AGJËRIMI NË ISLAM DHE NË FETË TJERA

AGJËRIMI NË ISLAM DHE NË FETË TJERA

Mr. Qani Nesimi

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. (El Bekare: 183)

Agjërimi është një urë shpirtërore që e lidhë krijesën me Krijuesin, gjegjësisht njeriun me Zotin. Kjo lidhshmëri e këtij lloji nuk është e re, por ajo daton që me krijimin e njeriut të parë dhe ka vazhduar në mënyrë permanente edhe te popujt e më vonshëm, gjë të cilën e vërteton edhe dërgimi i një numri të madh të pejgamberëve nga ana e All-llahut të Madhërishëm. Po ashtu, kur kemi parasysh se agjërimi është çështje primare që zë vend në pesë kushtet themelore të Islamit dhe, gjithashtu, se është çështje thelbësore e feve tjera në përgjithësi, qofshin ato të shpallura, nacionale apo primitive, atëherë këtë e kuptojmë edhe si argument të fortë për të vërtetuar ekzistimin e agjërimit edhe te popujt e mëparshëm para Islamit. Ndërsa një gjë të tillë e vërteton edhe vetë Kur’ani Fisnik: “…agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishtë obligim edhe i atyre që ishin para jush…”. (El Bekare: 183) Këtë e vërteton edhe ajeti tjetër kur’anor i cili tregon për agjërimin e Musait [alejhis-selam], ku ai, para se të pranojë shpalljen, obligohet nga ana e Zotit që të agjërojë tridhjetë netë e pastaj atë e plotëson edhe me dhjetë net tjera: “Dhe ne i caktuam Musait tridhjetë net (afatin për shpallje), dhe ato i plotësuam edhe me dhjetë dhe kështu u mbush afati për takim me Zotin e tij në katërdhjetë netë…” (A’raf, 142)

Në lidhje me ajetin e parë, bëhet kështu një komen¬tim: agjërimi u është bërë obligim (farz) juve, sikur që u është bërë pejgamberëve dhe ummeteve para jush. Mos mendoni se agjërimi është një vështirësi vetëm për ju, por ai është një ligj hyjnorë që praktikohet shumë më herët. Njerëzit, për edukimin e tyre, kanë shumë nevojë për agjërim, dhe në momentin e prak¬tikimit të tij kanë dobi të panumërta.(1)
Ndërkaq në lidhje me ajetin e dytë, bëhen disa shpje¬gime se, Musai [alejhis-selam], duke qenë ende në Egjipt, popullit të vet (Bijve të Izraelit) u ka premtuar se, kur All-llahu do ta shkatërrojë armikun e tyre (Faraonin), atyre nga ana e All-llahut do t’u dërgohet një libër sqarues, me të cilin nuk do të humbin dhe nuk do të devijojnë. Kur Faraoni u shkatërrua, Musai kërkoi nga Zoti librin e premtuar. Zoti, si fazë përga¬titore për të pranuar shpalljen, e urdhëroi Musain të agjërojë tridhjetë ditët/netët e muajt Dhul Kade. Ndërkaq, Musai, kur i mbushi tridhjetë ditë, e prishi agjërimin, duke menduar se duke qenë agjërueshëm do t’i vijë era gojës së tij. Për këtë, All-llahu i shpalli, duke i thënë se aroma e gojës së agjëruesit për Zotin është më e mirë se era e miskut. Dhe kështu Musain e urdhëroi që t’i shtojë edhe dhjetë ditë/netë të muajit Dhul Hixhe.(2)

Kurse, në lidhje me përdorimin e shprehjes “lejleten” në ajetin e lartpërmendur, komentuesit komentojnë se, muaji fillon me natën, dhe me llogaritjen dyzetë net, plotësohet ajo që porositet Musai të realizojë. Po ashtu, shpalljet janë realizuar natën, kurse suksesi i tërë është arritur rreth mëngjesit. Kështu që, në këtë rast, sikur numri dyzetë në brengën e Musait paraqet një natë të tërë, kurse shtimi edhe i dhjetë ditëve agjërim paraqet kohën e përfundimit të natës, ku gjatë asaj kohe Musai ka biseduar me All-llahun.(3)
Përveç këtyre që i përmendëm më lartë, si argument për ekzistimin e agjërimit është edhe agjërimi i pejgamberëve të mëparshëm, si p.sh. Nuhi [alejhis-selam] ka agjëruar tërë vitin; Davudi [alejhis-selam] ka agjëruar një ditë po e një ditë jo; Ibrahimi [alejhis-selam] ka agjëruar tre ditët e para të çdo muaji; kurse Isai [alejhis-selam] ka agjëruar dyzet ditë.(4)

