Profecitë e Biblës

Profecitë e Biblës

Profecitë e përmbushura të Biblës ishin argument i tretë që revista e Dëshmitarëve jepte për të provuar se ajo është hyjnore.
Kritikët kanë dhënë shembuj të shumtë të rasteve kur profecitë e Biblës nuk janë përmbushur ose që të ashtuquajturat profeci s’kanë të bëjnë fare me atë çka reklamohet si përmbushje e tyre.

1. Në librin e Ezekielit ka një profeci të quajtur “Orakulli kundër Tirit”, e cila pas një ekzaminimi të vëmendshëm rezulton një dështim i vërtetë në tërë kuptimin e fjalës. Në 26:7-14 Nabukodonozori duhej ta pushtonte Tirin me një sukses të jashtëzakonshëm, por në 29:17-20, si rezultat i mossuksesit të plotë të profecisë, Nabukodonosorit i premtohet një territor tjetër; pra profecia nuk u plotësua!
Disa apologjetë dëshirojnë ta mbrojnë deri në fund këtë pseudo-profeci duke supozuar se ajo sidoqoftë është përmbushur nën Aleksandrin e Madh, në vitin 332 para Krishtit, (1)

(1- Shih “Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim”, fq. 217-218; Hard Sayings of the Bible, fq. 73-74)

por nëse këto do ta kishin lexuar më me vëmendje pasazhin do të kishin vërejtur se aty është thënë shprehimisht se “profecia” duhej të realizohej nën Nabukodonozorin dhe jo nën Aleksandrin.
Ky i fundit nuk është përmendur kurrë aty, dhe as nuk mund të nxirret prej saj direkt e as indirekt një gjë e tillë.
Së fundi, mënyra e sulmit përshkruar në versetet 8 dhe 9 nuk është aspak ajo e përdorur nga Aleksandri, por përkundrazi është një sulm tipik i përdorur nga sulmuesit babilonas (krahaso p.sh. Assarhadonin në vitin 673) përpara Nabukodonozorit.
Në fakt, duke iu përmbajtur profecisë, duhet të jetë Nabukodonozori dhe askush tjetër, ai që duhej të pushtonte, plaçkiste dhe të shkatërronte Tirin. “Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: “Ja, unë sjell nga veriu kundër Tiros Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, mbretin e mbretërve, me kuaj, me qerre, me kalorës dhe një shumicë të madhe njerëzish.
Ai do të vrasë me shpatë bijat e tua që janë në fshat, do të ngrejë kundër teje një ledh dhe do të ngrejë kundër teje një çati mburojash.
Do të ndërtojë kundër mureve të tua deshtë e tij dhe do të rrëzojë kullat e tua me kazmat e tij. Për shkak të morisë së kuajve të tij do të mbulohesh nga pluhuri i tyre; muret e tua do të dridhen nga zhurma e kalorësve, të rrotave dhe të qerreve, kur të hyjë nëpër portat e tua, ashtu siç hyhet në një qytet nëpër të cilin është hapur një e çarë.
Me këmbët e kuajve të tij do të shkelë tërë rruget e tua, do të vrasë popullin tënd me shpatë dhe shtyllat e tua të fuqishme do të rrëzohen.
Do të grabitin pasuritë e tua, do të plaçkitin mallrat e tua, do të shkatërrojnë shtëpitë e tua të bukura, do të hedhin në mes të ujit gurët e tua, drurin tënd dhe tokën tënde.

Do të bëj të pushojë zhurma e këngëve të tua dhe zëri i harpave të tua nuk do të dëgjohet më. Do të të bëj si një shkëmb të zhveshur; do të jesh një vend për të nderur rrjetat; nuk do të rindërtohesh më, sepse Unë, Zoti, fola, thotë Zoti, Zoti”. (Ezekieli 26:7-14)

Siç e shohim mjaft qartë, këtu nuk mund të flitet për Aleksandrin e Madh, kështu që thelbi i “profecisë” nuk është plotësuar. (1)

(1- Adel Smith, Versetti Divini, fq 81-82.)

Shih edhe profecinë e Elias kundër mbretit Ahab për vrasjen e Nabothit (1 Mbretërve 21:17-29) dhe profecinë e Isaisë mbi shkatërrimin e Damaskut (Isaia 17:1), të cilat rrezultojnë gjithashtu të palpotësuara.

