Ajni Sinani
Ku është drejtësia hyjnore në kryqëzimin e Jezusit?
Jezusi/Isai a.s., sipas të krishterëve, është “Zot” i mishëruar në trup që përmes vuajtjeve e shpëtoi veten dhe të tjerët, duke “vdekur në kryq” dhe më pas duke u “ringjallur”. Jezusi, sipas doktrinës krishtere, u “sakrifikua” për shkak të mëkatit fillestar që bëri Adami, i shtyrë nga bashkëshortja e tij, Eva, duke ngrënë nga pema e ndaluar! Mëkati i Adamit, sipas tyre, më pas u bart nga të dy krahët brez pas brezi dhe kështu do të vazhdonte sikur Jezusi, “Biri” i Zotit, të mos jepte jetën dhe gjakun e vet si shpagim për shfajësimin e mëkateve të njerëzve! Prandaj vetëm falë “vdekjes” së Jezusit në kryq, thonë ata, njerëzimi u çlirua nga sundimi i mëkatit dhe fitoi jetën e amshueshme!
Ndërkaq, Kur’ani fisnik na mëson se Isai a.s. (Jezusi) ishte rob dhe pejgamberi i Zotit dhe hedh poshtë pretendimin e krishterë se ai ishte “Zot” apo “Bir” i Zotit:
“Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i All-llahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë pejgamber.” (Merjem: 30)
Krejt ndryshe nga pretendimi i krishterë, sipas mësimit islam, mëkati i parë i Ademit dhe Havasë s’ishte një mëkat i pafalshëm, apo një njollë e pashlyeshme. Ademi gaboi, por kërkoi falje dhe Allahu ia fali gabimin:
“Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin. Sigurisht, Ai i pranon shumë pendimet, Ai është Mëshirëploti.” (El Bekarah: 37).
Kërkimi i faljes për mëkatin e bërë nga ana e Ademit ishte një mësim se si njeriu duhet të pendohet dhe t’i rikthehet Krijuesit të tij. Largimi i Ademit nga xheneti dhe zbritja në tokë nuk shihet nga Islami me negativitetin që e përshkruan Bibla. Zbritja i mundësoi njeriut që ta rregullojë tokën dhe të ndërtojë qytetërime të shumta, duke ushtruar misionin e tij si mëkëmbës i Allahut (halifetullah fil erd) për të cilin ishte krijuar. Nga mesi i tij dolën shumë pejgamberë dhe njerëz të mirë, që i përmbushën dhe zbatuan urdhrat e Zotit mbi tokë.
Islami nuk pranon as përcjelljen e gabimit të Ademit dhe të Havës tek bijtë e tyre dhe as trashëgimin e tij brez pas brezi. Allahu i Gjithëmëshirshë m thotë:
“Ata njerëz tashmë kanë kaluar. Ata do të kenë çfarë kanë merituar dhe ju do të keni atë që meritoni e nuk do të pyeteni për veprat e tyre.” (El Bekarah: 141).
Refuzime logjike
1. Nëse Jezusi ishte “Zot” ose “Bir” i Zotit, sikurse pretendojnë të krishterët, atëherë pse ai nuk ia doli t’i mposhtte armiqtë e tij, por u dorëzua para tyre?! Jezusi, sipas Biblës, duke qenë në kryq, kërkoi ndihmë nga Zoti. Sikur ai të ishte Zot a do t’i lutej Zotit? Kujt iu lut Jezusi vetes apo Zotit dhe cila është natyra fizike e marrëdhënieve midis Zotit dhe Krishtit?!
Sipas Mateut, Jezusi nuk e di kohën e kataklizmës: “Tani sa për atë ditë dhe
për atë orë, askush s’e di, as engjëjt e qiejve, por vetëm Ati im.” (Mateu 24\36).
Mosdija vërteton të qenit e Jezusit njeri dhe jo të qenit e tij Zot, sepse ajo është atribut njerëzor. Triniteti, sipas të krishterëve, nënkupton se që të tre (Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë) janë Zot. Nëse Biri që është pjesë e trinitetit, sikurse pretendojnë të krishterët, nuk e di të ardhmen atëherë si mund të jetë ai Zot?!
