PARATHËNIA
Këtë parathënie autori e veçoi për sqarimin e disa çështjeve me rëndësi, e të cilat kanë të bëjnë me cilësitë dhe njësinë e All-llahut xh.sh. Teurati thotë se Zoti është Një, i Pafillim, i Përhershëm, i Gjithëfuqishëm, vepron çka të dojë, askush nuk është i ngjashëm me Te në esencën e Tij si dhe në cilësitë e Tij, adhurimi i tjetërkujt përveç Zotit është i ndaluar në shumë tekste të Dhjatës së vjetër, si p.sh. në librin “Dalja” 20:3,4,5 dhe 23, pastaj 24:13 dhe 17, si dhe në librin “Ligji i Përtërirë” 13:1-11. Në të njëjtin libër 17:2-7, thuhet se nëse vërtetohet se dikush adhuron tjetërkënd përveç Zotit, qoftë ai mashkull apo femër, duhet të mbytet me gurë. Gjithashtu në Dhjatën e vjetër thuhet se Zotit nuk i përngjet asgjë, kurse në Dhjatën e re në shumë vende thuhet se takimi me Zotin në këtë botë nuk mund të ndodhë. Në Ungjillin e Gjonit 1:18 thuhet: “Hyun kurrë askush nuk e pa”. Pastaj në Letrën e Palit “1. TIMOTEUT” 6:16 thuhet; “… të cilin asnjë njeri nuk e pa dhe asnjë njeri s’mund ta shohë”.
ZHVLEFTËSIMI I TRINISË ME ARGUMENTE LOGJIKE
Argumenti i parë: Pasi që trinia dhe njësimi sipas krishterëve janë dy të vërteta, atëherë nëse ekziston trinia e vërtetë patjetër duhet të ekzistojë edhe shumica e vërtetë, dhe me ekzistimin e tyre nuk mund të vërtetohet njësimi i vërtetë, përndryshe, rivendikohet njësimi i dy të vërtetave të kundërta, çfarë është e pamundur. Ai që beson në trini assesi nuk mund të besojë edhe në njësinë e vërtetë të Zotit; sepse me vërtetimin se dy çështje, në esencën e tyre, janë dy të vërteta të kundërta apo kontradiktore në të njëjtën çështje, nuk mund të bashkohen në të njëjtën çështje personale. Në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin aspekt, si është kjo e mundshme kur një e vërtetë nuk posedon tri të vërteta, dhe si tri të vërteta posedojnë tri të vërteta që janë një e vërtetë, dhe si
mund të jenë tri të vërteta unitare si të tri njësive, dhe një e vërtetë nuk është njësuese e njësive, drejtpërdrejt, por ajo është një pjesë e të triave. E sikur ato dy (trinia e vërtetë dhe njësimi i vërtetë) të njësohen në një vend, atëherë pjesa duhet të jetë tërësi dhe tërësia duhet të jetë pjesë.
Argumenti i dytë: Në qoftë se në esencën e Zotit gjenden tri origjina të veçuara me veçori të vërtetë, siç thonë të krishterët, atëherë duke mos marrë parasysh numërimin e qenieve të domosdoshme, obligohet që Zoti të mos jetë vërtetësi efektuese por kompleks relativ, sepse kompleksi i vërtetë rivendikon nevojën e domosdoshme ndërmjet pjesëve, e guri i vendosur pranë njeriut dhe njeriu nuk përbëjnë një të vërtetë unitare, qeniet e domosdoshme nuk kanë nevojë njëra për tjetrën, sepse një gjë e tillë është veçori e qenieve të mundshme (ekzistimi i të cilave nuk është i domosdoshëm). Prandaj, qenia e domosdoshme nuk ka nevojë për tjetërkënd, e
çdonjëra pjesë është e ndarë nga tjetra edhe pse ajo është brenda një grupi. Nëse ato pjesë nuk kanë nevojë njëra për tjetrën, nuk do të formojnë qenësinë e njësuar, me kusht që Zoti të jetë në formën e përmendur komplekse, e çdo kompleks për realizimin e tij ka nevojë për realizimin e çdonjërës pjesë të tij, kurse pjesa spontanisht nuk është tërësi, e çdo kompleks ka nevojë për të tjerët dhe çdo nevojtar për të tjerët. Qenësia e tij është e mundur (jo e domosdoshme sikurse e Zotit), dhe me këtë obligohet që qenësia e Zotit të jetë e mundshme, e cila gjë është e pavërtetë.
