SKIZMAT KISHTARE DHE FUNDAMENTALIZMI

SKIZMAT KISHTARE DHE FUNDAMENTALIZMI

Behxhet Jashari

1. Zhvillimet e kristijanizmit të hershëm dhe deformimet paliane

Jeta e Jezusit ishte mjaft interesante, pasi që ai erdhi në kohën kur Perandoria Romake tanimë kishte arritur kulmin e “mëkateve”. Mësimet Hyjnore të Jezusit (Isaut) ishin parime për jetën dhe shoqërinë e atëhershme… Pas ngritjes së Isaut në qiell, qarqet e ndryshme intelektuale dhe politike të asaj kohe shkaktuan hapësirë për devijimet e mësimeve të Jezusit (Isaut a.s.).
Së pari duhet theksuar se sot nuk ekzistojnë kopje origjinale mbi rrëfimet e Jezusit (Isaut a.s.) të shkruara gjatë jetës së tij. Është e vërtetë se asnjëri nga ungjëllistët nuk e ka parë, e as nuk e ka dëgjuar Jezusin (Isaun), ndërsa Ungjijtë janë shkruar në gjuhën greke, sepse ajo ishte gjuha zyrtare e Perandorisë Lindore Romake, e Jezusi (Isau) ka folur në gjuhën arameje, madje edhe shpallja i erdhi në atë gjuhë.

Në botën e sotme krishtere ekzistojnë vetëm katër Ungjij kanonikë;
1. Ungjilli sipas Markut – i shkruar ndërmjet viteve 40-64 të erës së re;
2. Ungjilli sipas Mateut – i shkruar ndërmjet viteve 60-65;
3. Ungjilli sipas Lukës – i shkruar diku në Greqi ndërmjet viteve 63-64;
4. Ungjilli sipas Gjonit – i shkruar ndërmjet viteve 70-98 të erës së re.

Siç është e njohur, përveç ungjijve aktual të lartpërmendur, ekzistuan edhe qindra Ungjij tjerë, ndër të cilat edhe Ungjilli i Judës, Ungjilli i Thomës, Ungjilli i Barnabës, etj.
Ungjilli i Barnabës kishte famë të madhe në shoqëritë e atëhershme krishtere, sa që deri në vitin 325 të erës së re njihej edhe si njëri nga Ungjijtë Kanonik në mbarë botën e atëhershme kristijane.

Vet përpiluesit dhe shkruesit e jetës së Jezusit (Isaut), si Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni kundërshtoheshin në më shumë aspekte historike sa i përket jetës dhe predikimit Hyjnor të Jezusit (Isaut). Njëri nga studiuesit e autenticitetit të Biblës, T. G. Trucker në librin e tij “The history of the Christians in Light of Modern Knowledge”, f. 320 thotë: “Këta ungjij kanë qenë prodhim me të cilin pikësëpari pasqyrohen konceptet e nevojave praktike të shoqërive të cilave u janë dedikuar. Në to është shfrytëzuar materiali tradicional, por nuk është hamendur në ndërrime e shtime, apo në largimin e asaj që nuk u përgjigjej qëllimeve të autorit”.
Sipas studiuesve biblik është konstatuar se “në shkrimet e kohës së fillimit të krishterimit, Ungjijtë përmenden shumë më vonë se veprat e Palit. Vetëm në gjysmën e shekullit II, më saktë pas 140 vjetësh, paraqiten dëshmi lidhur me përmbledhjen e shkrimeve të ungjilltarëve, kurse “nga fillimi i shekullit të dytë shumë autorë të krishterë na tregojnë se e njohin numrin më të madh të letrave të Palit”. Këto konstatime, të paraqitura në Hyrjen në përkthimin ekumenik të Biblës, Besëlidhja e Re (l’Introduction a la Traduction oecumenique de la Bible, Nouveau Testament), botuar më 1972, meritojnë të përmenden, siç është e dobishme të nënvizohet se vepra në të cilën bazohemi është rezultat i punës kolektive që kanë mbledhur më shumë se njëqind specialist katolikë dhe protestantë. Ungjijtë, të cilët më vonë do të bëhen zyrtarë (kanonikë), u bënë të njohur më vonë, edhe pse redaktimi i tyre qe përfunduar që në fillim të shekullit II. Sipas përkthimit ekumenik, nga mesi i shekullit II fillojnë të citohen përmbajtjet që u takojnë, por “pothuajse gjithnjë është vështirë të konkludohet nëse citatet janë marrë nga tekstet e shkruara që autorët i kanë pasur pranë vetes, apo janë kënaqur me të përkujtuarit që t’i evokojnë fragmentet nga tradita gojore”[1].

Autor i komplikimeve brenda teologjisë krishtere ishte hebreu nga Tarsusi (Turqia e sotme) që quhej Saul, i cili më vonë u konvertua nga hebraizmi dhe u quajt Pal (Shën Pali). Shën Pali – i cili asnjëherë nuk u takua me Jezusin (Isaun) – bëri ngatërrimin e filozofisë greke me idhujtarinë romake dhe me doktrinat e fesë së re të quajtur krishterim. Këtë e bëri me qëllim që çdo botëkuptim t’ia përshtatë idhujtarisë romake dhe politikës ditore të Perandorisë Romake.

Një studiues biblik dhe i teologjisë krishtere, Robert Sewell thotë:
“Nëse Pali vërtetë mësoi nga Jezusi, atëherë përse ai e citon Jezusin vetëm një herë? Kam dëgjuar njerëz të më thonë se letrat e Palit janë të rëndësishme, pasi që ai aty i sqaron mësimet e Jezusit, por nuk kam gjetur ndonjë shembull të kësaj në letrat e Palit”. (Robert Sewell, “Ungjilli i Jezusit apo Ungjilli i Palit”).
Letrat e mbijetuara që pretendohen të jenë të Palit, në periudha të ndryshme të jetës së tij, na japin një pasqyrë mbi predikimet e tij dhe një dukje se si do të ketë qenë ajo. “S’kam pse të mburrem – u thoshte Korinthianëve – sepse kjo më është ngarkuar dhe mjerë unë po nuk predikova Ungjillin”. (Letra e Parë drejtuar Korinthianëve 9:16). Duke proklamuar mesazhin, Pali nxitë Timoteun II të predikojë, të kritikojë, të qortojë e të këshillojë me durim (II Timoteut 4:2).

Pavarësisht nëse këto janë letrat e shkruara nga Pali apo nga dikush tjetër, këto na japin një rrjet të madh gjeografik. Në letrat e tij ai ngarroi idhujtarinë romake dhe filozofinë greke me doktrinat e fesë së re që me këtë t’i përshtatet idhujtarisë së Perandorisë Romake, e që ishte bërë traditë e tyre. Pasi që ai vërejti se romakët nuk synetohen, Pali urdhëroi që edhe vetë ata të mos synetohen, sepse – sipas tij – një gjë të këtillë nuk po e kërkonte Ligji. Dihet se synetimi (rrethprerja tek fëmijët meshkuj) praktikohej në shoqëritë e atëhershme sumere, arameje, arabe dhe hebreje, traditë kjo e cila daton që nga Profeti Ibrahim/Abraham/alejhisselam. Synetimi ishte i domosdoshëm tek të gjithë ndjekësit e Jezusit (Isaut), si te hebrenjtë, ashtu edhe tek të tjerët. Nëse dita e tetë e lindjes së foshnjës do të binte të shtunën, atëherë Ligji i Moisiut për të shtunën do të thyhej dhe foshnja do të bëhej synet. (Ungjilli sipas Gjonit 7:22). Gjithashtu, në Ungjillin sipas Llukës thuhet se Jezusi ishte bërë synet ditën e tetë ashtu si të gjithë judejët tjerë (Ungjilli sipas Lukës 2:21). Madje edhe Gjon Pagëzuesi ishte bërë synet (shih Ungjillin sipas Llukës 1:59). Pas Jezusit çështja e synetisë u bë konflikt në mes të Apostullit Pjetër (i cili u ligjëronte judenjve) dhe Shën Palit, i cili u ligjëronte jo hebrenjve, e që dëshironte dhe planifikonte që ta largojë ligjin e rrethprerjes (synetisë).

Po ashtu, ndër deformimet që Pali ia shkaktoi kristijanëve të hershëm, është edhe ngrënia e mishit të derrit. Në të vërtetë, pasi që ai vërejti se romakët e përdorin mishin e derrit, ai ua lejoi këtë. Bibla thotë se Jezusi asnjëherë nuk e hëngri mishin e derrit, madje Jezusi (Isau) ndoqi Ligjin e Moisiut, por Pali më vonë e ndërroi për besimin e verbër në Jezusin për të shpëtuar njerëzit nga “mëkati i trashëguar”.
Kristjanët besojnë dhe veprojnë sipas Ligjit të shpifur të Palit, e jo sipas atij Ligji që veproi e jetoi vetë Jezusi (Isau). Kështu që kur pa Pali se romakët besojnë në shumë zota dhe në bijtë e tyre, atëherë ai shpalli hyjninë e Jezusit dhe tha se ai është biri i Tij. Me këtë ai veproi në afrimin e krishterimit me idhujtarinë pagane të Romës dhe me filozofinë greke[2].

