A është i Drejtë Zoti sipas Biblës?

A është i Drejtë Zoti sipas Biblës?

Marsel Cara 

  1. Hyrje

Në librin biblik të Zanafillës 18:23-25, profeti Abraham pasi mëson se qyteti i Sodomës do të shkatërrohet nga Zoti, ngre dy pyetje në lidhje me drejtësinë e Zotit: A do të shkatërrohet me të padrejtin edhe i drejti? A do të jetë Gjykuesi i mbarë botës i Drejtë?

Problemi teologjik i Drejtësisë Hyjnore është i vjetër sa besimi në Zot.

Profeti Job, sipas Biblës, goditet padrejtësisht me vuajtje nga Zoti, dhe e thërret Zotin në gjyq (Jobi 27:2; 31:6) edhe pse e di që Atij nuk i kërkohet dot llogari pasi është Ai i Plotfuqishëm dhe bën çfarë të dojë (23:13).

Miku i tij Elihu i mban një ligjërim apologjetik mbi drejtësinë hyjnore (Job 34), por paradoksalisht ky “avokat” i Zotit, qortohet nga vetë Zoti i Cili mban anën e Jobit akuzues.

Koncepti i Drejtësisë Hyjnore mbetet problematik për lexues të Biblës që hasin udhëzime kontradiktore nga autorë të ndryshëm të cilët duket sikur rivalizojnë njëri-tjetrin për të shpjeguar Zotin dhe se çfarë i pëlqen Atij të konsiderojë drejtësi.

  1. Dy ide krejtësisht të ndryshme mbi drejtësinë e Zotit

A është përgjegjësia për sjelljet e këqija, individuale apo e trashëgueshme? Në Bibël jepen dy përgjigje të papajtueshme me njëra-tjetrën. Judaizmi i ka mbajtur në literaturën e vet biblike (ndryshe Dhjata e Vjetër) dy idetë e mësipërme pa u përpjekur ti japë zgjidhje kontradiktës mes tyre. Krishtërimi, fillimisht si një reformë e Judaizmit, dhe më pas si një fe më vete dhe rivale në teologji, duket se ofron në literaturën e vet biblike (ose Dhjata e Re) një konfirmim të të dy ideve.

  1. Përgjegjësi individuale

Në librin biblik të Ligjit të Përtërirë 24:16, mohohet çdo lloj trashëgimie apo transferim i mëkatit nga personi i fajshëm tek një person i pafajshëm:

“Nuk do të dënohen me vdekje etërit për bijtë e tyre, as do të vriten bijtë për etërit e tyre; secili do të dënohet me vdekje për mëkatin e vet.”

Kjo ide mbi drejtësinë hyjnore ndaj mëkatit njerëzor theksohet akoma më fort në librin e Ezekielit 18:19-20:

19Megjithatë ju thoni: “Pse biri nuk mbart paudhësinë e atit?”. Duke qenë se djali zbaton barazinë dhe drejtësinë, respekton të gjitha statutet e mia dhe i vë në praktikë, ai me siguri ka për të jetuar.

20Shpirti që mëkaton do të vdesë, i biri nuk do të mbartë paudhësinë e atit dhe ati nuk do të mbartë paudhësinë e birit; drejtësia e të drejtit do të jetë mbi të, pabesia e të pabesit do të bien mbi të.”

Në këtë sistem pendesa e sinqertë (keqardhje, ndalim i mëkatit dhe ndryshimi i mënyrës sëjetesës) është mënyra e vetme për të shmangur dënimin e merituar nga individi përgjegjës, të cilin nuk ta largojnë ritualet fetare si kurbanet/flijimet me gjak, siç përshkruhet në librin e Isaia 1:11,15-18:

11 Ç’më duhet shumica e flijimeve tuaja, thotë Zoti… gjakun e demave, të qengjave dhe të cjepve nuk e pëlqej…

15 Kur i shtrini duart tuaja, unë i fsheh sytë e mi nga ju; edhe kur i shumoni lutjet tuaja, unë nuk dëgjoj; duart tuaja janë tërë gjak.