Argumenti i tretë: Po qe se uniteti ndërmjet esencës hyjnore dhe asaj njerëzore do të ishte i vërtetë, atëherë personaliteti i të birit do të ishte i kufizuar dhe i përfunduar. Kurdo që është kështu arritja e shtimit dhe e pakësimit të tij është e mundshme, e kurdo që kompetenca e tij në sasinë e caktuar është përcaktim theksues dhe paradestinim i vlerësuesit dhe kurdo që ështëkështu atëherë ai (personaliteti i të birit) është risi. Me këtë rivendikon që personaliteti i të birit të jetë dukuri dhe dukuria e tij rivendikon dukurinë e Zotit (d.m.th. Ai nuk është i përhershëm pa fillim dhe mbarim).
Argumenti i katërt: Në qoftë se të tri personalitetet (Ati, I biri dhe Shpirti i Shenjtë) veçorizohen me veçori të vërtetë, atëherë qenësia e të veçuarit nuk është e domosdoshme; sepse ajo (qenësia e domosdoshme) është e përbashkët ndërmjet tyre, e ajo që është e përbashkët nuk është e ngjashme me veçorizimin. Atëherë çdo njëri prej tyre është i përbërë prej dy pjesëve, dhe qenësia e çdo përbërjeje është e mundshme, e me këtë rivendikohet që qenësia e çdonjërit (të përmendurit më lartë) nga ata të jetë e mundshme.
Argumenti i pestë: Drejtimi i Jakobit është dukshëm drejtim i kotë; sepse ai kërkon ndërsjelljen e të vjetrës në të renë dhe të abstraktes në konkreten. Ndërsa për kotësinë e drejtimeve tjera themi: ai njësim (i tre personaliteteve) patjetër duhet të bëhet me trupëzim apo pa të, e nëse ai njësim bëhet përmes trupëzimit, është i pavlerë në tre aspekte:
Aspekti i parë: Ai trupëzim nuk mund të jetë ndryshe përveç se ngjashëm me tretjen e ujit të burimit në burim dhe djegien e thëngjillit në zjarr, e cila gjë është e kotë. Kjo do të ishte e mundur sikur personaliteti i Të birit të ishte trup, e krishterët thonë se ai nuk është trup, ose ai trupëzim të bëhet ngjashëm me përfitimin e ngjyrës në trup, e cila gjë gjithashtu është e kotë, ose ai trupëzim të jetë ngjashëm me përfitimin e veçorive të shtuara në qenësitë, e cila gjë po ashtu është e kotë sepse është e logjikshme për këtë mënyrë të ekzistojë nevoja, e nëse vërtetohet trupëzimi i personalitetit “Të birit”, në këtë mënyrë ai do të ishte nevojtar, qenësia e tij do të ishte e mundshme dhe do të kishte nevojë për impresionues, e cila gjë është e pamundshme, si dhe atëherë trupëzimi është i pamundshëm.
Aspekti dytë: Duke mos marrë parasysh kuptimin e “trupëzimit” ne themi: nëse personaliteti i Të birit mishërohet në trup, atëherë ai trupëzim është i domosdoshëm ose jo i domosdoshëm. Trupëzimi i domosdoshëm është i pamundshëm, sepse qenësia e tij (e Të birit) ose duhet të jetë e mjaftueshme në rivendikimin e atij trupëzimi ose jo e mjaftueshme. Nëse ajo është e mjaftueshme në atë rivendikim, atëherë pengimi i atij rivendikimi në arritjen e kushtit është i pamundur, me këtë obligohet që Zoti të jetë dukuri ose qenësia e Tij të jetë e vjetër, dhe të dyja këto janë jo të vërteta. Nëse qenësia e tij (e Të birit) nuk mjafton në rivendikimin e atij trupëzimi, atëherë, ajo për atë trupëzim ka nevojë për një çështje të shtuar dhe të re në qenësinë e tij, kështu që me realizimin e trupëzmit obligohet realizimi i një gjëje të re në të dhe me këtë ai i nënshtrohet dukurive, e cila gjë është e pamundur t’i ndodhë Zotit.