2. Deliri i shfrenuar i fariseut Pal nga Tarsi, i njohur nga kristianët si “shën” Pali, e shtyu atë të deklarojë se Dita e Gjykimit është shumë e afërt, dhe se ai nuk do të vdiste deri në atë ditë e për më tepër do ta takonte Jezusin në ajër, së bashku me bashkëkohësit e tij të mbijetuar.
“Dhe këtë po jua them me fjalën e Zotit: ne të gjallët, që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit, nuk do të jemi përpara atyre që kanë fjetur, sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeëngjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që vdiqën në Krishtin do të rringjallen të parët; pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara zotit në ajër.” (1 Thesalonikasve 4:15-17. Krahaso edhe Filipianëve 1:6)
Duke qenë se autori i këtij libri shkruan akoma dhe lexuesi që ka këtë libër në dorë akoma lexon, ndërsa Pali ka vdekur që prej 19 shekujsh, është e lehtë për këdo të arrijë në përfundimin se kjo profeci nuk është plotësuar kurrë. (1)

(1- Adel Smith, Verseti Divini, fq. 84-85)

3. Kalojmë tani tek një lloj tjetër profecie, në ato tek të cilat e ashtuquajtura përmbushje nuk ka të bëjë fare me atë që reklamohet si profeci. Për të provuar udhëtimin e bërë në Egjipt kur Jezusi ishte fëmijë, Ungjilltari i parë (2)

(2- Mateu 2:15)

citon Osean 11:1 si një profeci të plotësuar me këtë ngjarje, por në tekstin origjinal ky verset i përket hebrejve të dalë nga Egjipti dhe jo Jezusit që kish shkuar aty. Pastaj ky pasazh kurrsesi nuk mund t’i atribuohet Jezusit, sepse nëse është kështu atëherë edhe verseti i dytë duhet ti përkasë po atij, por kjo gjë do të ishte absurde. Ja se si vjen pasazhi i Oseas: “Kur Izraeli ishte fëmijë, unë e desha dhe nga Egjipti thirra birin tim.
Sa më shumë i thërrisnin profetët, aq më tepër janë larguar prej tyre, u kanë bërë flijime Baaleve dhe u kanë djegur temjan figurave të gdhendura,” është e qartë se këtu flitet për popullin hebre, përherë i prirur drejt idhujtarisë, por bëhet një gabim shumë i madh nëse kjo i atribuohet Jezusit, sepse në këtë mënyrë ai duhet të pranohet se ka qenë idhujtar, dhe kjo gjë është mjaft absurde.

4. Mateu thotë se kur Herodi pyeti se ku duhej të lindte Mesia, priftërinjtë i përgjigjen: “Në Betlehem të Judesë, sepse është shkruar nëpërmjet profetit: “Dhe ti Betlehem, tokë në Jude, nuk je aspak më e parëndësishmja ndër princat e Judesë, sepse nga ti do të dalë një udhëheqës, që do të kullotë popullin tim, Izraelin”(Mateu 2:5-6)
Verseti i cituar nga Ungjilltari është i Mikeas 5:2, por megjithëse edhe rabinët më të vjetër e mbajnë atë për mesianik, duke e ekzaminuar së bashku me kontekstin nuk është e vështirë të shihet se autori nuk flet për një Mesi të largët, por për një udhëheqës të afërm të Izraelit që duhet të shpartallojë kaldeasit. Ndërkohë shton ai, judejtë do të vazhdojnë të jenë nën pushtimin e armiqve të tyre derisa të vijë koha në të cilën do të lindë ajo që ka për të lindur, dhe atëherë vëllezërit e skllevëruar do të kthehen në shtëpitë e tyre, ai udhëheqës do të udhëheqë me forcë, do të hyjë në qytetet e tyre dhe do ti shfarosë me shpatë.
Mikea ishte bashkëkohës i Isaisë dhe jetonte nën të njëtët mbretër të Judës, dhe nëse krahasojmë atë që profetizohet në librin e Isaisë për vajzën e re që duhet të lindë, me fjalët e Mikesë: “… derisa të lindë ajo që ka për të lindur” (1)

(1- Përkthimi i Simon Filipajt.)

dhe nëse krahasojmë po ashtu edhe kontekstet e tyre, jemi të detyruar të besojmë se që të dy ato flasin për një ngjarje të njëjtë: bëjnë profeci mbi një grua të Akazit, mbretit të Judesë dhe fëmijën që ajo duhej të lindte. Isaia 7:14 thotë:
“Ja, e virgjëra (2)

