Integriteti i tekstit të ungjillit sipas Gjonit

Integriteti i tekstit të ungjillit sipas Gjonit

Helmut Koester
Fragment i shkëputur nga libri i autorit Helmut Koester me titull: “Ancient Christian Gospel, Trinity Press International, Pennsylvania 1990Nuk duket se teksti i ungjillit sipas Gjonit, ashtu siç gjendet në dorëshkrimet më të vjetra, të jetë ruajtur në formën origjinale pa ndryshime. Gjoni 21, ndonëse i përket një periudhe të hershme të transmetimit të tekstit, me siguri është një apendiks i mëvonshëm1. Pas historisë së shfaqjes së Jezusit dishepujve dhe fjalëve të Jezusit drejtuar Thomait: “Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!” (Gjoni 20:29), Gjoni 20:30-31 bën mbylljen e natyrshme të ungjillit2: “Jezusi bëri edhe shumë shenja të tjera në prezencën e dishepujve të tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër. Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij“.Gjoni 21 shton një shfaqje të Jezusit para dishepujve pranë Detit të Tiberiadës (21:1-14) fillimi i të cilës është transmetuar në mënyrë të pavarur në ungjillin e Pjetrit.3 Kjo histori ka si qëllim të nisë një diskutim në lidhje me marrëdhënien e kishës së Gjonit me autoritetin e Pjetrit. Autoriteti kryesor i kishës për traditën në lidhje me Jezusin nën emrin e Pjetrit konfirmohet në këtë ngjarje përmes përsëritjes tre herë të pyetjes që Jezusi i bëri Pjetrit: “Simon nga Jona, a më do ti mua? dhe përmes kërkesës “Kulloti qengjat e mi!” (21:15-17). Po për sa i përket traditës së Gjonit? Ajo përfaqësohet nga “dishepulli që Jezusi e donte”, i cili edhe ai po ashtu e donte Jezusin dhe rreth të cilit Pjetri pyeti: ” Zot, dhe me të ç`do të bëhet?” (21:20-21). Përgjigjja e mistershme e Jezusit: ” Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ç`të duhet? Ti ndiqmë!” konfirmon të drejtën e ekzistencës së traditës së veçantë të dishepullit të preferuar. Kjo nuk do të thotë se ai nuk do të vdiste; kjo është refuzuar në mënyrë të qartë (21:22-23). Ajo nënkupton se tradita e Gjonit, veçanërisht ky ungjill i shkruar, ka vlerë të përhershme 4. Kjo shprehet qartësisht kur struktura alegorike anashkalohet në pohimin qe gjendet tek Gjoni 21:24

“Ky është dishepulli që dëshmon për këto gjëra dhe që ka shkruar këto gjëra; dhe ne dimë se dëshmia e tij është e vërtetë”.

Gjoni 21:25, i referohet sërish shumë gjërave të tjera të cilat Jezusi kishte bërë por që nuk ishin përmendur në ungjill, në këtë mënyrë autori i këtij apendiksi imiton mbylljen origjinale të ungjillit.

Autori i cili i ka shtuar kapitullin 21 ugjillit të Gjonit mund të jetë gjithashtu përgjegjës edhe për disa shtesa të tjera përgjatë kapitujve 1-20. Një nga këto pasazhe të redaktuara është qartësisht Gjoni 6:51b-595. Diskutimi fillestarë në lidhje me bukën që kishte ardhur prej qielli përfundon tek Gjoni 6:51a me pohimin e Jezusit, ” Kjo është buka që zbret nga qielli, që një mund të hajë e të mos vdesë”.Vazhdimi i kësaj thënieje vazhdon tek Gjoni 6:60-62: dishepujt e shihnin këtë pohim si një “thënie të vështirë”, Jezusi iu përgjigj: ” Ç `do të ishte po ta shihnit, pra, Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më parë?” . ‘Thënia e vështirë’, pra, ishte pohimi i Jezusit se ai kishte ardhur prej qiellit, por nuk është kështu me përmbajtjen e verseteve të ndërfutura të cilat theksojnë ngrënien përnjëmend të mishit të Jezusit dhe pirjen e gjakut të tij. Ndërfutja është bërë në mënyrë që të theksoj ngrënien sakramentale dhe pirjen e mishit dhe gjakut të Jezusit.