16 Lahuni, pastrohuni, largoni nga prania ime ligësinë e veprimeve tuaja, mos bëni më keq.

17 Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, sigurojini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e gruas së ve.

18 Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi.”

Konfirmimi në Dhjatën e Re

Ideja që Zoti pranon nga një individ pendesë të sinqertë dhe ndryshim radikal të mënyrës së jetesës si të vetmen mënyrë për të shmangur dënimin individiual që i takon sipas drejtësisë hyjnore, konfirmohet edhe në Dhjatën e Re, nga Gjon Pagëzori dhe Jezusi, në librin biblik të Llukës 3:3,8 dhe 18:9-14.

Në fakt, në ungjillin sipas Mateut 9:13 dhe 12:7, ideja që Zoti kërkon pendesë dhe nuk ka nevojë për kurbane apo për dënimin e padrejtë të personave të pafajshëm është mëse e qartë:

“9:13 Tani shkoni dhe mësoni ç’do të thotë: “Unë dua mëshirë dhe jo flijime”. Sepse unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët”.

“12:7 Dhe, po të dinit se çfarë do të thotë: “Unë dua mëshirë dhe jo flijime”, nuk do të kishit dënuar të pafajshmit.”

  1. Përgjegjësi e trashëguar/transferuar

Në librin biblik të Numrave14:18, jepet një ide e ndryshme për Zotin dhe drejtësinë e Tij ndaj mëkatit:

“Zoti…nuk lë pa ndëshkuar fajtorin, duke dënuar paudhësinë e etërve te bijtë, deri në brezin e tretë ose të katërt”.

Një episod në të cilin theksohet akoma më qartë ideja e trashëgimisë të mëkatit ndër breza, është ai i përshkruar në librin biblik të 1 Samuel 15:2-3:

2 Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë do ta dënoj Amalekun për atë që i bëri Izraelit kur i preu rrugën, ndërsa po dilte nga Egjipti.

3 Tani shko, godit Amalekun dhe cakto shfarosjen e të gjitha gjërave që ai ka pa pasur fare mëshirë për të, por vrit burra dhe gra, fëmijë dhe foshnja gjiri, lopë e dhen, deve dhe gomarë”.

Përveç tronditjes psikologjike që mund të shkaktojë ky mesazh i dhënë mbretit izraelit Saul, tek një lexues i pafamiljarizuar me genocidin në Bibël, teksti paraqet edhe një problem teknik. Amaleku i dikurshëm kish bërë  mëkatin ndaj Izraelit gati 300 vjet (thuajse 10 breza) më herët, pra kishin kaluar më shumë se 4 breza gjatë të cilëve fëmijët mund të vuanin mëkatin e etërve. Përse pas brezit të katërt (të paktën për të miturit) nuk ishte fituar ende amnistia?

Sauli, zbatuesi i urdhërit të mësipërm, për fat të keq bie viktimë e të njëjtit “sistem drejtësie”, siç përshkruhet në 2 Samuel 21, kur pas vdekjes së tij, për shkak të një thatësire e mungese shiu, që ishte shkaktuar nga një mëkat i Saulit, i bëhen kurban (Zotit?) 7 djem të tij. Vetëm pas këtij ekzekutimi të bijve për mëkatin e babait, shiu ra dhe thatësira kaloi.

Problemi kryesor me këtë koncept drejtësie është se pendesa e mëkatarit nuk shpëton dot pasardhësit e tij nga dënimi i pamerituar.

Për shembull, në librin  e 2 Samuel 12:13-14, Davidi, i cili më herët kishte dorëzuar 7 djemtë e Saulit të bëheshin kurban, pasi pranon mëkatin e vet dhe pendohet, nuk arrin  dot ta shpëtojë birin e tij të sapolindur i cili nuk kishte asnjë faj për veprimet e të atit:

13 Atëherë Davidi i tha Nathanit: “Kam mëkatuar kundër Zotit”. Nathani iu përgjigj Davidit: “Zoti e ka hequr mëkatin tënd; ti nuk ke për të vdekur. 14 Megjithatë, duke qenë se më këto veprime u ke dhënë rastin armiqve të Zotit të blasfemojnë, djali që ka lindur duhet të vdesë”.

