Shpjegim i hadithit “…Isai do të zbresë në tokë dhe do ta thyejë kryqin, …”

Shpjegim i hadithit “…Isai do të zbresë në tokë dhe do ta thyejë kryqin, …”

Autorë: Neueuiju, Ibën Kethiri, Ibën Haxheri, Muhamed ibën Salih el-Uthejmin, Abdul-Aziz er-Raxhihi, Muhamed Alij Adem el-Etiopi.

Transmetohet nga Ebu Hurejra – Allahu qoftë i kënaqur me të – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

وَالَّذِي نَفْسِي بِيَدِهِ، لَيُوشِكَنَّ أَنْ يَنْزِلَ فِيكُمُ ابْنُ مَرْيَمَ حَكَمًا عَدْلاً، فَيَكْسِرَ الصَّلِيبَ، وَيَقْتُلَ الْخِنْزِيرَ، وَيَضَعَ الْجِزْيَةَ، وَيَفِيضَ الْمَالُ حَتَّى لاَ يَقْبَلَهُ أَحَدٌ، حَتَّى تَكُونَ السَّجْدَةُ الْوَاحِدَةُ خَيْرًا مِنَ الدُّنْيَا وَمَا فِيهَا ‏”‏‏.‏ ثُمَّ يَقُولُ أَبُو هُرَيْرَةَ وَاقْرَءُوا إِنْ شِئْتُمْ ‏﴿‏وَإِنْ مِنْ أَهْلِ الْكِتَابِ إِلاَّ لَيُؤْمِنَنَّ بِهِ قَبْلَ مَوْتِهِ وَيَوْمَ الْقِيَامَةِ يَكُونُ عَلَيْهِمْ شَهِيدًا‏﴾‏

“Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, biri i Merjemes (Isai – alejhi selam) së shpejti do të zbresë në mesin tuaj si një udhëheqës i drejtë. Pastaj, ai do ta thyejë kryqin, do ta vrasë derrin dhe do ta shfuqizojë xhizjen; pasuria do të shtohet aq shumë saqë nuk do të pranojë askush që të marrë pasuri, madje një sexhde e vetme do të jetë më e mirë se dunjaja dhe çfarë ka në të.”

Pastaj Ebu Hurejra thotë: Po deshët, lexojeni (Fjalën e Allahut):

﴿وَإِنْ مِنْ أَهْلِ الْكِتَابِ إِلاَّ لَيُؤْمِنَنَّ بِهِ قَبْلَ مَوْتِهِ﴾

“Nuk ka asnjë nga Ehlul Kitabi vetëm se ka për t’i besuar atij (Isait) para vdekjes së tij…” en-Nisa, 159 [1]

Shpjegimi i hadithit:

Ø    Fjala e tij “…së shpejti do të zbresë në mesin tuaj…”

Ibën Haxher el-‘Askalanij – Allahu e mëshiroftë –, ka thënë:

“Fjala e tij ‘…së shpejti…’ do të thotë: është afruar koha. Pra, kjo do të ndodhë patjetër.

“Fjala e tij ‘…do të zbresë në mesin tuaj…’ do të thotë në këtë Ummet (Muslimanët), edhe pse e folura i drejtohet një pjesë të Ummetit që nuk do ta mbërrijnë zbritjen e Isait. [2]

Muhamed Alij Adem el-Etiopi – Allahu e ruajttë –, thotë:

“Disa dijetarë kanë thënë: urtësia e zbritjes së Isait – alejhi selam – e jo e ndonjë të dërguari tjetër, është që të hidhet poshtë pretendimi i Jehudëve se ata e kanë vrarë Isain. Kështu, Allahu e sqaroi gënjeshtrën e tyre dhe se Isai është ai që do t’i vrasë ata; ose urtësia e zbritjes së tij do të thotë se exheli (vdekja) i tij është afër në mënyrë që të varroset në tokë, ngase nuk ka krijesë që është krijuar nga toka që të vdesë diku tjetër përveç se në tokë.

