Ndryshime tekstuale ne Bibël lidhur me statusin e gruas

Ndryshime tekstuale ne Bibël lidhur me statusin e gruas

Bart Ehrman

Fragment i shkëputur nga libri i “Misquoting Jesus: The Story Behind Who Changed the Bible and Why”, (Harper One 2007, kap. 4)

Gruaja dhe teksti i shkrimeve

 

Diskutimet rreth rolit të gruas nuk kanë luajtur një rol dhe aq të madh në përçimin e tekstit të Dhiatës së Re, por gjithsesi ato kanë qenë të pranishme dhe janë shkaku kryesor për disa ndryshime interesante në pasazhe të rëndësishme. Për t’i kuptuar ndryshimet tekstuale që janë bërë si pasojë e një faktori të tillë, na nevojitet të njohim kontekstin dhe natyrën e këtyre diskutimeve 1.

 

Gratë në Kishën e hershme

 

Teologët bashkëkohorë kanë konstatuar se diskutimet rreth rolit të grave në Kishën e hershme kanë ndodhur si pasojë e faktit se gratë në atë kohë kanë luajtur një rol shpesh domethënës dhe me profil të lartë publik. Për më tepër, kështu ka qenë që nga fillimi, duke filluar që me jetën publike të Jezusit. Është e vërtetë se ndjekësit e afërt të Jezusit, dymbëdhjetë dishepujt, kanë qenë të gjithë meshkuj, ashtu siç është e pritshme për një mësues çifut të shekullit të parë, por ungjijtë më të hershëm rrëfejnë se Jezusi ka qenë i shoqëruar edhe nga gra gjatë udhëtimeve të tij dhe shumë nga këto gra kanë siguruar për të dhe dishepujt e tij burime financiare, duke shërbyer si udhëzuese dhe mbrojtëse gjatë rrugës (shih: Marku 15:40-51; Luka 8:1-3).

Thuhet se Jezusi është përfshirë në diskutime publike me to dhe u ka përcjellë atyre lajmin e mirë (Ungjillin) (Marku 7:24-30; Gjoni 4:1-42). Në veçanti, na thuhet se gratë e kanë shoqëruar Jezusin edhe gjatë udhëtimit të tij të fundit për në Jeruzalem, ku ato ishin të pranishme gjatë kryqëzimit, të vetmet që i kishin mbetur besnike në ato çaste, ndërkohë që të gjithë dishepujt meshkuj kishin marrë arratinë (Mateu 27:55; Marku 15:40-41). Më domethënëse se të gjitha këto që përmendëm është ngjarja e treguar në katër ungjijtë kanonikë, sipas së cilëve ishin gratë, Maria Magdalena e vetme ose me shoqet e saj, ato që zbuluan varrin e zbrazur dhe, në këtë mënyrë, u bënë dëshmitaret e para të ringjalljes së Jezusit (Mateu 28:1-10; Marku 16:1-8; Luka 23:55-24:10; Gjoni 20:1-2).

Është joshëse të pyesësh veten se çfarë kishte në mesazhin e Jezusit që e bënte atë kaq tërheqës për gratë. Shumica e teologëve janë të bindur se Jezusi ka shpallur ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë, në të cilën nuk do të ketë më padrejtësi, vuajtje, ligësi; në të cilën njerëzit, të pasur dhe të varfër, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra, do të jenë të barabartë dhe pjesëtarë të saj. Ky mendim natyrisht që është shfaqur shumë tërheqës, si një mesazh shprese për të gjithë ata që në atë kohë ishin të paprivilegjuar, të varfër, të sëmurë, të përjashtuar nga shoqëria dhe sidomos për gratë. 2

Sido që të jetë, është e qartë që edhe pas vdekjes së tij, mesazhi i Jezusit vazhdoi të ishte tepër tërheqës për gratë. Shumë kundërshtarë të hershëm paganë të Krishterimit, duke përfshirë, për shembull, kritikun e fundshekullit të dytë, Celsusin, që e kemi përmendur më herët, e sulmonin Krishterimin duke pohuar se ai ndiqej vetëm nga fëmijë, skllevër dhe gra (d.m.th., nga njerëz që nuk kishin asnjë vlerë shoqërore). Çuditërisht, Origjeni, që shkroi një përgjgje të krishterë ndaj Celsusit, nuk e mohoi akuzën, por u përpoq ta përdorte atë si armë ndaj kundërshtarit, duke treguar se Perëndia mund të marrë atë që është e dobët dhe mund ta veshë me pushtet e fuqi.

