Shën Maria apo Hz. Merjemja në Bibël dhe Kuran

Shën Maria apo Hz. Merjemja në Bibël dhe Kuran

Mexhid Yvejsi

Hyrje

Është në botë një grua me një jetëgjatësi dymijëvjeçare, e cila bashkon popuj të ndryshëm nga të gjitha racat, bashkon zemra njerëzore midis besimtarëve në jetën tokësore.
Të krishterët e quajnë Maria, hebrejtë Mirijem apo Merjem, kurse muslimanët Merjeme. Asaj i janë kushtuar mbi 200 mijë libra, i janë kushtuar rreth 10.000 kisha-shenjtore në botë, prej të cilave gjysma ndodhen në Evropë. Rreth saj, ndër shekuj, janë krijuar shumë mite, legjenda, por devotshmërinë ndaj Shën Marisë nuk e ka krijuar Kisha, përndryshe ajo ka qenë dyshuese ndaj mrekullive e shfaqjeve të herëpas’hershme të saj, siç besohej nga njerëzit e thjeshtë… Kështu lindi Mariologjia apo “teologjia” që i përkushtohet Shën Marisë, “ndaj së cilës nuk do të thuhet kurrë aq sa duhet”, e cila ka si objekt studimi devotshmërinë popullore ndaj saj. Por, këtu, në vazhdim, nuk kemi si objekt studimi devotshmërinë popullore ndaj saj, por në vend të devotshmërisë popullore do të paraqesim për Shën Marinë apo Hz.Mejremen pikëpamjet burimore, biblike e kur’anore

Shën Maria në Bibël

Shën Maria në Bibël përmendet për herë të parë në Ungjillin sipas Mateut. Ky Ungjill u shkrua në gjuhën aramaike, kurse më vonë u përkthye në greqisht, por nuk dihet a prej vetë autorit , apo prej ndonjë nxënësi, nën drejtim të vetë autorit.
Ungjilli sipas Mateut është i përqëndruar në personin e Jezu Krishtit (Hazreti Isait (a.s.): Ku shkruan se :
“ Ai është Krishti – Mesia. Është profet i Mbretërisë Qiellore (4, 17-23) “
Në Ungjillin sipas Mateut, Maria përmendet për herë të parë tek Lindja e Jezu Krishtit, ku shkruan :
“ Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu:
Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Josefin, para se të banonin së bashku, u gjet shtatëzanë për virtyt të Shpirit të Shenjt….
Qe, Virgjëra do të mbetet shtatzënë e do të lindë një djalë, të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel – që do të thotë: Hyji me ne!“
Kemi disa tekste nëpër librat biblike lidhur me çështjen e Marisë të cilat nuk kanë ngjashmëri njëri tekst me tekstin tjetër por në esencë janë të njëjtë. Ne së pari do të paraqesim mendimin e Mateut dhe pastaj të Lukës.

a) Sa i përket Mateut dhe sugjerimit argumentues të tij, ai ngjizjen virgjërore të Jezusit e sheh vetëm si përmbushjen e orakullit ( parthënie e priftërinjve) të Isaisë 7, 14 (sipas tekstit grek).
Mt 1, 20-23: “…në ëndërr engjëlli i Zotit i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij.” E gjithë kjo ndodhi që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpërmjet profetit:
“Ja, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë, të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel që do të thotë: Hyji me ne!”].