Po ashtu, disa dijetarë tjerë kanë thënë: kur Isai – alejhi selam – pa cilësitë e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe cilësitë e Ummetit të tij, iu lut Allahut që ta bëjë atë prej këtij Ummeti. Kështu, Allahu e pranoi lutjen e tij dhe e ngriti atë me qëllim që ta zbresë në tokë në fund të kohës (para Kijametit), në mënyrë që ta ringjallë fenë Islame. Kështu, ai do të dalë në kohën e Dexhallit dhe do ta vrasë atë. Por, mendimi i parë më sipër vlerësohet më shumë se ky i fundit.” [3]

Shejkh Uthejmini – Allahu e mëshiroftë –, ka thënë:

“Këto hadithe tregojnë për zbritjen e Isait, birit të Merjemes – alejhi salatu ue selam. Në lidhje me këtë çështje, do të flasim për disa gjëra:

E para: Isai, a është ngritur në qiell i gjallë apo i vdekur?

Përgjigje: për këtë çështje dijetarët kanë dy mendime.

Të parët kanë thënë: ai është ngritur i gjallë. Kurse të dytët kanë thënë: ai është ngritur i vdekur.

Të parët janë argumentuar me Fjalën e Allahut:

‏﴿وَإِنْ مِنْ أَهْلِ الْكِتَابِ إِلاَّ لَيُؤْمِنَنَّ بِهِ قَبْلَ مَوْتِهِ﴾

“Nuk ka asnjë nga Ehlul Kitabi vetëm se ka për t’i besuar atij (Isait) para vdekjes së tij…” en-Nisa, 159

Që do të thotë: S’do të mbetet asnjë nga Ehlul Kitabi vetëm se ka për t’i besuar Isait, të birit të Merjemes para vdekjes së tij dhe kjo tregon se ai do të zbresë në fund të kohës (para Kijametit).

Po ashtu, janë argumentuar me Fjalën e Allahut të Lartësuar:

﴿وَمَا قَتَلُوهُ وَمَا صَلَبُوهُ وَلَـٰكِن شُبِّهَ لَهُمْ ۚ وَإِنَّ الَّذِينَ اخْتَلَفُوا فِيهِ لَفِي شَكٍّ مِّنْهُ ۚ مَا لَهُم بِهِ مِنْ عِلْمٍ إِلَّا اتِّبَاعَ الظَّنِّ ۚ وَمَا قَتَلُوهُ يَقِينًا ﴿١٥٧﴾ بَل رَّفَعَهُ اللَّـهُ إِلَيْهِ ﴾

“…ata as nuk e vranë atë e as nuk e kryqëzuan, porse e vranë dikë tjetër që i ngjante atij dhe ata që kanë mospajtime për këtë (vrasjen e tij), kanë shumë dyshime. Ata nuk kanë dituri për këtë, ata nuk ndjekin tjetër përveç se hamendësime. Nuk ka dyshim se ata nuk e kanë vrarë atë (Isain, birin e Merjemes). Përkundrazi, Allahu e ngriti atë tek Ai…” en-Nisa, 157-158

Pra, Allahu e ngriti atë të gjallë dhe ky është mendimi i saktë. Këtë ajet nuk e dobëson Fjala e Allahut të Lartësuar:

﴿إِذْ قَالَ اللَّـهُ يَا عِيسَىٰ إِنِّي مُتَوَفِّيكَ وَرَافِعُكَ إِلَيَّ﴾

“Kur Allahu i tha: o Isa, Unë po të vdes ty dhe po të ngre tek Unë.” Ali-Imran, 55

Dhe me fjalën “uafaat – vdekje” këtu është për qëllim gjumi, ngase gjumi quhet vdekje, për shkak se Allahu i Lartësuar thotë:

﴿وَهُوَ الَّذِي يَتَوَفَّاكُم بِاللَّيْلِ وَيَعْلَمُ مَا جَرَحْتُم بِالنَّهَارِ ثُمَّ يَبْعَثُكُمْ فِيهِ﴾

“Dhe Ai është që ju bën të vdisni natën (ju vë në gjumë) dhe e di çfarë veproni ditën, pastaj ju ngjall ditën…” el-En’am, 60

Dhe për shkak të Fjalës së Allahut të Lartësuar:

﴿اللَّـهُ يَتَوَفَّى الْأَنفُسَ حِينَ مَوْتِهَا ﴾

“Allahu bën që të vdesin njerëzit (duke i marrë shpirtrat e tyre) kur vjen koha e vdekjes së tyre…” ez-Zumer, 2

E kjo është vdekja e madhe.

