Katolicizmi

Katolicizmi

Katolicizmi është një ndër sektet më të përhapura në botë.[1] Numri më i madh i katolikëve jeton në Brazil (156 milionë ose 14% nga të gjithë katolikët), pastaj në Meksikë (99 milionë), në Filipine (68 milionë), ShBA (66 milionë ose 22% nga banorët e ShBA-ve), në Itali (56 milionë) etj. Sipas të dhënave statistikore të Vatikanit në vitin 2003, rritja më e madhe e katolikëve ka qenë në Afrikë 4,5%, ndërkaq në Evropë numri i tyre ka qenë i pandryshuar.

Sipas numrit të pasuesve dhe strukturës së organizimit, me hierarkinë dhe zhvillimin teologjik, ky sekt është forma religjioze më e organizuar dhe më e zhvilluar ndër sektet e tjera. Katolikët janë të tubuar rreth kishës katolike e cila i tejkalon kufijtë nacionalë, duke përmbledhur popuj të ndryshëm.

Kisha katolike ka një organizim rreptësisht të centralizuar. Qendra gjendet në Vatikan, qytetin-shtet në territor të Romës. Aty gjenden rezidenca e papës dhe zyrat e tjera të ndryshme. Vatikani e ka stemën, flamurin, himnin e vet, e po ashtu shtypin, radiotelevizionin etj. Po ashtu i ka përfaqësitë e gradave dhe statuseve të ndryshme diplomatike në shumë vende të botës. Në fillim të shek. XXI Vatikani kishte lidhje diplomatike me 172 vende, ndërkaq në vitin 2005, kishte më se 911 rezidenca në botë.

Në krye të kishës është papa. Papa (ital. papa-baba, atë, gr. papos-baba, atë) është titulli më i lartë fetar në kishën katolike, ai është ndërkohë kreu i kishës katolike dhe i Vatikanit. Sipas mësimeve katolike, ai është trashëgimtar i Shën Pjetrit dhe ka pushtet shpirtëror ndaj të gjitha peshkopatave, priftërinjve dhe ndaj të gjithë besimtarëve. Që nga shek. VI me këtë emër e kanë quajtur vetëm peshkopin e Romës. Kohë pas kohe papa mban kongrese\koncilë me të gjithë peshkopët dhe më meritorët e tjerë botërorë.

Pas papës, në postin e hierarkisë vijnë kardinalët. Kardinalët (lat. Cardinalis – themelor, është titull më i lartë pas papës në hierarkinë e kishës katolike)[2], te të cilët papa pas Koncilit të Dytë të Vatikanit e ka bartur një pjesë të pushtetit të tij. Ndërmjet kardinalëve vend të posaçëm zë sekretari i përgjithshëm, i cili e kryen detyrën e kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme. Kardinalët veshin rroba të veçanta me ngjyrë vjollce dhe kapela karakteristike të kardinalëve. Kardinalët kanë nderin e zgjedhjes së papës, e cila bëhet në rezidencën e tij, e që është në kompleksin e Vatikanit. Në kohën e zgjedhjes së papës ata izolohen nga bota e jashtme, duke u mbyllur në salla të veçanta derisa ta zgjedhin papën e ri. Kardinalët votojnë pas dyerve të mbyllura dhe janë të detyruar votimin ta bëjnë në heshtje të rreptë. Të drejtën e zgjedhjes së papës kanë kardinalët të cilët nuk i kanë mbushur të tetëdhjetat. Kuvendi i kardinalëve, gjatë kohës së zgjedhjes (më së paku 15 ditë, dhe më së shumti 20 ditë nga koha e zbrazjes së karriges papate), nuk duhet të ketë asnjë kontakt me botën e jashtme, prandaj dyert e dritaret janë të mbyllura. Votojnë katër herë në ditë, dy para dhe dy pas dite. Tre kardinalë i kontrollojnë votat, ndërsa tre të tjerë e mbikëqyrin rregullin e votimit. Vazhdon votimi derisa njëri nga kandidatët t’i fitojë dy të tretat e votave plus një votë. Pas trembëdhjetë votimeve zgjedhësit mund të vendosin për zgjedhjen e njërit nga kandidatët i cili ka fituar shumicën absolute plus një votë. Besimtarët e Romës tubohen në sheshin e Shën Pjetrit për ta parë tymin, nëpërmjet të të cilit lajmërohet për zgjedhjen e papës së ri. Tymi i zi, i cili del nga oxhaku ku zgjidhet papa do të thotë se akoma asnjëri nga kandidatët nuk e ka fituar shumicën e votave. Ndërkaq, tymi i bardhë është shenjë e zgjedhjes së papës së ri. Papa i tanishëm është Benedikti XVI, i cili u zgjodh në vitin 2005 dhe është i 265-ti papë me radhë në jetën e kishës katolike, të cilit i drejtohet me thirrjen “Shenjtëria juaj” dhe “Shenjtëria e tij”.