b) Sipas agrumentimit të Lukës, ai i jep rëndësi të madhe virgjërisë së Marisë dhe në të gjithë veprën e vet ka tërhequr vëmendjen për të përmbajturit ndaj epsheve (Lk 2,36; 14,26; 18,29) e për virgjërinë e femrave. (Vap 21,9).
I referohet sigurisht martesës së Marisë me Jozefin (Lk 1,27; 2,5), sepse sheh aty themelin e ligjshmërisë mesianike ( lëvizje shpirtërore) të Jezusit (3, 23vv). Por gjëja e parë që thotë për nusën e re , është së ajo është e virgjër (Lk1,27): Sipas zakonit palestinez, martesa e saj duhet të ishte bërë më përpara se të hynte në shtëpinë e dhëndrit të saj (Mt 25,1-13). Virgjëria e Marisë në momentin e Lajmërimit del në pah në kundërshtimin që ajo i bën Engjëllit, kur ky e lajmëron se do të jetë nëna e Mesisë: “Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë nuk njoh burrë? (Lk 12,34). Shprehja “Njoh një burrë” është me të vërtetë e zakonshme në Bibël për të treguar marrëdhënie bashkëshortore (Zan 4,1.27. 25; 19,8; 24,14…). Luka thekson në këtë mënyrë se Maria është e virgjër në momentin kur ajo ngjizet me Jezusin. Mbi të gjitha nuk e njeh kuptimin e saktë të pyetjes së Marisë që do të thotë: “në kuptimin e tanishëm nuk kam mardhënie bashkëshortore”. Luka në këtë mënyrë sugjëron që Maria e kupton se duhet të jetë nënë menjëherë, ajo kundërshton se martesa e vet nuk është kryer ende.Pyetja e saj e shtyn engjëllin t’i lajmërojë ngjizjen virgjërore të Jezusit. Kjo i zbulohet në të njëjtën kohë me birësimin hyjnor, shenja e të cilit është Shpirti i Zotit, që e ka kryesuar krijimin e botës (Zan 1,2), “do të përurojë me ngjizjen e Jezusit, krijimin e botës së re.” Për këtë arsye ngjizja virgjërore e Lukës duket se i përgjigjet kërkesës së birësimit hyjnor të Jezusit. Në lajmërimin e amësisë së saj të mistershme, Maria mëson vokacionin e saj virgjëror. Nga dy mendime, të Mateut dhe të Lukës, del përfundimi se pse një pjesë e të Krishterëve besojnë se Krishti ëshë bir’i Zotit, sepse sipas Lukës Zoti e paska birësuar për vete, andaj edhe pjesa e dëshmisë krishtere është “ Në emër të birit të atit të shpirtit të shenjët”.
Pra, sipas Biblës, Maria është nëna e Jezu Krishtit, të cilin e lindi duke qenë e virgjër, për virtyt të Shpirtit të Shenjt… Emri i Marisë vjen nga gjuha hebreje: Miriem apo Merjem. Më këtë emër, Merjem, ajo përmendet edhe në Kur’an.

Hz.Merjemja në Kuran

Hz. Merjemja në Kur’anin e madhëruar është e vetmja grua që përmendet me emër dhe përshkruhet si e pastruar, e ndershme, e lavdëruar. Lindja e hz. Isait a.s. përshkruhet në dy pjesë të Kur’anit; sure 3 dhe sure 19. Duke lexuar nga fillimi i lindjes së tij, ne njihemi me historinë e Hz.Merjemes dhe me pozicionin e nderuar të saj që tregohet në Kur’an, kur ajo mbyllet në faltore përpara lajmërimit se i është dhënë lindja e Isait a.s.: “Përkujto kur engjëjt i thanë: “Oj Merjeme, Allahu të dalloi ty (me besim e karakter), të pastroi (nga shpifjet ) dhe të lartësoi mbi gratë e botës.” ( Kur’an 3: 42 ) Një nder të tillë që i është dhënë Merjemes në Kur’an nuk gjendet, madje, as në Bibël. Ajetet vazhdojnë: “Oj Merjeme, vazhdoje adhurimin ndaj Zotit tënd, bën sexhde dhe falu për Zotin bashkë me ata që falen!” ( Kur’an 3: 43 )

Shpallja nga Zoti

Cili është burimi i këtij teksti të mrekullueshëm dhe madhështor, i cili në leximin apo këndimin origjinal në gjuhën arabe të vë në një gjendje emocionale të papërshkrueshme dhe të përlot? Në ajetin 44 shkruan: “Këto janë nga lajmet e fshehta (të hershme) që po t’i zbresim ty. Ti nuk ishe ndër ta kur i hidhnin shortet se kush prej tyre do të bëhej kujdestar i Merjemes, nuk ishe pranë tyre as kur ata ziheshin mes vete.” ( Kur’an 3: 44 )

Lindja e Merjemes

Historia tregon se gjyshja nga nëna e Isait a.s., Hannah, deri më parë nuk kishte mundur të lindë. Ajo iu drejtua me sinqeritet Zotit. Në qoftë se Zoti do t’i falte asaj një fëmijë, ajo sigurisht do t’ia përkushtonte fëmijën shërbimit të Zotit në faltore.

