Muhamedi – Profeti i Paqes

Muhamedi – Profeti i Paqes

Lindja e diellit në shkretëtirën shpirtërore

 

Sipas historianëve, Muhamedi ka lindur në shkretëtirën e Arabisë më 20 Prill 571. Muhamed do të thotë “I lavdëruar”. Për mua ai është nga mendjet më të mëdha të bijve të Arabisë. Ai qëndron shumë më lart nga të gjithë poetët dhe mbretërit që erdhën para tij në shkretëtirën e pakapërcyeshme me rërë të kuqe.

Kur ai erdhi, Arabia qe një copë shkretëtire, një asgjë. Nga kjo asgjë lindi një botë krejt e re prej Muhamedit – një jetë e re, një kulturë e re, një qytetërim i ri, një mbretëri e re që u shtri nga Maroku në Indi dhe influencoi mendimet e tri kontinenteve: Azi, Afrikë dhe Evropë. Kur mendova të shkruaj mbi Muhamedin si profet, hezitova pak, sepse do të shkruaja rreth një feje ndjekës i së cilës nuk jam, dhe është një çështje tejet delikate edhe sepse ka shumë njerëz që edhe brenda një feje u përkasin shkollave të ndryshme. Megjithëse shpesh thuhet se feja është tejet personale, nuk mund të mos pranohet se ka një tendencë për të përfshirë tërë universin që shihet dhe atë që nuk shihet. Në një mënyrë ose në një tjetër, na vesh zemrën, shpirtin, mendjen në nivele të koshiencës dhe subkoshiencës. Problemi merr rëndësi tejet të madhe kur ka një bindshmëri të thellë se e shkuara jonë, e tashmja dhe e ardhmja varen të tëra në një fije peri. Nëse ne jemi shumë të ndjeshëm, atëherë qendra e gravitetit do të jetë në gjendje tensioni të tejskajshëm. E parë nga ky këndvështrim, sa më pak të flitet mbi fenë tjetër, aq më mirë është. Le të jenë fetë të fshehura thellë në zemrat tona e të fortifikuara prej vulosjes së buzëve tona.

Mirëpo ka një problem. Njeriu jeton në shoqëri. Dashur ose padashur, drejtpërdrejt ose jo, jetët tona janë të lidhura me ato të të tjerëve. Ne hamë ushqimin që rritet në të njëjtin dhè, pimë ujë nga i njëjti krua dhe thithim të njëjtin ajër. Edhe duke mbajtur fort këndvështrimet tona, do të ishte lehtësuese nëse përpiqemi t’i përshtatemi ambientit përrreth, sigurisht kjo nëse e dimë se në ç’drejtim lëviz mendja e fqinjit dhe cilat janë arsyet e veprimeve të tij.

Për më tepër, mendimet tona nuk janë aq të shpërndara, sa duken në sipërfaqe. Ato kristalizohen rreth pak bërthamave në formën e feve botërore dhe motivojnë jetët e milionave që jetojnë në këtë tokën tonë. Është detyra jonë, sigurisht nëse ne duam të jemi qytetarë të botës, të përpiqemi paksa të njohim besimet e mëdha dhe sistemet e filozofisë që kanë udhëhequr njerëzimin.

 

Ai u keqkuptua

 

Me gjithë këto shënime paraprake, duhet ditur gjithashtu se është shumë i butë e rrëshqitës dheu nën këmbët e çështjeve të këtij lloji, ku ka një konflikt konstant midis intelektit dhe emocioneve. Megjithatë, nga ana tjetër nuk është dhe aq komplekse. Tema e shkrimit tim është mbi nje fe që është historike siç është personalitet historik profeti i saj.

Edhe një kritik i egër si sir William Muir, kur vjen fjala për Kur’anin e shenjtë, e thotë këtë: “Nuk ka në botë asnjë libër tjetër që ka mbetur kaq i pastër në tekst për dymbëdhjetë shekuj”. Unë mund të shtoj dhe më, Profeti Muhamed është gjithashtu një personalitet historik, jeta e të cilit është shënuar në detajin më të vogël dhe është ruajtur. Jeta dhe vepra e tij janë të njohura e aspak të mbështjella nga misteri.

Puna ime sot është më e lehtësuar nga fakti se kanë shkuar ato ditë kur Islami keqinterpretohej nga disa kritikë për arsye politike. Prof. Bevan shkruan tek “Historia e Mesjetës”, Cambridge: “Ato shkrime që janë botuar mbi Muhamedin dhe Islamin në Evropë në fillim të shekullit të 19-të, tanimë shihen vetëm si kuriozitete artistike”. Është më e lehtë për mua të shkruaj tani, sepse në përgjithësi nuk ushqehemi më me këtë lloj historie që e keqinterpreton me kast Islamin. Teoria e Islamit dhe Shpatës, për shembull, nuk dëgjohet më aq shpesh në qarqe vërtet të vlefshme e me emër. Principi i Islamit se nuk ka detyrim në fe, është shumë i njohur. Gibbon, një historian me reputacion botëror, citon: “Një detyrë e rëndësishme u është vënë muhamedanëve, detyra e çrrënjosjes së feve të tjera, me shpatë”. “Kjo akuzë është e bazuar mbi injorancë dhe mashtrim,- thotë ky historian i mirënjohur,- dhe hidhet poshtë nga Kur’an-i, nga historia e pushtimeve muslimane dhe nga toleranca e tyre legale e publike ndaj adhurimit kristian. Suksesi i jetës së Muhamedit qëndron në faktin se gjithçka është arritur, është arritur thjesht mbi forcën e moralit, pa goditjen e shpatës”. Por në vetëmbrojtje, pasi kishin dështuar përpjekjet e përsëritura për paqe, rrethanat e tërhoqën Muhamedin në fushë të betejës. Numri i të vrarëve në të gjitha luftërat që ndodhën në Gadishullin Arabik gjatë jetës së tij, nuk është më shumë se disa qindra.

