Koncepti hebraik i shëlbimit përbëhet nga shtresa të ndryshme të cilat reflektojnë shumësinë e ngjyrimeve të termit hebraik kipper(të kryesh shëlbimin). Etimologjikisht, ky term biblik mund të marrë këto kuptime: (1) “të pajtosh” (Eksodi 25:17, Levitiku 16:2), (2) “shpagim” apo “fshirje” (Isaia 27:9, Jeremia 18:23), ose (3) “shpengim” (Eksodi 30:12, Numrat 35:31–32). Për rrjedhojë, shëlbimi mund të përfaqësojë (1) procesin e mbulimit të mëkatit për të parandaluar ndëshkimin, (2) një formë pastrimi (katarsis) që e purifikon individin nga papastërtitë e shkaktuara nga sjellja mëkatare, apo (3) aktet shlyerëse apo pajtuese të përcaktuara për tëmënjanuar zemërimin hyjnor dhe për të sjellë pajtimin duke ndrequr çekuilibrin e shkaktuar nga shkeljet kundër hyjnisë. Ndonëse termi kipper është përdorur në Torah (Pentateuk) për t’iu referuar largimit të papastërtive rituale, gjithsesi nuk ka asnjë sugjerim që ritet në vetvete të jenë të pajisura me fuqi magjike. Rezultatet e dëshiruara të shpengimit apo pastrimit nuk shihen si pasoja të shkaktuara nga kryerja e riteve. Shëlbimi mund të dhurohet vetëm nga Zoti; ai nuk është pasojë e drejtpërdrejt e veprimeve njerëzore (shih., p.sh., Levitiku 16:30). Në Torah është urdhëruar veçanërisht rrëfimi, kjo së bashku me ritet shpenguese të kryera nga kryeprifti në Ditën e Shëlbimit si edhe së bashku me flijimin të quajtur asham (flijimi i fajësisë). Judaizmi rabinik e ka interpretuar këtë kërkesë të fundit si model për të gjitha llojet e flijimeve të cilat synojnë sigurimin e faljes, shpengimit, apo shëlbimit nga mëkatet.
Nëse nuk paraprihet nga rrëfimi, atëherë çdo Hat Dat (flijim për mëkatet) apo asham duhet damkosur si “një sakrificë e ofruar nga një njeri i ligë, gjë e cila është e urryer. (B.T.,Shav. 12b).
Pendimi
Ndonëse Torahu i referohet vetëm rrëfimit, rabinët e Mishna-s, Talmudit dhe veprave midrash-ike citojnë versete të ndryshme nga pjesa e mbetur e Biblës hebraike për ta interpretuar këtë kërkesë formale në një kuptim më të gjerë. Akti i rrëfimit është shpjeguar si verbalizim i një procesi të brendshëm të teshuvah, akti i “kthimit”, i cili përfshin jo vetëm brejtje të ndërgjegjes, por edhe një përpjekje serioze për të riparuar dhe vendosmëri për të ndrequr rrugët. Mundësia e teshuva-s, njësoj si rikrijimi i vetes njerëzore, merr për të mirëqenë lirinë dhe vullnetin. Judaizmi pohon se qeniet njerëzore zotërojnë mundësitë për ta çrrënjosur veten nga lidhja shkakësore dhe të përcaktojnë në liri veprimet e tyre. Paçka theksimit të vendosur mbi teshuva-n – transformimi psikologjik i vetes i sjellë nga përpjekja njerëzore – gjithsesi një element thelbësor i këndvështrimit tradicional është edhe koncepti se mëshira hyjnore është e domosdoshme për të shëruar apo shëlbyer njeriun nga pasojat e tmerrshme që lë pas mëkati.
Duke qenë se çdo shkelje e urdhrave hyjnorë përmes mëkatit të bërjes së gjërave të ndaluara apo mosbërjes së atyre të urdhëruara përbën një fyerje ndaj hyjnisë dhe dëmton marrëdhënien e individit me Krijuesin, atëherë hiri hyjnor është i domosdoshëm për të arrirë shëlbimin e plotë. Është për këtë arsye që lutjet për shëlbim janë pjesë përbërëse e teshuva-s. Megjithëkëtë, gjenden mëkate të një ashpërsie kaq të madhe saqë teshuva në vetvete nuk mund ti shlyej. Sipas formulimit klasik të rabinit tannait-ik të shekullit të dytë, Rabbi YishmaDel:
“Ai i cili shkel një urdhërim pohues dhe pendohet, është i falur para se të lëviz nga vendi i tij: sepse është thënë: “Kthehuni, o bij të përdalë” [Jeremia 3:14]. Ai i cili ka shkelur një urdhërim mohues dhe pendohet, pendimi thjesht lë pezull ndëshkimin dhe vetëm Dita e Shëlbimit siguron shpengimin [nga ky mëkat]. Sepse është thënë: “Sepse atë ditë prifti do të bëjë shlyerjen për ju… për të gjitha mëkatet” [Levitiku 16:30]. Ai i cili shkel një ligj, të dënueshëm me asgjësim apo dënim kapital, dhe më pas pendohet, ky veprim dhe Dita e shëlbimit e lënë pezull [ndëshkimin] dhe vetëm vuajtja e plotëson shëlbimin. Sepse është thënë: “unë do ta dënoj shkeljen e tyre me shufër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura” [Psalmet 89:33]. Ndërsa ai i cili është fajtor për ç’shenjtërimin e emrit hyjnor, për të pendimi është i pamjaftueshëm për të pezulluar ndëshkimin, Dita e shëlbimit nuk siguron dot shpengimin, vuajtjet nuk e plotësojnë dot atë, por të gjitha këto të marra së bashku e lënë pezull ndëshkimin dhe vetëm vdekja e plotëson shëlbimin. Sepse është thënë: “Por Zoti i ushtrive u ka thënë veshëve të mi: “Ky mëkati juaj nuk do të shlyhet deri sa ju të vdisni” [Isaia 12:14]. (B.T., YomaD 86a)
Hiri dhe shlyerja
Doktrina rabinike se “vdekja kërkon shëlbim” (Sifrei Shoftim 210) është një provë e mëtejshme se shëlbimi nuk është thjesht një funksion i pendimit. Pendimi është i mundshëm vetëm për të gjallët, ndërkohë që Judaizmi nxit praktika, të tilla si veprat e bamirësisë, lutjet apo studimin e Torahut, edhe për të vdekurit. Në mënyrë domethënëse, vdekjes së kryepriftit (J.T., YomaD 7.3) apo të njerëzve të devotshëm (B.T., MoEed Q. 28a) i vishen domethënie shëlbimi zëvendësues.
