Ortodoksizmi

Ortodoksizmi

Kisha lindore kishte një zhvillim të ndryshëm nga ajo perëndimore. Ajo nuk ishte e pavarur në zhvillimin e saj dhe nuk kishte ndonjë ndikim politik si simotra e saj perëndimore, sepse nuk kishte një administratë qendrore si ajo perëndimore, por ishte e ndarë në kisha autoqefale dhe e varur nga pushteti politik i shtetit. Nga kjo varësi ka rrjedhë edhe identifikimi i saj, duke i ruajtur interesat e saj me interesat e shtetit. Kishat lindore janë trashëgimtare të kishës perandorake të Bizantit, të themeluar nga perandori Konstandin. Kisha ortodokse i pranoi vetëm shtatë koncilët e parë, siç e kemi cekur edhe më parë, prandaj edhe për këtë shkak quhen ortodokse. Pas Koncilit VII që nga viti 787, në kishat ortodokse nuk ka pasur koncilë të tjerë. Ortodoksizmi është doktrinë me më shumë pasues në Evropën Lindore dhe Juglindore. Përkrah taoizmit dhe jahudizmit, sipas të dhënave të Institutit për Lindjen e Mesme, e vetmja kisha ortodokse nuk është shtuar për pesëdhjetë vjetët e fundit. Kjo ishte si rezultat i rrethimit shoqëror nën të cilin është gjendur ortodoksizmi në ato vende me politikë antifetare të udhëhequr nga partia komuniste. Në fillim të shekullit XXI, në botë ishin 346,650.000 ortodoksë, të cilët përbëjnë 5.65% të tërë banorëve botërorë.[1] Shumica e ortodoksëve jetojnë në Rusi, e pastaj vijnë në radhë Rumania e Greqia. Në kishën ortodokse bëjnë pjesë 4 qendra të vjetra patriarkale. Patrikana e Aleksandrisë, gjegjësisht e Kajros. Patrikana e Antakisë, me vendqëndrim në Damask, Patrikana e Jerusalemit, dhe Patrikana e Kostandinopojës, gjegjësisht Stambollit\Fanarit.

 Kishat janë tërësisht janë të pavarura nga kisha qendrore, gjegjësisht autoqefale, nga çdo kishë dhe organizatë tjetër. Megjithatë, autoqefalia nuk do të thotë se çdo njësi e kishës mund ta ndryshojë dogmën, mësimet morale, kanonin e gjëra tjera të ngjashme. Lufta për autoqefali shpesh ka qenë e lidhur me luftën për pavarësinë nacionale dhe shtetërore. Autoqefalia, para së gjithash, fitohet nga “Kisha Amë”. Pasi që kishat ortodokse janë autoqefale, gati se të gjitha i kanë patrikanat e tyre në kryeqendrat të shteteve të tyre, si ajo e Rusisë, Rumanisë, Greqisë, Shqipërisë, Bulgarisë, Gjeorgjisë, Polonisë, Serbisë, Qipros, Çekisë, Sllovakisë, Ukrainës, Finlandës, Sinasë dhe e Maqedonisë, e cila është kisha më e re, por të cilën akoma nuk e kanë pranuar si autoqefale kishat e tjera.

