Kurani, libri i fundit
Antique copy of the Holy Quran. Grand Bazar, Istanbul. Turkey.

Kurani, libri i fundit

Javed Ahmad Ghamidi

Kurani është libri i fundit dhe jo i pari i fesë që përfaqëson. Historia e kësaj feje është, se kur Zoti e krijoi njeriun në tokë, faktet bazë të fesë u ngulitën në natyrën e tij. Atij iu komunikuan faktet e mëposhtme nëpërmjet paraardhësit të tij Ademit:

Së pari ai ka një Krijues, i Cili e ka krijuar atë; vetëm Ai është Zoti i tij dhe është e natyrshme që njeriu duhet të adhurojë vetëm Atë.

Së dyti, ai është dërguar në këtë botë për t’u sprovuar dhe për këtë i është bërë e qartë e mira dhe e keqja. Atij i është dhënë jo vetëm liria për të ushtruar vullnetin e tij, por edhe sovraniteti në tokë. Sprovimi i tij do të vazhdojë deri në vdekje. Nëse ai do ta kalojë atë me sukses, do të fitojë Mbretërinë e Parajsës, ku do të jetë i lirë nga keqardhjet e së kaluarës dhe frika për të ardhmen.

Së treti, i Plotfuqishmi do t’i dërgojë në kohë të caktuara udhëzime, sipas nevojave të tij. Nëse ai do t’u bindet këtyre udhëzimeve, ai nuk do të humbë dhe nëse nuk u përmbahet atyre, do të dënohet përjetësisht në botën tjetër.

Si pasojë, Zoti e përmbushi premtimin e Tij dhe i dërgoi njerëzimit udhëzimin, duke zgjedhur njerëz nga mesi i tyre dhe nëpërmjet tyre ia shpërndau udhëzimin e Tij njerëzimit. Ky udhëzim përmbante el-hikmen dhe sheriatin. Është e qartë se hikmeti nuk kishte nevojë për ndryshim, ndërsa sheriati u shpall në bazë të nevojave të një populli deri në kohën e Ibrahimit (a.s), kur porositë e tij u kristalizuan në formën e një suneti për gjithë njerëzimin. Në kohën e Musait (a.s), kur u shpall shteti zyrtar i izraelitëve, u shpall Tevrati dhe udhëzimet e sheriatit në lidhje me shoqërinë. Gjatë kësaj kohe, kur disa aspekte të caktuara të hikmes nuk ishin para syve të njerëzve, ato iu bënë atyre të qarta nëpërmjet Psalmeve dhe Ungjijve. Kur tekstet origjinale të këtyre shkrimeve të shenjta u zhdukën, i Plotfuqishmi dërgoi të dërguarin e Tij të fundit dhe i dha Kuranin.

“Ne edhe ty (Muhamed) ta zbritëm librin (Kuranin) e vërtetë që është vërtetues i librave të mëparshëm dhe garantues i tyre. Gjyko pra mes tyre me atë që Allahu e zbriti, e mos pëlqe epshet e tyre e të largohesh nga e vërteta që të erdhi. Për secilin prej jush, Ne caktuam ligj e program (të posaçëm në çështje të veprimit). Sikur të donte Allahu, do t’ju bënte një popull (në fe e sheriat), por deshi t’ju sprovojë në atë që ua dha juve, prandaj ju (besimtarë) përpiquni për punë të mira. Kthimi i të gjithë juve është te Allahu, e Ai do t’ju njoftojë me atë që kundërshtoheshit”. (5:48)

Kjo është historia e fesë. Si pasojë, duke e pasur atë parasysh, para Kuranit paraprijnë:
1. Udhëzimi i lindur.
2. Suneni i Ibrahimit (a.s).
3. Shkrimet e shenjta të profetëve.