2. Nëse Jezusi është “Biri” i Zotit, atëherë pse Zoti hoqi dorë prej “Birit” të Tij të vetëm?! Jezusi, sipas Mateut, tha “Biri i njeriut” dhe jo “Biri i Zotit”:
“Sikurse është shkruar për të, Biri i njeriut pa tjetër shkon; por mjerë ai njeri me anë të të cilit Biri i njeriut tradhtohet! Për të do të ishte më mirë të mos kishte lindur kurrë.” (Mateu: 26/24).
3. Nëse Zoti, sikurse pretendon krishterizmi, është në trinitet, dmth i përbërë prej 3 personave (Zoti, Biri, Shpirti i Shenjtë), atëherë çfarë ndodhi pas vdekjes së “Birit” gjatë 3 ditëve, mbetën 2 persona, apo 2\3 e Zotit?! Meqenëse Zoti është Absolut dhe i Gjithëfuqishëm si ka mundësi të mishërohet në trupin e një njeriu (Jezusit) dhe të ketë tipare njerëzore, duke u formësuar në mitrën e një gruaje (Marisë/Merjemes a.s.)? Si ka mundësi të lindet, të rritet, të kryejë nevojat fiziologjike si çdo njeri tjetër, të vuajë dhe në fund të gozhdohet në kryq?! Çfarë është ky “Zot”, o njerëz, që keni flakur arsyen dhe logjikën e shëndoshë?!
Dilema që kërkojnë përgjigje
Pretendimi se Zoti e dërgoi ‘Birin’ e Tij në botë, për ta flijuar me vdekje në kryq si shpagim për mëkatin e përhershëm të Adamit dhe për mëkatet e tjera që kryhen nga njerëzit, padyshim se është jo i vërtetë dhe bie ndesh me arsyen e shëndoshë, me drejtësinë dhe mëshirën hyjnore, madje edhe me shumë tekste të përmendura në Bibël:
1. Sikurse dihet, Ademi gabimin e bëri së bashku me bashkëshorten e tij dhe jo me bijtë e tij. Është e çuditshme se si të krishterët ia përshkruajnë Zotit drejtësinë dhe më pas pretendojnë se gabimi i Ademit a.s. përcillet tek pasardhësit e tij, sepse ata paskan trashëguar natyrën e ultë të tij! Vallë a mund të ketë drejtësi në një pretendim të këtillë?!
2. Ademi gaboj dhe u pendua, prandaj cili ishte faji i Jezusit që të kryqëzohej? Falja e mëkateve është mëshirë, ndërkaq kryqëzimi nuk është mëshirë, por ndëshkim dhe dënim. Zoti a nuk mund t’ua falë mëkatet njerëzve pa e flijuar “Birin” e Tij?
3. Pse u desh që të dënohej Jezusi i pafajshëm me vdekje në kryq? Shtrohet pyetja: Cili është raporti mes derdhjes së gjakut të një njeriu dhe faljes së mëkateve të njerëzve të tjerë? A nuk konsiderohet kjo padrejtësi? Çfarë drejtësie dhe çfarë mëshire mund të ketë në ndëshkimin dhe kryqëzimin e një njeriu të mirë dhe të pafajshëm? I miri sakrifikohet dhe gozhdohet në kryq për të këqijat e të tjerëve, kurse njerëzit e këqij, mospërfillës e fajtorë pijnë, dehen e dëfrehen …A ka logjikë dhe drejtësi në këtë!?
Çfarë të themi për një gjykatës i cili një person e dënon me varje në litar ngase tjetri ka ngrënë nga frutat e një peme të ndaluar?
Apo, çfarë të themi për një baba, që për t’ia falur gabimet djemve të tij të këqij u thotë atyre mbyteni vëllanë tuaj të mirë! A nuk është ky një veprim i padrejtë, sepse ai kërkon të mbytet biri i tij i mirë nga të këqijtë, në mënyrë që t’ua falë veprat e liga atyre? Madje, a nuk ka mundësi babai që t’ua falë të këqijat atyre, pa sakrifikuar birin e tij të mirë e të pafajshëm?! Ndëshkimi dhe dënimi i një njeriu të pafajshëm për shkak të fajeve dhe mëkateve të tjerëve, a nuk është kulmi i padrejtësisë?!