Ngjashëm, sipas një numri mendimesh tannaitik-e, Dita e Shëlbimit në vetvete, dhe veçanërisht kryerja e riteve të dashit të kurbanit, mund të shlyejnë disa mëkate madje edhe për ata që janë të pashpenguar (B.T., YomaD 65b). Sidoqoftë, duhet të vërejmë se Menahem MeDiri (1249– 1306/1310), një autoritet i spikatur hebraik nga Franca, refuzonte kategorikisht mundësinë e shëlbimit në mungesë pa shfaqur paraprakisht, së paku, shenjat minimale të pendesës (H:ibbur hateshuvah 2.13). Por, ndërsa teologjia hebraike i vesh efektshmëri shëlbyese agjërimit, bamirësisë dhe kulteve apo praktikave rituale të tjera dhe në këtë kuadër edhe vdekjes dhe vuajtjes, gjithsesi një rëndësi thelbësore i jepet pastrimit të brendshëm (katarsis). Në mënyrë domethënëse, traktati YomaD 8.9 i Mishna-s përfundon me thirrjen e Eaqivad Ben Yosef’s, “ Sa të lumtur jeni ju izraelitë! Para kujt e pastroni ju veten dhe kush ju pastron ju? Ati juaj që është në qiej.”
Shëlbimi i përshtatshëm kërkon që njeriu të marrë iniciativën për tu kthyer tek Zoti, i cili do ti përgjigjet atij duke plotësuar procesin e pastrimit, gjë e cila do të dërgoj në riintegrimin e unit të fragmentarizuar njerëzor në ndreqjen e shëndetshme të marrëdhënies midis njeriut dhe Zotit. Sipas mendimit talmudik, pendimi është një kusht i nevojshëm për shëlbimin mesianik. Në mendimin e Kabalës, pendimi nuk është parë vetëm si i domosdoshëm për shëlbimin kombëtarë, por ka marrë edhe domethënie metafizike, si një aspekt i shquar i procesit të tikkun Eolam (“të ndreqësh botën”) – kthimi i krijimit të tjetërsuar tek Krijuesi i tij.
BIBLIOGRAPHY
Studies in Sin and Atonement in the Rabbinic Literature of the First Century by Adolf Büchler (Oxford, 1928) është një vepër pionere, por paksa e hershme, që paraqet konceptet rabinike të shëlbimit. Një analizë tërësore e koncepteve biblike nën dritën e kërkimeve më të fundit mund të gjendet tek Herbert Chanan Brichto’s “On Slaughter and Sacrifice, Blood and Atonement,” Hebrew Union College Annual 47 (1976): 19–55. Dy ese të shkruara nga Jacob Milgrom, “Kipper” and “Repentance,” tek Encyclopaedia Judaica(Jerusalem, 1971), janë shumë të dobishme si hyrje në konceptet biblike dhe postbiblike të shëlbimit. Një studim fenomenologjik të koncepteve herbaike të shëlbimit dhe pendesës nga autoritetet dhe filozofët e shquar mbi ligjin hebraik është Joseph Ber Soloveitchik’s EAl hateshuvah, edituar nga Pinchas H. Peli (Jerusalem, 1974). Kjo vepër është përkthyer së fundi në gjuhën angleze nga Pinchas H. Peli as Soloveitchik: On Repentance (Ramsey, N.J., 1984).
Burimet e reja
Althann, Robert. “Atonement and Reconciliation in Psalms 3, 6 and 83.” JNSL 25 (1999): 75–82. Bautch, Richard J. Developments in Genre betëeen Post-Exilic Penitential Prayers and the Psalms of Communal Lament. Academia Biblica, no. 7. Atlanta, 2003. Douglas, Mary. “Atonement in Leviticus.” Jewish Studies Quarterly 1, no. 2 (1993–1994): 109–130. Grayston, Kenneth. “Atonement and Martyrdom.” In Early Christian Thought in Its Jewish Context, edited by John Barclay and John Sweet, pp. 250–263. Cambridge, 1996. Neusner, Jacob. “Sin, Repentance, Atonement and Resurrection: The Perspective of Rabbinic Theology on the Views of James 1–2 and Paul in Romans 3–4.” Annali di Storia dell’Esegesi 18 (2001): 409–431.