E para ka të bëjë me bazën e besimit dhe të parimeve morale. Sipas terminologjisë së Kuranit, një pjesë e madhe e udhëzimit të lindur quhet maruf dhe munker. E para u referohet gjërave që konsiderohen të mira nga natyra njerëzore dhe e dyta u referohet gjërave që ajo i konsiderohen të këqija dhe të cilave u shmanget. Kurani nuk jep një listë gjithëpërfshirëse të këtyre gjërave. Nga ana tjetër thotë, se një person është nga natyra i vetëdijshëm për to dhe është i aftë të bëjë dallimin mes tyre. Si rrjedhim kërkon që njeriu t’i pranojë gjërat e mira dhe t’u shmanget të këqijave: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zekatin, respektojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t’i mëshirojë Allahu. Allahu është ngadhënjyes, i urtë”.(9:71)

Nëse lind ndonjë ndryshim mendimi në lidhje me përcaktimin e asaj që është e mirë apo e keqe, atëherë tendenca e brezave të ardhshëm të Ibrahimit (a.s) do të konsiderohet si vendimtare për atë çështje të caktuar. Arsyeja e kësaj është, se gjatë shumë shekujve të kaluar atyre u janë dërguan profetë dhe duket sikur tendenca e tyre ndaj të mirës dhe të keqes është miratuar nga profetët.

E dyta quhet nga Kurani millet-i ibrahimi. Namazi, agjërimi, haxhi dhe zekati janë të gjitha udhëzime të këtij millet-i ibrahimi. Marrësit e Kuranit ishin krejtësisht të vetëdijshëm për to dhe i praktikuan në një shkallë të gjerë, në mënyrën që ato ishin. Në pjesën ku tregohet pranimi i besimit nga Ebu Dherri (r.a), ai tregon qartë se ai mund të falej me kujdes edhe para se Muhamedi (a.s) ta deklaronte profecinë e tij.1 Dihet se falja e së premtes nuk ishte e panjohur për marrësin e Kuranit.2 Ata falnin namazin e xhenazes3 dhe agjëronin në të njëjtën mënyrë si agjërojmë ne sot.4Zekatin e njihnin si një ndarje specifike të pasurisë së tyre, ashtu si sot.5 Lidhur me ritualet e adhurimit të haxhit dhe umres, çdo njeri i ditur e di se edhe pse kurejshët u kishin shtuar disa risi fetare, ritet e këtyre ritualeve të adhurimit që ata bënin, ishin praktikisht njëlloj si tani. Në fakt është e qartë nga tregimet, se njerëzit ishin në dijeni të këtyre risive. Si pasojë, ka një transmetim nga Buhariu, se para profecisë Muhamedi (a.s) e kryente haxhin pa risitë e kurejshëve, në mënyrën që kryhej që nga koha e Ibrahimit.6

E njëjta gjë ndodh dhe me flijimin e kafshës, itikafin dhe synetin, përveç disa zakoneve dhe rregullave të tjera të Islamit. Të gjitha këto gjëra ishin të njohura dhe të specifikuara dhe arabët ishin në dijeni të tyre, ndërsa traditat e vjetra i përçuan nga një brez në tjetrin. Si rrjedhim, nuk ishte e nevojshme që Kurani të jepte hollësitë e tyre. Ata e dinin kuptimin e fjalëve arabe që u referoheshin atyre. Nëse Kurani u kërkonte që të faleshin, të agjëronin, të bënin haxhin dhe të jepnin zekatin, ata e dinin shumë mirë kuptimin e këtyre termave. Kurani nuk u dha asnjëherë udhëzimin e parë për to. Ai thjesht i reformoi dhe i përtëriu dhe shpjegoi disa aspekte të tyre – edhe kjo u bë për ato gjëra që ishin thelbësore. Gjithë kjo traditë e fesë së Ibrahimit, që në gjuhën fetare quhet Sunnen, konsiderohet nga Kurani si feja e Zotit dhe u kërkon ndjekësve të saj që ta pranojnë atë plotësisht: “Pastaj, ty të shpallëm: “Ndiqe fenë e drejtë të Ibrahimit, se ai nuk ka qenë nga idhujtarët (as jehudi as i krishterë)”.