Aspekti i tretë: Nëse personaliteti i Të birit mishërohet në trupin e Isaut alejhis-selam, atëherë ai patjetër duhet të jetë edhe në qenësinë e Zotit ose jo. Nëse gjendet edhe në qenësinë e Zotit ai personalitet apo gjendja e një personaliteti gjendet në dy vende, e nëse ai, në të njëjtën kohë, nuk gjendet edhe në qenësinë e Zotit, atëherë Zoti është i privuar prej tij dhe me këtë ai demantohet, sepse demantimi i një pjese obligon demantimin e tërësisë. E nëse njësimi është pa trupëzim, atëherë personaliteti i Të birit kur bashkohet me Isaun alejhis-selam ata janë në gjendje të njësuar; nëse ata janë të pranishëm janë dy e jo një, e me këtë nuk ekziston kurrfarë njësimi, e nëse ata dy zhduken dhe prej tyre krijohet i treti, gjithashtu, një gjë e tillë nuk llogaritet njësim, por me këtë zhduken dy veta dhe krijohet i treti, e me këtë del në shesh se njësimi është i pamundshëm.
ZHVLEFTËSIMI I TRINISË ME THËNIET E JEZUSIT
Në këtë pjesë autori përmendi disa argumente të forta në zhvleftësimin e trinisë, e të cilat thënie janë të vetë Mesisë. Ne do të përmendim vetëm disa nga ato:
Thënia e parë: Në Ungjillin e Gjonit 17:3, Jezusi duke iu drejtuar Zotit thotë: “E kjo është jeta e përsosur: që të njohin Ty, Një të vetmin, Hyun e vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin”.
Nga ky tekst vërejmë se si Jezusi sqaroi se jeta e përhershme d.m.th. njerëzimi ta dijë që Zoti është Një i vërtetë kurse Isau alejhis-selam është i dërguar i Tij, e nuk tha: se jeta e përhershme d.m.th. njerëzimi të pranojë se qenësia Jote përbëhet prej tri elementeve dhe se unë (Isau) jam njeri dhe Zot ose që ai (Isau) është zot i personifikuar.
Thënia e dytë: Në Ungjillin e Markut 12:28-34, thuhet: “Një nga skribët që kishte dëgjuar rragatjen e tyre, duke parë se Jezui u përgjigj mirë, iu afrua dhe e pyeti: “Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?” Jezusi u përgjigj: “I pari është: Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyu ynë, është një Zot i vetëm. Duaje Zotin, Hyun tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë fuqinë tënde! Urdhri i dytë është: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten! Tjetër urdhër më të madh se këta nuk ka”. Skribi u përgjigj: “Mirë
fort, Mësues! Përgjigju ashtu siç është e vërteta! Ai është i Vetmi, e pos Tij s’ka tjetër. Ta duash Atë me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë fuqi e ta duash të afërmin tënd porsi vetveten, vlen më shumë se të gjitha flijimet e djegies e therrorët”. Jezusi, duke parë se u përgjigj me urti, i tha: “Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyut”.
Thënia e tretë: Në Ungjillin e Markut 13:32, Jezusi thotë: “Sa për atë ditë e për atë orë, s’di askush, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ai (Zoti)”.
Ky tekst zhvleftëson trininë; sepse Jezui (sipas këtij teksti), thotë se ditën e ndodhjes së Kiametit (përfundimin e botës) e di vetëm Zoti, e me këtë ai refuzoi njohjen e saj nga vetvetja dhe nga të tjerët, prandaj, kjo është në kundërthënie me supozimet e të krishterëve në trupëzimin apo personifikimin e tij, e sipas tyre i biri do të duhej ta dijë atë çka di i ati, me këtë del në shesh se ai nuk është Zot.
Thënia e katërt: Në Ungjillin e Mateut 19:17, gjendet thënia e Jezuit e cila zhvleftëson dhe zhdukë besimin në trininë në bazë të tij: “Ai u përgjigj: “Përse më pyet për të mirën? Sepse vetëm Njëri (Zoti) është i mirë”.
Thënia e pestë: Kjo thënie që gjendet në Ungjillin e Llukës 23:46, dhe është në gjuhën e të kryqëzuarit (i cili sipas të krishterëve është Jezusi), zhvleftëson hyjninë e Jezuit drejtpërsëdrejti, e posaçërisht thënien e atyre që thërrasin në trupëzim apo personifikim: “Atëherë Jezusi bërtiti me zë të madh e tha: “O Atë, në duart tua po e dorëzoj shpirtin tim”.
Sikur i kryqëzuari të ishte Zot nuk do të kërkonte ndihmë nga ndonjë Zot tjetër dhe do t’i kundërvihej dobësisë dhe vdekjes. Pastaj, si mund të jetë i dobët dhe të vdesë Ai i cili është i Përhershëm, i Pamundur, i Gjallë, i cili nuk vdes dhe nuk ka zot tjetër përveç Tij?! Prandaj, Zoti i vërtetë është Ai, prej të cilit i kryqëzuari kërkonte ndihmë.