Mjaft studiues, historian dhe priftërinj e kritikuan shën Palin se ai e kishte pranuar fenë krishtere vetëm me qëllim që ta devijojë fenë e vërtetë që e kishte predikuar Jezusi (Isai) dhe shokët e tij të sinqertë (apostujt). Shën Pali në Romë qëndroi dy vite. Më pas u arrestua dhe u burgos në burgun romak. Në vitin 67 të erës së re Pali u gjykua me vdekje nga Neroni dhe u ekzekutua me shpatë diku tre milja larg Romës.
Shikuar nga aspekti teologjik, konvertimi i rrejshëm i Shën Palit në besimin që e kishte predikuar Jezusi (Isau) shënoi një periudhë të re në historinë e religjionit të krishterë. Ai ishte i cili e predikoi krishterimin duke mos i braktisur elementet pagane, madje ai u edukua në frymën fariseje dhe ishte rritur në një mjedis ku kishin pasur ndikim të madh helenizmi dhe kultet pagane, si sandan, mithra, kyros[3]etj.

Teoria e krishterimit palian solli si rezultat adhurimin ndaj Jezusit (Isaut), ashtu që në shoqërinë e atëhershme të krishterë ndodhi një ndryshim mjaft brengosës – besimtarët në vend që t’i përcillnin nxënësit e Jezusit (Isaut) që jetuan me te, siç ishin Barnaba ose disa të tjerë, ata u radhitën në anën e një personaliteti që ishte krejtësisht i huaj për Jezusin (Isaun), siç ishte Pali.
Doktrina e Trinisë është shpirtërisht e ndërlidhur me paganizmin romak, gjë të cilën e shpiku shën Pali. Me këtë akt perfid romakët nuk u krishteruan, por krishterimi u romanizua. Ndodhi që në vend të Palestinës (Jerusalemit), Roma të bëhet qendër shpirtërore religjioze krishtere, ndërsa në vend që krishterizmi të mbetet një sekt i judaizmit, ai u transformua në një religjion, që jo vetëm u bë i pavarur nga judaizmi, por u bë i pavarur edhe nga vetë Jezusi (Isau). Me këtë Pali e goditi tërë bashkësinë krishtere, duke i deformuar mësimet autentike të Jezusit (Isaut).
Sidoqoftë, religjioni i variantit kristijan palian filloi të zgjerohet në më shumë vise të Lindjes së Afërt dhe asaj të Mesme. Me fillimin e përhapjes së krishterimit do të fillojnë edhe persekutimet ndaj ithta­rëve të këtij religjioni. Kështu pra rreth vitit 284 të erës së re – me urdhër të administratorëve romakë – u mbytën rreth 140.000 besimtarë krishterë anembanë Perando­risë Romake. Ndër të mbyturit ishin edhe Shën Katerina e Aleksandrisë, Shën Pjetri i Aleksandrisë, Shën Menasi etj[4].
Përderisa të krishterët e hershëm persekutoheshin, në anën tjetër përmes shkrimeve dhe ligjëratave ashpër kundërshtohej doktrina e devijuar krishtere paliane. Nga ata të cilët me shkrimet e tyre religjioze e kundërshtuan shën Palin dhe formën religjioze të tij ishte edhe Iraneusi (130-200).

Iraneusi ishte predikues dhe komentues mjaft autentik i jetës së Jezusit (Isaut), shkrimet e të cilit patën jehonë të madhe në shoqëritë e atëhershme krishtere. Ai në shkrimet e tij vazhdimisht e kundërshtonte shën Palin të cilin e akuzonte si fajtor për inkorporimin e besimit pagan dhe filozofisë platonike në mësimet origjinale të Jezuit (Isaut). Iraneusi vlerësimet e tij i argumentonte me fraza të cilat i citonte nga Ungjilli i Barnabës…[5].
Ndër çështjet më diskutabile brenda udhëheqësve të her­shëm krishterë ishte edhe vendimi për inkorpori­min e Besëlidhjes së Vjetër në kanonet e religjionit të krish­terë. Kjo shkaktoi polemika dhe mospajtime bren­da udhëheqësve kishtarë. Së pari këtë akt që në atë kohë ashpër e kundër­shtoi teologu i njohur i asaj kohe Markioni i Pontit (80-155), ndërsa shumë shekuj më vonë do ta kundërshtojnë edhe disa themelues të lëvizjeve të ndryshme krishtere në Evropë, si Martin Luteri (1483-1546), madje edhe Arthur Shopen­haueri (1788-1860) etj.

Shikuar nga aspekti teologjik kristijan, mospajtimet ndërmjet udhëheqësve të krishterë të shekullit I të erës së re do të shfaqën në dy prirje të rëndësishme që kishin të bëjnë me natyrën e këtij religjioni. Në të vërtetë ato ishin dy rrugë të cilat të dyja pohonin se janë përcje­llëse të denja të mësimeve të Jezuit (Isaut). Ato ishin:

– Bashkësia Krishtere e Jerusalemit të cilën e përbë­nin nxënësit e parë të Jezusit, e që ishin nga radhët e hebrenjve në krye me Jakobin dhe
– Bashkësia Krishtere e Palestinës në krye me shën Palin.
Më vonë, ndër rrymat religjioze krishtere që do të paraqiten në shoqëritë e atëhershme religjioze është edhe arianizmi apo e ashtuquajtura shkolla arianite që u paraqit në shekullin III të erës së re. Në të vërtetë arianizmi është një sekt i krishterë i themeluar nga Arianusi i Aleksandrisë (vdiq në vitin 336 të erës së re). Ky sekt mbante men­dimin se Jezusi nuk është Zot, mirëpo këta as trininë nuk e mohonin krejtësisht[6].

Arianizmit dhe Arianusit iu bashkëngjitën shumë klerikë dhe teologë të asaj kohe, të cilët edhe e përbënin strukturën intelektuale alek­san­driane. Kundër Arianusit dhe arianizmit u ngrit Atanazi i Aleksandrisë (295-373) i cili ishte njëri nga etërit e njohur kishtarë. Në vitin 381 të erës së re në Kostandinopojë – me vendim të Kishës, gjegjësisht me urdhër të Perandorit Theodosi – publikohet një dekret kishtar me të cilin arianizmi gjykohet si herezi e rrezikshme. Vendimi i këtillë në një mënyrë u soll në Koncilin e Nikëse në vitin 325, e më pas edhe në vitin 381 të erës së re. Përmes këtij dekreti kishtar urdhëroheshin agjentët e kishës që t’i dënojnë të gjithë ata besimtarë të krishterë që ishin kundër vendimit (credos) të Nikesë, e jo vetëm kundër arianitëve[7]. Arianitët më të numërt ishin në Spanjë, ku kah fundi i shekullit të VI (gjatë sundimit të mbretit Rekard) ky sekt pësoi mjaft shkatërrime dhe copëtime…

Ndër skizmat e hershme kristijane këtu veçojmë edhe nestorianizmin. Nestorianizmi ishte një frak­sion kishtar i themeluar nga patriku i Kostandinopojës që quhej Nestorius (381-451), fraksion ky i cili me të madhe kishte filluar të përhapet edhe në Palestinë, Irak, Liban, Azi të Vogël, Siri, Jordani etj.[8], ndërsa më i theksuar ishte në lindje të Sirisë, pikërisht në Edesë[9].
Nestorianizmi mbante qëndrimin se nuk duhet të bëhet dallim ndërmjet natyrës njerëzore dhe asaj hyjnore të Jezu Krishtit. Nestori – e më pas edhe ithtarët e tij, nestorianët – refuzuan që Merjemen (Marinë) nënën e Jezusit (Isaut) ta konsiderojnë si Mater Dei (Nënë të Zotit). Nestorianët pohonin se Merjemja (Maria) duhet të quhet Nëna e Jezusit (Isaut)[10]. Ndër kohë, nestorianizmi gjyko­hej ashpër nga perandorët, andaj edhe perandori Zenon në vitin 489 të erës së re do të urdhërojë që shkolla nestoriane në Edesë të rrënohet[11]. Pas këtij diskualifikimi kishtar, nestorianët u detyruan të kaloj­në në Persi, ku sundonin Sasanidët. Më vonë, nesto­rianizmi u përhap edhe në shumë vise të tjera arabe, ndërsa mbrojtje më të sigurt gjetën gjatë kalifatit islam të dinastisë abasite (750-1258)[12].
Në periudhën kur kristijanizmi palian ashpër kundërshtohej nga qarqe të ndryshme religjioze krishtere, u bë i njohur një proverb teologjik kristijan ku thuhej: “Goja e njëjtë nuk mund të këndojë njëkohësisht lavdërata edhe për Jezuin edhe për Jupiterin”[13].

Në të vërtetë, kjo është një thënie që buronte nga teologët e krishterë të shek. IV të cilët ishin kundër “krishterimit palian”, në fakt kundër vendosjes së statujave nëpër kisha të cilat janë elemente të idhujtarizmit, gjë që më vonë solli lindjen e ikonoklasticizmit që fuqishëm u reflektua në Lindjen e Afërt (gjegjësisht në ato vise ku kishte arritur krishterimi).
Kjo ishte koha kur u kuptua qartë se tanimë ishte duke u zhvilluar një zhveshje e sigurt nga elementet teologjike kristiane dhe njëkohësisht edhe romanizim (pagani­zim) të besimit monoteist, që më vonë nga më shumë qarqe teologjike krishtere në Evropë (siç ishin protestantët) do të dëgjohen fjalë se edhe shën Pjetri asgjë nuk është më i mirë se shën Pali, sepse që të dy ishin ndotës të “ujit të kulluar”.
Kur e kemi fjalën te “ndotja e ujit të kulluar” apo “ndotja e të vërtetës”, atëherë logjikisht do të mund t’i parashtrojmë pyetjet:

– Cili Ungjill apo cilat Libra janë të “frymëzuara”, a është ajo ortodokse, greke, katolike, protestante, etiopiane, kopte apo ajo siriane?
– Si mund t’i besojmë traditës Kishtare kur vetë ajo nuk mund vetës t’ia sigurojë një grumbull librash të besueshëm e të denjë për ta quajtur Bibël?
– Pse duhet t’i besojmë Kishës e cila nuk është në gjendje të vërtetojë një grup dorëshkrimesh përgjatë shekujve në të cilat mund të gjejnë mbështetje në vend të supozimit për të gjetur se cili variant është origjinali?
– Si ta kuptojmë qartë se Jezusi (Isau) e tha atë që është në Bibël (në Biblën e sotme), pasi që nuk ekziston mënyrë për ta vërtetuar se si janë transmetuar fjalët e tij?

