el-Alame ‘Abdul-Muhsin el-‘Abbaad
All-llahu i Lartësuar thotë (përkthimi kuptimit të ajetit):
“Rasti i Isait për All-llahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” – dhe ai u bë. E vërteta është nga Zoti yt, andaj mos u bëj nga ata që dyshojnë!” (Ali Imran: 59 – 60)
Isai biri i Merjemes (Jezusi biri i Mërisë), salavatet dhe selamet qofshin me të, në Ligjin Islam është rob dhe i dërguar i All-llahut, Fjala e All-llahut të cilën Ai ia dha Merjemes dhe një shpirt nga Ai.
Pra, ai është rob (i All-llahut) dhe nuk bën të adhurohet, është i Dërguar (i All-llahut) dhe nuk bën të mohohet. Çifutët dhe të krishterët ose e kanë tepruar, ose e kanë cunguar realitetin për të.
Çifutët ishin të vrazhdë dhe cungues të pozitës së tij, pasi ata e cilësuan atë si një fëmijë kopil. Përderisa të krishterët e tepruan duke e adhuruar atë bashkë me All-llahun.
All-llahu e krijoi atë me Fuqinë e Tij nga Merjemja pa baba, ashtu siç e krijoi Ademin nga toka, Havanë (Evën) nga Ademi dhe njerëzit e tjerë nga një mashkull e një femër.
Këto janë katër kategoritë e krijimit në të cilat është kufizuar njerëzimi. All-llahu e ka përmendur krijimin e Ademit dhe Havasë dhe pjesën tjetër të njerëzimit – me përjashtim të Isait – në fillimin e Sures en-Nisa’, ku thotë (përkthimi kuptimit të ajetit):
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra.” (enNisa’: 1)
Pastaj, All-llahu i plotëson (kategoritë e krijimit) me krijimin e Isait pa baba, i cili është një kategori më poshtë (dhe më lehtë) se krijimi i Ademit që u bë pa baba dhe pa nënë. Për këtë arsye All-llahu thotë (përkthimi kuptimit të ajetit):
“Rasti i Isait për All-llahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” – dhe ai u bë.” (Ali Imran: 59)
Krijimi i Isait u bë me fjalën ‘Kun’ (Bëhu!), ashtu siç u bë edhe krijimi i Ademit me ‘Bëhu!’. Kjo është ajo që e thotë Ligji Islam dhe ajo është e vërteta pa asnjë dyshim. Prandaj, All-llahu më pas tha (përkthimi kuptimit të ajetit):
“E vërteta është nga Zoti yt, andaj mos u bëj nga ata që dyshojnë!” (Ali Imran: 60)
Ai, gjithashtu, në Suren Merjem, thotë (përkthimi kuptimit të ajetit):
“Ky është Isai, i biri i Merjemes. Kjo është fjala e vërtetë, për të cilën ata dyshojnë dhe diskutojnë. All-llahu nuk ka mbetur të marrë dikë për bir. Qoftë i Lavdëruar Ai! Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të “Bëhu!” dhe ajo bëhet.” (Merjem: 34)
Duke komentuar këtë ajet, Ibën Kethiri ka thënë:
“Rasti i Isait për All-llahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” – dhe ai u bë.” (Ali Imran: 59)
All-llahu i Lartësuar thotë: “Rasti i Isait për All-llahun”, në lidhje me fuqinë e All-llahut, pasi Ai e krijoi atë pa baba, “është si rasti i Ademit”, sepse All-llahu i Madhëruar e krijoi atë pa baba e pa nënë. “E krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” – dhe ai u bë. E vërteta është nga Zoti yt, andaj mos u bëj nga ata që dyshojnë!”
Pra, Ai i Cili e krijoi Ademin pa baba edhe më parë dhe më thjeshtë është i Fuqishëm që ta krijojë edhe Isanë, dhe nëse pretendohet se Isai është bir i All-llahut, ngase ai u krijua pa baba, atëherë mund të pretendohet, gjithashtu, se Ademi është biri i Allahun për të njëjtën arsye apo akoma më tepër, kurse kjo gjë dihet unanimisht se është e pavërtetë. Prandaj, të pretendosh se Isai është biri i Allahun për këtë arsye është një pavërtetësi më e madhe dhe kontradiktë më e qartë. Por, Zoti Krenar e Madhështor donte t’u tregonte krijesave fuqinë e Tij kur krijoi Ademin pa baba e pa nënë, Havanë nga një mashkull e pa një femër, Isanë nga një femër e pa një mashkull, dhe pjesën tjetër të njerëzimit nga një mashkull e një femër.”
Një rast tjetër i ndarjes së krijesave në katër kategori, siç ishte ndarja e origjinës së njerëzve, është edhe krijimi i vetë bijve të Ademit: ku All-llahu, disave prej tyre u dhuron djem, disa të tjerëve vajza, disave u jep edhe djem edhe vajza, kurse kë të dojë prej tyre e bën steril. All-llahu thotë (përkthimi kuptimit të ajetit):
“I All-llahut është pushteti mbi qiejt dhe Tokën. Ai krijon çfarë të dojë. Ai i dhuron vajza kujt të dojë e djem kujt të dojë. Disave u dhuron të dyja gjinitë: djem e vajza; e, kë të dojë e lë pa fëmijë. Vërtet, Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm.” (eshShura: 49 – 50)
Njëjtë janë edhe katër kategoritë në lumturi dhe mjerim. Ka njerëz që kanë lindur besimtarë dhe vdesin të tillë, të tjerë kanë lindur si mosbesimtarë dhe vdesin të tillë, disa kanë lindur si mosbesimtarë e vdesin si besimtarë, e të tjerë që lindin si besimtarë e vdesin si mosbesimtarë. Argument për dy kategoritë e fundit është Hadithi i Ibn Mes’udit radijAll-llahu anhu, në të cilin thuhet:
“Pasha Atë, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar të drejtë! Ndonjëri prej jush bën vepra të banorëve të Xhenetit derisa mes tij dhe Xhenetit mbetet një hapësirë sa një krah, dhe pastaj atë do ta zërë ajo që është shkruar për të, bën vepra të banorëve të Xhehenemit dhe kështu hyn në të; kurse, ndonjëri prej jush bën vepra të banorëve të Zjarrit derisa mes tij dhe Zjarrit mbetet një hapësirë sa një krah, pastaj do ta zërë atë ajo që është shkruar për të, bën vepra të njerëzve të Xhenetit dhe kështu hyn në të.” – Transmetuar nga Buhariu (nr. 3208) dhe Muslimi (nr. 6723).
Burimi: ‘Kutub ue Rasa-il ‘Abdul-Muhsin el-‘Abbaad’