Kështu që, nëse do t’u hidhnim një shikim feve të cilat sot ende ekzistojnë, po bile edhe feve për të cilat besohet se më nuk kanë gjurmë, do të shohim se, agjërimi haset në pjesën më të madhe të tyre. Kështu p.sh., në Budizëm, agjërimi zë një vend të rëndësi¬shëm, dhe se sipas themeluesit të Budizmit, Budhas, nuk duhet as të lidhemi me botën e as ta braktisim atë. Metodë të vetme për të arritur qëllimin e shpre¬hur më lartë, Budhha zgjedh agjërimin një herë në çdo dy muaj, dhe gjatë këtij agjërimi të bëhet tregi¬mi/përkujtimi i mëkateve të bëra. Sipas tij, pengesë për arritjen e shpëtimit të përhershëm, gjegjësisht për arritjen në Nirvana, janë dëshirat/epshet. Ndërkaq, shpëtimi mund të arrihet vetëm me braktisjen e dëshirave, dhe kjo arrihet me anë të agjërimit.(5)

Edhe në fetë hinduse, në Azinë Jugore, agjërimi pra¬nohet si një mjet rigoroz për edukim. Kështu që, në Brahmanizëm është traditë agjërimi i ditës së 11 dhe 12 të muajve lokal të tyre. Kurse, në Xhajnizëm agjërohet 40 ditë. Ndërkaq themeluesi i Xhajnizmit, Ma¬ha¬vira, për të arritur në shkallët më të larta shpirtërore, nuk ka ngrënë mish dhe vezë. Ai gjithmonë ka bërë dietë, kurse transmetohet se deri në vdekje ka agjëruar. Edhe në Hinduizëm, agjërimi përdoret për të edukuar shpirtin. Agjërimi, më tepër është si një lloj diete dhe realizohet në ditët e adhurimit, kurse në disa ditë agjërojnë vetëm gratë. Ndërkaq, në Maniheizëm, agjërimi bëhet për t’iu lutur diellit dhe hë¬nës, ngase ata dërgojnë dritë. Ndër tjerash agjërimin e hasim edhe te fetë evropiane dhe amerikane. Kurse në Taoizëm agjërimi luan rolin e mbrojtjes prej fitnes dhe turbullirave në kohët kaotike.(6)
Përveç kësaj, agjërimi edhe më i theksuar është në fetë të cilat llogariten qiellore dhe të shpallura, gje¬gjësisht, në fetë, simpatizuesit e të cilave Kur’ani i quan Ehl-i Kitab, ku bëjnë pjesë: Sabiizmi, Hebraiz¬mi, Krishterizmi. Kurse aspekti final i agjërimi gjendet në Islam.

Agjërimi në Sabiizëm

Në traditën sabiite, agjërimi, krahas që ka një vend të rëndësishëm, ai nuk është në formën e largimit prej ushqimeve dhe pijeve dhe prej marrëdhënieve seksuale. Por, sipas tyre, agjërimi vlerësohet si largim prej mëkateve dhe të keqes. Kështu që, në librin hyj¬norë të sabiitëve, në Ginza, porositet mbajtja e agjë¬rimit të madh. E ky agjërim realizohet në këtë formë: agjërim me sy, që nënkupton mosshikimin në të keqen dhe të ndaluarën, agjërim me veshë, që nënkupton mosdëgjimin e të ndaluarës, agjërim me gojë, që nënkupton mospërdorimin e rrenës, agjërim me zemër, që nënkupton largim prej mendimeve dhe qëllimeve të këqija, agjërim me dorë, që nënkupton mosbërjen e kri¬meve dhe mosvjedhjen, agjërim me gjunjë, që nënkupton mospërulje përpara djallit dhe agjërim me trup, që nënkupton largimin prej gruas me të cilën nuk je i martuar.(7)
Përveç kësaj, sabiitët e kohës së sodit, edhe pse në librat hyjnorë të tyre nuk gjenden, agjërojnë duke mos ngrënë mish në disa ditë të caktuara të vitit.(8)