﴿وَالَّتِي لَمْ تَمُتْ فِي مَنَامِهَا﴾

“…dhe ata (njerëz) që nuk kanë vdekur gjatë gjumit të tyre…” ez-Zumer, 42

Gjumi quhet vdekje e vogël.

Ky është mendimi i saktë: Allahu e ngriti atë duke qenë ai në gjumë në mënyrë që t’ia lehtësojë çështjen. Me këtë na bëhet i qartë dallimi midis Isait – alejhi selam – dhe Muhamedit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Allahu e ngriti në qiej Muhamedin duke qenë zgjuar dhe ai duroi dhe u përmbajt, e nuk ndikoi ky lartësim që ta dëmtojë dëgjimin, shikimin, logjikën dhe të menduarit e tij. Ndërsa Isai është ngritur në qiell duke qenë në gjumë.

Disa dijetarë tjerë kanë thënë: ai është ngritur në qiell duke qenë i zgjuar, por ne nuk e dimë sigurtë se ai është në gjumë, ngase në gjuhën arabe “teueffa – vdes” ka kuptimin “marr”. Kështu që, nuk është e thënë që ai të jetë në gjumë. Por, ajo që thamë më sipër është mendimi i saktë.

E dyta: kur do të zbresë Isai – alejhi selam?

Përgjigja për këtë është: do të zbresë atëherë kur fitneja e Dexhallit do të arrijë kulmin, sepse Dexhalli është njeri i fëlliqur. Ai është Dexhall (gënjeshtar i madh) gjë që e tregon vetë emri i tij; ai është intrigant dhe do të pretendojë se është Zot dhe atë do ta pasojnë ata njerëz që Allahu e ka caktuar me Kader që ta pasojnë. Dexhalli do të qëndrojë në tokë dyzet ditë. Dita e parë do te jetë sa një vit, dita e dytë sa një muaj, dita e tretë sa një javë dhe ditët tjera do të jenë si ditët tona. Pastaj, do të zbresë Isai, biri i Merjemes – alejhi salatu ue selam – që ta vrasë atë. Ai do ta vrasë atë në derën e el-Ludd-it, që është një fshat në Palestinë. Është transmetuar se Isai do të zbresë në minaren e bardhë në Damask apo afër saj, kështu ai do ta ndjekë nga pas Dexhallin dhe do ta vrasë atë.” [4]

Ø    Fjala e tij “…si një udhëheqës i drejtë…”

Neueuiju – Allahu e mëshiroftë –, ka thënë:

“Fjala e tij ‘…si një udhëheqës i drejtë…’ do të thotë: do të zbresë duke gjykuar me këtë Sheriat, e nuk do të zbresë në cilësinë e Pejgamberit me një shpallje të veçantë të tij dhe me një Sheriat të abroguar, përkundrazi, ai do të jetë një udhëheqës nga udhëheqësit e këtij Ummeti dhe do të jetë i drejtë.” [5]

Ø    Fjala e tij “…pastaj, ai do ta thyejë kryqin…”

Ibën Haxher el-‘Askalanij – Allahu e mëshiroftë –, ka thënë:

“Fjala e tij ‘…pastaj, ai do ta thyejë kryqin…’ do të thotë se Isai – alejhi selam – do ta shpallë të pavërtetë fenë e Krishtere duke e thyer kryqin me të vërtetë dhe do ta asgjësojë pretendimin e të Krishterëve që e madhërojnë atë (duke i thënë biri i Zotit apo zot). Po ashtu, nga ky hadith mësohet dhe përfitohet se është e ndaluar mbajtja e derrit dhe ngrënia e mishit të tij dhe se derri është i ndyrë.” [6]

