Shkruar nga: Ali Ataie
Përktheu: Kujtim Sejdiu
Debati është zhvilluar me shekuj. A ishte Jezusi historik nga Nazareti vetëm një rabin i madh apo ishte diçka më tepër?
A ishte ai një pacifist revolucionar apo ishte një çifut fanatik i vendosur të përzë jashtë rrangullat romake. Mbase ishte Mesia i hebrenjve dhe Profeti i Zotit apo ndoshta Zoti vetë? Ndoshta ai nuk ekzistonte fare, ose ishte një grua e quajtur Sofie? A ishte një Sufi? Një Jogi Hindu? Një esen? Një samaritan? Një hipokrit? Si besim themelor i komunitetit musliman, përgjigja e pyetjes për identitetin e Jezusit (Isait a.s) është shumë e qartë.
Pyetja reale është: nëse Jezusi do të ishte gjallë në ditët tona, cilën nga tri traditat Abrahamike do ta kishte përcjellë ai? Kjo pyetje mund të përgjigjet duke shikuar thellë në katër narracionet ungjillore të shërbesës së Jezusit të gjendura në Dhiatën e Re. Para se gjithash, më leni të them se është më se e qartë se këta katër autorë të ashtuquajturve “ungjij” kanë definuar agjendën teologjike që ata kanë dëshiruar të gjendet nëpër shkrimet e tyre.
Tek Marku (68 – 70 pas Krishtit), Jezusi është konsideruar si Mesia i fshehur, Profeti i përvuajtshëm dhe gjykatësi i ardhshëm eshatologjik i cili “nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbej dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave”(Marku 10:45). Mateu (80 pas Krishtit) e paraqet Jezusin si një Mësues të Madh dhe si Mesinë e qartë çifut i cili ka ardhur që të “plotësojë Ligjin dhe profetët” (Mateu 5:17). Luka (85 – 90 pas Krishtit) e sheh Jezusin si Mesinë universal i cili është dërguar që të vdesë për mëkatet e njerëzimit. Luka është i pari evangjelist që e pagëzon Jezusin “Soter”, domethënë Shpëtimtar (Luke 2:11). Përfundimisht, tek Gjoni (90 – 100 pas Krishtit), Jezusi është Fjala Hyjnore (Logos) që nis krijimin për atë i cili i këshillon përkrahësit e tij: “në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë.” (Gjoni 12:26). Çka ndodhi me “unë nuk erdha që të shërbehem”? Çuditërisht, në një interval kohe prej vetëm disa dekadash, Jezusi evoluoj prej një njeriu të përvuajtur në një zot të plotfuqishëm.
Prapë se prapë ne me të vërtetë nuk kemi zgjidhje; ne detyrohemi të përdorim këto burime sepse kjo është ajo çka të krishterët kërkojnë prej nesh. Sipas kristianëve të rilindur (born-agains) nëse nuk ka ekzistuar në Bibël , nuk ka ekzistuar fare. S’ka rëndësi për tani boshllëk i turpshëm në të dhënat Ungjillore rreth jetës së Jezusit mes viteve 12 – 30 që evangjelistët kanë zgjedhur ta injorojnë plotësisht ose tërësisht e kanë lënë në harresë. Duket e pazakonshme që një njeri të cilit një pjesë e madhe e njerëzimit i referohet si Zoti i ardhur në mish, nuk ka pothuajse asgjë për të treguar për vetveten gjatë 30 viteve të para të jetës së tij. Në të 30-tat, Aleksandri i Madh kishte pushtuar shumicën e botës së njohur. Në të 30-tat, profeti Muhamed ishte i njohur nga të gjithë të afërmit e tij si al-Ameen, i Sinqerti; reputacion ky i përhapur përgjatë gjithë gadishullit Arabik. Në të 30-tat, profeti Moisiu ishte i edukuar nga e gjithë njohuria e Egjiptit antik dhe ishte thirrur si Princ i Egjiptit.