Por nuk na duhet të presim shekullin e dytë për të parë se gratë kanë luajtur një rol madhor në kishat e hershme. Ne mund ta kuptojmë në mënyrë të qartë rolin e tyre nga shkrimet më të hershme të krishtera që kanë mbijetuar deri më sot, siç janë shkrimet e Palit.

Letrat e Palit që gjenden sot të përfshira në Dhiatën e Re na pajisin me dëshmi të gjera që tregojnë për pozitën e lartë që gratë zotëronin në bashkësitë e sapoformuara të krishtera.

Le të marrim, p.sh., letrën e Palit drejtuar romakëve, në fund të së cilës ai përshëndet anëtarë të ndryshëm të bashkësisë së tij (kapitulli i 16). Ndonëse Pali aty përmend më shumë burra se gra, është e qartë se këto të fundit nuk shiheshin si më të parëndësishme se burrat në kishë. Pali aty përmend Febën, për shembull, që ishte dhjake e kishës që ndodhej në Kenkrea, si dhe ndihmëtare e Palit, të cilës ai i kishte ngarkuar detyrën që të dërgonte letrën e tij në Romë (v. 1-2). Aty ishte Prishila, e cila, së bashku me bashkëshortin e saj Akuilën, ishte përgjegjëse për veprimtarinë misionare mes xhentilëve dhe që shtëpinë e saj e kishte shndërruar në kishë (v. 3-4: vini re, Prishila përmendet para bashkëshortit të saj). Pastaj kemi edhe Marinë, një bashkëkohëse e Palit që punonte në bashkësinë e Romës (v.6). Kemi, po ashtu, edhe Trifenën, Trifozën dhe Persidën, gra që Pali i quan bashkëpunëtore në Ugjill (v. 6, 12). Më pas është Julia, e ëma e Rufit, si dhe motra e Nereut, të cilat duket se kanë një rol shumë të rëndësishëm në bashkësi (v. 13, 15). Më domethënëse se të gjitha është Junia, një grua që Pali e quan “e para ndërmjet apostujve” (v.7). Grupi i apostujve, me sa duket, ka qenë më i zgjeruar se numri i dymbëdhjetë meshkujve, me të cilët jemi kaq shumë të familjarizuar.

Gratë, për ta thënë shkurt, duket se kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në kishën e Palit. Deri diku, ky profil kaq i lartë shoqëror është i pazakontë për botën greko-romake. Ai duhet ta ketë prejardhjen, siç përmendëm më lartë, në shpalljen nga ana e Jezusit të ardhjes së Mbretërisë së Perëndisë, ku do të ketë barazi ndërmjet burrave dhe grave. Ky duket se ka qenë edhe mesazhi i Palit, siç mund të shihet, për shembull, në pohimin e tij të njohur në librin drejtuar Galatasve: “Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur. Nuk ka as jude, as grek, nuk ka as skllav, as të lirë, nuk ka as mashkull, as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin.” (Gal. 3:27-28)

Barazia në Krisht duhet të jetë përkthyer, doemos, në shërbimet konkrete të adhurimit të bashkësisë së Palit. Duke mos qenë aspak veç “dëgjuese të heshtura të fjalës”, gratë duket se janë përfshirë gjallërisht në takimet javore, duke marrë pjesë, për shembull, në adhurime dhe profetizime më shumë se ç’bënin burrat (1 Korintasve 11).

Njëkohësisht, interpretuesve bashkëkohorë mund t’u duket se Pali nuk e ka kanalizuar këndvështrimin e tij të marrëdhënieve burrë-grua në Krishtin në atë që mund të quhet rrjedhim logjik i tyre. Ai kërkon, për shembull, që kur gratë të luten dhe të profetizojnë në kishë, ato duhet ta bëjnë këtë me kokë të mbuluar për të treguar se janë “nën pushtet” (1 Korintasve 11: 3-16, veçanërisht v. 10). E thënë ndryshe, Pali nuk nxiti ndonjë revolucion shoqëror në lidhje me marëdhëniet burrë-grua, ashtu sikurse nuk nxiti shfuqizimin e skllavërisë, ndonëse ai pohonte se në Krishtin “nuk ka skllevër dhe të lirë”. Në vend të kësaj, ai këmbëngulte se duke qenë se “Ora është afër” (deri në ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë), çdokush duhet të jetë i kënaqur me rolet që i janë dhënë dhe se askush nuk duhet të përpiqet të ndryshojë gjendjen e tij, qoftë skllav apo i lirë, i martuar apo beqar, mashkull apo femër (1 Korintasve 7:17-24).