Kisha ortodokse shqiptare e fitoi autoqefalinë e saj pas shumë përpjekjeve të mëdha, për t’u shkëputur nga ajo e Fanarit, gjegjësisht e Stambollit, të cilën e drejtonin dhe ende e udhëheqin patrikë dhe mitropolitë grekë, e të cilët kundërshtonin në mënyrë të prerë autoqefalin e kishës ortodokse shqiptare. Kjo ishte kështu për faktin se Greqia me anë të religjionit donte t’i arrinte aspiratat e saja në tokat e jugut të Shqipërisë, duke i helenizuar shqiptarët ortodoksë. Së pari lëvizja për autoqefali filloi në diasporë. Në Amerikë në qytetin Boston më saktësisht në Knigh Hall, më 22 mars 1908, u mbajt ceremonia e parë fetare ortodokse në gjuhën shqipe, nën udhëheqjen e klerikut të njohur shqiptar, Fan Stilian Nolit (1882-1965). Në të njëjtën ditë, në Phoenix Hall të Bostonit, u themelua edhe kisha e parë shqiptare e quajtur Kisha e Shën Gjergjit. Lëvizja e shqiptarëve ortodoksë të diasporës për pavarësimin e kishës vazhdoi edhe jashtë Amerikës, si në Rusi dhe në Rumani. Këto përpjekje depërtuan edhe në Shqipëri, dhe si stacion të parë për këtë lëvizje u zgjodh qyteti i Korçës, pasi që ishte edhe qendra e ortodoksëve në Shqipëri. Në fund të këtyre përpjekjeve, disa kisha ortodokse kishin kaluar në duart e shqiptarëve ortodoksë, si kishat në Vlorë dhe në Pogradec, në të cilat ritualet kryheshin në gjuhën shqipe, gjë që e krijoi një mjedis edhe më të përshtatshëm për një kongres për pavarësimin e kishës ortodokse. Gjatë 10-19 shtatorit të vitit 1922, u mbajt kongresi i parë në Berat, ku zyrtarisht u shpall autoqefaliteti i kishës ortodokse shqiptare dhe delegatët zgjodhën një komision prej pesë anëtarësh, kurse kryetarë u zgjodh Perikli Kona.[2]

Patrikana më e madhe dhe më me rëndësi është ajo e Moskës. Pas rënies së Kostandinopojës në vitin 1453, ajo u bë si udhëheqëse e kishave ortodokse, prandaj shpesh edhe quhet Roma e tretë.[3] Megjithatë, në aspektin historik më me konsideratë është Patrikana e Stambollit (Kostandinopojës), edhe pse ajo nuk ka asnjë të drejtë administrative në lidhje me patrikanat e tjera.

Në krye të kishës qëndron patriku, apo kryepeshkopi. Zgjidhet nga këshilli patriarkal ndërmjet peshkopëve, të cilët janë në atë detyrë së paku pesë vjet. Zgjedhja duhet të bëhet më së voni tre muaj pas mbetjes bosh të atij posti. Zgjedhja është e  përjetshme. Zgjedhjen e kryeson peshkopi me stazh më të gjatë në atë gradë dhe bëhet me votim të fshehtë me shumicë absolute votash. Patriku mban në kokë një kapelë të bardhë, me një pëlhurë të bardhë të shtrirë mbi supe, kurse në anën e përparme mban një kryq. Në gjoks mban një ikonë të Marisë apo të Jezusit, të bërë nga argjendi apo ari, si shenjë e gradës së tij. Ai e administron kishën, e përfaqëson atë dhe i mban lidhjet me kishat e tjera autoqefale.

Këshilli patriarkal është organi më i lartë ligjvënës dhe gjykues, të cilin e përbëjnë të gjithë peshkopët nën kryesinë e patrikut. Këshilli i shqyrton të gjitha çështjet me interes për jetën dhe aktivitetin e kishës. Nëse mendimet janë të ndryshme, me anë të votimit arrihet afrimi i tyre. (Këtu patriku nuk ka mundësi që, në mënyrën e papës si në kishën katolike, të marrë vendim të detyrueshëm). Votimi përherë është i fshehtë, por nëse rezultati është gjysmë për gjysmë, vendimet e vlefshme janë të asaj gjysme në anën e së cilës është patriku.

Sinodi patriarkal (greq. sinodos-mbledhje, kuvend) është organi më i lartë i pushtetit ekzekutiv. Anëtarët e tij janë patriku dhe katër peshkopë (çdo vit ndërrohen me dy të rinj). Në kishën ortodokse priftërinjtë nuk mund të martohen. Megjithatë, kandidatët për klerik mund të martohen para se të përcaktohen në post (në rast të vdekjes së gruas, nuk mund të martohen përsëri). Pra, ata mund të martohen derisa janë vetëm kandidat, por jo edhe duke e kryer detyrën e klerit. Celibati (beqaria) është e kufizuar vetëm te murgjit.[4]

Religjioni dhe komunitetet religjioze gati se u bënë simbole nacionale të vendeve përkatëse. Në të gjitha komunitetet ortodokse janë kultivuar mjaft tradicionalizmi dhe mbrojtja e trashëgimisë së mëparshme.

