Marsel Cara
Hyrje
Në gjuhët semitike (psh. hebraike, aramaike apo arabe) fjala shpirt (ruah/ruh) mund të mbartë disa kuptime, në varësi të kontekstit: për shembull, mund të kuptohet si frymë që gjallëron një organizëm, apo si një frymëzim – një udhëzim a fuqizim i një krijese për të lëvizur me një qëllim, për të kryer një punë të caktuar, ndonjëherë madje edhe pa dëshirë, vullnet apo vetëdije të plotë.
Në këtë shkrim do të trajtohet një kuptim disi i veçantë i termit shpirt, ai i shpirtit të profecisë i njohur ndryshe edhe si shpirti i shenjtë.
Për këtë qëllim do të analizohen tekste nga traditat judaike, të krishterë dhe islame të cilat hedhin dritë në mënyrë të veçantë mbi dukurinë e frymëzimit profetik (apo zbulesës) që i ndodh një njeriu të zgjedhur për të bërë një punë të veçantë, atë të profetit.
Profetët janë njerëz që hyjnë në historinë e religjioneve (dhe atë botërore), shpesh pa dëshirën e tyre. Ata zgjidhen dhe detyrohen të kryejnë një mision të caktuar, zakonisht të komunikojnë një mesazh të caktuar me besnikëri deri në fund, pavarësisht se kjo detyrë mund t’ua vështirësojë jetën dhe marrëdhëniet me audiencën e tyre.
Në këtë proces, profeti zakonisht kontaktohet nga Zoti, përmes një të dërguari (heb. malak, arab. melek, gr.aggelos, lat.angelus, shqip, engjëll). Ky i dërguar është një shpirt (?), i cili mund të shfaqet përkohësisht në formë njerëzore.
- Tradita Judaike
Në tre seksionet e mëposhtëme, analizohet thelbi i natyrës dhe funksionit të shpirtit të shenjtë, si i dërguar, për të udhëhequr dhe disiplinuar një komunitet besimtarësh; për të komunikuar dhe detyruar persona jashtë këtij komuniteti që të vihen në shërbim të tij edhe kundër interesave të tyre materiale; dhe si bashkëpunëtor i profetëve në procesin e zbulesës. Identifikimi i shpirtit profetik si Engjëlli (anonim) i Zotit në tekstet më të hershme, dhe i quajtur më vonë Gabriel (heb.”njeriu” i Perëndisë) në tekstet dhe traditat jobiblike të mëvonshme, është gradual.
1.1 Engjëlli i Pranisë si Shpirti i Shenjtë
Sipas librit të Eksodit 23:20-22, Zoti cakton një engjëll të autorizuar të flasë në emër të Tij (si zëdhënës), dhe si shenjë të pranisë dhe mbrojtjes së Tij, përgjatë udhëtimit të izraelitëve drejt tokës së premtuar. Edhe pasi Zoti vetë vendos të mos shoqërojë më emigrantët problematikë, engjëlli do ti shoqërojë (Eks.33:2-3).
Në librin e Isaias 63:9-10, ky engjëll i pranisë, identifikohet me shpirtin e shenjtë, një fakt i evidentuar dhe analizuar në detaj nga studiuesi i njohur Charles Gieschen [1].
“(9) Në çdo hidhërim të tyre Ai u hidhërua, dhe engjëlli i pranisë së tij i shpëtoi…
(10) Por ata u rebeluan dhe e trishtuan shpirtin e Tij të shenjtë; prandaj Ai u bë armiku i tyre dhe luftoi kundër tyre”.
1.2. Balami, mallkuesi “me pagesë”dhe profeti “pa dëshirë”
Në librin e Numrave 22:1-6, Balami merret në punë si mallkues ekspert nga mbreti i Moabit i trembur nga emigrimi masiv i izraelitëve në tokat e veta.
Në vend që të mallkojë izraelitët, Balami, kundër interesave të tij të biznesit, detyrohet nga Perëndia (v.18, 38), nëpërmjet të dërguarit (engjëllit, v.35), shpirtit profetik (24:2-4), të profetizojë e bekojë Izraelin.
Në shekullin I e.s., dy figura të njohura të judaizmit, Josef Flavi [2], një hebre romak me formim tradicional farise, dhe Filo i Aleksandrise [3], nje hebre me formim filozofik helenist, në veprat e tyre të mirënjohura, e identifikojnë engjëllin e Zotit me shpirtin profetik pikërisht duke komentuar mbi historinë interesante të Balamit.