4. Nëse ngrënia nga frutat e pemës ishte një veprim i urryer, atëherë cili duhet të ndëshkohet, ai që hëngri prej saj apo një person tjetër, i cili as që e ka parë atë pemë dhe as që i ka shijuar frutat e saj? Adami hëngri nga pema e ndaluar, kurse Jezusi u desh të paguajë me jetën e tij gabimin e Adamit! A ka drejtësi dhe logjikë në këtë?!
5. Në çdo legjislacion, qoftë hyjnor apo tokësor, ndëshkimi duhet të jetë në përputhje me fajin e bërë. Prandaj shtrohet pyetja: a ka pasur përputhje mes “kryqëzimit” të Jezusit dhe gabimit që ka bërë Adami!? Adami hëngri nga pema e ndaluar. Për shkak të ngrënies nga frutat e një peme të ndaluar duhet të kryqëzohet “Biri” i Zotit?
6. Pse nuk u manifestua drejtësia dhe mëshira e Zotit që kur mëkatoi Adami dhe deri te rrëfimi i kryqëzimit? Pse ka lejuar Zoti i drejtë dhe i dashur që njerëzimi të lindte nën intrigat dhe blasfemitë e mallkimit dhe mëkatit dhe që e keqja të dominonte e të përhapej deri në dërgimin e “Birit” të Tij për ta flijuar?!
7. Zoti është i drejtë dhe i mëshirshëm. Prandaj, pse nuk u shfaq drejtësia dhe mëshira e Tij kur “Biri” i Tij po përjetonte pa kurrfarë faji llojet e vuajtjes, dënimit dhe nënçmimit, dhe madje lejoi edhe “kryqëzimin” dhe “gozhdimin” e tij, kur ai po kërkonte prej Tij që ta shpëtonte?!
8. Ku qëndron drejtësia e Zotit nëse një njeri i mirë bart mëkatet e njerëzve të fajshëm dhe të padrejtë, madje edhe mbytet prej njerëzve të liq që të shpaguajë mëkatet e tyre?! A nuk është kjo padrejtësi dhe absurditet.
9. A ka mundësi që njerëzit ta kryqëzojnë Zotin?! A u kryqëzua Jezusi njeri, apo Jezusi “Zot”?! Pse Jezusi “Zot” nuk e informoi Jezusin njeri për atë që do t’i ndodhte atij, meqenëse hyjnorja e di të ardhmen?!
Me të drejtë Ahmed Didat kur debaton me të krishterët thotë: O njerëz, çfarë logjike përdorni ju dhe me çfarë gjuhë flisni ju?!
Sakrifikimi i Jezusit
Sipas Islamit falja e mëkatit nuk e justifikon vdekjen dhe sakrifikimin e Jezusit për të shfajësuar njerëzit nga faji dhe mëkati. Të krishterët mundohen të mbrojnë pretendimin e tyre duke thënë se Jezusi e ka flijuar jetën e tij në mënyrë vullnetare, duke pranuar vdekjen në kryq, që të shpaguajë mëkatet e njerëzve. Ndërkaq ne pyesim: meqenëse Zoti është i Gjithëfuqishëm, a nuk posedon fuqi që t’i falë mëkatet e njerëzve pa e kryqëzuar “Birin” e Tij?