Në Perandorinë Bizantine, relacioni ndërmjet kishës dhe shtetit kishte disa veçori, në të cilën pushtetarët ndërkohë ishin edhe udhëheqës të kishës. Kisha ishte instrument i pushtetit perandorak, ndërsa kjo veçori është përcjellë edhe te popujt e tjerë, e posaçërisht te serbët. Kisha ortodokse serbe ka qenë e lidhur ngushtë me pushtetin shtetëror brenda të cilit është formuar. Struktura e kishës është e decentralizuar, relacioni brenda kishës është i rregulluar me të drejtën kanonike. Burim i përgjithshëm i së drejtës kanonike është Nomikanoni, i autorizuar nga Koncili i Kostandinopojës në vitin 920. Në bazë të këtij traktati janë ndërtuar rregullat e kishës ortodokse “nacionale”, të cilat sipas saj e kanë edhe kushtetutën e vet.

Edhe kishat e kanë një strukturë ndërtimi më të ndryshme, ngaqë janë me kupola, kurse në strukturën e brendshme, bie në sy ilustrimi me ikona të shumta të Jezusit dhe të shenjtorëve të tjerë. Zakonisht në të majtën e tij vendoset ikona e Virgjëreshës Mari dhe në të djathtë ikona e Gjon Pagëzorit, ndërkaq në të majtën e Virgjëreshës gjenden ikonat e shenjtorëve të tjerë, pronarë të kishës. E pastaj vijnë ikonat e shenjtorëve të tjerë, të cilat përshkruajnë shpirtrat e patrup të gjallesave qiellore, gjegjësisht engjëjve. Për këtë përpara tyre bëhen përulje, puthen dhe adhurohen.

Katolicizmi është ndër sektet më të Zakonisht në kisha gjenden libra për mbajtjen e liturgjisë dhe për rregullat brenda kishës. Përmbledhja e lutjeve për liturgji quhet orarë. Ndërsa libri i cili përmban tekstin e shërbimeve të të gjithë shenjtërive dhe ditëve të festave, sipas radhës së kalendarit mujor, quhet mineja (përmban 12 fletore, secila fletore është për njërin nga 12 muajt e vitit). Kurse libri i cili i përmban lutjet e ceremonive për kryqëzim, kurorëzim, varrim, rrëfim, shenjtërimin e shtëpisë etj. quhet Libri i lutjeve. Ndërsa Tipiki është për rendin e shërbimit dhe jetën e murgjve nëpër manastire.[5] Çdo shërbim liturgjik në kishat ortodokse fillon me lutjen e Trinisë së Shenjtë. Gjatë kohës së liturgjisë të gjithë të pranishmit marrin pjesë në të. Adhurimet bëhen në mëngjes, gjatë ditës, në mbrëmje dhe gjatë natës. Gjatë këtij intervali lexohen pjesë nga Libri i Shenjtë, që llogariten si simbol i ardhjes së Jezu Krishtit në komunitet. Liturgjia përherë shërbehet në gjuhën e popullit ku ndodhet kisha. Vaji dhe uji që përdoren në aktet fetare, përdoren sidomos për shenjtërimin  e kurorëzimit, kufomës dhe për vajimin e priftërinjve.

Agjërimi është i zhvilluar edhe te besimtarët ortodoksë. Kisha i ka përcaktuar katër agjërime: para Krishtlindjes, Kërshëndellave, agjërimi i Zonjës (të mërkurën dhe të premten) dhe po ashtu i ashtuquajturi “agjërimi përkushtimor”. Zakonisht me agjërimin nënkuptohet mosngrënia e sendeve të yndyrshme (mishi, qumështi, peshku, ullinjtë, vezët, e të ngjashme). Agjërimi i ashpër nënkupton që të hahet ushqim pa vaj të bimëve. Për këtë arsye në popull njihet si “agjërimi me ujë”.