WALTER S. WURZBURGER (1987)
Revised Bibliography
Shëlbimi: Koncepti i Krishterë
Nga këndvështrimi gjuhësor fjala angleze atonement (at-one-ment =shëlbim) do të thotë “gjendja ose rezultati që vjen nga të qenurit një”. Kjo është një nga ato pak fjalë në gjuhën angleze që është shndërruar në një term teologjik. Kjo fjalë shfaqet shumë herë në Dhjatën e Vjetër dhe ky përdorim ka lënë gjurmë edhe në Dhjatën e Re dhe traditën që e pasoi atë. Shfaqja e saj në versionin biblik Authorizet (King James) Version si përkthim i termit katallag¯e që gjendet tek Romakëve 5:11 (“nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht, me anë të të cilit tani kemi marrë shëlbimin [atonement]) e ka konsoliduar përdorimin teologjik të këtij termi. Gjithsesi, përkthimi biblik në gjuhën angleze “The Revised Standard Version” dhe pothuajse të gjitha versionet moderne e përkthejnë termin katallag¯e si “pajtim” [reconciliation], duke e lënë Dhiatën e Re në gjuhën angleze pa fjalën “atonement”. Në përdorimin teologjik bashkëkohorë termi “shëlbim” ka marrë kuptimin e procesit me anë të të cilit përmbushet pajtimi me Perëndinë përmes vdekjes së Krishtit. Përdorimi i hershëm teologjik zotëronte kuptimin e gjerë të fundit të kërkuar përmes procesit të shëlbimit, pajtimit, shpengimit (në shkrimet e hershme katolike) dhe shpëtimit (në ortodoksinë protestante).
Konteksti i marrë nga Dhiata e Vjetër
Rrënja hebraike e termit shëlbim është kpr, e cila me shumë mundësi do të thotë “të mbulosh” ose ndoshta “të fshish” Ekuivalenti grek i këtij termi është hilaskethai dhe derivatet e tij. Sistemi i flijimeve që praktikohej nga izraelitët konsiderohej si një institucion i siguruar bujarisht nga Zoti dhe kishte si qëllim të tij shëlbimin. Shkaku themelor i tij mund të shihet tek Levitiku 17:11: “sepse është gjaku që bën shlyerjen e fajit për jetën”. Në ditën solemne të shëlbimit, kryeprifti hynte brenda në të shenjtën e të shenjtave për të shkuar tek arka e besëlidhjes, vendqëndrimi i mëshirës (kaporet, hilast¯erion), ku besohej se shfaqej Perëndia dhe do të shpallte faljen për mëkatet e njerëzve. Disa shkollarë mund ta përkthejnë termin hilast¯erion që gjendet tek Romakëve 3:25 (“Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë hilast¯erion”) thjesht si “vendqëndrim të mëshirës”. Ndjesia e tyre është se Pali dëshiron të pohoj që kryqi i Krishtit tashmë është vendi ku Perëndia tregon mëshirën e tij. Shumica e përkthyesve, gjithsesi, e përkthejnë termin në këtë kontekst si “pajtim” ose “shlyerje”, në varësi të faktit nëse ato dëshirojnë të sugjerojnë se së pari duhet shuar zemërimi hyjnor para se Ai të falë mëkatet e njerëzve apo të sugjerojnë se blloku i marrëdhënies së restauruar nuk duhet vendosur tek Perëndia por tek tjetërsimi që krijohet prej mëkatit në vetvete mbi të cilin veprohet në mënyrë të drejtpërdrejt nga veprimi shëlbyes i Krishtit. Teori fuqimisht të kundërta të shëlbimit janë ndërtuar më vonë mbi bazën e këtij debati. Profetët kanë paralajmëruar vazhdimisht kundër supozimit të vetvetishëm se flijimi në vetvete është i mjaftueshëm për të siguruar faljen. Ata predikonin se Zoti dëshironte mëshirë dhe pendim (Isaia 1:10–17). Sistemi ritual i flijimeve u spiritualizua në Dhiatën e Vjetër nga këndvështrimi profetik i besëlidhjes së re që do të zëvendësonte besëlidhjen fillestare të Moisiut (Jeremia 31:31) si dhe u personalizua në veprimet e shërbëtorit të përvuajtur të Jahvehut (Isaia 53), i cili ishte dërguar nga Zoti për tu bërë asham [flijim i fajësisë] në mënyrë që të mbante mbi supet e tij mëkatet e të shumtëve në një veprim blatimi shëlbyes.
Themelet e konceptit në Dhiatën e Re
Shoqërimi i shëlbimit me flijimin e kafshëve, ofrimin e temjanit dhe pagesën e parave u zhdukën krejtësisht në Dhjatën e Re, për të mbetur thjesht si metafora sqaruese të jetës shëlbyese, vdekjes, ringjalljes së Krishtit dhe, veçanërisht, të “një herë për të gjithë” (Hebrenjve 10:10) ngjarjes së kryqëzimit. Kur të krishterët thonë se kryqi është pika thelbësore e predikimit të hershëm të ungjillit, ato nuk janë duke bërë lojë fjalësh, por janë duke dëshmuar se Shëlbimi, çfarëdo gjëje tjetër të ketë bërë, ka ndryshuar gjuhën. Për këtë arsye ndoshta ka qenë e pashmangshme përdorimi i gjuhës së blatimeve gjatë përshkrimit të Shëlbimit. Kjo thjesht për faktin se institucioni bashkëkohorë i flijimit ishte i mirënjohur për krishterët e hershëm (gjë e cila nuk ndodh në ditët tona) dhe për shkak se procesi penal ekzistues i kryqëzimit me derdhjen e tij të gjakut të sillte ndërmend ritualet religjioze të flijimeve.