Pika kulminante

Zoti i dhuroi një lindje si dhuratë e lutjes së pastër të saj. Ajo qe përgatitur për një djalë, por në vend të asaj që priste ajo lindi një vajzë. Por për atë që ajo kishte në mendje, një femër nuk mund të barazohej me një mashkull. Çfarë do të bënte ajo më pas? Ajo bëri një vend ku t’i lutej Zotit. Ajo mezi priste sa t’i rritej Merjemja dhe të kujdesej për veten e vet. Me kalimin e kohës, Hannah e mori vajzën e saj të dashur, akoma të vogël, që ta dorëzonte për shërbim në faltore. Çdo prift kërkonte me ngulm që të ishte kujdestari i asaj foshnje aq të dashur. Ato hidhnin short me shigjeta për të, por, përfundimisht, kismeti ishte që ta mbante Zekeriai…

Sure Merjem

Eshtë një kapitull i tërë në Kur’an i quajtur Sure Merjem. (Kapitulli Maria), i emërtuar për nder të Merjemes, nënës së Isait a.s., nderim të cilin nuk e gjejmë t’i jepet Merjemes as në Bibël. Nga 66 librat e Biblës që i pranojnë besimtarët protestantë dhe mbi 70 librat e Biblës që i pranojnë besimtarët katolikë e ortodoksë , asnjëri prej tyre nuk është emëruar Maria ose në emrin e djalit të saj. Kurse nuk ka asnjë kaptinë në Kur’an me emrin Emine, emri i nënës së Muhammedit (a.s.), as Hatixhe, gruaja e tij, apo Fatime, vajza e tij e dashur……

Për hz.Mejremen në Kur’an, në Suren Merjem, përveç tjerash shkruan:

16. E, përmendju në këtë libër (tregimin për) Merjemen kur ajo u largua prej familjes së saj në një vend në lindje. 17. Ajo, vuri një perde ndaj tyre, e Ne ia dërguam asaj Xhibrilin, e ai iu paraqit asaj njeri në tërësi. 18. Ajo tha: “Unë i mbështetem të Gjithëmëshirëshmit prej teje, nëse je që frikësohesh Atij (pra më le të lirë)!” 19. Ai (Xhibrili) tha: “Unë jam vetëm i dërguar (melek) i Zotit tënd për të dhuruar ty një djalë të pastër (pejgamber)”. 20. Ajo tha: “Si do të kem unë djalë, kur mua nuk më është afruar njeri (nuk jam e martuar), e as nuk kamë qenë e pamoralshme”. 21. Ai (Xhibrili) tha: “Ja, kështu ka thënë Zoti yt; ajo për Mua është lehtë, e për ta bërë atë (djalin e krijuar pa babë) argument për njerëzit e edhe mëshirë nga ana e Jonë. Kjo është çështje e kryer!” 22. Ajo e barti atë (Isain), andaj (me të në bark) u izolua në një vend të largët. 23. E dhembja (e lindjes) e mbështeti atë te një trup i hurmës. Ajo tha: “Ah sa mirë ka qenë për mua të kisha vdekur para kësaj e të isha e harruar që moti!” 24. E prej së poshtmi atë e thirri (Xhibrili): “Mos u brengos, Zoti yt bëri pranë teje një përrockë (uji)”. 25. E ti shkunde trupin e hurmës se do të bijnë ty hurma të freskëta. 26. Ti pra, ha pi e qetësou, dhe nëse sheh ndonjë prej njerëzve thuaj: “Unë ka vendosur heshtje për hir të Gjitëhmëshirshmit, andaj asnjë njeriu sot nuk i flas!” 27. Dhe duke e bartur ngryk shkoj me të te të afërmit e vet ata i thanë: “Oj Merjeme, ke bërë një punë shumë të keqe!” 28. Oj motra e Harunit, babai yt nuk ishte njeri i prishur e as nëna jote nuk ka qenë e pamoralshme! 29. Atëherë ajo u dha shenjë kah (Isai). Ata thanë: “Si t’i flasim atij që është foshnjë në djep?” 30. Ai (Isai) tha: “Unë jam rob i All-llahut, mua më ka dhënë (ka caktuar të më japë) librin dhe më ka bërë Pejgamber. 31. Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka porositur me namaz (falje) e zeqat për sa të jemë gjallë! 32. Më ka bërë të mirësjellshëm ndaj nënës sime, e nuk më ka bërë kryelartë as të padëgjueshëm! (Kur’an, Suretu Merjem, 16:32)