Cila është më afër mendjes dhe logjikës së shëndoshë: ajo që thotë Kurani se Allahu i Gjithëfuqishëm iu përgjigj lutjes së pejgamberit të tij, Jezusit/Isait a.s dhe e shpëtoi atë nga armiqtë e tij:
“…dhe për fjalët e tyre: ‘Ne e vramë Mesihun – Isain, të birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut’. Por, ata as e vranë, as e kryqëzuan, por ashtu u është dukur. Ata që nuk u pajtuan për çështjen e tij, me siguri që gjenden në dyshim për të. Ata nuk kanë ditur kurrgjë për të, por vetëm kanë hamendësuar. Ata, në të vërtetë, nuk e kanë vrarë, por Allahu e ka ngritur pranë Vetes. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.” (En Nisa: 157-158), apo atë që besojnë të krishterët se Zoti lejoi që të gozhdohej ai në kryq?! Madje, cili veprim është më i drejtë dhe më i arsyeshëm: shpëtimi i Jezusit nga ana e Zotit, apo mos shpëtimi dhe lënia që të liqtë dhe të shfrenuarit ta gozhdonin në kryq?!
Nga aspekti historik nuk është e vërtetë se Jezusi ka ardhur për të vdekur vullnetarisht për mëkatet e njerëzve. Të gozhduarit në kryq nuk ishte me dëshirën e Jezusit për shlyerjen e mëkateve të njerëzve, por ishte komplot i organizuar kundër tij: “Sikurse është shkruar për të, Biri i njeriut pa tjetër shkon; por mjerë ai njeri me anë të të cilit Biri i njeriut tradhtohet! Për të do të ishte më mirë të mos kishte lindur kurrë”.(Mateu: 26/24).
Jezusi nuk ishte i lumtur që po kryqëzohej dhe ndihej i trishtuar. Kjo e hedh poshtë doktrinën e “Kryqëzimit për hir të flijimit”. Madje, sipas Mateut, ai u ankua se Zoti hoqi dorë prej tij dhe se nuk e ndihmoi:
“Eli, Eli, lama sabaktani?” . Domethënë: ”Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Mateu: 27/46).
Sikur kryqëzimi të ishte për hir të Zotit si akt flijimi, a do ti ankohej ai Zotit?
Ne lexojmë në Ungjill se vullneti i Jezusit nuk ishte që të vdiste në kryq, madje ai u lut dhe ra në sexhde para Krijuesit:
“Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë (në sexhde A. S.) dhe lutej duke thënë: ”Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti.” (Mateu: 26/39).
Kjo argumenton se ai e ndiente se po i bëhej padrejtësi dhe se nuk kishte ardhur të flijonte veten në kryq që t’i shlyente mëkatet e njerëzve, sikurse pretendojnë të krishterët!
Ai, kur e kuptoi dhe u sigurua se kundërshtarët po i bënin kurthe për ta mbytur dhe për t’ia marrë jetën, sipas Biblës, tha:
“Jezusi u tha atyre: ”Po të ishit bij të Abrahamit, do të bënit veprat e Abrahamit; por ju tani kërkoni të më vrisni mua, që ju kam folur të vërtetën që kam dëgjuar nga Perëndia; Abrahami këtë nuk e bëri.” (Gjoni: 8/40.)
Jezusi, sipas Markut, u thotë nxënësve të vet:
“Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar”. Dhe, si shkoi pak përpara, ra përmbys përtokë (në sexhde A. S.) dhe lutej që, po të ishte e mundur, të largohej prej tij ajo orë. Dhe tha: ”Abba, Atë, çdo gjë për ty është e mundur; largoje prej meje këtë kupë! Por jo atë që dua unë, por atë që do ti!” (Marku: 14/34-36.)
Prandaj, pasi t’i lexojë këto fjalë, cili njeri me mend në kokë mund të pretendojë se Jezusi ka ardhur që ta bëjë kurban veten e tij dhe ta shijojë vdekjen vullnetarisht?
Jezusi, sipas Lukës, kërkoi prej nxënësve të tij që të ballafaqoheshin me kundërshtarët:
“U tha, pra, atyre: ”Po tani, kush ka një trastë le ta marrë me vete, dhe po kështu thesin; dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë rrobën e vet e ta blejë një.” (Luka: 22/36).
Jezusi nuk kishte fuqi dhe forcë që të shpëtonte nga vdekja dhe kërkoi prej Zotit, që ka fuqi absolute, që ta shpëtonte nga vdekja:
“I cili, në ditët e mishit të tij, me klithma të larta dhe me lot, i ofroi lutje dhe urata atij që mund ta shpëtonte nga vdekja …” (Hebrenjve: 5/7).