Thënia e gjashtë: Në Ungjillin e Gjonit 14:24, Jezusi thotë: “E fjala që po dëgjoni, nuk është imja, por është e Atij që më dërgoi”. Këtu ai lajmëroi se është i dërguar nga Zoti që t’i kumtojë fjalët e Tij.
Thënia e shtatë: Në Ungjillin e Mateut 23:9-10, Jezusi u drejtohet nxënësve të tij me fjalët: “Dhe përmbi Tokë mos thirrni askënd At, sepse keni vetëm Një Atë që është në qiell! Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës, sepse keni vetëm një Udhëheqës – Mesinë!” Kjo thënie vërteton se Zoti është Një, ndërsa Mesia është mësues.
Thënia e tetë: Kur Jezusi dëshironte ta prezentojë vetveten, traditë e tij ishte të thotë “I biri i njeriut”, e cila gjë është e ditur edhe për vështruesit e ungjijve të njohur sot, prandaj i biri i njeriut nuk mund të jetë tjetër përveç njeri.
ZHVLEFTËSIMI I ARGUMENTEVE TË IMITUARA NË HYJNINË E ISAUT ALEJHIS-SELAM
Thëniet e Gjonit në Ungjillin dhe letrat e tij janë përplot metafora (thënie figurative), andaj ato kanë nevojë të komentohen. Po ashtu edhe thëniet e Jezusit janë përplot përfundime, të cilat në të shumtën e rasteve nuk i kuptuan bashkëkohësit e tij e as nxënësit e tij, përderisa ai nuk ua shpjegoi ato. Fatkeqësisht, thëniet të cilave u përmbahen të krishterët, në të shumtën e rasteve janë përfundime dhe imitime të Ungjillit të Gjonit, të cilat ndahen në tri grupe:
1 – Disa nga ato thënie, sipas kuptimit të tyre formal, nuk paraqesin qëllimin e tyre, prandaj nxerrja e hyjnisë (së Isaut alejhis-selam) prej tyre është vetëm pretendim i të krishterëve, si dhe ajo nxjerrje e hyjnisë (prej atyre thënieve) dhe ai pretendim nuk mund të favorizohen përpara argumenteve logjike dhe para thënieve të Jezusit.
2 – Disa nga ato thënie kuptohen vetëm me ndihmën e disa thënieve tjera të Jezusit ose me ndihmën e disa teksteve tjera të Ungjillit.
3 – Përderisa për ato thënie edhe të krishterët pajtohen se duhet të komentohen, por ai komentim duhet të mos jetë në kundërthënie me argumentet dhe tekstet (e ungjillit), e prej nga mund të ndodhë një gjë e tillë! Autori pastaj përmendi disa argumente të cilat i sqarojnë lexuesit gjendjen e argumentimit të tyre, kurse të tjerat ai vetë i peshon sipas këtyre.
Argumenti i parë i tyre (për hyjninë e Jezusit): Thënia e Jezusit në Ungjillin e Gjonit 8:23: “E Jezusi u tha:” Ju jeni prej këtu poshtë, kurse unë jam prej së larti. Ju jeni prej kësaj bote kurse unë nuk jam prej kësaj bote”.
Kjo thënie është në kundërshtim me realitetin; sepse Isau alejhis-selam ishte nga kjo botë, por ata e komentuan në atë mënyrë që ta argumentojnë hyjninë e tij, e ky komentim është i pavend nga dy aspekte:
Aspekti i parë: Sepse është në kundërshtim me argumentet logjike dhe tekstet definitive.
Aspekti i dytë: Sepse Jezusi i tha këto fjalë edhe për nxënësit e tij, por askush nuk tha se ata ishin Zotër. (Shiko Ungjillin e Gjonit 17:14-16.)
Argumenti i dytë i tyre: Thënia e Jezusit në Ungjillin e Gjonit 10:30: “Unë dhe Ati jemi një”.
Kjo thënie, sipas tyre, argumenton njësimin e Jezusit me Zotin, e i cili pretendim është jo i vërtetë nga dy aspekte:
Aspekti i parë: Sepse Jezusi, gjithashtu, sipas tyre është njeri me shpirt që flet. Sipas kësaj, ai është i unjësuar, prandaj ata shohin këtu nevojën për komentim, e thonë: Siç është ai njeri i plotë ashtu është edhe zot i plotë. Sipas kuptimit të parë, nuk është i njësuar kurse sipas kuptimit të dytë është i njësuar.
