi krijimin e qiejve, tokës, yjeve, maleve, pemëve, kafshëve dhe njerëzve, si dhe mbi jetën e cila ende qëndron si një enigmë më vete para shkencëtarëve. Edhe nëse flet, nuk mund të mbledhë asnjë përkrahës dhe fjalët kurr nuk mund t’i kenë jetë të gjatë. Një autor cilido në veprën e vet, përgjithësisht mbetet në ndikimin e kushteve dhe të mjedisit ku jeton si dhe të ngjarjeve të jetuara pa mundur të dalë jashtë një kuadri kohor të ngushtë. Kurse kur shohim nga Kur’ani, vëmë re se ai përdorë shprehje kategorike mbi fillimin dhe fundin e gjithësisë, mbi krijimin e njeriut dhe jetën e tij të ardhshme dhe, duam apo s’duam, mbetemi të detyruar të themi se “kjo s’mund të jetë fjalë njeriu”! (49)

9. Kur’ani është padyshim nga Allahu xh.sh. Kur’ani është libri me i lexuar në botë.Vargjet e tij janë recituar me dashuri e respek dhe janë memorizuar e zbatuar në praktikë nga besimtarët myslimanë në mbarë botën qe prej shekullit të shtatë kur Kur’ani iu shpall Muhamedit a.s. prej Zotit si shpallja e fundit hyjnore dhe dëshmi deri në Ditën e gjykimit. Besimtarët frymëzohen,gjejnë ngushëllim dhe shpesh impresionohen nga stili letrar,harmonia dhe imagjinata poetike e Kur’anit,sidomos kur e lexojnë atë me zë.Përveç kësaj,Kur’ani është unik mes shpalljeve të tjera për vërtetësinë dhe saktësinë e përmbajtjes së tij. Në të nuk gjendet asnjë informacion shkencor i cili nuk është vërtetuar nga shkencëtarët si i saktë. E njëjta gjë është provuar edhe me kontekstin historik të tij.Megjithatë, ajo ç’farë e bën Kur’anin të qëndrojë bindshem në krye të shpalljeve hyjnore është fakti që fjalët e tij janë ruajtur të pa ndryshuara dhe jane përcjell me mbarë botën Islame në gjuhën origjinale të zbritjës(ne Arabisht). Kur’ani mbetet i vetmi libër i cili mund të memorizohet i gjithi prej njerzëve të të gjitha moshave dhe niveleve intelektuale (prej arabëve dhe jo arabëve). Ky fakt e bën atë të quhet me të vërtetë një nga mrekullitë që shoqëruan Muhamedin a.s. në profecinë e tij. Ky libër i mahnitshëm me përsosmërinë e tij të lartë gjuhësore letrare si dhe me precizitetin shkencor arrin të depërtojë thellë në zemrat e tyre që e lexojnë dhe të memorizohet prej tyre pavarësisht nga niveli intelektual apo gjuha të cilën ata flasin.

A është shkruar gjerë më sot, vallë, një libër i cili t’i përshtatet njeriut të çdo shtrese, moshe e niveli, qoftë ai me shkollë, universitarë, mendimtarë, njeri i thjeshtë, fizikant, kimist apo çoban, dhe nga i cili të kuptojë e përfitojë kushdo? Kur’ani është libri i vetëm që shfaqet në çdo vend, që shpërndan dritë si dielli të cilin e lexojnë duke përfituar prej tij dhe te i cili gjejnë parime e zgjidhje për rrugën dhe profesionin, shërim për hallet dhe shkëlqim për idetë e tyre poeti, oratori, sociologu, ekonomisti, juristi, administratori, politikani, edukatori, nxënësi, lutësi etj. etj. (50)

Ndoshta nuk ka libër tjetër veç Kur’anit që mund të lexohet disa herë pa u mërzitur, kurse Kur’ani lexohet me herë të tëra, plotësohet vazhdimisht, këndohet në namaze dhe me pretekse të ndryshme pa shkaktuar kurr ngopje, lodhje dhe mërzitje. Sa e sa vepra të zgjedhura, shkrime ideore dhe poezi e humbin origjinalitetin dhe vlerën, sa e sa vepra aktuale durojnë a s’durojnë vetëm disa vite, madje disa muaj. Ato e humbin edhe vlefshmërinë, edhe vlerën aktuale dhe hidhen e grisen si një gazetë. Kurse Kur’ani jo vetëm që nuk zbehet e vjetrohet as si fjalë, as si lexim, as si përmbajtje e kuptim, as si origjinalitet e aktualitet dhe as si drejtësi e vleshmëri, por çdo ditë që kalon, shpirtërave, ndërgjegjeve, mendjeve dhe zemrave u fryn frymëzime të reja, u ofron ide dhe njohuri të një niveli më të përparuar dhe e ruan rininë e freskinë duke u bërë çdo ditë më i ri e më i freskët. (51)
Rradhë ka ndonjë libër në histori që është sulmuar me aq vrazhdësi dhe është mbrojtur me aq zell dhe dëshirë të zjarrtë sikur Kur’ani. Do t’i përmend fjalët dhe mendimet e disa mendimtarëve të shquar botërorë, të cilët, pas studimeve të thella, kanë dhënë deklaratat e tyre për Kur’anin e Madhërishëm. Të shkruhen të gjitha mendimet e njerëzve të shquar botërorë do të duhej të përmblidhen në një libër, pasi janë të shumta, por ne do t’i përmendim veç disa prej tyre.

