JETA FETARE NË KRISHTERIZËM

JETA FETARE NË KRISHTERIZËM

Në krishterizëm jeta fetare zë vend të rëndësishëm. Në jetën fetare krishtere po ashtu kemi një influencë të madhe të kishës, sepse ceremonive të kishës u kushtohet shumë rëndësi në krahasim me jetën fetare individuale. Prandaj, adhurimet mund t’i ndajmë në dy pjesë. Së pari, adhurimet dhe obligimet e kishës që kërkohen nga një i krishterë, si individ dhe shoqëri, obligime të cilat arrihen vetëm përmes kishës, e që quhen, misteret e kishës, apo “sakramentet”; dhe së dyti, adhurime normale që i kryen vetë individi. Po ashtu, edhe festat janë të lidhura ngushtë me kishën. Kështu, gati në çdo festë individi duhet t’i bëjë vetëm përmes kishës.

  1. Misteret e kishës – sakramentet

Termi “sacrament” (sakrament) përmban një paqartësi të madhe nga aspekti i rrënjës së fjalës. Ky term në origjinën e tij latine “sacrare” do të thotë: shëroj, ordinoj, ose sacrum, betimi, fshehtësia, përkatësisht mjeti që sjell mëshirën e Zotit. Mirëpo, as fjala e as koncepti “sakrament” nuk gjendet në Besëlidhjen e Re; në terminologjinë fetare krishtere, këtë fjalë dhe këtë koncept i pari e përdori Tertuliani (160-220), njëri ndër “etërit e krishterë” më të njohur, i cili i pari filloi që të shkruaj në gjuhën latine për problematikën fetare krishtere; kështu fjala sakrament hyri në terminologjinë fetare të kishës krishtere të perëndimit. Ç’është e vërteta, romakët e përdorin sacramentum, për në kuptimin e betimit solemn të ushtarëve, e jo në kuptimin që ajo e ka sot në fenë krishtere. Me fjalën sakrament (lat. Sacramentum), Tertuliani, kuptonte para se gjithash, sjelljen apo veprimin e caktuar lidhur me kultin; me rastin e përkthimit të Besëlidhjes së Re nga gjuha greke në atë latine, fjala greke “mysterion” (e që nga e njëjta fjalë e ka marrë emrin “misticizmi” gr. mysticos, ai që është i njohur me ritet sekrete) u përkthye në fjalën latine “sacramentum”, fjalë kjo që në këtë kontekst kishte domethënien e tërë asaj që Zoti ka bërë për shpëtimin e njeriut përmes asaj që ka bërë Jezusi. Mirëpo, pa dyshim Tertuliani ishte i ndikuar në këtë përkthim nga Pali, i cili kishte prapavijë helene e që i dha formë misterioze dhe kuptime të fshehta të mbështetura në fetë e errëta dhe ato helene këtyre sakramenteve, andaj me anë të atij, këto mistere filluan sipas kuptimit palian një jetë dhe lindje të re, të orientuara kah Krishti, të cilit i bashkëngjiten besimtarët në vuajtjet, dhembjet, kryqëzimin dhe ringjalljen e tij. Kështu, Pali i shpjegonte sakramentet duke thënë: “Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij? Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës”.[1] Prandaj, Shën Augustinit (354-430), i shpjegoi sakramentet se janë shenja apo gjësende të dukshme (buka, uji, vera, vaji etj.), të cilat na bëjnë me dije për një njëmendësi të padukshme, por jo më pak reale dhe për mëshirën gjithashtu të padukshme të Zotit. Pra, të krishterët besojnë se, Jezusi i ringjallur pas vdekjes jeton bashkë me komunitetin, sikurse ka jetuar para vdekjes, ashtu vazhdon të jetojë bashkë me ata. Adhurimi, shërbimi, ngopja e të uriturve, falja, vuajtja dhe vdekja e tij vazhdojnë pandërprerë. Këto aksione të padukshme të Jezusit në ceremoni të sakramenteve të kishës bëhen të dukshme. Me fjalë të tjera, një i krishterë beson se me pjesëmarrjen në këto ceremoni ai shpirtërisht është bashkë dhe jeton me Jezusin e ringjallur. Sipas kishës katolike dhe asaj ortodokse disa nga këto sakramente, apo mistere vetë Jezusi i ka bërë i cili i shëronte lebrosët,[2] i dëbonte demonët nga të cilët ishin të prekur nga çmenduria,[3] po ashtu ai ngrëni ushqimin e mistershëm me dishepujt e tij: “Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: “Merrni, hani; ky është trupi im“. Pastaj mori kupën, dhe falënderoi, dhe ua dha atyre duke thënë: “Pini prej tij të gjithë, sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkateve.”[4] Po ashtu, ai vetë ua lau këmbët dishepujve të tij: “Mbasi hodhi ujë në një legen, filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t`ua fshinte me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur”.[5] Pra, pjesëmarrja në këto ceremoni, është pjesëmarrje në veprat e padukshme dhe të mistershme të Jezusit, të cilat me anë të këtyre ceremonive kishtare shndërrohen në të dukshme dhe e marrin kuptimin e reales në besimin e krishterë.