 

Ai ishte madhështor

 

Por edhe në fushë të betejës ai i mësoi barbarët arabë t’i luten, jo individualisht, por të gjithë bashkë Zotit të Gjithëpushtetshëm. Gjatë stuhive të rërës, kur vinte koha e faljes (dhe vinte pesë herë në ditë), falja nuk shtyhej qoftë edhe sikur të ishin në fushë të betejës. Një pjesë luteshin dhe pjesa tjetër luftonte. Pastaj ndërronin rolet. Për arabët, të cilët do të luftonin për 40 vjet me një provokim të lehtë p.sh. pse një Gamilja (devja) e një fisi po hante bar në tokën e një fisi tjetër e për këtë do të luftonin duke lënë 70.000 të vrarë; duke kërcënuar zhdukjen e fiseve; arabëve kaq të egër, Profeti i Islamit u mësoi vetëkontrollin dhe disiplinën në atë farë pike, sa të arrinin e të luteshin në mes të fushës së betejës. Në një barbarizëm të tillë, u arrit të humanizohej vetë fusha e betejës, saqë jepeshin instruksione për të mos mashtruar, për të mos thyer besimin, për të dëmtuar sa më pak, për të mos vrarë gratë, fëmijët apo pleqtë, për të mos rrëzuar qoftë edhe një pemë hurmash arabie e për të mos djegur, për të mos prerë një pemë frutore, për të mos shqetësuar askënd që është në çastin e faljes. Trajtimi që ai u ka bërë armiqve të vet më të egër, është shembulli më fisnik për ndjekësit e tij. Gjatë pushtimit të Mekës, ai qe në kulmin e pushtetit të tij.Qyteti që nuk kish dashur t’ia dinte për predikimet e tij, që kishte torturuar ndjekësit e tij, që e kishte dëbuar dhe detyruar të mërgonte bashkë me popullin e vet dhe që e kishte persekutuar dhe bojkotuar edhe në vendin ku ai kishte mërguar rreth 200 milja larg, tashmë shtrihej nën këmbët e tij. Sipas ligjeve të luftës, ai mund të ishte hakmarrë me të drejtë për të gjitha mizoritë që kishte hequr ai dhe njerëzit e tij. Por çfarë trajtimi u dha ai atyre? Zemra e Muhamedit ishte plot me dashuri dhe ai deklaroi: “Në këtë ditë nuk ka HAKMARRJE ndaj jush dhe ju jeni të gjithë të lirë.” “Sot” deklaroi ai, “Unë i shkel me këmbë të gjitha dallimet mes njeriut dhe njeriut, të gjitha urrejtjet mes njeriut dhe njeriut.” Kjo qe një nga arsyet pse ai e lejoi luftën për vetëmbrojtje, dhe kjo arsye qe bashkimi i njerëzve. Në çastin që kjo u arrit, edhe armiqtë e tij më të egër u falën. Edhe ata që vranë xhaxhanë e tij të dashur Hamza, që luajtën me trupin e tij, që e shqyen dhe i hëngrën mëlçinë të gjallë, edhe ata u falën.

Principet e vëllazërisë universale dhe doktrinës së barazisë së njerëzve që ai shpalli, përfaqësojnë një kontribut shumë të madh të Muhamedit në ngritjen shoqërore të njerëzimit. Të gjitha fetë e mëdha kanë predikuar të njëjtën doktrinë, porse profeti i Islamit e vuri këtë teori në praktikë, dhe vlera e saj do të vazhdojë të njihet, edhe ndoshta në shekujt që do të vijnë, kur ndërgjegjja ndërkombëtare të zgjohet, paragjykimet raciale të mund të zhduken dhe të ekzistojë vëllazërimi mes njerëzve. Zonja Sarojini Naidu, duke folur mbi këtë aspekt të Islamit, thotë: “Ishte feja e parë që predikoi dhe praktikoi demokracinë, sepse në xhami, kur fillon kënga në minare dhe besimtarët mblidhen bashkë, demokracia e Islamit vihet re të paktën pesë herë në ditë, ku fshatari dhe mbreti bien në gjunjë krah për krahu dhe thonë, Zoti është më i madhi.” Poetesha e madhe indiane thote “Më ka bërë jashtë mase përshtypje ky lloj bashkimi në Islam, që një njeri e bën instiktivisht vëllanë tënd. Kur takon një egjiptian, një algjerian, një indian apo një turk në Londër, nuk ka rëndësi fakti që India është atdheu i njërit dhe Algjeria është atdheu i tjetrit.”

Mahatma Gandhi, në stilin e tij të papërsëritshëm thotë: “Disa kanë thënë së evropianët në Afrikën e Jugut tmerrohen prej përparimit të Islamit — të të njëjtit Islam që civilizoi Spanjën, të njëjtit Islam që ndriçoi Marokun, dhe që i predikoi botës Gospelin e vëllazërimit. Evropianët e Afrikës së Jugut tmerrohen prej përparimit të Islamit. Le të tmerrohen nëse vëllazëria është mëkat! Sepse kur vihet në dyshim barazia e racave me ngjyrë, atëherë tmerri i tyre është i justifikuar!” Çdo vit gjatë Haxhit, bota merr dëshminë e spektaklit të mrekullueshëm ndërkombëtar të Islamit në shkeljen me këmbë të çdo dallimi race, ngjyre dhe rangu. Jo vetëm evropianët, por edhe afrikanët, arabët, persianët, indianët, kinezët, të gjithë takohen bashkë në Medinë si anëtarë të një familjeje të madhe hyjnore, të veshur në një veshje të bardhë prej dy copash, një rreth belit dhe një rreth shpatullave, duke përsëritur: “Këtu jam, O Zot; nën pushtetin Tënd; Je Një dhe I vetëm; Këtu jam!” Asgjë nuk e dallon të lartin nga i ulëti dhe çdo pelegrin e merr me vete ndjenjën e Kuptimit Ndërkombëtar në Islam. Sipas Prof. Hurgronje, “lidhja e kombeve, themeluar nga profeti i Islamit, vuri principin e unitetit ndërkombëtar dhe vëllazërimit njerëzor mbi baza kaq universale që të shkëlqente si qiri mbi kombet e tjera.” Sipas fjalëve të të njëtit profesor, “e vërteta është që asnjë komb në botë nuk mund të gjejë një diçka të ngjashme që të krahasohet me Islamin në atë që ka bërë Islami për realizimin e idesë së Lidhjes së Kombeve”. Profeti i Islamit solli MBRETËRIMIN e demokracisë në formën e vet më të mirë. Kalifi Ali, dhëndri i Profetit, kalifi Mansur Abbass, bir i kalifit Mamun si dhe shumë kalifë të tjerë ishin të detyruar të paraqiteshin para gjykatësit si njerëz të zakonshëm në gjyqet islame.

