Kurani shpallje e fundit dhe pikëmbështetje e fesë

Kurani shpallje e fundit dhe pikëmbështetje e fesë

Behxhet Jashari

“Elif, Lam, Ra.(ky është) Libër;
Ne ta shpallëm ty që me urdhrin e Zotit t’i nxjerrësh njerëzit prej errësirave në dritë;
(t’i nxjerrësh prej errësirës)
në rrugë të Fuqiplotit, të Falënderuarit”.
(Ibrahim, 1)

Nuk mund të paramendohet ndonjë ideologji, rrymë filozofike, sistem apo religjion pa u mbështetur në ndonjë pikënisje, Libër, parime, etj. Çdo religjion ose drejtim filozofik mbështetjen e saj e gjen në ndonjë ideolog ose libër bazë.
Islami si fe Qiellore dhe fe monoteiste e Shpallur nga Krijuesi i gjithësisë, mbështetjen e saj e gjen në Librin e fundit të Shpallur nga Allahu, pra në Kur’an.
Kur’ani është Fjalë e All-llahut e Shpallur Muhamedit (sal-lallahu alejhi ve sel-lem) përmes engjëllit Xhibril (alejhisselam), leximi i të cilit është ibadet (adhurim). Kur’ani ruhej tek Allahu në Librin e quajtur Levhi Mahfudh, në të cilin është e shkruar e tërë ajo që do të ndodh në jetën e kësaj bote. Pastaj Allahu i Madhërishëm e zbriti atë në qiellin e tokës në Bejtu-l-izzeh. Kurse prej këtu, përreth 23 viteve, në intervale të ndryshme kohore, përmes melekut Xhibrili (alejhisselam) ia publikoi Muhammedit (s.a.v.s.). Menjëherë, posa i zbriste Shpallja, Muhammedi, s.a.v.s., i njoftonte shkruesit e tij, të cilët me një precizitet të madh e shkruanin atë. Shkrimi i shpalljes ka ndodhur nën mbikëqyrjen e vetë të Dërguarit, s.a.v.s. Shkrimi i saj bëhej mbi lëvoren e drurit, lëkurës, gurit, eshtrat e kafshëve , etj.

Shkencëtarët islam kanë dhënë disa definicione për këtë Shpallje nga Zoti . Kur’ani është të folurit (Fjalë) e Zotit, i mbinatyrshëm dhe i shpallur Muhammedit (salAllahu alejhi ves-sel-lem), i shkruar në koleksione, i transmetuar me besnikëri, kurse edhe vetëm recitimi i tij është ibadet (adhurim) . Pra, Kur’ani është Fjalë e Shpallur nga Allahu tek Muhammedit (salAllahu alejhi ves-sel-lem) përmes melekut Xhibril në gjuhën e kulluar arabe. Allahu përmes Kur’anit i tregoi të Dërguarit të Tij:
“Ne dimë shumë mirë se ata thonë: “Atë (Muhammedin) është kah e mëson një njeri!” Mirëpo, gjuha e atij nga i cili anojnë (supozojnë) ata është joarabe (e paqartë), e kjo (e Kur’anit) është gjuhë arabe e stilit të lartë e të qartë”. (en-Nahl, 103).

“Kështu Ne e shpallëm këtë Kur’an arabisht dhe përsëritëm në të vërejtjet, në mënyrë që ata të ruhen ose ai (Kur’ani) t’u sjellë atyre përvojë mësimi”. (Ta-Ha, 113).

Gjithashtu, Allahu shpall se i Dërguari i Tij më parë nuk kishte qenë i informuar për atë që i shpallet, andaj thotë: “Ne me të shpallur të këtij Kur’ani po të rrëfejmë ty (Muhammed) më të bukurin rrëfim, edhe pse para tij ishe nga të painformuarit”. (Jusuf, 3).

Besimtari musliman beson se Shpallje nga Allahu ishin edhe Librat e mëparshëm të cilat Allahu ua shpalli të Dërguarve të Tij që erdhën para Muhammedit (salAllahu alejhi ves-sel-lem) gjë për të cilat flet edhe Kur’ani Fisnik. Sipas Kur’anit dhe Praktikës profetike të Muhammedit (s.a.v.s.), muslimanët janë të obliguar që të besojnë në të gjithë profetët e All-llahut. Kur’ani nuk favorizon njërin ndaj të tjerëve si personalitete, por në rend të parë të gjithë ata janë të zgjedhurit dhe të Dërguarit e Zotit.