Megjithëse këto mistere u kanonizuan në shekullin e katërt, prapëseprapë caktimi i numrit të tyre, njohja e përmbajtjes së tyre dhe forma e realizimit mbetën në një mënyrë të parregulluara deri në fund të mileniumit të parë. Nën ndikimin e teologut të njohur italian Peter Lombard (1095-1160), kisha katolike i pranoi shtatë sakramente. Më pas, këto i vërtetoi dhe i kultivoi edhe Tomas Akvini (Thomas Aquinas 1224 – 1274). Mirëpo, formën e tyre përfundimtare e morën së pari në koncilin e mbajtur në Ferrari dhe Firence në vitet 1438-1439, kurse më pastaj edhe në koncilin e Trientës që u mbajt gjatë viteve 1545-1563, duke i ngritur këto sakramente në statusin e dogmës fetare dhe duke ia mbështetur këto mistere vetë Jezusit, si ligjvënës të tyre. Pastaj kjo trashëgimi shpirtërore është transferuar tek apostujt dhe nga ata te të shenjtit e krishterë, të cilët e marrin pushtetin e tyre fetar nga ai përmes një zinxhiri shpirtëror të lidhur me atë vetë. Shtatë sakramentet janë: pagëzimi, kungimi, pendimi, mirosja, misteri i priftërinjve, vajimi i shenjtë dhe martesa.

Ndryshe nga kisha katolike, kisha protestante i pranon dhe i predikon vetëm dy sakramente: pagëzimin dhe kungimin, ndërsa të tjerat i mohon me arsyetimin se nuk kanë mbështetje në Librin e Shenjtë. Vetë Martin Luteri (1483-1546), prijësi i reformacionit dhe themeluesi i protestantizmit, i pranoi tri sakramente: pagëzimin, kungimin dhe pendimin. Ekzistojnë grupe brenda protestantizmit që krejtësisht i refuzojnë këto sakramente, siç janë: Kuekerët, Pjesëtarët e Ushtrisë së Shpëtimit, Adventistët e Ditës së Shtatë, Shkenca Krishtere dhe Unitarianistët.[6]

1.1 Pagëzimi

Pagëzimi është akt i hyrjes në komunitetin e krishterë. Ky akt kryhet duke e futur kandidatin në ujë, apo vetëm duke e spërkatur, varësisht nga sekti përkatës. Është zëvendësuar me zakonin e rrethprerjes (synetisë) në jahudizëm, ndërkohë që ky zakon tek ata nuk përmban mistere, por konsiderohet vetëm si shenjë besëlidhjeje, të cilën e lidhi Abrahami me Zotin.[7] Më pas u konsiderua si ligj obligues dhe shenjë e hyrjes në jahudizëm, siç e kemi përmendur në kreun e jahudizmit. Zakoni i zhytjes në ujë ishte i njohur që më herët te hebrenjtë, kështu që ata zhyteshin në ujë në festën më të shenjtë të tyre, siç ishte “festa e pendimit, ose e pastrimit dhe faljes së mëkateve Jom Kipur”. Shfrytëzimi i ujit si mjet pastrues i ka rrënjët në kohë të lashta. Ritet e pastrimit me ujë kryheshin në fetë e Egjiptit, Asirisë, Babilonisë dhe Palestinës.

Gjon pagëzori (h. Jahja a.s.), sipas ungjijve, po ashtu e praktikonte zakonin e pagëzimit në lumin Jordan: “Në atë kohë njerëzit e Jerusalemit, nga gjithë Judeja dhe nga krahina e Jordanit rendnin tek ai, dhe pagëzoheshin nga ai, në Jordan duke rrëfyer mëkatet e tyre”. Prandaj, edhe Jezusi erdhi tek ai që ta pagëzohej: “Atëherë erdhi Jezusi nga Galileja në Jordan te Gjoni për t`u pagëzuar prej tij. Por Gjoni e kundërshtoi fort duke i thënë: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje dhe ti po vjen tek unë?“”.[8]

Pagëzimi është sakramenti i parë, pra është kushti themelor për pranimin sakramenteve të tjera. Me këtë akt njeriu llogaritet se e ka pranuar besimin dhe adhurimin e krishterë. Pra, ai që nuk pagëzohet nuk është i krishterë, edhe pse është nga të dy prindërit të krishterë. Kjo bëhet vetëm një herë në jetë. Ceremonia e pagëzimit mund të kryhet në fëmijëri, ose në çfarë do moshe qoftë, po ashtu mund të kryhet kur njeriu gjendet në shtratin e vdekjes. Ai është simbol dhe fillim i transferimit nga një jetë që nuk ishte e pëlqimit me vullnetin e Krijuesit, në një jetë të re në harmoni me vullnetin e Tij dhe më pas arritjen e shpëtimit përfundimtar. Në përgjithësi pagëzimi bëhet gjatë Festës së Pashkëve. Në shekujt e parë të krishterët pagëzoheshin kolektivisht dhe pagëzimi lejohej vetëm për të rriturit që ishin të aftë “të ndërgjegjësoheshin” për këtë akt hyjnor të shugurimit në një fe të re.

