Në shkrimet e kohës së fillimit të krishtërimit Ungjijtë përmenden shumë më vonë se veprat e Palit. Vetëm në gjysmën e shekullit II, më saktë pas 140 vjetësh, paraqiten dëshmi lidhur me përmbledhjen e shkrimeve të ungjilltarëve, kurse “nga fillimi i shekullit të dytë shumë autorë të krishterë na tregojnë se e njohin numrin më të madh të letrave të Palit”. Këto konstatime, të paraqitura në Hyrjen në përkthimin ekumenik të Biblës, Besëlidhja e Re (l’Introduction a la Traduction oecumenique de la Bible, Nouveau Testament), botuar më 1972, meritojnë të përmenden menjëherë, siç është e dobishme të nënvizohet se vepra në të cilën bazohemi është rezultat i punës kolektive, që ka mbledhur më shumë se njëqind specialist katolikë dhe protestantë.
Ungjijtë, të cilët më vonë do të bëhen zyrtarë, d.m.th.kanonikë, u bën të njohur shumë vonë, edhe pse redaktimi i tyre ka qenë bërë që në fillim të shekullit II. Sipas përkthimit ekumenik, nga mesi i shekullit II fillojnë të citohen përmbajtjet që u takojnë, por “gati gjithnjë është vështirë të konkludohet nëse citatet janë marrë nga tekstet e shkruara, që autorët i kanë pasur pranë vetes, apo janë kënaqur që me të kujtuar të evokojnë fragmente nga tradita popullore”.
“Para 140 vjetësh, lexojmë në komentimet e këtij përkthimi të Biblës, gjithsesi nuk ka egzistuar asnjë dëshmi sipas të cilës do të ishte njohur përmbledhja e shkrimeve të ungjilltarëve”. Ky pohim është krejtësisht i kundërt me atë që shkruan A.Tricoti (1960) në komentimet e përkthimit të tij të Besëlidhjes së Re: “Shumë herët, në fillim të shekullit II, shkruan ai, iu bë e zakonshme që të thuhet Ungjijtë në mënyrë që të tregohen librat të cilët, rreth vitit 150, edhe shën Justini i quajti “Memoaret e apostujve”. Për fat të keq konstatime të këtilla janë mjaft të shpeshta saqë publiku i gjerë të krijojë një pikpamje të shtrembër lidhur me datën e përmbledhjes së Ungjijve.
Ungjijtë e përbëjnë një tërësi më shumë se një shekull pas misionit të Jezusit, por jo më herët. Përkthimi ekumenik i Biblës vlerëson se të katër Ungjijtë e kanë fituar statutin e literaturës kanonike rreth vitit 170.
Siç do të shihet, pohimi i Justinit, me të cilin autorët e tyre kalifikohen si apostuj, gjithashtu nuk është më i lejueshëm në kohën tonë.
Sa i përket datës së redaktimit të Ungjijve, A. Tricoti deklaron se Ungjilli i Mateut, i Markut dhe i Lukës kanë qenë të redigjuar para vitit 70: kjo nuk mund të pranohet, pëveç, ndoshta, për Ungjillin e Markut. Pas aq vitesh ky komentues përpiqet t’i paraqesë autorët e Ungjijve si apostuj ose shoqërues të Jezusit dhe për këtë arsye i lëviz datat e redaktimit, duke i vënë shumë afër epokës në të cilën ka jetuar Jezusi. Sa i përket Gjonit, të cilin A. Tricoti e bën të jetojë edhe 100 vjet, të krishterët gjithnjë kanë qenë të mësuar që ta shohin se si në rastet festive është paraqitur shumë afër Jezusit, por është vështirë të thuhet se ai është autor i Ungjillit që mban emrin e tij. Apostulli Gjon (si edhe Mateu), për A. Trikotin dhe komentuesit e tjerë është dëshmitari i autorizuar dhe i kualifikuar i ngjarjeve për të cilat predikon, edhe pse shumica e kritikëve nuk e mbështesin hipotezën sipas të cilës ai do të bënte redigjimin e Ungjillit të katërt.
Por nëse katër Ungjijtë për të cilët është fjala nuk mund të konsiderohen “memoare” të apostujve ose të shoqëruesve të Jezusit, atëherë, cila është prejardhja e tyre?
O. Culman, në librin e tij “Le Nouveau Testament” (Besëlidhja e Re)27, për këtë temë shkruan se ungjilltarët kanë qenë vetëm “zëdhënës të bashkësisë primitive të krishterë, e cila i ka shkruar gojëdhënat popullore. Gjatë tridhjet apo dyzet vjetësh, Ungjijtë ekzistonin vetëm në formën gojore; tradita popullore përçonte sidomos fjalë dhe tradita të shkëputura. Ungjilltarët, secili në mënyrën e vet, secili sipas personalitetit të vet dhe preokupimeve të veta të veçanta teologjike, theksuan lidhjet ndërmjet tregimeve dhe fjalëve që i morën nga gojëdhënat përreth. Grupimi i fjalëve të Jezusit, si dhe lidhja e tregimeve me formula lidhëse mjaft të papërcakturara, siç janë “pas saj”, “menjëherë” etj., shkurt “suaza” e Ungjijve sinoptikë është lloji i pastër letrar dhe nuk ka themel historik”28.
Po ky autor vijon: “Duhet të mbahet mend se nevojat e predikimit, të stërvitjes dhe të kultit, më shumë se interesi biografik, e çuan bashkësinë primitive në shënimin e kësaj gojëdhëne mbi jetën e Jezusit. Apostujt i ilustruan të vërtetat e fesë që predikonin duke i shjeguar ngjarjet nga jeta e Jezusit dhe mu këto predikime të tyre u bënë shkas për shënimin e tregimeve. Vetë fjalët e Jezusit janë transmetuar sidomos në mësimin katekizmit29 të Kishës primitive”.
Komentuesit e përkthimit ekumenik të Biblës nuk e evokojnë ndryshe kompozimin e Ungjijve: formimi i një tradite gojore nën ndikimin e predikimit të nxënësve të Jezusit dhe të predikuesve të tjerë, ruajtja e materialit, i cili, përfundimisht, do të gjendet në Ungjijtë përmes predikimit, liturgjisë, stërvitjes së besimtarëve, mundësisë për materializmin e hershëm në formë të shkruar të disa predikimeve fetare, të disa fjalëve të Jezusit, për shembull, tregimi mbi mundimin, dhënia e ungjilltarëve pas këtyre formave të ndryshme të shkrimeve aq sa edhe pas të dhënave të traditës gojore, për të krijuar tekste “të përshtatshëm për mjedise të ndryshme, në përputhje me nevojat e Kishave, që shprehin mendime mbi Shkrimin (e Shenjtë), i përmirësojnë gabimet dhe japin përgjigjet e rastit në argumentet e kundërshtarit. Kështu ungjilltarët mblodhën dhe shkruan, sipas prespektivës personle, atë që u ishte dhënë në traditën gojore”.
Një pikëpamje e tillë kolektive, që rrjedh nga mbi njëqind shpjegues të Besëlidhjes së Re, katolikë dhe protestantë, dallohet shumë nga linja që e ka përcaktuar Koncili i Dytë i Vatikanit në konstituimin e tij dogmatik mbi Shpalljen, i cili është elaboruar ndërmjet viteve 1962 dhe 1965. Më sipër kemi hasur në këtë dokument koncilor që ka të bëjë me Besëlidhjen e Vjetër. Koncili për të ka mundur të deklarojë që librat të cilat e përbëjnë “përmbajnë mospërsosje dhe vjetërsim”, por ai nuk ka shprehur dyshime të tilla kur është fjala për Ungjijtë. Por, përkundrazi, mund të lexohet kjo që vijon:
“Askujt nuk i ka shpëtuar pa e vërejtur se ndër të gjitha Shkrimet (e Shenjta), edhe ato të Besëlidhjes së Re, Ungjijtë kanë superioritet të merituar, sepse paraqesin dëshminë par excellence mbi jetesën dhe mësimet e personifikimit të Fjalës së Shpëtimtarit tonë. Kisha e ka mbështetur dhe e mbështet gjithmonë dhe gjithkund prejardhjen apostolike të katër Ungjijve. Atë që apostujt vërtet e predikuan sipas urdhrit të Krishtit, më vonë ata dhe njerëz të tjerë nga mesi i tyre, nën frymëzimin hyjnor të Shpirtit, e shndëruan në tregime që janë baza e fesë, dmth Ungjijtë katërformësh, sipas Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit”.
“Nëna jonë e Shenjtë Kisha ka mbështetur fort dhe mbështet akoma me këmbëngulje më të madhe se këta katër Ungjij, historinë e të cilëve e vërteton pa mëdyshje, e transmetojnë besnikërisht atë që Jezusi, biri i Zotit, në gjallje të tij ka bërë vërtet mes njerëzve dhe ka mësur për shpëtimin e tyre të amshueshëm, deri në ditën kur është ngritur në qiell… Domethënë, autorët e shenjtë i komponojnë katër Ungjijtë ashtu që për Jezusin gjithmonë na japin gjëra të vërteta dhe të sinqerta”.