Prandaj me të drejtë pyesim: pse të krishterët e adhurojnë Jezusin dhe jo Zotin e Plotfuqishëm! ?
Secili është përgjegjës për veprat e tij
Ajo që e besojnë të krishterët, se Jezusi ka vdekur i kryqëzuar si shpagim për mëkatet e njerëzve dhe për mëkatin e trashëguar, është një bindje që i kundërvihet shumë citateve biblike, në të cilat thuhet se çdo njeri bart pasojat e veprës së tij:
“Nuk do të dënohen me vdekje etërit për bijtë e tyre, as do të vriten bijtë për etërit e tyre; secili do të dënohet me vdekje për mëkatin e vet.” (Ligji i përtërirë: 24/16).
“Shpirti që mëkaton do të vdesë, i biri nuk do të mbartë paudhësinë e atit dhe ati nuk do të mbartë paudhësinë e birit; drejtësia e të drejtit do të jetë mbi të, pabesia e të pabesit do të bien mbi të.” (Ezekieli: 18/20).
Sipas Dhiatës së Vjetër, Musa dhe Haruni i thanë Zotit:
“Por ata ranë përmbys me fytyrën për tokë (në sexhde A. S.) dhe thanë: “O Perëndi, Perëndia i frymëve të çdo mishi! Sepse një njeri i vetëm ka mëkatuar, a duhet të zemërohesh ti me të gjithë asamblenë?” (Libri i numrave 16/22).
Falja e mëkateve përmes pendimit
Pretendimi i krishterëve se drejtësia e Zotit kërkon që çdo mëkat domosdo duhet të ketë çmimin e tij (flijim dhe sakrificë) është një pretendim i pavërtetë. Le të lexojmë se çfarë thotë Zoti, sipas disa citateve biblike:
“I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht.” (Libri i Isaisë: 55/7);
“Thotë Zoti, “unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të
ndryshojë rrugën e tij dhe të jetojë; konvertohuni, konvertohuni nga rrugët tuaja të
këqija. Pse vallë duhet të vdisni, o shtëpi e Izraelit?” (Profetësia e Ezekielit: 33/11);
“Në rast se i pabesi largohet nga të gjitha mëkatet që kryente, në rast se respekton të gjitha statutet e mija dhe zbaton barazinë dhe drejtësinë, ai me siguri ka për të jetuar; nuk ka për të vdekur. Asnjë nga shkelje që ka kryer nuk do t’i kujtohet atij; ai do të jetojë për shkak të drejtësisë që zbaton.” (Ezekieli: 18/21-22).
Në këto pasazhe thuhet qartë se falja e mëkateve arrihet përmes pendimit dhe largimit nga veprat e këqija.
Jezusi, sipas Mateut, u mësoi pasuesve të vet se duhet t’i drejtoheshin Zotit me lutjen:
“Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.” (Mateu: 6/12);
“Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve; por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t’ua falë juve gabimet tuaja.” (Mateu: 6/14-15).
Davidi i lutej Zotit, që t’ia falte mëkatet, duke thënë:
“Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot? Por te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje.” (Psalmi: 130/3-4).
Falja që i bëhet një fajtori për paudhësitë e tij, përmes shpagimit me jetë nga një person tjetër, kurrsesi nuk është falje. Jo! Jo! Allahu i fal të gjithë ata që përmirësohen vërtet dhe që heqin dorë nga fajet e tyre dhe pendohen, pa kurrfarë shpagimi nga ndonjë person tjetër. Në qoftë se çdo njeri do të merret në llogari për fjalët dhe veprat e tij, atëherë pse u desh të ndodhte flijimi dhe kryqëzimi, të rridhnin lotët, të derdhej gjaku i flijimit dhe çfarë fituan njerëzit nga gozhdimi i Jezusit?! Mëkatet e njeriut sipas Islamit falen nëpërmjet pendimit të vet mëkatarit dhe veprave të mira të tij dhe jo nëpërmjet mbytjes në kryq të një personi tjetër.