Edhe sot ne e dimë se si trajtohen zezakët nga racat e bardha e të civilizuara. Kujtoni atëherë gjendjen e Bilalit, skllavit zezak në ditët e Profetit të Islamit rreth 14 shekuj më parë. Detyra për të thirrur besimtarët në lutje, detyrë kjo që kishte një status të lartë në ato kohë të Islamit, iu ofrua pikërisht këtij skllavi zezak. Pas pushtimit të Mekës, Profeti e urdhëroi atë të thërriste besimtarët në lutje dhe skllavi zezak u ngjit mbi çatinë e xhamisë së shenjtë të Mekës, që quhej Ka’ba, xhamisë më të shenjtë në Botën Islame.

Disa arabë krenarë, thirrën: “Oh ky skllavi zezak…qoftë i mallkuar!. Ai qëndron mbi çatinë e Ka’bës së shenjtë dhe që andej thërret për lutje!” Në atë çast, profeti i lajmëroi botës këtë verset të Kur’an-it të shenjtë për herë të parë. “O njerëz, patjetër Ne ju krijuam ju, familjet dhe fiset tuaja, kështu që ju të njihni njëri-tjetrin. Sigurisht më i nderuari njeri përpara Zotit është MË FISNIKU NDËR ju. Sigurisht Zoti është i Gjithëdijshëm”. Dhe këto fjalë të Kur’anit të shenjtë krijuan një transformim kaq të madh, saqë kalifi i Islamit, arab i pastër nga lindja, i ofroi dorën e vajzës së vet për grua këtij skllavi zezak dhe, kurdo që Kalifi i dytë i Islamit, i njohur në histori si Omeri i Madh, komandant i besimtarëve, kurdo që ai e takonte këtë skllav zezak, e priste me fjalën “Zotëri”.

 

Kur’ani që na u dha përmes tij e çliroi njerëzimin

 

Shikoni ç’ndryshim u solli Kur’an-i arabëve, këtij kombi ndër më krenarët e botës në ato kohë. Ja pse Gëte (Goethe), më i madhi i poetëve gjermanë, kur flet për Kur’an-in e shenjtë, thotë: “Ky libër do të vazhdojë të ushtrojë influencë të madhe mbi të gjitha epokat”. Kjo gjithashtu është arsyeja pse Xhorgj Bernar Shau (George Bernard Shaw) thotë: “Nëse ndonjë fe mund të drejtojë Anglinë dhe Evropën, të themi në 100 vjet, kjo fe është Islami”.

Është po ky shpirt demokratik i Islamit që emancipoi gratë nga shtypja e burrave. Sir Charles Edward Archibald Hamilton thotë: “Islami mëson që burri dhe gruaja kanë ardhur nga e njëjta esencë, kanë të njëjtin shpirt dhe të njëjtat aftësi për arritje intelektuale, shpirtërore dhe morale të njëjta.”

Arabët kanë pasur një traditë shumë të fortë të tipit “ka të drejtë trashëgimie ai që mban shpatën”. Por Islami erdhi si mbrojtës i femrave duke u dhënë grave të drejtën për të trashëguar. U dha grave shekuj më parë të drejtën për të qenë pronare dhe për të pasur pasuri të vetën, ndërkohë që vetëm 12 shekuj më vonë, më 1881, Anglia që mbahet si djep i demokracisë, adoptoi këtë institucion të Islamit që u quajt “the married women act”, kur shekuj më parë Profeti i Islamit kishte deklaruar: “Gratë janë gjysma binjake e burrave. Të drejtat e grave janë të shenjta. Kujdesuni që të ruhen këto të drejta të grave që u janë dhënë atyre.”

Islami nuk merret drejtpërdrejt me sisteme ekonomike e politike, por në mënyrë indirekte, aty ku politika dhe çështjet ekonomike influencojnë sjelljen e individit, paraqet disa principe shumë të rëndësishme për të drejtuar jetën ekonomike. Sipas Prof. Massingon, mban një barazpeshë që të mos ketë dy ekstreme dhe ka gjithmonë parasysh që të ndërtojë një karakter që qëndron në bazën e civilizimit. Kjo sigurohet nga ligjet e trashëgimisë, nga një sistem i organizuar i bamirësisë i njohur si Zekat, dhe duke konsideruar ilegale të gjitha praktikat antisociale në fushën e ekonomisë si monopolet, kamatat, sigurimi i parave pa u fituar drejtpërdrejt dhe krijimet e çdolloj veprimtarie që ka si synim rritjen artificiale të çmimeve. Lojërat e fatit janë ilegale. Konsiderohet virtyt dhe mirësi e madhe, shumë i lavdërueshëm, kontributi në ndërtimin e shkollave, të vendeve të adhurimit, spitaleve, hapja e puseve, hapja e jetimoreve. Jetimoret janë shfaqur për herë të parë nën mësimet e Profetit të Islamit. Bota i detyrohet për konceptin e jetimores pikërisht Muhamedit, i cili dhe vetë ishte jetim. Carlyle thotë për Muhamedin: “Është zëri i humanizmit, mëshirës dhe barazisë që qëndron në zemrën e këtij biri të natyrës, që flet”. Një historian thoshte, një njeri i madh gjykohet i tillë nga tri prova (duhet të plotësojë tri kritere për të qenë i madh): A është gjykuar ai i drejtë dhe virtuoz nga bashkëkohësit e vet? A ka qenë aq i madh sa të ngrihej mbi standardet e epokës së vet? A i ka lënë ndonjë gjë testament botës mbarë? Lista mund të shtohet edhe më, por që të tri këto prova madhështie plotësohen nga Muhamedi në shkallën më të lartë. Disa ilustrime të dy të parave janë dhënë më lart.

