A e ka përdorur Jezusi ndonjëherë fjalën ‘i krishter’ ?

A e ka përdorur Jezusi ndonjëherë fjalën ‘i krishter’ ?

Shumica e të krishterëve kanë një botëkuptim të gabuar kur është në pyetje çështja se kush është themeluesi i besimit të tyre. Nëse kjo pyetje i shtrohet cilitdo kristian përgjegjja është e thjeshtë; sipas tyre Jezu Krishti është arkitekti i dogmave dhe besimeve kristiane. Ky mendim i padrejtë është në  të shumtën i trashëguar dhe si i tillë rrallë herë vihet në sprovën e të vërtetuarit nëse është i saktë apo jo. Shumëherë me apo pa qëllim tentohet që ti vihet kapak kësaj çështjeje duke pohuar se gjoja Jezusi paskësh përdorur fjalën  ‘kristian’ për ti emërtuar ata që e ndiqnin, duke bërë kështu akrobacion me vargje biblike të keqcituara apo të nxjerra nga konteksti.

Çështja është më delikate se sa përdorimi apo mospërdorimi i një emri të vetëm, respektivisht i fjalës ‘krishter’ në këtë rast. Poqese Jezusi do të kishte përdorur fjalën ‘i krishter’ për të emërtuar kështu pasuesit e tij kjo do të thoshte se njëmend Jezusi na qenka themelues i Krishterimit dhe dogmave të tij. Ndërsa nëse vërtetohet e kundërta; fakti se Jezusi kurrë nuk ka përdorur fjalën ‘i krishter’ për të emërtuar pasuesit e tij atëherë kjo do të thotë se Jezusi nuk kishte ardhur tek kopeja e humbur e Izraelit për të propaganduar apo themeluar ndonjë besim të ri religjioz. Ai ishte vetëm njëri ndër profetët e shumtë që Allahu i dërgoi njerëzimit.

Në përgjithësi kur tentohet të krijohet bindja se Jezusi është themelues i Krishtërimit dhe se ai ka përdorur fjalën ‘i krishter’ citohen këto dy vargje biblike:

Mateu 24:24 Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrrekulli të tilla aq sa t’i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit.

Marku 13:22 Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë dhe do të bëjnë shenja e çudi për të gënjyer, po të jetë e mundur, edhe të zgjedhurit.

Edhe pse kjo temë në fakt nuk paraqet as edhe një problem të vockël, për arsyen se me një logjikë sado minimale mund të dallohet se vargjet e mësipërme nuk i mbështesin pohimet e dëshiruara, ne do ta shtjellojmë një çikë më detajisht për ti zhdukur tërësisht besimet e gabuara rreth kësaj çështjeje. . Siç e keni parë edhe vetë nga vargjet e mësipërme fjala ‘i krishter’ apo ‘të krishterë’ nuk figuron askund. Fjala e vetme që e gjejmë aty është fjala Krishtër. Me apo pa qëllim shumë të krishterë, misionarë dhe të tjerë,  e konsiderojnë publikun  e tyre aq naiv sa të mos mund të dinë dallimin midis fjalës ‘krishtër’ dhe ‘i krishter’. Është shumë e kthjellët dhe e qartë se  fjala ‘krishtër’  është shumësi i fjalës Krisht dhe nuk është emërtim i pasuesve të besimit kristian. Ndërkaq për të emërtuar besimtarët e Krishterimit në shqip përdoret fjala ‘i krishter’ në njëjës, dhe ‘të krishterë’ në shumës. Vetëm fakti se këto dy fjalë (‘krishtër’ dhe ‘i krishter’) në shqip tingëllojnë disi të ngjashme nuk do të thotë se janë të njëjta.

Për të mos dalur se ne po flasim pallavra në ajër ne kemi konsultuar edhe përkthimet në gjuhë të tjera sikur edhe vetë origjinalin në greqisht. Se në vargjet e përmendura nuk është fjala për ‘të krishterë’ të rremë, por për Mesia apo Krishtër të rremë, duket qartë jo vetëm nga përkthimet në shqip që i kemi konsultuar por edhe nga gjithsej 18, po tetëmbëdhjetë, përkthime të Biblës në anglisht. Në të gjitha ato qartë shihet se është fjala për “krishtër’ të rremë (false Christs) dhe jo ‘të krishterë të rremë’ (false Christians).  Verzioni “The Message” në anglisht e ka edhe më të qartë. Në vend të false apo fake Christs ai përdor fake Messiahs, pra Mesi të rremë.

