A ËSHTË KURANI VEPËR E NJERIUT ?

A ËSHTË KURANI VEPËR E NJERIUT ?

Kur’ani dhe prejardhja e tij janë çështjet kryesore, për të cilat kundërshtarët e tij kanë shprehur më së shumti dy­shime. Disa persona të caktuar, me një mendjengushtësi dhe gjykim jo të kthjellët, mundohen që të mbjellin farën e dyshimit mbi autenticitetin (vërtetësinë) e tij si Libër Hyj­nor.

Shumë libra dhe revista e paraqesin Kur’anin si një ve­për të mendjes njerëzore, krijuar prej një “mashtruesi“ të Pejgamberisë.

Për ta kuptuar pozici­o­nin e tyre është e rëndësishme të kemi parasysh se çfarë thotë Kur’ani për burimin (origjinën) e tij. Allahu në Kur’­a­nin Famëlartë thotë:

Se me të vërtetë ai është Kur’an i famshëm”.

“Është i zbritur prej Zotit të botëve”. (El Vakia, 77,80.)

“Nuk ka dyshim se ky (Kur’an) është shpallje (zbritje) e Zotit të bo­tëve. Atë e zbriti Shpirti besnik (i besueshëm) (Xhebraili)”. (Esh Shuara, 192-193.)

Mënyra se si thuhet kjo, të jep përshtypjen se këto janë fjalë të Krijuesit drejtuar krijesave të tij. Të gjithë kapitujt përveç kapitullit të 9-të fillojnë me formulën:

“Me emrin e Allahut, Bëmirësit të përgjithshëm, Mëshi­ruesit të posaçëm”.

Pretendimi se Muhamedi s.a.v.s., ka shkruar Kur’anin nuk është i sotëm; ai daton që nga koha e Pejgamberit. Një pretendim të tillë e kishte shprehur madje edhe vetë po­pu­lli i tij.

Për të hedhur poshtë këto pretendime, Allahu Fuqiplotë i kërkoi pejgamberit, Muhamedit s.a.v.s., t’i drejtohet po­pullit me fjalët:

“E, kur u lexohen shpalljet Tona të qarta, atëherë ata që nuk shpresojnë se do të dalin, para Nesh thonë: “Na sill ndonjë Kuran tjetër ose ndërroje atë!” Thuaj (o Muhamed): “Është e pamundur ta ndërroj unë atë nga ana ime. Unë shkoj vetëm pas asaj që më është shpallur. Unë druaj, nëse e kundërshtoj Zotin tim, dënimin e Ditës së Madhe.

Thuaj: “Sikur të kishte dashur Allahu, unë nuk do t’jua kisha lexuar dhe as që do të bënte Ai që ta mësoni ju atë. Unë kam jetuar një kohë (të gjatë) në mesin tuaj para profetësisë (as nuk kam ditur shkrim as nuk kam lexuar), a nuk po mendoni?” (Junus, 15-16.)

Dihet se Muhamedi s.a.v.s., ishte një njeri që nuk dinte shkrim e lexim. Ai jetoi mes popullit të tij dyzet vjet pa treguar as edhe njëherë ndonjë shenjë të madhe të dijes. Prandaj, si mund të shpjegohet që ai arriti të shkruante Ku­r’anin, madhështia e të cilit është e pakrahasueshme? Be­sojmë se ky është një argument i fuqishëm që hedh poshtë pretendimet e atyre që thonë se Kur’ani është libër i Muha­medit s.a.v.s.

Thomas Carlyle në lidhje me arsimimin e Muhamedit s.a.v.s. ka thënë: “Nuk duhet të harrojmë edhe një rre­tha­në: se ai nuk ka vijuar shkollën; atë që ne e quajmë shkollim, ai kurrë nuk e ka bërë”.[1] Poashtu Inxhinieri dhe studiuesi me origjinë çifute, Dr. A. N. Sousa, në lidhje me këtë thotë: “Zoti i Madhëruar, mrekullinë e Kur’anit dhe analfabetizmin e Muhamedit, i ka bërë argument për vër­tetësinë e pejgamberisë së tij dhe për vërtetësinë Hyjnore të Kur’anit”.[2]

Se pejgamberi, Muhamedi s.a.v.s., nuk dinte shkrim e lexim, këtë e dëshmon edhe Allahu në Kur’anin Famëlartë:

Ti (Muhammed) nuk ishe që lexojshe ndonjë libër para këtij (Kuranit), e as që shkruajshe atë me dorën tënde të djathtë, përndryshe, do të dyshonin ata të prishurit”. (El-Ankebutë, 48.)

Atëherë si mund të jetë e arsyeshme dhe a mund të pra­nojë logjika që një njeri që nuk dinte shkrim-lexim të jetë autor i një libri kaq madhështor, plotë dituri e përkushtim dhe sfidues i gjithësisë si Kur’ani?