Agjërimi në Hebraizëm

Agjërimi në Dhiatën e Vjetër (Tevrat) është prezent, dhe ai urdhëron që të agjërohen disa ditë. Kurse agjërimi i obliguar në këto ditë është për ta thyer epshin, në disa raste tregohet se është për vuajtje dhe në disa raste bëhet për t’u afruar te Zoti.(9) Gjithashtu, në Dhiatën e Vjetër tregohet se Musai në Kodrën Sina ka qëndruar dyzet ditë dhe dyzet netë: “Kështu Moisiu mbeti aty me Zotin dyzet ditë dhe dyzet net; nuk hëngri bukë as piu ujë. Dhe Zoti shkroi mbi pllakat fjalët e beslidhjes, dhjetë urdhërimet.” (Eksodi 34/28) “Kështu Moisiu hyri në mes të resë dhe u ngjit në mal; dhe Moisiu mbeti në mal dyzet ditë dhe dyzet net.” (Eksodi 24/18). Po ashtu, në vende të ndryshme të Arabisë hebrenjtë agjërojnë duke mos ngrënë asgjë pas jacije. Ata agjërojnë edhe si simbol i zemërimit për periudhën babilonase (syrgjynosja e tyre në Babil). Kurse agjërimi përdorej edhe për atë kur ndonjërit i ndodhte ndonjë problem apo kur ndonjëri dëshironte të bëhej magjistar. Kështu që, edhe pse me disa dallime, këto agjërime në Hebrai¬zëm arrijnë në 25 ditë. Përveç këtyre ditëve ka edhe agjërime lokale, të cilat realizohen për të përkujtuar brengat e tyre. Gjithashtu, hebrenjtë kanë edhe ditë agjërimi ku nuk hahet mishi dhe nuk pihet alkooli. Sidomos agjërimi i dhëndrit në ditën e martesës ishte një gjë e zakonshme.(10)

Nëse do të numëronim momentet me rëndësi histori¬ke për të cilat praktikohet agjërimi në Hebraizëm, do të kishim veçuar: rrethimin e Jerusalemit, okupimin e Jerusalemit, shkatërrimin e Tempullit, vrasjen e mbretit Gedalja dhe 13 ditë Adar.(11)
Vetëm se, adhurimi më i madh është dita e agjërimit e quajtur Yom-Kippur, i cili fillon më 19 Prill. Fillimi i agjërimit është mosha dymbëdhjetë vjet e një muaj. Ky agjërim fillon në mbrëmje dhe zgjatë deri të nesërmen në mbrëmje dhe kjo kohë arrin deri në 25 orë.(12)

Agjërimi në Krishterizëm

Edhe pse jo aq i qartë, pasi që dallojnë qëndrimet e Kishës Ortodokse prej Kishës Katolike dhe asaj Protestante, agjërimi në Krishterizëm është urdhri i tretë i Kishës. Në Krishterizëm, agjërimi dhe dieta (pehrizi) janë të njëjta, dhe ajo bëhet për të angazhuar trupin në kohë të caktuar, për t’i thyer aspiratat epshore dhe për të përjetuar që në këtë botë dënimin e disa mëkateve të bëra. Mosha e përgjegjësisë për agjërim fillon në moshën 21 vjeçare dhe vazhdon deri në moshën 60 vjeçare, kurse mosha e dietës është mosha 14 vjeçare.(13) Edhe në Dhiatën e Re, për agjërimin përmenden fjalë lavdëruese dhe gjithashtu i jepet një rëndësi e veçantë.(14) Në Kishën Katolike, gjë të cilën nuk e përkrah Kisha Protestante, ka dy lloje agjërimesh: Euharist – agjërimi i falënderimit dhe Eklesiastik – agjërimi i kishës. Po ashtu, edhe i pagëzuari edhe pagëzori agjërojnë një apo dy ditë. Kisha Katolike dietën e urdhëron për dy arsye: 1. Për realizimin e Pendimit dhe 2. Për të praktikuar dyzet ditët të cilat i ka agjëruar Jezu Krishti (Isai [alejhis-selam]), para se t’ia fillojë misionit të tij. Dieta e Madhe (Careme) te latinët zgjatë 6 javë, kurse te grekët zgjatë 7 javë. Agjërimi dhe dieta në Krishterizëm, në disa raste bëhen bashkë, e në disa raste ndaras, dhe gjatë atyre ditëve, në të shumtën e rasteve, nuk për¬doret mishi, qumështi dhe gjalpi. Në shekullin e III, janë bërë diskutime të ashpra në përcaktimin e ditëve të agjërimit. Por, përsëri nuk kanë mundur të arrijnë në një përfundim se kur do të përfundojë agjërimi, me këndimin e gjelit apo me zhdukjen e errësirës në mëngjes.(15)
Ndërkaq në Kishën Ortodokse ka katër periudha agjërimi në vit:

Agjërimi i Madh (Lent), i cili fillon 7 javë para Pashkëve (Easter),
Agjërimi i apostujve, i cili fillon të Hënën, 8 ditë pas Pentecost dhe përfundon më 28 Qershor,
Agjërimi në rast të marrjes së ndonjë posti, i cili zgjat dy javë, prej 1-14 Gusht, dhe
Agjërimi për Krishtlindje, i cili zgjat dyzet ditë, prej 15 Nëntorit e deri më 24 Dhjetor.