Kjo mund të shihet, më së shumti, si një qasje e dyvlershme përballë rolit të grave; ato janë një në Krishtin dhe u lejohet të marrin pjesë në jetën e bashkësisë, por si gra e jo si burra (ato duhet, për shembull, të mos e heqin shaminë e kokës për të mos u dukur si burra, pa një “pushtet” mbi kryet e tyre). Kjo qasje e dyvlershme nga ana e Palit pati një ndikim shumë interesant në rolin e grave në jetën e Kishës pas vdekjes së tij. Në disa kisha ishte barazia në Krishtin që theksohej më shumë. Në disa të tjera theksohej nevoja që gratë të ishin të nështruara ndaj burrave. Në këtë mënyrë, në shumë kisha, gratë luajtën një rol me të vërtetë madhor, madje kryesues. Në kisha të tjera, roli i tyre u dobësua dhe zëri i tyre u mbyt. Duke lexuar dokumentet e mëvonshme që i përkasin kishës së Palit, pas vdekjes së tij, do të shohim se diskutime të shumta u ngritën mbi rolin që duhet të luajë gruaja në kishë. Aty duket se ka një prirje shumë të madhe për ta shtypur krejtësisht rolin e gruas në kishë. Kjo është e qartë në letrat që janë shkruar në emër të Palit. Shumica e teologëve sot janë të bindur se 1 Timoteu nuk është shkruar nga Pali, por nga një ndjekës i tij i brezit të dytë. 3

Në një nga pasazhet famëkeqe të Dhiatës së Re që bën fjalë për rolin e grave, na thuhet se gratë e kanë të ndaluar të mësojnë burrat, sepse ato janë krijuar në pozitë më të ulët, siç tregohet nga vetë Perëndia në Ligjin e Tij. Zoti e krijoi Evën të dytën, për hir dhe kënaqësi të burrit. Gratë (të lidhura me Evën) nuk duhet përdorin pushtet ndaj burrit (të lidhur me Adamin) përmes mësimit të tyre. Për më tepër, sipas autorit të kësaj letre, çdokush e përfytyron se çfarë ndodh kur një grua merr rolin e mësueses; ajo mashtrohet lehtësisht nga Djalli dhe e çon burrin drejt shkatërrimit dhe shmangies nga rruga e drejtë.

Për këtë arsye, gratë duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të kujdesen për ruajtjen e virtyteve femërore, që kanë të bëjnë me sigurimin e një pasardhësi për bashkëshortët e tyre dhe të qënurit modeste. Pasazhi është si më poshtë.

Gruaja le të mësojë në heshtje dhe me çdo nënshtrim. Nuk e lejoj gruan që të mësojë, as të përdorë pushtet mbi burrin, por të rrijë në heshtje. Në fakt, së pari u krijua Adami, por gruaja u gënjye dhe ra në shkelje. Megjithatë, ajo do të shpëtohet duke lindur fëmijë, në qoftë se do të qëndrojnë në besim, në dashuri dhe shenjtërim me modesti.” (1 Tim. 2:11-15)

Kjo duket shumë larg këndvështrimit të Palit se “Në Krishtin nuk ka…mashkull dhe femër.” Duke lëvizur në shekullin e dytë, vijat e luftës duken të shpalosura qartësisht. Ka disa bashkësi të krishtera që theksojnë rëndësinë e grave dhe u lejojnë atyre të luajnë një rol të rëndësishëm në kishë, sikurse ka të tjera që besojnë se gratë duhet të qëndrojnë në heshtje e të nënshtruara ndaj burrave të bashkësisë.