 

Muhamedi kishte një karakter fisnik

 

E para është: A është gjykuar Profeti i Islamit i drejtë dhe virtuoz nga bashkëkohësit e vet? Shënimet historike tregojnë se të gjithë bashkëkohësit e Muhamedit, miq dhe armiq, i njohën cilësitë e tij, ndershmërinë e pakundërshtueshme, virtytet fisnike, sinqeritetin absolut dhe çdolloj mirëbesimi kundrejt Profetit të Islamit në gjithë rrugët e jetës e në çdo sferë të aktivitetit njerëzor. Edhe hebrenjtë që nuk besuan mesazhin e tij, e merrnin atë si gjykatës në zënkat e tyre për shkak të paanshmërisë së tij absolute. Edhe ata që nuk besuan në mesazhin e tij, u detyruan të thoshin: “O Muhamed, ne nuk të themi gënjeshtar ty, por ne mohojmë atë që të ka dhënë ty këtë libër dhe që të ka frymëzuar ty këtë mesazh.” Ata mendonin se ishte një i pushtuar nga djalli. Ata përdorën dhunën për ta shëruar. Por më të mirët ndër ta e panë që një dritë e re po lindte, dhe shpejtuan tek ai për të kërkuar ndriçimin. Është një tipar i dukshëm i historisë së Profetit të Islamit që kushëriri i tij i dashur dhe miq të tij që e njihnin shumë nga afër nuk ishin të bindur fillimisht me të vërtetën e misionit të tij dhe iu desh të bindeshin më vonë me vërtetësinë e frymëzimit të tij hyjnor. Nëse këta burra dhe gra, fisnikë, inteligjentë, të mësuar dhe të lidhur në mënyrë intime me jetën e tij private, do të kishin ndierë edhe shenjën më të vogël të mashtrimit ose mungesës së besimit tek ai, shpresa morale e Muhamedit për rigjenerim, rizgjim shpirtëror dhe reforma sociale do të qe kthyer në një dështim të plotë dhe do të qe ndarë dysh që në çastin e parë. Mirëpo, në gjejmë devocion të tillë në ndjekësit e tij, që ai në mënyrë vullnetare u zgjodh si diktues i jetëve të tyre. Ata e mbështetën në persekutim dhe rrezik, e besuan, e nderuan dhe iu bindën edhe në torturën më të thellë dhe agoninë më të madhe shpirtërore që shkakton dënimi me vdekje. A do të kishte pasur mundësi të ndodhte kështu sikur ata të kishin pasur dyshimin më të vogël në udhëheqësin e tyre? Lexoni historinë e të konvertuarve të parë në Islam, dhe çdo zemër do të shkrihej nga mënyra e egër e brutale e trajtimit të muslimanëve të pafajshëm, burra dhe gra. Sumayya, një grua e pafajshme, është ndarë në dy pjesë me hanxhar. Nje shembull është edhe “Yassir, këmbët e të cilit u lidhën njëra në një deve dhe tjetra në një tjetër, e kafshët u yshtën të vraponin në drejtime të kundërta”. Khabbab bin Arth e shtrinë mbi një shtrat qymyri të ndezur me kembët e tiranëve të tij mbi gjoks që ai të mos lëvizte e të shkriheshin edhe dhjamrat nën lëkurën e tij.

“Khabban bin Arth vritet pastaj në mënyrën më mizore duke i prerë gjymtyrët e pastaj duke i prerë mishin copa-copa. Në mes të torturës, atë e pyesnin se a nuk do të donte ai në atë çast Muhamedin dhe familjen e tij mes atyre torturave. I torturuari ulëriu se ai përgatitej me lumturi të sakrifikonte veten e tij, familjen e tij, fëmijët e tij… po pse këta bijë dhe bija të Islamit jo vetëm iu dorëzuan profetit të tyre fizikisht, por i dhuruan atij zemrat dhe shpirtrat e tyre? A nuk është besimi i madh dhe bindja e ndjekësve të afërt të Muhamedit dëshmia më fisnike e sinqeritetit të tij dhe përkushtimit të tij në detyrën që kishte marrë përsipër? Këta njerëz nuk kishin një kalibër mendor inferior ose jonormal. Rreth tij, që në fillim, u mblodhën ç’ishin më të mirë e fisnikë në Mekë, lulja dhe ajka e Mekës, njerëz me pozitë, rang, pasuri dhe kulturë, dhe nga fisi i vet të gjithë ata që ia njohën jetën.Të katër Kalifët e parë, me personalitetet e tyre të larta, qenë të konvertuar në atë periudhë. Encyclopedia Brittanica thotë që “Muhamedi është më i suksesshmi nga të gjithë Profetët dhe personalitetet fetare”. Por ky sukses nuk qe aksidental. Nuk qe thjesht fat. Ishte njohja e faktit nga bashkëkohësit e vet se Muhamedi ishte i vërtetë. Ishte rezultati i personalitetit të tij shumë të admirueshëm. Personaliteti i Muhamedit! Është e vështirë të kapësh të vërtetën aty. Vetëm një shkëndijë arrij të kap. Çfarë vazhdimësie skenash piktoreske. Është Muhamedi Profet, Muhamedi Gjeneral, Muhamedi Mbret, Muhamedi Luftëtar, Muhamedi Afarist, Muhamedi Predikues, Muhamedi Filozof, Muhamedi Burrë Shteti, Muhamedi Orator, Muhamedi Reformator, Muhamedi Përkujdesës për Jetimët, Muhamedi Mbrojtësi i Skllevërve, Muhamedi Emancipues i Grave, Muhamedi Ligjvënës, Muhamedi Gjykatës, Muhamedi Shenjtor. Dhe në gjithë këto role të mrekullueshme, ne gjithe keto ndarje te aktiviteteve njerëzore, ai është si një hero…