Peshkopët janë në krye të peshkopatës dhe kanë të drejta t’i emërojnë klerikët e tjerë me grada më të ulëta për shërbime fetare, gjegjësisht priftërinjtë. Tipari më i rëndësishëm i pozicionit të peshkopit janë: unaza, shkopi dhe kryqi. Peshkopët janë të detyruar çdo pesë vjet ta vizitojnë (ad limina apostolorum, fjalë latine “limin” vija e pragut, kalimi mbi pragun) papën duke ia sjellë informatat për gjendjen e jetës fetare në rajonin që e kanë nën juridiksionin e tyre. Peshkopi mund të ketë edhe ndihmës të peshkopit i cili mund të ketë të drejtë për trashëgimi. Papa, kardinalët dhe peshkopët bartin një kapelë të vogël në formë të rrumbullakët. Grada tjetër që vjen më e ulët se peshkopët janë priftërinjtë. Ata mund të marrin poste të ndryshme në drejtimin e kishës në lokacione më të ulëta. Të gjithë priftërinjtë, pa marrë parasysh rolin e tyre në detyrat që i kryejnë, bëjnë jetë beqarie dhe nuk martohen.[3]

Kisha katolike i ka disa specifika në krahasim me kishat krishtere të tjera e që janë:

  • Lider fetar është vetë papa, i cili është edhe zëvendës i Jezusit dhe pasues i Pjetrit. Qysh nga koncili i parë i Vatikanit në vitin 1869-1870, ai është autoritet i pagabueshëm, kurse Roma, përkatësisht Vatikani, është dhe duhet të jetë patjetër qendra kryesore shpirtërore e kishave të tjera, ku merren vendimet, ngase këtu kanë vepruar dhe janë varrosur shën Pjetri dhe shën Pali.
  • Kisha është universale (fjala katolik ka kuptim universal), jashtë saj nuk ka shpëtim. Kisha udhëhiqet nga Shpirti i Shenjtë.
  • Komentimi i Biblës është e drejtë vetëm e klerikëve, gjegjësisht e kishës, për dallim nga protestantizmi, ku çdo besimtar e gëzon këtë të drejtë.
  • Jezusi i ka dy natyra: atë hyjnore dhe njerëzore. Ndërkaq Shpirti i Shenjtë buron nga Zoti-Atë dhe Zoti-Biri. Përkundër doktrinës ortodokse në të cilën buron vetëm nga Zoti-Atë.
  • Për dallim nga protestantizmi, katolikët burim për mësimet e tyre nuk e kanë vetëm Biblën por edhe traditën e kishës – mësimet e kishës. Nën mësimet e kishës bëjnë pjesë vendimet e koncilëve, në të cilët përfaqësuesit e të gjitha kishave, nën kryesinë e papës, i kanë shqyrtuar dhe kanë marrë vendime në interes të përgjithshëm për tërë kishën. Po ashtu këtu bëjnë pjesë edhe letrat e papës të dërguara peshkopëve të botës, apo vetëm ndonjërit të ndonjë rajoni të caktuar, që kanë të bëjnë me fenë, moralin religjioz dhe çështjet e tjera teologjike.
  • Sikur Jezusi, edhe Maria është e pagabueshme, është larg mëkatit origjinal. Maria bashkë me Zotin\Jezusin mund të ndërmjetësojnë. Kulti i Marisë është shumë i zhvilluar, saqë i kanë kushtuar mësim të veçantë të ashtuquajtur “mariologji”. Koncili i Efesit në vitin 431, e ka legalizuar thirrjen “Nëna e Zotit”, duke e njohur si Lindëse të Zotit. Ajo është ngritur në qiell pas vdekjes së saj. Më 15 gusht festohet dita e “Zonjës së Madhe”, si kujtim i ngritjes së saj në qiell. Këto dogma nuk ekzistojnë në ortodoksizëm. Asaj i përkushtohet edhe lutja e veçantë krishtere për të e quajtur “Ave Marie” (Përshëndetje Mari).
  • Besojnë në ditën e fundit të gjykimit, në parajsën, në ferrin dhe në purgatorin.[4]
  • Edhe shenjtorët mund të ndërmjetësojnë pranë Zotit. Portretet dhe porositë e tyre të shenjta respektohen. Kështu që për emrat e tyre gati se çdo ditë organizohen ceremoni.