Ungjijtë dhe mësimi i Jezusit
Përmes parabolave apo ligjërimeve të drejtpërdrejta, Jezusi mësoi faljen e mëkateve, duke e lidhur faljen e Perëndisë me faljen midis njerëzve. Polemika të zhurmshme u ngritën rreth faljeve autoritative të Jezusit. Një situatë kjo e cila ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër ngrinte, për dëgjuesit e tij hebrenj, çështjen e blasfemisë apo të statusit të tij hyjnor. Jezusi e pa vdekjen e tij si të mundshme jo vetëm duke u nisur nga fakti se shumë profetë janë martirizuar për jopopullaritetin e mesazhit të tyre, por sepse ai e pa mesazhin e tij si të kontrolluar nga detyrimi hyjnor, një pjesë vendimtare e misionit të tij për të inauguruar Mbretërinë e Perëndisë: “Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t`i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin (lutron) e shumë vetave“. Pyetjet e mëvonshme rreth faktit se kujt vepruesi i duhet paguar shpengimi, përcaktuan teori dhe forma të ndryshme të shëlbimit. E bashkangjitur me shprehjen “e shumë vetëve”, e cila mund të sjellë ndërmend imazhin e flijimit të shërbëtorit të përvuajtur që gjendet tek Isaia, i cili do të shpëtoj shumë vetë nga mëkatet, përdorimi i fjalës shpengim dëshmon për paçmueshmërinë e pajtimit me Perëndinë.
Një thënie e dytë që i vishet Jezusit në traditën e darkës së fundit që gjendet tek Markut, hedh dritë mbi problemin depërtues të detyrimit hyjnor: ” Atëherë u tha: “Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta.” (Mk. 14:24). Kjo gjuhe të sjell ndërmend thënien e mëparshme rreth çlirimit, por këtu gjendet edhe elementi i besëlidhjes së re, ashtu siç është parashikuar ajo nga Jeremia, si edhe çlirimin që Zoti i bëri izraelitëve nga skllavëria në Egjipt. Pali mund të thoshte: “Krishti pashka ynë është sakrifica e mjaftueshme për ne”. Thënies së Markut rreth “ gjakut të besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta”, Mateu i ka shtuar edhe frazën, “për faljen e mëkatëve” (Mateu 26:28), duke e bërë të qartë se veprimi shëlbyes vjen si rrjedhojë e mëkatit.
Nga ana tjetër Gjoni zhvilloi imazhin e ““Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!” (Gjoni 1:29, 1:36). Gjenden referenca të tjera për qengjin edhe në librin e Zbulesës, si tek Zbulesa 13:8, “që ishte vrarë që nga krijimi i botës.” Ky përkthim i diskutueshëm u përdor si një përligjje për interpretimet e mëvonshme të konceptit të shëlbimit, sipas së cilit kryqëzimi i Krishtit nuk ishte një ngjarje e izoluar, por shprehje e një sakramenti të realitetit të përhershëm e dashurisë vuajtëse të Perëndisë për njerëzimin. Letra drejtuar Hebrenjve e zgjeron më tej këtë imazh të sakrificës, duke e bërë atë bazën për teorinë më me bazë rreth shëlbimit që gjendet në Dhiatën e Re. Pyetja teologjike për të gjitha teoritë e flijimit është nëse ka qenë, apo jo, vdekja e Krishtit në vetvete një blatim përfundimtar ndaj Zotit apo bollëku i imazheve të flijimit të përdorura në literaturën e Dhiatës së Re ishte thjesht një mënyrë për të provuar se ajo që kërkohej nga sistemi i flijimeve të Dhiatës së Vjetër ishte përmbushur dhe plotësuar në jetën dhe vdekjen e Krishtit.
Pali në lidhje me shëlbimin.
Pali është burimi i shkruar më i hershëm për sa i përket dimensioneve të shëlbimit në mësimin apostolik: “Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve” (1 Korintasve15:3). Ai përdori imazhe të Krishtit si triumfuesi mbi mëkatin, zemërimin, demonët dhe vdekjen. Po ashtu ai përdori, në letrat e tij, edhe ilustrime të gjykatave. Sipas tij vdekja shëlbyese dhe ringjallja e Krishtit shkonin përtej thjesht dimensioneve njerëzore të shpëtimit për të përfshirë në vetvete edhe botën e shpirtrave dhe të natyrës me të gjitha rënkimet dhe mundimet e saj (Rom. 8:19 23)”.