Mirëpo, në kishë filloi një mospajtim, që nga mesi i shekullit të tretë, rreth kohës së pagëzimit dhe formës së jashtme, se a duhet të kryhet në ditët e para të lindjes së fëmijës, qoftë djalë apo vajzë, apo duhet të vonohet derisa fëmija të arrijë moshën e pjekurisë, e ta kuptojë rëndësinë dhe misterin e kësaj ceremonie? Tertoliani e kishte mohuar pagëzimin e fëmijëve, ngase, sipas tij, mungonte një tekst i tillë për këtë çështje në ungjij. Po ashtu e mohojnë këtë ceremoni të gjitha kishat reformuese protestante. Zakoni për të pagëzuar fëmijët lindi shumë vonë. Ekzistojnë ndryshime në procedurën e pagëzimit në kisha të ndryshme: në kishën ortodokse foshnjën e futin të tërin tri herë në ujë. Katolikët mjaftohen duke i hedhur të porsalindurit një sasi të vogël uji mbi kokë, kurse anglikanët e spërkatin trupin me ujë. Sipas besimit tradicional të krishterë, foshnja gjatë pagëzimit çlirohet nga mëkati i parë, kurse kur kryhet pagëzimi i një të rrituri, falen edhe të gjitha mëkatet e tjera që ai i ka kryer para pagëzimit. Në kishat protestante (të baptistëve, adventistëve etj.), ky rit ka vetëm rëndësi simbolike. Pagëzimi është hallka e parë në zinxhirin e riteve të krishtera. Me pagëzimin njeriu përgatitet të marrë pjesë në sakramentin e dytë i cili është kungimi.

 1.2.  Kungimi (Efkaristi; Eucharite)

Emri i këtij misteri është i shkëputur nga fjala greke “Euchariste”, e cila nënkupton “kryerjen e obligimit të falënderimit”. Kjo ceremoni është kujtim dhe përsëritje e darkës së fundit, të cilën Jezusi para vdekjes e ka ngrënë me apostujt e tij. Besohet se në këtë ritual, me pirjen e verës dhe ngrënien e bukës, të cilat jo vetëm simbolizojnë, por janë vetë gjaku dhe mishi i Jezusit. Po ashtu besohet se gjaku dhe mishi i tij janë bashkuar me trupin e dishepujve të tij.

Të gjitha kishat janë të pajtimit në praktikimin e kësaj ceremonie dhe nuk ka dallime ndërmjet tyre, ngase ky ritual e gjen mbështetjen në tekst ungjillor, ku thuhet: “Prandaj Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se, po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetën në veten tuaj. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit. Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim dhe gjaku im është me të vërtetë pije. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të. Sikurse Ati i gjallë më ka dërguar dhe unë jetoj për shkak të Atit, ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë edhe ai për shkakun tim”.[9]

Gjatë ceremonisë së kungimit, në fund të këtij misteri të gjithë e këndojnë lutjen e njohur: “Zot kthehu te ne sa më shpejt”. Kremtimi i saj fillon që nga nata e enjtes (nata në të cilën Juda e tradhtoi dhe ia dorëzoi Jezusin Sanhedrinit hebre që ta gjykojë dhe t’ia dorëzojë pushtetit romak. Jezusi i paralajmëroi apostujt e tij, duke u thënë: “Kam pasur dëshirë të madhe ta ha këtë Pashkë bashkë me ju, para se të vuaj, sepse po ju them se nuk do të ha më të tillë derisa ajo të plotësohet në mbretërinë e Perëndisë. Pastaj mori kupën, falënderoi, dhe tha: “Merrnie këtë dhe ndajeni midis jush sepse unë po ju them se nuk do të pi më nga fryti i hardhisë derisa të vijë mbretëria e Perëndisë“. Pastaj mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: “Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim“.[10]

Në ortodoksizëm dhe në protestantizëm të gjithë besimtarët kungohen me bukë dhe me verë; në katolicizëm për një kohë të gjatë besimtarët e thjeshtë kungoheshin vetëm me bukë (me vendimin e Këshillit II ekumenik të Vatikanit u bë i mundshëm kungimi edhe me verë). Teologët e sotëm e shohin kungimin si fli “pastruese dhe zbutëse” për mëkatet e njerëzve.

Deri në shekujt e mesëm nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim të këtij rituali, derisa u paraqit problemi i prezantimit të Jezusit, nëse shfaqet në këtë ritual realisht apo vetëm simbolikisht? Po ashtu, a e paraqesin uji dhe buka gjakun dhe trupin e Krishtit në mënyrë reale apo vetëm simbolike? Kisha katolike erdhi në përfundim në Këshillin Lateran në vitin 1215, se këto çështje shfaqen në mënyrë “substanciale”. Më vonë Tomas Akvini nën influencën e prapavijës aristoteliane deklaroi se një ndryshim i llojit ndodh në materialin e ujit dhe të bukës, pas kryerjes së sakramentit, por duke e ruajtur formën e saj materiale si bukë dhe ujë.

