A jemi të shpëtuar nëpërmjet besimit apo nëpërmjet veprave?

A jemi të shpëtuar nëpërmjet besimit apo nëpërmjet veprave?

Përgjigjja:

Një nga argumentet themelore të ngritura nga jomuslimanët, veçanërisht nga kristianët, kundër Islamit është koncepti i shpëtimit. Ata thonë se në Krishterim shpëtimi vie nëpërmjet besimit përderisa në Islam shpëtimi duhet të meritohet duke bërë vepra të mira. Fatkeqësisht shumë muslimanë bien në këtë kurth dhe e mbrojnë një pozicion të tillë të imponuar nga jomuslimanët. Kjo pastaj i jep bazë kristianit për të vazhduar me kornizën e tij të Jezusit-Atit-Kryqëzimit-Shpëtimit. Ata do të argumentojnë se shpëtimi është dhuratë nga Perëndia dhe se nuk mund të fitohet. Por nëse koncepti i vërtetë Islamik rreth kësaj çështjeje qartësohet atëherë nuk ka kurrfarë baze për ta sulmuar Islamin.

Shpeshherë muslimanët dështojnë të kuptojnë se koncepti Islamik i shpëtimit nuk bazohet në vepra të mira, por primarisht është i  vendosur mbi besim. Në një mori rastesh kur Allahu flet në Kur’an rreth shpëtimit, përherë thotë: “Ata që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira.”. Besimi gjithmonë është përmendur para veprave. Kur dikush kthehet në Islam ai nuk e bën këtë duke bërë ndonjë vepër të mirë por duke besuar se ekziston vetëm një Zot dhe se Muhamedi është i Dërguari i Fundit i Perëndisë. Jomuslimanët mund të bëjnë vepra të mira gjithashtu, por ajo çka i dallon ata nga muslimanët është mungesa e imanit, përkatësisht besimit. Arsyeja pse veprat e mria të pabesimtarëve janë të pavlera në botën e amshueshme është mosbesimi i tyre. Përderisa besimi i një personi nuk është i drejtë, të gjitha veprat e tij të mira janë të pavlera.

Një nga hadithet më të njohura të Profetit Muhamed thotë: “Të gjitha veprat llogariten sipas qëllimit”, duke nënkuptuar se qëllimi, njeti ose besimi prapa veprës tënde është ai për shkak të së cilit shpërblehesh; dhe vepra e bërë faktikisht është pasojë e besimit.

Një tjetër hadith thotë: “Një njeri erdhi te Profeti dhe e pyeti, ‘Kur do të vijë dita e gjykimit?’. Profeti iu përgjigj, ‘çka ke përgatitur ti për atë ditë pasi që po pyet për të’?’. Ai i tha, ‘Unë nuk kam ndonjë vepër të mire në llogarinë time, por e kam një gjë: e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij’. Profeti ia ktheu, ‘Në atë rast mos u mërzit, ti do të jesh me ata që i do’.” Ky hadith gjithashtu e konfirmon qëndrimin Islamik të vendosjes së besimit dhe akides para veprave. Për shembull Allahu thotë në pjesë të ndryshme të Kur’anit “Besimtarët do ti gjesh duke u lutur…” Ai nuk thotë njerëzit të cilët luten janë besimtarë. Është besimi ajo që e sjell veprën, por e kundërta nuk është gjithmonë e vërtetë. Një hadith tjetër thotë: “Përderisa njeriu nuk e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij më shumë se vetveten, besimi i tij nuk është i plotë.”