1.3 Profetët Apokaliptikë
Në kontekstin e traditës apokaliptike, shpirti profetik mund të shfaqej si engjëlli i Zotit, i dërguar për të frymëzuar profetët, për tu përcjellë atyre udhëzime apo mesazhe verbale dhe vizuale nga Perëndia.
Tek Ezekieli (8:2-4; 40:3-4) shpirti profetik shfaqet si një burrë (i identifikuar si engjëlli Gabriel, në traditën jobiblike në Talmud, Yoma 77a) që i zbulon profetit çfarë duhet ti përcjellë Izraelit.
Tek Zakaria shpirti profetik shfaqet si engjëlli i Zotit që vepron si ndërmjetës/ndërlidhës midis Zotit dhe profetit (1:12-13).
Vetëm në librin e Danielit identifikohet qartësisht shpirti profetik me engjëllin Gabriel që urdhërohet të interpretojë profecitë (4:9; 8:15; 9:22-23) .
- Tradita e Krishterë
Në tre seksionet e mëposhtme, vihet re se si elemente të traditës judaike risillen në një komunitet të ri besimtarësh, ku Shpirti, si engjëll i pranisë së Zotit është prezent (dhe i prezantuar me emër, Gabriel) në momente kyçe si lindja e jo e zakontë e Gjonit dhe Jezusit, dhe si shoqërues i besimtarëve pas largimit të tyre nga “skena”. Gabrieli shihet si frymëzuesi i Moisiut dhe profetëve të mëparshëm. Komuniteti i mëparshëm judaik shihet si kundërshtues i udhëzimeve që vijnë nëpërmjet Shpirtit profetik. Në fakt Jezusi, prijësi i komunitetit të ri akuzohet nga kleri religjioz për bashkëpunim me “princin e djajve” (Marku 3:22) duke e konsideruar bashkëpunëtorin e tij (shpirtin e shenjtë) si një shpirt të papastër (v.29-30).
2.1 Shpirti si Engjëlli i Zotit
Në letrën Hebrenjve 1:6,13 engjëjt janë shpirtra në shërbim të Zotit. Termat engjëll dhe shpirt janë sinonime.
Në komentin e tij mbi Veprat e Apostujve, F. F. Bruce [4] vë në dukje sesi autori nuk bën dallim ontologjik, midis “engjëllit të Zotit” dhe “Shpirtit të Zotit” në historinë e Filipit (8:26, 29, 39). Ndërsa në historinë e centurionit romak Kornel (10:3-5, 19-20) është një “engjëll i shenjtë” ose “Shpirti” që organizon takimin me apostullin Pjetër.
2.2 Gabrieli si Engjëlli i Zotit
Në ungjillin e Llukës 1:19 në tempullin e Jeruzalemit, profetit Zakaria i shfaqet Gabrieli, engjëlli i pranisë së Perëndisë, i dërguar për ti dhënë një mesazh profetik. Gabrieli është engjëlli që dërgohet për të përgëzuar Marien për lindjen e Jezusit (1:26-29).
Në dy mesazhet e Gabrielit, përmendet shpirti i shenjtë si i përfshirë në shtatzanitë e pazakonta të Gjonit dhe Jezusit. Nga konteksti, me rol të shpirtit të shenjtë mund të kuptohet se ngjizjet do bëhen të mundura me ndërhyrjen/fuqinë e Zotit, sipas fjalës/profecisë të përcjellë përmes engjëllit Gabriel. Gjithashtu fëmijët janë të zgjedhur “që në bark” (pa konsensusin e tyre) për të qenë profetë, bashkëpunëtorë të shpirtit të shenjtë. (Interpretimi alternativ, që shpirti i shenjtë hyn në embrionet e grave me barrë dhe rri pasiv derisa ata bëhen burra rreth 30 vjeç, mund të jetë më literal, por edhe më i çuditshëm njëkohësisht. Një precedent biblik i lindjes së pazakontë është ai në Zanafillë 30:22 i Isakut nga Rakela, “Zoti hapi mitrën e saj”, ndërsa i zgjedhjes pa u ngjizur ende është ai i Jeremias 1:5 “përpara se të të formoja në mitër të kam njohur, përpara se të lindje, të kam zgjedhur”).