 

 

Të qenë jetim është gjendja ekstreme e pashpresë, dhe jeta e tij mbi tokë filloi me këtë gjendje; Mbretërimi është kulmi i fuqisë materiale, dhe jeta e tij mbaroi pikërisht me këtë. Nga jetim, refugjat i persekutuar, ai u bë një zotërues shpirtëror që pati sukses në kohë si dhe Arbitër fatesh i mbarë një kombi, që pati gjyqet dhe tundimet e veta, veset dhe ndryshimet, dritat dhe hijet, ngjitjet dhe dishezat, terrorin dhe shkëlqimin; ai ka ndenjur në zjarrin e botës dhe ka dalë pa iu prekur një fije floku për të shërbyer si model në çdo fushë të jetës. Arritjet e tij nuk janë të kufizuara vetëm në një aspekt të jetës, por mbulojnë të gjithë fushën e arritjeve njerëzore. Nëse, për shembull, madhështia qendron në ndriçimin e një kombi barbar në errësirë të plotë morale, personaliteti dinamik që e ka transformuar, rafinuar dhe ngritur një komb të tërë të rënë aq poshtë sa ç’kishin rënë arabët, dhe që i bëri ata pishtarëmbajtësit e civilizimit dhe mësimit, ka çdo lloj të drejte për t’u quajtur madhështor. Nëse madhështia qëndron në bashkimin e elementeve të shoqërisë që nuk bien dakord me njëri-tjetrin, duke i lidhur ato në vëllazërim dhe mëshirë, profetit të shkretëtirës i përket ky titull. Nëse madhështia konsiston në reformimin e njerëzve të degraduar nga supersticionet e verbra dhe praktika të të gjitha llojeve, profeti i Islamit fshiu çdo praktikë të këtij lloji, supersticionet dhe frikën irracionale nga zemra e miliona njerëzve. Nëse madhështia qëndron në moralin e pastër, Muhamedi është pranuar nga miq e armiq si Al Amin ose I Besuari. Nëse konkuistadori është një njeri i madh, atëherë ja ku kemi një njeri që u ngrit nga një jetim i pashpresë në udhëheqësin e Arabisë, i barabartë me Cezarin. Nëse devocioni që një udhëheqës ka, është kriter i madhështisë, emri i profetit akoma edhe sot ushtron një sharm magjik mbi miliona shpirtra në gjithë botën. Ai nuk kishte studjuar filozofi në shkollat e Athinës, Romës, Persisë, Indisë apo Kinës. Megjithatë, ai mundi të shpallte të vërtetat më të larta me vlerë të përjetshme të njerëzimit. Megjithëse analfabet, ai mund të fliste me një elokuencë dhe zjarr të tillë që i prekte njerëzit deri në lot ekstaze. I lindur jetim dhe jo i bekuar me të mira materiale, ai ishte i dashur prej të gjithëve. Ai nuk kishte studiuar në akademi ushtarake; megjithatë mundi të organizonte forcat kundër ushtrive shumë më të mëdha dhe të korrte fitore nëpërmjet forcës morale. Njerëzit e talentuar me dhuntinë e predikimit janë të rrallë. Hitleri në “Mein Kampt” ka thënë: “Një teoricien i madh nuk është shpesh një udhëheqës i madh. Ai do të jetë gjithmonë një udhëheqës i madh. Sepse udhëheqje do të thotë aftësi për të lëvizur masa të mëdha njerëzish. Talenti për të prodhuar ide nuk ka asgjë të përbashkët me aftësinë për të udhëhequr.” “Por”, thotë ai, “Bashkimi i teoricienit, organizuesit dhe udhëheqësit në një njeri, është fenomeni më i rrallë në këtë botë. Aty qëndron madhështia.” Në personalitetin e Profetit të Islamit, bota ka parë fenomenin më të rrallë të botës të ecte mbi fytyrë të dheut. Dhe akoma më e mrekullueshme është çfarë reverendi Boswarth Smith thotë: “Kryetar Shteti ashtu si edhe Kisha, ai ishte Cezari dhe Papa në një njeri të vetëm; por ai ishte papë pa pretendimet e papës dhe Cezar pa legjionet e Cezarit, pa një ushtri të qëndrueshme, pa as edhe një rojë, pa pallat, pa të ardhura fikse. Nëse ndonjëherë ndonjë njeri ka të drejtën të thotë se ka udhëhequr prej së drejtës hyjnore, Ky ishte Muhamedi, sepse ai kishte të gjithë pushtetin pa pasur mjetet që e ruajnë atë.

 

Muhamedi përherë mbeti një njeri i thjeshtë

 

Për të nuk kishin rëndësi pamja apo shenjat e pushtetit. Thjeshtësia e jetës së tij private shkonte krah për krahu me atë të jetës së tij publike.” Pas rënies së Mekës, megjithëse më shumë se një milion mila katrorë ranë ndër këmbët e tij dhe ai u bë i Pari i Arabisë, Muhamedi i arnonte vetë këpucët dhe veshjet e tij, milte dhitë, fshinte vatrën, kujdesej për zjarrin dhe bënte punë shtëpie. I gjithë qyteti i Mekës ku ai jetonte, u pasurua nga fundi i jetës së tij. Kudo kishte flori dhe argjend e në ato ditë prosperiteti, shumë javë kalonin pa zjarr në vatrën e mbretit të Arabisë, ndërkohë që ushqimet e tij të vetme qenë hurmat e Arabisë dhe uji. Nuk qenë të rralla netët kur familja e tij binte për të fjetur pa ngrënë. Ai nuk flinte në ndonjë shtrat të butë, por në një dyshek palmash pas një dite të gjatë e të lodhshme, duke e kaluar tërë natën në lutje e shpesh duke shpërthyer në lot përpara Krijuesit të tij për t’i dhënë atij forcën për të kryer detyrimet e veta. Ditën e vdekjes së tij, pasuria e tij e vetme qenë disa monedha, një pjesë e të cilave shkuan për të paguar një borxh, dhe pjesa tjetër iu dha një nevojtari që erdhi në shtëpinë e tij për të lypur. Rrobat në të cilat ai mori frymë për herë të fundit, kishin shumë arna. Shtëpia nga ku drita ishte shpërndarë në tërë botën, qe zhytur në errësirë, se nuk kishte vaj në llambë.