Nëse Krishterimi posedon biografitë e njerëzve që transmetuan Dhjatën e Re dhe Dhjatën e Vjetër të tyre, si dhe traditat e tyre, atëherë do të konkurronte me shkencën Islame të hadithit. Mjerisht, pa isnad (zinxhiri i transmetimit), kush do të besojë në Biblën e tyre dhe atë që gjendet në të? Dhe siç ka thënë mësuesi i famshëm i Imam Buharit: “Isnadi është pjesë e fesë. Po të mos ishte isnadi, kushdo do të thoshte çfarëdo që do të dëshironte”. Mungesa e isnadit dhe shkrimi i Kanuneve të ndryshme të Biblës nga njerëzit duket të jetë problemi i njerëzve që thonë çfarë dëshirojnë. Nëse blloku teologjik i krishterë nuk mund t’iu përgjigjet këtyre pyetjeve, atëherë nuk është as shkencore, as teologjike, e shumë më pak e logjikshme dhe e drejtë që Bibla të quhet “dokument i besueshëm” apo “Shkrim i shenjtë”.
Prandaj, në historiografinë muslimane është vërtetuar se njëri nga komentuesit e parë të islamit pas Muhammedit (s.a.v.s.) dhe njëri nga njerëzit më të afërt të profetit Muhammed (s.a.v.s.), Abdullah ibn Mes’ud ka thënë: “Mos pyet të krishterët dhe hebrenjtë për ndonjë gjë (në shpjegim të Kur’anit), sepse ata nuk mund të ju udhëzojnë juve ndërsa ata vetë janë në gabim …”[14].

2. Ritualet religjioze krishtere dhe zanafilla e tyre

Mjaft rituale religjioze të krishtera burimin e tyre e kanë në religjionin e lashtë të njohur si mitraizëm. Zoti parakristian i quajtur Mitra është konsi­deruar si Bir i Zotit ose Drita e botës. Ai është i lindur me 25 dhjetor, ka vdekur dhe është varrosur, e më pas (sipas besimit pagan) ai pas tre ditëve është ringjallur. Në kohët më të hershme në shumë vise të Indisë, Iranit të vjetër, Mesopotamisë etj., Mitra konsiderohej si perëndi e ditës dhe e natës, mirëpo më vonë (shek. I-II të erës së re), besimi në Mitrën u përhap edhe në disa shtresa të administratorëve të Perandorisë Roma­ke, siç ishin oficerët dhe disa eprorë të lartë romakë. Kështu në shekullin I të erës së re mitraizmi u bë religjion mjaft i përhapur edhe në Perandorinë Roma­ke, me këtë edhe në Lindjen e Afërt (Egjipt, Palestinë, Siri), kështu që shumë pikëpamje dhe ide të doktrinës dhe një dozë e përvojës dhe e praktikës religjioze të mitraizmit u inkorporuan edhe në religjionin e krishterë.
Ndër besimet parakristiane që asaj kohe ishin përhapur në shoqërinë romake ishte edhe kulti i adhurimi të diellit, gjegjësisht kulti Sol Invictus (Dielli i pamposhtur). Kjo ditë ishte edhe dita e lindjes së Ozirisit, Adonisit dhe Dionisit (personalitete nga paganizmi romak), që më vonë – përmes Ligjit të Konstandinit të sjellë më 7 mars 321 të erës së re – urdhërohet shenjtërimi i ditës së diel. Ligji i përmbante këto urdhra: “Në ditën e shenjtë të diellit të gjithë nëpunësit, banorët e qyteteve dhe zejtarët duhet të pushojnë. Vetëm ata të cilët merren me bujqësi lirisht mund t’i kryejnë punët e tyre…”[15]. Në lidhje për 25 dhjetorin – që në Romën e lashtë ishte një datë dhe festë pagane e cila në teologjinë krishtere festohet si ditëlindje e Jezusit – flet edhe Werner Keller në librin e tij “Bibla si një Histori”.

Ritualet krishtere, siç janë; temjani, oltari, “akti i të ushqyerit me Zotin”, përdorimi liturgjik i bukës dhe i verës me rastin e kungimit, kryqi, etj…, të gjitha janë rituale (gjurmë) të drejtpërdrejta të religjionit pagan[16], gjurmë që assesi nuk mund të fshihen. Statusin “bir i Zotit” – epitet që ia dhanë Jezusit (Isaut) gjatë Koncilit në Nikejë – nuk është asgjë tjetër, veçse një rezultat i votimit të një grupi të kufizuar priftë­rinjsh të konvertuar nga paganizmi në krishterizëm (madje ende të ngjyrosur me elemente pagane). Devijimeve të plota të mësimeve monoteiste të Jezusit (Isaut) i kontribuuan edhe koncilët e organizuara nga perandorët romakë, si dhe dogmat që u sollën në ato koncilë.

Në vitin 325 të erës së re u mbajt Koncili i Parë i Nikesë, me ç’rast doktrina e trinitetit u shpall si doktrinë zyrtare e kishës së atëhershme paliane (të Shën Palit). Njëra nga pasojat e këtij vendi­mi ishte se nga rreth treqind ungjij që në atë kohë ishin në qarkullim, katër prej tyre u zgjodhën si ungjij zyrtarë të Kishës. Për ungjijtë e tjerë, përfshirë këtu edhe atë të Barnabes, u dha urdhër që të zhduken tërësisht. Gjithashtu u vendos që të gjithë ungjijtë e shkruar në gjuhën hebreje të zhduken, ndërsa ai që kapej me ndonjë kopje të paautorizuar të Ungjillit, dënohej me vdekje. Këtu e kuptojmë se sa kishin qenë të ashpra konfliktet ideologjike dhe ndëreligjioze ndërmjet romakëve të krishterë dhe hebrenjve.
Koncili në Nike (Iznik/Turqia e sotme) i mbajtur në vitin 325 të erës së re, ishte tubimi më i rëndësishëm në tërë historinë krishtere, të cilin nuk e organizoi as Papa, e as ipeshkvi romak, por një pagan i pakryqëzuar – mbreti Konstantini i Madh. Koncili nuk u mbajt në katedralen e Nikesë, por në rezidencën e tij mbretë­rore, ku mbreti nuk lejoi që me mbledhjen kishtare të udhëheqë ndonjë personalitet kishtar, por atë e udhë­hoqi vet mbreti. Në këtë tubim kishtar papa nuk kishte marrë pjesë. Në të vërtetë në kuvendin e Nikesë as që kishte diskutime serioze teologjike. Impo­ni­mi i marrë­veshjes ishte i lehtë, sepse ndër 225 priftërinj dhe ipeshkëv, vetëm pesë nga ata ishin të Kishës perën­di­mo­re (shumica arianitë), ndër të cilët vetëm njëri ishte ipeshkëv gotik perëndimor që vinte nga Kordoba (Spanjë).
Kuptojmë se dog­ma fatale e krishterizmit të sotëm aktual më shu­më lindi nga konflikti i interesave dhe luftës për supre­macion politik, se sa nga komentimi i vërtetë teologjik.

Në këto Koncilë u sollën një varg vendimesh dogmatike kristijane, ndër të cilat:
– kryqi si simbol;
– dogma se nuk ka dallim ndërmjet Zotit Atë dhe Jezuit;
– Trinia (Ati, biri dhe Shpirti i Shenjtë);
– Maria të nderohet si “Nënë e Zotit”;
– karakteri i dyfishtë i Jezuit (Isaut a.s.) – hyjnor dhe njerëzor etj.