Është një fakt i sigurt historik se Moisiu kurrë nuk e kishte dëgjuar fjalën “Judaizëm” gjatë gjithë jetës së tij tokësore. Sipas studiuesve, kjo fjalë ishte shpikur diku kah vitet e vona të shekullit të shtatë p.e.s. pasi Sirianët i sulmuan dhe kishin zhdukur dhjetë nga dymbëdhjetë fiset e Izraelit, diku 600 vjet apo diçka ashtu pas vdekjes së Moisiut. Në këtë kohë kishte çifut por jo edhe Judaizëm. Fjala “çifut” megjithatë paraqiste më shumë identitetin fisnor sesa atë religjioz. Interesant, Moisiu madje as nuk është i kualifikuar për këtë. Na është thënë: “Këto janë familjet e Levit: familja e Libnitëve, familja e Hebronitëve, familja e Mahlitëve, familja e Mushitëve, familja e Korahitëve. Dhe Kohathit i lindi Amrami. Gruaja e Amramit quhej Jokebed; ishte bijë e Levit dhe i kishte lindur Levit në Egjipt; në Amram ajo lindi Aaronin, Moisiun dhe Miriamin, motrën e tyre.” (Numrat 26:58 – 59). Ai ishte Levit, jo çifut.
Gjersa Moisiu ishte Levit nga fisi, cili ishte religjioni i tij? Musliman! Ai ishte një njeri i cili qetësisht dhe me gjithë qenien e tij i nënshtrohej tërësisht Vullnetit të të Plotfuqishmit. Ai “hëngër dhe fjeti” me religjion. Krahasoje këtë me të krishterët e ditëve moderne të cilët besojnë se shkuarja në kishë një herë në javë të Dielën dhe dëgjimi me kujdes i një njeriu që bënë melodi me gishtat e tij në banxho prezanton sakrificën personale dhe nënshtrimin e plotë Vullnetit të Zotit.
A ishte Jezusi jude? Shumicën e të krishterëve i gjen të besojnë se ai ishte pasardhës i Davidit, nga fisi i Judës. Kontradiktat e dhëna për prejardhjen e Jezusit janë material për një artikull të një here tjetër. Megjithëse fjala Judaizëm ishte përdorur gjatë kohës së Jezusit, mbetet një fakt se ky emër asnjëherë nuk është menduar të jetë për religjionin e Bijve të Israilit. Ju mund ta lexoni çdo verset të 39 librave të Biblës Hebraike si edhe shtatë librat e Apokrifisë dhe ju asnjëherë nuk do ta hasni emrin “Judaizëm”. A harroi Zoti ta emëronte popullin e tij të zgjedhur?
A ishte Krishti i krishter? Absolutisht jo! Luka na tregon neve se kjo fjalë i krishter së pari është përdorur si nënçmim për ata që kanë përcjellur rrugën e Jezusit, Mesisë së hebrenjëve: “Dhe dishepujt së pari ishin quajtur të krishterë në Antiok” (Veprat 11:26) Si ishin quajtur dishepujt nga Zoti? Allahu na tregon neve: “E kur e kuptoi Isai vendosmërinë e tyre në mosbesim (dhe qëllimin që ta mbysin) tha: “Kush janë ndihmëtarët e mi për në rrugë të Allahut?” Havarijjunët thane:”Ne jemi ndihmëtarë të fesë së Allahut, ne i besuam Allahut , e ti dëshmo për ne se jemi muslimanë (të bindur, të dorëzuar)!”(Kuran 3:52). Prandaj Jezusi vet ishte gjithashtu një musliman.
Le të fillojmë nga mënyra e të folurit të Jezusit. Pas “ringjalljes” së tij të supozuar nga vdekja, ai përshëndet apostujt e tij të mërzitur nga Dhoma e Sipërme me fjalët “Paqja qoftë me ju” (Luka 24:36) ose në Hebraishte “Shalom malaihem” ose ndoshta në Aramaike “Shlama alaikum”. Kjo është saktësisht e njëjtë me atë se si MUSLIMANËT e përshëndesin njëri tjetrin. Në Arabishte, poashtu edhe kjo pra një gjuhë Semite, ne themi “As-salamu alaikum” – Paqja qoftë me ju. S’ka njeri në Tokë, madje as çifutët, që kanë vazhduar të përdorin këtë përshëndetje përveçse muslimanëve.