Sipas Kur’anit, muslimanët nuk janë ithtarë vetëm të Muhammedit (salAllahu alejhives-sel-lem) por ithtarë edhe të profetëve tjerë, sepse të gjithë profetët e dërguar nga Zoti janë bartës të Misionit Hyjnor. Madje Kur’ani mëson se babai i profetëve – Ibrahimi (alejhisselam) ishte besimtar i pastër hanif, e assesi idhujtar ose refuzues i profetëve tjerë…

Kur’ani është Libër i cili na tregon për popujt e mëparshëm, për disa ndodhi nga të cilat urdhërohet që të marrim mësim, për gjërat të cilat njeriu duhet t’i kryejë, për gjërat nga të cilat njeriu duhet të largohet, për mënyrën e jetesës në këtë botë, për jetën në botën e amshuar, për pasojat e atyre që devijojnë, madje edhe për shenjat e Krijuesit në natyrë, etj…

Allahu i Lartëmadhëruar përmes Kur’anit ua bëri obligative njerëzve disa dispozita që janë në harmoni me interesat e tyre dhe që iu sjell dobi atyre që në mënyrë praktike e zbatojnë dhe e ruajnë atë. Me ato rregulla vendoset drejtësia dhe njëkohësisht përforcohen themelet e jetës njerëzore në baza më normale, duke i paralajmëruar për dëme të mëdha po qe se largohen, i ndryshojnë ose i mospërfillin normat kur’anore .
Dispozitat kur’anore me të gjitha justifikueshmëritë e tyre në vete, i tejkaluan të gjitha ligjet të cilat i takoi, gjë të cilën e vërtetuan një numër i madh i bashkëkohanikëve të Muhammedit (salAllahu alejhi ves-sel-lem) që ishin me bindje të ndryshme. Përveç kësaj, Kur’ani solli urtësi, këshilla dhe principe etike me të cila zemrat njerëzore mahniten dhe nënshtrohen. Sipas shpalljes, Kur’ani ndahet në kaptina dhe ajete të shpallura në Mekë dhe kaptina dhe ajete të shpallura në Medinë.

Kur’ani është shpallur në mënyrë graduale , me siguri me qëllim që njerëzit që u gjetën përreth të Dërguarit të Fundit, sa më lehtë dhe në mënyrë sa më praktike t’a zbatojnë atë. Allahu i Lartëmadhëruar të Dërguarit të Tij i tregoi:
“Dhe (ta shpallëm) Kur’anin që Ne e ndamë pjesë – pjesë për t’ua lexuar njerëzve dalëngadalë dhe ashtu e shpallëm atë një pas një”. (el-Isra, 106).
“Ne nuk ta shpallëm Kur’anin për të munduar ty”. (Ta-Ha, 2).
“Ne ta shpallëm ty Kur’anin në intervale (pjesë-pjesë)”. (el-Insan, 23).

Sipas studiuesve të Kur’anit thuhet se ajetet që u shpallën në Mekkë kanë të bëjnë pikërisht me njohjen e Krijuesit, besimin, Njësinë e Zotit, largimi nga idhujt, përcaktimi i rrugës së Tevhidit, ndërsa ajetet që u shpallën në Medinë kanë të bëjnë me dispozita dhe rregulla fetare, si p.sh. në Medinë u shpallën ajetet për të agjëruar, rregullat që kanë të bëjnë me kurorëzimin, me rregullat luftarake, me ndarjen e pasurisë, ndalesën e kamatës, dhënien e zeqatat, urdhëresat për përgatitje materiale dhe fizike, etj. Me një fjalë, në Medinë u vunë themelet e para të qytetërimit islam.

Kur’ani si themel i parë kyç i fesë islame, jo vetëm që urdhëroi besimtarët që t’i kryejnë obligimet ndaj Zotit (ndaj Atij që e Shpalli Kur’anin), siç janë namazi (pesë herë në ditë, agjërimi gjatë muajit të Ramazanit, largimi nga alkooli, prostitucioni, bixhozi, kamata, shpifja, përgojimi, zilia, etj., por Kur’ani nxiti dhe ua bëri me dije njerëzimit (së pari Muhammedit (salAllahu alejhi ves-sel-lem) dhe sahabëve) se tanimë ekzistojnë formulat për themelimin e një shoqërie dhe një qytetërimi grandioz.