(2- Në citimin e tij të Isaisë, Ungjilltari i parë përdor përkthimin greqisht të quajtur LXX, version ky i cili e përkthen gabimisht fjalën hebraike “almah” në “parthenos”, d.m.th. “virgjëreshë”, por në të vërtetë “almah” do të thotë thjesht një vajzë e re, edhe pse mund të mos jetë e virgjër. Përkthimet e tjera në greqisht si ai i Akuilës, Simakut dhe Teodosionit e përkthejnë këtë fjalë në formën e drejtë të saj : “vajzë e re”. Të njëjtën gjë bëjnë sot edhe shumë përkthime në gjuhë të ndryshme. Shih p.sh. The New English Bible, Oxford Universitety Press, 197O, Traduzione del Nuovo Mondo delle Sacre Scritture, botimi i Dëshmitarëve , etj,etj. )

do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel.”
Prej kristianëve ky varg besohet si mesianik, por në të vërtetë nuk është ashtu. Nëse ai merret së bashku me konteksin, ashtu si në origjinal, atëherë duhet të pranohet se ai nuk ka asnjë lidhje me Jezusin, po ashtu siç nuk ka lidhje as emri Emanuel me atë Jezus.
Ngjarja zhvillohet si më poshtë: Rasini, mbreti i Sirisë, dhe Fakea, mbreti i Samarisë, kishin bërë një marrëveshje për t’i shpallur luftë Akazit, mbretit të Judesë.
Isaia, në emër të Perëndisë, shkon të takojë këtë të fundit dhe e inkurajon që të mos ketë frikë sepse armiqtë e tij s’do do t’i bëjnë asgjë të keqe. Më pas ai shton: “Prandaj vetë Zoti do t’ju japë një shenjë: “Ja e virgjëra (almah-vajza e re) do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel. Por para se fëmija të mësojë të hedhë poshtë të keqen dhe të zgjedhe të mirën, vendi të cilit ti e druan për shkak të dy mbretërve të tij do të braktiset. Zoti, do të sjellë mbretin e Asirisë mbi ty, mbi popullin tënd dhe mbi shtëpinë e atit tënd ditë që nuk kanë ardhur që kur Efraimi u nda nga Juda.”
(Isaia 7:14 dhe 16-17).
Këtu profeti flet për një ngjarje të natyrshme dhe të afërt, dhe ndryshimi mes emrit Immanu – El dhe Jezus është mjaft i qartë si në shqiptim, ashtu edhe në domethënie. Të gjithë e dinë se Jezusi nuk e ka mbajtur kurrë një emër të tillë.
Në fakt, dy vjet më pas, Teglat-Far-Assari, mbreti i Asirisë, i ardhur në ndihmë të Akazit, mbretit të Judesë fiton mbi Rasinin, mbretin e Damaskut dhe e vret atë, ndërsa Fakea, mbreti i Samarisë, vritet nga Osea që i mori mbretërinë dhe u bë haraçpagues i mbretit të Asirisë. 15 vjet vjet më vonë, duke qenë se ai rebelohet, Salman-Assari rrethon Samarinë, merr qytetin, vret atë dhe tërë popullin e kthen në skllevër, 718 vjet para Jezusit.
Kushdo e kupton tani se e ashtuquajtura profeci, nuk ka të bëjë fare me atë çfarë e besonte Ungjilltari si përmbushje të saj.

5. Tani do të shqyrtojmë një tjetër lloj profecie. Mateu 2:23 thotë se kur Jozefi vendoset së bashku me Marinë dhe me Jezusin në Nazaret, u përmbush ajo që ishte thënë prej profetëve: “Ai do të quhet Nazareas…”, por të gjithë kritikët janë të mendimit se ky pasazh nuk gjendet në asnjë prej Librave të Testamentit të Vjetër. Disa apolegjetë dëshirojnë ta nxjerrin atë nga kuptimi i versetit të parë të Isaisë 11: “Pastaj një degëz do të dalë nga trungu i Isaisë dhe një “nezer” (filiz) do të mbijë nga rrënjët e tij.” (1)

(1- Shih p.sh. botimin e Dëshmitarëve, “Profecitë e Isaisë. Dritë për gjithë njerëzimin”, Romë 2000, vëll. I f.159.)