Për të parë dallimin midis shumësit të një emri dhe emërtimit për pasuesit e besimit përkatës religionz,  të nderuar lexues shikojeni me kujdes tabelën e mëposhtme:

Emri i personit në njëjës  Emri i personit në shumës  Pasuesit e besimit religjioz përkatës (njëjës/shumës) 
Krisht Krishtër (ose Krishta) I krishter/Të krishterë
Bahaullah Bahaullahër (ose Bahaullaha) Bahai/bahai
Budë Budër (ose Buda) Budist/budistë
Zoroaster Zoroasterër Zoroastrian/Zoroastrianë

Në fund kemi konsultuar edhe Biblën në greqisht, gjuhë kjo që në të cilën konsiderohet të jetë shkruar origjinalisht Bibla në verzionin e saj të tanishëm. Edhe në greqisht dallimi midis fjalës ‘krishtër’ dhe ‘i krishter’ është tepër i qartë.

Tek dy vargjet e cituara më sipër kemi në greqisht të përdorur fjalën (hristos) (krishtër) që është shumë ndryshe nga fjala i krishter përdorur për shembull në vargje tjera në Dhjatën e Re. Për shembull tek Veprat e Apostujve 26:28 kemi të përdorur fjalën ‘i krishter’ e cila në greqisht gjendet si (hristianos). Poashtu kjo fjalë në shumës (të krishterë) është përdorur tek Veprat e Apostujve 11:26 si (hristianos). Prandaj fjalët ‘krishtër’ dhe ‘i krishter/të krishterë’  janë shumë  të ndryshme për tu konsideruar të njëjta.

Greqisht 

Shqip 

   (hristos) Krishtër
  (hristianos). I krishter
  (hristianos) Të Krishterë

E vërteta pra është krejt ndryshe.

Faktikisht kjo mund të shihet edhe nga një bisedë sado e shkurtër me ndonjë kristian të çfarëdo denominacioni qoftë ai. Pyete për shpëtimin, për shëlbimin, për mëkatin, për vdekjen, ringjalljen etj etj. Të shumtën e rasteve përgjegjet e tyre do të jenë: ‘sipas Palit në 1 Korintasve…., sipas Letrës së Palit dërguar Romakëve……, bazuar në fjalët e Palit tek Efesianët………, sipas fjalëve të Palit nga 2 Timoteu…..etj etj’. Pali është strumbullari i besimeve të tyre, fjalët e tij janë mbështjetja e dogmave të tyre. Jezusi do të citohet rrallë herë për të mbështetur me fjalët e tij dogmat kristiane.

Në të vërtetë kjo nuk është ndonjë gjë e rë. Gjërësisht pranohet në qarqet e shkollarëve biblikë dhe tek autorë tjerë, se ishte Pali ai që themeloi Kristianizmin e jo Jezu Krishti. Pjesa më e madhe e Dhjatës së Re është shkruar pikërisht nga Pali dhe jo nga Jezusi apo ndonjë dëshmitar direkt i jetës së Jezusit. Pali nuk e pa kurrë Jezusin. Ai persekutoi besimtarët e Krishtit dhe befas në një kohë të caktuar pasi që kishte shkallmuar rëndë të besuarit e Jezuit pohoi të kishte parë një vizion. Nga atëherë filloi predikimin e një besimi që ishte shumë i huaj kur krahasohej me mësimet e vetë Jezuit.

Çfarë mund të thuhet për fund?

Jezusi ishte një njeri i aprovuar nga Zoti, i dërguar si profet tek populli hebraik. Ai ishte vërtetues i profetërve të mëhershëm dhe nuk ishte krijues i asnjë besimi të ri fetar. Ai sikur edhe të gjithë profetët predikoi vetëm besimin në një Zot të vetëm. Sikur e thotë edhe ai vetë me fjalët që gjenden akoma në Ungjill:

17 “Mos mendoni se unë erdha për të shfuqizuar ligjin ose profetët; unë nuk erdha për t`i shfuqizuar, po për t`i plotësuar.
18 Sepse në të vërtetë ju them: Deri sa qielli dhe toka, të kalojnë asnjë jotë a asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë, para se të plotësohet gjithçka.
19 Ai, pra, që do të shkelë një nga këto urdhërime më të vogla, dhe do t`u ketë mësuar kështu njerëzve, do të quhet më i vogli në mbretërinë e qiejve; kurse ai që do t`i vërë në praktikë dhe do t`ua mësojë të tjerëve, do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve.
 (Mateu 5:17-19)

Vazhdimësi e këtij zingjiri të profetërve që vërtetonin njëri tjetrin ishte edhe Muhamedi me të cilin u përsos plani i Zotit për njerëzimin.

Shkruar nga  Halil Ibrahimi