Konfirmimi në Shjatën e Re

Ideja e dënimit të birit të pafajshëm, Jezusit që ishte gjithnjë i bindur ndaj Zotit, për mëkatin e babait fajtor, Adamit njeriut të parë (dhe gjithë fajet e njerëzimit) është teza kryesore e soteriologjisë (teorisë së shpëtimit nga pasojat e mëkatit) e propozuar në letrën Romakëve 5 në dhjatën e re:

…Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.

7 Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë.

8 Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.

9 Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të shfajësuar në gjakun e tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij.”

18 Prandaj, ashtu si për një shkelje të vetme dënimi u shtri mbi të gjithë njerëzit, ashtu edhe me një akt të vetëm drejtësie, hiri u shtri mbi gjithë njerëzit për shfajësimin e jetës.

19 Në fakt, ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nga bindja e një të vetmi të shumtët do të bëhen të drejtë”.

Sipas Palit, dashuria e Zotit nuk mund të jepej pa asnjë “gjobë” për shkeljet e njerëzimit fajtor, ishte e nevojshme që Jezusi i pafajshëm të varej në pemë si kriminel e të mallkohej në vend të atyre që e meritonin (Galatasve 3:13).

Nëse në Dhjatën e Vjetër Zoti i kishte kërcënuar Izraelitët se nëse nuk i bindeshin urdhërimeve Ai do jua bënte kurban bijtë e tyre, sipas Levitikut 26:27-29:

27 Dhe në se, me gjithë këtë nuk do të më dëgjoni, por do të silleni si armiq të mi,

28 edhe unë do të bëhem armiku i juaj plot mëri dhe do t’ju dënoj shtatë herë më shumë për mëkatet tuaja.

29 Do të hani mishin e bijve tuaj dhe do të hani mishin e bijave tuaja.”

Në Dhjatën e Re, në ungjillin sipas Gjonit 6, Ai u kërkon të hanë mishin e Jezusit dhe të pinë gjakun e tij në mënyrë që të shpëtojnë nga dënimi për mëkatet e tyre:

52 Atëherë Judenjtë filluan të diskutojnë njeri me tjetrin duke thënë: ”Si mundet ky të na japë të hamë mishin e tij?”.

53 Prandaj Jezusi u tha atyre: ”Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se, po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetën në veten tuaj.

54 Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme…”.

Ideja që njeriu i pafajshëm, Jezusi, i duhej bërë kurban Zotit për fajet e mëkatarëve, për tu ngrënë prej tyre, është plotësisht e papajtueshme me idenë e Zotit Mëshirues që do pendesë të sinqertë dhe nuk ka nevojë për kurbane ku të shkarkojë zemërimin për mëkatarët.

  1. Konkluzion

Literatura biblike, si ajo judaike dhe ajo e  krishterë, është shkruar nga autorë të shumtë, të cilët ndonjëherë kanë ofruar teologji të papajtueshme, madje rivale, midis tyre. Si ideja A dhe B mbi drejtësinë e Zotit, mbi mënyrën se si Zoti gjykon mëkatin dhe rrugëdaljen që i ofron mëkatarit, janë të dyja biblike. Nëse dikush zgjedh njërën duhet të mohojë tjetrën, duke refuzuar përfundimisht teorinë që çdo gjë në Bibël duhet besuar njësoj. I vetmi kriter për të gjykuar se cila ide është e vërtetë apo e besueshme, është ndjesia apo intuita jonë si lexues (dhe mendues) në favor të njërës apo tjetrës.  Kriteri i intuitës mbetet kryesisht subjektiv, e ndoshta në pjesën më të madhe ndjesitë formësohen jashtë vetëdijes sonë. Ndoshta, zgjidhja më e mirë do të ishte ti kërkonim Zotit, nëse besojmë që Ai ekziston dhe është i Drejtë, të na tregojë se cila ide i përafrohet më shumë Drejtësisë së Tij, e cila prej mijëra vjetësh mbetet e aksesueshme vetëm në libra me teologji rivale.

Nga: Erasmusi,org