Adventistët e ditës së shtatë

Adventistët e ditës së shtatë

Adventistët (lat. Adventus-ardhja) janë pjesëtarë të komunitetit, të cilët besojnë në kthimin e afërt të Krishtit. Prandaj, konsiderohet si një lëvizje mesianiste, e cila beson se Jezusi do të vijë së shpejti. Vend të posaçëm ndër pjesëtarët e lëvizjes adventiste zë Villiam Miller (William Miller 1782-1849), një predikues baptist. Ai në vitin 1832 filloi të predikojë se si do të vijë shumë shpejt fundi i botës dhe se kjo do të ndodhë ndërmjet 21 marsit të vitit 1843 dhe 21 marsit të vitit 1844. Gjatë një ceremonisë baptiste në vitin 1831 Milleri e mbajti një predikim, në të cilin iu zbulua një informacion i fshehtë, sipas të cilit në mars të vitit 1843 do të zhvillohej një ndodhi e jashtëzakonshme. Prandaj, ky vit është quajtur viti i riardhjes së Krishtit në tokë. Kur Krishti nuk erdhi, pasoi një zhgënjim në mesin e ithtarëve, prandaj Milleri u tërhoq. Dominonte një bindje se është e mundur të caktohej dita dhe ora e kthimit të Krishtit. Pasi që baptistët e përjashtuan nga komuniteti, Milleri e formoi komunitetin tjetër të cilin e quajti “Adventistët”. Mirëpo, pas dështimeve të parashikimeve të tij, adventistët u përçanë në grupe dhe bashkësi të vogla. Disa nga këto grupe u bashkuan në një bashkësi më të madhe, në krye të së cilës ishin Elen Vajt (Ellen Gould White 1827-1915) dhe bashkëshorti i saj Xhejms, pastaj Xhozef Bejts, Hejrem Edison etj. Që nga viti 1863 kjo bashkësi zë të quhet “adventistët e aitës së shtatë”.

Të gjitha mësimet e tyre i bazojnë në Bibël, veçanërisht në Psalmet e Davidit, ndërkaq traditën e konsiderojnë vetëm si burim i informatave. Mirëpo, ndryshe nga të tjerët, adventistët shkrime të shenjta i konsiderojnë edhe veprat e themelueses së kësaj bashkësie Elen Vajtit të cilën e konsiderojnë profete. Mbi këtë bazë, Adventistët besojnë se është afruar shumë dita e ardhjes së Jezusit dhe e vendosjes së mbretërisë mijëravjeçare të Zotit; kur do të zhduket dhe do të marr fund kjo botë, së bashku me të, por pas gjyqit të madh do të zhduken të gjitha të këqijat dhe të këqijtë, dhe do të zërë fill lumturia e amshueshme e të mirëve. Besojnë se Jezusi është i krijuar dhe se në Jezusin dhe në Shpirtin e Shenjtë gjendet shpirti hyjnor. Të krishterët e vdekur jetojnë në qiell bashkë me Jezusin. Kur të vijë koha, të gjithë bashkërisht do të vijnë përsëri dhe do të jetojnë madhështinë e shtetit mesianik. Ata ndryshe quhen edhe “shtunakë”, sepse në vend të së dielës e kanë ditë feste dhe pushimi ditën e shtunë. Në këtë ditë nuk punojnë asgjë, nuk shkojnë në shkollë, nuk shikojnë TV, as që dëgjojnë radio, ndërsa gatuajnë ushqimin një ditë përpara. Këtë ditë ia kushtojnë besimit dhe veprimit humanitar. Largimi nga këto rregulla konsiderohet mëkat i madh. Këto qëndrime të ditës së shtunë, siç i kemi theksuar më lart i kishin jahudinjtë dhe baptistët.

Mohojnë besimin apo dogmën në pavdekshmërinë e shpirtit, mohojnë parajsën, ferrin, purgatorin, shenjtërimin e kulteve, lutjen e të vdekurve, etj. Nuk i respektojnë fotografitë e shenjta, vendet e shenjta, e mohojnë rendin priftëror, nuk e pranojnë për sakrament martesën etj.

Pagëzimin e të rriturve (fëmijët nuk i pagëzojnë) e bëjnë me zhytjen e tërësishme në ujë. Pagëzimin dhe kungimin, i konsiderojnë si dy sakramente kryesore; kungimit i paraprin larja rituale e këmbëve, kurse brendapërbrenda kungimit hahet buka pa farë dhe pihet lëngu i rrushit. Ata e kanë të ndaluar mishin e derrit, konsumimin e alkoolit, duhanin etj. Përgjithësisht, adventistët bëjnë një jetë modeste dhe sipas një etike rigoroze. Ushqimi duhet të jetë nën kujdes të mirë pa erëza dhe yndyrë me origjinë të kafshëve. Nuk konsumojnë asnjë lloj të mishit, përndryshe mishin e ndajnë në mish të “pastër” (mishin e kafshëve të cilët i kanë thundrat e ndara dhe përtypëse) dhe në “të papastër”. Lejohet të hanë drithëra, pemë, arra, perime dhe ushqime që përgatiten prej tyre.

Rëndësi të madhe i kushtojnë lutjeve “të përbashkëta” të shtunave (mjaftojnë tre persona për t’u konsideruar lutja e përbashkët). I pagëzojnë të mëdhenjtë pasi t’i pranojnë mëkatet dhe të pendohen duke i zhytur në ujë. Para meshës bëjnë ritin e larjes së këmbëve (njëri anëtar ia lan këmbët tjetrit dhe anasjelltas). Po ashtu i kushtojnë rëndësi të veçantë relacionit të brendshëm dhe disiplinës në komunitetin religjioz. Pasuesit ndajnë 10% nga pasuria e tyre për komunitetin, ndërsa pas kësaj çdo jave tubojnë të holla për ndihma humanitare dhe nevoja të tjera.

Adventistët e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në 687 gjuhë, ndërsa botimet i bëjnë në më se 273 gjuhë. Ata publikojnë 10 milionë libra dhe broshura. Rregullisht dalin 336 revista. Programin e tyre e transmetojnë në më se 285 TV dhe në 3391 radiostacione. Sot ekzistojnë në tërë botën rreth 15 milionë ithtarë të adventizmit.[1] Botimet e tyre gjenden edhe në gjuhën shqipe, e sidomos ato të profetes së tyre Elev Vaitit.[2]

 Dr. Zija Abdullahu

 ……………………………………………………..

[1] Shiko: Ekrem Murtezai, “Fjalori i feve”, f. 15-16; Ivan Cvitković, “Religije savremenoga svijeta”, (Religjionet e botës bashkëkohore), f. 201-204; Ekrem Sarikçioglu, “Historia e feve”, f. 577-579.

[2] Ellen G. White, “Beteja më e madhe ndërmjet Zotit dhe Djallit”, Përktheu: Nebi Islami, Shkup, 2003.