 1.3.  Pendimi (rrëfimi)

Sipas besimit të krishterë, pushteti shpirtëror, të cilin e kishte Jezusi, është trashëguar tek apostujt dhe nga ata te shenjtorët. Pra, pendimi është përkujtim i veshjes së Shpirtit të Shenjtë te të njëmbëdhjetë apostujt, pas ringjalljes së Jezusit dhe ngritjes së tij në qiell. “Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen”.[11] Po ashtu, te Marku thuhet: “Dhe këto janë shenjat që do t`i përcjellin ata që do të besojnë: në emrin tim ata do t`i dëbojnë demonët, do të flasin gjuhë të reja; do t`i kapin me dorë gjarpërinjtë, edhe nëse do të pinë diçka që shkakton vdekjen, nuk do t`u bëjë asnjë të keqe; do t`i vënë duart mbi të sëmurët dhe këta do të shërohen”.[12] Gjithashtu: “dhe u tha atyre: “Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë, dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt, duke filluar nga Jerusalemi”.[13]

Këtë pushtet shpirtërorë Jezusi së pari ia trashëgoi Pjetrit (Simon, birit të Jonas), kur i tha: “Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej”.[14] Pastaj ju tha apostujve në përgjithësi: “Në të vërtetë ju them se gjitha gjërat që do të keni lidhur mbi tokë do të jenë lidhur edhe në qiell; dhe gjitha gjërat që keni zgjidhur mbi tokë do të jenë zgjidhur edhe në qiell”.[15] Me këtë, pushteti apostolik i pendimit u legjitimua në mënyrë të trashëguar, duke marrë formën e pushtetit të caktuar e të sinqertë i cili nuk vdes.

Siç duket nga historia e krishterizmit të parë dhe fushatat e praktikuara të përndjekjeve nga autoritetet romake pagane, të krishterët shpesh e braktisnin fenë dhe shfaqnin herezi nga shtypjet e paduruara që ushtroheshin ndaj tyre, raste të cilat u bënë shkak që ta praktikojnë në fshehtësi pendimin dhe kështu të arrijnë të kthehen përsëri në kishë, gjë që u kundërshtua nga militantët të cilën nuk e njohën këtë lloj pendimi.

Në etapat e para të praktikimit pendimi përmbante disa akte të veçanta, forma të vuajtjes dhe dënimit të vetvetes, të cilat duhej t’i praktikonte kërkuesi i faljes që t’i falen mëkatet, si: agjërimi, shtrirja mbi hi, veshja e rrobave të ashpra, ndjekja e formave të asketizmit dhe largimi nga kjo botë, apo dhënia e lëmoshave të ndryshme, të gjitha këto i praktikonin nga frika se do të dëbohet nga shenjtëria kishtare, ose të përbuzen nga komuniteti besimtar dhe të gjykohet ndaj tyre si njerëz të padëshiruar.

Më vonë u bë zakon që besimtari mëkatar të rrëfehet ose të pendohet përpara priftit për mëkatet e bëra në fshehtësi, i cili në radhën e tij pas dëgjimit të rrëfimit, ia falte në emër të Zotit dhe deklaronte se mëkatet i janë shlyer, por e tëra pasi të kryhej një pagesë të caktuar obliguese, varësisht nga mëkati që kishte. Pra, pendimi nuk pranohej përpos nëpërmjet priftit tek i cili duhet të rrëfeheshin mëkatet dhe i cili e caktonte shumën e pagesës. Kisha pohon se nëpërmjet priftit, vetë Krishti i jep të krishterit lumturinë e faljes dhe prandaj pas rrëfimit mëkatari del i pastruar nga mëkatet, tamam si foshnja pas pagëzimit.

Pranimi i priftit si ndërmjetës në ceremoni mbështetet në ungjij, ku thuhet: “Kujt do t`ia falni mëkatet, do t`i jenë falur, kujt do t`ia mbani, do t`i jenë mbajtur”.[16] Prifti në ceremoni llogaritet si i obliguar dhe i autorizuar nga ana e Jezusit. Besohet se me pranimin e mëkatit të individit nga prifti, mëkati është i falur edhe nga Zoti. Po ashtu, te Lluka thuhet: …qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen.[17] Pra, është më i afërt me zotin ai që bën mëkate dhe rrëfehet sesa ai që nuk ka bërë mëkate asnjëherë. Sa e çuditshme është kjo teori në këtë formë.

Në Këshillin (koncilin) e katërt Laterian ky mister e mori formën e tij legjitime të detyruar, i cili duhet praktikuar së paku njëherë në jetë. Këtë gjatë ditëve të festimit të festës së ringjalljes të Krishtit (Pashkëve) te komuniteti katolik. Po ashtu, ishte bërë zakon në disa raste që të bëhet pendimi dhe falja e mëkateve duke kryer peligrinazhin në vendet e shenjta, ose duke marrë pjesë vullnetarisht në luftërat e kryqëzatave. Fjalimin që e mbajti papa Urban II në Klermont në vitin 1095, kur e shpalli fillimin e luftërave të kryqëzatave kundër muslimanëve, deklaroi se pjesëmarrja në këto luftëra do të thotë falje e plotë e të gjitha mëkateve në këtë botë dhe shpëtim i përhershëm në botën tjetër.