2.3 Gabrieli si Shpirti i Shenjtë
Sipas J. B. Taylor [5], “në dhjatën e re… (engjëlli i Zotit) shfaqet si Gabrieli në Lluka 1:19, ndërsa nga Veprat 8:26,29 disa kuptojnë një identifikim me Shpirtin e shenjtë”.
Sipas letrës së 2 Pjetrit 1:19, të gjitha profecitë në dhjatën e vjetër (shkrimet hebraike) u ishin komunikuar profetëve nga shpirti i shenjtë.
Profeti më i rëndësishëm hebre, Mosiu i morri profecitë e tij nëpërmjet engjëllit/shpirtit të shenjtë (Veprat 7:37-38,51-53). Sipas traditës së krishterë orthodokse [6] engjëlli që frymëzoi Mosiun të shkruante Ligjin ishte Gabrieli, (më herët i identifikuar tek Danieli si engjëlli/interpretuesi i profecive).
- Tradita islame
Në traditën islame, identifikimi gradual i “shpirtit besnik”, i dërguar për të sjellë me vërtetësi fjalë nga Zoti në zemrën e Profetit, me shpirtin e shenjtë/Xhebrailin është disi i ngjashëm me identifikimin gradual të hasur në traditat judaike. Motivi i armiqësisë ndaj engjëllit të profecisë dhe akuzës së profetit të komunitetit të ri të besimtarëve për bashkëpunim me djajtë është prezent njësoj si në traditat e krishtera. Ndërkohë identifikimi i Gabrielit (Llukan) me “shpirtin Tonë në formë njeriu” (Sure 19:17-19) si përgëzues i Maries, lidh më ngushtë traditën islame me atë të krishterë sesa me atë judaike e cila nuk pranon lindjen e jashtëzakonshme të Jezusit, me anë të fjalës së Zotit,të përcjellë përmes engjëllit.
3.1 Xhebraili, i Dërguar (engjëll), Shpirti i Shenjtë në Kuran
Sipas Kuranit, në një nga suret më të hershme 81:19-25, një i dërguar i nderuar, besnik, i fuqizuar dhe autorizuar nga Zoti përcjell fjalën tek profeti Muhamed. Kjo fjalë nuk është prej djallit të mallkuar (v.25).
Sipas 26:192-194, është shpirti besnik i cili zbret Kuranin nga Zoti i botëve në zemrën e Profetit, në gjuhën arabe. Djajtë as nuk lejohen ti afrohen Kuranit dhe as nuk kanë asnjë mundësi të ndërhyjnë në zbritjen e tij (v.210-212).
Shpirti i shenjtë e ka zbritur prej Zotit zbulesën kuranore. Kjo zbulesë nuk është e mësuar prej njerëzve (v.103).
Ndërsa në suren 2:97, emërohet Xhebraili si engjëlli që ka sjellë, me lejen e Zotit, Kuranin në zemrën e Profetit. Armiqësia ndaj të dërguarve, engjëllit Xhebrail apo njeriut Muhamed, rezulton në armiqësi me vetë Zotin (v.98).
3.2 Xhebraili si Shpirti i Shenjtë në Traditën Profetike
Tradita profetike (hadith) pavarësisht se konsiderohet si e frymëzuar, dallohet nga Kurani, i cili konsiderohet si fjala e drejtëpërdrejtë e Zotit. Shënohet se vetë Profeti udhëzoi besimtarët që fjalët e tij të mos përziheshin me fjalët e Zotit.
Dy thëniet e mëposhtme [7,8] ilustrojnë se si në traditën profetike, Xhebraili dhe shpirti i shenjtë identifikohen si bashkëbiseduesi i Profetit, mbi tema si jeta dhe vdekja:
‘Erdhi Xhebraili dhe më tha: “Muhammed, jeto sa të duash, por do të vdesësh; duaje kë të duash, do të ndahesh prej tyre; puno çfarë të duash, sipas veprave do të shpërblehesh ose dënohesh. Dije mirë që nderi i një besimtari është në lutjen e tij të natës, ndërsa krenaria e tij është në pavarësinë ndaj njerëzve.” ‘
“Shpirti i shenjtë më lajmëroi që asnjë njeri nuk do të vdesë derisa ta përfundojë rizkun dhe exhelin (afatin e caktuar te jetës) e vet. Prandaj kini frikë ndaj Allahut dhe fitojeni jetesën tuaj në mënyrën më të mirë e të ndershme”
Refleksione mbi Dialogun Ndërfetar
Personazhi i rëndësishëm i shpirtit profetik/engjëllit të zbulesës, mbetet një çështje debati midis tre traditave “Abrahamike” të cilat ndajnë besimin në Një Zot që dëshiron të komunikojë me njerëzit, si dhe kur zgjedh Ai Vetë, duke përdorur ndërmjetës midis Tij dhe profetit/komunitetit të besimtarëve.