Kur’ani (si pikëmbështetje) shpjegoi se Islami është fe dhe sistem jete që bashkon dy komponente: shpirtëroren dhe materialen, sepse Islami, thjeshtë nuk është vetëm reli¬gjion, por diç më tepër… Po ta marrim si shembull vetëm urdhrin nga Kur’ani për dhënien e zekatit, do të kuptojmë se Islami del si lëvizje sociale, e jo para së gjithash si religjion. Zekati rëndësinë e vet të vërtetë e fitoi me formimin e shtetit në Medine. Disa in¬dikacione për karakterin e këtillë të këtij institucioni i jep fakti se urdhri për zekat në Kur’an përmendet tetë herë në kaptinat (suret) e shpallura në Mekke, ndërsa njëzet e dy herë në ato të Medines, pra me themelimin e shtetit. Gjitha këto, ishin norma të cilat erdhën përmes Shpalljes (Kur’anit), madje edhe normat që kishin (kanë) të bëjnë me të drej¬tën sociale, të drejtën e trashëgimisë, marrëdhëniet ndërnjerëzore, me rregullat luftarake, për të drejtën dhe edu¬katën familjare etj…, janë nxitje dhe përcaktime kur’anore, pra nga fundamenti i parë i Islamit.

Kur’ani ishte ai që e aktivizoi – siç thotë mendimtari islam, Sejjiid Kutbi – shoqërinë e parë kur’anore drejt realizimit të qëllimeve të larta humane dhe qytetëruese, sepse vet Shpallja është mishërim i të vërtetës dhe drejtësisë . Meqë Medina u bë kryeqendër e parë islame, njëko¬hësisht këtu filluan edhe aktivitetet diplomatike nën udhë¬heqjen e Muhammedit (salAllahu alejhi ves-sel-lem) Është me rëndësi të veçojmë se në atë kohë (shek. VII i erës sonë), Islami u paraqit në një mjedis ku rreth e përqark mbisundonin besëtytni dhe tradita të kota. Shumica e këtyre vendeve ishin koloni të ndonjërës prej dy superfuqive të atëher¬shme, Persisë dhe Bizantit. Prandaj, me fitoren e Muhammedit (salAllahu alejhi ves-sel-lem) dhe besimtarëve muslimanë në Medine, Islami e forcoi ndikimin e suksesshëm të tij në pjesën më të madhe të Gadishullit Arabik. Prej këtu filluan edhe akti¬vitetet diplomatike të Muhammedit (salAllahu alejhi ves-sel-lem) .

Pra, për një realizim të këtillë të mirëqenies dhe humanitetit, medoemos të ekzistonte bazament mbështetës ku parashihet dhe urdhërohet përsosmëria e moralit dhe vlerave humane, e ai bazament (fundament) ishte dhe ende është Kur’ani Fisnik.

Një nga dimensionet e fundamentit të fesë islame – Kur’anit, që u reflektua tek gjenerata e parë kur’anore, pa dyshim ishte edhe institucioni i këshillimit (kuvendimit), gjë që në praktikën profetike të Muhammedit (salAllahu alejhi ves-sel-lem) u bë mënyrë mjaft efikase për zhvillimin e mëtejshëm të qytet-shtetit islam. Muhammedi (salAllahu alejhi ves-sel-lem) edhe pse ishte i Dërguar nga All-llahu, ai shpeshherë bënte konsultime me sahabët e vet. Konsultohej me të gjithë besimtarët vetëm atëherë kur ishte në pyetje ndonjë çështje me rëndësi, siç veproi me rastin e Betejës së Uhudit. Në këtë rast, ai e konsultoi gjithë popullatën muslimane që gjendej në Medine . Ndonjëherë konsultoheshin vetëm disa muslimanë, (megjithatë ata ishin më të dalluar, më të dijshëm dhe më ekspertë), siç ndodhi me rastin e robërve të Betejës së Bedrit. Ndonjëherë konsultoheshin vetëm prijësit ose udhë¬heqësit e ndonjë grupi a fisi, siç ishte rasti me fisin Gatafan, ku Muhammedi (salAllahu alejhi ves-sel-lem) “i konsultoi vetëm Sa’d ibn Muadhin dhe Sa’d ibn Ubaden, edhe atë për çështjen e vendosjes së paqes me fisin Gatafan për një të tretën e fryteve të Medines, në mënyrë që të kthehen nga lufta me muslimanët në Betejën e Hendekut, sepse ata që të dy ishin prej parisë së ensarëve dhe udhëheqës të tyre.”