Rrethanat ndryshonin, por Profeti i Zotit jo. Në fitore apo humbje, në pushtet a në vështirësi, ai qe i njëjti njeri, dhe shpaloste të njëjtin karakter. Si të gjitha rrugët dhe ligjet e Zotit, profetët e Zotit janë të pandryshueshëm deri në fund. Një njeri i ndershëm, siç thotë populli, është vepra më fisnike e Zotit, Muhamedi qe më shumë se i ndershëm. Ai ishte human deri në palcë. Dashuria njerëzore dhe mëshira qenë muzika e shpirtit të tij. Të shërbesh njeriun, të lartësosh njeriun, të edukosh njeriun, me një fjalë të humanizosh njeriun – ky ishte objekti i misionit të tij, arsyeja e ekzistencës së tij deri në fund. Në mendime, në fjalë e në vepra, frymëzim të vetëm dhe pranim udhëheqës ai kishte vetëm të mirën e njerëzimit. Ai iu dha me vetëmohim kësaj çështjeje.

 

Cilët qenë titujt që mori ai?
 

– Vetëm shërbëtor i vërtetë i Zotit dhe i Dërguar i Tij.

– Shërbëtor, para e më pas i Dërguar.

– Një i Dërguar e një Profet si shumë të tjerë në shumë pjesë të botës, disa të njohur prej jush e shumë të panjohur. Nëse dikush nuk beson këto të vërteta, pushon së qeni musliman. Se ky është një akt besimi. “Duke pasur parasysh kohën dhe bindjen e ndjekësve të vet” thotë një shkrimtar perëndimor “gjëja më e mrekullueshme e Muhamedit ishte se ai kurrë nuk deklaroi se bënte mrekulli”. Mrekulli kishte, por ato nuk u përdorën për të përhapur fenë dhe iu veshën Zotit e rrugëve të tij misterioze. Ai e thoshte hapur se ishte njeri si gjithë të tjerët. Ai nuk kishte thesare në tokë a në qiej. As nuk pretendonte të njihte sekretet e së ardhmes. E gjithë kjo në një kohë kur mrekullitë qenë bërë të përditshme, të realizueshme nga shenjti më i zakonshëm dhe e gjithë atmosfera qe e ngarkuar me të mbinatyrshmen brenda dhe jashtë Arabisë.

 

Mësimet e tij e përparuan botën

 

Ai e ktheu vëmendjen e ndjekësve të tij rreth studimit të natyrës dhe ligjeve të veta, për t’i kuptuar ato dhe për të çmuar Lavdinë e Zotit. Kur’ani thotë:

“Zoti nuk i krijoi qiejt dhe Tokën dhe gjithçka ka mes tyre me mashtrim. Ai krijoi gjithçka veçse me të vërtetën. Por shumica e njerëzve nuk dinë.” Bota nuk është një iluzion dhe as është krijuar pa shkak. Është krijuar me të vërtetën. Numri i verseteve që i ftojnë njerëzit për një vëzhgim të kujdesshëm të natyrës, është shumë më shumë se sa i atyre që kanë të bëjnë me lutjen, agjërimin, pelegrinazhin (haxhin) etj., të vëna të gjitha bashkë. Muslimanët nën këtë influencë filluan ta studioninë nga afër natyrën, e kështu lindi shpirti shkencor i vëzhgimit dhe eksperimentimit që ishte i panjohur për grekët. Ndërsa botanisti musliman Ibn Baitar shkroi mbi botanikën pasi mblodhi bimë nga të gjitha anët e botës, përshkruar kjo nga Myer në veprën e tij “Gesch. der Botanikaa-s”, një monument, e Al Byruni udhëtoi për 40 vjet për të mbledhur mostra mineralesh, ndërsa astronomët muslimanë bënë vëzhgime dymbëdhjetëvjeçare, Aristoteli shkroi mbi Fizikën pa bërë qoftë edhe një eksperiment të vetëm, shkroi mbi historinë e natyrës pa marrë mundimin që të verifikonte një fakt si ai që njerëzit kanë më shumë dhëmbë sesa kafshët.

Galen, autoriteti më i madh i anatomisë klasike, informonte se nofulla e poshtme përbëhej prej dy koskash, diçka kjo e pranuar pa dyshime për shekuj të tërë derisa kur Abdul Latif merr mundimin të ekzaminojë një skelet njeriu. Pasi jep shumë shembuj të tillë, Robert Priffault përfundon në librin e tij të mirënjohur “Krijimi i njerëzimit”: “Borxhi që shkenca jonë ua detyron arabëve, nuk konsiston në zbulime të mëdha ose teori revolucionare. Shkenca i detyrohet shumë më shumë kulturës arabe; i ka borxh ekzistencën.” Ai gjithashtu thotë: “Grekët sistemuan, përgjithësuan dhe bënë teori, por mënyrat e durueshme të hetimit, akumulimin e dijes pozitive, metodat shkencore, observimi i zgjatur dhe i detajuar, eksperimenti-nuk i përkisnin temperamentit grek. Ajo që ne quajmë shkencë, u zgjua në Evropë si rezultat i mënyrave të reja të hetimit, metodës së eksperimentit, vëzhgimit, matjeve, zhvillimit të matematikës në një forme krejt të panjohur për grekët. Ky shpirt dhe këto metoda- thotë i njëjti autor-iu bënë të njohura evropianëve pikërisht nga arabët. “Ky lloj karakteri praktik që patën mësimet e profetit