Mjaft komentues adekuat biblik, si dhe historianë të religjioneve, pohojnë se Kisha de facto e ka “grabitur” Jezusin nga besimtarët e vërtetë. Këtu mund të thuhet se një sintezë e këtillë ndërmjet religjionit të krishterë dhe atij pagan më së tepërmi i përngjan një religjionit hibrid me një sërë ritualesh me elemente pagane. Të gjitha këto të vërteta dolën në shesh si rezultat i lëvizjes intelektuale të shkaktuara nga Ungjilli i Thomasit, Ungjilli i Barnabës (ku paralajmërohet ardhja e profetit Muhammed s.a.v.s.)[17], nga ko­mentet e Iraneusit etj., të cilët u orvatën që në mënyrë sa më burimore të shkruajnë për qëllimin e Jezusit në Tokë ose për jetën e tij si profet, jehona e të cilëve arriti në shumë anë të botës. Është me rëndësi të përmendim se Ungjilli i Barnabës ishte kanonik deri në vitin 325. Kjo ishte koha kur në shoqëritë e atëhershme kristijane (veçanërisht në Lindjen e Afërt, si në Aleksandri, Antioki, Damask) mungonte një doktrinë e qartë filozofike mbi religjionin, sepse varieteti i shumë kulteve fetare dëshmoi për përpjekjet e dëshpëruara nga njerëzit e shekullit II dhe III të botës romake për të gjetur një shpjegim të jetës dhe të fatit të tyre[18]. Mund të thuhet se kjo ishte koha e sinkretiz­mit, respektivisht periudhë kur idetë e marra nga burime të ndryshme vendoseshin së bashku si filozofi dhe si fe[19] – periudhë kur edhe krishterimi konsiderohej si kult, megjithëse tanimë ishin paraqitur edhe disa mendimta­rë tjerë të krishterë si: Justin Martiri (100-165), Kle­menti i Aleksandrisë (150-220), Tertuliani (160-230) dhe Origeni (185-254). Të gjithë këta dëshironin t’i jepnin religjionit të krishterë një karakter sistematik dhe një mbrojtje intelektuale[20].
Origeni njihet si njëri nga figurat më emi­nente të përhapjes së krishterimit i cili në vitin 203 të erës së re erdhi në krye të shkollës krishtere aleksan­driane. Ky në këtë post e trashëgoi Klementin e Alek­san­drisë. Origeni me sukses e luftoi ekstremizmin emocional dhe spekulativ të gnostikëve, si dhe vendosi një baraspeshë ndërmjet njohurive racionale dhe të atyre empirike. Me aktivitetet e tij, Origeni u njoh si njëri nga mbrojtësit dhe apologjetët më të mëdhenj të teologjisë krishtere, ndërsa veçanërisht u bë i njohur me veprën Contra Celsum (Kundër Celzit).
Idetë e para që kanë të bëjnë me thelbin doktrinar të religjionit të krishterë mund të gjenden që në stoicizmin romak në përgjithësi dhe në veprat e Lucie Anej Senekës (5-65) të cilin më vonë priftërinjtë e krishterë e quajtën Seneka ynë, si dhe në neoplatonizmin e Filonit nga Aleksandria (25-45), të cilin disa krishterë e quajnë edhe “babai i krishterimit”[21].

Gjatë kohës, brenda besimtarëve të krishterë dhe priftërinjve të tyre filluan të thellohen fërkimet dhe konfliktet ideologjike, gjë që rezultoi me skizma të shumta. Kjo edhe solli deri te ndarja e Perandorisë Romake në dy pjesë (Lindore dhe Perëndimore), në fillim të shek. V.

3. Teologjia e re krishtere – Shën Augustini dhe Thoma Akuini

Teologjia krishtere mundi t’a arrinte forcën e saj të plotë atëherë kur Augustin Audeli (354-430) i njohur me emrin shën Augustini e formuloi sintezën e tij të fuqishme të mendimit të krishterë dhe platonik[22]. Ura lidhëse midis filozofisë klasike dhe Augustinit do të jetë neoplatonizmi, me këtë edhe shkrimet e Plotinit[23].

Në të vërtetë Shën Augustini – i biri i paganit Patrikus dhe i nënës krish­te­re Monika – nëntë vjet me radhë ishte ithtarë i mani­heizmit. Shën Augustini arriti të bëhet njëri nga etërit më të mëdhenj kishtarë perëndimorë, ndërsa veprat e tij të shumta, veçanërisht Confessiones dhe De civitate Dei, ishin ndër veprat më të rëndësishme teologjike krishtere deri në kohën e reformacionit, atëherë kur shën Augustini – siç thotë Shopenhaueri – u bë “ylli prijës i Martin Luterit”.
Vepra e shën Augustinit De civitate Dei (Qyteti i Zotit) ishte vepra vendimtare për zhvillimin e krishterimit në Evropë dhe për nga rën­dë­sia që kishte në teologjinë krishtere nuk kishte ndonjë libër që mund të krahasohej me te pas Biblës dhe Librave të Apostujve. Augustini si model të qytetit tokë­sor e kishte marrë Romën, që pikërisht në kohën e tij qe pushtuar nga gotët[24].

Sulmet kundër atyre që nuk iu përmbaheshin besimit kristijan – në fakt ideologjisë romake – filluan në fillim të shekullit V, gjegjësisht atëherë kur perandori Theodosi i II-të e shpalli krishterimin si fe zyrtare shtetërore, ndërsa në vitin 435 shpallet edikti perandorak kundër paganëve.
Në fakt, ashtu si shën Augustini, edhe Thoma Akuini (1225-1274) konsiderohet si një nga autoritetet më të ngritura në religjionin dhe teologjinë krishtere, e në veçanti në krahun protestant. Thoma Akuini – katolik dhe dominikan i përbetuar – pati ndikim mjaft të madh në teologjinë krishtere. Ai doli nga elita intelektuale e Universitetit të Parisit ku ishte profesor i rregullt – nga një vend arsimor ku qarkullonin mjaft ide dhe mendi­me të ndryshme filozofike e juridike, aty ku pati frymë edhe averroizmi…

Në përgjithësi Akuini njihet si njëri ndër personalitetet më të shquara të lëvizjes së libera­liz­mit juridik në teologji dhe filozofi. Ai është autor i veprës së famshme Summa Theologiae të shkruar në vitet 1266-1273 në të cilën e paraqiti sintezën më të kapshme dhe deri tani të pakapërcyer të doktrinës së krishterë të quajtur tomizëm e cila ishte mbështetur në filozofinë dhe teologjinë e Aristotelit (384-322 p.e.r.).
Në të vërtetë tomizmi është tërësia e pikëpa­mjeve filozofike e teologjike të Toma Akuinit ose një sintezë ndërmjet filozofisë aristoteliane dhe teologjisë së krishterë katolike. Njëri nga tiparet thelbësore të tomizmit (ashtu siç është paraqitur në veprat e Akuinit Summa Theologiae dhe Summa contra gentiles), është racionalizmi i veçantë sipas së cilit arsyeja e njeriut është në gjendje ta kuptojë, shpjegojë ose ta perceptojë së afërmi ekzistencën e Zotit etj. Akuini është i njohur edhe me ashpërsinë dhe fundamentalizmin e tij katolik kundër heretikëve, i cili e formuloi ven­dimin e Kishës (kundër heretikëve) në të cilën thuhej: “Herezia është mëkat, për ç’arsye heretiku duhet jo vetëm të eskomunikohet nga Kisha, por edhe të mbytet. Po qe se heretiku këmbëngul në qëndrimet e tij, atëherë Kisha nuk duhet të kujdeset për të, por për njerëzit tjerë. Me këtë Kisha do ta largojë heretikun nga krahu i saj, ndërsa procesin e mëtejmë Kisha ia lë gjyqit profan, ashtu që ai do ta largojë nga faqja e dheut”[25].

4. Skizmat krishtere vazhdojnë

Fërkimet brenda kristijane vazhduan gjatë shekujve, III, IV, V, VI e deri në shek. XI. Mirëpo, deri në vitin 1054 ata (të krishterët) posedonin vetëm një kishë, ndërsa në vitin 1054 në Kostandinopojë u soll vendimi që të bëhet ndarja edhe e kishës, respektivisht edhe e fesë krishtere në dy rite, edhe atë në Katolik (Catholicos/Universale) dhe Orthodoks (Burimore).
Në mbarë historinë e krishterimit kjo skizmë llogaritet si tronditja më e madhe brenda-kishtare dhe brenda-krishtere. Në historinë e teologjisë krishtere kjo njihet si “skizma e madhe”…

Si oponent më me ndikim dhe më skizmatik i krishterimit papal/palian/do të paraqitet protestantizmi. Themelues i protestantizmit konsiderohet prifti Martin Luter (1483-1546) i cili nga vendlindja e tij u dëbua për shkak ideve të tij reformiste kundërpapale. Martin Luteri ishte revoltuar me sjelljet e shëmtuara dhe jetën e shfrenuar të klerikëve dhe udhëheqësve katolikë në Romë, të cilët i kishte parë me sytë e tij, andaj edhe vendosi që përmes shkrimeve dhe librave ta bindë çdo besimtar të krishterë se papa dhe zyrtarët e tjerë si në Vatikan, ashtu edhe në vende tjera kudo që gjenden klerikë katolikë, nuk jetojnë sipas parimeve të krishtera. Librat e protestantëve luteristë me mjeshtëri dhe përmes kanaleve të ndry­sh­me kalonin nga Gjermania në vendet tjera, si në Austri, Itali[26] etj.
Martin Luteri përmes 95 tezave të tij teologjike – të cilat të shënuara në një letër i vendosi në dyert e Katedrales së Vitenbergut të Gjermanisë – shprehu revoltën e tij kundër qëndrimeve të Papës dhe të Kishës katolike. Me të njëjtat teza Luteri paraqitet edhe para Kuvendit të Vormsit ku i lexon pikëpamjet e tij në prani të perandorit Karli V[27].