Kjo kaptinë ka zbritur në Meke dhe parashtron çështjen e besimit të drejtë në Një të vetmin Zot. Quhet “Kaptina për Merjemen” ngase dëshira, vullneti i Zotit ishte që mrekullia e këtij fëmiu të lindur prej nënës së ndershme, por pa babë, të besohet, të përjetohet, fuqia e pakufishme e Krijuesit të madhëruar…
Çështja e Merjemes virgjëreshë, e cila e lindi djalin Isain, paqja qoftë mbi te, është vërtetë një ngjarje e mrekullueshme që dëshmon se për Zotit Fuqiplotë s’ka asgjë të pamundshme.
Në Kur’anin e madhërishëm, Hz. Merjemja është e vetmja grua, të cilës i jepet titulli Siddika, pra përherë e vërtetësishme, besnike, një atribut që u jepet vetëm atyre të cilët janë më të afruarit me Allahun e Madhëruar dhe të Lartësuar, pas pejgamberëve (a.s.).
Edhe pse Hz.Merjemja nuk ishte profete, virtyti dhe afria e saj me Zotin duhet t’u shërbejnë si frymëzim të gjithë atyre që kërkojnë Rrugën e Drejtë.

Në Kur’anin famëlartë, hz. Merjemja paraqitet si shembull edhe për gratë e Pejgamberit (s.a.v.s.):

Edhe Merjemen, të bijën e Imranit, që e ruajti nderin e vet, e ne prej anës sonë i frymëzuam një shpirt e ajo i besoj fjalët e Zotit të saj dhe librat e tij dhe ishte e devotshme.” Kur’an, (Suretu Tahrimë, 12)

Tri merita të hz.Merjemes

Në këtë ajet përmenden tri merita të hz. Merjemes , : Ajo ishte njëra nga të përkushtuarat (Kanitah), dëshmoi vërtetësinë e fjalëve të Zotit (Siddikah) dhe në fund pranoi Shpirtin nga Zoti.
Kanë kaluar dymijë vite që Shën Maria apo hz.Mejremja, sipas dëshmive në Bibël e Kur’an, pranohet prej besimtarëve të krishterë dhe muslimanë, që përbëjnë afër gjysmën e njerëzimit, si një shenjë nga Zoti fuqiplotë, me tri veçori, të cilat shpalosin qartë pozitën shpirtërore të hz.Merjemes Këto cilësi janë të qenit “më besnikja”, “e dëlira e Zotit” dhe “pranuesja e Shpirtit”.

Hz.Merjemja është një dëshmitare e të vërtetës islame

Përmendja e vazhdueshme e Merjemes, alejhasselam, në Kur’an ka bërë që shumë lexues të Kur’anit, veçanërisht jo-muslimanët, të çuditen për paanëshmërinë e dhe universalitetin e Kur’anit dhe besimin në origjinën e Tij hyjnore.
Nuk ishte nëna e tij, Eminja, nuk ishte gruaja e tij e devotshme, Hatixhja e cila ishte mbështetëse dhe besimtare e Muhammedit (a.s.) e as vajza e tij e dashur Fatimeja as ndonjë grua tjetër e cila mund të përmendej me ato lëvdata në Kur’an aq vazhdimisht dhe aq madhështore. Ishte Merjemja, nëna e Isait (Jezusit), Profetit të Krishtërimit (dhe zotit të tyre sipas tyre) një rival i paganizmit arab dhe dukshëm një rival i islamit që ishte zgjedhur nga Kur’ani. Nëse Profeti, salallahu alejhis ua selam, vetë do ta kishte shkruar Kur’anin (eudhu bilah – ne i kërkojmë Allahut mbrojtje nga të tilla shpifjeje), pse ai duhej ta lavdëronte rivalin e tij?! Nuk mund të jetë ndryshe por vetëm nga Allahu, Zoti i Merjemes, Isait (Jezusi), Musait dhe Muhammedit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të gjithë ata. As Muhammedi (a.s.) nuk kishte asnjëfarë dobie të përceptueshme që të lavdëronte Merjemen ose Isain. Në fakt, lavdërimi i Isait (Jezusit) dhe nënës së tij ishte politikisht jo korrekt në atë kohë, për publikun e Kur’anit, arabët, ishin të zemëruar që Kur’ani ishte duke lavdëruar “zotin” e të krishterëve ( duke e quajtur atë një Profet të ndershëm të Allahut) ndërsa duke mos i ofruar të tilla lavdërime për zotat e tyre pagan prej druri dhe gurësh…