Përveç këtyre periudhave kryesore, janë edhe agjë¬rim¬i i çdo të Mërkure dhe të Premte, kurse në disa manastire agjërohet edhe dita e Hënë. Gjithashtu agjërohet dita e ekzaltimit të kryqit, dita e prerjes së kokës së Gjon Pagëzorit (Jahja [alejhis-selam]) dhe agjërimi për hir të Epifaniusit. Gjatë këtyre ditëve nuk është i ndaluar vetëm mishi, por të ndaluara janë edhe peshku dhe të gjitha produktet e kafshëve, në mesin e të cilave bëjnë pjesë edhe vera dhe yndyra.(16)
E gjithë kjo që përmendëm më lartë, edhe pse në forma të devijuara dhe të deformuara, tregon për pre¬zen¬cën e agjërimit ne mesin e njerëzve, që në fillim të historisë së njerëzimit. Kjo, po ashtu, sipas mendimit tim, tregon dy gjëra me rëndësi: E para, tregon se All-llahu i Madhërishëm në vazhdimësi, prej fillimit e deri më sot, njeriut ia ka mësuar rregu¬llat e besimit, gjegjësisht, për rastin konkret, agjërimin, kurse, e dyta është se, njerëzit gjatë historisë janë munduar që ta shtrembërojnë besimin e vërtetë, dhe si rezultat i kësaj është edhe ekzistimi i mënyra¬ve të ndryshme të interpretimit të agjërimit. Vetëm se një gjë është reali¬tet i pamohueshëm, që njeriu as¬një¬herë nuk ka pasur mundësi që agjërimin ta zëvendë¬sojë me diç tjetër, por gjithmonë është rrotulluar rreth tij.
Gjithashtu çështje me rëndësi është edhe ardhja e Pejgamberit të fundit, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Edhe pse agjërimi i muajit të Ramazanit është bërë farz në vitin 624, apo në vitin e II hixhrij, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka agjëruar edhe para se t’i obligohet ky agjërim, masje edhe sahabet i ka urdhëruar që të agjë¬rojnë. Kështu që, sipas transmetimeve, Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka agjëruar ditën e dhjetë të muajit Muharrem, e cila ditë historikisht përkon me agjërimin e Nuhit [alejhis-selam], i cili ka agjëruar për hir të Tufanit. Po ashtu, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka agjëruar edhe tre ditë në fillim të çdo muaji, i cili agjërim përkon me agjërimin e Ibrahimit [alejhis-selam].

Pra, si përfundim mund të themi se, edhe ajeti 183 i sures El Bekare: “… agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush…”, por edhe vetë praktika e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tregojnë se, Islami dhe rregullat e tij, janë një vazhdimësi e shpalljes së All-llahut të Madhërishëm. Islami assesi nuk është një fe e re, kurse rregullat e tij nuk janë rregulla të reja të shpikura më vonë, por ato vetëm paraqesin aspektin e përsosur të tyre.

————————————–
1.Elmalili M. Hamdi Yazir, Hak Dini Kur’an Dili, V. 5, Stamboll, f.493.
2.Muhammed Ali es-Sabuni, Safet et-Tefasir, V. 1, Dersaadet, Stamboll, f. 469.
3.Yazir, vep. e cit., V.4, f.45-6.
4.Veysel Uysal, Psikolojik Açidan Oruç, Ankara 1994, f. 3-4.
5.Uysal, vep. e cit., f.5.
6.Vep. e cit., f.4-5; Shinasi Gyndyz, Din ve Inanç Sozlugu, Ankara 1998, f.295.
7.Ginza, f.18, cituar sipas Shinasi Gyndyz, Sabiiler Son Gnostikler, Ankara 1995, f.163.
8.Gyndyz, Sabiiler Son Gnostikler, f.163.
9.Dhiata e Vjetër, Eksodi 34/18; Psalmet 35/13, 69/10, 109/24; Danieli 9/3.
10.Uysal, f.6-7.
11.Ekrem Sarikcioglu, Baslangictan Gunumuze Dinler Tarihi, Isparta 2000, f.249.
12.Uysal, f.6.
13.Uysal, f.7-8.
14.Dhiata e Re, Mateu 4/1-3, 6/16-19, 9/4; Marku 2/19; Luka 5/33-38.
15.Uysal, f.8-9.
16.Timothy Ware, The Orthodox Church, 1963 New York, f.306.