Kjo nuk bie ndesh me drejtësinë e Tij, përkundrazi vetë drejtësia hyjnore e kërkon një gjë të tillë.
Le të shohim madhështinë e Islamit dhe Kur’anit fisnik, ku Allahu i Gjithëmëshirshë m, thotë:
“Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e All-llahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti. Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush.” (Ez Zumer: 53-54);
“Kush bën vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se All-llahu është Falës e Mëshirëplotë. Kush bën gjynah, ai ika ka bërë shpirtit të vet. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” (En Nisa: 110-111).
Shpagimi me vdekjen e të “Birit”, që sipas të krishterëve kërkon Ati, bën që Ati të jetë i etur për gjakderdhje përmes sakrificës së personit të dytë të trinitetit të shenjë të krishterë. Kjo e paraqet Zotin sikur ai kënaqet duke parë vrazhdësisnë e vuajtjeve dhe dënimit të personit të dytë nga triniteti për mëkatet e të tjerëve, gjë që i përshtatet më shumë natyrës së njerëzve primitivë. Kjo kërkesë është e padrejtë dhe e vrazhdë. Kjo padyshim është e papranueshme sepse bie ndesh me besuarit tonë për Zotin si i Gjithfuqishëm dhe si posedues i një dashurie të pakushtëzuar. Kjo bindje ka ardhur prej bindjeve politeiste dhe është rezultat i gjurmëve të idhujtarisë që kanë depërtuar si pasojë e korruptimit në besimin monoteist që kishte sjellë Isai a.s.
Prandaj, të besuarit se Zoti e flijoi “Birin” e Tij – Jezusin, me qëllim që t’ua falte njerëzve mëkatet, nuk është vetëm jomoral, jologjik dhe absurd, por nuk ka bazë as në fjalët e Jezusit. Isa a.s. kur ka thënë se po dënohet për shkak të mëkateve të njerëzve, ai ka patur për qëllim të thotë se, në përpjekjet e tij për t’i nxjerrë njerëzit nga errësirat në dritën e vërtetë, ai i është nënshtruar vuajteve dhe dënimeve si pasojë e hakmarrjes dhe torturave prej njerëzve të liq. Por kjo s’do të thotë se ai kishte ardhur për të vdekur për shkak të mëkateve të tjerëve dhe se vetëm ata që besojnë në derdhjen e gjakut të tij mund të arrijnë faljen e mëkateve!
Jo, Jezusi nuk erdhi që të vdiste për mëkatet e mëkatarëve, përkundrazi, Jezusi erdhi që t’i shpëtonte njerëzit prej mëkateve të tyre me mësimet e tij nëpërmjet devotshmërisë dhe jo duke dhuruar gjakun e tij si shfajësim për mëkatet e njerëzve. Padyshim se, sikur të mos ishte ndihma e Zotit, ai do të mbytej dhe do të vdiste në kryq, jo për mëkatet dhe të ligat e njerëzve, por do të mbytej prej njerëzve të liq e mëkatarë.
Kur erdhi një i ri dhe e pyeti:
“Tani kur po bëhej gati për rrugë, i doli përpara dikush me vrap; u gjunjëzua para tij dhe e pyeti: ”Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?” . Dhe Jezusi i tha: ”Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë. Ti i njeh urdhërimet: ‘Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme. Mos mashtro. Ndero atin tënd dhe nënën tënde’.” (Marku: 10/ 17-19.)
Jezusi nuk i përmendi asgjë pyetësit nga sakrifica dhe derdhja e gjakut nga ana e tij si shfajësim, por i tha të zbatonte urdhërimet, sepse ato janë rruga drejt jetës së pasosur. Prandaj, shpëtimi mund të arrihet përmes besimit te Zoti, largimit nga e keqja dhe bërja e së mirës dhe jo duke e pranuar Jezusin si të mallkuar në një dru dhe duke besuar në derdhjen e gjakut të tij si kompensim për mëkatet e njerëzve. Prandaj, të besuarit në vdekjen e Jezusit si kompensim për mëkatet e njerëzve është i vrazhdë dhe i pakuptim. Mëkati nuk i bën keq Zotit, por e dëmton vetë personin, ashtu sikurse devotshmëria e një njeriu është për të mirën e tij.