Kjo mënyrë e pendimit u zhvillua, ndaj u vendos në Këshillin e Dymbëdhjetë të vitit 1215, se vetëm kisha katolike i përmban të drejtat e faljes së mëkateve dhe shitjen e indulgjencave kujt të dojë. Kisha dhe priftërinjtë e shfrytëzuan këtë çështje duke shtypur dhe shitur indulgjenca të faljes sa më shumë, nga të cilat përfituan pasuri të mëdha, sepse njerëzit ishin në gjendje t’i blejnë ato fatura pa marrë parasysh çmimin, ngase përmes tyre i shlyenin të gjitha mëkatet e kaluara e të ardhshme dhe ato e shpëtonin personin nga të gjitha përndjekjet dhe mëkatet që mund t’i bënte në jetën e tij.

Pra, dogma e pendesës zë një vend kryesor në qëndrimin moral të kishës së krishterë. Pendesa në këtë formë ka për qëllim t’i bindë besimtarët se pa pendesë nuk mund të shpëtosh. Rrëfimi në duart e priftërinjve shërben për t’i mbajtur besimtarët nën ndikimin e kishës. Pa dyshim se kjo mënyrë e veprimit konsiderohej si marri e paarsyetuar e kishës dhe e krishterizmit, si dukuri nga dukuritë e shumta të shëmtuara dhe të kota që i shpikën në fenë e tyre, sepse është e ditur se njeriu nuk ka të drejta t’ia falë dikujt atë që nuk e ka në zotërimin e tij. Atëherë, si ka mundësi që prifti apo kleriku të falë diçka që është e drejtë dhe pronë e tjetër kujt?! Madje mëkati më i madh dhe më i rreptë është kur njeriu i tejkalon kufijtë e tij, duke ndërhyrë në çështje të cilat i takojnë vetëm Zotit të Lartmadhëruar, e që është falja e mëkateve. Mirëpo, çudia është ende më e madhe, kur ta dimë se për aq kohë të gjatë të gjithë njerëzit e tjerë u janë nënshtruar kërkesave të kishës, të cilat aspak nuk kanë qenë fetare. Pra, një lloj adhurimi ua kanë bërë priftërinjve, për të cilën na tregon Kurani famëlartë, se si të krishterët i kanë adhuruar priftërinjtë duke i zbatuar urdhrat e tyre, e jo urdhrin e Zotit. Allahu xh.sh. thotë:

(#ÿrä‹sƒªB$# öNèdu‘$t6ômr& öNßguZ»t6÷dâ‘ur $\/$t/ö‘r& `ÏiB Âcrߊ «!$# yx‹Å¡yJø9$#ur šÆö/$# zNtƒötB !$tBur (#ÿrãÏBé& žwÎ) (#ÿr߉ç6÷èu‹Ï9 $Yg»s9Î) #Y‰Ïmºur ( Hw tm»s9Î) žwÎ) uqèd 4 ¼çmoY»ysö7ߙ $£Jt㠚cqà2̍ô±ç„ ÇÌÊÈ

“Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot rabinët dhe murgjit e tyre, dhe Mesinë, të birin e Merjemes, ndërkohë që janë urdhëruar të adhurojnë vetëm një Zot, përveç të Cilit nuk ka tjetër që meriton të adhurohet. I lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë (në adhurim)”.[18] Po ashtu, Allahu xh.sh. thotë:

* $pkš‰r’¯»tƒ tûïÏ%©!$# (#þqãZtB#uä ¨bÎ) #ZŽÏWŸ2 šÆÏiB ͑$t6ômF{$# Èb$t7÷d”9$#ur tbqè=ä.ù’u‹s9 tAºuqøBr& Ĩ$¨Y9$# È@ÏÜ»t6ø9$$Î/ šcr‘‰ÝÁtƒur `tã È@‹Î6y™ «!$# 3 šúïÏ%©!$#ur šcrã”É\õ3tƒ |=yd©%!$# spžÒÏÿø9$#ur Ÿwur $pktXqà)ÏÿZム’Îû È@‹Î6y™ «!$# Nèd÷ŽÅe³t7sù A>#x‹yèÎ/ 5OŠÏ9r& ÇÌÍÈ

 “O ju të cilët keni besuar! Në të vërtetë shumë priftërinj dhe murgj e hanë pasurinë e huaj pa të drejtë dhe i pengojnë ata nga rruga e Allahut. Ata që grumbullojnë ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë për hir të Allahut, paralajmëroji me dënim të dhembshëm”.[19]

Duke e parë këtë gjendje të mjerueshme, të cilën e praktikoi kisha katolike, që mori një formë të një tregtie të poshtër e të shëmtuar, e të cilën për fat të keq ia veshnin Jezusit, shkaktoi protestën dhe mllefin e Martin Luterit (1483-1546), liderit të lëvizjes reformiste dhe të protestantëve në përgjithësi për ta kundërshtuar këtë mënyrë të praktikimit të fesë, derisa këto praktika famëkeqe i hoqi këshilli i Sinodit në Trent në vitin 1551.