Në vitin 1519 Martin Luteri e kundërshton vendimin e Koncilit duke ia treguar gabimet dhe kështu e sulmon edhe papën[28]. Gjithë kjo shkaktoi që Vatikani të marrë ven­dim për zhdukjen e librave të reformacionit luterist, ku më pas pasuan djegiet e librave anembanë Evropës (atje ku kishte filluar të përhapet reformacioni).
Djegie të librave protestante të Martin Luterit në tetor dhe nëntor të vitit 1520 do të ketë në shumë qytete evropiane, si në Leven, Liezh, Keln, Majnc, ndërsa në dhjetor të po këtij viti në Vitenberg do të digjet publikisht dokumenti kërcënues i Martin Luterit të cilën ia kishte dërguar papës[29]. Në doktrinën e tij Luteri nuk pranoi një varg librash që e përbënin Biblën e sotme, madje edhe nuk besoi se Jezusi është gozhduar, gjë që Kur’ani e kishte demantuar që në shekullin e VII-të.
Sot në botën krishtere ekzistojnë një numër shumë i madh i bashkësive kishtare apo “kisha të pavarura”, edhe atë: Kisha ortodokse e Jerusalemit, Kisha ortodokse e Stambollit, Kisha ortodokse e Antiokisë, Kisha, ortodokse e Aleksandrisë, Kisha ortodokse bullgare, Kisha ortodokse sllovake, Kisha ortodokse greke, Kisha ortodokse gruziane, Kisha ortodokse maqedonase, Kisha ortodokse polake, Kisha ortodokse rumune, Kisha ortodokse ruse, Kisha ortodokse serbe, Kisha ortodokse shqiptare, Kisha ortodokse e Qipros, Kisha ortodokse kopte, Kisha Etiopiane, Kisha Siriane, Kisha apostolike armene, Kisha Ortodokse Greke, Kisha Kopte, Kisha Katolike, Kisha Anglikane, Kisha Protestante, Kishat luteriane, Kishat e reformuara, Kishat ungjëlliste, Kishat pentekostale, Kisha e uniteranëve, Kisha metodiste, Kisha e keukerëve, Kisha e menonitëve, Kisha baptiste, etj. etj.

5. Protestantizmi tejoqeanik dhe lindja e fundamentalizmit

Thuhet se feja e përbashkët protestante ishte themeluese e identitetit të pjesës më të madhe të amerikanëve të SHBA-së, për të cilën historiani Gorge M. Marsden e quajti Perandoria Ungjilliste Amerikane. Pas përfundimit të luftës qytetare amerikane në vitin 1865 erdhi deri në ndarje të protestantizmit amerikan, të cilën një historian tjetër me emër Sydney Ahlstrom e quajti krizë më të madhe kishtare pas reformacionit.
Në kohën e revolucionit dhe pavarësisë amerikane, SHBA-ja ishte vend me popullatë më të madhe protestante. Atëherë katolikët përbënin vetëm një përqindje të vogël popullatës, ndërsa sot (shek.XXI) protestantët konsiderojnë se janë të rrezikuar nga drejtimet e ndryshme dhe si duket gjenden në rrugën e një bote të re dhe plotësisht të panjohur.

Në lidhje për protestantët dhe aktivitet e tyre në SHBA në mënyrë mjaft të qartë shpjegon publicisti dhe politikani suedez Ingmar Karlsson në librin e tij “Tro, terror och tolerans” (Besimi, terrori dhe toleranca, f. 99-102) ku thotë: “Industrializimi e ndryshoi botën e tyre të mëparshme idilike dhe të mbyllur. Migrimin masiv të italianëve katolikë, të polonezëve, të irlandezëve, të ortodoksëve rusë dhe grekë, si dhe migrimin e hebrenjve, e kuptuan si kërcënim, jo vetëm ndaj identitetit të tyre protestant, por edhe për skenën demografike të SHBA-ve si vend i zgjedhur nga Zoti për protestantët e shpëtuar. Që në vitin 1840 kishte më shumë 2.5 milionë katolikë dhe katolicizmi u bë bashkësia më me numër. Për vendin i cili që më herët e kishte konsideruar papën si Antikrisht, një gjë e këtillë dukej sikurse një kërcënim. Kjo pasiguri ekzistenciale është zgjeruar edhe më shumë brenda vet bashkësive protestante, sepse nëpër vendbanimet urbane protestantët gjithnjë e më shumë synuan modernizimin. Rritja e pluralizmit religjioz dhe kulturor me interpretimet e tyre tekstuale të Biblës, me përhapjen e darvinizmit, me psikologjinë e Frojdit dhe me shekullarizimin i cili i ndoqi zbulimet tjera shkencore, është vështruar si kërcënim ndaj protestantizmit popullor…

Ndër kohë, paraqiten dy taborë protestantë të cilët qëndronin njëri kundruall tjetrit. Njëri tabor u tregua i hapur drejt zbulimeve të reja shkencore, e kuptoi Biblën si prodhim i historisë njerëzore dhe propagandonte orvatje më të madhe shoqërore. Më e rëndësishme ishte të manifestohet dashuria dhe brenga krishtere për të afërmit, se sa të pranohet mësimi tekstual. Sipas tyre mbretëria Hyjnore në tokë mund të vendoset përmes dashurisë së sinqertë dhe besnike ndaj njeriut.
Në taborin tjetër u barazua darvinizmi me ateizmin, u drejtuan edhe kundër historisë së shkencës, sepse vetëm Bibla pranohej si burim historik. Lëvizja e protestantëve me besim tekstual që u paraqit në atë kohë, para se gjithash, ishte reaksion instinktiv ndaj modernizmit në të gjitha format e tij, andaj veten e konsideroi si përgjegjës për ta shpëtuar kombin, redeem the nation. Idetë e këtilla u treguan si tërheqëse veçanërisht në të ashtuquajturin rrip Biblik në shtetet përgjatë kufirit jugor që shtrihet prej Virxhinisë, e deri në Kaliforninë Jugore, e që edhe sot është fole më e fortë e djathtistëve të krishterë amerikanë”.

6. Fundamentalizmi ose fundamentalizmat

Nocioni fundamentalizëm është i periudhës bashkëkohore, andaj shumë fjalorë, leksikone dhe enciklopedi, aspak nuk e shpjegojnë këtë term, e disa të tjerë ofrojnë vetëm ca shpjegime leksikore. Autori Milan Vujaklija pohon se nocioni fundamentalizëm mban prejardhje latine nga shprehja fundamentum, që do të thotë fundament, bazë, themel, si nga shprehja fundamentalis = fundamentalizëm, themelor, bazor, kryesor, qenësor, zanafillor[30].
Shprehja fundamentalizëm është e huaj edhe në teologjinë krishtere. Këtë nocion nuk e përfshijnë aspak fjalorët katolik, madje as Enciklopedia më e madhe teologjike katolike “Sacramentum mundi”.

Në kuptimin terminologjik nocioni fundamentalizëm vështirë të përkufizohet në mënyrë të drejtë. Njëri nga kulturologët dhe filozofët e njohur botërorë, Osvald Spengler, mendon se “mendimi për çdo kthim burimeve dhe rrënjëve domosdoshmërish është fundamentalist”. Kurse shkencat shoqërore evroperëndimore, veçanërisht sociologjia amerikane, me nocionin fundamentalizëm nënkuptojnë doktrinën e kundërt me modernizmin religjioz, që jep të kuptojmë se nocioni fundamentalizëm në kuptimin terminologjik ka domethënie të gjerë[31].
Historikisht është vërtetuar se zanafilla e fundamentalizmit si “lëvizje religjioze” është i proveniencës kristiane – protestante amerikane, që daton në shekullin XIX, edhe atë si protestë dhe reaksion kundër paraqitjes në skenën botërore të liberalizmit dhe modernizmit ekstrem, e veçanërisht si reaksion ndaj pozitivizmit dhe evolucionizmit, si reaksion ndaj të kuptuarit dhe të komentuarit e dokumenteve themelore të Kristianizmit[32]. Nocioni fundamentalist e karakterizonte atë i cili besonte se Bibla si Fjalë e Zotit drejtpërdrejtë iu është diktuar profetëve. Personalitetet më të rëndësishëm të asaj lëvizjeje ishin Dwight L. Moodey dhe Cyros I. Scofield.

Scofield Reference Bible me komentet e shënuara u bë – dhe ende është – shkrimi i shenjtë i të djathtës krishtere. Ata dy ndërmjet viteve 1910 dhe 1915 publikuan një seri të pamfleteve në 12 pjesë të cilën e quajtën The Fundamentals. Para se gjithash, fundamentalistët fituan përkrahje në jugun amerikan që i kundërvihej të ashtuquajturës kulturë yankee (jenki) dhe ku që nga lufta qytetare të gjitha idetë liberale dhe moderne konsideroheshin si të imponuara nga veriu.
Konflikti i parë i hapur me modernizmin ndodhi në vitin 1925 me rastin e procesit të njohur gjyqësor të quajtur Scopes. Në të vërtetë një mësues i lëndës së biologjisë i quajtur John Scopes në Dayton (në Tennesi) ishte akuzuar për blasfemi, sepse kishte ligjëruar teorinë e Darvinit që kishte të bëjë me evolucionin. Juria e cila përbëhej prej 12 fshatarëve të Tenessit, e shpalli fajtor Scopes-in. Së shpejti u tregua se gjykimi ishte fitore e pirros dhe opinioni amerikan së shpejti filloi të mobilizohet kundër fundamentalistëve.