  • Njeriu është brenda mëkatit origjinal. Përkulja ndaj të keqes atë e çon në mëkat. Me rëndësi është shpëtimi nga mëkati. Kjo bëhet me anë të rrëfimit të mëkateve, priftit në qelinë e faljes së mëkateve. Rrëfimi i mëkateve, së paku njëherë në vit, sipas marrëveshjes së arritur në Koncilin Lateran (1215), është obligim për çdo të krishterë të moshës madhore. Ndërkaq, te ortodoksët larja e mëkateve bëhet vetëm me pagimin e një kundërvlere në një sasi të caktuar nga ana e kishës.
  • Misteret janë shtatë. Klasa e klerikëve (shenjtorët) nuk martohen, kurse laikët që mund të martohen nuk kanë të drejtë shkurorëzimi. Kurora e lidhur jashtë kishës është e pavlefshme. Martesa pas shkurorëzimit llogaritet amoralitet. Pagëzimi bëhet me stërpikje me ujë. Ai që vdes pa u pagëzuar llogaritet njeri i ferrit. Në ritualin e kungimit, bukës nuk i hidhet tharmë. Konfirmacioni në kungim bëhet çfarëdo kohe pas kungimit të parë.
  • Njohin 22 koncilë dhe të gjitha vendimet e tyre. Besojnë në vullnetin e lirë të njeriut, përkundër protestantizmit, i cili e mohon këtë besim.
  • Ditën e premte nuk hanë ushqime me mish e me yndyrë. Mishin dhe gjakun e kafshëve të ngordhura e kanë të lejuar ta përdorin për ushqim. Tek ortodoksët një gjë e tillë nuk lejohet.
  • Gjuha rituale është latinishtja (në vitin 1965 në Koncilin II të Vatikanit është lejuar realizimi i riteve edhe në gjuhë të ndryshme). Për dallim nga kishat ortodokse, në të cilat ikonat kanë një vend të posaçëm në fe dhe përpara tyre luten e kërkojnë realizimin e dëshirave të tyre, në kishat katolike nuk ka ikona, por riti fetar bëhet përpara statujës së Jezu Krishtit të kryqëzuar. Në kishën protestante nuk ka as ikona as statuja, kurse për ata vetëm një adhurim i kryqit është i mjaftueshëm.
  • Ceremoninë duhet ta udhëheqë vetëm peshkopi, kurse tek ortodoksët edhe çdo klerik tjetër. Po ashtu vetëm klerikët shkëmbejnë bukë dhe verë të shenjtë, ndërkaq besimtarët vetëm bukë. Tek ortodoksët të dyja palët.
  • Bekimi është një ceremoni e shpalljes solemne të ndonjërit për njeri të bekuar, i cili gëzon mirësinë e parajsës dhe festohet vetëm në Kishën lokale. Ndërsa kanonizimi është një shpallje solemne e vendimit me të cilin i bekuari hyn në regjistrin e shenjtorëve, dhe i cili dekretohet që të jetë i nderuar dhe respektuar në të gjithë kishën. Për njerëz të shenjtë shpallen, para së gjithash, në bazë të “jetës shembullore ose të vdekjes martire për fe”. [5]

Prof. Dr. Zija Abdullahu

——————————————–

[1] Në fillim të vitit 2005, në botë kishte rreth një miliard katolikë, (17, 47% nga banorët e botës), Në vitin 2001 kishte 4.439 peshkopë (priftërinj të lartë) dhe 404.626 priftërinj.

[2] Mikel Ndreca, “Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja”, f. 375.

[3] Shiko: Ivan Cvitković, “Religije savremenoga svijeta”, (Religjionet e botës bashkëkohore), f. 173-186.

[4] Purgatori: (lat. Purgatorium); sipas besimit katolik, është vendi i pastrimit, vendqëndrim i shpirtit, i cili para vdekjes nuk është çliruar nga mëkatet. Shpirtrat për një kohë do të rrinë në vendpastrim dhe më pas do të kalojnë në parajsë.[Më gjerësisht shiko: Ekrem Murtezai, “Fjalori i feve”, f. 388-389].

[5] Shiko: Ekrem Sarikçioglu, “Historia e feve”, f. 550-551; Ivan Cvitković, “Religije savremenoga svijeta”, (Religjionet e botës bashkëkohore), f. 173-176; dhe: Qani Nesimi, “Ortodoksizmi te shqiptarët”, f. 47-50.