Kunderthenia Biblike e Mateut – 13 apo 14 gjenerata?

Kunderthenia Biblike e Mateut – 13 apo 14 gjenerata?

Halil Ibrahimi

Allahu xh.sh. e ka treguar shumë qartë në Kur’an se Fjala e Zotit nuk guxon të përmbajë kundërthënie:

“A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur’anin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej All-llahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie” (Kur’ani, 4:82)

Njësoj është përmendur edhe në ajete të tjera (Kur’ani 18:1, 39:28), kështu që ekzistimi i kundërthënieve në ndonjë libër të konsideruar për të shenjtë automatikisht e bën të ditur se ai libër nuk vjen nga Zoti.
Duke qenë se Bibla u shkrua e u rishkrua nga autorë të ndryshëm, jo të frymëzuar direkt nga Zoti, është e natyrshme që në të gjenden gabime dhe kundërthënie të shumta. Tek Ungjilli sipas Mateut ekziston një kundërthënie e tillë e cila patjetër se nuk ka pasur mundësi që ta ketë për autor Perëndinë. Duke e përshkruar gjenaologjinë e Jezusit, në kapitullin e parë t apo ë Ungjillit sipas Mateut, autori ka bërë një gabim gjatë renditjes së brezave të supozuar si paraardhës të Jezusit.

“Kështu të gjithë brezat nga Abrahami deri te Davidi bëhen katërmbëdhjetë breza, nga Davidi deri te internimi në Babiloni, katërmbëdhjetë breza; dhe nga internimi në Babiloni deri te Krishti, katërmbëdhjetë breza” (Ungjilli sipas Mateut, 1:17)

Autori ka pohuar se janë katërmbëdhjetë breza prej internimit në Babiloni deri tek Jezusi, ndërsa kur shohim brezat e dhënë disa vargje më sipër në kapitullin e parë, vërejmë se në këtë periudhë janë vetëm trembëdhjetë breza. Bazuar në vargjet e kapitullit të parë të Ungjillit sipas Mateut kemi këta breza në të tri periudhat:

Nga Abrahami deri te Davidi katërmbëdhjetë breza
1. Abrahami
2. Isaku
3. Jakobi
4. Juda
5. Faresi
6. Esromi
7. Arami
8. Aminadabi
9. Naasoni
10. Salmoni
11. Boozi
12. Obedi
13. Jeseu
14. Davidi

Mateu 1:2-6

Nga Davidi deri te internimi në Babiloni katërmbëdhjetë breza
1. Salomoni
2. Roboami
3. Abia
4. Asai
5. Jozafati
6. Jorami
7. Ozia
8. Joatami
9. Akazi
10. Ezekia
11. Manaseu
12. Amoni
13. Josia
14. Jekonia

Mateu 1:7-11

Nga internimi deri te Jezusi trembëdhjetë breza
1. Salatieli
2. Zorobabeli
3. Abiudi
4. Eliakimi
5. Azori
6. Sadoku
7. Akimi
8. Eliudi
9. Eleazari
10. Matthani
11. Jakobi
12. Jozefi
13. Jezusi
14. ?????

Mateu 1:12-16

Siç shihet në periudhën e tretë mungon një brez dhe nga të krishterët ka pasur tentime të shumta të pasuksesshme për ta sqaruar këtë kundërthënie biblike. Njëri nga arsyetimet që përsëritet më së shpeshti është se ekzistojnë dy persona të ndryshëm me emër të njëjtë Jekonia. Ky është një arsyetim joserioz sepse nga vargjet e kapitullit të parë të Mateut kuptojmë se nuk kishte ndonjë zbrazëtirë midis brezave duke qenë se gjeneratat janë përmendur në formën “Abrahamit i lindi Isaku, Isakut i lindi Jakobi, Jakobit i lindi Juda…..” e kështu me radhë. Gjithashtu, po të ekzistonte edhe një Jekonia tjetër ai do ta kishte një baba dhe ai baba do ta përbënte një brez i cili pastaj do ta çrregullonte sërish numrin nga 14 breza për secilën nga të tri periudhat sepse me të në njërën nga periudhat do të kishim pesëmbëdhjetë breza. Arsyetimi tjetër ka qenë se Jekonia duhej të numërohej (çuditërisht) dy herë, edhe në periudhën prej Davidit deri te internimi në Babiloni e edhe në periudhën prej internimit në Babiloni deri tek Jezusi, pasi që sipas këtij pohimi Jekonia është përmendur edhe në vargun 7 edhe në atë 11. Mirëpo nuk është dhënë këtu logjika se përse do të duhej bërë kështu kur edhe Salomoni është përmendur dy herë (në vargun 6 dhe 7) dhe ai nuk llogaritet dy herë. Fundja brezi është brez dhe asnjë njeri në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si dy breza. Është mjaft e qartë se autorit të Ungjillit sipas Mateut këtu i është përvjedhur një gabim serioz i cili gjithsesi nuk mund ti atribuohet Perëndisë, sepse Zoti është i përsosur dhe nuk bën gabime të tilla. Pastaj, gjenaologjitë që japin Mateu dhe Luka përveç që nuk përputhen me njëra tjetrën, janë në kundërthënie edhe me gjenaologjitë e Dhiatës së Vjetër. Psh Mateu 1:8 thotë se Jorami ishte ati i Uziahut, ndërsa tek II Mbretërit 8:24 , II Mbretërit 11:2 dhe II Mbretërit 14:1 përmendet se ekzistonin tre breza të tërë midis Joramit dhe Uziahut. Prandaj kush është gabim: Mateu apo autori i Mbretërve? Definitivisht nuk mund të jenë të frymëzuar nga i njëjti person të dy librat.

Ky ishte vetëm një shembull i vogël i kundërthënieve të brendshme biblike, përndryshe të tilla ka me bollëk.

www.islamidhekrishterimi.com