Prej atëherë ata kanë filluar me ndërtimin e qëndrimeve të tyre teokratike kundër kësaj bote. Elementi themelor te të kuptuarit të tyre të religjionit ishte dhe ende është komentimi tekstual i Biblës, veçanërisht të librit të Danielit dhe librave të Zbulesës. Pas procesit të Scopes-it ata gjetën strehim në kishat dhe në institucionet e tyre arsimore, ndërsa kohë pas kohe fillonin ofensivë kundër modernizmit të urryer. Ata themeluan kishat e tyre në pritje të the rupture/largimit/nga organizatat dhe rrjetet e reja.
Thuhet se që në vitin 1930 në SHBA ekzistuan mbi pesëdhjetë Bible Colleges/Kolegje biblike/ fundamentaliste, ndërsa gjatë periudhës së depresionit u themeluan edhe tridhjetë të tjera. Fundamentalistët themeluan gazetat dhe radiokonglomeratet e tyre, ndërsa me fillimin e të pesëdhjetave predikuesit e mëparshëm që ishin në lëvizje e sipër, u zëvendësuan me ungjëllistët televiziv, me Billy Grahamm-in dhe me Oral Roberts-in si emra më eminent. Ata, pikërisht sikurse hebrenjtë ultraortodoks, formuan një protukulturë. Universiteti Bob Jones në Karolinën Jugore u bë simbol i saj. Aty arsimoheshin më shumë mësues fundamentalistë se në cilëndo shkollë tjetër të lartë, ndërsa programi arsimor i këtij institucioni ishte i orientuar drejt, të ashtuquajtur, botëkuptimeve moderniste, liberale dhe neoortodokse, si dhe drejt kompromiseve dhe liturgjive jobiblike.
Acarimi fundamentalist i protestantëve në SHBA ishte pasojë e ndërprerjes së mësim-besimit protestant nëpër shkolla. Në vitin 1963 në shkolla u ndalua edhe leximi i Biblës, akt i cili edhe më tepër i revoltoi fundamentalistët. Po ashtu, ajo që i revoltoi fundamentalistët ishte edhe fakti që homoseksualët fituan të drejtën qytetare dhe lirinë e shprehjes, si dhe u legalizua abortusi edhe pse qartë iu kundërvihen fjalëve të Zotit: “Para se unë të të formoja në barkun e nënës sate, të kam njohur; para se ti të dilje nga barku i saj, të kam shenjtëruar dhe të kam caktuar profet të kombeve”. (Jeremia, 1:5).

Fundamentalistët me sukses iu kundërvihen orvatjeve shekullare perëndimore për barazi gjinore, pasi që në tekstet biblike ekziston: “Ju, gratë, nënshtrohuni burrave tuaj porsi Zotit, sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit. Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t`i nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë”. (Letra drejtuar bashkësisë së Efesit, 5: 22-24). “Gruaja le të mësojë në heshtje dhe me çdo nënshtrim. Nuk e lejoj gruan që të mësojë, as të përdori pushtet mbi burrin, por të rrijë në heshtje”. (Letra e parë drejtuar Timoteut, 2: 11-12).
Siç kuptojmë, fundamentalistët janë kundërshtarë të fuqishëm të veseve të këqija në këtë botë, si vallëzimi, bixhozi, alkooli, duhani, filmat amoral, etj.
Prindërit rigoroz fundamentalistë nuk iu lejojnë fëmijëve të tyre të merren me çfarëdo sporti, sepse çdo veprimtari që ka karakter garues, konsiderohet si vepër jokrishtere, etj…

Gjatë periudhës ndërmjet viteve 1965 dhe 1982 aktiviteti i tyre ishte mjaft efikas, sa që gjatë kësaj periudhe numri i studentëve në shkollat fundamentaliste protestante ishte rritur për gjashtë herë më shumë, ndërsa qindra mijëra fëmijë mësoheshin nëpër shtëpi. Tani më filluan të bashkëpunojnë bashkësi të ndryshme dhe të veprojnë si lobi të grupeve, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë federal. Shpesh herë shkollat shtetërore konsideroheshin si përgjegjës për shkatërrimin e moralit i cili, siç thuhej, tanimë ishte zgjeruar në SHBA. Thuhej se ligjërimet për seksin shpijnë drejt imoralitetit dhe nënave adoleshente, ligjërimet e përbashkëta të gjimnastikës drejt kontakteve amorale trupore, informimi për drogën drejt dëshirës që të eksperimentohet me to, etj., etj.

Fundamentalistët në fjalë konsideronin se humanizmi shekullar ishte burimi i të gjitha të këqijave. Ata vërtetë ishin të bindur se humanizmi shekullar mohon Zotin, mohon inspirimin e Biblës dhe hyjninë e Jezusit, ekzistimin e shpirtit, jetën pas vdekjes, mohon rrëfimin Biblik për krijimin, beson në mosekzistimin e çfarëdo vlerash absolute, as të mira, e as të këqija, beson se vlerat morale janë diç për të cilat njerëzit vet duhet të vendosin, edhe atë varësisht nga rrethanat dhe ashtu siç atyre iu përgjigjet, beson në heqjen e roleve të ndara të burrit dhe gruas, etj. Ndaj humanizmit shekullar është shikuar si ndaj një konspiracioni të forcave të këqija të cilat – siç ka shkruar ideologu Tim La Hay – janë armiqësor ndaj Zotit, moralit, vetkontrollës dhe janë antiamerikan, ndërsa për qëllim e kanë shkatërrimin e krishterimit dhe familjes amerikane.

Ajo që Amerika ishte ngritur si shtet mbi themelet biblike, e tani më është bërë shtet shekullar, varej nga konspiracioni humanist i udhëhequr nga 600 senatorë dhe kongresmenë nga të gjitha universitetet dhe kolegjet jokrishtere me disa anëtarë të caktuar të qeverisë, si dhe me afër një milion individë që janë të inkuadruar nëpër organizatat, siç janë; American Civil Liberties Union, National Organization for Women, nëpër sindikata, si dhe nëpër fonde si Carnegie, Ford dhe Rockfeler.
Fundamentalistët u inkurajuan dhe fituan vullnet për luftë duke iu falënderuar gjyqit të lartë në të ashtuquajturën, aktgjykimi i Roe versus Wade në janar të vitit 1973, gjegjësisht kur femrat e SHBA-ve fituan të drejtën për abortim gjatë tre muajve të para të shtatzënisë së tyre. Ky vendim është konsideruar si Pearl Harbouri moral për kombin amerikan. Madje edhe antidarvinizmi sërish ishte zgjuar, por tani në një version pak më të dobësuar. Të ashtuquajturit, kreacionistë, kërkuan barabarësi në aspekt të mësimit për teorinë e evolucionit dhe krijimit sipas Biblës. Këto fushata rezultuan me faktin që në vitin 1980, 17 shtete federale të SHBA-ve të sjellin vendim për ofrimin e hapësirës së njëjtë në programin arsimor mësimit që ka të bëjë me krijimin e botës sipas Biblës, si dhe teorisë së evolucionit.
Përveç asaj se fundamentalizmi ishte reaksion ndaj aksioneve të faktorëve të jashtëm si kundrejt modernizmit, liberalizmit dhe shekullarizmit, ai ishte reaksion edhe ndaj aksioneve të faktorëve të brendshëm kundrejt lëvizjes kundërshtare Social Gospel (Ungjilli social), lëvizje kjo që angazhohej për harmonizimin sa më të madh të Ungjillit me rrethanat shoqërore në Perëndim.

Me kalimin e kohës fundamentalistët protestantë, përkatësisht fundamentalistët ungjillistë, janë angazhuar në vendosjen dhe kristalizimin e disa postulateve dhe kanë insistuar sidomos në këto:

– Pagabueshmëria e teksteve biblike dhe e doktrinës komplete biblike;
– Lindja virgjërore e Jezu Krishtit;
– Flijimi i Jezu Krishtit për gjithë njerëzinë;
– Ringjallja e trupit pas vdekjes dhe ardhja e sërishme e Jezu Krishtit dhe
– konstituimi i “mbretërisë” njëmijëvjeçare para fundit definitiv të botës.

Insistimi i kësaj lëvizjeje konsistonte në atë që çdo fjalë, çdo pamje dhe çdo ndodhi në tekstin e Biblës posedon vetëm atë kuptim tekstual dhe assesi nuk lejohet çfarëdo komentesh alegorike e metaforike të tekstit biblik. Kjo lëvizje fundamentaliste protestante rrumbullakimin e vet ideor e teorik e fitoi me veprën prej 15 vëllimeve të titulluar “The Fundamentals: A Testimony to the Truth” (Fundamentet/Bazat: dëshmia për të vërtetën) që u botua gjatë viteve 1910[33].
Me qëllim të ndërtimit të shoqërisë dhe harmonizimit të saj me parimet e fesë e të Biblës dhe krijimit të bazave më të forta organizative, në vitin 1919 në Filadelfi të SHBA-ve është formuar Shoqata Botërore Kristiane Fundamentaliste (WCFA), në krye të së cilës ishte lideri i tyre W. B. Ryle[34]. Pos kësaj kanë ekzistuar edhe shoqata rajonale fundamentaliste nga të cilat disa kanë pasur edhe synime të veçanta. Përkundër dallimeve e kundërshtimeve ndërmjet veti e veçanërisht ndërmjet bashkësive protestante të baptistëve, prezbetarianëve dhe Nxënësve të Krishtit, grupet fundamentaliste e kanë të përbashkët përcaktimin antiekumenik dhe antidialogist. Kështu për shembull kur në vitin 1948 në Amsterdam të Holandës u formua Këshilli Botëror Ekumenik i Kishave – me qëllim që të formohet një baraspeshë – fundamentalistët e formuan Këshillin Ndërkombëtar të Kishave Kristiane (ICCC).

