Kodi i Da Vinçit dhe falsifiteti i Biblës

Kodi i Da Vinçit dhe falsifiteti i Biblës

Ajni Sinani

All-llahu i madhëruar në Kuranin fisnik thotë: “Të mjerët ata, që me duart e veta e shkruajnë librin, e pastaj thonë: ‘Ja, ky është prej All-llahut’, për të nxjerrë ndonjë përfitim të parëndësishëm. Dhe të mjerët ata për atë që kanë shkruar duart e tyre dhe mjerë ata për atë që fitojnë!” (El Bakarah, 79)
I Dërguari a.s. tregon se All-llahu i madhëruar në një hadith kudsi ka thënë: “Unë i krijova robërit e Mi në fenë e drejtë ( e pastër islame ), por shejtanët i bëjnë që ata të humbasin rrugën e drejtë.“ (transmeton Muslimi)

Mbi lajthimin dhe devijimin e të krishterëve nga rruga e drejtë, Kur’ani i shenjtë na tregon në shumë ajete. Këtë të vërtetë kohëve të fundit e tha edhe një i krishterë – Den Brown, në romanin e tij “Kodi i Da Vinçit”. Ky është bestselleri i shekullit XXI, një thriller me sfond mistiko-ezoterik. Romani i tij, vetëm për një vit, është përkthyer në dhjetëra gjuhë botërore dhe është shitur në mbi 40 milion kopje.
Në këtë roman shpalosen disa prej fakteve historike rreth shtrembërimit të ideologjisë së krishterë, korruptimit të Biblës dhe autorësisë njerëzore të saj dhe mbi intervenimin e dorës së njeriut në vetë thelbin e teologjisë së krishterë. Të gjitha këto, autori i romanit i quan ‘transformim grotesk’.
Heroi i Brown-it thotë:
“Bibla në formën që njihet prej nesh, është kompletuar nga perandori pagan i Romës, Konstandini i Madh. Konstandini kishte vendosur se duhej të bënte diçka. Në vitin 325, ai vendosi të bashkojë Romën nën një religjion, nën Krishterizmin.
Historianët akoma çuditen me gjenialitetin nëpërmjet të cilit Konstandini i ktheu paganët, që adhuronin diellin, në të krishterë. Duke i bashkuar simbolet pagane, datat dhe ritualet me traditën e krishterë, ai bëri një lloj feje hibride të pranueshme për të dyja palët.

Asgjë në Krishterizëm nuk është origjinale…
Konstandinit i është dashur që ta forcojë traditën e re krishtere, prandaj ka mbajtur tubimin ekumenik të njohur me emrin “Kuvendi i Nike-së”.
Në atë tubim është diskutuar dhe votuar për shumë aspekte të Krishterizmit si dhe për statusin hyjnor të Jezusit.
Gjithnjë deri në atë çast të historisë, Jezusi, nga ithtarët e tij të hershëm, konsiderohej profet i vdekshëm – njeri i madh dhe i fuqishëm, por megjithatë konsiderohej vetëm një njeri i zakonshëm..
Shpallja e Jezusit për “bir të Zotit” është propozuar zyrtarisht në kuvendin e Nikesë, ku është votuar për të…

Dhe është votuar (pro) madje shumë ngushtë.
Mirëpo dhënia e statusit hyjnor Jezusit ishte kyçe për bashkimin e mëtejshëm të perandorisë Romake dhe për vendosjen e re të bazës së fuqisë së Vatikanit.
Me të pranuarit zyrtar të Jezusit për “bir të Zotit” Konstandini e transformon Jezusin nga një njeri në një hyjni që ekziston jashtë kufijve të botës njerëzore, në një entitet fuqia e të cilit është mbi të gjitha. Kjo jo vetëm që ka pamundësuar rrezikimin e mëtutjeshëm të Krishterizmit nga paganizmi, por edhe ithtarët e Kishës kanë mundur të tubohen vetëm nëpërmjet vendosjes së një ndërmjetësuesi të shenjtë – Kishës katolike romake.

E gjithë kjo ka qenë ekzluzivisht për shkak të fuqisë.
Krishti dhe proklamimi i tij si Mesi-Shpëtimtar ishte kyç për funksionimin e Kishës dhe të shtetit. Shumë shkencëtarë pohojnë se Kisha e hershme tekstualisht e ka vjedhur Jezusin nga ithtarët e tij të parë, duke ia rrëmbyer porositë njerëzore dhe duke e përdorur këtë për përhapjen e fuqisë së saj.
Ndonëse Konstandini e ngriti Jezusin në një shkallë hyjnore, gati 4 shekuj pas vdekjes së tij, tashmë ekzistonin me mijëra dokumente që dëshmonin për jetën e Jezusit si jetë e një njeriu të zakonshëm.
Konstandini me veprimin e tij e ndryshoi historinë e Krishterizmit. Që nga ai çast pasoi momenti më transformues në historinë e krishterë…
Konstandini porositi dhe pagoi shkruarjen e një Bible të re, nga e cila u lanë të gjithë ata ungjij që kanë folur për cilësitë njerëzore të Jezusit. Në Biblën e re u futën ungjij që e shndërruan Jezusin në një qenie hyjnore. Ndërkaq, ungjijtë më të hershëm u ndaluan, u konfiskuan dhe u dogjën…
Gjithsecili që do të përcaktohej për ungjijtë e ndaluar, të vend të ungjijve të versionit të Konstandinit do të shpallej heretik. Ata që zgjodhën historinë origjinale të Krishtit ishin heretikët e parë.