Pali e kuptoi më së miri gjithë dilemën që vërtitej rreth konceptit të shëlbimit: Si mund një Zot i Shenjtë dhe i Drejtë të pranojë mëkatarët duke mos shkatërruar shenjtërinë e Tij e as duke sentimentalizuar dashurinë e Tij përmes një mospërfillje imorale ndaj të ligës? Pali, si një ish farise, natyrisht që përdori gjuhën ligjore për të përshkruar besimin në Krisht. Ai përkohësisht përdori gjuhën e procedurave gjyqësore, vetëm për të treguar paradoksin e hirit: Në rastin e Krishtit, Perëndia nuk u soll me njerëzimin përgjatë linjave të drejtësisë ndëshkuese, të cilën një gjykatës është i detyruar, përmes betimit, të zbatojë. Zbulimi i drejtësisë hyjnore është manifestuar “pavarësisht nga ligji…” (Romakëve 3:21). Interpretime të veprës zëvendësuese dhe përfaqësuese të Krishtit janë ndërtuar nga nënkuptimet penale të teksteve Pauline të tilla si: “Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të”. (2 Korintasve 5:21). Vështirësia me interpretime të tilla qëndron në faktin se ato priren që t’ia nënshtrojnë dashurinë zemërbardhë të Perëndisë domosdoshmërive të ligjit të gjykatave. Ungjilli sipas Palit është se Perëndia ka bërë atë që asnjë gjykatës njerëzor nuk mund të bënte: Perëndia në një mënyrë revolucionare pranoi mëkatarët. Jezusi predikoi një dashuri të këtij lloji dhe e zbatoi atë duke u shoqëruar me shtresat e përjashtuara, mëkatarët, të përbuzurit dhe me viktimat e fuqisë dhe padrejtësisë që gjendeshin në shoqërinë e tij, derisa forcat religjioze dhe politike të asaj shoqërie e kryqëzuan atë.
Në Dhiatën e Re nuk gjendet asnjë doktrinë unike e shëlbimit. Në të gjenden thjesht një përmbledhje imazhesh dhe metaforash të cilat përmbajnë disa analiza dhe reflektime paraprake nga të cilat traditat e mëvonshme kanë ndërtuar doktrinat dhe teoritë e tyre sistematike. Dhiata e Re pohon se Perëndia ishte në Krishtin duke e pajtuar botën me vetveten në një mënyrë të tillë, sa që një veprim i tillë i përngjan një fitoreje ushtarake, një mbreti që vendos fuqinë e tij, një gjykatësi dhe një të burgosuri përballë gjyqit, një rituali të madh sakrifice përballë një prifti në altar, pagimit të haraçit për të burgosurit e luftës ose pagimit të një shume për lirimin e një skllavi, pranimit të një bijërie të përgjegjshme brenda familjes, etj. Tradita është përpjekur të vendosë se cila pjesë e kësaj panorama duhet marrë në mënyrë të fjalpërfjalshme dhe cila pjesë duhet interpretuar metaforikisht. Gjatë kësaj përpjekjeje janë zhvilluar shpjegime të zgjeruara, duke shtuar përfytyrime të reja në varësi të kushteve të ndryshme të epokave dhe kulturave dhe duke vendosur marrëdhënie të kryqëzuara me doktrina të tjera të krishtera si ajo e Trinitetit, Mishërimit, Kishës dhe sakramenteve. Shpesh, tradita është përpjekur ta bëjë mbizotëruese një teori shëlbimi në kurriz të të gjithë të tjerave.
Një tipologji e teorive të shëlbimit.
Gustaf Aulén në veprën e tij klasike Christus Victor (1930) sugjeronte tre tipe bazë të teorisë së shëlbimit: tipi klasik, tipi latin dhe tipi subjektiv. Nëse e kombinojmë këtë së bashku me kategoritë shtesë të shpalosura nga R.S. Franks-i në veprën e tij History of the Doctrine of the Work of Christ (1918), atëherë mbërrimë në kategoritë e mëposhtme”
(1) Tipi klasik: Grek, patristic, Christus Victor, çlirues, Lindor.
(2) Tipi i Anselmit: Latin, objektiv, ndërveprimor, Perëndimor.
(3) Tipi i Reformimit: penal, objektiv, gjyqësor, qeveritar, ndërvperimor.
(4) Tipi i ndikimit moral: Abelard-ez, subjektiv, shembullor, modern.
(5) Tipe të tjera janë të karakterit flijimor, mistik, psikologjik, mishërimor dhe eukaristik.
Kjo skemë konsiderohet si e përafërt dhe bartëse e emrave historik të cilët në disa raste nuk janë thjesht përshkrues, por janë paraqitur në mënyrë të njëanshme nga mbështetësit e tyre apo nga kriticizmi i kritikëve. Në këtë artikull do të përzgjedhë për të analizuar vetëm disa nga teoritë më domethënëse.