Lora Fagliri (studiuse Italiane)- “Kur’ani deri te brezi ynë është përcjell me një transmetim të përpiktë përmes një zinxhiri të pashkëputur dhe teksti i tij mbeti i pastër, i pandryshuar gjatë shekujve, dhe i tillë do të mbetet derisa të ekzistojë jeta në sipërfaqen e tokës”.

Filip Hiti për metodën e ligjërimit të Kur’anit thotë: “Ajo është aq e lartë, saqë nuk mund të krahasohet me të tjera, nuk mund të kopjohet, të emitohet etj.”.

Carls Mills, nisur nga pasuria e stilit të Kur’anit, shpreh se ai zotëron një aparencë të tillë të lartë të papërkthyeshme e të papërsëritshme”.

CI. Huart- “Kur’ani si fjalë e Allahut iu komunikua Muhamedit nëpërmjet revelacionit”.

Artur Belegri- “Kur’ani i Madhërueshëm është mrekullia më e fuqishme e Pejgamberit tonë, dërguar me anë të ëngjëllit”.

Mr. Roduell- “Njeriu gjatë leximit të Kur’anit mbetet mes mahnitjesh”.

Di Kastro (studiues francez)- “Injorimi ynë kurrsesi nuk do të thotë se Kur’ani nuk ishte dhe nuk vazhdon të jetë libër hyjnorë me ndikim të madhë në psikologjinë e njeriut”.

Ljubildd Weiss (studiues i Kur’anit)- “Nga Kur’ani mua më del një zë më madhështorë se sa zëri i Muhamedit a.s.. Kur’ani që u ligjërohej arabëve në shekullin VII dhe tundte thellësitë e tyre shpirtërore, është po ai që ka edhe sot të njëjtën fuqi, edhe për lexuesin shekullit të XX-të, por edhe të shekullit të XXV-të”.

H. A. R. Gibb- “Kështu pra po të ishte Kur’ani vepër e tij (Muhamedit), atëher njerëzit tjerë do të kishin mundur të bënin gara me të. Le t’i krijojnë vetëm dhjetë vargje, të cilat do të ishin të ngjashme. Nëse këtë nuk munden (e këtë me siguri nuk janë në gjendje) atëher, Kur’ani duhet ta pranojnë si mrekulli jashtëzakonisht të qartë”.

Një i krishterë Indian thotë: “Kur’ani është libri i vetëm qiellor, i cili mësohet përmendsh nga mijëra njerëz nga të gjitha anët e botës, kurse librat e tjerë të shenjtë i gjejmë të ruajtura vetëm me shkrimin e shtypur. Po të ndodhë për ndonjë arsye që librat e shkruar në letra të treten nga njerëzit, Kur’ani do të mbetet libri i vetëm i ruajtur në gjoksa”.

Gjithashtu si Dermingemi, Sidju, Jogel, Goethe, Zhan Zhak Rusoi, Dr. Steingass, Maurice Bucaille, Arthur J. Arberry, Viktor Imberd, Ernest Renan, Gustal le Boni, H. Holman, Rajmond Carls, Dr. Moris etj.etj., tregojnë se Kur’ani është libër i Zotit dhe jo vepër e Muhamedit a.s. (52)

10. Përfundim. Këto argumente që cekëm gjerë më tani, dhe të cilat nuk i cekëm, tregojnë qartazi se Kur’ani është libër, fjalë e allahut xh.sh., dhe jo vepër e Muhamedit a.s., as e arabëve, as e xhinnëve, djajve dhe as kopje e burimeve çifute-krishtere.