Mund të thuhet se Kur’ani është Libër që përcjell mesazh dhe qëllim, sepse përmban mesazh Hyjnor, parime për njerëzimin… Ata të cilët e kanë lexuar Ungjillin, madje cilën do pjesë të saj, të Mateut, Markut, Gjonit apo Llukës, do të vërejë se Kur’ani aspak nuk i përngjan atij (Ungjillit) për nga stili dhe retorika , madje Kur’ani njëkohësisht është edhe urdhër por edhe vërejtje. Kur’ani me të vërtetë duhet të jetë fundament i çdo ligji, sepse ajo është Fjalë Hyjnore. Leximi i Kur’anit është adhurim, dëgjimi është obligim, ndërsa të praktikuarit është domosdoshmëri.

Me të drejtë në një letër, drejtuar nënës së tij që kishte ndërruar jetë, mendimtari islam Sejjid Kutbi, kishte shkruar: “Ti u ndave prej nesh, oj nëna ime, e në kujtimin tim figura yte e fundit mbeti ulja yte në dhomë pranë radios duke dëgjuar tertilin (leximin) e bukur (të Kur’anit)” .
Për ata që nuk logjikojnë dhe që nuk dëshirojnë t’a marrin Kur’anin si fundament dhe udhëzues për jetën e tyre, Allahu i Lartëmadhëruar në Kur’anin Fisnik thotë:
“Ata që nuk besuan thanë: “Mos e dëgjoni këtë Kur’an dhe kur të lexohet ai, ju bëni zhurmë (bërtitni) ashtu që ta pengoni”! (Fussilet, 26).

“Ne në këtë Kur’an u kemi sjellë njerëzve nga të gjithë shembujt, po pasha All-llahun, edhe sikur t’u sillje çfarëdo mrekullie ti atyre, ata që nuk besuan do të thonin: Ju (Muhammedi me besimtarë) nuk jeni tjetër veçse mashtrues (gënjeshtarë)”. (Rum, 58).

Kur’ani është ai Libër që i ndryshoi dhe i mahniti beduinët e shkretëtirës së Arabisë… Historia tregon se pasi që Hamza e pranoi Islamin dhe pasi që idhujtarët vërenin se numri i shokëve të të Dërguarit a.s. gjithnjë e më shumë rritej, Utbe ibn Rebia, i cili ishte udhëheqës i fisit të tij, një ditë në kuvendin e kurejshitëve (në kohën kur i Dërguari a.s. gjendej vet pranë Qabes) tha: “O ju kurejshë, a dëshironi që unë të shkoj deri të Muhammedi dhe të flas me të dhe t’ia ofroj disa oferta, nga të cilat ai ndonjërën mund edhe t’a pranojë, e kështu edhe ate t’ia japim?”

Ata thanë: “Shko dhe bisedo me te.”

Utbe shkoi, u ul pranë të Dërguarit a.s. dhe i tha: “O nipi im, ti je i yni sipas lindjes dhe sipas prejardhjes së pastër, e popullit tënd i shkakton probleme të mëdha përmes së cilës t’i shkatërron bashkimin tonë, i shemb ëndrrat e tyre, u gjen mangësi zotave të tyre, refuzon fenë e gjyshërve të tyre… Më dëgjo dhe mendo për atë që do të të ofroj, ndoshta nga ajo edhe diçka do të pranosh!”
I Dërguari alejisselam tha: “Thuaj, o Ebu Velid të dëgjoj.”