Teoritë klasike të shëlbimit
Gustaf Aulén ka vështruar pas mitologjisë së etërve grek për të gjetur temën e Christus Victor, një këndvështrim ky që, siç pohonte ai, harmonizon idenë e mishërimit, shëlbimit dhe ringjalljes në një koncept unik të shpëtimit. Ragnar Leivestad në veprën e tij Christ the Conqueror: Ideas of Conflict and Victory in the New Testament (1954) e plotësoi idenë e Aulén-it duke e përshkruar luftën e Krishtit me demonët dhe Satanain gjatë punës, mësimit dhe veçanërisht përgjatë shërimeve të tij. Përshkrimi i dhënë nga Aulén-i është i rrënjosur në shkrimet e Palit, duke e mbartur atë përmes etërve lindorë dhe perëndimorë deri para kohës së Anselmit dhe e ka gjetur këtë koncept të shprehur sërish në ndjesinë e gjallë të Martin Luterit të të qenurit në krahun triumfues. Një version i kësaj teorie e sheh djallin si dikush që në mënyrë të padrejtë ka marrë në zotërim njerëzimin; ndërsa një version tjetër pohon drejtësinë e zotërimit të djallit; një tjetër version pohon se ndonëse djalli nuk ka asnjë të drejtë, përsëri Perëndia me mirësjellje e ka ndaluar veten nga marrja forcërisht e zotërimeve të djallit. Disa strategji të veçanta kundër djallit kanë qenë kurthi (humaniteti i Krishtit i përdorur si karrem për të fshehur hyjninë e tij) dhe loja e grepit e shtjelluar nga Agustini. Përveç temës së Christus Victor-it, në teologjinë e etërve të Kishës kanë ekzistuar edhe këndvështrime të tjerë për Jezusin të cilat e shihnin atë si bartës së pakorruptueshmërisë (ide e shtjelluar nga Athanasi në shekullin e katërt), shpalosës i së vërtetës dhe model për njerëzimin, shëruesi i njerëzimit dhe viktima e flijimit (ide e shtjelluar nga Gregori në shekullin e katërt). Shpesh është vënë në dukje kundërshtia midis dogmës zyrtare të Kishës në lidhje me Mishërimin, ashtu siç u zhvillua ajo përmes konçillit të Kalkedonisë (451 e.s.), dhe statusit jozyrtar të teorive të shëlbimit. Por dallimet midis tyre mund lehtësisht të ekzagjerohen meqenëse kriteri për vendimin kristologjik zakonisht ka qenë pyetja se në çfarë mënyrë e ndikon shpëtimin njerëzor teoria e propozuar për kuptimin e personit të Krishtit. Ka një pajtim gjithnjë e në rritje se vepra e Krishtit dhe personi i Krishtit duhen integruar së bashku: Krishti bëri atë që ishte dhe ishte ajo që bëri.
Teoritë e buruara nga Anselmi në lidhje me shëlbimin.
Vepra Cur deus homo (Përse njeriu-Zot?), e shkruar nga Anselmi, kryepeshkopi i Kantërburit, rreth vitit 1097, është vepra e vetme dhe me më ndikim në lidhje me shëlbimin. Anselmi kritikoi të gjitha teoritë e shëlbimit që pohonin se Krishti, për të shpëtuar njerëzimin, i pagoi haraçin djallit, duke i kthyer këto teori me kokë poshtë dhe duke pohuar se haraçi, të cilën Anselmi e quante “shlyerje”, i duhej paguar Zotit. Ka pasur debate të shumta rreth ndikimit që kanë pasur mbi Anselmin feudalizmi dhe tradita teutonike e shpagimit në para në rast vrasjeje të dikujt. Megjithëkëtë, qendra e teorisë së Anselmit është arsyetimi në lidhje me shlyerjen, e cila së bashku me pendimin dhe rrëfimin, përbëjnë tre pjesët e sakramentit të pendesës në kishën latine. Madje edhe imazhe e flijimi u riinterpretuan nën termat e shlyerjes si burim të shpjegimit të tyre. Meqenëse mëkati e heq njeriun nga nderi i Perëndisë dhe duhet të jetë infinit, në fyerjen që shkakton, për shkak se është kundër Perëndisë, atëherë për shlyerjen e tij është e domosdoshme një pagimi i një flijimi infinit. Këtë lloj shlyerje njerëzit e fundëm nuk mund ta përmbushin dot. Përgjigja ndaj kësaj dileme ishte Zoti-njeri, të cilin Anselmi e përshkruante si të lidhur nga detyra e thjeshtë për të jetuar një jetë bindjeje, por i cili, meqenëse kishte jetuar një jetë të pamëkatshme, nuk ishte i ekspozuar ndaj pretendimeve të vdekjes. Kështu që vetëm vdekja e Krishtit zotëronte atë element shtesë që e bënte atë një shlyerje të përshtatshme për mëkatet e njerëzimit. Gjatë kohërave kanë ekzistuar kritika të shumta ndaj kësaj teorie. Sipas kritikëve, Anselmi mbështetej më shumë se ç’duhej tek arsyeja për të shpjeguar misterin (e shëlbimit), ai kishte kuantifikuar matematikisht mëkatin në vend që ta personalizonte atë, ishte përqendruar kaq shumë në vdekjen e Krishtit saqë jeta e dashurisë flijimore të Jezusit ishte zbrazur, së bashku me ringjalljen, nga përmbajtja. Kritika më serioze ndaj teorisë së Anselmit është se procedurat strikte, në përputhje me drejtësinë ligjore, e ulin dashurinë e Perëndisë në një vend të dytë. Modifikime të mëvonshme mesjetare të teorisë së Anselmit (si p.sh. modifikimet e kryera nga Tomas D’akuini në shekullin e trembëdhjetë) theksonin, si bazë për shëlbimin, më shumë pranimin nga Zoti se sa domosdoshmërinë strikte. Mbi elementit shtesë të personit të Krishtit u ngrit dhe u menaxhua nga Kisha një sistem pendesash të indulgjencve.
Teoritë e shëlbimit të kohës së Reformimit.
Reformimi zgjodhi alternativën e papërdorur nga Anselmi të dënimit alternativ. Kalvini, në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, theksonte natyrën zëvendësuese të flijimit të Jezusit dhe të ndëshkimit hyjnor, në emër të njerëzimit apo të përzgjedhurve. Mbizotërimi i analizës së kryer nga Anselmi në ortodoksinë e reformimit dhe në lëvizjen e kundër-reformës mund të dëshmohet lehtë duke treguar se për katolikët shëlbimi vazhdoi të ishte baza e aparatit e kishtar i cili ndërmjetësonte shpëtimin, ndërsa për protestantët, të cilët e kërkonin shëlbimin përmes doktrinës së përligjes përmes besimit, ai u bë shkaku për mohimin e gjithë këtij aparati kishtar si të panevojshëm. Hugo Grotius (1583–1645) e zëvendësoi imazhin gjyqësor, të një gjykatësi i cili zbaton drejtësinë ndëshkuese, me imazhin politik të një guvernatori të shqetësuar për të mirën publike dhe të aftë për të falur njerëzimin thjesht për shkak të efektit sigurues të vdekjes së Krishtit. Kjo teori qeveritare apo rektorale bëri rrugë, përmes Jonathan Edwards-it, në mendimin kalvinist amerikan të shekullit të tetëmbëdhjetë.