Versetet e mëposhtme Gjoni 5:27b-29; 6:39b, 40b, 44b, të cilat paraqesin një vështrim realist (trupor) të ringjalljes në Ditën e fundit, i përket gjithashtu këtij fenomeni redaksional. Tek Gjoni 5:24-27a pohohet qartësisht se ato të cilët besojnë në Jezusin kanë jetën e përjetshme dhe nuk do të paraqiten para Gjykimit, dhe se tani është ora: “kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë­“. Gjoni 5:28-29 e cilëson këtë pohim duke futur një këndvështrim më tradicional të eskatologjisë7:

Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit.

Shprehja e shkurtër “por t`i ringjall në ditën e fundit” e ndërfutur tek Gjoni 6:39, 40 dhe 44, shfaq të njëjtin orientim tradicional eskatologjik.

Që pasazhi i cili bën fjalë flet rreth Jezusit dhe prostitutës, Gjoni 7:53-8:11, nuk i përket tekstit origjinal të Gjoni tregohet qartë nga tradita dorëshkrimore. Ky pasazh mungon në papirusin e vjetër (p66 dhe p75) dhe në kodikët e hershëm Uncial (N, B, A) si edhe në përkthimet e hershme (sys,c, sa)8, dhe si pasazh është shfaqur për herë të parë në shekullin e pestë në kodikin bilingual Greqisht-Latinisht njohur me siglën D, e më pas në shumicën e dorëshkrimeve të vonshme dhe përkthimeve të hershme.9

Një tjetër aspekt në lidhje me integritetin e tekstit të këtij ungjilli vërtitet rreth rendit të kapitujve dhe seksioneve të tij. Çrregullime të mëdha shfaqen së paku në dy raste. E para përfshin rendin e kapitujve 4-7. Në fund të kapitullit të katërt Jezusi ndodhet në Galile, në fillim të kapitullit pesë ai shkon në Jeruzalem, kapitulli 6:1 thotë: “Pas këtyre gjërave, Jezusi kaloi përtej detit të Galilesë, domethënë të Tiberiadës” dhe tek 7:1 thuhet se Jezusi e la Jerusalemin dhe u drejtua për në Galile, sepse hebrenjtë donin ta vrisnin. Për më tepër, Gjoni 7 vazhdon diskutimin në lidhje me temën e gjyqit të cilin e kishte filluar në kapitullin 5. Nëse rendi do të jetë 4, 6, 5, 7, të gjitha këto vështirësi do të zhdukeshin10.

Çrregullimi i dytë i madh shfaqet tek Gjoni 14:30-31. Në mbyllje të pjesës së parë të fjalimit të tij të lamtumirës Jezusi thotë:

” Nuk do të flas më gjatë me ju, sepse po vjen princi i kësaj bote dhe ai nuk ka asgjë në mua; por kjo ndodh që bota ta njohë se unë e dua Atin dhe se bëj ashtu siç Ati më ka urdhëruar. Çohuni, ikim prej këndej!“.

Por vetëm tek 18:1 urdhërimi i Jezusit ndiqet nga një veprim konkret.

“Mbasi i tha këto gjëra, Jezusi doli me dishepujt e vet dhe shkoi përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopsht…

Pavarësisht nga urdhërimi i qartë “ Çohuni, ikim prej këndej!“ tek Gjoni 14:31, kapitujt 15-17 vazhdojnë me fjalimin e lamtumirës. Është hedhur mendimi se kapitujt 15-17 janë ndërfutje të mëvonshme, por në gjuhë, stil dhe përmbajtje këto tre kapituj i përkasin kapitujve 13-14. Nga sa thamë më sipër, bëhet e qartë se këto kapituj nuk janë në vendin e duhur. Kapitujt 15-16 mund të kenë qenë pas 13:34-35, për shkak se 15:1-17 është një komentar i urdhëresës për të dashur njeri-tjetrin dhe 13: 36-38 duket si një vazhdim i mirë i 16:3111. Ky ripozicionim e lë veç kapitullin 17. Asnjë propozim i kënaqshëm nuk është gjetur për vendodhjen e këtij kapitulli12. Ka mundësi që kapitulli 17 të jetë shtuar pas zhvendosjes nga vendi i tyre i kapitujve 15-16, për shkak se kapitulli 17 karakterizohet nga një interpretim teologjik i largimit të Jezusit i cili dallon shumë nga fjalimi i lamtumirës në kapitujt 13-16; prirja e këtij kapitulli është qartësisht gnostike.