Shkruesit (skribët) që kanë kopjuar shkrimet që u bënë, më pas, pjesë e Dhiatës së Re, kanë qenë të përfshirë dhe ata në këto diskutime. Në disa raste, ky debat ka lënë gjurmë në shkrimet e kopjuara prej tyre dhe pasazhe të caktuara janë ndryshuar për t’u përshtatur me këndvështrimin e shkruesve që janë marrë me kopjimin dhe përçimin e tekstit. Pothuajse në çdo rast që ka marrë jetë një ndryshim i tillë, teksti është ndryshuar në mënyrë që të minimizojë rolin e gruas dhe rëndësinë e saj për bashkësinë e krishterë. Më poshtë do të përmendim disa syresh.

 

Ndryshime tekstuale lidhur me statusin e gruas

 

Një nga pasazhet më të rëndësishme në diskutimet bashkëkohore lidhur me rolin e gruas në kishë gjendet te 1 Korintasit 14. Pasazhi, siç shfaqet më së shumti në përkthimet e sotme të Biblës, është si më poshtë: “Sepse Perëndia nuk është Perëndi trazimi, por paqtimi si në të gjitha kishat e shenjtorëve. Gratë tuaja të heshtin në kishë, sepse nuk u lejohet të flasin, por duhet të nënshtrohen, sikur thotë edhe ligji. Dhe në qoftë se duan të mësojnë ndonjë gjë, le të pyesin burrat e tyre në shtëpi, sepse është e turpshme për gratë të flasin në kishë. Prej jush doli fjala e Perëndisë? Apo vetëm te ju arriti?

Ky pasazh shfaqet si një urdhëresë e drejpërdrejtë për gratë që të mos flasin (lëre pastaj të japin mësim!) në kishë, njësoj si në pasazhin e 1 Timoteut, në kapitullin 2. Siç e pamë më lart, shumica e teologëve janë të bindur se nuk është Pali autor i pasazhit të 1 Timoteut, sepse ai pasazh shfaqet në një letër që duket se është shkruar në shekullin e dytë nga një ndjekës i Palit që ka përdorur emrin e tij. Askush nuk dyshon se Pali ka shkruar letrën drejtuar Korintasve, por ekzistojnë dyshime në lidhje me pasazhin e cituar më lart. Ashtu siç gjendet në formën e sotme, versetet në fjalë (v. 34-35) janë zhvendosur në shumë prej dorëshkrimeve të rëndësishme biblike. Në tre dorëshkrime greke dhe në dy latine, versetet nuk gjenden pas versetit 33, por pas versetit 40. Kjo i ka bërë shumë teologë të hedhin hipotezën se këto versete nuk janë shkruar nga Pali, por fillimisht kanë ekzistuar si shënime anësore, të shtuara nga një skrib, me shumë mundësi i ndikuar nga pasazhi i Timoteut 2. Ky shënim anësor, më pas, është futur në vende të ndryshme të tekstit nga shkrues të ndryshëm. Disa e kanë vënë këtë shënim pas versetit 33 e të tjerë pas versetit 40.

Ka arsye të mjaftueshme për të besuar se Pali nuk është autori i këtij pasazhi. Së pari, ky pasazh nuk shkrihet mirë me kontekstin. Në këtë pjesë të 1 Korintasve, Pali diskuton për çështjen e profetizimit dhe udhëzon profetët e krishterë se si duhet të sillen gjatë shërbimeve të adhurimit në kishë. Kjo është njëkohësisht tema e verseteve 26-33 dhe 36-40. Nëse heqim versetin 34-35, pasazhi shfaqet si një tërësi që bën fjalë për rolin e profetëve të krishterë. Diskutimi për rolin e grave në kishë ndërhyn në mënyrë të beftë në kontekstin e pasazhit, duke thyer në mes udhëzimet që Pali po jep për një çështje krejt tjetër.