Ai filloi duke i thënë: “O nipi im, po qe se për kompensim për atë që e bën dëshiron pasuri, ne do të të ofrojmë nga pasuria jonë, andaj do të bëhesh edhe më i pasuri; e nëse kërkon nder, ne do të zgjedhim për prijës tonin dhe pa dijen tënde ne nuk do të veprojmë asgjë; e nëse dëshiron pushtet, ne do të të bëjmë sundues tonin; e nëse nuk mund të lirohesh nga ajo që të vjen, atëherë ne për atë (sëmundje) do të kërkojmë ilaçe përderisa nuk shërohesh. Në të vërtetë, njeriut mund t’i ndodhë që atë t’a kaplojnë xhindet, andaj duhet shëruar.”
Pasi që e dëgjoi këtë, i Dërguari a.s. e pyeti: “A mbarove o Ebu Velid?”

“Po”, tha Utbe ibn Rebia.
I Dërguari a.s. i tha: “Dëgjo tani se ç’do të them unë.”
“Po do të dëgjoj”, tha ai.
I Dërguari alejhisselam filloi të lexojë disa ajete nga Kur’ani Fisnik:
“Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Ha, Mimë. Zbritje prej Mëshiruesit, Mshirëbërësit! Libër që ajetet e tij janë të shkoqitura, duke qenë Kur’an arabisht për një popull që di ta kuptojë. Është përgëzues dhe qortues, po shumica e tyre ia kthyen shpinën, andaj ata nuk dëgjojnë. Ata thanë: “Zemrat tona janë të mbyllura nga ajo që ti na thërret dhe në veshët tanë kemi shurdhim të rëndë, kështu që ndërmjet nesh edhe ndërmjet teje ekziston një perde, prandaj, ti vepro sipas tëndës e ne vazhdojmë tonën! Thuaj: “Unë jam vetëm njeri sikurse edhe ju, mua më shpallet se Zoti juaj është vetëm Zoti Një, pra drejtonju Atj dhe kërkoni falje prej Tij. Për idhujtarët është mjerim i madh, të cilët nuk e japin zeqatin dhe mu ata e mohojnë botën tjetër. Nuk ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, kanë shpërblim të përhershëm”. (Fusssilet, 1-8).

Kështu i Dërguari alejhisselam vazhdoi t’ia lexojë disa ajete nga kjo kaptinë kur’anore, e Utbe duke heshtur u mbështet dhe me kujdes dëgjonte atë që lexonte Muhammedi (salAllahu alejhi ves-sel-lem) Pasi që i Dërguari a.s. e lexoi një ajet pas leximit të të cilit duhet bërë sexhde, Muhammedi (salAllahu alejhi ves-sel-lem) bëri një sexhde, e më pas tha:

“Ja, a dëgjove o Ebu Velid”.
Utbe u ngrit dhe shkoi te shokët e vet. Ata e vërejtën dhe thanë: “Pasha Zotin, fytyra e Ebu Velidit në kthim nuk është si ajo kur shkoi.”
Pasi që u ul ndërmjet tyre, ata pyetën: “Çka ka, o Ebu Velid?”
Ai tha:
“Kam dëgjuar fjalë që pasha Allahun deri më sot nuk i kam dëgjuar. Vallahi, ajo nuk është as poezi, as magji, e as vepër fallxhori. O kurejshë, më dëgjoni mua dhe ju lutem mos e pengoni gjatë veprimtarisë së tij. Pasha Allahun, fjalët të cilat i kam dëgjuar nga ai, do të shkaktojnë jehonë të madhe. Po qe se arabët e shkatërrojnë, të tjerët do t’ju kursejnë. E nëse ai i nënshtron ata, atëherë pushteti i tij do të jetë edhe i juaji, e lavdi i tij do të jetë edhe lavd i juaj. Me te do të bëheni popull më fatlumë.”

Ata iu përgjigjën: “Pasha Zotin, o Ebu Velid, ai me gjuhën e tij të paska bërë magji”. Ai u’a ktheu: “Ky është mendimi im për atë, e ju veproni si të dëshironi.”
Ekzistojnë shembuj të ndryshëm si nga e kaluara, ashtu edhe sot, kur Fjala Hyjnore i mahnit njerëzit me elokuencën dhe domethënien e tij. Pikërisht një Libër sikur ky – që në të gjitha sferat bën që të mahnitesh, madje edhe të nxit për të menduar e përsiatur – ka qenë i nevojshëm për gjininë njerëzore, fundament sipas së cilit njerëzimi do ta rregullojnë jetën e tyre.