Pastaj po të shohim në Kur’an, do të gjejmë se prej karakteristikave të tij që cekem dhe që nuk i cekem janë:
a) Pastërtia në të shprehur.
b) Transmetimi i lajmeve të padëgjuara më parë; të ndodhura e të pandodhura.
c) Mos ekzistenca e gabimeve në të.
d) Kuptimplotë.
e) Vërtetësia e lajmeve.
f) Ligj i përsosur, i përshtatshëm për çdo kohë e çdo vend.
g) I pajisur me një kod matematikor të admirueshëm e të mrekullueshëm.
h) Burim i shkencave dhe dijeve.
i) Sfidë ndaj dijes dhe dijetarëve, etj.etj. (53)

Ndërsa atyre që akoma vazhdojnë të besojnë se Kur’ani është vepër e dikujt tjetër pos Allahut, u këshilloj të lexojnë ajetin Kur’anorë:
“A nuk e përfillin ata (me vëmndje) Kur’anin? Sikur të ishte prej dikut tjetër, përvrç prej All-llahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie”. (Nisa 82)
E nëse akoma vazhdojnë të jetojnë në botën e ankthit dhe të dyshimit: Zoti i udhëzoftë!

Këtë artikull po e përfundoj me fjalën e Allahut xh.sh. në Kur’anin e Madhërishëm:
“E edhe ai (kur’ani) është shpallje (zbritje) e Zotit të botëve”. (Shuara 192)
“E ju gjithsesi do ta kuptoni pas pak kohe vërtetësinë e tij”. (Sad 88)

Literature e shfrytzuar:

1. Kur’ani – Përkthim me komentim i Sherif Ahmetit.
2. Bibla – Diodati i Ri përkthim 1991-94.
3. Përpjekje të dështuara, Muhamed Sytari, Shkodër 2003
4. Hap pas hapi me “Udhën Islame”, Muhamed Sytari, shkodër 2004
5. Nektari i Vulosur i Xhennetit, Saffijjurrahman El-Mubarekfuri, Prishtinë 2001
6. Frymera meshire nga Muhamedi, Osman Nuri Topbash, Stamboll 2004
7. Islami dhe Krishterimi, Halil Ibrahimi, botim i parë 2004
8. Burimet e Kur’anit, Hamza Mustafa Nijazi, Mitrovicë 1996
9. Nen hijen e Besimit- 2, M. Fethullah Gylen, Tiranë 2004
10. Lëkundjet që solli shekulli, M. Fethullah Gylen, Tiranë 1998
11. Rijadus-Salihin, imam Neveviu, Prishtinë 1997
12. Zgjimi Islam, viti IX, nr. 5/ Qershorë 2004, Prishtinë, “Thëniet e mendimtarëve me famë botërore rreth: Islamit, Kur’anit dhe Muhamedit a.s.”- Senad Makoviq
13. Takvim 1993, Prishtinë, “Jomuslimanët për Kur’anin”- Hajrullah Hoxha
14. Dituria Islame, viti IX, nr.178, Maj 2005, Prishtinë, “Koncepti i Zotit në Bibel dhe në Kur’an” – Senad Makoviq
15. Dituria Islame, viti IX, nr.180-181, Korrik – Gusht 2005, Prishtinë, “Koncepti Pejgamberik në Bibel dhe në Kur’an” – Senad Makoviq
16. Mrekullia e Kur’anit, Muhamed Muteveli Esh-Sharavi, Prishtinë 1996
17. Popujt e zhdukur, Harun Jahja, Stamboll 2002
18. Mrekullitë e Kur’anit, Harun Jahja, Stamboll 2002
19. MUHAMMAD, his life based on the earliest sources, Martin Lings, Australia 1983
20. Hyrje në shkencën e Usuli Fikhut, Taxhedin Bislimi, Shkup 2003
21. Edukata Islame, nr. 24, Prishtinë 1979