Debati kryesor konsiston në llojin e trajtimit të ndërmjetësit nga besimtarët. A është ai një shërbyes, një punëtor, njësoj i zgjedhur, i dërguar dhe i detyruar si kolegu i tij njerëzor (profeti) që thjesht bën detyrën që i është urdhëruar? Apo duhet konsideruar si një objekt nderimi, e pse jo adhurimi përkrah Zotit të cilit i shërben me besnikëri?
Në judaizëm mundësia e adhurimit të engjëjve si Gabrieli, është parë nga tradita rabinike si e rrezikshme dhe si cënim i Urdhërimit të Parë për të mos adhuruar përpara (si ndërmjetës) apo përkrah (si partner) Zotit askënd. Edhe tekste problematike si Zanafilla 6 ku flitet për “çunat e Perëndisë” që zbresin (pa lejen e babait) e martohen me çupat e njerëzve (sipas disa studiuesve, një element i huazuar nga kultura politeiste fqinje) interpretohen figurativisht për të shmangur konceptimin e engjëjve si perëndi më të vogla përkrah Perëndisë “baba”.
Në traditën kishtare katolike dhe ortodokse engjëjt si Gabrieli (i cili ka dhe një datë festive në kalendarin liturgjik) janë parë si objekt legjitim adhurimi duke qenë se janë ndërmjetës midis tyre dhe Zotit dhe janë “partnerë” të autorizuar prej Tij për udhëheqjen, mbështetjen dhe shpëtimin e besimtarëve.
Në traditën islame, rikonfirmohet kujdesi që ka judaizmi në lidhje me nderimin e engjëjve. Engjëjt nderohen, sidomos Gabrieli në veçanti si transmetues i Kuranit dhe mësues i profetit/komunitetit, por akte adhurimi si lutja e agjërimi nuk bëhen në nder të tij. Ky kujdes “i tepruar” për monoteizmin, shihet si mëse i natyrshëm në një kontekst pagan ku engjëjt adhuroheshin si bija të Allahut të cilat besohej se afronin lutësin me Zotin, që mendohej si i paarritshëm dhe i largët nga lutjet e drejtpërdrejta (Kuran 39:3; 3:79-80).
Në shekullin IV pas Krishtit, në disa koncile kishtare, shpirti i shenjtë distancohet zyrtarisht nga engjëlli i Zotit (aq më tepër nga emri Gabriel) dhe konsiderohet si perëndi, i barabartë dhe një me Perëndinë “baba”, duke u pasqyruar në ikonografi si pëllumb (kumri) mbi qengjin ose burrin Jezus.
Kjo bëri që në judaizëm shpirti profetik të mos konsiderohej më si një engjëll, për të shmagur (keq)përdorimin e këtij personazhi në debatet me të krishterët trinitarianë.
Ndërsa në islam retorika antitrinitariane dhe ikonoklaste, është akoma dominante, duke bërë që dialogu mes traditave të mbetet shpesh në udhëkryq, pavarësisht nga përpjekjet globale për dialog, që duket se kanë zëvendësuar misionet prozelituese të shekujve të mëparshëm.
Shënime
[1] C.A. Gieschen (1998) Angelomorphic Christology: antecedents and early evidence. fq.117-118 [2] Josephus, Ant. 4.108. [3] Philo, Vita 1.269-279. [4] F.F. Bruce (1988) The Book of Acts (2nd edition, rev.) Wm. B. Eerdmans Publishing. [5] J. B. Taylor (2004) Angel of the Lord. New Bible Dictionary, 3rd edition. F.F. Bruce et al. (eds.) Intervarsity Press, USA [6]https://www.oca.org/saints/lives/2013/03/26/100886-synaxis-of-the-archangel-gabriel [7, 8] Taberani & Ibn Hiban.