“Ne sqaruam në mënyrë të ndryshme (argumentet) në këtë Kur’an, ashtu që ata të nxjerrin përvojë, por kjo nuk u shtoi atyre tjetër, vetëm se largim (nga e vërteta)”. (el-Isra, 41).

Kur’ani dhe mënyrat e Shpalljes

Kur themi për Kur’anin se është fjalë e All-llahut aludojmë në atë se në këtë Libër nuk ka fjalë të ndonjërit tjetër përpos të All-llahut. Muhammedi (s.a.v.s.) ishte ai i Dërguar i Allahut i cili vetëm e kumtoi atë që iu Shpall nga All-llahu i Lartëmadhëruar. Fillimi i zbritjes së Kur’anit përmes Shpalljes njëkohësisht shënoi profetësinë e Muhamedit (s.a.v.s.) si i Dërguar nga Allahu.
Shpallja e Kur’anit është realizuar në mënyrë graduale, gjë që thuhet edhe në vet Kur’anin Fisnik: “Dhe Kur’anin e ndamë (pjesë-pjesë) për tua lexuar njerëzve dalëngadalë dhe e kemi zbritur me zbritje të njëpasnjëshme”. (el-Isra, 106).
Në definicionin e Kur’anit sipas besimit islam, karakteristika e pare e Fjalës Hyjnore (Kur’an) është se ky Libër është shpallje, fjalë e shpallur e Zotit. Fjala e Zotit në besimin islam është ndër kategoritë e tij fundamentale dhe bën pjesë në shprehjet më të rënda të shkencës së tefsirit.

Duke e marrë parasysh se shprehja shpallje në rrëfimet kur’anore lajmërohet në kontekste të ndryshme, sistematizuesit e shkencës së tefsirit kanë tërhequr vërejtjen në kompleksivitetin dhe seriozitetin e vetë formulimit të definicionit.
Sipas evidencës tekstuale të vetë Kur’anit, fjala “wahj” ndonjëherë përdoret në formën e emrit foljor të pavarur, që është përdorur dy herë:
1. “Thuaj: “Unë ua tërheq vërejtjen vetëm me anën e kësaj shpalljeje, po i shurdhëti nuk dëgjon thirrjen edhe kur i tërhiqet vërejtja”. (el-Enbija, 45) dhe
2. “Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet”. (en-Nexhm, 4) .

Mënyrat e shpalljes tek të dërguarit e Allahut

Në përgjithësi janë të njohura disa mënyra të shpalljeve, gjegjësisht të drejtuarit e Allahut përmes melekut Xhibril (alejhisselam) Pejgamberëve, por në bazë të burimeve klasike islame përfundon se te Pejgamberi (s.a.v.s.) mund të fiksohen gjashtë mënyra të shpalljes në përgjithësi, të cilat nuk kanë qenë të gjitha Kur’an, si:

1. Ëndrrat e vërteta të cilat plotësisht janë realizuar si të vërteta. Dihet se i Dërguari i Allahut nën ndikimin e këtyre ëndrrave ka publikuar ndodhi ose thënie të tija të cilat për besimtarët vlejnë si Praktikë (Sunne) .
2. Mënyra e dytë është ajo “kur meleku vendos diçka në zemrën e të Dërguarit të Allahut, cili do i Dërguar që ishte ai”.
3. Për mënyrën e tretë të shpalljes në përgjithësi merret paraqitja e melekut Xhibril Alejhisselam në fizionomi të njeriut. Në atë rast Xhibrili (a.s.) ia komunikoi Muhammedit (s.a.v.s.) udhëzimet islame. Kjo mënyrë e shpalljes është e dukshme, siç është p.sh. ndodhia kur Xhibrili (a.s.) erdhi në fizionomi të një njeriu dhe në prezencë të sahabëve të tjerë e pyeti të Dërguarin e Allahut rreth disa çështjeve islame.
4. Mënyra e katërt e shpalljes kryesisht është lidhur ngushtë me Kur’anin dhe përbëhet nga ajo, “që i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) dëgjon dhe kupton zërin i cili është i pakuptueshëm për njerëzit tjerë. Ky zë, siç thotë vet i Dërguari i Allahut është i ngjashëm me tingullin e ziles. Kjo mënyrë e shpalljes për të Dërguarin e Allahut ishte më e rënda.
5. I Dërguari i Allahut, Shpalljen e ka pranuar edhe ashtu që ka mundur, me ndihmën e Zotit, ta perceptojë “melekun në formën e vet” , kështu që me këtë rast, meleku ia ka komunikuar Shpalljen dhe rangun e saj (a është p.sh. shpallja vetëm si hadith ose hadithi kudsijj, apo Kur’an, etj.).
6. Shpallje kur Allahu drejtpërdrejtë i drejtohet Pejgamberit të Tij. Kjo mënyrë e shpalljes është e rrallë dhe e kanë pasur vetëm disa pejgamberë të Allahut, si Musai a.s. në kodrën e Sinait dhe Muhammedi (s.a.v.s.) gjatë mi’raxhit .
Prej këtu kuptohet se mënyra e parë dhe e dytë nuk kanë kurrfarë lidhje me Kur’anin, por në esencën e tyre janë të lidhura me shpalljen e haditheve. Kjo është në harmoni me definicionin e haditheve kur thuhet se kuptimi i hadithit është nga Allahu, ndërsa fjalët nga i Dërguari (s.a.v.s.). Pra, këto gjashtë mënyra të shpalljes mund t’i ndajmë në jo kur’anore dhe kur’anore .