Jo vetëm që versetet ndërhyjnë ashpërsisht në kontekstin e kapitullit 14, por ato shfaqen edhe në kundërshti me atë që Pali ka pohuar qartë në një tjetër vend të po të njëjtës letër. Siç e kemi parë më parë, Pali ka dhënë në këtë letër udhëzime për gratë që flasin në kishë. Sipas kapitullit të 11, kur luten dhe profetizojnë, veprimtari këto që janë bërë gjithnjë me zë të lartë në shërbimet e adhurimit të krishterë, ato duhet të sigurohen që të mbulojnë me shami kryet e tyre (11:2-16). Në këtë pasazh, që askush nuk e ka vënë në dyshim se është shkruar nga Pali, është e qartë se Pali i lejon gratë që të veprojnë dhe të flasin në kishë. Në pasazhin e diskutueshëm të kapitullit 14, është, gjithashtu, e qartë se “Pali” i urdhëron gratë që të heshtin. Është e vështirë të pajtohen këto dy këndvështrime. Sikurse nuk është e arsyeshme të mendosh se Pali, në mënyrë të hapur, të ketë kundërshtuar vetveten brenda hapësirës së shkurtër të tre kapitujve, duket qartë se versetet në fjalë nuk janë shkruar nga Pali.

Kështu, duke ndërthurur të dhënat, pra, duke vërejtur shumë dorëshkrime që kanë bërë zhvendosje të pasazhit në fjalë, mospërputhjen me kontekstin e afërm, si dhe me kontekstin e 1 Korintasve në përgjithësi, arrijmë në përfundimin se Pali nuk është autor i pasazhit të 1 Korintasve 14:34-35.

Nga kjo kuptojmë se këto versete janë rrjedhim i ndryshimit të tekstit të bërë nga skribët, fillimisht të vendosura si shënim anësor e më pas, me shumë të ngjarë, në një fazë të hershme të kopjimit të 1 Korintasve, janë futur në tekst nga shkruesit e mëvonshëm duke u bërë pjesë e tij. Ndryshimi është bërë, pa dyshim, nga skribë që kanë synuar të theksojnë se gratë nuk duhet të kenë asnjë rol publik në kishë, se ato duhet të heshtin e t’u binden bashkëshortëve të tyre. Ky këndvështrim u bë pjesë e tekstit përmes ndryshimeve tekstuale 4.

Tani le të shohim shkurtimisht disa ndryshime të tjera tekstuale të ngjashme me atë çka sapo përfunduam së analizuari. Njëri prej tyre gjendet në një pasazh që e përmendëm më parë, te Romakët 16, në të cilin Pali flet për një grua të quajtur Junia dhe për një burrë, Andronikun, që duket se është bashkëshorti i saj, të cilët ai i quan “të parët ndër apostujt” (v. 7). Ky është një verset i rëndësishëm, sepse është i vetmi rast në të gjithë Dhiatën e Re, që një grua quhet apostulle. Interpretuesve biblikë u ka bërë aq shumë përshtypje kjo, saqë shumë prej tyre kanë pohuar se pasazhi në fjalë nuk ka atë domethënie që duket në pamje të parë dhe e kanë përkthyer versetin në atë mënyrë, saqë tani ai nuk i drejtohet më një gruaje të quajtur Junia, por një burri të quajtur “Junias”, duke e shndërruar emrin nga gjinia femërore në atë mashkullore. Problemi i përkthimeve të tilla qëndron në faktin se ndërsa “Junia” është një emër i zakonshëm, i përdorur për gratë, nuk ka asnjë të dhënë nga bota e lashtë që “Junias” të ketë qenë një emër burri. Pali përmend një grua të quajtur Junia, ndonëse në shumë përkthime biblike bashkëkohore (ju mund ta vërtetoni vetë) përkthyesit vazhdojnë ta përmendin këtë grua apostulle si një burrë me emrin “Junias” 5

Shumë skribë, gjithashtu, kanë hasur vështirësi në veshjen e termit “apostulle” një gruaje të panjohur e, në këtë mënyrë, kanë bërë një ndryshim shumë të vogël në tekst për t’i bishtnuar kësaj vështirësie. Në shumë dorëshkrime, në vend që të lexojmë, “Të fala Andronikut dhe Junias, kushërinjtë e mi dhe shokë të burgut, të parët midis apostujve,” teksti është ndryshuar si vijon: “Të fala Andronikut dhe Junias, kushërinjt e mi dhe shokë të burgut. Gjithashtu dërgou të fala shokëve të mi të burgut, të parëve ndërmjet apostujve.” Pas këtij ndryshimi tekstual, nuk është më e nevojshme të shqetësohet askush nga cilësimi si apostulle i një gruaje në mes të një grupi meshkujsh!