Aspekti i dytë: Sepse e njëjta thënie citohet edhe për apostujtë në Ungjillin e Gjonit 17:21-22: “… që të gjithë të jenë një. Sikurse Ti, Atë, që je në mua dhe unë në Ty, ashtu edhe ata të jenë në ne, që ta kuptojë bota se Ti më dërgove. Edhe unë ua dhash lavdinë që Ti ma dhe që të jenë një”.
Pra, sipas kësaj, Jezui është i njësuar me apostujtë, sikurse është i njësuar edhe me Zotin. Meqë njësimi i tyre nuk është konkret apo real, atëherë unjësimi me Zotin d.t.th. nënshtrim ndaj dispozitave të Tij dhe veprim i punëve të mira, dhe në këtë njëjësim, si Isau alejhis-selam, apostujtë e po ashtu edhe të gjithë besimtarët tjerë, janë të njëjtë.
Argumenti i tyre i tretë: Thënia e Jezuit në Ungjillin e Gjonit 14:9-10,: “Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin. Si thua, pra: Na e dëfto Atin! Po a nuk beson se unë jam në Atin e Ati është në mua! Fjalët që ua them, nuk ua them prej vetvetes: Ati që banon në mua i kryen veprat e veta”.
Të krishterët supozojnë se thënia e Jezuit: “Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin… unë jam në Atin e Ati është në mua… Ati që banon në mua…” argumenton njësimin e Jezusit me Zotin dhe se ai është Zoti gjithashtu. Edhe ky argument është jo i vërtetë nga dy aspekte:
Aspekti i parë: Sepse takimi me Zotin në këtë botë është i pamundur, kështu që ata thonë se me atë ka për qëllim njohjen, por njohja e Jezuit duke marrë në konsiderim truporen nuk figuron njësimin; pastaj ata thonë se njohja ka për qëllim hyjninë (njësimin e hyjnisë), e cila gjë është në kundërshtim me argumentet dhe tekstet e Ungjillit.
Aspekti i dytë: Sepse Jezui në Ungjillin e Gjonit 14:20, thotë: “Atë ditë do ta kuptoni se unë jam në Atin tim, ju në mua e unë në ju”.
Në Letrën e Palit “Efesianëve” 4:6, thuhet: “Një Hy i vetëm, Ati i të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë”.
Askush nuk tha se apostujtë apo efesianët janë zotër, sepse madhështimi, poshtërimi, dashuria etj., që i përshkruhen më të ultëve u përshkruhen të lartëve në mënyrë metaforike, prandaj Jezui për apostujtë në Ungjillin e Mateut 10:40: thotë: “Kush ju pranon juve, më pranon mua; e kush më pranon mua, pranon Atë që më dërgoi mua”.
Sipas gjithë kësaj që u cek më lart, përfundojmë se njohja e Jezuit sipas atij shikimi është në shkallën e njohjes së Zotit. Ndërsa trupëzimi i ndokujt në Zotin apo trupëzimi i Zotit në dikë, si dhe trupëzimi i ndokujt në Jezuin dhe e kundërta, është variant i nënshtrimit ndaj tyre (respektivisht ndaj urdhrave të tyre), e këtë e vërteton teksti 3:24 në letrën “1. e Gjonit”: “Kush i mban urdhrat e tij, mbetet në Hyun dhe Hyu në të. Me këtë e dimë se Ai mbetet në ne: me anë të Shpirtit që na e ka dhënë”.
Të krishterët mund të argumentojnë hyjninë e Jezuit me anë të asaj se ai u lind pa baba, andaj autori thotë: Ky argumentim, gjithsesi është i dobët; sepse bota në përgjithësi është dukuri, kurse prej krijimit të saj e deri më sot kanë kaluar 6000 vjet (kjo sipas mendimit të tyre). Sipas tyre, krijesat e qiellit, tokës, jogjallesat, bimët, shtazët dhe Ademi alejhis-selam u krijuan (sipas tyre) brenda një jave, prandaj të gjitha gjallesat u krijuan pa baba dhe pa nënë si dhe çdo moment lindin insekte të reja gjatë kohës së shiut pa baba dhe nënë. Atëherë, të gjitha ato krijesa e shoqërojnë Jezuin në krijimin e tij, madje edhe ia kalojnë atij, meqë krijohen edhe pa nënë.
Prandaj, si mund të jetë lindja e tij pa baba shkak i hyjnisë së tij?!