I Dërguari i Allahut bartës i Fjalës Hyjnore

Pasi që e kemi fjalën për mënyrat e Shpalljes së Kur’anit, do të ishte në interes që të theksojmë faktin se vet Muhammedi (s.a.v.s.) si i dërguar i fundit i Allahut paraqiste edhe hallkën kyçe ku u gërshetuan funksionet e ndryshme siç janë:

– transmetimi i Porosisë së Allahut (Risalet),
– ofrimi i shpjegimeve,
– të dhënit e vendimeve gjyqësore dhe
– udhëheqja me bashkësinë (imamet) .

Në funksionin e risaletit (Shpalljes) Muhammedi (s.a.v.s.) është vetëm transmetues i Fjalëve të Allahut.

Normat të cilat i përmban Shpallja janë të pandryshuara dhe besimtarët janë të obliguar që t’i përcjellin ato. Është e njohur se para se t’i vinte Shpallja Muhammedit s.a.v.s., ai asnjëherë nuk kishte diskutuar për ndonjë nor¬më teologjike, për ndonjë mision Hyjnor ose për norma pedagogjike… Mendimtari i njohur islam Ebu-l-A’la el- Mevdudi për misionin dhe rolin e Muhammedit s.a.v.s. thotë:
“Kur filloi ta predikojë misionin e tij, e tërë Arabia ishte e shtangur dhe e habitur me fjalorin dhe shkathtësinë e tij të përsosur oratorike. Ai ishte aq i pakrahasueshëm, saqë asnjëri nga poetët, predikuesit dhe oratorët arabë të rangut më të lartë, nuk kishin krijuar diç të ngjashme sipas bukurisë së gjuhës, artikulimit madhështor, kur ai u tha armiqve të vet të bashkuar, të formulojnë së paku një ajet më të vogël, të ngjashëm me atë që ai recitonte” .

Mënyrat e shpalljes së Kur’anit Fisnik

Siç është e njohur Kur’ani nuk është shpallur vetëm në një mënyrë, por në më shumë mënyra dhe kjo ishte shkak që në shkencën e tefsirit të hyjë problemi i këtyre tematikave. Mirëpo, për t’u kuptuar drejt secila mënyrë e shpalljes së Kur’anit, është e duhur që të njihen të gjitha mënyrat në të cilat përgjithësisht e ka pranuar Shpalljen i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.).

Në lidhje për mënyrat dhe shkallët e publikimit të wahjit Allahu i Lartëmadhëruar në Librin e Tij të fundit (Kur’an) thekson:
“Nuk ka asnjë njeri që t’i ketë folur All-llahu ndryshe, vetëm se me anë të frymëzimit, ose pas ndonjë perdeje, ose t’i dërgojë të dërguar (melek), e ai t’i shpallë me lejen e Tij atë që do Ai. Vërtet, Ai është më i Larti, më i Urti”. (esh-Shura, 51).