Atyre që u ka vdekur ndokush, u jepet një pije shërbesë funerali, si përkujtim i shpirtrave të të vdekurve. Pas varrimit në ditën e nëntë, në të dyzetën, në gjysmëvjetorin dhe në vjetorin e vdekjes së të ndjerit shërbehet një lutje për hir të tij. Ceremonia zakonisht bëhet te varri, ku sillet grurë i zier, verë, pogaçe e qirinj.

Edhe pse ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve nuk ekziston ndonjë dallim i madh, sa që ta quajmë secilën fe në vete, prapëseprapë ekzistojnë disa specifika të ortodoksizmit në relacion me doktrinat tjera, të cilat mund t’i cekim si vijon:

  • Patriku ose peshkopi janë udhëheqës shpirtërorë, kisha ortodokse nuk pranon autoritetin e papës.
  • Teologët ortodoksë mendojnë se jo vetëm apostulli Pjetër është themelues i Kishës, por të gjithë apostujt e tjerë e kanë të njëjtën të drejtë.
  • Zoti në ortodoksizëm ofrohet në tre persona: Zoti-Atë, (krijues i botës të dukur dhe të padukur), Zoti-Bir (Jezusi) dhe Zoti-Shpirti i Shenjtë i cili buron vetëm nga Zoti-Atë. Zoti është i paarritshëm për kuptimin njerëzor.
  • Dallojnë nga katolikët në konceptin e pagabueshmërisë së Virgjëreshës Mari, koncept të cilin e refuzojnë. Përndryshe “Nëna e Zotit” është shumë e pranishme në mësimet ortodokse.
  • Në kishat ortodokse nuk ka autoritet të pagabueshëm. Krahas Shkrimit të Shenjtë, edhe shkrimet e etërve të kishës janë shkrime që gëzojnë respekt të kategorisë së dytë.
  • Për larjen e mëkateve mjafton vetëm pagesa e një kundërvlere në një sasi të caktuar nga ana e kishës. Nuk ka nevojë për rrëfimin e mëkatit në qeli para priftit, si në katolicizëm.
  • Ndalojnë ngrënien dhe gjakun e kafshës së ngordhur, për dallim nga katolikët të cilët e lejojnë.
  • Lejohet martesa e klerit derisa ai është ende kandidat për peshkop, e më pas jo, kurse në katolicizëm klerikëve iu ndalohet të martohen. Shkurorëzimi mund të bëhet në bazë të disa rrethanave të caktuara, gjë që nuk lejohet në katolicizëm.
  • Dallojnë nga katolikët në datat e festave dhe në gjuhën e liturgjisë, e cila në ortodosizëm mbahet në shumicën e rasteve në gjuhën vendase, kurse te katolikët në gjuhën latine.

10- Në ortodoksizëm zakonisht priftërinjtë e kanë të domosdoshme të mbajnë mjekër, ndërkaq në katolicizëm mund ta rruajnë atë.

  • Ndalohet varrimi i ndonjë ortodoksi në varrezat katolike dhe anasjelltas.[6]

 

Prof. Dr. Zija Abdullahu


[1] Ivan Cvitković, “Religije savremenoga svijeta”, (Religjionet e botës bashkëkohore), f. 186-187.

[2] Shiko më gjerësisht për autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare: Qani Nesimi, “Ortodoksizmi te shqiptarët”, f. 65-109.

[3] Gerhard. J. Belinger, “Veliki leksikon religija” (Leksikoni i madh i religjioneve), f. 181.

[4] Ivan Cvitković, “Religije savremenoga svijeta”, (Religjionet e botës bashkëkohore), f. 192-194

[5] Po aty, f. 188-190.

[6] Shiko: Po aty, f 190; Ekrem Sarikçioglu, “Historia e feve”, f. 553-558; Qani Nesimi, “Ortodoksizmi te shqiptarët”, f. 47-50; Aleksandar Menj, “Istoria religije” (Historia e religjionit), f. 424-426.