Hz.Merjemja si një urë afrimi

Islamofobia, një sëmundje shpirtërore në dukje e re, por që është shumë e vjetër, është frika dhe urrejtja ndaj Islamit pa arsye të pranueshme. Mosnjohja e Islamit është burimi kryesor i kësaj sëmundje. Islami, të cilin ata e urrejnë dhe prej të cilit frikësohen, është “Islami” të cilin ata e paraqesin siç dëshirojnë në mjetet e informimit, dhe nuk ka lidhje me Islamin, me Kur’anin, i cili i është shpallur Muhammedit (a.s.)
Sipas Kur’anit, pranuesit e shpirtit nuk janë persona të rëndomtë. Ata shquhen qartë dhe përfitojnë nga një begati e veçantë prej Zotit. Në këtë kategori individësh spikat figura e Hz. Merjemes, e cila është një grua me një jetëgjatësi dymijëvjeçare e cila bashkon popuj të ndryshëm nga të gjitha racat, bashkon zemra njerëzore midis besimtarëve në jetën tokësore. Shembulli i Hz.Merjemes është shumë i rëndësishëm sot për të lidhur hapësirën midis dy qytetërimeve të mëdha dhe dy feve të mëdha, Islamit dhe Krishtërimit. Me të vërtetë kristianët e sinqertë duhet ta shikojnë Islamin, veçanërisht mbulesën e grave muslimane, si një imazh i ndershmërisë së Hz.Merjemes…
Kjo është një model i ndershmërisë që çdo grua e devotshme kristiane apo muslimane duhet ta ketë. Në fakt, shamia në Islam është mënyra e grave muslimane për të dëshmuar të njëjtën ide vazhdimisht…

Literatura dhe burimet kryesore:

1. Shkrimi Shenjt, Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re,
Përktheu dhe shtjelloi Dom Simon Filipaj, Drita, Ferizaj, 1994.
2. KUR’AN-i Përkthim me komentim në gjuhën shqipe.
Përktheu dhe komentoi: H.Sherif Ahmeti, Prishtinë, 1988
3. Graf, Fritz. Greek Mythology. Trans. Thomas Marier. Baltimore: John Hopkins University Press, 1993.
4. Asimov, Isaav, Asimov’s Guide to the Bible, New York, Avenel Books, 1981
5. Armstrong, Karen. “A Short History of Myth”. Knopf, Canada, 2006.
6. Eliade, Mircea. Myths, Dreams and Mysteries.
Trans. Philip Mairet. New York: Harper & Row, 1967.
7. Rahman, Fazlur (2009).Major Themes of the Qur’an. University Of Chicago Press.
8. Dictionary for Theological Interpretation of the Bible. Baker Academic, 2005.
9. Nasr, Seyyed Hossein (2003). Islam: Religion, History, and Civilization. Harper San Francisco.
10.Tabatabae, Sayyid Mohammad Hosayn (1988). The Qur’an in Islam: Its Impact and Influence on the Life of Muslims. Routledge.
11. Esposito, John. What Everyone Needs to Know About Islam. New York: University Press, 2000.
12. Dictionary for Theological Interpretation of the Bible. Baker Academic, 2005.
13. Stowasser, Barbara Freyer- the Qur’an, Traditions, and Interpretation, Oxford University Press; Reprint edition (June 1, 1996)