Rudolf Bultman, në komentuarin e tij të famshëm të ungjillit të Gjonit, sugjeroi që në disa raste duheshin bërë rivendosje të njësive të vogla tekstuale, të cilat shpesh përbëheshin vetëm nga disa versete13. Rezultati qe bindës, për shkak se ai përmes kësaj metode arriti ti jepte pasazheve të ndryshme një kuptim më të mirë se ai që gjendet në formën siç shfaqen ata sot, veçanërisht në lidhje me kapitujt 7-8, 10 dhe 12. Gjithsesi, është tepër e vështirë të gjendet arsyeja e cila ka sjellë çrregullimin e tekstit të ungjillit të Gjonit. Rivendosja e pasazheve të mëdha mund të shpjegohet duke argumentuar se faqet në kodikët të përbëra nga papiruse mund të jenë zhvendosur. Rindërtimi i tekstit origjinal duke rivendosur në vend pasazhet e mëdha dhe të vogla të tekstit, përdor si analogji një pjesë qeramike e cila është thyer në copëza të mëdha dhe të vogla, por fatkeqësisht një analogji e tillë nuk përputhet me transmetimin material të literaturës së lashtë.

Përktheu: Rezart Beka

[*] Helmut Koester është profesor i Dhjatës së Re në Harvard Divinity School dhe editor i Archealogical Resources for the Study of the New Testament.

Referenca

[1] Shih diskutimin e Brown-it, Gospel of John, 2. 10077-85; për literaturë më të zgjeruar në lidhje me këtë çështje ibid., f. 1143-44.

[2] Për shkak se flet për “shenjat” që Jezusi ka bërë, ky përfundim mund të ketë shërbyer si fundi i burimit të shenjave (Semeia Source) nga ky Gjoni ka marrë historitë e tij të mrekullive të Jezusit; shih më poshtë # 3.4.4.1, dhe më sipër # 3.2.1.

[3] Shih më lart, # 3.2.3.3.

[4] Kjo pranëvënie e Pjetrit me dishepullin e preferuar është e krahasueshme me atë të Jakobit me Thomain në Ungjillin e Thomait 12-13.

[5] Argumenti më bindës për karakterin sekondar të këtij pasazhi të diskutueshëm është sjellë nga Günther Bornkman, “Die eucharistische Rede im Johannesevagelium”, ZNË 47 (1956) 161-69. Për një vlerësim të diskutimeve lidhur me këtë pasazh së bashku me bibliografinë shih Brown, Gospel of John, 1. 281-94, 303-4.

[6] Bultmann, Gospel of John, 261

[7] 5:27 e më poshtë, shprehja “për shkak se ai është Biri i njeriut” është e tepërt në këtë kontekst. Në vende të tjera Gjoni gjithnjë ka përdorur nyje me këtë titull. Për më tepër fuqia për të dhënë jetë dhe për të gjykuar i është dhënë Jezusit në funksionin e tij të Birit të Perëndisë. “Biri i njeriut”, gjithsesi, shfaqet në ungjijtë sinoptikë si titulli tipik i atij që do të vinte hipur mbi re për të dhënë gjykimin përfundimtarë; krahaso Markun 13: 26; 14:62; Luka 17:22-24.

[8] Për diskutimin e dëshmive dorëshkrimore në lidhje me këtë pasazh shih: Bruce Metzger, A Textual Commentary on the Greek New Testament (New York: Unitet Bible Society, 1971) 219-222; Brown, Gospel of John, 1. 332-38.

[9] Dorëshkrime të ndryshme të mëvonshme e vendosin këtë pasazh në Ungjillin e Lukës pas pasazhit 21:38; shih Bruce Metzger, Textual Commentary, 173.

[10] Shih Bultman, Gospel of John, 209-10, i cili ndjek sugjerime të mëhershme. Komentuesit bashkëkohorë hezitojnë të angazhohet në ri-rregullimin e këtyre kapitujve.

[11] Bultman, Gospel of John, 459-60.

[12] Bultman (Gospel of John, 460-61) sugjeron vendosjen e kësaj pjese pas 13:31a, d.m.th. pas përcaktimit dhe ikjes së Judës dhe para pohimit “Tani është Biri i njeriut i glorifikuar”.

[13] P.sh. në një kapitull të cilin ai e titulloi “Drita e botës” ai rindërtoi rendin e mëposhtëm: Gjoni 9:1-41; 8:12; 12: 44-50; 8:21-29; 12:34-36; 10:19-21.

(erasmusi.org)