 

Qëllimi i jetës

 

Muhamed, lindi shpirtin shkencor ashtu siç është, dhe shënjtëroi punët e përditëshme apo të ashtuquajturat çështje ekzistenciale. Kur’an-i thotë se Zoti e ka krijuar njeriun për ta adhuruar Atë, por fjala adhurim ka një kuptim krejt të vetin. Adhurimi i Zotit nuk kufizohet vetëm në lutje, veçse i tillë është çdo akt që ka të bëjë me të fituarit e aprovimit të Zotit dhe të mirën e njerëzimit. Islami shenjtëron jetën dhe të gjitha veprat e saj, me kusht që të bëhen me ndershmëri, drejtësi dhe qëllime të pastra. Ai zhduk dallimin shekullor midis së shenjtës dhe profanes. Kur’ani thotë: “Nëse ushqehesh me gjëra të pastra dhe falënderon Zotin, edhe ky është akt adhurimi”. Është shprehje e profetit të Islamit që një kafshatë bukë që dikush ia jep gruas së vet, është një akt i virtytshëm që Zoti do ta shpërblejë. Një tjetër thënie e Profetit është: “Ai që përmbush dëshirën e zemrës së vet me mënyra të ndershme, do të shpërblehet prej Zotit” Një njeri që e dëgjonte thirri: “O Profeti i Zotit, e ai që u përgjigjet pasioneve të veta dhe përmbush vetëm dëshirën e zemrës së vet” Menjëherë i erdhi përgjigjja: “Nëse ai do të kishte përdorur një mënyrë të tmerrshme për të përmbushur dëshirën e tij , atëherë ai do të dënohej. Atëherë përse të mos shpërblehet kur ndjek udhën e drejtë?” Ky koncept i ri i fesë, ku njeriu duhet të merret më shumë me përmirësimin e jetës së vet sesa më çështjet ekzistenciale, ka shpënë në një orientim të ri të vlerave morale. Influencimi i madh mbi punët e përditshme të njerëzve, pushteti i thellë mbi masat, rregullimi i konceptit mbi të drejtat dhe detyrat, përshtatshmëria si për të pamësuarin ashtu dhe për filozofin, janë karakteristika të mësimeve të Profetit të Islamit.

Por do pasur parasysh që kjo këmbëngulje mbi veprimet e mira, nuk do të thotë sakrificë e korrektesës së besimit. Ndonëse ka shkolla të ndryshme mendimi, njëra që çmon besimin mbi veprimet e një tjetër që sakrifikon besimin në favor të akteve, Islami i vërtetë bazohet mbi besimin korrekt dhe veprimet e drejta. Qëllimet janë të rëndësishme aq sa rezultatet, dhe rezultatet po aq të rëndësishme sa qëllimet. Është një unitet organik. Ndaji, dhe të dyja do të kalojnë në dekadencë e do të vdesin. Dija e drejtë do transformuar në veprim të drejtë e të prodhojë rezultate të drejta. Sa shpesh vijnë në Kur’an fjalët: Ata që besojnë dhe veprojnë të mira, vetëm ata do të hyjnë në parajsë. Këto fjalë persëriten jo më pak së 50 herë. Adhurimi inkurajohet, po nuk është qellimi i vetëm. Ata që besojnë dhe nuk bëjnë asgjë nuk mund të ekzistojnë në Islam. Ata që besojnë dhe veprojnë gabimisht janë të pakonceptueshëm. Ligji hyjnor është ligji i përpjekjeve dhe jo i idealeve. Vizaton për njerëzit udhën e progresit të përjetshëm nga dija në veprim dhe nga veprimi në kënaqësi. Por, ç’është besimi nga i cili frymëzohen veprimet e mira që rezultojnë me kënaqësinë? Këtu doktrina qendrore e Islamit është Njësia e Zotit. Nuk ka Zot përveç Zotit dhe prej Tij varen të gjitha mësimet dhe praktika e Islamit. Ai është i Vetëm jo vetëm si Hyjni, por edhe për sa u përket Cilësive Të tij Hyjnore. Për sa u përket Cilësive të Zotit, Islami i afrohet nga njëra anë këndvështrimit që e sheh Zotin të veshë çdo cilësi dhe në anën tjetër mohon këndveshtrimin që e shikon Zotin si të ngjashëm me ndonjë gjë materiale. Kur’ani thotë: Nga njëra anë nuk ka asgjë që është si Ai, në anën tjetër pohon se ai është Të parët, Të dëgjuarit, Të diturit. Ai është Mbreti që është pa një njollë, apo gabim, apo të metë, dhe anija e Tij e Pushtetit përparon në oqeanin e drejtësisë dhe barazisë. Ai është Mirëbërësi dhe i Gjithëmëshirëshmi. Ai është Vëzhguesi dhe Mbrojtësi i gjithçkaje. Por Islami nuk ndalet këtu. I shton karakteristikën më të veçantë, aspektet negative të problemit. Nuk ka Mbrojtës e Ruajtës të tjerë mbi gjithçkanë. Ai është shërues i çdo thyerjeje, dhe askush nuk mund të jetë i tillë. Ai është kthyesi i çdo humbjeje, dhe askush nuk mund të jetë i tillë. Nuk ka Zot përveç Zotit, që qëndron mbi çdo nevojë, krijuesit të trupave, krijuesit të shpirtrave, Zotit të Ditës së Gjykimit, dhe, siç thuhet në Kur’an, Atij i përkasin të gjitha cilësitë më të shkëlqyera. Në lidhje me pozicionin e njeriut në univers, Kur’ani thotë: “Zoti ju ka nënshtruar gjithçka ka në tokë dhe në univers. Ju jeni të destinuar të sundoni mbi universin.” Po në lidhje me Zotin, Kur’ani thotë: “O njerëz, Zoti ju ka dhënë mundësi të shkëlqyera dhe ka krijuar jetën dhe vdekjen, që t’ju vërë në provë e të shohë se veprimet e cilit prej jush janë të drejta, dhe cilat devijojnë nga udha e drejtë.”