Mendohet se sot fundamentalizmi është më i pranishëm në SHBA ku numëron më shumë se 100 milionë pjesëtarë[35]. Fundamentalizmi protestant edhe sot është aktiv, që e dëshmon e dhëna se çdo vit me radhë gjatë korrikut festohet Dita e ngadhënjimit ndaj katolikëve dhe këto manifestime karakterizohen me agresivitete të tepruara.
Devocioni ekstrem të cilin e quajmë fundamentalizëm, pothuajse ka dalë në skenë në secilën prej feve të mëdha botërore gjatë shekullit 20. Ekziston fundamentalizëm budist, krishterë, hebrej, sikh, hindu, konfuçian, ashtu siç ekziston edhe fundamentalizëm islamik.
Fundamentalizmi paraqet një revoltë kundër shoqërisë moderne shekullare e cila në një aspekt e ndan fenë nga politika. Shprehjet të cilat përdoren gjatë emërtimit të terroristëve, prejardhjen e tyre e kanë në grupet religjioze të cilat vepruan shumë më herët. P.sh. etimologjia e fjalës angleze për fanatikun zelot, rrjedh nga zelota – lëvizje çlirimtare hebreje e cila në vitin e 7 të erës së re filloi kryengritje kundër romakëve. Kjo ishte hyrje në kryengritje nacionale me karakteristika të fuqishme religjioze që rezultoi me shkatërrimin e tempullit dhe Jerusalemit në vitin 70. Pas këtyre trazirave zelotët e mposhtur u tërhoqën në fortifikatën malore të quajtur Masada, ku në vitin 73 kryen vetëvrasje kolektive, pasi që ushtarët romakë pas një shtetrrethimi të gjatë realizuan një sulm të ashpër kundër tyre. Aktivitetet e zelotëve i përshkroi historiani romak Josefus Flavius…[36].

Lëvizjet dhe aktivitetet antikolonialiste hebreje kundër synimeve britanike në Palestinë gjatë mandatit britanik dhe aksionet luftarake të popullit algjerian kundër forcave kolonialiste franceze në Algjer, deri në vitin 1962 kishin komponentë religjioze, njëjtë si edhe konfliktet ndërmjet protestantëve dhe katolikëve në Irlandën Veriore ose ato ndërmjet hebrenjve dhe palestinezëve në territoret e okupuara. Mirëpo, sa mund t’i quajmë fundamentalistë!? Në Irlandën veriore lufta zhvillohej ndërmjet dy grupeve të cilat synojnë statutin e shumicës, dhe që të dy konsiderohen si pakica; katolikët në Irlandën Veriore britanike dhe protestantët në tërë ishullin irlandez. Ata nuk e konsiderojnë veten e tyre si terroristë, por njësi paramilitare, dhe veten nuk e quajnë katolikë ose protestantë, por nacionalistë besnikë, gjegjësisht paramilitarë unionistë. Ata nuk bëjnë kurrfarë ndërlidhjeje religjioze me veprimtaritë e tyre. Ata, megjithatë shkojnë në kishat e tyre, por nuk e përdorin Biblën me qëllim që t’a arsyetojnë ose legjitimojnë dhunën e kryer.
Elementet religjioze kanë mundur të gjenden edhe në konfliktet tjera ku identitetet religjioze dhe etnike ishin ngushtë të ndërlidhura, megjithatë atëherë qëllimi ishte formimi i shteteve të pavarura shekullare. Si p.sh. kjo vlen për grupet radikale armene.

Nëse mundohemi që çdo përpjekje çlirimtare të ndonjë populli, siç është rasti me popullin palestinez, ta identifikojmë me fundamentalizmin, atëherë çfarë do të thonim për faktin se fillimi i rezistencës kundër izraelitëve në Palestinë ishte shekullar, sepse grupet më të ashpra në luftë kundër Izraelit nuk i udhëhiqnin fanatikët myslimanë, por të krishterët të cilët iu takonin grupeve të ndryshme radikale socialiste dhe komuniste. Themelues i PFLP-së George Habash i cili konsiderohet përgjegjës për një varg aksionesh terroriste ishte një mjek ortodoks grek. Bashkëpunëtori më i afërt i Habash-it, Wadi Haddad – për të cilin thuhet se ishte lider i “Shtatorit të Zi” – gjithashtu i takonte kishës së njëjtë dhe ishte mjek me profesion. Disa pirateri ajrore spektakolare ndaj avionëve të cilat i organizoi kjo organizatë, i kryen vajzat e familjeve të njohura palestineze të krishtera, ndërsa vrasësi i Robert Kennedy-së ishte Sirhan Bishara Sirhan, një djalosh palestinez i krishterë nga Tajjiba e Jordanisë…etj.[37].

Mund të thuhet se fundamentalizmi religjioz në skenë doli gjatë viteve të tetëdhjeta, edhe atë vetëm me revolucionin islamik në Iran në vitin 1979. Gjatë viteve të tetëdhjeta regjimi i ri iranian sponsoroi disa grupe në më shumë vende të cilat dëshiruan të instalojnë regjimet e njëjta teokratike, dhe veprimtaria e këtillë është lehtësuar përmes faktit se revolucioni iranian përkon me vdekjet e ideologjive, ku kapitalizmi dhe komunizmi në botën muslimane u treguan si ideologji të harxhuara. Demagogët fetar në mënyrë mjaft të shkathët e shfrytëzuan këtë situatë, ndërsa disa xhami u bënë instrument të përshtatshëm për përhapjen e tezave të tyre ku rolin e luanin shi’itët.
Nëse do të shpalosnim listën e organizatave të ashtuquajtura fundamentaliste, do të vërejmë se nga 13 grupet e këtilla të identifikuara në vitin 1968 – atëherë kur terrorizmi politik arriti kulmin e saj – asnjëra prej tyre nuk ka mundur të karakterizohet si religjioze, edhe pse disa grupe palestineze, Tigrat Tamile, IRA provizore dhe grupet terroriste armene, karakterizoheshin me elemente religjioze, prapëseprapë aspektet politike ishin dominuese[38].

7. Islami dhe fundamentalizmi

Sa i përket nocionit fundamentalizëm, gjithashtu, as në literaturën bazë islame, e as në atë klasike dhe bashkëkohore nuk njihet ky nocion. Shprehjet që islamit i atribuohen si ekuivalent të fundamentalizmit janë; reformë, ripërtëritje, burimore, etj.
Etimologjikisht në gjuhën arabe nuk ekziston shprehja fundamentalizëm, ndonëse ekzistojnë shprehje për reformë (islah), rilindje (nahda), rimëkëmbje (texhdid) dhe modernizëm (tahdith), gjë për të cilat shkroi edhe Bruce Lawrence. Mirëpo, nëse kthimin drejt burimeve apo “kërkesën për restaurimin e shoqërisë islame në përvojat e fesë së gjeneratës së parë të myslimanëve”, e quajmë fundamentalizëm islam, atëherë kushtimisht mund të flasim edhe për fundamentalizmin islam. Ndaj, për këtë rast e shohim të arsyeshme ta theksojmë mendimin e shkencëtarit të madh islam Sejjid Husejin Nasrit, i cili thotë: “Përdorimi zhurnalist, e edhe akademik i shprehjes fundamentalizëm me të cilën dëftohet në shfaqjet e shumëllojshme në Botën islame dhe në mendimin bashkëkohor islam, është shprehja më e pafat që shpie rrugës së shtrembër, sepse është nxjerrë nga konteksti kristian ku posedon konotacion krejtësisht tjetërfare. Në Amerikë me këtë shprehje përcaktohen disa forma konservative të protestantizmit, rëndom antimoderne, me interpretim mjaft të ngushtë e të fjalëpërfjalshëm të Biblës dhe me theks të fuqishëm në etikën tradicionale kristiane. Këto karakteristika kanë diç fare pak të përbashkët me atë që klasifikohet me shprehjen fundamentalizmi në Islam, edhe pse edhe disa tendenca jashtëzakonisht ekzoterike por tradicionale në mendimin islam janë quajtur “fundamentalizëm” dhe kanë disa veçori të përbashkëta me “fundamentalizmin”, siç kuptohet kjo përgjithësisht në anglishte. Mirëpo, dallimet janë shumë më të mëdha se ngjashmëritë…”[39].

Atëherë kur në shek. 18-19 në botën islame paraqiten lëvizje ripërtëritëse (që sot karakterizohen si lëvizje fundamentaliste), një gjë e këtillë dukej si inovacion kundër të cilit luftuan disa grupe konzervative[40]. Prandaj, kur flitet për fundamentalizmin në shoqërinë islame, përkatësisht për fundamentalizmin islam, para së gjithash këtë duhet ta kuptojmë kushtimisht dhe ekskluzivisht si emërtim perëndimor për shfaqjet e ndryshme në botën bashkëkohore myslimane dhe si kategori perëndimore që thelbësisht në mënyrë moderniste e përcakton të kuptuarit e tyre. Përdorimi i kësaj shprehjeje në kontekstin pezhorativ e negativ ka shkuar aq larg saqë tashmë vetëm me theksimin e fjalës fundamentalizëm mendohet në islamin, që paraqet kulmin e përdorimit tendencioz e qëllimkeq, sikur të mos ekzistojë fundamentalizëm në religjionet, ideologjitë, lëvizjet dhe teoritë tjera. Me këtë shprehje dëshirohet të cilësohet, përcaktohet, klasifikohet dhe diskualifikohet, dëshirohet të shqetësohen jomyslimanët e të provokohen myslimanët.
Pra, sot për fundamentalizmin mund të flitet në mënyrë fundamentaliste dhe jofundamentaliste, në mënyrë tolerante dhe jotolerante, në mënyrë emocionale dhe me maturi, në mënyrë analitike dhe spekulative, e andaj e gjitha varet nga tendenca dhe aspekti polemizues.