Një njeri i paarsimuar, pa parë derën e shkollës, të sjellë e të predikojë një sistem individual, familjar, shoqë­roro-ekonomik dhe juridik, pa të meta, kjo bie në kundë­rshtim me aparencën mendore e logjike, sidomos po të jetë ky sistem aq i shkëlqyer, sa të zbatohet për shekuj të tërë nga një sërë kombesh miq e armiq midis tyre e të ruajë gjer më sot freskin e vet!

Si dje, ashtu edhe sot është po ai Person i pa shkrim e i palexim që vazhdon t’i sfidojë të gjitha ç‘janë shkruar e thënë nga dijetarët dhe letrarët më të mëdhenj të të gjitha kohëve. Sot, kur në përgjithësi pranohet se shkencat kanë arritur një zhvillim të madh, ai sikur u thotë fizikantëve, kimistëve, astronomëve, mjekëve, sociologëve, poetëve e shkrimtarëve, të gjithëve: “Bëhuni bashkë e sillni jo shu­më, por vetëm një pjesë, sa një sure[3] e Kur’anit!”. Në Kur’anin Famëlartë Allahu xh.sh. i kërkon Muhamedit s.a.v.s., që tu drejtohet atyre që pretendojnë se Kur’ani është vepër e njeriut, me fjalët:

Thuaj: “Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhindet për të hartuar një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të hartonin një të ngjashëm me të, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri – tjetrin”. (El Isra, 88.)

Nëse ata thonë: “Ai (Muhamedi) e ka trilluar atë (Kuranin)!” Thuaju (o Muhamed!): “Sillni dhjetë sure të ngjashme (në bukuri dhe elokuencë) të trilluara (siç thoni ju) dhe thirrni në ndihmë kë të mundni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën!” (Hudë, 13.)

“Nëse ju dyshoni në atë që ia kemi zbritur robit tonë (Muhamedit a.s.), atëherë hartoni një sure të ngjashme me atë që ia kemi shpallur atij! Thirrni në ndihmë edhe dëshmitarët tuaj (që i adhuroni) në vend të Allahut, nëse jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kur’ani nuk është prej Zotit)”. (El Bekare, 23.)

“Nëse ata thonë: “Ai (Muhamedi) e ka trilluar atë (Kuranin)”, thuaju: “Atëherë, sillni një sure të ngjashme me të dhe thirrni (në ndihmë) kë të mundni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën!”. (Junus, 38.) Që do të thotë, thirrni në ndihmë xhinnët, melaiket dhe të gjithë gjenitë e mendimit njerëzor dhe përpiloni së paku një kaptinë të ngjajshme. Kjo thirrje akoma është aktuale. Mirëpo, ende askush asnjëherë nuk arriti të bëjë asgjë.[4]

Ndryshimi ndërmjet mënyrës së shprehjes së Kur’anit dhe mënyrës së shprehjes së pejgamberit Muhamed s.a.v.s., dallohen mjaft lehtë. Ndërmjet stilit gjuhësor e letrar të Kur’anit dhe stilit gjuhësor e letrar të hadithëve (porosive) të Pejgamberit s.a.v.s., ka një ndryshim shumë të madhë. Gjuha e hadithëve të pejgamberit ishte shumë më e kuptu­eshme, karshi shprehjeve Kur’anore, nga të cilat habiteshin dhe mahniteshin edhe vetë arabët. Duke lexuar porositë e Pe­jgamberit s.a.v.s., kuptohet qartë se aty pervijohet ima­zhi i një njeriu që mendon e bisedon i përulur nga frika e Allahut xh.sh., kurse në zërin e Kur’anit ndihet një guxim i lartë, një vizion tronditës e një tingëllim madhështore. Lo­gji­kisht, nuk është as e mundur dhe as e pranueshme që në shprehjen e një njeriu të sendërtohen aty për aty dy stile aq të ndryshme nga njëra-tjetra. Këtu shihet se Muhamedi s.a.v.s., është një njeri si të tjerët, me dallimin e vetëm se atij i shpa­llet, relevatë (shpallje) nga Zoti xh.sh., gjë të cilën e pohon vetë Kur’ani:

“Thuaj: Unë jam vetëm njeri, sikurse ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos përziejë askë”. (El Kehf, 110.)

Dhe, në fund, përse askush dhe asnjëherë nuk e dëgjoj Muhamedin s.a.v.s., të pranonte apo të theksonte se ai vetë ishte autor i Kur’anit?

[1] Ahmed Deedat, “Kur’ani- Mrekullia e mrekullive”, Podujevë, fq. 13.

[2] Ajni Sinani, “Të tjerët për Islamin”, Prishtinë 2005, fq.108.

[3] Sure (arab,) – Kapitull i Kuranit. Kapitulli përbëhet prej një numri të caktuar ajetesh (citatesh). Gjithsej në Kuran ka 114 kapituj.

[4] Mustafa Mahmud, “Rruga për njohjen e Zotit”, Shkup, 2011, fq. 99.

Ma.sci. Senad MAKU