Ky është pahim pa kurrëfarë dykuptimësie se Ungjijtë i transmetojën besnikërisht veprat dhe fjalët e Jezusit.
Nuk shohim kurrëfarë pajtimi ndërmjet këtij pohimi të Koncilit dhe të atyre autorëve të cituar më sipër, sidomos:
“nuk duhet më të kuptohen shprehimisht” Ungjijtë, “që janë ruajtur me shkrim traditat e bashkësive të veta mbi Jezusin”. (R.P. Kannengiesser).
Ungjijtë janë tekste “që u janë përshtatur mjedisve të ndryshme, në përputhje me nevojat e Kishës, të cilët shprehin meditimin mbi Shkrimin (e Shenjtë), i përmirësojnë gabimet, si dhe gabimet e rastësishme, përgjigjen në argumente të kundërshtarëve”. Kështu ungjillatërt i mblodhën dhe i shkruan sipas prespektivës personale, atë që u dhënë me traditat gojore. (Përkthimi ekumenik i Biblës).
Është e qartë se me këtë deklaratë të Koncilit dhe me pikëpamjet e reja ndodhemi në mesin e dy pohimeve që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Nuk është e mundur të pajtohet deklarata e Koncilit të Dytë të Vatikanit, sipas së cilës në Ungjijtë do të gjendej transmisioni besnik i veprave dhe fjalëve të Jezusit me ekzistimin e kundërthënieve, të gjërave të pabesueshme, të pamundësive materiale dhe të pohimeve të kundërta në këto tekste me realitetin të përcaktuara drejt.
Përkundrazi, nëse Ungjijtë shikohen si shprehje të prespektivave karakteristike për mbledhësit e traditave gojore, që u kanë takuar bashkësive të ndryshme, si të shkruar sipas rasteve ose luftarakisht, atëherë nuk mund të na habit fakti që në Ungjijtë i gjejmë tërë këto mangësi që janë shenjë se i kanë bërë njerëzit në kushte të atilla. Këta mund të jenë krejtësisht të sinqertë edhe pse transmetojnë ngjarje, pasaktësinë e të cilave as nuk e parashikojnë, duke na dhënë tregime mospajtuse me ato të autorëve të tjerë ose, për shkaqe të rivalitetit fetar ndërmjet bashkësive, paraqesin tregime nga jeta e Jezusit në një optikë krejtësisht të ndryshme nga ajo e kundërshtarit.
Që më parë kemi vëretjur se konteksti historik është në përputhje me mënyrën e fundit të të kuptuarit të Ungjijve. Të dhënat me të cilat disponojmë lidhur me tekstet e vërtetojnë krejtësisht.
UNGJILLI SIPAS MATEUT
Nga të katër Ungjijtë, i Mateut zë vendin e parë në rendin e prezantimit të librit të Besëlidhjes së Re. Kjo është plotësisht e arsyeshme, sepse ky Ungjill, në një farë mënyre, është vetëm vazhdim i Besëlidhjes së Vjetër: është shkruar që të tregohet se “Jezusi e realizon historinë e Izraelit”, siç shkruajnë komentuesit e Përkthimit ekumenik të Biblës, përkthim nga i cili do të huazojmë shumë. Për këtë Mateu merr shpesh citate nga Besëlidhja e Vjetër, duke treguar se Jezusi sillet si Mesia, të cilin e kanë pritur hebrenjtë.
Ky Ungjill fillon me gjenealogjinë e Jezusit. Mateu e shpie deri tek Abrahami, ndërmjet Davidit. Më vonë do të shohim gabimin në tekst, gabim për të cilin komentuesit heshtin. Sido që të jetë, shihet qartë qëllimi i Mateut që nëpërmjet kësaj lidhjeje menjëherë t’ia caktojë orientimin librit të vet. Autori e vazhdon po atë ide duke theksuar vazhdimisht qëndrimin e Jezusit ndaj ligjit hebraik, parimet e mëdha të të cilit, siç janë: lutja, agjërimi dhe mëshira, janë marrë nga ky ligj.
Jezusi dëshiron t’ia japë mësimin e vet popullit të vet dhe këtë e ka si detyrë të parë. Ai kështu iu thotë të dymbëdhjetë apostujve: “Mos shkoni ndër paganë, as mos hyni në ndonjë qytet të samaritanëve30! Por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit” (Mateu 10, 5-6). “Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit” (Mateu 15, 24). Në fund të Ungjillit të vet, Mateu më vonë e zgjeron në të gjithë popujt apostolatin e nxënësve të parë të Jezusit dhe ia përshkruan këtë urdhër : “Prandaj, shkoni t’i bëni nxënësit e mij të gjithë popujt” (Mateu 28, 19), por shkuarja, para së gjithash, duhet të bëhet nga “shtëpia e Izraelit”. A. Tricoti për këtë Ungjill thotë: “Nën petkun grek, libri me kokë e me shpirt është hebraik; ai ka atë shije dhe mbart ato shenja të qarta”.
Ky shqyrtim, vetvetiu e vendos prejardhjen e Ungjillit sipas Mateut në traditën judeo-krishtere, e cila, siç shkruan O. Culmann, “përpiqet t’i ndërpresë lidhjet që e lidhin me për judaizmin, duke e ruajtur sadopak vazhdimësinë me Besëlidhjen e Vjetër. Qendra e interesimit dhe zëri i përgjithshëm i këtij Ungjilli sugjerojnë ekzistimin e një situate të nderë”.
Faktorët e llojit politik ndoshta nuk janë të huaj për tekstin. Pushtimi romak i Palelstinës e bën jetësisht të natyrshme dëshirën e vendit të robëruar për ta parë ardhjen e lirisë dhe lut Zotin që të ndërmjetësojë në dobi të popullit, të cilin e ka zgjedhur midis popujve të tjerë, dhe që është Zoti i gjithfuqishëm i tyre, i cili mund të japë ndihmën e tij të drejtpërdrejtë në punën e njerëzve, siç ka bërë shumë herë deri më tani gjatë historisë.
Çfarë është personaliteti i Mateut? Ta themi menjëherë se sot nuk pranohet se është fjala për shoqëruesin e Jezusit. A. Tricoti e paraqet si të tillë në komentimin e vet të përkthimit të Besëlidhjes së Re të vitit 1960: “Mateu , ose Levi, me profesion tagrambledhës ose financier, ka qenë nëpunës në doganën e Kafarnaumit kur Jezusi e thirri për ta bërë nxënës të vet”. Kjo është ashtu siç kanë menduar etërit kishtarë, si Origeni, Jeronimi, Epifani. Në këtë nuk besohet më. E vetmja pikë e pakontestueshme është se autori është hebre: fjalori është palestinez, redaktimi është grek. Autori iu drejtohet, shkruan O. Culmann, “njerëzve të cilët edhe pse flasin greqisht, i njohin zakonet hebraike dhe gjuhën arameje”.
Për komentuesit e Përkthimit ekumenik, prejardhja e këtij Ungjilli duket si më poshtë:
“zakonisht merret se është shkruar në Siri, ndoshta në Antioki (…) ose në Fenici, sepse në këto ka jetuar një numër i madh çifutësh (…). mund të hetohet polemika kundër judaizmit ortodoks sinagoianë në Jaminë, rreth vitit 80. Në këto kushte, janë të shumtë autorët që e datojnë Ungjillin e parë në vitet 80-90, ndoshta pak më përpara; nuk mund të arrihet deri te një siguri e plotë në këtë lëndë… në mungesë të njohjes së saktë të emrit të autorit, është e udhës të kënaqemi me disa elemente të nënvizuara në vetë Ungjillin: autori njihet sipas profesionit të tij. I udhëzuar në Shkrimet (e Shenjta) dhe në traditat hebraike, duke i njohur, duke i respektuar, por duke i qortuar ashpër udhëheqësit fetarë të popullit të vet, mjeshtër i shkathët në mësimin mbi Jezusin, për ta më të kuptueshëm për dëgjuesit e vet, atij t’i shkonte mirë përshkrimi i një letrari hebraik, i cili është bërë i krishterë, zot shtëpie “që nxjerr nga visari i vet gjëra të reja dhe të vjëtra”, siç e evokon Mateu në 13, 52. Jemi shumë larg nga nënpunësi i doganës në Kafarnaum , të quajtur Levi, sipas Markut dhe Lukës, i cili është bërë njëri nga të dymbëdhjetë apostujt”.
Të gjithë pajtohen me mendimin se Mateu e ka shkruar Ungjillin e vet mbi bazë të burimeve të përbashkëta me Markun dhe Lukën. Por tregimi i tyre do të ndryshojë, dhe ky ndryshim konsiston në pika qenësore, siç do ta shohim më poshtë. Por, përsëri, Mateu e ka shfrytëzuar shumë Ungjillin sipas Markut, i cili nuk ka qenë nxënës i Jezusit (O. Culmann).