Përveç vullnetit të lirë që ka, në njëfarë mase, çdo njeri ka lindur dhe jeton në disa rrethana që janë jashtë kontrollit të tij. Në lidhje me këtë, Zoti thotë, sipas Islamit, është dëshira Ime të krijoj çdo njeri në kushte që i konsideroj më të mirat, plane kozmike, që të vdekshmit nuk mund t’i kuptojnë kurrë plotësisht. Por Unë do t’ju vë në provë si në prosperitet ashtu edhe në fatkeqësi, në shëndet e në sëmundje, në maja dhe në thellësi. Mënyrat e Mia për të vënë në provë ndryshojnë nga njeriu tek njeriu. Në fatkeqësi, mos u dëshpëroni e mos kaloni në përdorimin e mjeteve të paligjshme. Nuk është veçse një fazë kalimtare. Në prosperitet, mos e harroni Zotin. Dhuratat e Zotit janë gjëra që vetëm ju janë besuar. Jeni gjithmonë në provë…në çdo çast. Nëse jetoni, jetoni siç ju thotë Zoti, e nëse vdisni, vdisni në udhën e Zotit. Mund ta quani fatalitet, por ky lloj fataliteti është një kusht për të rritur përpjekjet tuaja dhe për t’ju mbajtur gjithmonë të vëmendshëm. Mos e konsideroni jetën në tokë si fund të ekzistencës njerëzore. Ka jetë pas vdekjes, dhe ajo është e përhershme. Jeta pas vdekjes është një derë që hapet e që është fshehur sot nga realiteti i jetës. Çdo veprim në jetë, sado i parëndësishëm, prodhon efekte të gjata. Shënohet diku gjithmonë. Disa nga udhët e Zotit ju bëhen të njohura, por shumë janë të fshehura prej jush. Çfarë është e fshehur tek ju në këtë botë, do të hapet dhe do të të shtrihet përballë në botën tjetër. I virtytshmi do të gëzojë bekime të Zotit që syri kurrë s’i ka parë e veshi kurrë s’i ka dëgjuar, e as i ka vajtur atij në mendje apo në zemër s’e ka ndier se do të mund të kalonte në faza të evolucionit të tillë. Ata që kanë humbur një mundësi të tillë, do t’i zërë ligji i cili i jep çdo njeriu të shijojë atë që ai ka bërë, e do t’i nënshtrohen një trajtimi sëmundjesh të shpirtit që e kanë krijuar vetë, me duart e veta. Kini kujdes se kjo është e tmerrshme.Torturat e trupit dhe mund të durohen. Dhembja e shpirtit është ferr e do t’ju duket gati e padurueshme. Luftoni në këtë jetë tendencat që ka shpirti për të ligën e që ju tundojnë udhësh të pasigurta e të këqija. Arrini në fazën kur shpirti veteakuzues në ndërgjegjen tuaj zgjohet dhe e pushton padurimi për të arritur shkëlqimin moral dhe bindjen.Kjo do t’ju udhëheqë në fazën e fundit të shpirtit të qetësuar, të lumtur me Zotin, e që gjen lumturi vetëm tek Ai. Shpirti nuk është më i turbulluar në këtë fazë. E vërteta është fitimtare dhe e gënjeshtërta i rrëzon armët e veta. Të gjitha komplekset zgjidhen. Shtëpia juaj nuk do të ndahet me veten. Personaliteti juaj do të integrohet rreth detyrës kryesore të nënshtrimit ndaj Zotit dhe do të plotësojë dorëzimin ndaj qëllimit të tij hyjnor. Të gjitha energjitë e fshehura do të rrjedhin atëherë prej jush. Atëherë shpirti do të gjejë paqen. Zoti do t’ju thotë atëherë: “O ti shpirt që je në paqe e që pushon plotësisht i kënaqur me Zotin tënd, kthehu tek Zoti yt. Ai është i kënaqur me ty e ti me Të. Bashkohu me robërit e Mi dhe hyr në parajsën Time!.”  

Përfundim

Ky është qëllimi final për njeriun; të bëhet nga një anë zotërues i universit, dhe në anën tjetër të kujdeset që shpirti i tij ta gjejë paqen tek Zoti; kënaqësia, e plotë, satisfaksioni i plotë, paqja e plotë. Dashuria e Zotit është ushqimi i tij në këtë fazë dhe ai pi ujë nga uji i thellë e i pastër i burimit të jetës. Dëshpërimi dhe humbja nuk e vënë poshtë dhe suksesi nuk e ngre në kotësi. Vendet perëndimore po përpiqen të jenë zotërues vetëm të universit. Por shpirtrat e tyre nuk kanë gjetur paqen dhe qetësinë. Thomas Carlyle, i goditur nga kjo filozofi jetë, shkruan: “Atëherë le të ketë Islam – që t’i nënshtrohemi Zotit; që e gjithë forca jonë të gjendet tek nënshtrimi ndaj Tij, që çfarëdo që Ai të vendosë për ne, gjërat që na dërgon neve, edhe vdekja e më keq se vdekja, të jetë e mirë, të jetë më e mirë; për këtë veten ia nënshtrojmë Zotit.” I njëjti autor shkruan: “Nëse ky është Islami, – thotë Goethe, – a nuk rrojmë të gjithë në Islam?” Carlyle i përgjigjet pyetjes së Goethes, duke thënë “Po, gjithkush prej nesh që ka një jetë morale, jeton në Islam. E pra kjo është urtësia më e madhe që qielli ia ka thënë Tokës sonë.”   

Shkruar nga Ramakrishna Rao