Në vitet shtatëdhjetë vjen deri te përdorimi i shtuar politik i islamit, me çka rritet edhe interesimi për disa aspekte të islamit, që më herët qenë shpërfillë, e të cilat karakterizohen me simbole fetare. Ringjallja e lëvizjeve të shumta me “parashenjë” islame, nxiti edhe shpjegime jokompetente duke mos depërtuar në esencë të çështjes. Mund të thuhet se në botën islame modernizmi nuk arriti me pavarësi, por me nënshtrim kolonizues dhe akoma myslimanët nuk janë të lirë për shkak se fuqitë e Perëndimit shpesh kontrollojnë politikën e tyre prapa skenave për të siguruar furnizimin me naftë etj. Në vend të pavarësisë ka ekzistuar një varësi e venitur dhe humbje lirie. Përderisa njerëzit nuk ndihen të lirë, çfarëdo demokracie do të ishte sipërfaqësore dhe e mangët.[41]. Pra, që këtu edhe shumë më lehtë do të manipulohej me nocionin fundamentalizëm.
Kur jemi te manipulimet dhe manovrimet me nocionin në fjalë, këtu do të paraqesim një fakt që sipas disa statistikave të vitit 2006 nga gjithsej 498 sulme terroriste në Evropë vetëm 1 (një) ka qenë pjesëtar i fesë islame. Në atë listë (ku manifestohet fundamentalizmi) udhëheq bindshëm organizata baske ETA në Spanjë, edhe atë me gjithsej 136 akte të dhunshme terroriste. Kësaj mund t’ia shtojmë edhe vrasjet masive të viteve 2008, 2009, 2010 dhe 2011 që janë duke ndodhur në SHBA dhe në Evropë, si nëpër shkolla, kolegje dhe Universitete nga individë me tipare religjioze (si satanike, etj.). Rasti më i freskët është ai i Brevikut në Oslo të Norvegjisë, ku humbën jetën rreth 100 njerëz të pafajshëm.
Duhet ditur se “fundamentalizmi islamik” nuk përfaqëson asnjë sistem politiko-shoqëror, asnjë sistem ideologjik, asnjë politikë të veçantë, asnjë organizim shtetëror dhe asnjë aleancë shtetërore. Fundamentalizmi është tipar i politikës, e nuk është tipar i fesë, madje fundamentalizmi islamik është propagandim spekulativ[42].

Fundamentalizmi nuk është “pronë” e askujt, e më pak e myslimanëve, pasi që më shpesh karakterizohen grupet e caktuara myslimanësh, edhe pse fundamentalistët janë edhe të religjioneve dhe ideologjive të ndryshme. Që këtu, paralajmërimet e Hantingtonit për përleshjen e qytetërimeve mund të përkufizohen vetëm në linjën e ekstremizmit apo fundamentalizmit[43], gjë që do të mund të evitohen vetëm përmes ndonjë tolerance[44] dhe dialogu konstruktiv[45].

…………………………….
[1] БИКАЈ, Морис, “Библијата, Куранот и науката“, Logos-A, 2003, Скопје, стр. 99-100.
[2] A. Thomson & M. Ata’ur-Rahim: “For Christ’s Sake”, London 1996, f. 3.
[3] NESIMI, Qani, “Ortodoksizmi te shqiptarët – historia e religjioneve”, Tetovë, 2005, f. 27-28.
[4] Muhamed ‘Ata ur-Rahim, “Një raport historik mbi Jezusin”, www.horizonti.com.
[5] Muhamed ‘Ata Ur-Rahim, “Një raport historik mbi Jezusin”, www.horizonti.com.
[6] NESIMI, Qani, “Ortodoksizmi te shqiptarët – historia e religjioneve”, f. 31-32.
[7] NESIMI, Qani, “Ortodoksizmi te shqiptarët – historia e religjioneve”, f. 32.
[8] MURTEZAI, Ekrem, “Fjalor i feve”, Rilindja, Prishtinë, 2000, f. 315 dhe HITI, Filip, “Istorija arapa”, Veselin Masleša, II, Sarajevo, 1973, f. 252-253.
[9] HAVERIĆ, Tarik, “Srednjovjekovno filosofijsko nazivlje u arapskom jeziku”, el-Kalem, Sarajevo, 1991, f. 39.
[10] MURTEZAI, Ekrem, f. 315 dhe HITI, Filip, f. 252-253.
[11] HAVERIĆ, Tarik, f. 39.
[12] MURTEZAI, Ekrem, f. 315.
[13] ЕЛ-АБАДИ, Мостафа, “Животот и судбината на старата александриска библиотека”, Македонска цивилизација, 1997, Скопје, f. 158, cituar sipas: Gregoire la Grand, Epitre, 13. 34.
[14] DENFFER, Ahmad von, “Ulum al-Qur’an”, 1994, The Islamic Foundation, f. 134.
[15] WHITE, Ellen, “Beteja e madhe ndërmjet Zotit dhe djallit”, Znaci na vremeto, Shkup, 2003, f. 58, si dhe shënimin në f. 644.
[16] MURTEZAI, Ekrem, f. 289.
[17] “Ungjilli sipas Barnabës”, Prishtinë, 1998, f. 169.
[18] STUMPF, Samuel Enoch, “Filozofia – historia dhe problemet”, Toena, Tiranë, pa vit botimi, f. 119-120.
[19] Grupa autora, “Stari svet”, Vuk Karađič, Beograd, 1984, f. 250.
[20] STUMPF, Samuel Enoch, f. 120.
[21] MURTEZAI, Ekrem, f. 201-202.
[22] STUMPF, Samuel Enoch, f. 120.
[23] STUMPF, Samuel Enoch, f. 120. Shih edhe: HERSH, Zhanë, “Habia filozofike – një histori e filozofisë së re”, Dituria, Tiranë, 2002, f. 61-72.
[24] Duke folur për Ferrin e Dantes, studiuesi C.S. Lewis në veprën “Studies in Medieval and Renaissance Literature”, f. 71, pohon se Augustini e kishte formuar antitipin e Qytetit Hyjnor në Romën tokësore. Shih: Zejnullah Rrahmani, “Letërsia e mesjetës – teoritë letrare”, Faik Konica, Prishtinë, 2002, f 70-80.
[25] Thoma Akuini, “Summa theologiae”, II/2, 11, 3, cituar sipas; www.vnikolaj.org.yu/katolici_13.html. Shih edhe Max Beer, “Opča historija socijalizma i socijalnih borba”, Zagreb, 1933, f. 164.
[26] STIPČEVIĆ, Aleksandar, “Sudbina Knjige”, Naklada Benja, Lokve, 2000, f. 116.
[27] WHITE, Ellen, f. 122-135, OZAKPËNAR, Jëllmaz, “Kultura dhe qytetërimi”, Logos-A, Shkup, 2003.
f. 143, GOMBRIH, H. Ernest, “Histori e shkurtër e botës”, Elena Gjika, Tiranë, 1999, f. 207-213 dhe ЛИЛЈЕ, Ханс, “Мартин Лутер-1483/2003”, Огледало, Скопје, 2003, f. 51 e më tej.
[28] ЛИЛЈЕ, Ханс, f. 108.
[29] ЛИЛЈЕ, Ханс, f. 108.
[30] IBRAHIMI, Nexhat, “Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve”, Logos-A, Shkup, 1999, f. 139-141.
[31] IBRAHIMI, Nexhat, f. 139-141.
[32] Grupë autorësh, “Islamski Fundamentalizam – sta je to”? (Franjo Topiq, “Fundamentalizam i krscanstvo”), f. 95. IZ-Sarajevo, 1990. Po ashtu shih: Nexhat Ibrahimi, f. 141.
[33] Grupë autorësh, “Islamski Fundamentalizam – sta je to”?, f. 96.
[34] “Islamski Fundamentalizam – sta je to”?, f. 53-54.
[35] “Islamski Fundamentalizam – sta je to”?, f. 96.
[36] KARLSSON, Ingmar, “Besimi, terrori dhe toleranca”, Shkupi, Shkup, f. 299.
[37] KARLSSON, Ingmar, f. 303-304.
[38] KARLSSON, Ingmar, f. 304.
[39] “Islamski Fundamentalizam – sta je to”? (Dr. Mustafa Ceriq, “Suvremena duhovna kretanja u islamskom svijetu”), f. 111.
[40] RAHMAN, Fazlur,”Duh Islama”, Prosveta, Beograd, 1983, f. 306.
[41] Karen Armstrong, nga: www.jmehmeti.blogspot.com
[42] Naim Tërnava, www.bislame.net/web/index.php?option=com_content&task=view&id=86&Itemid=27
[43] Më gjerësisht shih: “Dialogu mes civilizimeve”, (Diskutime nga tribuna ndërkombëtare e organizuar nga Logos-A më 13 shtator, 2000 në Shkup), Logos-A, Shkup, 2003, f. 48-49.
[44] ЕЛ-ФАРУКИ, Исмаил Раџи, “Исламот и другите вери”, МЦМС, Скопје, 2006.
[45] NESIMI, Qani “Dialogu obligim hyjnor”, Logos-A, Shkup, 2005, f. 13-24.