Marku i lejon vetes liri serioze me tekstet. Do ta vërtetojmë këtë lidhur me Besëlidhjen e Vjetër, lidhur me gjenealogjinë e Jezusit, që është vendosur në fillim të Ungjillit. Ai në librin e tij rendit tregime të pabesueshme. Ky është cilësori të cilin e përdor në veprën e cituar më sipër të R.P. Kannengiesser lidhur me një episod mbi ringjalljen e Krishtit; episodi i rojes. Ai zbulon se ky tregim është i pabesueshëm kur është fjala për rojën ushtarake afër varrit, “të këtyre ushtarëve paganë”, të cilët “u raportojnë meshtarëve të mëdhenj që i paguajnë për të gënjyer, e jo eprorëve të tyre”. Ai prap shton: “Dhe duhet të ruhemi nga tallja, sepse qëllimi i Mateut është jashtëzakonisht i pastër, meqë ai, sipas mënyrës së vet, e integron një të dhënë të vjetër nga tradita gojore në veprën e tij të shkruar. Po rinskenimi i tij është i denjë për Jezu Krishtin Superstar31”.
Ta rikujtojmë se ky gjykim mbi Mateun rrjedh nga një teolog eminent, profesor në Institutin Katolik të Parisit.
Në predikimet e tij mbi ngjarjet që e kanë ndjekur vdekjen e Jezusit, Mateu, jep një shembull tjetër të fantazisë së vet.
“Ja! Perdja e tempullit shqyhet më dysh, nga maja gjer në fund; toka dridhet, shpellat shkatërrohen, kurse varret hapen, dhe kështu u ringjallën shumë trupa të të drejtëve që kishin pasë vdekur. Dolën nga varri pas ringjalljes së Jezusit, erdhën në Qytetin e Shenjtë dhe iu dëftuan shumë njerëzve”.
Ky fragment nga Mateu ( 27, 51-53) nuk ka paralele në Ungjijtë e tjerë. Është pak e kuptueshme se si kanë mundur trupat e të shenjtëve, për të cilët është fjala, të ringjallen gjatë kohës së vdekjes së Jezusit (në prag të sabati, thonë Ungjijtë) dhe të dalin nga varret e veta pas ringjalljes së tij ( një ditë pas sabatit, sipas po atyre burimeve).
Mund të bëhet që mu te Mateu ndeshet gjëja e pabesueshme më karakteristike dhe më pak kontestuese se në tërë Ungjijtë; atë njëri prej autorëve ja ka vënë në gojë vetë Jezusit. Ai, në episodin mbi shenjën e Jonës, 12, 38-40, flet kështu;
Jezusi ndodhet në mesin e letrarëve dhe të farisejve, të cilët i drejtohen me këto fjalë: “Mësues, do të dëshironim prej teje të shohim shenjën!” Jezusi përgjigjet: “Shenjën kërkon breznia e prapët dhe lavire, por nuk do t’i jepet shenjë tjetër përveç shenjës së Jonës profet. Pasi Jona ka qenë në barkun e përbindëshit të detit tri ditë dhe tri netë, ashtu edhe Biri i Njeriut do të jetë në zemën e tokës tri ditë e tri netë” (teksti i Përkthimit ekumenik).
Jezusi, domethënë, paralajmëron se do të qëndrojë në tokë tri ditë dhe tri net. Por, Mateu, e bashkë me të edhe Luka dhe Marku, e vendosin vdekjen dhe varrosjen e Jezusit në prag të sabatit, gjë që vërtet bën që qëndrimi në tokë të zgjatë tri ditë ( teis emersas, në tekstin grek). Por kjo shkëputje në kohë mund të zgjasë vetëm dy e jo tri net ( treis nuktas, në tekstin grek).
Komentuesit e Ungjillit e heshtin shpesh këtë episod. Por, R.P. Roge zbulon të pabesueshmen, sepse heton se Jezusi “ka qenë në varr” vetëm tri ditë ( prej të cilave vetëm njëra është e plotë ) dhe dy net. Por, shton ai, “shprehja është e ngurtë dhe nuk do të thotë asgjë tjetër pëveç tri ditë”. Është e habitshme të vërtetohet se komentimet kanë bërë që të përdoren argumente të tilla që nuk flasin asgjë pozitive, sikur shpirti të kënaqej me sugjestionin se një budallallëk i tillë ka mundur të rrjedhë nga trillimi i një letrari!
Pëveç këtyre gjërave të pabesueshme, Ungjillin sipas Mateut pikë së pari e karakterizon ajo se ky Ungjill i bashkësisë judeo-krishtere, e cila e shkëput lidhjen me judaizmin duke qëndruar megjithatë në linjën e Besëlidhjes së Vjetër. Nga pikëpamja e historisë judeo-kridhtere ajo ka rëndësi të madhe.
UNGJILLI SIPAS MARKUT
Ky Ungjill është më i shkurtër se tre të tjerët. Njëkohësisht është më i vjetri, por nuk është për këtë arsye libër i një apostulli: ky është më së paku një libër i reduktuar nga nxënësi i një apostulli.
O. Culmann ka shkruar se Markun nuk e konsideron nxënës të Jezusit. Por, kujt i duket i dyshimtë autorësia e këtij Ungjilli, e një apostulli, Markut, ai tërheq vërejtjen; “Mateu dhe Luka nuk do ta shfrytëzonin këtë Ungjill, si kanë vepruar, sikur ai mos të ishte mbështetur vërtet në mësimet e një apostulli”.
Por, ky nuk është argument vendimtarë. O. Culmann, si vërtetim të dyshimtë të tij, njësoj thotë se në Besëlidhjen e Re shpesh përmendet njëfarë “Gjoni, i quajtur Mark”, por këta shembuj nuk përmbajnë kujtime për autorin e Ungjillit, kurse vetë teksti i Markut nuk e përmend autorin.
Njohuritë e pakta të informacioneve lidhur me këtë çështje i ka detyruar komentuesit që si element me rëndësi të marrin hollësirat të cilat duken të pabesueshme, si është kjo: nën preteksin se Marku është i vetmi ungjilltar i cili në tregimin e vet mbi Mundimin e tregon episodin për një djalosh, që për rrobë ka pasur vetëm çarçaf dhe i cili, kur provuan ta kapnin, e lë çarçfin dhe ikën (Marku 14, 51-52), disa kanë nxjerrë përfundime se ky djalosh ka mundur të jetë Marku, “nxënësi besnik që përpiqej t’i shkonte pas mësuesit” (Përkthimi ekumenik); sipas të tjerëve, “në këtë kujtim personal mund të shihen shenja të origjinalitetit, një nënshkrim anonim”, “i cili vërteton se ai ka qenë dëshmitarë” (O. Culmann ).
Sipas këtij autori, “ndryshimet e shumta të fjalive e vërtetojne hipotezën sipas së cilës autori do të ishte me preardhje hebraike”, po prania e latinizmave mund të sugjerojë se ai e ka shkruar Ungjillin e vet në Romë. “ai, në fund të fundit, ju drejtohet të krishterëve që nuk jetojnë në Palestinë dhe kujdeset që t’ju shpjegojë shprehjet arameike që i përdor”.
Me të vërtetë, tradita dëshironte ta nxirrte Markun si shoqërues të Pjetrit në Romë, duke e mbështetur këtë në letrën e parë të Pjetrit (nëse ai është vërtetë autori i saj). Pjetri u ka shkruar atyre që u dedikohet letra: “Bashkësia e të zgjedhurve në Babiloni ju përshëndet si dhe djali im, Marku”. Përkthimit ekumenik, prej nga konsiderohet se lejohet të nxirret përfundimi se Marku, i cili ka qenë me Pjetrin në Romë, është ungjilltarë… a thua një rezonim i këtillë e ka shtyrë Papinë, ipeshkvin e Hieropolisit, që rreth vitit 150 t’ia përshkruajë ungjillit, për të cilin është fjala, një Marku për të cilin thonë se ka qenë jo vetëm “përkthyes i Pjetrit” , por edhe bashkëpunëtor i Palit?
Nga kjo perspektiv, ungjilli sipas Markut datohet pas vdekjes së Pjetrit, domethënë ndërmjet viteve 65dhe 70, sipas Përkthimit ekumenik, kurse rreth vitit 70, sipas O. Culmannit.
Vetë teksti shpreh mangësinë e parë të madhe: ai është redaktuar pa kurrfarë kujdesi për kronologjinë. Kështu Marku në fillim të tregimit të vet ( 1, 16-20) vendos episodin mbi katër peshkatarët, të cilët Jezusi i bën pasues duke thënë thjesht: “Do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”, edhe pse nuk i ka njohur fare. Ungjilltari, pëveç kësaj, tregon se i mungon tërësisht fuqia bindëse.
Siç e ka thënë R.P. Roge Marku është “shkrimtar i ngathët”, “ungjillari më i mjerë” , ai nuk di fare ta komponojë rrëfimin; kometuesi e ilustron vërejtjen e tij duke e cituar një fragment që shpjegon për institucioni e dymbëdhjetë apostujve, përkthimi i të cilit shprehimisht është si më poshtë: “Pastaj u ngjit në një mal dhe thirri ata që deshi vetë. Ata shkuan tek ai. Dhe i emëroi të dymbëdhjetë që ta shoqërojnë, që t’i dërgoi të predikojnë dhe të kenë pushtet t’i dëbojnë djajtë. I emëroi këta të Dymbëdhjetët: Simonin, të cilit ia dha emrin Pjetër” ( Marku 3, 13-16).