Në të vërtetë ky pasazh është mesianik, por ai s’ka të bëjë fare me citimin e Ungjilltarit, sepse fjala “nezer” do të thotë filiz, dhe duhet të dhunohet drejtshkrimi i saj e për më tepër edhe konteksi, për ta lexuar “nozri”, d.m.th. nazareas, dhe ideja se “Pastaj një degëz do të dalë nga trungu i Isaias dhe një nazareas do të mbijë nga rrënjët e tij”, do të ishte qesharake, kështu që kjo hipotezë nuk qëndron.

6. Mateu 27:3-10 thotë se kur priftërinjtë me paratë e Judës blenë arën e poçarit, u përmbush çfarë ishte parathënë nga profeti Jeremia: “Dhe i morrën të tridhjetë monedhat prej argjendi, çmimin e atij që e çmuan, siç kishin çmuar bijtë e Izraelit; dhe i shpenzuan për arën e poçarit, ashtu si më urdhëroi Zoti.”

Ky pasazh që Ungjilltari i parë pretendon se e ka nxjerrë prej librit të Jeremisë, faktikisht nuk gjendet në të. Shën Xheromi thotë se diçka e ngjashme përsa i përket kuptimit gjendet tek Zakaria 11:12-13, por rendi dhe fjalët janë të ndryshme. (1)

(1- Në këtë mbështetet sigurisht edhe botimi i Dëshmitarëve Ausilario per capire la Bibbia, Romë 1983, fq.603, por fjalët e tyre se “Kjo blerje plotësonte profecinë e Zakarisë 11:13”, janë plotësisht pa vend, sepse ç’hyn Zakaria këtu kur Mateu përmend fare qartë Jereminë?!)

Më pas ai shton se ka lexuar një libër apokrif të Jeremisë të shkruar në hebraisht, të cilin ia kishte dhënë një kristian i judaizuar nga sekti i Nazareasve, ku këto fjalë gjendeshin ekzaktësisht ashtu. Në një dorëshkrim kopt në bibliotekën Bodleian në Oxford, Woide lexon pjesën e mëposhtme: “Përsëri i thotë Jeremia Pashhurit: ju me etërit tuaj i jeni kundërvënë edhe herë të tjera të vërtetës, dhe bijtë tuaj që do të bëjnë mëkate edhe më të mëdha se tuajat, përderisa do ti japin çmim të paçmuarit dhe do ti bëjnë dëm atij që me faljen e mëkateve do të shërojë të sëmurët. Dhe do të marrin tridhjetë monedhat e argjendit, të cilat bijtë e Izraelit i kanë dhënë për arën e poçarit, ashtu siç ka urdhëruar Zoti. Dhe do të thuhet kështu: të bjerë mbi ta e mbi bijtë e tyre gjykimi prej mallkimit të përjetshëm sepse kanë derdhur gjak të pafajshëm.” (1)

(1- Johann David Michaelis, Orientalische und exegetische Bibliothek. nr.66.)

Më përpara se Woide, Domencio Magri, një misionar siçilian, kishte publikuar të njëjtin fragment të nxjerrë nga një dorëshkrim arab të Abraham Echellence, (2)

(2- Michaelis, Einleitung in die Schriften des Neuen Bundes, fq. 265)

“…dhe duket qartë – thotë Michaelis – se në Jereminë kap.XX pas versetit 5 ku flet Pasciu, birri i Immerit, lexoheshin gjëra që tani nuk janë më…” Ai tregohet i pakënaqur me shën Xheromin se përse nuk e ka sjellë atë që ka lexuar në apokrifin e Jeremisë që të kishin mundësinë ti krahasonim.
Eshtë një fakt i pakundërshtueshëm se kristianët e parë posedonin ekzemplarë të ndryshëm nga ato që kemi ne sot, sepse përveç pasazhit të cituar më lart, Xhustino Martiri dhe shën Ireneu citojnë edhe këtë tjetrën e cila nuk gjendet më: “Perëndia, Zoti i Shenjtë i Izraelit, do të kujtohet për të vdekurit e tij që flenë në tokën e varrit, dhe do t’i zbresë atyre për ti lajmëruar shëndetin që vjen nga ai dhe për ti shpëtuar.”(3)

(3- Dialogus cum Tryphone Iudaeo, kap. 72. Ireneu (III.25) ai atribuon këtë pasazh Isaisë, por në IV, 39 ai ia atribuon Jeremisë, ndërsa pa emrin e autorit e sjell në IV, 66 dhe V.31 (Edicioni Grabe Oxoniae 1702). Leximi i mësipërm është sjellë sipas atij të Ireneut i cili duket më i rregullt se i Xhustinit.)