Teoritë e ndikimit moral.
Teoritë e ndikimit moral e përshkruajnë shëlbimin si diçka të përmbushur në zemrat dhe mendjet e atyre që i përgjigjen mesazhit të Jezusit dhe shembullit të tij të dashurisë – “dashuria i përgjigjet apelit të dashurisë” ishte shprehja e përdorur nga Pjetër Abelardi në shekullin e dymbëdhjetë për të përmbledhur ndikimin e tij moral. Fuqia e këtij këndvështrimi është se ai vë theksin më shumë mbi dashurinë e Perëndisë se sa mbi zemërimin apo drejtësinë e Tij. Dobësia e brendshme e teorive të tilla qëndron në perceptimin e përhapur se deklarata të tilla në vetvete nuk kanë asnjë fuqi për të çliruar mëkatarët kur ata shihen më shumë si përbërës të shumës totale të shëlbimit se sa si pjesë e aktivitetit total të shëlbimit të filluar dhe të mbartur nga veprimi i Krishtit.
Horace Bushnell në veprën e tij Vicarious Sacrifice (1866), duke shkruar në kohën e luftës civile amerikane, i mori ilustrimet e tij për shëlbimin nga marrëdhëniet familjare, miqësinë dhe patriotizmin. Albrecht Ritschl në veprën e tij Justification and Reconciliation(fillimisht e publikuar në 1870–1874 në Gjermani) e shtriu faktorin reagues nga individi tek grupi. Ai e theksoi dashurinë pajtuese të Jezusit dhe besnikërinë e tij deri në vdekje si frymëzuese për një bashkësi të reagimit etik në histori. J. McLeod Campbell në veprën e tij Nature of the Atonement (1856) theksonte pendimin zëvendësues. Robert C. Moberly në veprën e tij Atonement and Personality (1901) siguroi një këndvështrim të gjerë të veprës së Krishtit si pendestari i përsosur duke e perceptuar mishërimin e Krishtit dhe aktivitetin e tij shëlbyes si të vazhdueshëm përmes kishës dhe sakramenteve dhe më pas në Frymën e shenjtë.
Teoritë e shëlbimit të shekullit njëzet.
Teologjia e Karl Barth-it e ridrejtoi mendimin drejt objektivitetit të shëlbimit, ndërsa Dietrich Bonhoeffer dhe Dorothee Sِlle zhvilluan temën e Krishtit si përfaqësues. Gjatë riabilitimit të teorisë ndëshkimore Leonard Hodgson në veprën e tij The Doctrine of the Atonement (New York, 1951) argumentoi se në Jezu Krishtin ndëshkuesi dhe i ndëshkuari janë një. Anglikanët dhe veçanërisht katolikët nën ndikimin e përtëritjes liturgjike dhe biblike, rikthimit në burimet e etërve të kishës dhe nën impaktin e Vatikanit II, i kthyen shpinën pohimit, deri atëherë mbizotërues, të Jean Rivière’s (të bërë në fillimet e shekullit të njëzet) se koncepti i Anselmit për shlyerjen, shpreh mjaftueshëm kuptimin e sakrificës dhe shkuan drejt një rivendosje të gjuhës flijimore, si në liturgji ashtu edhe në teologji. Pak doktrina në besimin e krishterë kanë prodhuar kaq shumë teori sa doktrina e shëlbimit, një fakt që dëshmon për dëshminë e Shkrimit, në të cilin vdekjes së Krishtit i është dhënë një fuqi dhe kuptim vendimtar pajtues, por asnjë teori apo grupe teorish nuk kanë arritur dot të bëhen të vetmet autoritative. Doktrina e shëlbimit është përgjigja e krishterë ndaj pyetjeve njerëzore rreth paditurisë, vuajtjeve, vdekjes dhe mëkatit, por gjithnjë tjetërsimi i shkaktuar nga mëkati është konsideruar si më thelbësori prej të tre të ligave të tjera të lartpërmendura. Krishti “…ka shembur murin e ndarjes… duke bërë paqen… për t`i pajtuar të dy me Perëndinë në një trup të vetëm me anë të kryqit…” (Efesianëve 2:14–16). Shëlbimi si një shprehje e misterit të Perëndisë mbetet realiteti në thelbin e tij; interpretimet e ndryshme të mënyrës dhe arsyeve të këtij procesi janë shumëfishuar si imazhe dhe metafora, janë zgjeruar në teori dhe janë bërë të varura apo mbizotëruese për tu shkrirë më pas në trajtat e ndryshueshme kulturore për tu shfaqur më pas në forma dhe marrëdhënie të reja. Në ditën tona lloji klasik i Christus Victor-it ka qenë gjithnjë e më shumë i aftë të tërheqë si satelitë teoritë e buruara nga Anselmi dhe ato të ndikimit moral. Ndoshta zhvillimi i ardhshëm qëndron në riformulimin e teorisë së flijimit, e cila, e humbur nga përdorimi liturgjik si dhe duke ecur krah për krah me kuptimet e reja të flijimit në historinë bashkëkohore të religjioneve, mundet që për një farë kohe të bëhet në vetvete një qendër e re kryesore.