 1.4.  Mirosja

Besohet se me këtë ritual besimtarit të ri i dhurohet forca e Shpirtit të Shenjtë, ashtu siç iu dhurua Pjetrit dhe Gjonit kur ata e pranuan forcën e Shpirtit të Shenjtë. Kështu, pohohet në Veprat e apostujve, ku thuhet: “Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut”.[20]

Ky mister në fillim vinte fill pas misterit të pagëzimit në fëmijëri, e që ortodoksët ende e vazhdojnë në këtë mënyrë. Kurse në shek. XVI kisha katolike perëndimore e bëri zakon ta kryente këtë ritual kur të arrinte i krishteri apo e krishtera vitet e pubertetit, duke vendosur prifti vajin e shenjtë i quajtur “miron” (nga e ka marrë edhe emrin), në ballë të kandidatit në formë kryqi. Me këtë akt ai do të përforcohet dhe do të bëhet i gatshëm të jetë nga dëshmitarët e krishterë, duke e proklamuar besimin e tij në mënyrë më të hapur dhe më të sigurt e trimërore. Ai thirret, që si i krishterë i pjekur t’i realizojë të gjitha përgjegjësitë që i ka marrë mbi vete. Rituali përbëhet nga lutja e peshkopit ose murgut, që njeriut t’i dërgohet nga lart Fryma e Shenjtë, duke e lyer kokën e kandidatit me vaj, dhe duke thënë: “Le të të simbolizojë ty Shpirti i Shenjtë që është dhuratë e Zotit. Zoti le të jetë bashkë me ty”.

Mirosja e ka zanafillën te kultet pagane. Njerëzit e lashtë të largët fërkoheshin me lëndë të ndryshme, si me dhjamë kafshësh, duke menduar se kjo mund t’i mbronte nga shpirtrat e këqij dhe se u jepte njerëzve fuqinë dhe shkathtësinë e kafshëve. Riti i hershëm i transformuar në krishterizëm mori përmbajtje tjetër. Në të kaluarën mirosja kryhej mbi mbretërit për të bekuar pushtetin e tyre.

 1.5.  Misteri i priftërinjve

Me këtë ritual bëhet vendosja e kandidatëve që janë zgjedhur paraprakisht nga etërit e kishës që të jenë kuadrot e ardhshëm që do të përgëzojnë me ungjijtë dhe do t’i bëjnë sakramentet në emër të kishës, e cila e përfaqëson trupin e Krishtit, duke u transferuar Shpirti i Shenjtë te të tjerët përmes tyre, siç është transferuar tek ata nga të tjerët më parë. Individi nëpërmjet këtij rituali jetën e tij ia premton shoqërisë krishtere. Këto janë shenjtërimi i murgut, i peshkopit dhe i dhjakut. Kurse Papati dhe Patrikana janë detyra speciale të kishës. Individi i shenjtëruar llogaritet se ka dalë nga laicizmi dhe ka kaluar në klasën e murgërisë.

Këtë praktikë historianët e lidhin me trashëgiminë kulturore helene, nga e cila është ndikuar krishterizmi dhe i pari e ka shpallur Shën Pali, duke thënë: “Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit”.[21] Kjo mënyrë i hapi dyert e shumta për t’u paraqitur shumë “ndërmjetësues” gjatë historisë krishtere, çështje që e shtoi përçarjen ndërmjet hebraizmit, i cili e shikonte vendosjen e ndërmjetësuesve si shëmtim i parimit të Njëshmërisë së Zotit. Ndërkaq kishat reformiste këtë akt e shohin si akt fetar të thjeshtë. Kjo dhuratë, ashtu siç mund t’i jepet një personi mund edhe t’i hiqet pasi që iu ka dhënë atij.

 1.6.  Martesa

Martesa në krishterizëm është e lejuar, përpos për priftërinjtë dhe murgjit, të cilët duhet ta ndjekin Jezusin, i cili nuk u martua. Madje, edhe për të tjerët është e preferuar mos të martohen përpos nëse nuk mund ta komandojnë veten e tyre e të bien në amoralitet. Për çiftet e reja bëhet lutje speciale dhe e përgjithshme. Dy të rinj që do të martohen qëndrojnë përpara altarit dhe pranë tyre gjenden edhe dy dëshmitarë. Murgu mund të mbajë një ligjëratë për rëndësinë dhe seriozitetin e kurorëzimit. Ata që do të martohen pyeten se vendimet për martesë i kanë marrë të lirë apo jo. Nëse merr përgjigje pozitive e vë kurorën, lexohen lutje dhe në fund çifti i ri dhe dëshmitarët e nënshkruajnë fletoren e martesës. Kurorëzimi patjetër duhet të bëhet vetëm në kishë.

Forma e martesës dhe gjendja e lejimit të shkurorëzimit ishin nga çështjet më të ashpra të përçarjes ndërmjet krishterizmit dhe hebraizmit. Mendimet e studiuesve për këtë çështje janë të ndryshme; mes atyre që mendojnë se Jezusi, duke e ndaluar divorcin në realitet e kundërshtoi dhe kritikoi ligjin e Mojsiut, dhe dijetarët farisenj, ngase këta, sipas asaj që theksohet në Dhiatën e Vjetër, pohonin: “Kur një njeri merr një grua dhe martohet me të, dhe më vonë ndodh që ajo nuk e kënaq më, sepse ai ka gjetur në të diçka të turpshme, le të shkruajë një shkresë ndarjeje, t`ia japë në dorë dhe ta dëbojë nga shtëpia e saj”.[22] Ndërkaq, të tjerët janë të mendimit se Jezusi nuk e ka ndaluar shkurorëzimin, por e ka lejuar atë në gjendje të amoralitet të gruas, kështu që përputhet me ligjin e Mojsiut.