Në disa episode ai është në kundërshtim me Mateun dhe Lukën, siç e kemi thënë më sipër me rastin e shenjës së profetit Jon. Aq më tepër, lidhur me shenjat që Jezusi ju jep njerëzve gjatë misionit të tij, Marku predikon (8, 11-12) një episod të cilit nuk mund t’i besohet :
“Atëherë erdhën farisenjtë dhe filluan të diskutojnë me të, duke kërkuar nga ai ndonjë shenjë prej qellit, me qëllim që ta sprovojnë32. Ai duke fsharë prej fundit të shpirtit, tha: “përse ky brez kërkon shenjë? Me të vërtetë, po ju them, këtij brezi asesi nuk do t’i jepet shenjë”. Atëherë i la, përsëri hyri në Anije dhe kaloi në bregun tjetër”.
Ky është pa dyshim pohimi që vjen nga Jezusi lidhur me qëllimin e tij që të mos bëjë kurrëfarë vepre e cila do të mund të dukej e mbinatyshme. Kështu komentuesit e Përkthimit Ekumenik të Biblës, duke u çuditur që Luka deklaron se do të japë vetëm një shenjë – të Jonës profet (shih Ungjillin sipas Mateut), konsiderojnë se është “paradoksale” ajo që Marku u thotë : “asesi nuk do t’i jepet shenjë këtij brezi”, pas “çudirave që i paraqitet si shenjë vetë Jezusi”, vërejnë ata. (Luka, 7, 22 dhe 11, 20).
I tërë Ungjilli sipas Markut është pranuar zyrtarisht si kanonik, por autorët modernë thonë se fundi i Ungjillit të tij (16, 9-20) është shtuar më vonë. Përkthimi Ekumenik e sinjalizon këtë në mënyrën mjaft eksplicite.
Ky fund nuk është përfshirë në dy dorëshkrimet komplete më të vjetra të Ungjijve, Codexu Vaticanusu dhe Codexu Sinaiticusu, që datojnë nga shekulli IV. O. Culmann me këtë rast shkruan:
“Dorëshkrimet e reja greke dhe disa versione e kanë shtuar në këtë vend një përfundim mbi tregimet që nuk janë të Markut, por që janë nxjerrë nga Ungjijtë e tjerë”. Me të vërtetë, versionet e këtij të fundit të shtuar janë të shumta. Në tekste ekziston herë një version i gjatë, herë një i shkurtër (që të dy versionet janë të reproduktuar në Përkthimin Ekumenik), herë versioni i gjatë me një shtesë, herë të dy versionet.
R.P. Kannengiesser e komenton kështu këtë të fundit: “Duhet patjetër që të jenë nxjerrë jashtë vargjet e fundit gjatë kohës së pritjes zyrtare (ose botimet e dedikuara për publikun e gjerë) të veprës së tij në bashkësinë që ka garantuar për të. As Mateu, as Luka, as a fortiori Gjoni nuk e kanë njohur pjesën që ka munguar. Por, përsëri, zbrazëtia ka qenë e palejueshme. Shumë më vonë, kur shkrimet e ngjashme sipas Mateut, Lukës dhe Gjonit u bënë të mundshme të lexohen nga të gjithë, është hartuar një përfundim i denjë i Ungjillit të Markut, duke marrë elemente majtas e djathtas prej ungjilltarëve të tjerë. Do të mund t’i gjenim lehtë pjesët e kësaj përmbledhjeje duke e ndarë pjesë pjesë Ungjillin e Markut (16, 9-20). Do të kishim një pasqyrë me konkrete të lirisë me të cilën është trajtuar lloji letrar i të rëfyerit ungjilltar deri në prag të shekullit II”.
Çfarë pranimi të hapët të ekzistimit të shpërdorimeve të njeriut në tekstet e Shkrimeve (të Shenjta) na ofrojnë këto pasqyrime të një teologu të madh!
UNGJILLI SIPAS LUKËS
“Kronisti”, sipas O. Culmann, “romancieri i vërtetë”, sipas R.P. Kannengiesseri, Luka në prologun e tij drejtuar Theofilit na njofton se ai pas shumë të tjerëve që kanë hartuar tregime mbi Jezusin, do të shkruajë një tregim mbi të njëjtat ngjarje duke i shfrytëzuar tregimet dhe informacionet e dëshmitarëve të ngjarjes – gjë që tregon se ai nuk është njëri ndër ta – si dhe ato që rrjedhin nga predikimet e apostujve. Kjo, domethënë, është punë metodike e tij që e tregon me këto shprehje:
“Meqë shumë janë përpjekur t’i sistemojnë rrëfimet mbi ngjarjet që kanë ndodhur ndër ne, ashtu siç na kanë treguar ata që ishin dëshmitarë të ngjarjeve që nga fillimi dhe shërbëtorë të Fjalës, edhe mua më bëri mirë, dhe, pasi i shqyrtova më vëmendje që nga fillimi, t’i shkrova ty me rradhë, shkëlqesi Theofil, që të bindesh plotësisht mbi sigurinë e mësimit që e ke marrë”.
Që nga rreshtat e parë kuptohet e tërë ajo që e ndan Lukën nga “shkrimtari shumë i vogël”, siç është Marku, veprën e të cilit sapo e përmendëm. Ungjilli i tij është vepër letrare e pakontestueshme, e shkuar me një greqishte klasike pa barbarizma.
Luka është shkrimtari pagan i kthyer në krishtërim. Qëndrimi i tij ndaj hebrejve bie në sy menjëherë. Siç e thekson këtë O. Culmanni, Luka nuk i merr nga Marku vargjet në të cilat ka më shumë judaizëm dhe thekson fjalët e Jezusit kundër mosbesimit të hebrejve dhe marrëdhëniet e tij të mira me samaritanët, që janë urrejtur nga hebrejtë, kurse sipas Mateut, e pamë më sipër, Jezusi ka kërkuar nga apostujt që të ikin prej tyre. Një shembull tronditës, ndër shumë shembuj të tjerë, për faktin se ungjilltarët duke vënë në gojën e Jezusin atë që u është përgjigjur prespektivave të tyre, me bindje thellësisht të padyshimta, japin versionin e fjalëve të Jezusit në përshtatje me pikëpamjet e bashkësive të cilave u kanë takuar. Si të mohohet që Ungjijtë janë “shkruar luftarakisht” ose “sipas rasteve” të përmendura më sipër, kur ekzistojnë kaq shumë fakte të qarta? Krahasimi ndërmjet mënyrës së përgjithshme të shprehjes së Ungjijve sipas Lukës dhe të atij sipas Markut është një dëshmi për këtë.
Kush është Luka? Kanë dashur ta identifikojnë më mjekun që mban këtë emër, të cilin e citon Pali në disa letra të veta. Përkthimi Ekumenik thekson “shumë veta nga përshkrimi i saktë i të sëmurit vërtetuan se autori i Ungjillit është me profesion mjek”. Ky mendim është krejtësisht i tepruar. Luka nuk bën “përshkrime” të këtij lloji në kuptimin e mirëfilltë të fjalës; “fjalori që e përdor ai është i një njeriu të ngritur të kohës së tij”. Një farë Luka ka qenë udhëtar shoqërues i Palit. A thua mos është ky po ai person? O. Culmanni mendon se po.
Data e Ungjillit sipas Lukës mund të vlerësohet sipas faktorëve të ndryshëm: Luka është shërbyer me Ungjillin sipas Markut dhe me atë sipas Mateut. Duket, lexojmë në Përkthimin Ekumenik, se ka përjetuar rrethimin dhe shkatërrimin e Jeruzalemit nga armata e Titusit, në vitin70. Domethënë, Ungjilli është më i vonshëm se kjo datë. Kritikat e sotme e vendosin redaktimn e tij në vitet 80-90, por shumë të tjerë përmendin dhe data më të hershme.
Mënyrat e ndryshme të të rrëfyerit të Lukës tregojnë dallime të theksuara në krahasim me ato të paraardhësve të tij. Më sipër e kemi dhënë pasqyrën e tyre të shkurtër. Përkthimi Ekumenik në faqen 181 e në faqen pasuese i sinjalizon këto. O. Culmanni në faqen 18 të librit të tij “Nouveau Testament” (Besëlidhja e Re) citon tregimin nga Ungjilli sipas Lukës, që nuk janë gjetur tek të tjerët. Këtu nuk është fjala aspak për çështje të dorës së dytë.
Tregimet mbi fëmijërinë e Jezusit nga Ungjilli sipas Lukës janë të tijat. Mateu e predikon ndryshe nga Luka fëmijërinë e Jezusit. Marku për këtë nuk thotë asnjë fjalë.
Mateu dhe Luka japin gjenealogji të ndryshme të Jezusit: kundërthënia është aq shumë me rëndësi, gjëra të pabesueshme aq të mëdha nga pikëpamja shkencore, saqë, në këtë libër, kësaj do t’i kushtohet një kapitull të veçantë. Është e kuptueshme që Mateu, duke ju drejtuar hebrejve, e fillon gjenealogjinë prej Abrahamit dhe e vazhdon ndërmjet Davidit, kurse Luka, pagan i konvertuar, kujdeset që ta çojë edhe më lart. Por, do të shihet se duke filluar nga Davidi, dy gjenealogjitë e kundërshtojnë njëra-tjetrën.