Neueuiju – Allahu e mëshiroftë –, ka thënë:

“Fjala e tij ‘…pastaj, ai do ta thyejë kryqin…’ do të thotë se ai do ta shpallë të pavlefshëm madhërimin që të Krishterët pretendojnë për Isain – alejhi selam.” [7]

Ø    Fjala e tij “…do ta vrasë derrin…”

Ibën Haxher el-‘Askalanij – Allahu e mëshiroftë –, ka thënë:

“Fjala e tij ‘…do ta vrasë derrin…’ do të thotë: do të urdhërojë që ai të ekzekutohet dhe të vritet duke e treguar ndalesën e rreptë të ngrënies së derrit. Gjithashtu, në këtë hadith ka qortim të ashpër kundër Krishterëve, të cilët pretendojnë se janë në rrugën e Isait, pastaj e lejojnë ngrënien e mishit të tij dhe shfaqin dashuri të tepruar ndaj derrit.” [8]

Ø    Fjala e tij “…do ta shfuqizojë xhizjen…”

Neueuiju – Allahu e mëshiroftë –, ka thënë:

“Fjala ‘…do ta shfuqizojë xhizjen (tatimin)…’ kuptimi i saktë i kësaj është: se Isai nuk do të pranojë tatim (nga Jehudët dhe të Krishterët) dhe nuk do të pranohet nga pabesimtarët gjë tjetër përveç se, që të hyjnë në Islam. Ai që do të ofrojë pagesën e xhizjes, kjo s’do ta mbrojë atë nga Isai – alejhi selam –, përkundrazi, Isai nuk pranon gjë tjetër përveç se që ata ta pranojnë Islamin, përndryshe vriten nga Isai – alejhi selam…

Dikush mund të thotë: Kjo është në kundërshtim me ligjin e Sheriatit të sotshëm ngase ai që është prej Ehlul Kitabit, nëse e paguan xhizjen është detyrë që të pranohet ajo, nuk lejohet vrasja e tij dhe as nuk lejohet që të detyrohet të hyjë në Islam.

Përgjigja për këtë është: gjykimi i xhizjes nuk vazhdon deri në Ditën e Kijametit, porse është i kufizuar deri para ardhjes së Isait – alejhi selam. Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – na ka lajmëruar përmes këtyre haditheve të sakta se xhizja do të shfuqizohet dhe nuk është Isai – alejhi selam – ai që e shfuqizon xhizjen, por Pejgamberi ynë – alejhi salatu ue selam – është ai që e ka sqaruar se do të bëhet shfuqizimi i xhizjes. Isai – alejhi selam – do të gjykojë me Sheriatin tonë dhe kjo tregon se mosmarrja e xhizjes në atë kohë është Sheriati i Pejgamberit tonë Muhamedit – sal-lAllahu ‘alejhi selam.” [9]

Shejkh Abdul-Aziz er-Raxhihi – Allahu e ruajttë –, thotë:

“Të Krishterët thonë: ‘Isain e kanë vrarë dhe e kanë kryqëzuar.’ Kjo është nga injoranca e tyre. Nëse ai është kryqëzuar, atëherë si e adhuroni kryqin në të cilin është kryqëzuar ai?! Prandaj, kur të zbresë Isai, do ta thyejë kryqin për të treguar të pavërtetën që besojnë të Krishterët dhe do ta vrasë derrin, ngaqë të Krishterët e hanë atë. Po ashtu, thirrja në fe do të jetë një e vetme, ngase nuk do të ketë fe tjetër përveç Islamit. Kurse tani në këtë kohë, Jehudët dhe të Krishterët mund të zgjedhin midis këtyre tre gjërave: ose hyrjen në Islam, ose pagimin e xhizjes, ose luftën. E kjo nuk do të ekzistojë kur të zbresë Isai – alejhi selam. Kur të zbresë Isai, nuk do të pranohet më xhizja për shkak të hadithit “…do ta shfuqizojë xhizjen…” dhe kështu ata ose ta pranojnë Islamin ose të luftohen dhe nuk do pranohet gjë tjetër përveç njërës prej këtyre dyjave.” [10]