Kjo nuk ka dyshim se është në kontradiktë me atë që të krishterët e kanë praktikuar gjatë historisë duke thënë se jeta bashkëshortore është një mister i shenjtë dhe kurora është e gjithmonshme, e cila nuk mund të prishet në asnjë mënyrë, sepse “martesa bëhet në qiell”. Në ungjij gjenden orvatje të shpeshta për ta theksuar se martesa është lidhje dhe kurorë e shenjtë, e cila në asnjë mënyrë nuk mund të zgjidhet: “Por unë ju them se kushdo që e lëshon gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me gruan e ndarë, shkel kurorën”.[23]  Po ashtu: “Atëherë ai u tha atyre: “Ai që lë gruan e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën me të. Po ashtu, nëse gruaja lë burrin e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën”.[24] Mirëpo, disa farisenj, për ta provokuar i thanë: “A është e ligjshme që burri ta lë gruan?. Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Çfarë ju ka urdhëruar Moisiu?”. Ata thanë: “Moisiu ka lejuar të shkruhet letra e shkurorëzimit dhe ta lësh gruan”. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Për shkak të ngurtësisë së zemrës suaj ai e shkroi atë rregull; por në fillim të krijimit, Perëndia i bëri mashkull e femër. Për këtë arsye njeriu do ta braktisë babanë e tij dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm; kështu nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj njeriu të mos ndajë atë që Perëndia e ka bashkuar!”.[25]

Pra, bashkëshortëve derisa të jenë në jetë, nuk u lejohet të ndahen dhe të rimartohen, sidomos në katolicizëm. Vetëm në dy raste lejohet zgjidhja e kësaj kurore të përhershme, e para: nëse shkelet kurora nga njëri prej bashkëshortëve, apo nëse janë të martuar një i krishterë\re me një pagane\në dhe jeta bashkëshortore është e pamundur të vazhdohet më tutje. Ndërsa kishat protestante e shikojnë lidhjen e kurorës jo si çështje sakramenti dhe misteri, por si ceremoni e thjeshtë, prandaj është i mundur shkurorëzimi. Në fund duhet theksuar se këto sakramente kanë pësuar ndryshime pas mbajtjes së Koncilit të Dytë të Vatikanit nga viti 1962-1965.

1.7. Vajimi i shenjtë

Që nga fillimi i krishterizmit e deri te periudha e reformave vajimi i shenjtë ishte një ndër zakonet që e praktikonin të krishterët, sepse besonin se Zoti, e ka dërguar Jezusin për shërimin e sëmundjeve, ose për përgatitjen e tyre për vdekje. Mendojnë se Jezusi ka qëndruar pranë tyre në momentin e sëmundjeve të rënda dhe vdekjes. Me këtë ai nuk i ka lënë ata që të ndihen të vetmuar. Këto akte i mbështesin në veprat e Jezusit, të cilat ungjijtë i transmetojnë në shumë raste: “Si e mori veçmas, larg turmës, ia shtiu gishtërinjtë në vesh dhe mbasi e pështyu ia preku gjuhën. Pastaj i drejtoi sytë nga qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha”, që do të thotë: “Hapu!”. Dhe menjëherë iu hapën veshët, iu zgjidh nyja e gjuhës dhe foli rrjedhshëm”.[26]

Rrugën e tij e ndoqi Jakobi, i cili po ashtu shëronte si Jezusi: “A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit”.[27] Po ashtu të njëjtën vepër e praktikuan edhe njëmbëdhjetë apostujt: “Kështu ata shkuan dhe u predikonin njerëzve që të pendoheshin; dhe dëbonin shumë demonë dhe vajosnin me vaj shumë të lëngatë dhe i shëronin”.[28]

Në letrën e Dytë të Shën Palit drejtuar korintasve thuhet: “Edhe ai që na themelon neve bashkë me ju në Krishtin dhe na vajosi është Perëndia, i cili edhe na vulosi dhe na dha kaparin e Frymës në zemrat tona”.[29]

Qëllimi i vajimit herë ishte për të kërkuar shërim, e herë për të zbrit shenjtërimi në të vajosurin dhe herëve tjera ishte si shenjë për kandidatin, i cili donte ta pranonte krishterizmin, që të jetë i aftë për ta pranuar pagëzimin.

Vajimi i të sëmurëve është bërë individualisht ose në mënyrë të përbashkët. Nëse bëhet në mënyrë të përbashkët, të sëmurët bashkë me grupin e njerëzve tubohen në kishë, pas një lutjeje të shkurtër lexohen pjesë nga Ungjilli, kurse murgu me një predikim shpjegon kuptimin e kësaj ceremonie. Gjatë ceremonisë bëhen lutje. Nëse ceremonia bëhet individualisht, atëherë ajo bëhet e shkurtër, kurse balli i të sëmurit dhe duart e tij lyhen me vaj.