Për fat të historianëve disa nga këta ungjij Konstandini nuk pati sukses që t’i zhdukë…
Sigurisht, Vatikani duke iu përmbajtur traditës së tij të dezinformimit, është përpjekur me të gjitha forcat që ta pengojë publikimin e tyre …”
Adhurimi i Jezusit, sikurse e përmendëm, ishte diçka që e shpiku perandori Kostandin në këshillin e Nike-së (Turqia e sotme), në vitin 325 pas Isait a.s. për të forcuar pozitat e veta, meqë Krishterizmi kishte filluar të bëhej më i “suksesshëm” se paganizmi.
Ndërkaq idenë e ngritjes së njeriut në lartësinë e Zotit, që e predikonin mendimtarët grekë, të krishterët e zëvendësuan me idenë e zbritjes së Zotit tek ne!!

Edhe para paraqitjes së këtij romani, në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, Krishterizmi u trondit nga diskutimi i madh teologjik mbi atë se a është Jezusi Zot, apo vetëm njeri. Është diskutuar mbi mitin e Trinitetit dhe mitin e inkarnimit të Hyjit-Zotit tek njeriu- Jezusi.
Se individualiteti hyjnor i Jezusit është i pavërtetë dhe vetëm mit i Kishës, këtë e kanë argumentuar edhe teologët e krishterë, profesorë të teologjisë së krishterë nga universitete të njohura botërore.

Shtatë profesorë të njohur universitetesh nga Britania e Madhe kanë shkruar librin me titull “The Myth of God incarnate” që për herë ta parë është publikuar më 1977 në Londër. Deri në vitin 1981, libri është botuar 6 herë. Autorë të librit ishin personalitete të shquara dhe profesorë të teologjisë së krishterë nga Oksfordi, Kembrixhi, Birmingemi, etj. Mirëpo libri dhe autorët e tij kanë përjetuar një sulm të tmerrshëm nga Kisha, e cila ka kërkuar që ata të largoheshin nga pozitat e tyre të larta. Por, libri përjetoi një sukses botëror.
Libri ngjalli diskutime të panumërta si rezultat i qëndrimit të atyre profesorëve dhe mohimit të mësimeve kishtare nga ana e tyre dhe mospranimit të inkarnimit hyjnor në personalitetin e njeriut- Jezusit.

Këto fakte dhe shumë të tjera bëjnë që për çdo ditë njerëz nga besimi i krishterë duke kuptuar të vërtetën hyjnore pranojnë islamin.
Krijuesi i gjithësisë, thotë:
“E mohuan të vërtetën (bënë kufër) ata që thanë: ’Zoti është Mesihu (Isai), i biri i Merjemes!’ kurse Mesihu tha: ’O beni israil, adhuroni All-llahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj’. Kush i bën shok All-llahut, All-llahu ia ka ndaluar xhennetin dhe vendbanimi i tij është në xhehennem. Për mizorët nuk ka ndihmëtarë. Mosbesimtarë janë ata që thanë: ’All-llahu është një nga tre!’ Por nuk ka asnjë Zot tjetër përveç një Zoti të vetëm…“ (El Maidetu, 72, 73)

Erich From ka të drejtë kur thotë se “Intelekti i manipuluar, i privuar nga arsyeja, është i rrezikshëm, sepse i detyron njerëzit të veprojnë në një mënyrë, që nga pikëpamja e arsyes mund të rezultojë shkatërruese për ta.“
Tertuliani, një intelektual i krishterë, shpreh thelbin e besimit të krishterë kur thotë: “Credo quia absurdum. Besoj sepse është absurde! ”

Sigurisht se një bindje e tillë krishtere nuk pajtohet me besimin e çiltër dhe të pastër islam. Muslimani nuk beson në atë që bie ndesh me arsyen e shëndoshë. Besimi islam nuk është i veshur me të pavërteta dhe fantazi të çoroditura. Muslimani beson sepse besimi është ndjenjë e lindur dhe e natyrshme, dhuratë e dhënë nga All-llahu, sepse kështu jeta ka kuptim, ngaqë ai është logjik dhe nuk është absurditet, por është maja e urtisë, sepse të besuarit dhe bindja ndaj Zotit janë misioni dhe qëllimi i krijimit të njeriut në këtë botë.“

Në Islam nga besimtari nuk kërkohet që të flak mendjen dhe të besoj, sepse feja dhe shkenca, besimi dhe arsyeja qëndrojnë përkrah njëra tjetrës.