Në shumë çështje, Luka, Mateu dhe Marku e tregojnë ndryshe profetësinë e Jezusit.
Një ngjarje me rëndësi kapitale për të krishterët, siç është themelimi i Eukaristisë, është temë me variantet e Lukës dhe të dy ungjillltarëve të tjerë. R.P.Roge në librin e tij “Initation a l’Evanglie” (Hyrje në Ungjijtë fq. 75) vëren se fjalët me të cilën është themeluar Eukaristia Luka (22, 19-24) i ka transmetuar krejtësisht ndryshe nga fjalët që i gjejmë tek Mateu (26, 26-29) dhe te Marku (14, 22-24), te të cilët janë gati të njëjta. “Përkundrazi, formula të cilën e transmeton Luka është shumë e afërt me atë që e përmend shën Pali” (letra e parë Koritianëve, 11, 23-25).
Siç e pamë, Luka i vë në qarkullim fjalët mbi shëlbimin e Jezusit, që janë në kundërshtim me atë që është thënë në Veprat e Apostujve, autori i të cilave është pranuar, dhe që janë pjesë përbërëse të Besëlidhjes së Re. Në Ungjillin e vet, ai e vendos shëlbimin në Ditën e Ringjalljes, kurse në Veprat, dyzet ditë më vonë. E dimë se çfarë komentime të çuditshme kanë bërë ekzegetët e krishterë lidhur me kundërthëniet.
Por komentuesit që kujdesen të jenë objektivë janë të detyruar të pranojnë, ashtu siç e bëjnë ata të Përkthimit Ekumenik se në planin e përgjithshëm për Lukën “nuk është brenga e parë përshkrimi i ngjarjeve në vërtetësinë e tyre materiale…”.
Duke i krahasuar tregimet mbi Jezusin e ringjallur nga Veprat e Apostujve, nga po ky Lukë, me tregimet analoge të ngjarjeve sipas Palit, R.P. Kannengiesseri jep për Lukën jK}ë mendim; “Nga të katër ungjilltarët Luka është më i ndjeshmi dhe më letrari, ai i ka të gjitha cilësitë e një romancieri të vërtetë”.
UNGJILLI SIPAS GJONIT
Ungjilli sipas Gjonit ndryshon në mënyrë radikale nga tre të tjerët aq sa R.P. Roge, në librin e tij “Intitation a L’Evangile”, pas komentimit të tre të tjerëve, jep menjëherë një figurë ekspresive të Ungjillit të katërt: “një botë tjetër”. Ky është me të vërtetë një libër i veçantë: është i ndryshëm në renditjen dhe zgjedhjen e temave, të tregimeve, në stil, në të dhënat gjeografike dhe kronologjike, por edhe në prespektivat teologjike (O.Culmann). Gjoni dhe ungjilltarët e tjerë i transmetojnë fjalët e Jezusit në mënyrë shumë të ndryshme; R.P.Roge lidhur me këtë tërheq vërejtjen se derisa ungjijtë sinoptikë i transmetojnë fjalët e Jezusit në stil “goditës, shumë më të afërt me stilin gojor”, te Gjoni stili është meditues deri në atë masë sa që “ndonjëherë mund të pyesim a thua akoma po flet Jezusi apo fjalët e tij pahetueshëm janë zgjatur nga meditimet e ungjilltarit”.
Kush është autori? Çështja është diskutuar shumë dhe lidhur me këtë janë vënë në qarkullim mendime nga më të ndryshmet.
A.Tricoti dhe R.P.Roge janë ndër ata që nuk i prek as dyshimi më i vogël: Ungjilli sipas Gjonit është vepër e dëshmitarit të ngjarjes; autori është Goni, biri i Zebetit dhe vëlla i Jakovit, apostull, për të cilin dimë hollësira që janë dhënë në doracakët, të cilët i janë kushtuar publikut të gjerë. Ikonografia popullarizuese e vendos afër Jezusit, si në kohën e darkës së fundit, që i ka paraprirë Mundimit. Kush do të mund të mendonte se Ungjilli sipas Gjonit nuk është vepër e këtij Gjoni, apostull, figura e të cilit është aq shumë e përhapur?
Redaktimi shumë i vonshëm i këtij Ungjilli të katërt nuk është argument formal kundër një pikëpamje të tillë. Versioni definitiv duhet të jetë i redaktuar patjetër nga fundi i shekullit I. Vendosja e redaktimit gjashtëdhjet vjet pas Jezusit do të ishte në përputhje me ekzistimin e një apostulli shumë të ri në kohën e Jezusit, i cili do të jetonte afër një shekull. Në studimin e vet mbi Ringjalljen, R.P. Kannengiesseri arrin në përfundimin se asnjë autor i Besëlidhjes së Re, përveç Palit, nuk mund të thotë për vete se është dëshmitar i ringjalljes së Jezusit. Por, përsëri, Gjoni e përshkruan dëftimin e Jezusit para apostujve, ndër të cilët do të ketë qenë edhe ai, kur ishin të gjithë së bashku, përveç Tomës (20, 19-24), pastaj tetë ditë më vonë të gjithëve së bashku (20, 25-29).
O.Culmann në librin e tij “Le Nouveau Testament” nuk përcaktohet.
Përkthimi Ekumenik i Biblës i saktëson se pjesë më e madhe e kritikëve nuk e mbështet hipotezën mbi redaktimin e apostullit Gjon, edhe pse kjo mundësi, përkundër të gjithave, nuk mund të jetë krejt e përjashtuar. Por çdo gjë tregon se ka pasur ndërhyrje, sepse teksti që sot është në lexim ka shumë autorë: “Mund të bëhet që Ungjijtë, këta që i kemi tani, i kanë botuar nxënësit e autorëve që ja kanë shtuar kapitullin 21, dhe, pa dyshim, disa shënime (Kështu 4, 2 dhe ndoshta 4, 1; 4, 44; 7, 375; 11, 2; 19, 35). Përsa i përket tregimit mbi gruan që shkel kurorën (7, 53-8), të gjithë pajtohen me atë se është fjala për pjesën me prejardhje të panjohur që është futur më vonë (por që i takon Shkrimit kanonik). Paragrafi 19, 35 paraqitet si “nënshkrim i dëshmitarit të ngjarjes” (O. Culmann) dhe është i vetmi që është i qartë në tërë Ungjillin sipas Gjonit; por komentusit mendojnë se ai me siguri është shtuar më vonë.
O. Culmanni mendon se shtesat e mëvonshme janë të qarta në këtë Ungjill; i tillë është kapitulli 21, që ka qenë vepër e një “nxënësi”, i cili, gjithashtu, “e ka retushuar pjesën kryesore të Ungjillit”.
Pa i përmendur të gjitha hipotezat e tjera të ekzegetëve, vetëm vërejtjet e autorëve të krishterë më të njohur që i kemi përmendur këtu lidhur me çështjen e autorit të Ungjillit të katërt, tregojnë se në pikëpamje të kumbarisë kemi një konfuzion të plotë.
Vlera historike e tregimeve të Gjonit është kontestuar mjaft. Mospërputhjet me tre Ungjijtë e tjerë janë të hapta. O.Culmanni jep shpjegime për to. Ai pranon se Gjoni ka prespektiva të ndryshme teologjike nga ungjilltarët e tjerë. Ky qëndrim “drejtohet nga zgjedhja e tregimeve të paraqitura të mësimit, si dhe nga mënyra me të cilin janë reproduktuar… Kështu autori shpesh vazhdon renditjen dhe vë në gojën e Jezusit historik atë që Shpirti i Shenjtë ja ka zbuluar vetë atij”. Për këtë ekzeget shkaku i mospërputhjes është i tillë.
Me të vërtetë është e mundur të merret me mend se Gjoni duke shkruar pas ungjilltarëve të tjerë, i ka zgjedhur disa tregime të vetat që t’i ilustrojë më mirë tezat e veta dhe nuk do të duhet të çuditemi që te Gjoni nuk e gjejmë tërë atë që e përmbajnë treëgimet e tjera. Përkthimi Ekumenik zbulon një numër të konsiderueshëm të rasteve të këtij lloji (fq. 282). Por edhe më shumë të habisin disa zbrazëti. Disa duken fare pak të mundshme, siç është ajo nga tregimi i themelimit të Eukaristisë. Siç mund të merret me mend që një episod aq i rëndësishëm për krishtërimin, i cili do të bëhet shtyllë e liturgjisë së tij: meshën, nuk e ka përmendur Gjoni, ungjilltari meditativ par excellence? Por, ai kënaqet me atë që në predikimin e asaj darke që i ka paraprirë Mundimit të përshkruajë vetëm larjen e këmbëve të nxënësve, paralajmërimin e tradhëtisë së Judës dhe mohimin e Pjetrit.