Në Perëndim ishte zakon që këtë akt ta kryenin vetëm peshkopët, ndërkaq në krishterizmin lindor këtë e kryenin vetëm patriarkët. Po ashtu ishte bërë zakon që këto mistere të bëhen ditën e enjte, e njohur si e “enjtja e larjes” apo e “enjtja e besëlidhjes”, por herë-herë, edhe ditën e diel, si përkujtim i hyrjes së Jezusit në Jerusalem, ndërsa në rrugë i kishin shtruar gjethe të hurmës.[30] Pastaj në Koncilin e Toledos, i cili u mbajt në vitin 400, u lejua që të bëhet ky mister në çfarëdo kohe qoftë.

Zakonisht lyerja me vajin e shenjtë bëhet pranë shtratit të të sëmurit. Në ortodoksi konsiderohet si mjet i fundit dhe më i fuqishëm i shërimit nga sëmundja, si dhe një mënyrë e larjes së mëkateve. Kisha katolike ka refuzuar ta shohë misterin e lyerjes me vajin e shenjtë si mjet mjekimi dhe e vlerëson vetëm si bekim të njeriut që është duke vdekur. Misterin e lyerjes me vajin e shenjtë e quajnë edhe këshillim, sepse për kryerjen e saj është e domosdoshme të mblidhen shtatë priftërinj (në rast nevoja lyerja mund të bëhet edhe nga një prift). Rregulli i vendosur nga kisha për kryerjen e lyerjes me vajin e shenjtë thekson lidhjen e saj me ritet e lashta magjike dhe me mistikën e numrave: shtatë priftërinj, shtatë lëvozhga për lyerjen e të sëmurit, shtatë lexime apostolike dhe shtatë lexime ungjillore. Si në variantin katolik, ashtu edhe në atë ortodoks misteri i lyerjes me vajin e shenjtë shërben si një nga mjetet e ndikimit psikologjik mbi besimtarët.

Gjenden shumë lloje të vajit të shenjtë dhe për secilin rast ka një lloj specifik. Si vaji i shenjtë me të cilin lyhej fëmija pagan në gjoks dhe ndërmjet shpatullave si deklaratë për hyrjen e tij në komunitetin e krishterë. Po ashtu vaji i njohur në kishat lindore “krisma”, i cili përgatitet nga vaji dhe disa barna dhe erëra të posaçme dhe lyhet me të i krishteri pas pagëzimit me zhytje në ujë tri herë, siç e kemi cekur edhe më herët. Pastaj kemi edhe vajin e të sëmurit, e që kërkohet përmes tij shërimi, ose lyhet me të i sëmuri në agoni të vdekjes, për ta mbrojtur trupin e të vdekurit nga vampirët gjakpirës të të vdekurve. Vendimet e këshillit të Trentit ishin se vajimi është një nga misteret e vërteta dhe të detyruara për të krishterët.[31]

Prof.Dr. Zija Abdullahu


[1] Romakëve: 6: 3-4.

[2] Shiko: Mateu: 8: 2-3; dhe: 15: 31.

[3] Shiko: Po aty: 8: 28-29; dhe Lluka: 7: 1-3.

[4] Mateu: 26: 26-28.

[5] Lluka: 13: 5.

[6] Shiko: E. Murtezai, “Fjalor i feve”, f. 422-423; Ekrem Sarikçioglu, “Historia e feve”, f. 516; dhe: Dr. Urfan Abdul Hamid Fettah, النصرانية , (Krishterizmi), f. 114-117.

[7] Shiko: Zanafilla: 17: 9-12.

[8] Mateu: 3: 5-6; dhe: 13-15.

[9] Gjoni: 6: 53-57. Po ashtu shiko: Mateu: 26-29; Marku: 14: 22-25; Lluka: 22: 7.

[10] Lluka: 22: 14-19.

[11] Mateu: 28: 18-20.

[12] Marku: 16: 17-18.

[13] Lluka: 24: 46-47.

[14] Mateu: 16: 19.

[15] Po aty: 18: 18.

[16] Gjoni: 20:23

[17] Lluka: 15: 7.

[18] 9-Tevbe: 31

[19] Po aty, 34.

[20] Veprat e apostujve: 1: 8.

[21] I Korintasve: 11: 1.

[22] Numrat: 24: 1.

[23] Mateu: 19: 9.

[24] Lluka: 10: 11-12.

[25] Marku: 2-9.

[26] Marku: 7: 33-35.

[27] Jakobit: 5: 12.

[28] Marku: 6: 12-13.

[29] II Korintasve: 1: 21-22.

[30] Shiko: Mateu: 21: 1-11; Lluka: 19: 28-40; Marku: 11: 1-8.

[31] Shiko: Ekrem Sarikçioglu, “Historia e feve”, f. 516-520; dhe: Dr. Urfan Abdul Hamid Fettah, النصرانية , (Krishterizmi), f. 114-131; Halit Muharremi, “Fjalori i teologjisë”, f. 261-252; 77-78; 226; 218; 214; 283.