Një ndryshim i ngjashëm është bërë edhe nga shumë skribë që kanë kopjuar Librin e Veprave. Në kapitullin 17, mësojmë se Pali dhe shoku i tij në mision, Sila, kaluan shumë kohë në Thesalonikë duke predikuar Ungjillin e Krishtit çifutëve të sinagogës vendëse. Në versetin e katërt thuhet: “Disa nga ata besuan dhe u bashkuan me Palin dhe Silën, si dhe një numër i madh grekësh të përshpirtshëm dhe jo pak gra të rëndësishme.” Cilësimi i grave si “të rëndësishme”, aq më shumë si “të konvertuara të rëndësishme”, është i tepërt për një skrib e, në këtë mënyrë, teksti duhej ndryshuar. Në shumë dorëshkrime lexojmë: “Disa prej tyre besuan dhe u bashkuan me Palin dhe Silën, si dhe një numër i madh grekësh të përshpirtshëm dhe jo pak gra të burrave të rëndësishëm”. Tani janë burrat ata që janë të rëndësishëm, jo gratë e konvertuara. Ndërmjet shoqëruesve të Palit në Librin e Veprave pohohet se ishin edhe një çift, Akuila dhe Prishila. Shpesh, kur përmendet emri i tyre, autori i Veprave përmend në fillim emrin e gruas, më pas atë të bashkëshortit, sikur ajo të kishte një lloj epërsie të veçantë si në marrëdhëniet brenda çiftit, ashtu edhe në marrëdhëniet me të krishterët (siç ndodhi edhe te Romakër 16:3, ku ajo është quajtur Prisha).

Nuk është për t’u habitur që skribët janë ndier shpesh të fyer nga kjo renditje emrash dhe e kanë ndryshuar atë, duke i dhënë burrit vendin që “meriton” e duke ia vendosur emrin në krye, “Akuila dhe Prishila” në vend të “Prishila dhe Akuila”. 6

Si përfundim, mund të thuhet se në shekujt e hershëm të Krishterimit janë ndezur debate lidhur me rolin e gruas në kishë. Në disa raste, këto diskutime janë pasqyruar edhe në përçimin e vetë tekstit të Dhiatës së Re. Skribët kanë ndryshuar herë pas here tekstin e Biblës në mënyrë që ta sillnin atë në pajtim me këndvështrimin e tyre për rolin e kufizuar të gruas në shoqëri dhe në kishë.

Përktheu: Rezart Beka

 

Referenca

 

[1] Shih: Ehrman, “The New Testament”, kapitulli 24, në të cilin mbështetet pjesa më e madhe e asaj që vijon në këtë diskutim. Për një diskutim dhe dokumentim më të plotë, shih: Ross Kraemer dhe Mary Rose D’angelo, “Women and Christian Origins” (New York: Oxford Univ. Press, 1999). Shih, gjithashtu: R. Kraemer, “Her Share of the Blessings: Women’s Religion among Jews, Pagans, and Christians in the Graeco-Roman World” (New York: Oxford Univ. Press. 1992); dhe Karen J. Torjesen, “When Women Were Priests: Women’s Leadership in the Early Church and the Scandal of their Subordination in the Rise of Christianity” (San Francisco: Haper San Francisco, 1993).

 

[2] Për analizë më të hollësishme, shih: Ehrman, “Jesus”, 188-91

 

[3] Shih: Ehrman, “The New Testament”, kapitulli 23.

[4] Për një diskutim më të plotë që dëshmon se Pali nuk është autor i verseteve 34-35, shih veçanërisht komentarin: Gordon D. Fee, “The First Epistle to the Corinthians” (Grand Rapids: Eerdmans, 1987).

[5] Diskutimi më i plotë i kohëve të fundit është: Eldon Jay Epp, “Text-critical, Execetical, and Sociocultural Factor Affecting the Junia/Junias Variation in Rom 16:7”, në: A. Denaux, “New Testament Textual Criticism and Exegesis” (Leuven: Univ. Press, 2002), f. 227-92.

[6] Për ndryshime të tjera të këtij lloji në librin e Veprave, shih: Been Whitherington, “The AntiFeminist Tendencies of the ‘Western’ Text of Act”, Journal of Biblical Literature 103 (1984): 82-84.

(erasmusi.org)