Përkundrazi, ka tregime që janë karakterisitke për këtë, kurse mungojnë tek të tre ungjilltarët e tjerë. Përkthimi Ekumenik i përmend (fq. 283). Edhe këtu mund të përfundojmë se të tre autorët mund të mos e kuptojnë rëndësinë që e ka zbuluar Gjoni në këto episode. Por, si të mos habitemi që tek Gjoni gjejmë tregime mbi Jezusin e ringjallur në bregun e liqenit të Tiberiadit (Gjoni, 21, 1-14), që është vetëm reproduktim, me shumë hollësira të shtuara më vonë, të gjuetisë së çuditshme që e ka treguar Luka (5, 11), një episod që ka ngjarë në ringjallje të Jezusit. Në këtë tregim Luka aludon në praninë e apostullit Gjon, i cili, sipas traditës, ka qenë ungjilltar. Pasi ky tregim nga Ungjilli sipas Gjonit përbën një pjesë të kreut 21, për të cilin pajtohen se është shtesë e mëvonshme mund të marrim me mend lehtë se përmendja e emrit të Gjonit në tregimin e Lukës mund të mendohet se ndërthuret artificialisht në Ungjillin e katërt: nevoja që për këtë tregim mbi ngjarjen në ringjallje të Jezusit të ndërrohet në tregim të mbasvdekjes nuk e ka ndaluar shpërdoruesin e teksit të Ungjillit.
Një mospërputhje tjetër e rëndësishme ndërmjet Ungjillit sipas Gjonit dhe tre të tjerëve është kohëzgjatja e misionit të Jezusit. Marku, Mateu dhe Luka e vendosin në një vit kurse Gjoni e zgjatë mbi dy vjet. O.Culmanni e vëren këtë fakt. Për këtë çështje ja si shprehet Përkthimi Ekumenik:
Derisa Ungjijtë sinoptikë zhvillojnë periudhë të gjatë galilease, pas së cilës vjen një ecje pak a shumë e gjatë në drejtim të Judesë, dhe më në fund një qëndrim i shkurtër në Jeruzalem. Gjoni, përkundrazi, flet për transferime të shpeshta nga një krahinë në tjetrën dhe vëren praninë e përzgjatur në Jude e sidomos në Jeruzalem (1, 19-51; 2, 13-3, 36; 5, 1-47; 14, 20-31). Ai përmend shumë kremtime të Pashkëve (2, 13; 5, 1; 6, 4; 11, 55) dhe kështu sugjeron profeci më të gjatë se dy vjet.
Pra, kujt duhet t’i besojmë: Markut, Mateut, Lukës apo Gjonit?
BURIMET E UNGJIJVE
Kjo pasqyrë e përgjithshme e shkurtër që del nga shqyrtimi kritik i teksteve të Ungjijve na shpie drejt konceptimit të një literature “të palidhshme”, “plani i të cilës nuk ka vazhdimësi” dhe “kundërthëniet e të cilave duken të pakalueshme”, t’i huazojmë shprehjet nga gjykimi i komentuesit të Përkthimit Ekumenik të Biblës, në autoritetin e të cilit mund të mbështetemi, sepse mendimet për këtë lëndë janë shumë të rënduara nga pasojat. E pamë se njohja e historisë së fesë nga koha e lindjes së Ungjijve mund të na shpjegojë disa karakteristika të kësaj literature, e cila i habit lexuesit që janë të prirur të mendojnë. Por, vlen të shkojmë më tej dhe të kërkojmë atë që mund të mësojmë nga punimet e publikuara në kohën bashkëkohore lidhur me punimet nga të cilët ungjilltarët kanë marrë lëndën për t’i redaktuar tekstet e veta: njësoj është interesant të shihet nëse historia e teksteve pas zyrtarizimit të tyre mund të shpjegojë disa aspekte që i ofrojnë sot.
Në kohën e Etërve Kishtarë çështjes së burimit i është afruar në mënyrë shumë të thjeshtë. Në shekujt e parë të erës së krishterë burim ka mundur të jetë vetëm Ungjilli, i cili në dorëshkrimet komplete ka qenë vendosur në vendin e parë, dmth Ungjilli sipas Markut. Çështja e burimit është shtruar vetëm për Markun dhe Lukën, pasi Gjoni ka qenë problem i veçantë. Shën Agustini ka konsideruar se Marku, i dyti sipas rendit tradicional të paraqitjes, është frymëzuar nga Mateu, të cilin e ka remizuar, kurse Luka, i cili në dorshkrimet (manuskripte) është në vendin e tretë, është shërbyer me të dhëna të njërit dhe të tjetrit: këtë e sugjeron prologu i tij, për të cilin kemi folur më sipër.
Ekzegetët e kësaj kohe kanë mundur njësoj si edhe ne sot të vlerësojnë shkallën e përputhshmërisë së teksteve dhe të gjejnë një numër të madh vargjesh që janë të përbashkët në dy ose tre Ungjij sinoptikë. Komenutesit e Përkthimit Ekumenik të Biblës përafërsisht kështu i vlerësojnë me numra:
– 330 vargje të përbashkëta në të tre Ungjijtë sinoptikë.
– 178 vargje të përbashkëta të Markut dhe Mateut;
– 100 vargje të përbashkëta të Markut dhe Lukës;
– 230 vargje të përbashkëta të Mateut dhe Lukës;
kurse prej të gjitha vargjeve të tre ungjilltarëve të parë 330 vargje i takojnë Mateut, 53 Markut dhe 50 Lukës.
Nga Etërit Kishtarë e deri në fund të shekullit XVIII ka kaluar një mijëvjeçar e gjysëm dhe nuk ka lindur ndonjë problem i ri lidhur me burimet e ungjilltarëve; është pranuar tradita. Por, në kohën bashkëkohore, duke i ditur këto të dhëna, u kuptua se secili ungjilltar, duke marrë informacionet që i gjente tek të tjerët, në të vërtetë e ndërtoi tregimin në mënyrën e vet, sipas pikëpamjeve të veta. Atëherë i është kushtuar një kujdes i rëndësishëm grumbullimit të materialeve të tregimit në traditën gojore të bashkësisë primitive, nga një anë dhe në një burim të shkruar të përbashkët arameik, i cili nuk është gjetur, në anën tjetër. Ky burim i shkruar ka mundur të përbëjë një bllok kompakt ose të jetë i përbërë nga fragmente të komplikuara të tregimeve të ndryshme që kanë mundur t’i shërbejnë secilit ungjilltar për ta ndërtuar veprën e vet origjinale.
Kërkimet më të thelluara që kanë filluar afërsisht para një shekulli sollën teori më të sakta, të cilat do të komplikohen me kalimin e kohës. Teoria e parë bashkëkohore është teoria e quajtur “dy burimet e Holtzmanit” (1863). Sipas saj, siç e saktësojnë O.Culmanni dhe Përkthimi Ekumenik, Mateu dhe Luka janë frymëzuar prej Markut, në një anë, dhe prej një dokumenti të përbashkët që sot ka humbur, në anën tjetër. Për më tepër, dy ungjilltarët e parë do të kishin në dispozicion nga një burim personalisht të vetin. Kështu vijmë deri te skema e mëposhtme.
Skema
Culmanni e kritikon skemën në këto pika:
1. Vepra e Markut, të cilën e kanë përdorur Luka dhe Mateu, nuk do të ishte Ungjilli i këtij autori, por ndonjë redaktim më i hershëm;
2. Kjo skemë nuk i kushton kujdes të duhur traditës gojore, e cila paraqitet si kryesore, pasi vetë, me kalimin e kohës prej tridhjetë apo dyzet vjetësh, i ka ruajtur fjalët e Jezusit dhe tregimet mbi misionin e tij, kurse ungjilltarët kanë qenë vetëm raportues të bashkësisë së krishterë, e cila e ka fiksuar traditën gojore.
Kështu arrijmë të kuptojmë se Ungjijtë që i kemi sot kanë sjellë pasqyrën e asaj që bashkësitë e krishtera primitive kanë ditur për profertësinë e Jezusit, si dhe besimin dhe koncepcionet e tyre teologjike, raportues të të cilave kanë qenë ungjilltarët.
Kërkimet më bashkëkohore të kritikës lidhur me burimet e Ungjijve kanë zbuluar një proçes akoma më kompleks të formimit të teksteve. “Krahasimi i katër Ungjijve”, vepër e R.P. Benotit dhe R.P. Boismardit, profesorë së Shkollës Biblike të Jeruzalemit (1972 deri 1973), e vë theksin në zhvillimin e teksteve nëpër shumë etapa, paralelisht me zhvillimin e traditës, gjë që ka sjellë deri në pasojat që R.P.Benoiti, duke paraqitur një pjesë të librit që është vepër e R.P. Boismardit, e shpreh me këto fjalë: “(…) format e fjalëve ose të tregimeve që rrejdhin nga evolimi i gjatë i traditës nuk e kanë origjinalitetin e njëjtë si ato që kanë qenë në fillim disa lexues të kësaj vepre ndoshta do të befasohen ose do të habiten kur të kuptojnë se kjo ose ajo fjalë e Jezusit, kjo ose ajo parabolë, ky ose ai paralajmërim i fatit të tij, nuk janë thënë ashtu siç i lexojmë ne, por ato janë përmirësuar dhe përshtatur nga ata që na i kanë transmetuar. Për ata që nuk janë të mësuar me këtë lloj të kërkimit historik ka një burim të mundshëm për tu çuditur, ndoshta edhe skandal”.