Fusnotat:
1. Burimet e Kur’anit, Hamza Mustafa Nijazi, fq. 1
2. Citimet e Kur’anit janë të marrura nga Kur’ani – Përkthim me komentim i Sherif Ahmetit
3. Lëkundjet që solli shekulli, M. Fethullah Gylen, fq. 93
4. Nen hijen e Besimit- 2, M. Fethullah Gylen, fq. 129-130
5. Lëkundjet që solli shekulli, M. Fethullah Gylen, fq. 93
6. Edukata Islame, nr. 24, fq. 12
7. Rijadus-Salihin, imam Neveviu, hadithi nr. 477 (shih hadithet 474-478)
8. Burimet e Kur’anit, Hamza Mustafa Nijazi, fq. 16
9. Nektari i vulosur i xhennetit, fq. 559
10. Edukata Islame, nr. 24, fq. 13
11. Islami dhe Krishterimi, Halil Ibrahimi, fq. 44 dhe Burimet e Kur’anit, Hamza Mustafa Nijazi, fq. 18
12. Islami dhe Krishterimi, Halil Ibrahimi, fq. 44 dhe për më tepër lexo në Nektari i Vulosur i Xhennetit, Saffijjurrahman El-Mubarekfuri, fq. 114, poashtu shih tek Edukata Islame, nr. 24, fq. 12
13. Burimet e Kur’anit, Hamza Mustafa Nijazi, fq. 18
14. Po aty, fq. 19
15. Po aty, fq. 21
16. Po aty, fq. 23
17. MUHAMMAD, his life based on the earliest sources, Martin Lings, fq. 191
18. Burimet e Kur’anit, Hamza Mustafa Nijazi, fq. 32
19. MUHAMMAD, his life based on the earliest sources, Martin Lings, fq. 77
20. Po aty, fq. 77
21. Nen hijen e Besimit- 2, M. Fethullah Gylen, fq. 146 dhe Përpjekje të dështuara, Muhamed Sytari, fq. 40
22. Nen hijen e Besimit- 2, M. Fethullah Gylen, fq. 140
23. Po aty, fq. 147
24. Po aty, fq. 131-132, shih edhe tek Nektari i Vulosur i Xhennetit, Saffijjurrahman El-Mubarekfuri, fq. 95-96, poashtu sish edhe Hyrje në shkencën e Usuli Fikhut, fq. 51-52
25. Po aty, fq. 132
26. Hap pas hapi me “Udhën Islame”, Muhamed Sytari, fq. 51
27. Po aty, fq. 51
28. Po aty, fq. 52
29. Përpjekje të dështuara, Muhamed Sytari, fq. 43-44
30. Burimet e Kur’anit, Hamza Mustafa Nijazi, fq. 97
31. Kur’ani – Përkthim me komentim i Sherif Ahmetit, fq. 23
32. Islami dhe Krishterimi, Halil Ibrahimi, fq. 45-46
33. Burimet e Kur’anit, Hamza Mustafa Nijazi, fq. 61
34. Po aty, fq. 62
35. Shiko citatet tek Bibla – Diodati i Ri përkthim 1991-94, dhe tek Kur’ani – Përkthim me komentim i Sherif Ahmetit.
36. Për më tepër shih tek Dituria Islame, viti IX, nr.178, Maj 2005, Prishtinë, “Koncepti i Zotit në Bibel dhe në Kur’an”
37. Për më tepër shih tek Dituria Islame, viti IX, nr.180-181, Korrik – Gusht 2005, Prishtinë, “Koncepti Pejgamberik në Bibel dhe në Kur’an”
38. Burimet e Kur’anit, Hamza Mustafa Nijazi, fq. 68
39. Islami dhe Krishterimi, Halil Ibrahimi, fq. 48-49
40. Frymera meshire nga Muhamedi, Osman Nuri Topbash, fq. 54
41. Po aty, fq. 54-57
42. Lëkundjet që solli shekulli, M. Fethullah Gylen, fq. 94, shih tek libri Popujt e zhdukur, Harun Jahja, mbi popujt e mëparshëm dhe përfundimi i tyre.
43. Islami dhe Krishterimi, Halil Ibrahimi, fq. 51 dhe Lëkundjet që solli shekulli, M. Fethullah Gylen, fq. 94
44. Po aty, fq. 51-52 dhe Po aty, fq. 94, dhe tek Hyrje në shkencën e Usuli Fikhut, fq. 50-51
45. Hyrje në shkencën e Usuli Fikhut, fq. 51
46. Islami dhe Krishterimi, Halil Ibrahimi, fq. 52
47. Islami dhe Krishterimi, Halil Ibrahimi, fq. 50-51, më gjërësisht shiko tek Burimet e Kur’anit, Hamza Mustafa Nijazi, fq. 46
48. Për më tepër rreth këtyre zbulimeve shkencore lexo librat Mrekullitë e Kur’anit, Harun Jahja, dhe Mrekullia e Kur’anit, Muhamed Muteveli Esh-Sharavi.
49. Nen hijen e Besimit- 2, M. Fethullah Gylen, fq. 137,139
50. Po aty, fq. 133
51. Po aty, fq. 133, 134
52. Këto thënie gjinden tek: Zgjimi Islam, viti IX, nr. 5/ Qershorë 2004, Prishtinë, “Thëniet e mendimtarëve me famë botërore rreth: Islamit, Kur’anit dhe Muhamedit a.s.” dhe Lëkundjet që solli shekulli, M. Fethullah Gylen, fq. 106
53. Hap pas hapi me “Udhën Islame”, Muhamed Sytari, fq. 53-54