Në rend të tretë janë shkrimet e shenjta hyjnore, të cilat janë të pranishme në Bibël në formën e Tevratit, Ungjijve dhe Psalmeve. Marrësit e tyre kanë humbur shumë pjesë të tyre dhe janë gjithashtu fajtorë për ndryshimet që u janë bërë. Megjithatë në to është i pranishëm një thesar i pasur i sheriatit dhe i hikmes së shpallur nga i Plotfuqishmi. Nxënësit e Kuranit e dinë, se ai u është referuar atyre në vende të ndryshme, ka bërë aluzione të sakta për tregimet profetike, ka mohuar ndryshimet e hebrenjve dhe të krishterëve dhe ka kritikuar historinë e paraqitur në to. Kurani e ka bazuar itman al-hujjah (komunikimin e së vërtetës në atë shkallë sa asnjeri nuk e mohon atë) tek këto shkrime të shenjta dhe deklaron qartë se burimi dhe origjina e tij është e njëjtë si e këtyre shkrimeve të shenjta: “Ai ta zbret ty (Muhamed) librin me argument që është vërtetues i librave të mëparshëm. Ai e zbriti më parë Tevratin dhe Inxhilin. Udhërrëfim për njerëz, e zbriti edhe Furkanin (dalluesin e së vërtetës nga gënjeshtra). S’ka dyshim se ata që mohojnë argumentet e Allahut i pret ndëshkimi i rreptë. Allahu është Ngadhënjyes, Shpagimtar”.(3:3-4)
“Ne të frymëzuam ty me shpallje sikurse e patëm frymëzuar Nuhun dhe pejgamberët pas tij; e patëm frymëzuar Ibrahimin, Ismailin, Is’hakun, Jakubin dhe pasardhësit e tij, Isain, Ejubin, Junusin, Harunin, Sulejmanin, e Davudit i patëm dhënë Zeburin”. (4:163)

Për shkak të këtyre të dhënave të Kuranit disa gjëra duhet të pranohen si parim për interpretimin e Kuranit.
Së pari, kjo fe është e plotësuar me vetëdijen për të mirën dhe të keqen, të cilat gjenden tek natyra njerëzore dhe të cilat Kurani i quan maruf dhe munkar. E mira dhe e keqja u paraprijnë udhëzimeve dhe ndalimeve të sheriatit që përshkruhen në Kuran dhe janë baza mbi të cilën qëndron ky i fundit. Çdo koncept i sheriatit , të cilit i mungon e mira dhe e keqja që gjenden tek natyra njerëzore, do të jetë përfundimisht i mangët dhe kundër kuptimit të Kuranit.

Së dyti, Sunneti nuk vjen pas Kuranit, por ka qenë para tij historikisht. Kështu që ai rrjedh nga konsensusi dhe ndjekja e vazhdueshme e umetit. Ai nuk përftohet nga Kurani në mënyrën që disa dijetarë të kohërave bashkëkohore kanë vepruar dhe si rrjedhim e kanë keqinterpretuar së tepërmi atë.

Së treti, për të kuptuar stilet tipike të literaturës hyjnore, historinë e hebrenjve dhe të krishterëve, tregimet e profetëve izraelitë dhe aluzionet e Kuranit për çështje të tjera të ngjashme, si detajet e fakteve që u referohet shkurtimisht, burimi i vërtetë janë shkrimet e shenjta. Ato do të konsiderohen si baza e debatit dhe e diskutimit. Nga kjo pikëpamje, transmetimet e përfshira në shpjegime të ndryshme të Kuranit dhe që bazohen kryesisht tek fjalët, duhet të mos merren parasysh. Këto transmetime nuk mund të jenë zëvendësuese të dritës, që shkrimet e shenjta të hershme hedhin mbi këto çështje dhe të mënyrës që fjalët e Kuranit i pranojnë këto detaje ose i nxjerrin në dritë faktet reale për aspekte të caktuara të përmendura tek to. Transmetime të tilla nuk kënaqin as intelektin e studentëve të Kuranit dhe as nuk tregojnë ndonjë vlerë si argument për njerëzit e librit.

Referenca
[1]. Muslimi, Nr: 2473.
[2]. Ibn Manzur, Lisan al-‘Arab, botimi i parë, vol. 2 (Bejrut: Dar Sadir, 1400 AH), 359.
[3]. Jawad ‘Ali, al-Mufassal fi Tarikh al-‘Arab qabl al-Islam, botimi i dytë, vol. 6 (Bejrut: Dar al-‘Ilm Li al-Malayin, 1986), 338.
[4]. E ngjashme, 344.
[5]. Kuran, 70:24.
[6]. Buhariu, Nr: 1581.

ardhmeriaonline.com