Gjatë predikimit në mal siç është raportuar nga Mateu 5, Jezusi ju mëson pasuesve të tij Urimin e Zotit dhe pastaj reciton nëntë deklaratat të njohura si Lumturia e Plotë. Në versetin e 9 ai thotë : “Të bekuar janë pajtuesit: ata do të quhen fëmijët e Zotit”. Fjala greke për pajtuesit, eirenepoios – është e nxjerrë nga fjala paqe ose eireny. Versioni Aramaik Pshiita i Dhiatës së Re bazuar në manuskriptet origjinale në greqishte e jep këtë versetë në gjuhën origjinale të Jezusit si: Goovay hoon la’ovdai shlomo, davanaa-hi d’Aloho nethqroom. Vini re fjalët Aloh dhe la’ovdai shlomo për “Zot” dhe respektivisht “pajtuesit”. Ata të cilët bëjnë shlomo janë po ata që bëjnë salam, Muslimanët!
Fjalët Eirenepoios, La’ovdai shlomo dhe Muslimoon të gjitha kanë kuptim identik, ai është, të nënshtruarit paqësor ndaj Vullnetit të Shenjtë të Aloh-ut (Zotit). Shoqëria Biblike Aramaike përktheu Luken 6:40 në Hebraishte si: Ein talmeed na’leh al rabbo, shekken kal adam, she’mushlam yihyeh ka rabbo, që në shqip do të thotë: “Dishepulli nuk ia kalon mësuesit të vet, madje çdo dishepull që ka mësuar (Mushlam, Musliman) do të jetë si mësuesi i vet.”
Mateu na tregon neve se Jezusi e luti Zotin e tij që ta shpëtojë atë nga poshtërimi i kryqëzimit duke u lutur në mënyrë shumë specifike: “Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti”. (Mateu 26:39). Jezusi i shtrirë në fytyrën e tij siç bëjnë Muslimanët në faljet e tyre ditore, i lutet Zotit për ndihmën e tij hyjnore nëse Ai dëshiron – “insha’allah”. Mateu gjithashtu na tregon neve se kur dishepujt e dëgjuan zërin e Zotit në mal gjatë shpërfytyrimit, ata “ranë me fytyrë për tokë dhe i zuri një frikë e madhe” (Mateu 17:6). Gjithashtu lexoni se si profetët Hebrenjtë faleshin në këtë mënyrë saktësisht tek Joshua 5:14, 1 e Mbretërve 18:42, Numrat 20:6, Zanafilla 17:3. Kush tjetër përveç se muslimanëve vazhdon të falet në këtë mënyrë?
Tora na tregon neve se Moisiu dhe Aaroni kishin për të pastruar gjymtyrët e jashtme në mënyrë që të ishin në gjendje të faleshin “Dhe me këtë ujë, Moisiu, Aaroni dhe bijtë e tij lanë duart dhe këmbët; kur hynin në çadrën e mbledhjes dhe kur i afroheshin altarit, ata laheshin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.” (Eksodi 40: 31 –32). Gjoni gjithashtu na tregon neve për një pellg që gjendej jashtë rrethinave të Tempullit që çifutët gjatë kohës së Jezusit e përdornin për të bërë pastrimin e tyre. Jezusi i referohet këtij pellgu pasi e shëroi një person nga verbërimi: “Pastaj i tha: “Shko, lahu në pellgun e Siloamit“ (që do të thotë: dërguar); dhe ai shkoi atje, u la dhe u kthye duke parë. “ (Gjoni 9:7). Kush tjetër përveç se muslimanëve vazhdojnë të kryejnë pastrimin në këtë mënyrë?
Ndoshta ne duhet të presim deri në Ardhjen e Dytë të Jezusit që ta pyesim atë vet. Megjithatë një gjë është e qartë, që të dy palët, Muslimanët dhe të Krishterët janë duke e pritur me padurim ardhjen e birit të Marisë dhe mund të thonë njëzëri siç kishte thënë njëherë njëri nga dishepujt e zgjedhur të Jezusit: “Maranatha” – “Eja o Zotëri, eja”!
“Kjo është (fjalë) e vërtetë, rreth Isait, birit të Merjemes në të cilin ata shkaktojnë dyshime.” (Kuran 19:34).