Allahu, që posedon drejtësi absolute, thotë:
“Kush zgjedh rrugën e drejtë, e ka për veten e vet e kush i largohet asaj, i largohet në dëm të vetvetes dhe askush nuk e merr të keqen e tjetërkujt. Ne nuk dënojmë asnjë popull, para se të çojmë të dërguar.” (El Isra: 15).
Përfundim
Njeriu mund t’i shlyejë mëkatet, jo me dënimin apo me vdekjen e një njeriu tjetër, qoftë edhe me vetë dëshirën e një njeriu tjetër, por me pendimin e tij personal dhe me largimin e plotë nga veprat e këqija.
Kur mëkatoi, Ademi u pendua, kërkoi falje dhe iu dorëzua plotësisht Allahut. Atij iu fal mëkati plotësisht. Pikërisht për këtë, nuk ka trashëgim të mëkatit të Ademit tek bijtë e tij dhe as nuk është kërkuar vdekja e Jezusit në kryq. Sepse, sikurse u pa, bindja e kompensimit përmes sakrifikimit të jetës së tjetrit është cenim i drejtësisë së Allahut dhe bie ndesh me mëshirën e Tij.
Islami e refuzon trashëgimin e mëkatit dhe e hedh poshtë atë në mënyrë kategorike. Ai ka shpallur botërisht se falja e mëkateve nuk arrihet me sakrifikimin e asnjë njeriu tjetër, qoftë ai vetëm njeri, apo edhe hyjnor.
Kur’ani nuk e vë theksin tek fajësia e njeriut, por tek falja dhe mëshira e Zotit. Muhammedi a.s. ka thënë: “Sikur të mos bënit mëkate, Allahu Mëshirëplotë do t’u zëvendësonte me njerëz të tjerë që do të bënin mëkate dhe do të pendoheshin e Ai do t’i falte.”
Falja arrihet me mirësinë e Allahut, me sinqeritetin dhe durimin tonë gjatë bërjes së veprave të mira dhe përmes përpjekjes për t’u larguar nga veprat e këqia. Në lidhje me këtë, Allahu i madhërishëm thotë:
“… se askush nuk do t’i mbartë gjynahet e tjetrit. Dhe se njeriu do të ketë vetëm atë për të cilën ka punuar; dhe se përpjekjet e tij do të shihen; dhe se do të shpërblehet me shpërblim të plotë.” (En Nexhm: 38-41).
Prandaj, Islami i ka premtuar falje dhe shpëtim çdo njeriu që i beson Allahut dhe bën vepra të mira:
“Vërtet, ata që i përulen Allahut dhe bëjnë vepra të mira, do ta kenë shpërblimin te Zoti i tyre, nuk do të frikësohen e as do të pikëllohen.” (El Bekarah: 112).
“Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” (En Nur: 31)
Literatura:
Për këtë punim është shfrytëzuar shkrimi: Ejne el adlu fi salbil Mesih, shih: http://www.hadielis lam.com
Dr. Muhammed Ali el Havli, Komparacioni mes katër ungjijve, Furkan Ism, Shkup 1423\2002
Ekrem Sarik Çioglu, Historia e Feve, prej fillimit deri sot, Logos-A, Prishtinë, 2007.
Ismail Raxhi el Faruki, Tevhidi, Implikimet e tij për mendimin dhe jetën, Logos-A, Prishtinë 2006.
Sejid Muhammed Nakib El Attas, Islami dhe shekullarizmi, Logos-A, Prishtinë, 2006.
Abdul Wahid Hamid, Islamizmi rruga e natyrshme, Istanbul, botimi i dyti, 1992,
Ungjilli sipas Barnabas, Prishtinë, 1998.
Hatidža Watson: Misionarka prima islam! Istina u srcu, shih: http://www.islambos na.ba
Dr. Mustafa Šahin, Kršćanstvo – Istina o kršćanstvu kroz historiju i vjerovanje, shih:
http://www.scribd. com