Këto përmirësime të teksteve dhe përshtatja e tyre që është bërë nga ata që na i kanë transmetuar, janë bërë në mënyrë tepër komplekse dhe këtë e tregon skema të cilën në e jep R.P. Boismardi. Ajo është zhvillim i teorisë së të ashtuquajturës të dy burimeve. Skema është ndërtuar pas punës në hulumtimin dhe komparacionin e teksteve, të cilën këtu do të ishte e pamundur ta rezimojmë. Lexusi i interesuar do të duhej që për më shumë hollësira t’i referohej veprës origjinale që është botuar në Paris, në botimin Cerf.
Katër dokumentet bazë të quajtura A, B, C, dhe Q, paraqesin burimet origjinale të Ungjijve (shih skemën e përgjithshme).
Dokumenti A është dokument i cili rrjedh nga mjedisi judeo-krishterë dhe e ka frymëzuar Mateun dhe Markun.
Dokumenti B është riinterpretim të dokumentit A për nevojat të kishave pagane-krishtere: ai ka frymëzuar të gjthë ungjilltarët, përveç Mateut.
Dokumenti C e ka frymëzuar Markun, Lukën dhe Gjonin.
Dokumenti Q përmban shumicën e burimeve të përbashkëta për Mateun dhe Lukën; ky është “dokument i përbashkët” nga teoria e sipërpërmendur e dy burimeve.
Asnjëri nga këto dokumente bazë nuk qe shkaktar për redaktimin e teksteve përfundimtare që i kemi sot. Ndërmjet tyre dhe versionit përfundimtar vendosen redaktimet e ndërmjetme që autori i quan: Mateu intermedist, Marku intermedist, Luka i hershëm dhe Gjoni. Këto katër dokumente ndërmjetse do të sjellin gjer te redaktimet e fundit të katër Ungjijve, duke i inspiruar si redaksi përkatëse të fundit, ashtu dhe ato të Ungjijve të tjerë. Duhet parë skema kryesore në mënyrë që të kuptohen të gjitha veprimet komlekse të cilat autori i nxjerr në dritë.
Rezultatet e këtyre hulumtimeve biblike janë me rëndësi të madhe. Ato tregojnë se tekstet e Ungjijve jo vetëm që kanë “historinë” e tyre (për këtë do të flasim më poshtë), por edhe “parahistorinë” e tyre, sipas shprehjes së R.P.Boismardit, kjo do të thotë se para redaktimeve të fundit ata kanë pësuar ndryshime gjatë etapës së dokumenteve ndërmjetëse (intermediste). Kështu, për shembull, shpjegohet se si është e mundur që një tregim i njohur mirë nga jeta e Jezusit, siç është peshkimi i çuditshëm, të paraqitet nga Luka si ngjarje që ka ndodhur në gjallje të tij, kurse sipas Gjonit, si një episod i dëftimit të tij pas ringjalljes.
M.E. BOISMARD
KRAHASIMI I KATËR UNGJIJVE
SKEMA E PËRGJITHSHME
Dokumenti A,B,C,Q = dok.bazë që i kanë shërbyer redaktimit
Mt.interm. = Redaktimi i ndërmjetëm i Mateut
Mk.interm. = Redaktimi i ndërmjetëm i Markut
Proto-Lk = Redaktimi i ndërmjetëm i Lukës
In = Redaktimi i ndërmjetëm i Gjonit
Red.fund.Mt = Redaktimi i fundit i Mateut
Red.fund.Mk = Redaktimi i fundit i Markut
Red.fund.Lk = Redaktimi i fundit i Lukës
Red.fund.Gjn = Redaktimi i fundit i Gjonit
Si përfundim i tërë kësaj del se duke lexuar Ungjijtë nuk jemi më të sigurt se dëgjojmë fjalën
e Jezusit. R.P. Benoit, duke iu drejtuar lexuesit të Ungjijve, ia tërheq vërejtjen në këtë, por i ofron një kompensim:
“Nëse në shumë raste duhet të heqë dorë nga ajo që të dëgjojë zërin e Jezusit, ai dëgjon zërin e Kishës dhe shpreson në të si në shpjeguesin, të cilin hynisht e ka autorizuar Zotriu i cili, pasi dikur fliste në vendin tonë, tani flet për lavdinë e vet”.
Si të lidhet ky konstatim formal mbi mungesën e origjinalitetit të disa teksteve me fazën e konstatimit dogmatik mbi Shpalljen Hyjnore të Koncilit të Dytë të Vatikanit, i cili, përkundrazi, na bind për transmetimin e fjalëve të Jezusit: “Këta katër Ungjij, historikun e të cilëve ajo (Kisha) e vërteton pa mëdyshje, e trasmetojnë besnikërisht atë që Jezusi,Bir i Zotit, në gjallje të tij, duke qenë mes njerëzve, vërtet ka bërë dhe i ka mësuar për shpëtimin e tyre të amshueshëm, deri në ditën kur u ngrit në qiell”.
Shihet krejt qartë se puna e Shkollës Biblike të Jeruzalemit i ka bërë një demant të rreptë deklaratës së Koncilit33.
HISTORIA E TEKSTEVE
Do të ishte gabim të besohet se menjëherë pas redaktimit Ungjijtë kanë krijuar Shkrimin e (Shenjtë) themelorë të krishterimit që po vinte, dhe se në ta janë mbështetur si në Besëlidhjen e Vjetër. Autoriteti kryesor atëherë ka qenë tradita gojore e cila transmetonte fjalën e Jezusit dhe mësimet e apostujve. Shkrimet e para që lexoheshin dhe që fituan shumë më përpara Ungjijve kanë qenë letrat e Palit: a nuk ishin redaktuar ato shumë dhjetëvjeçarë më parë?
Pamë se para vitit 140 nuk ekzistonte asnjë dëshmi e cila do të vërtetonte se ka qenë i njohur një përmbledhje i shkrimeve ungjillore, përkundër asaj çfarë shkruajnë akoma në kohën tonë disa komentues. Duhet pritur përafërsisht vitin 170, që të katër Ungjijtë të fitojnë statutin e literaturës kanonike.
Në këtë kohë fillestare të krishterimit kanë qarkulluar, gjithashtu, shkrime të shumta mbi Jezusin, të cilat më vonë nuk janë konsideruar si të denja për origjinalitetin dhe për të cilat Kisha ka dhënë urdhër që të fshihen, prej nga edhe janë quajtur apokrife. Prej këtyre teksteve ka vepra që janë ruajtur mirë, meqë kanë “gëzuar përkrahje e plotë”, na thotë Përkthimi Ekumenik ; si didake (mësimi i të dymbëdhjetë apostujve) ose letra e Barnabës, por të tjerat, për fat të keq, “janë hequr në mënyrë brutale” dhe prej tyre kanë ngelur vetëm fragmente. Duke u konsideruar si transmetuese të trillimeve, ato u hoqën para syve të besimtarëve. Por, përsëri, veprat siç janë Ungjilli i Nazaretasve, Ungjilli i Hebrejve, Ungjilli i Egjiptjanëve, të njohur për lidhjet me Etërit Kishtar, u lidhën mjaft ngushtë me Ungjijtë me Ungjijtë kanonikë. Po kjo vlen edhe për Ungjillin e Tomës dhe Ungjillin e Barnabës.
Disa nga këto shkrime apokrife përmbajnë pjesë fantazmogorike, të cilat janë produkt i imagjinatës popullore. Autorët e veprave mbi Apokrifët, me një kënaqësi të qartë, i citojnë fragmentet të cilat, thënë shkurt, janë qesharake. Por, fragmente të tilla mund të hasen në të gjitha Ungjijtë. Të përkujtojmë vetëm përshkrimin fantastik të ngjarjeve të cilat, sipas Mateut, kanë ndodhur në kohën e vdekjes së Jezusit. Në të gjitha shkrimet e kohës së fillimit të krishterimit mund të hasen fragmente të cilave ju mungon serioziteti: duhet të jesh i ndershëm për ta pranuar këtë.
Shumësia e literaturës mbi Jezusin e ka shtyrë Kishën që t’i eleminojë që në fazën e organizimit. A mos janë fshehur ndoshta me qindra ungjij? Vetëm katër janë ruajtur për të hyrë në listën zyrtare të shkrimeve të Besëlidhjes së Re, që përbëjnë atë që quhet “Kanon”.
Nga mesi i shekullit II, Markioni i detyroi fuqimisht autoritetet kishtare që të mbajnë qëndrim. Ky ishte armiku i egër i hebrenjve, i cili atëhere kishte hedhur poshtë tërë Besëlidhjen e Vjetër dhe atë që i dukej e tepërt në shkrimet pas Jezusit, lidhur me të ose që rridhnin nga tradita judeo-krishtere. Markioni e pranonte vetëm vlerën e shkrimeve të Palit dhe të Ungjillit sipas Lukës, pasi mendonte se ky flet në emër të Palit.
