Islami nuk është një fe e re e cila është shfaqur vetëm në kohën e Profetit Muhamed (a.s), përkundrazi ajo është feja të cilën Allahu i Madhëruar ia ka shpallur të gjithë profetëve nga Ademi (a.s) deri tek Muhamedi (a.s). “Islam” do të thotë bindje dhe nënshtrim ndaj urdhrave të Allahut të Madhëruar. Ajo është feja e cila është e ndërtuar mbi bazë të besimit të pastër dhe adhurimit vetëm të Allahut të Madhëruar.
Çdo fe tjetër përveç fesë islame nuk është gjë tjetër vetëm se produkt i pjellës njerëzore. Prandaj nuk është i saktë besimi i atij njeriu që beson në ekzistencën e feve qiellore. Ajo që mund të themi në këtë kontekst është fakti se kemi të bëjmë me legjislacione të ndryshme që i përkasin një feje të vetme që është Islami. Vetëm nën dritën e kësaj domethënie kuptohet thënia e Profetit (a.s): “Profetët janë vëllezër të një babai me nëna të ndryshme, feja e të cilëve është vetëm një.”[1] Duke komentuar këtë hadith, imam Ibn Haxher Askalani ka thënë:[Nga ky hadith kuptojmë se parimi bazë i fesë së tyre është adhurimi vetëm i Zotit edhe nëse kanë pasë legjislacione të ndryshme.][2] Kështu pra feja e vetme e pranuar tek Allahu është vetëm feja islame. Allahu i Madhëruar thotë: “Feja e vërtetë tek Allahu është islami”[3]
E përsa i përket feve të tjera, ato nuk janë gjë tjetër vetëm se emërtime të cilët i kanë vendosur njerëzit. Për shembull feja budiste e ka marrë emrin nga themeluesi i saj Gautama Buda. Kurse jehuditët e kanë marrë emrin nga njëri prej djemve të Jakubit (a.s), Jehudhës. E të krishterët e kanë marrë emrin e fesë së tyre nga Jezu Krishti. Kurse Islami është feja të cilën e ka zjedhur Allahu i Madhëruar për robërit e Tij, feja me të cilën Ai ka dërguar të gjithë Profetët. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai ju ka quajtur juve myslimanë qysh më parë.”[4]
Profeti i Allahut, Muhamedi (a.s) nuk ka ardhur me një fe të re, të cilën njerëzit nuk e kanë njohur më parë, përkundrazi ai ka ardhur me të njëjtën fe që kanë ardhur të gjithë profetët e mëparshëm. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaju: Unë nuk jam i pari i dërguar dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë me mua ose me ju. Unë ndjek vetëm atë që më është shpallur dhe kam për detyrë vetëm të jap paralajmërime të qarta.”[5]
Profeti i Allahut, Nuhu (a.s) ka qenë mysliman. Allahu i Madhëruar thotë: “E nëse prapësoheni nga mësimet e mia, unë nuk ju kërkoj ndonjë shpërblim, se shpërblimi im është vetëm prej Allahut. Unë jam i urdhëruar të jem njëri prej muslimanëve.”[6]
Profeti i Allahut, Ibrahimi (a.s) ka qenë mysliman. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe kush i kthen shpinën fesë së Ibrahimit (besimit të pastër islam në një Zot), përveç atij i cili e mashtron dhe e poshtëron shpirtin e vet? Vërtet që Ne e zgjodhëm atë në këtë botë dhe po kështu edhe në Botën e Pastajme ai do të jetë në rradhët e të drejtëve. Kur Zoti i tij i tha: Nënshtrohu (bëju musliman) edhe ai iu përgjigj: E kam nënshtruar veten time (si mysliman) ndaj Zotit të Gjithësisë.’[7]
Islami ka qenë feja e të gjithë profetëve të tjerë, pasardhësve të Ibrahimit (a.s), Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Jusufit (a.s). Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe këtë fe (nënshtrim ndaj Allahut si myslimanë) e porositi Ibrahimi edhe për bijtë e tij edhe Jakubi duke thënë: O bijtë e mi! Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, kështu që mos vdisni ndryshe përveç se në besimin islam, si myslimanë. A ishit ju dëshmitar kur Jakubit iu afrua vdekja? Kur ai u tha bijve të tij: Çfarë do të adhuroni ju pas meje? Ata i thanë: Ne do të adhurojmë të Adhuruarin Tënd (Allahun Një), të Adhuruarin e baballarëve të tu, të Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, Një të Adhuruar, Një e të Vetëm dhe vetëm Atij i nënshtrohemi si myslimanë në Islam.”[8]
Prandaj nuk është e lejuar që të themi fetë abrahamike duke pasë për qëllim fenë e hebrenjve, të krishterëve dhe bashkë me ato të dyja dhe atë islame, sepse Profeti Ibrahim (a.s) i ka ftuar njerëzit në fenë monoteiste islame. Allahu i Madhëruar thotë: “Ibrahimi nuk ishte jehudi e as i krishterë, por ai ishte vetëm mysliman me besim të pastër islam vetëm në Allahun Një e të Vetëm dhe nuk ishte prej idhujtarëve.”[9]
Profeti i Allahut, Musai (a.s) u dërgua në mesin e Benu Israilëve por ai nuk ka qenë jehudi, e libri i cili gjendet në mesin e hebrenjve sot, nuk është Tevrati të cilin Allahu i Madhëruar ia shpalli Musait (a.s). Musai (a.s) ka qenë Profeti i Allahut që është dërguar në mesin e Benu Israilëve dhe ka qenë mysliman. Një deklaratë të tillë, Musai (a.s) e jep kur i drejtohet populli të tij me fjalët: “O populli im! Në qoftë se ju keni besuar në Allahun, atëherë vetëm Atij mbështetjuni nëse jeni myslimanë.”[10]
Madje jo vetëm profetët kanë qenë myslimanë, por edhe ndjekësit e tyre kanë qenë të tillë, siç është rasti i havarinjve. Allahu i Madhëruar thotë: “E kur Isai e kuptoi vendosmërinë e tyre në mosbesim tha: Kush janë ndihmëtarët e mi për në rrugë të Allahut? Havarijunët thanë: Ne jemi ndihmëtarë të fesë së Allahut, ne i besuam Allahut, e ti dëshmo për ne se jemi myslimanë.”[11]
Apo si rasti i magjistarëve të Faraonit të cilët kur besuan tek Allahu i Madhëruar thanë: “Zoti ynë na dhuro durim (për dënimin që do të na japë Faraoni) dhe na bëj të vdesim myslimanë.”[12]
Në përfundim themi se:
Islami është feja që Allahu i Madhëruar ia ka shpallur të gjithë profetëve dhe që e kanë ndjekur të gjithë besimtarët e vërtetë. Besimi i të gjithë Profetëve ka qenë një i vetëm, adhurimi i Allahut të Madhëruar, megjithëse për secilin profet ka pasë ligje dhe rregulla të ndryshme.
[1] – Buhariu dhe Muslimi. [2] – “Fet’hul Bari” [3] – Sure Ali Imran: 19 [4] – Sure Haxh: 22. [5] – Sure Ahkaf: 9. [6] – Sure Junus: 72. [7] – Sure Bekare: 130-131. [8] – Sure Bekare: 132-133. [9] – Sure Ali Imran: 67. [10] – Sure Junus: 84. [11] – Sure Ali Imran: 52. [12] – Sure A’araf: 126.