Duke analizuar dimensionet e shpalljes, qartë vërejmë se mënyrat e ardhjes së melekut Xhibril tek i Dërguari i Allahut, Muhammedi s.a.v.s. janë tre:
1. Xhibrili (alejhisselam) vjen në formën e vet, në të cilën e ka krijuar Allahu. Mënyra e tillë e ardhjes ka ndodhur vetëm dy herë gjatë jetës së Muhammedit (s.a.v.s.).
2. Publikimi i Shpalljes në mënyrë sikurse rënia e ziles. Pas përfundimit të shpalljes, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) e mbante mend dhe e kuptonte gjithë atë që iu ishte shpallur.
3. Meleku mer formën e njeriut që i flet të Dërguarit të Allahut, ndërsa ai e kupton dhe e mban në mend gjithë atë që ai ia kuptoi .
Sipas ajetit të më lartë shënuar qartë kuptojmë se ekzistuan tre mënyra të shpalljes së Kur’anit, gjë për të cilat ka folur edhe i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.):
“Nganjëherë (Shpallja) më vjen në formë të tingullit të ziles. Kjo më është mënyra më e vështirë e shpalljes, e kur meleku ndërpret, unë plotësisht e mbaj në mend atë që ma ka thënë (Xhibrili). (Buhari).

Ndër mënyrat sipas së cilave është shpallur Kur’ani, mënyra sipas tingullit të ziles ishte realizuar më së shumti. Gjithashtu edhe mënyra e shpalljes ku është realizuar ardhja e Xhibrilit është e njohur nga hadithi i Muhammedit (s.a.v.s.) ku ka thënë:
“Ndonjëherë më paraqitej meleku (Xhibril) në fizionomi të njeriut. Ai më fliste, e unë e mbaja në mend atë që më thoshte”. (Buhari).

Aty ku flitej për shpalljen e pesë ajeteve të para të kaptinës ’Alek është me rëndësi të veçojmë rrëfimin e Muhammedit (s.a.v.s.) ku ka thënë:
“… Dhe duke shkuar (prej Hiras), kam dëgjuar nga qielli një zë, e ngrita shikimin, kur ja prap mu është paraqitur i njëjti melek i cili më parë mu paraqit në Hira, rrinte në pozitën në mes qiellit dhe tokës. I frikësuar nga ky, jam kthyer në shtëpi dhe kam thënë: “Më mbuloni! Më mbuloni!…. (Buhari).

Sipas haditheve të Muhammedit (s.a.v.s.) kuptojmë se të gjitha këto tre mënyra janë të përfaqësuara me rastin e Shpalljes së Kur’anit .

LITERATURA:

Kur’ani – përkthim me komentim, Prishtinë.
KARIQ, Enes, “Hyrje në shkencat e tefsirit”, Prishtinë, 1996.
RAMIQ, dr. Jusuf, “Shkaqet e zbritjes së Kur’ani Kerimit”, Ilmije, Shkup, 1990.
KUTB, prof. Sejjid, “Ilustrimi artistik në Kur’an”, Logos/A, 1996.
KUTB, prof. Sejjid, “Shenja në rrugë”, pa vit botimi, IHH, Stamboll.
ZEJDAN, dr. Abdulkerim, “Individi dhe shteti në Sheriatin islam”, Drita, Shkup, 1994.
RIPPIN, Andrew, “Historiku i tefsirit të Kur’anit”, Zëri Islam, Prizren, 2001.
Ebu’l ala el-Mevdudi, “Të kuptuarit e drejtë të Islamit”, Logos/A, Shkup, 1993.
Dr. Sulejman Omer Eshkar, “Pejgamberët dhe Shpalljet”, Furkan, Shkup, 2006.
HAMIDULLAH, dr. Muhammed, “Muhammed a.s.-Djelo”, II, Zagreb, 1983.
Muhamed Hanxhiq, “Uvod u tefsirksu i hadisku nauku”, Sarajevo, 1972.
SMAILAGIQ, Nerkez, “Uvod u Kur’an”, Zagreb, 1975.
Dituria islame, nr. 60/1994, Prishtinë.
Islamska Misao, nr. 88-89, 1986, Sarajevë.
www.mesazhi.com/news_detail.php?id=9345.
www.forumi.kurandhesunet.net/literature-islame(26)/dy-pasqyrime
www.lajme.feja-islame.com/lajme/?p=168
www.bosanskialim.com/rubrike/tekstovi/000064R002.html.