Kisha e shpalli Markionin heretik, kurse në kanonin e saj futi të gjitha letrat e Palit, por krahas katër Ungjijve, sipas Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit, dhe gjithashtu i shtoi disa vepra, siç janë Veprat e Apostujve. Por, në këta shekuj të parë të erës së krishterë lista zyrtare ndryshon. Veprat që më vonë do të konsiderohen të pavlera (apokrife) momentalisht qëndrojnë në listë, kurse vepra të tjera, të cilat i përmban ligji i tanishëm i Besëlidhjes së Re, kanë qenë fshirë në atë epokë. Lëkundjet kanë zgjatur deri në Koncilin e Hiponit, në vitin 393, dhe në Kartagjenë, në vitin 397. Por të katër Ungjijtë janë vazhdimisht të pranishëm.
Bashkë me R.P.Boismardin duhet të na vijë keq për zhdukjen e një sasie të literaturës së çuditshme që Kisha e shpalli apokrife, sepse ka qenë me interes historik. Në të vërtetë ky autor i bën vend kësaj literature në krahasimin e vet të katër Ungjijve, përveç Ungjijve zyrtarë. Ai vëren se këta libra kanë qenë nëpër biblioteka deri në fundin e shekullit IV.
Ky shekull është epokë e vendosjes së një rendi serioz. Të kësaj kohë janë dorëshkrimet komplete të Ungjijve më të vjetër. Dokumentet më të reja, papirusët e shekullit III dhe një që mund të datohet si i shekullit II, na transmetojnë vetëm fragmente. Dy dorëshkrimet më të vjetra në pergament janë dorëshkrimet greke të shekullit IV. Këto janë “Codex Vaticanus”, vend zbulimi i të cilit nuk dihet, dhe “Codex Sinaiticus”, i zbuluar në kodrën e Sinait. I pari ruhet në Bibliotekën e Vatikanit, kurse i dyti në Muzeumin Britanik të Londrës dhe përmban dy vepra apokrife.
Sipas Përkthimit Ekumenik në botë ekzistojnë 150 pergamena të njohura; të fundit janë të shekullit IX. Por “të gjitha kopjet e Besëlidhjes së Re që kanë arritur te ne nuk janë identike. Por, përkundrazi ndër to mund të hetohen dallime me rëndësi variable, numri i të cilave është tepër i madh. Disa nga këto dallime janë me karakteer gramatikor, leksikor ose në renditjen e fjalëve, por ndonjëherë ndërmjet dorëshkrimve mund të hetohen mospajtime të cilat prekin kuptimin e fragmenteve të tëra”. Nëse duam t’i kujtojmë mospajtimet e tekstit, mjafton të shëtisim nëpër “Novum Testamentum graece”.
Kjo vepër përmban një tekst grek të quajtur “mesatar”, i cili është sintetik, me shënimin e të gjitha varianteve që hasen në versione të ndryshme.
Autenticiteti i një teksti, edhe i atij nga dorëshkrimet më të vlefshme, është gjithnjë i diskutueshëm. “Codex Vaticanus” na jep një shembull për këtë. Reproduktimi i tij në faksimil, botim i Vatikanit i vitit 1965, është shoqëruar nga një shënim i të njëjtës prejardhje, nga i cili kuptojmë se “shumë shekuj pas kopjimit (besohet rreth shekullit X ose XI) një shkrues i ka rishkruar me bojë shkrimi të gjitha fjalët përveç atyre që i ka konsideruar të gabuara”. Ka fragmente të tëra të tekstit, në të cilën shumë qartë duken shkronjat e dikurshme ngjyrë gështenjë që janë në kontrast me tekstin tjetër, ngjyra e të cilit është gështenjë e errët. Asgjë nuk na lejon të pohojmë se ka qenë restaurim besnik. Tek e fundit, shënimi e saktësom këtë gjë: “Ende nuk kemi patur sukses që përfundimisht të dallojmë duart e ndryshme që kanë korrigjuardhe shpjeguar dorëshkrimet gjatë shekujve; një numër i dukshëm korrekturash është bërë tërësisht në momentin e përmirësimit të tekstit”. Por në të gjithë doracakët dorëshkrimi është paraqitur si kopje nga shekulli IV. Duhet t’u drejtohemi burimeve të Vatikanit për të parë se, shekuj më vonë, duart kanë mundur ta ndryshojnë tekstin.
Do të marrim përgjigje se tekstet e tjera mund të shërbejnë për krahasime, por si të zgjedhim variantet të cilat e ndryshojnë kuptimin? Dihet mirë se korrektura shumë e lashtë e ndonjë shkruesi mund të bënte që të vulosej versioni definitiv i një teksti të korrigjuar. Pak më poshtë do të shohim se si një fjalë e vetme nga teksti sipas Gjonit e cila ka të bëjë me Parakletin, e ndryshon rrënjësisht kuptimin e fragmentit dhe e modifikon tërësisht kuptimin e tij nga pikpamja teologjike.
Ja se çfarë shkruan O. Culmanni lidhur me variantet në librin e tij “Besëlidhja e Re”:
“Ato ndonjëherë janë rezultat i gabimeve pa dashje; kopjuesi e ka harruar një fjalë, ose, për shembull, e ka shkruar dy herë radhazi, ose nga pakujdesia e ka harruar një pjesë të fjalisë, sepse ky në dorëshkrimin që është përshkruar ka qenë i vendosur ndërmjet dy fjalëve të njëjta. Ndonjëherë kemi të bëjmë me korrigjime të qëllimshme: ose përshkruesi i ka lejuar vetes të bëjë korrigjime të tekstit sipas ideve personale ose është përpjekur ta harmonizojë tekstin me ndonjë tekst tjetër paralel në mënyrë që pak a shumë t’i reduktojë mospajtimet. Pasi shkrimet e Besëlidhjes së Re u ndan nga literatura e krishterë fillestare dhe u konsideruan Shkrime të Shenjta, përshkruesit kanë hezituar më shumë që t’i lejojnë vetes korrigjime të tilla të paraardhësve të vet: ata besojnë se përsëri e kopjojnë tekstin autentik dhe kështu i fiksojnë variantet.Më në fund, ndonjëherë përshkruesi e ka shpjeguar tekstin në margjinë (fusnotë) për ta shpjeguar vendin jo të qartë. Përshkruesi i ardhshëm, duke menduar se fjalinë e ka shkruar në margjinë paraardhësi ka harruar ta fusë në tekst, ka besuar se është e nevojshme të futet në tekst ai shpjegim margjinal.Kështu teksti i ri ndonjëherë bëhet edhe më i pakuptueshëm”.
Shkruesit e disa dorëshrimeve ndonjëherë i japin liri të tepruar vetes në punën me tekst. I tillë është rasti me përshkruesin e njërit nga dorëshkrimet më të vlefshme “Codexom Bezae Contabrigiensis” nga shekulli VI, pas atyre të dyve që i cituam më sipër. Duke parë pa dyshim ndryshimin në gjenealogjitë e Jezusit sipas Lukës dhe Mateut, shkruesi, në kopjen e tij të Ungjillit sipas Lukës, fut gjenealogjinë sipas Mateut, por pasi ky përmban më pak emra se i Lukës, ai e plotëson me emra të tjerë (edhe pse nuk e vendos barazpeshën).
A thua përkthimet latinisht, siç është Vulgata e shën Jeronimit ( shekulli IV) ose përkthimi edhe më i vjetër (vetus itala), përkthimet e sirianishtes së vjetër dhe të koptishtes, janë më të besueshme se dorëshkrimet bazë të greqishtes? Ato kanë mundur të bëhen edhe sipas dorëshkrimeve edhe më të vjetra, prej atyre që i kemi cekur më sipër dhe të cilat do të ishin të humbura në kohën tonë. Për këtë nuk dimë asgjë.
Ka pasur sukses që të gjitha këto versione të futen në familje të cilat në vete bashkojnë një numër të konsiderushëm të karakteristikave të përbashkëta. Kështu, sipas O. Culmannit, mund të caktohen:
– një tekst i quajtur lashtosirian, formimin e të cilit kanë mundur ta bëjnë dorëshkrimet më të vjetra greke, në pjesën më të madhe; në sajë të shtypshkronjës ky tekst është shumë i përhapur në Europë që nga shekulli XVI; ai është njëri ndër më të dobëtit thonë specialistët.
– një teks i quajtur Perëndimor me versionet e tij të vjetra latine dhe “Codexin Bezae Cantabrigiensis”, njëkohësisht në greqisht dhe latinisht (sipas Përkthimit Ekumenik, njëra nga karakteristikat e tij është tendenca shumë e shprehur ndaj shpjegimeve, pasaktësive, parafrazave, harmonizimeve).
– teksti i quajtur neutral, të cilit i takon Codex Vatikanus dhe Codex Sinaiticus, do të kishte një pastërti mjaft të madhe; botimet bashkëkohore të Besëlidhjes së Re e ndjekin pas me dëshirë, edhe pse edhe ky ka të meta (Përkthimi Ekumenik).
Krejt ajo që kritika bashkëkohore e teksteve mund të na japë nga ky pikëvështrim është të provojë të bëjë rindërtimin e “një teksti i cili do të kishte shanse më të mëdha që t’i afrohet origjinalit. Shpresat se në çfarë mënyre do të gjejmë vetë tekstin origjinal nuk mund të realizohet”. (Përkthimi Ekumenik).
Shkëputur nga libri: Bibla, Kurani dhe Shkenca – Dr. Maurice Bucaille