Në Kur’an përmendet lindja e mrekullueshme e Jezusit (Isait) nga nëna e virgjër. Përse do ta bënte Zoti një gjë të tillë kur të gjithë profetët tjerë erdhën në mënyrë të natyrshme? Nëse Jezusi (Isai) nuk është Hyjnor, atëherë cili është qëllimi i lindjes së tij nga nëna e virgjër?
Shumë profetë kryen mrekulli të ndryshme me fuqinë e Zotit dhe këto mrekulli ishin të tilla që i përshtateshin natyrës dhe rrethanave të kohës kur u kryen. Në kohën e Jezusit mjekësia ishte mjaft e zhvilluar dhe lindja e një fëmiu nga një nënë e virgjër ishte diçka e pakapshme dhe e pamundur për një mjek. Njëjtë sikur Musau (Mojsiu) që kreu mrekullinë me magji tek Faraoni. Zoti i Madhërishëm e zgjodhi pikërisht këtë mrekulli për arsye se gjatë asaj kohe kishte shumë magjistarë dhe krijimi i mrekullishëm i gjarpërit nga shkopi, kryer nga Musau i mposhti dhe mbizotëroi të gjitha bëmat e magjistarëve. Njësoj edhe sikur me fuqinë shprehëse dhe oratorinë e Kur’anit me Muhamedin. Kjo mbizotëroi çfarëdo fuqie poetike të kohës. Kjo është arsye pse Zoti në Kur’an i sfidon arabët që të prodhojnë qoftë edhe një sure sikur Kur’ani (shiko 2:23, 10:38, 11:13 dhe 52:34). Arabët nuk mundën ta bëjnë këtë.
Pastaj, Zoti e dërgoi Isain si profet tek bijtë e Izraelit pas shumë profetërsh tjerë, disa nga ta me mrekulli të ndryshme sikur Musau për shembull, por shumica e Izraelitëve prapëseprapë gjithandej historisë nuk iu bindën profetërve të dërguar nga Perëndia. Jezui ishte i fundit nga profetët dërguar Izraelit dhe u dërgua në mënyrë të mrekullishme për të qenë argument tek njerëzit të cilët kërkonin mrekulli në mënyrë që ta besonin një person se është nga Zoti. Mrekullitë e mëhershme nuk i bindën të gjithë Izraelitët, kështuqë Zoti dërgoi Jezusin të lindur në mënyrë të virgjër dhe gjithashtu i mundësoi kryerjen e shumë mrekullive të tjera në mënyrë që t’i bindte Hebrenjtë.
Mrekullia e lindjes së Isait nga mëma e virgjër është shumë e madhe dhe e lehtë për Zotin për ta bërë. Sidoqoftë edhe më e madhe ishte mrekullia e krijimit të Ademit pa asnjë prind. Pasi që Zoti planifikon gjithçka sipas dijes së tij të gjithëfuqishme, kështu ai dërgoi Isain si një mundësi të fundit për hebrenjtë, por ata sërish nuk u bindën. Tani, disa kristianë dhe hebrenjë do të mohojnë këtë argument dhe do të thonë se hebrenjtë ishin të bindur ndaj urdhërimeve të Zotit. Kjo nuk qëndron për arsye se qoftë edhe në Ungjijt e tanishëm e shohim qëndrimin e Jezuit ndaj hebrenjëve, pastaj rastin në Tempull i cili ishte shëndërruar në treg etj etj. Lexo më shumë Ungjijt për këtë. Shtuar kësaj edhe një sërë rastesh tjera në Dhjatën e Vjetër.