Ø    Fjala e tij “…pasuria do të shtohet…”

Neueuiju – Allahu e mëshiroftë –, ka thënë:

“Fjala e tij ‘…pasuria do të shtohet…’ do të thotë: do të zbresë mirësi e madhe (prej qielli) dhe do të shtohen të mirat për shkak të drejtësisë dhe për shkak se njerëzit nuk do t’i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit. Toka do t’i nxjerrë thesaret e saj – siç ka ardhur në një transmetim tjetër.” [11]

Ø    Fjala e tij “…saqë një sexhde e vetme (në atë kohë), do të jetë më e mirë se dunjaja dhe çfarë ka në të…”

Shejkh Abdul-Aziz er-Raxhihi – Allahu e ruajttë –, thotë:

“Mund të ketë për qëllim vetëm sexhden duke u bazuar në vet fjalën, ose ka për qëllim namazin, dhe kjo do të thotë: Namazi do të jetë më i dashur për ta se dunjaja dhe çdo gjë që gjendet në tokë, dhe kjo për dy arsye:

E para: Njerëzit do të kenë më shumë zell për të falur namaz dhe për të bërë vepra tjera të mira ngase e dinë që Kijameti është shumë afër.

E dyta: shpërblimi i namazit është më i mirë për atë që e falë atë sesa ta japë sadaka të gjithë dunjanë dhe çdo gjë që ka ajo, për shkak të pasurisë së madhe që do të ekzistojë dhe do jetë e pavlerë, dhe njerëzit nuk lakmojnë për pasuri dhe nuk kanë nevojë për të.” [12]

Ø   Fjala e tij “Pastaj Ebu Hurejrja thotë: Po deshët, lexojeni: “Nuk ka asnjë nga Ehlul Kitabi vetëm se ka për t’i besuar atij (Isait) para vdekjes së tij…”

Ibën Kethiri – Allahu e mëshiroftë –, ka thënë:

“Pastaj Ibën Xherir (et-Taberij) ka thënë: “Mendimi më i saktë nga këto mendime është i pari, i cili thotë se nuk do të mbetet asnjë nga Ehlul Kitabi (Jehudët dhe të Krishterët) pas zbritjes së Isait pa i besuar Isait para se të vdesë ai – alejhi selam.” Pa dyshim se kjo që ka thënë Ibën Xheriri është e saktë, ngaqë qëllimi i kontekstit të ajeteve flet për rrëzimin e pretendimit të Jehudëve se e kanë vrarë Isain dhe e kanë kryqëzuar atë, gjë të cilën e besuan edhe të Krishterët e paditur. Allahu tregoi se nuk ka qenë kështu. Allahu sqaroi se ata e vranë atë që ngjante si Isai, por ata nuk meditojnë për këtë gjë.” [13]

­­­­­­________________________

[1] Transmeton Bukhariu (2476) dhe Muslimi (155).

[2] Fet’hul-Barij, 6/491

[3] El-Bahru el-Muhit eth-Thexh-xhaxh fi Sherhi Sahih el-Imam Muslim bin el-Haxh-haxh, 4/280

[4] Sherhu Sahih el-Muslim, 1/324

[5] Sherh Neueuij ‘ala Sahih el-Muslim, 2/366

[6] Fet’hul-Barij, 4/491

[7] Sherhu Neueuij ‘ala Sahih el-Muslim, 2/190

[8] Fet’hul-Barij, 4/414

[9] Sherhu Neueuij ‘ala Sahih el-Muslim, 2/190

[10] El-I’aneh ‘ala Takriib esh-Sherh el-Ibaaneh, 2/627

[11] Sherhu Neueuij ‘ala Sahih el-Muslim, 2/190

[12] Teufiku er-Rabb el-Munëim bi Sherhi Sahih el-Imam el-Muslim, 1/284-285

[13 ] Tefsirul Kuranil Adhim, 2/455

 

 Përktheu: Jeton Shasivari

www.selefi.org