Xhustini i akuzon hebrejtë se kanë hequr këtë edhe pasazhe të tjera nga Shkrimet, por me më shumë arsye, e ndoshta edhe më të qëndrueshme, hebrejtë mund të fajësonin kristianët se i kishin interpoluar.
Duke ardhur tek pjesa e Zakarisë e cila ka një farë ngjashmërie me citimin e Mateut, së pari duhet thënë se komentatorët si hebrej ashtu edhe kristianë, përsa i përket interpretimit të saj janë në kundërshtim, megjithatë, duke i marrë të tërë së bashku duket mjaft qartë se ajo nuk ka asnjë lidhje me tradhëtinë e Judës.
I pakënaqur prej judejve të kthyer nga Babilonia, Zakaria thotë se nuk dëshiron të përzihet më në punët e tyre: “Atëherë u thash atyre: Po t’ju duket e drejtë, më jepni pagën time: tridhjetë sikla argjendi. Por Zoti më tha: “Hidhe në “jozer” çmimin madhështor me të cilin ata më vlerësuan.”
Me këto fjalë ai don të tregojë se e kishin vlerësuar me vlerën e një skllavi, të cilin ligji e përcaktonte 30 sikla argjendi. (1)

(1- Eksodi 21:32)

Më pas ai vazhdon: “Atëherë i mora tridhjetë siklat prej argjendi dhe i hodha në shtëpinë e Zotit në “jozer”.”
Fjala “jozer” e cila në hebraisht tregon punuesin ose vendin në të cilat bëheshin enët prej balte është pengesë për interpretuesit.
Në targumët kaldeikë, rabinët përgjithësisht thonë se fjala “jozer”, këtu duhet të merret për “hozer” (mbajtës i thesarit), ndërsa përkthyesi i vjetër siraik e ka marrë për “hozar” (thesar) dhe orientalisti i shquar Friedrich Heinrich Wilhelm Gesenius, (1)

(1- Hebraisches und chaldaisches Worterbuch, Leipzig 1834, mbi këtë fjalë.)

thotë se kjo mund të shpjegohet me shëmbëllim të kopistëve.
Ai arrin në përfundimin se fraza e fundit “në shtëpinë e Zotit” është një shkrim i bërë në anë tekstit, i cili më vonë është shtënë në të, dhe nëse e heqim këtë, atëherë kuptimi është mjaft i qartë.
Ashtu si duket mjaft qartë, Ungjilltari nuk ka cituar prej Zakarisë, por ai ose e citon një libër apokrif, ashtu siç thotë edhe shën Xheromi, ose teksti i librit të Jeremisë nuk ka ardhur i plotë tek ne.

7. Luka 24:46-47 vendos në gojën e Jezusit fjalët: “Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë, dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve nëdër të gjthë popujt, duke filluar nga Jeruzalemi…”, të cilat do të bënin vdekjen dhe rringjalljen e tij plotësim të kësaj profecie, por sado të kërkohet në Testamentin e Vjetër nuk është e mundur të gjendet një verset në të cilin të jetë shkruar kjo. Me një fjalë, “kështu nuk është shkruar asgjë” (2)

(2- Shih Adel Smith, Un dio mai crocifissio. Crocifissione, crocifinzione o ppure non-crocifissione? Albania 2000, fq. 331-334.)

Në bazë të atyre çfarë kemi vërejtur në këtë kapitull të shkurtër, profecitë e Biblës, përveç atyre që janë përmbushur, mund t’i ndajmë edhe në tre kategori të tjera:

1. Profeci të papërmbushura
2. Profeci të cilat s’kanë të bëjnë fare me atë çka pretendohet se janë përmbushjet e këtyre profecive dhe
3. Profeci të cilat paraqiten për të tilla, por faktikisht nuk gjenden brenda faqeve të Biblës. (1)

(1- Për një kategori të katërt të profecive Biblike që bën fjalë për ato profeci të cilat nuk janë përmbushur në atë kohë dhe me atë person që supozojnë autorët e Testamentit të Ri (ashtu si edhe shumë autorë kristianë në përgjithësi), shih librin e Adel Smith “Muhammad nella Bibbia?”)

Shkëputur nga libri: A është Bibla me të vërtet fjalë e Perëndisë?- Fatmir Çupi