WALTER S. WURZBURGER & WILLIAM J. WOLF
Përktheu: Rezart Beka
BIBLIOGRAFIA
Anselm. Why God Became Man and The Virgin Conception and Original Sin. Translated with introduction and notes by Joseph M. Colleran. Albany, N.Y., 1969. Një botim i arrirë dhe çuditërisht i lehtë për tu lexuar i një prej librave më të rëndësishëm të shkruar ndonjëherë për temën e shëlbimit. Aulén, Gustaf. Christus Victor: An Historical Study of the Three Main Types of the Idea of the Atonement. Translated by A. G. Herbert. 1931; reprint, London, 1945. Tashmë një vepër klasike në vetvete, e cika është shfaqur fillimisht në vitin 1930 në Suedi. Kjo vepër paraqet në mënyrë të qartë këndvështrimin klasik të shëlbimit si dhe shpreh bindjen se llojet e teorive latine dhe subjektive janë të destinuara të bëhen satelite të saj. Barth, Karl. Church Dogmatics IV: The Doctrine of Reconciliation. 3 vols. in 4. Translated by G. W. Bromiley. Edinburgh, 1956–1962. Brenda literaturës së gjerë të Barth-it, këto shkrime rreth pajtimit dhe shëlbimit përbëjnë një shumë prej 2, 600 faqesh me interpretime madhështore të shkrimeve dhe fusnota mbi historinë e doktrinës. Dillistone, Frederick W. The Christian Understanding of Atonement. Philadelphia, 1968. Një libër gjithëpërfshirës që shqyrton tjetërsimin si një problem në jetën njerëzore, me ilustrime bashkëkohore nga literature, historia, psikologjia, antropologjia dhe filozofia. Franks, Robert S. The Work of Christ: A Historical Study of Christian Doctrine. New York, 1962. Ky është një botim i vonshëm, në një vëllim të vetëm, i veprës së hershme dhe të përfundimtare të Robert Frank-ut me titull “A History of the Doctrine of the Work of Christ”, 2 vols. (London, 1918). Leivestad, Ragnar. Christ the Conqueror: Ideas of Conflict and Victory in the New Testament. London, 1954. Një dokumentim i rëndësishëm i origjinës në Dhiatën e Re të tezës së hershme të Aulén-it në lidhje me teorinë klasike të shëlbimit. Masure, Eugene. The Christian Sacrifice: The Sacrifice of Christ Our Head. London, 1944. Një pikë kalimi në shkrimet katolike rreth shëlbimit që nga shpjegimi i vjetër i Anslemit për flijimin deri tek teologjia e re mbi sakrificën që është marrë nga përtëritja shkrimore, patristike dhe liturgjike para Vatikanit II. Sِlle, Dorothee. Christ the Representative. London, 1967. Një analizë e mbështetur e llojit të detyrës përfaqësuese të përmbushur nga Krishti, e ndikuar shumë nga mendimi i Dietrich Bonhoeffer’s thought dhe titulli Kristologjik “njeriu për ne”. Taylor, Vincent, Jesus and His Sacrifice (1937). Ribotim, Londër, 1951. Një studim i dobishëm i thënieve të ungjijve rreth pasionit të Krishtit në dritën e Dhiatës së Vjetër dhe nga perspektiva e kriticizmit të formave. Së bashku me veprën e vonshme të Taylor-it The Atonement in New Testament Teaching, 2d ed. (London, 1946), and Forgiveness and Reconciliation, 2d ed. (London, 1952), ky libër përbën pjesë e një trilogjie të rëndësishme, me një theks mbi kuptimin flijimor të shëlbimit. Wolf, William J. No Cross, No Crown: A Study of the Atonement. New York, 1957. Një vështrim i përgjithshëm historik rreth shëlbimit dhe problemeve të kësaj teori, e ndjekur nga kapituj që trajtojnë temën e shpëtimit nga faji, përligjws, shenjtërimit, Zotit shëlbyes dhe jetës në shëlbim. Në këtë libër gjendet, po ashtu, edhe një përpjekje për të riformuluar një kuptim të shëlbimit.
Burime të reja
Bartlett, Anthony W. Cross Purposes: The Violent History of Christian Atonement. Harrisburg, Pa., 2001.
Boff, Leonardo. Passion of the Christ, Passion of the World. Translated by Robert R. Barr. Maryknoll, N.Y., 1987.
Brock, Rita Nakashima. Journeys by Heart: A Christological Erotic Power. Neë York, 1988.
Dudley, Martin, and Geoffrey Rowell, eds. Confession and Absolution.
London, 1990.
Gunton, Colin E., ed. The Theology of Reconciliation. London,
Weaver, J. Denny. The Nonviolent Atonement. Grand Rapids,
Mich., 2001.
Wheeler, David L. “A Relational View of the Atonement.” Theology
and Religion, vol. 54. New York, 1989.
WILLIAM J. WOLF (1987)
Bibliografi e rishikuar
[*]William J. Wolf është profesor në Episcopal Divinity School, Cambridge,Massachusetts (emeritus); është anëtar i Congregation Shaaray Tefila,
Lawrence, New York
(erasmusi.org)